• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria e vitit 1988

March 16, 2016 by dgreca

Nga Aurenc Bebja (Francë), 16 Mars 2016/

Në periudhën time universitare në Francë, një koleg student, nga që e dinte se jam shqiptar, më tha që dispononte një revistë të vjetër franceze, e botuar para viteve 90, në të cilën flitej për Shqipërinë. Menjëherë u bëra kurioz dhe i thashë se jam i interesuar të lexoj se çfarë i tregohej asokohe lexuesit frankofon për Shqipërinë, e cila gjendej plotësisht e izoluar ndaj botës së jashtme.

Revista prestigjoze franceze « GEO Magazine », në numrin e saj të 118-të, të muajit dhjetor 1988, në kopertinën e saj shkruan : « Shqipëria, shteti më i çuditshëm i Evropës – Albanie, le plus étrange pays d’Europe ». Reporteri Eduar Bajbi (Edouard Bailby) dhe fotografi Mishel Setbun (Michel Setboun) kanë patur mundësinë të vizitojnë Shqipërinë nga veriu në jug.

Artikulli trajton tema të ndryshme të realitetit shqiptar, si kontrollet në kufi, demagogjia dhe parrullat politike enveriste, bunkerët, feja, ritmi i një jetë të qetë si refuzim ndaj agjitacioneve të kohëve moderne, pamundësia e të huajve për të dialoguar me shoqërinë civile shqiptare, përdorimi i gjuhëve të huaja, uniformizimi i shoqërisë, mënyrat e transportit, Ilirët, Skënderbeu, etj.

Në vazhdim, rrëfimi i reporterit Bajbi[1] në 1988, i cili e fillon shkrimin me titullin « Immobile Albanie – Shqipëria e palëvizshme (e shtangur) » :

Papritur, pas një kthese, autobuzi ndalet pranë një ndërtese ku valvitet flamuri jugosllav. Na duhet të zbresim valixhet tona dhe t’i hapim të shtrira përtokë. Dy doganierët na shikonin me vëmendje. Që prej tensionit mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë i rritur për arsye të provincës së Kosovës, turistët e rrallë që kalojnë kufirin shikohen me mosbesim. Zyrtarët jugosllavë paralajmërojnë grupin tonë : « Kur të ktheheni, në qoftë se kaloni këtu, ne do të ju konfiskojmë çdo shkrim të botuar në Shqipëri ». Bëhej fjalë edhe për broshurat turistike dhe librat e artit.

Nuk është e thjeshtë të arrish në malësinë e Republikës popullore socialiste të Shqipërisë, e ndodhur mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Vendet në avion janë pothuajse të rezervuara për diplomatët, biznesmenët, dhe të ftuarëve të qeverisë së Tiranës. Një linjë e vetme ajrore siguron fluturime nga Evropa perëndimore, dy herë në javë, mes Zyrikut dhe kryeqytetit shqiptar. Përsa i përket hekurudhës së vetme që lidh Shqipërinë me botën e jashtme, të inaguruar në 1986, as që bëhej fjalë t’a përdorje : ajo shërben për transportin e mineraleve dhe mallrave. Mundësia e vetme për të udhëtuar ngelet rruga. Dy poste kufijsh, në jug, për grekët ; dy të tjera, në veri dhe lindje, për evropianët e tjerë.

Pasi kaluam kontrollin doganor jugosllav, grupi ynë, i formuar prej 12 turistësh, drejtohet për në postin kufitar shqiptar, Hani i Hotit. Secili duhet të marrë valixhet e veta dhe të ecë 100 metra në këmbë, një sipërfaqe e cila nuk i përket askujt – no man’s land. Ushtarë me pushkë – mitraloz, ngrejnë barrierën. Na fusin në një ndërtesë të vogël. Gjatë kohës që guida jonë franceze jep dokumentat e vizës kollektive, neve na kërkojnë të hapim valixhet tona. Para se të nisesha nga Franca, pata marrë një dokument të agjensisë së udhëtimëve ku shkruhej : « Materialet e shtypura jashtë Shqipërisë nuk janë të autorizuara të hyjnë në vend. Veçanërisht, prospektet (traktet) mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike ». Një pensionist nga Metz-i (qytet në veri-lindje të Francës) i konfiskojnë një gazetë të përjavshme sportive. Një tjetër turist detyrohet të dorëzojë disa revista mode.

