Prej kohësh kam dashur të bëj një vizitë në mjediset e Federatës Panshqiptare “Vatra” në Neë York. Kam shkruar për ngjarje të shënuara të saj siç ishte 100 vjetori i festimit të saj ku isha me një grup shokësh në Neë York, ku u zhvillua kjo veprimtari. Kam shkruar edhe për veprimtarë të saj por në “shtëpinë” e re të “Vatrës” në Neë York, nuk kisha qënë. Siç e dimë të gjithë, “shtëpia” e saj e parë ka qënë në Boston, ku unë jetoj prej 6 vjetësh. Pas viteve ’90, ajo u çua në Neë York, por misioni i saj mbeti po ai: mbajtja gjallë e frymës së shqiptarizmit në diasporën shqiptare të Amerikës e më gjerë, në kushtet e reja pas viteve ’90.
Dhe ja më në fund dëshira për të vizituar “Vatrën” u realizua më 22 shtator të këtij viti. Nismëtar për këtë vizitë u bë veprimtari i palodhur këtu në Boston, Petrit Alibej. Pjesëtarë të grupit tonë ishin edhe Sami Ajdini e Xhoxhi Shehaj. U nisëm herët nga Bostoni për ta patur ditën përpara. Bisedat mes shokësh, këngët popullore që jehonin nga altoparlandi i makinës së Petritit, rrëfenjat e bukura e plot kripë të xha Samiut, bënë që të mos e ndjenim rrugën prej 4 orësh.
Më në fund mbritëm në dyert e” Vatrës”.- Ja ku është!-na tha Petriti. Tabela e saj në hyrje, sikur na thoshte: “Mirëseardhët!” Ngjitim shkallët e pakta dhe hyjmë në katin e parë, ku na u shfaq një sallë e madhe, mbushur me fotografi të shumta të themeluesve e veprimtarëve të saj të shquar. Në ballë të sallës flamujt e Shqipërisë e Amerikës, anash tyre fotografia e Skënderbeut, Nolit, Konicës, Nënë Terezës, Sotir Pecit, Kostë Çekrezit, Kolë Tromarës, etj si dhe faksimile të dokumetatave të saj, të personave që kanë kontribuar , foto të Bandës së “Vatrës”, të veprimtarive të ndryshme që ka zhvilluar ajo, etj.
Si të ishim miq të vjetër, na pritën plot ngrohtësi, kryetari i saj, Dritan Mishto, anëtari i kryesisë dhe arkëtari i saj, Marjan Cubi, editori i gazetës “Dielli” Dalip Greca, kordinatori i medias Dritan Haxhia si dhe ish zv. kryetari , Asllan Bushati. Editori i “Diellit, gazetari i njohur Dalip Greca, si një nga të zotët e shtëpisë, na gostiti me raki e konjak Shqipërie.-Ma kanë sjellë miq të mi për ta pirë me shokë. Gezuar!- thotë ai. Pas urimeve të mirëseardhjes, kryetari i ri Dritan Mishto, na bëri një sintezë të punëve të “Vatrës” vitet e fundit si dhe synimet e saj për të ardhmën.-Boshti i punëve të “Vatrës” do të mbetet po ai që ka qënë : mbajtja gjallë e frymës së shqiptarizmit në diasporë, mbajtja gjallë e gjuhës shqipe, përtëritja e rradhëve të saj, duke afruar të rinj e të reja, lobimi për çështjen shqiptare në strukturat e larta të shtetit amerikan, etj. “Vatra” nuk është pronë e asnjë partie por pronë e kombit shqiptar dhe e tillë do të mbetet” theksoi zoti Mishto. Në emër të grupit tonë të ardhur nga Bostoni, veprimtari Petrit Alibej, uroi kryetarin e ri të “Vatrës” për detyrën që ka marë përsipër. -Me përvojën tuaj në punët me komunitetin shqiptar në Amerikë, me përkushtimin që keni, së bashku me shokët e tjerë, me siguri do ta çoni atë në një stad më të avancuar. Më pas Petriti u ndal në mundësinë e çeljes së Degës së “Vatrës” në Boston, në qytetin ku ka lindur. –Tek ne ka mjaft shqiptarë që e duan “Vatrën” dhe me një kordinim të përbashkët të punëve, kjo ide mund të realizohet
Vatrani me përvojë, Asllan Bushati, i cili e njeh si të thuash në themel “Vatrën”, foli për disa kritere të kanunores së saj, që duhen patur parasysh për krijimin e degës së saj, si minimumi prej 15 vetësh, pagesa e kuotës vjetore, mbledhjet që duhet të zhvillojë kryesia dhe dega e saj, etj. Dalip Greca, i cili ka mbi supe barën e madhe të përgatitjes së gazetës, theksoi se ajo do të jetë e hapur jo vetëm për vatranët, por edhe të tjerë që kanë dëshirë të bashkëpunojnë me të, duke ruajtur frymën kombëtare, parimet e gazetarisë si vërtetësinë e fakteve, larg përçarjes e mllefeve personale. Me çeljen e degës në Boston , “Vatra” vjen në qytetin ku lindi dhe u rrit, theksoi ai. Në takim foli edhe anëtari i kryesisë dhe arkëtari i saj, Marjan Cubi, njeriu që ka pak fjalë por që punon me përkushtim. Autori i këtyre rradhëve theksoi se për të patur sukses në krijimin e degës së “ Vatrës” në Boston, duhet bërë një punë e mirë përgatitore e të zgjidhen në kryesi njerëz të përkushtuar , që u rreh zemra për shqiptarizmin. Mendimet për rolin e “Vatrës” si dhe çeljen e degës së saj në Boston, dha edhe Sami Hajdini, njeriu që ka mbi supe mbi 80 vjet, por që është i kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve në Boston.
Kordinatori i medias Dritan Haxhia si dhe si dhe fotoreporteri ynë, Xhimi Shehu,fiksuan disa foto, të cilat do të mbeten një kujtim i bukur për ne. Më pas editori i Diellit, Dalip Greca, na shoqëroi stendë pas stende në mjediset e “Vatrës”, duke na thënë plot hollësi për veprimtarinë 105 vjeçare të saj. Për të njohur dhe prekur gjithë “thesarin” që është aty, duhet kohë e gjatë,të cilën e kishim të kufizuar atë ditë, por që shpresojmë të rikthehemi përsëri. Një drekë nga përfaqësuesit e “Vatrës” në restorantin e bashkatdhetarit me origjinë nga rrethi i Përmetit, ne Lydig Avenue, mbylli vizitën tonë të paharruar në mjediset e “Vatrës” në Neë York. Duke u larguar, na u duk sikur morëm me vete një “copëz” nga zjarri i “Vatrës” , e cila ka mbajtur dhe mban gjallë shqiptarizmin. Çdo shqiptar që jeton në Amerikë, ose që vjen në këtë vend të lirisë, është mirë ta vizitojë atë, pasi do të gjejë aty një “copëz” të bukur Shqipërie, një “copëz” të ndritur të historisë së saj.