Nga Astrit Lulushi/
Shqipëria po kalon kohë të vështirë mbushur me paragjykime, parashikime e profeci që thuhet se një ditë do të përmbushen. Disa bëhen mbizellshēm, se pandemia e tanishme mund të sjellë fundin e civilizimit. Masat ekstreme rreth koronavirusit po çojnë drejt një autoritarizmi qeverisës, në një shoqëri pa para, ku, sipas tyre, të gjithë do të gjurmohen dhe kontrollohen. Por qeveria, e paaftë, vetë përhap panik dhe pastaj gjoja e lufton atë. Revolucioni, nëse dikur do të vinte, duhet të përmbysë edhe tokën ku ata sot shkelin. Nga një vilë del njeriu gjysmë përgjumësh, si Qiklop i lënduar, dhe llomotit çdo ditë në Ekranin e tij vendime e masa të reja bllokuese për popullin që e mendon se është tufë me dele e manarë, e u cakton orarin e kullotjes.Dhe Populli përulet dhe njëkohësisht kapelja i bie nga koka, si të thotë se nuk e meriton një udhëheqës të tillë mikro-manexhues, i cili tallet me çdo vlerë morale, etike e tradite; sakrifikon të gjitha, që nga mjekët të cilën në këtë kohë i nis jashtë; ata në tokën asnjanëse, që nuk i lejon të hyjnë në atdheun e tyre; dhe të tjerët brenda, të cilët nuk dalin nga frika e ndëshkimit me burg, rrahje e gjoba. Komunizmi e bëri këtë gjë, e izoloi vendin, por prej tij nuk pritej asgjë e mirë, populli e di këtë; ashtu si tani në shekullin XXI, pjellat e tij, me mjekra të bardha si maska, pas të cilave fshihet përçmimi, kujdesen për gjithëçka që i ndihmon ata, po jo për popullin të cilin e kanë gënjyer.
Nga burgu i virusit
Nga Astrit Lulushi/
Sa lavde do njeriu që të thotë “u ngopa”? Me tepricë! – Derisa ta kuptojë qesëndisjen, sepse çdo gjë e tepruar e ëmbël villet, është qesharake. Facebookoo, – kështu duhet shkruar nëse lakohet, pasi pranohet në shqip – e ushqen këtë marrëzi, e bën njeriun të pangopur. Lavdet që vijnë në formën “like” për “ pëlqim”, dhe “comment” edhe për kritika, janë dy anë të medaljes. Njeriu është ‘medalja’, pas ekranit fshehur, që herë qan, herë qesh. Eshtë mirë ta dallojë se kur a ku është kufiri, në të dy rastet, përndryshe pëson eufori ose depresion.Kur fermeri Ray (Kevin Costner), në filmin “Field of Dreams”- 1989, dëgjoi një zë misterioz që vinte nga fusha e tij e misrit duke thënë “Nëse e ndërtoni, ai do të vijë”, ai (Ray) ndjeu nevojën për të vepruar. Pavarësisht se shumë njerëz e morrën për marrëzi idenë e tij, Ray ndërtoi një fushë bejsbolli në arën ku më parë mbillte misër. Kur fusha mbaroi, fantazmat e lojtarëve të mëdhenj filluan të shfaqen për të luajtur. Kjo fushë e ëndrrave ka të bëjë më tepër sesa për të nxjerrë në lojë ish-yjet e bejsbollit. Ata luajnë ndërsa qindra makina shihen duke iu afruar fushës. Kjo përmbush profecinë e Rayt se njerëzit do të vijnë nëse shohin se dikush luan, qoftë edhe hije. Kur hapet shtegu, bëhet rrugë, kjo është edhe idea. Rrënia e komunizmit u projektua si një ëndërr e ngjashme, por ndërtimi i fushës u la përgjysmë, prandaj askush nuk shkoi për të parë.Kjo ëndërr duket se frymëzoi Mark Zuckerbergun, kur nga dhoma e tij e konviktit të kolegjit, më 2004, filloi të hapë “faqe libri” kompjuterik për të komunikuar me studentët në kampuse. Nga ajo ditë Facebook u zgjerua me shpejtësi përtej kolegjeve dhe sot numëron rreth 2.5 miliardë antarë. Duket se media sociale është rruga virtuale që njeriu i detyruar, sot ka zgjedhur në ëndërr a realitet, mbyllur nga virusi, drejt evoluimit, ndërsa kalon kohēn.