Udhëtari inkurajohet të relaksohet

« Ne do të ju kthejmë të gjitha këto pas kthimit tuaj », shpjegon doganieri që na bën shenjë të kalojmë dhe të presim në një sallon. Pas një vitrine, disa vepra të Enver Hoxhës – drejtuesi i madh shqiptar vdekur në 1985 pas 40 vitesh pushteti absolut – dhe disa paketa cigaresh. Një gjysëm ore më vonë, ne hyjmë në një autobuz me ajër të kondicionuar d’Alb-turist, agjensisë zyrtare të turizmit. Fjalët e para të guidës (shoqëruesit) tonë, në frengjisht : « Mirësevini në vendin tonë. Mbi të gjitha, relaksohuni… ». Disa herë, gjatë ditëve të para, ai përsëriti : « Ju lutem, relaksohuni. »

Pothuajse para 20 vitesh, reporter për një gazetë të përjavshme franceze e botuar në masë, kisha arritur, pas disa negociatash të rëndësishme, të merrja një vizë individuale. Asokohe, pothuajse vetëm 12 gazetarë perëndimorë kishin arritur të hynin në Republikën popullore socialiste të Shqipërisë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Dhe turistët e rrallë ishin për pjesën më të madhe militantë partishë politike. Kohët kanë ndryshuar : në qoftë se kuotat e turistëve fancezë (pothuajse 600 në vitin 1988) janë shumë pak në rritje, shoqata e Miqësisë franko-shqiptare nuk e mban më monopolin e udhëtimëve në regjimin më enigmatik socialist të Evropës.

« Shteti i shqiponjave » : ky është emri, në shqip, i këtij vendi pothuajse prej 29 000 km², ku dy të tretat janë zona malore, dhe një e treta fushë bregdetare. Gjatë rrugës buzë liqenit të Shkodrës (45 km i gjatë dhe 10 km i gjërë) është rrëmujë në hyrje dhe në dalje të fshatrave. Nuk ka automjete individuale (të ndaluara nga që përfaqësojnë « egoizmin borgjez »), por karroca të tërhequra nga demat, tufa me dele, lopë duke u shëtitur, fshatarë duke ecur apo punëtorë me biçikleta, dhe ndonjëherë disa autovetura. As traktorë nuk ka, por disa kamionë dhe Jeep-a që u përkasin organizmave zyrtarë. Këto automjete zigzagojnë përmes kafshëve dhe këmbësorëve që ecin në mes të rrugës ose anash saj.

Në fusha, gratë kosisin, presin, punojnë me bel, prashisin fermat e mëdha shtetërore sikur të punonin në një shumëllojshmëri kopshtesh (pronash) individuale. Të krijohet ndjenja e kthimit 50 viteve mbrapa, kur plugimet dhe korrjet bëheshin me dorë. « Më kujton fëmijërinë time » – shprehet një burrë i moshuar nga Burgonja (Bourgogne) i ulur afër meje. Në sytë e tij dallohej një nostalgji e papërcaktueshme…Gjatë rrugës, në hyrje të uzinave, në fasadat e ndërtesave, disa prej tyre të rrënuara, kishte parrulla : « Lavdi RPSSH (glorifikim për Republikën socialiste shqiptare) » ; « Përjetë me Enverin ». Ndonjëherë, një shkrim urdhëron qytetarët : « Merr librin, kazmën dhe pushkën tënde. » Shqipëria i përket një bote, e cila nuk është më ajo e evropianëve të fund-shekullit XX. I përket të shkuarës apo të ardhmes ? « Japonezët nuk kanë përse të vijnë tek ne. » – thotë shoqëruesi ynë. « Ata vendosin teknologjinë mbi njeriun. » Ky mendimi ka lidhje me nacionalizmin të futur në mendje nga Enver Hoxha dhe vullneti i rezistencës ndaj përparim-zhvillimit të përjetuar nga e gjithë shoqëria perëndimore…

Të ndërtuara me mijëra, bunkerët individualë i gjen në të gjithë territorin shqiptar. I shohim buzë rrugëve, përrreth uzinave, në fushat e duhanit, grurit dhe misrit, në vreshta, në plazhe, në male, ku më i larti është Korabi (2 764 m). Ndonjëherë, bunkerët janë të rreshtuar njëri pranë tjetrit, ose të shpërndarë nëpër fshatra pas asnjë lloj logjike. Rojet që ndodhen brenda, a janë në gjendje t’u rezistojnë trupave ajrore ? Këta bunkerë betoni, në formë të rrumbullakët, janë diçka e pazakontë dhe mbresëlënës. Mos vallë janë rrënojat e një të kaluare të afërt ? Pashë në oborrin e një uzine disa bunkerë të rinj gati për t’u dërguar porositësve të tyre. Që prej ndërhyrjes së trupave sovietike në Ceko-Sllovaki, para 20 vitesh, shqiptarët qëndrojnë në gatishmëri lufte. Ata nuk kanë harruar. Ata e dinë, se në çdo moment, duke mos pasur asnjë lloj mundësie aleance, as me Jugosllavët, as me Sovietikët, as me kinezët e largët, mund të jenë viktimë e një konflikti në Europë. Ata i njohin fare thjeshtë virtytet e guximit. Në shkollë, vazhdojnë të mësojnë që vendin e çliruan vetëm në fundin e Luftës së Dytë Botërore…

Shkodra, qyteti më në veri të Shqipërisë, është vendi i parë që vizitojnë turistët perëndimorë. Eshtë një zonë e banuar me shumicë katolike, që mund të përbëjë 15 % të popullsisë totale. Mos pyesni ku ndodhet katedralja, një nga më të mëdhajat në Ballkan. Do ju përgjigjen : Ju pyesni për pallatin e sportit ? Ai është i hapur për vizitorët – publikun. Një parrullë vë në dukje virtytet e marksizëm-leninizmit. E pajisur me karrige – shkallë stadiumi, aty ftohen të luajnë ekipet e basketbollit dhe volejbollit. Vendi i peshkopit pret të ftuar prestigjozë, dhe sakristi (aneksi i katedrales) është transformuar në tualet.

Ekspozita ateiste irritonte vizitorët e huaj

Gjatë udhëtimit tim të parë në Shqipëri (1971), pata vizituar në Shkodër një « ekspozitë ateiste ». Pata parë një koleksion imazhesh fetare, krahun e një shenjtorje, dhe disa fotografi priftërinjsh të akuzuar për tradhëti dhe të dënuar me vdekje si arsye bashkëpunimi me pushtuesin nazist. U bë disa vite, që kjo ekspozitë është në ri-amenaxhim. « Në fakt, më treguan disa zyrtarë, ajo irritonte vizitorët e huaj ».

Kur qeveria e Enver Hoxhës mori iniciativën të zhdukë kultin e Zotit në 1967, ajo mbylli 156 kisha katolike, 608 kisha ortodokse dhe 740 xhami. Pati disa rezistentë më këmbëngulës nga ana e katolikëve dhe myslimanëve. Për disa muaj, vendet e kultit (fesë) u transformuan në salla teatri, kafene, shtëpi kulture, ose u braktisën. Deri më sot, çdo praktikë fetare është e ndëshkuar me dënim me burg. Biblën nuk e gjen askund, përveç se në Bibliotekën kombëtare. Megjithatë, autoritetet vazhdojnë restaurimin e monumenteve më prestigjoze : në Berat, qytet historik, disa punëtorë rinovojnë kishën ortodokse të Fjetjes së Hyjlindëses, e ndodhur brenda kështjellës. Ikonat e piktorit Onufri, ku ngjyra e kuqe e tyre është legjendare, ekspozohen aty. Në hyrje, disa rreshta të Enver Hoxhës kujtojnë që « këta vepra i përkasin trashëgimisë kombëtare shqiptare », pavarësisht arsyeve të frymëzimit të tyre…Në Korçë, në juglindje të vendit, ku liceu francez kishte dikur mësues Enver Hoxhën, 6 000 ikona destinuar artit mesjetar janë duke u restauruar.

Xhamia e pushtuar nga dy dyqane

Shqipëria mundohet të rikonstituojë të shkuarën e saj. Katolikë, myslimanë, ortodoksë dhe hebrenj kanë bashkëjetuar, mirë dhe keq, gjatë kohërave të ndryshme. Më shumë se pesë shekuj pushtim turk i kanë siguruar fesë islame një vend të rëndësishëm. Sa ishin që lexonin Kuranin çdo ditë para regjimit aktual ? Mes 50 e 70 % e popullsisë. Xhamia kryesore e Tiranës, në sheshin qëndror, është e mbyllur ; ajo e Beratit, pranë hotelit të madh, është pushtuar nga dy dyqane.