PERIFERI
Nga Astrit Lulushi/
Kur flitet për historinë e lashtë, njeriu zakonisht mendon Egjiptin, Mesopotaminë, Greqinë e Romën – të cilësuara si 4 superfuqitë e antikitetit – sepse kulturat e tjera duket se kanë një rëndësi dytësore dhe kryesisht përbëhen nga civilizimet me të cilat një ose më shumë anëtarë të grupit të katërshes ishin në kontakt.
Nuk mund të flitet për Nubian pa folur për Egjiptin, nuk mund të flitet për Persianët pa përmendur Greqinë, nuk mund të flitet për Keltët pa folur për Romën.
Por ka patur edhe qytetërime të tjera që përmenden me disa fjali ose në fusnotat e rastit. Për këto kultura antike periferike nuk flitet kurrë në tekste shkollorë mbi historinë antike. Një arsye është se informacioni në lidhje me këto kultura të harruara është jashtëzakonisht i kufizuar: ju mund ta dini emrin e tyre, kur dhe ku ata kanë ekzistuar, por përveç kësaj, shoqëria e tyre, historia e tyre dhe mënyra se si ata ndërvepruan me botën përreth tyre është ose një enigmë totale ose kurrë nuk është studiuar seriozisht. Një arsye tjetër pse këta njerëz nuk diskutohen kurrë në detaje është sepse ata thjesht konsiderohen jo aq të rëndësishëm sa ia vlen të studiohen.
Me të vërtetë, cili nxënës i shkollës së mesme që studion historinë e përgjithshme të botës apo edhe një student i diplomuar ka dëgjuar për Ilirët, edhe pse këta janë të rëndësishëm në mënyrën e vet; më të fuqishëm mes fiseve të lashta dhe ndoshta armiku më i madh i Romës, sepse ka të ngjarë që ata penguan civilizimin romak të zgjerohej në lindje. Rhaetians ishin një grup fisesh ilire që banonin në veri të Italisë dhe Austrisë, por Romakët duhej t’i pushtonin sepse tokat e tyre bllokonin shtrirjen e Romës në lindje të saj, atje ku bëhej vera më e mirë; kjo mund të ishte arsyeja e vërtetë pse Romakët donin t’i pushtonin.
Ilirët ishin njerëzit që, me shekuj, i bënë grekët dhe romakët të shkundeshin. Me ilirët në mes, Roma nuk mund të binte në kontakt me qytetërimin e Greqisë së lashtë. Flotat ilire të anijeve luftarake me kokë gjarpri terrorizuan detet, luftëtarët të cilët thyen ushtritë më të forta që mund të ofronte ‘civilizimi’, kishin qytete të fortifikuara me kështjella të banueshme deri në mesjetë. Ata ishin të pasur, ishin të fuqishëm, ishin dinamikë, ishin në rritje dhe nuk është ekzagjerim të thuash që ata mund të ishin bërë anëtari i pestë në grupin e të mëdhenjve të historisë antike. Shumica në botë sot nuk kanë dëgjuar për ilirët, dhe ata që dinë për ekzistencën e tyre ka të ngjarë se kanë lexuar biografitë e Aleksandrit të Madh që luftoi me ‘ta dhe kundër tyre, ose duke lexuar historitë e Romakëve të lashtë që i pushtuan pas 3 kryengritjeve të përgjakshme.