Përgjegjësit (drejtuesit) shqiptarë janë shumë të mbyllur për praktikat e tyre fetare familjare. Sidoqoftë, moda e sotme është t’u vësh fëmijëve emra ilirë, edhe në familjet tradicionale myslimane. Për cilën arsye ? Para ardhjes së grekëve, në shekullin e VII para erës sonë, Iliria ishte një perandori e madhe ku kufijtë e saj shtriheshin deri në brigjet e Danubit. Shqipëria, në kufijtë e sotëm të saj, ishte zemra e kësaj perandorie. Flitej që atëherë një gjuhë indo-evropiane. Tre shekuj më vonë, kur romakët filluan të zgjeronin territoret e tyre, duke krijuar rrugën kryesore të komunikimit mes Romës dhe Bizantit, via Egnatia, tre perandorë me origjinë iliriane – Aurel-i, Diokleciani, dhe Konstandini – drejtuan vendin që shtrihej atëherë deri në mesdheun lindor.

Sot, në gjuhën shqipe, kanë mbetur vetëm 8 % e fjalëve me origjinë latine, por shqiptarët konfirmojnë që kjo periudhë e historisë u ka trashëguar atyre me shumë elementë se pushtimi osman. Zyrtarët shqiptarë, gjatë bisedave me vizitorët, nuk reshtin të përsërisin këtë fakt, ndoshta për të dëshmuar vullnetin e tyre për t’u integruar në Evropë. Në të gjithë Shqipërinë, janë rrënojat (gërmadhat) greko – iliriane që turistët ftohen të vizitojnë. Më të shquarat, janë ato të Butrintit, të cilat gjenden disa kilometra afër kufirit grek. Qyteza, e ndërtuar gjatë shekullit të VI-të para erës sonë, ngrihet buzë një lagune. Eshtë për tu admiruar tempulli i Asklepit, teatri, dhe fortesa turke…Më lart, në rrethanat e Fierit, rrënojat e Apollonisë, themeluar në fillim të shekullit të VI-të para erës sonë nga kolonët grekë, u krijojnë mundësinë vizitorëve të shohin një stom të mrekullueshëm, një teatër dhe një kullë mbështetëse, tempullin e Apollonit dhe disa shtëpi të dekoruare në mozaik…

Eshtë ora një e natës. Në Tiranë, në dhomën e hotelit, ndërtesë 15 katëshe e ndërtuar në vitet 80 dhe « grataçela » e vetme e kryeqytetit, dalloj një burrë që fshin sheshin qendror (Sheshin Skënderbe), me metodë, pa u ndalur. Ndonjëherë, një kalimtar i vonë kalon xhaden me hapa të ngadaltë. Asnjë veturë, asnjë zhurmë. Pastruesi fshin edhe një herë gjurmat e këpucëve. Po ashtu, në brigjet e detit Adriatik, në Durrës, kam patur gjithashtu ndjenjën e përjetimit të një filmi të viteve 30. Në mbrëmje, kur dielli fillon të zhduket në horizont, qindra shëtitës ecin mbi rërë me një ritëm të qetë. Në qytete, në fshatra, nuk kam parë njeri të ngutë hapat. Bota duket sikur rrotullohet me ngadalësi. « Relaksohuni », përsëriste guida jonë. Në fakt, ne kishim ndjenjën sikur të ishim katapultuar në orbitën e një kohe të harruar. Në vitin 1971, në zemër të Tiranës, dëgjoja vetëm zhurmën e gjinkallave. S’kishte semaforë, disa Jeep-a zyrtarësh, dhe busti i Stalinit përballë atij të Leninit në bulevardin e Heronjve.

Që nga ajo kohë, sheshi qëndror i Tiranës është zbukuruar me një shatrivan të ndriçuar dhe disa ndërtesa moderne. Dhe dy semaforë janë instaluar në kryeqytet. Muzetë, të amenaxhuar shumë mirë, tregojnë historinë kombëtare…Në lulishtet e shumta publike, stolat presin qetësisht familjet dhe të dashuruarit. Kudo është e njëjta qetësi, sikur Shqipëria refuzon agjitacionin e kohëve moderne. Në një kodër mbi Tiranë, dy ushtarë ruajnë gjatë gjithë kohës varrin e Enver Hoxhës. Asgjë madhështore, përveç bukurisë së peisazhit…

Gjatë gjithë qëndrimit tim në Shqipëri, u mundova me të gjitha mënyrat të flas me qytetarët në lulishtet publike apo kafenetë e Tiranës, Durrësit, Beratit, Krujës, Sarandës apo Gjirokastrës (qyteti i lindjes së shkrimtarit Ismaïl Kadaré, i bërë i famshëm për librin e tij « Gjenerali i ushtrisë së vdekur »). Nuk arrita, ishte e pamundur.

Të rinjtë duan të mësojnë italishten

Shqiptarët komunikojnë shumë pak dhe me vështirësi me të huajt. Frika, indiferenca apo mosnjohja e gjuhëve ? Viktima të pushtimit italian gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, brezi i vjetër flet akoma italishten. Por edhe të rinjtë po fillojnë të studiojnë këtë gjuhë. A mos vallë është radioja italiane, të cilën e kapin lehtë në radiot e tyre, që i tërheq drejt botës së jashtme ? Gjithsesi, gjuha frënge është një gjuhë e privilegjuar, sidomos tek klasa drejtuese, dhe anglishtja po fillon të zë një vend sa më shumë të rëndësishëm në arsim…

Ka pasur 12 000 turista gjatë këtij viti në Shqipëri. Të gjithë kanë ardhur me grupe, nga 12 apo 15 persona minimumi. Asnjeri nuk lejohet të lëvizë lirshëm dhe vetëm…Guidat e Alb-turist preferojnë të flasin për shoqërinë shqiptare, origjinën dhe gjeografinë e saj, influencën bujqësore, minierat apo luftërat heroike për pavarësinë, në vend se të angazhohen në çështje që e kanë të vështirë t’u përgjigjen.

Cmimet nuk janë rritur që prej 1944

Disa fakte mjaftojnë për të treguar që Republika popullore socialiste e Shqipërisë është e veçantë në llojin e saj. Kështu, çmimet nuk janë rritur që prej 1944 ! Madje, kohët e fundit, çmimi i një kilogrami sheqer ka kaluar nga 10 në 8 lek. Përsa i përket rrogave, egzistojnë dy lloje : minimumi 500 lek në muaj, dhe maksimumi 1 000 lek. S’ka lluks, s’ka të privilegjuar dhe as nomenklaturë si në Bashkimin Sovjetik. Toka (prona) i përket shtetit, dhe pothuajse të gjitha banesat. Pajisjet shtëpiake kushtojnë shtrenjt dhe janë të ralla : 3 000 lek për një lavatriçe, 4 500 për një televizor. Ndërsa biçikletat, i vetmi mjet udhëtimi individual i pranuar zyrtarisht, kushtojnë rreth 750 lek secila. Nuk ka shumë kohë që edhe disa motoçikleta të huaja janë në treg. « Nuk është një shkelje e regjimit marksist-leninist sipas të cilit prona private duhet dëbuar nga shoqëria ? » Para kësaj pyetje, bashkëbiseduesi im është i paqartë : « Blerësit janë diplomatë ose inxhinierë që kanë punuar jashtë shtetit. Kanë bëre disa kursime para se të ktheheshin ».

Eshtë e vështirë të dallosh në rrugë një punëtor nga një funksionar, një katundar nga një ministër, një fshatar nga një qytetar, madje edhe një ushtar nga një oficer. Tek të gjithë thjeshtësia është rigorozitet…

Biçikletat, mbretëreshat e vogla të Shqipërisë

Biçikletat ishin ende të rralla para 20 viteve, madje edhe në Tiranë. Ato importoheshin nga Kina popullore, shtet me të cilin Shqipëria kishte asokohe marrdhënie të mira. Sot, shohim mijëra të tilla që përbëjnë mjetin kryesor për të lëvizur. Atobuzat nuk janë të shumtë…Përsa i përket rrjetit hekurudhor, para vitit 1945 nuk egzistonte. Linja prej 37 km që lidh Tiranën me portin e Durrësit është e mbingarkuar gjatë stinës verore.