Ilirët zinin tokën që shtrihej nga brigjet e Adriatikut deri në mbarë “Jugosllavinë”, edhe pse ky emër nuk është përdorur që nga fillimi i viteve 1990. Ilirët kontrolluan këtë shteg të madh të territorit për thuajse 5 shekuj, dhe ishin një forcë e madhe ekonomike dhe ushtarake në botën antike. Megjithatë, ata janë pothuajse plotësisht të panjohur. Deri para viteve ‘90, shumë historianë druheshim edhe t’i përmendin nga frika se mund të dëmtonin reputacionin. Historia antike e Ballkanit perëndimor është një temë studimore, për fat të keq e lënë pas dore, kryesisht për shkak të tërheqjes së perandorive dhe civilizimeve të tjera më të famshme antike. Pjesa që ky rajon luajti në sagën e historisë antike, në pjesën më të madhe ka qenë e kufizuar në referenca anësore në lidhje me episodet në historitë e kulturave të tjera më tërheqëse. Pak është bërë shumë pak për sa i përket studimit të drejtpërdrejtë në të cilin banorët autoktonë të Ballkanit perëndimor janë fokusi kryesor, dhe jo diçka për të cilën aludohet ndonjëherë kur flitet për historinë e Grekëve, Maqedonasve apo Romakëve. Eshtë turp që historia antike e kësaj toke dhe njerëzit që dikur jetonin aty mbeten “terra incognita” akademike. Vetëm një pjesë e vogël e librave janë shkruar për këtë temë në çdo detaj, në krahasim me dhjetëra mijëra tekste që janë shkruar në lidhje me civilizimet klasike të Evropës dhe Azisë. Duke marrë parasysh sa territor fizik përfshin Ballkani Perëndimor, dhe duke marrë parasysh sa kultura të ndryshme duhet të kenë jetuar atje, historia e këtij rajoni me siguri duhet të jetë në një paralel me studimet e kulturave të tjera fisnore evropiane, siç janë Keltët ose Gjermanët e lashtë, rreth të cilëve, sot, Evropa bashkohet.
Pak humanizëm, të lutem
Nga Astrit Lulushi/
Beteja vazhdon. Edhe historia. Fshatari i thjeshtë ndjek Don Kishotin nga lakmia, kurioziteti dhe besnikëria. Sanço Panço ekziston si brenda ashtu edhe jashtë botës së çmendur të Don Kishotit. Media e opozita luajnë sëbashku dhe shfrytëzojnë çmendurinë e Don Kishotit, por Sanço fshatari shpesh e adhuron, ndonjëherë duke u kapur tërësisht pas çmendurive, e mbron Don Kishotin për besimin në fantazi dhe kështu bëhet pjesë e tij. Ndërsa Don Kishoti është shumë serioz, Sanço ka një sens të shkathët humori. Don Kishoti i serviloset një gruaje që nuk e ka parë kurrë, ndërsa Sanço me të vërtetë e do gruan e tij. Ndërsa Don Kishoti mashtron veten dhe të tjerët, Sanço gënjen vetëm kur s’ka mënyrë tjetër.
Duke jetuar në botën e Don Kishotit dhe botën e bashkëkohësve të tij, Sanço është në gjendje të krijojë ngrohtësinë e tij midis tyre. Ai mishëron aspektet e mira dhe të këqija të epokës aktuale dhe ditëve të kaluara kalorsiake. Ai shfaq gabimet që vihen re në pjesën më të madhe të shoqërisë, por ka një rrëfim të nderuar dhe të dhembshur të tyre, vetira që u mungojnë të tjerëve. Sanço ndan besimin e çmendur të Don Kishotit në virtyte kalorësie, por shmang të lëkundet drejt ekstremit tjetër që e barazon fuqinë me nderin. Megjithëse Sanço fillon të kërkojë më shumë, si bashkëkohësit, kundër të cilëve Don Kishoti rebelohet, ai përfundimisht heq dorë nga magjepsja dhe pranon të jetojë me nder në pozicionin e tij të thjeshtë në jetë. Prandaj Sanço haset si personazhi me perspektivën më të larmishme dhe mençurinë më të madhe, duke mësuar nga bota përreth tij falë kuriozitetit të vazhdueshëm. Megjithëse Sanço është një personazh tërheqës në shumë nivele, është ky kuriozitet përgjegjës për pjesën më të madhe të lidhjes sonë me të. Ai vëzhgon dhe mendon për Don Kishotin, duke na mundësuar ta gjykojmë Don Kishotin. Sanço humanizon historinë, duke sjellë dinjitet dhe hidhërim, por edhe humor dhe dhembshuri.