Durrësi ka një plazh me rërë të hollë, gjashtë hotele, ndër të cilët Hotel Adriatikun, i ndodhur buzë detit dhe i hapur për të huajt. Dushet funksionojnë vetëm dy a tri herë në ditë, gjatë një gjysëm ore dhe gatimet nuk janë më të mirat e vendit. Kamarierët shërbejnë birrë dhe ujë mineral, ndonjëherë edhe raki, pija tradicionale. Në katin e parë të hotelit ka një dyqan të thjeshtë që ofron prodhime artizanale, si për shembull disa qilima me ngjyrë të kuqe, qeramikë dhe cigare.

Në Berat, ku gjendet plantacioni më i madh i fiqve në të gjithë Europën, turistët kërkojnë me entuziazëm kavanozët me reçel që shiten me një çmim të vogël. Kudo gjenden cigare dhe verë e kuqe, dy prodhime kombëtarë me një cilësi të mirë. Në përgjithësi, dyqanet nuk furnizohen dhe aq sa nevojitet. Shqiptarët thonë : « Ne jetojmë thjeshtësisht – por, shtojnë – Tek ne, asnjeri nuk jeton mjerisht. Ne kemi të hamë dhe të vishemi ». Nuk pashë asnjë lodër fëmijësh, qoftë plastike apo druri. Në shëtitoren e Sarandës, bregut detit, djem dhe vajza lozin me disa rrathë të vegjël të fabrikuar në mënyrë artizanale. : një tel hekuri në forme rrote et dhe një tjetër që shërben si shkop. Ecën (rrotullohet), dhe nuk bën zhurmë…

Ruajtja e kulturës dhe rezistenca ndaj pushtuesit

Të nënshtruar gjatë shekujve ndaj pushtimeve të njëpasnjëshme të grekëve, romakëve, sllavëve, osmanëve, italianëve dhe gjermanëve, shqiptarët janë strehuar në zonat e tyre malore për të ruajtur kulturën e tyre dhe për t’i rezistuar pushtuesit. Heroi më i madh kombëtar mbetet Gjergj Kastrioti Skënderbeu. I lindur në fillim të shekullit të XV-të në një fshat të pushtuar nga ushtria osmane, ai u dërgua në Stamboll ku realizoj studimet. Më vonë, si pjesë e ushtrisë turke në Nish, në vitin 1443 dezertoj turqit për t’u larguar drejt Shqipërisë me një batalion prej 300 ushtarësh me origjinë shqiptare dhe orgazinoj sa më shpejt rezistencën. Pasi mori Krujën, një vend i mrekullueshëm në veri të Tiranës, ai mblodhi rreth tij me mijëra luftëtarë dhe formoj një ushtri e cila i shkaktoj gjatë 25 viteve disfatë pas disfate Osmanëve, duke i mundësuar Shqipërisë, për herën e parë në histori, të jetë totalisht e pavarur. Një muze i mrekullueshëm në kështjellën e Krujës kujton jetën e tij…Skënderbeu vdiq i pamposhtur në 1468. Pas vdekjes, pasardhësit e tij humbën lirinë ndaj turqve. Shqiptarëve pritën deri me 28 nëntor 1912 që të valvitet përsëri flamuri i tyre kombëtar…

Publikuar për herë të parë online në gjuhën shqipe te Blogu Dars (Klos), Mat – Albania