Përmes Sanços, Miguel Servantes kritikon ekuacionin e konceptuar keq midis klasës dhe vlerës. Megjithëse Sanço është injorant, analfabet, frikacak dhe budalla, ai dëshmon veten si një udhëheqës të mençur dhe të drejtë, një qeveritar më të mirë se Don Kishoti i arsimuar, i pasur, autokrat dhe aristokrat. Në kohën kur Sanço kthehet në shtëpi, ai ka fituar besimin në vetvete dhe në aftësinë për të zgjidhur problemet, pavarësisht nga statusi i tij i klasës së ulët. Sanço shpesh na duket se e di se çfarë do të thotë. Pas një zbrazje 70 vjecarje nga ndjenjat, dhe mbushje me vrasje e mizori, korrupsion e vjedhje që rrjedhin nga elita, personazhi Sanço bëhet forcë humanizuese që i dallon njerëzit me të vërtetë të nderuar, edhe kur ata janë fshatarë a popull i thjeshtë.
Luftë
Nga Astrit Lulushi/
Ora ka mbetur, akrepat nuk lëvizin më. Kohë të vështira për njeriun kanë ardhur, i kërkohet të bëjë luftë me armikun që nuk e sheh. Kjo është koha më e mirë që shtypësi ka parë ndonjëherë, ndërsa flet vetëm nga ekrani, rri i mbyllur, pasi vrasjet i kryen virusi. As opozitë e as rivalitet, as fjalë të lirë nuk ka. Armiku i vërtetë është virusi, dhe nëse vdes, thonë se fajin e kishe vetë. Të vjen keq kur sheh se njerëzit, personeli mjekësor, pranojnë të vetëflijohen. Thuhet se qeveria do t’i paguajë, por sa kanë paguar ata vetë në forma të ndryshme për një rrugë të tillë jashtë? Dikur kishte komando që paguanin që t’a kishin emrin në listë. Jeta në Irakun e Afganistanin në luftë u dukej më e mirë e më e siguruar sesa ajo në vendin e tyre në paqe. Çfarë gënjeshtre! Vetëm nëse e lexon tekstin me vemendjen që është shkruar, mund ta kuptosh të vërtetën. Pleqve në radhë të parë, si në kampet naziste të vdekjes, u thuhet: ndahuni veças se duhet të vdisni, ose gjatë revolucionit kulturor në Kinën e viteve 1960, kur fëmijët e rinia e organizuar sulmonin të moshuarit. Thonë se pas virusit, bota do të jetë ndryshe nga ç’e keni parë deri më sot. Do të ketë vetëm shtypës dhe të shtypur pa leje e me frikë për të kundërshtuar, pa zgjedhje, dhe pushteti do të vijë rrotull, si vorbulla gjithë përfshirëse e ujit. Nëse ky skenar nuk ndodh këtë herë, rruga është hapur, dhe shtypësi i pajisur me një armë të re, e di sesi të veprojë herën tjetër e tjetër. Pas panikut vjen shkatërrimi dhe mbi këtë ngrihet sundimi.
- « Previous Page
- 1
- …
- 64
- 65
- 66
- 67
- 68
- …
- 102
- Next Page »