http://www.darsiani.com/opinion/

[1] Autori ka qenë edhe në vitin 1971 në Shqipëri

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja, Shqipëria e vitit 1988

Një kartolinë speciale për Shqipërinë dhe shqiptarët

January 2, 2016 by dgreca

Nga Aurenc Bebja, Mediapart (France)/
Në qoftë se ekziston një festë që bashkon unanimisht shqiptarët, është pikërisht ajo e natës së ndërrimit të viteve. As festat fetare si Krishtlindjet, Bajrami apo Pashkët nuk arrijnë të kenë të njëjtin nivel festimi, atmosfere, dhe të të gëzuarit bashkë, ashtu siç ndodh me 31 dhjetor.
Si në qytetet e mëdha, të mesme apo të vogla, ashtu edhe në fshatrat më të izoluara të vendit, shqiptarët i përgjigjen solemnisht këtij takimi. Kur akrepat e orës shënojnë « 00:00 », qielli shqiptar shkëlqen nga dritat e fishekzjarreve. Zhurmat e gëzimit qarkullojnë në ajrin e freskët të natës. Disa gjuajnë fishekzjarrë dhe të tjerët (njerëz të të gjitha moshave) thjeshtë admirojnë spektaklin.
Ndoshta ky është momenti i vetëm i vitit ku njerëzit arrijnë të harrojnë për pak kohë hallet e tyre të cilat fatkeqësisht janë të numërta. Kështu, për Vitin e Ri 2016, duke shpresuar të privilegjojmë interesin publik para atij individual, uroj për popullin shqiptar:
• një qeveri më përgjegjëse, e cila të jetë në gjendje të matë impaktin e vendimeve që merr ;
• një opozitë më të bashkuar, më të pjekur dhe forcë propozuese ;
• një sistem drejtësie të drejtë ashtu siç edhe mban emrin ;
• një sistem policie i cili pëfaqëson denjësisht shërbimin e rendit publik ;
• tolerancë zero (të pamëshirë) kundër korrupsionit ;
• një sistem më të mirë shëndetësor apo thjeshtë një sistem shëndetësor ;
• një sistem më të mirë edukimi, si në nivelin profesional dhe në atë material ;
• një sistem më të mirë transporti publik urban dhe ndërlidhës me qytetet e tjera të vendit ;
• më shumë investime në ndërtimin dhe /ose rindërtimin e rrugëve ;
• zbritjen e papunësisë, sidomos te të rinjtë (32,3 % e të rinjëve të moshës 15 – 29 vjeç janë të papunë në Shqipëri) ;
• ardhjen e shumë turistëve të huaj falë peisazheve tona të bukura, klimës sonë mesdhetare dhe standartit jetësor jo të lartë për vizitorët ;
• një media të shkruar dhe/ose televizive më pak të politizuar, e bazuar sidomos në kritikën konstruktive dhe që eviton kopjimet (copy/paste) ;
• një diplomaci të huaj europiane dhe amerikane më të angazhuar, që nuk kënaqet vetëm me nxjerrjen e konluzioneve, por që anagazhohet të luajë një rol këshilltari – udhërrfyesi ; 
• një përparim më të shpejtë në dosjen për integrim në Bashkimin Europian ;
• që paqja dhe harmonia fetare (një vlerë e madhe e popullit tonë) të zgjasin përgjithmonë ;
Po u realizuan këto urime që vënë në pah interesin publik (lista mund të ishte akoma edhe më e gjatë) do të jetë më e lehtë për të realizuar në të ardhmen dëshirat (qëllimet) tona individuale.
Uroj që modestia dhe mendjemprehtësia të fitojnë ndaj egoizmit dhe egocentrizmit.
Qoftë një vit i mbarë dhe i suksesshëm, si nga ana personale dhe ajo profesionale, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen !

Filed Under: Komente Tagged With: Aurenc Bebja, dhe shqiptaret, Një kartolinë speciale, per Shqiperine

Kryeministër : Viu viu fryn Veriu !

December 14, 2015 by dgreca

Nga Aurenc Bebja – Francë/

Kolltuku i kryeministrit, pavarësisht përkatësisë partiake (politike) apo vendlindjes të personit që ulet në të, ka një rol gjithëpërfshirës dhe në një pozicion të tillë nuk është e këshillueshme që të bëhen dallime mes popullsisë (jug/veri apo lindje/perëndim), sepse mund të krijohen përçarje të panevojshme në shoqëri.

Nëpër mediat shqiptare u tha që kryeministri, qëllimisht ose jo, përdori tone anti-veriore gjatë një mbledhje në qytetin bregdetar të Sarandës. Nga gjuha, fjalori apo tonet që përdoren, populli ose ajo pjesë e popullit që preket, në mënyrë llogjike reagon.

Duke qenë se jam nga veriu dhe pavarësisht faktit se nuk jetoj në vendlindje, e ndiej për detyrë të reagoj (si person i shoqërisë civile), ashtu si edhe të tjerë reaguan ndaj kryetarit të qeverisë, ndaj një zyrtari të lartë, që të paktën në teori në mos gabohem përfaqëson gjithë popullin e Republikës së Shqipërisë.

Po të kishte qenë në rolin e piktorit (aktivitet të cilin e ka mediatizuar goxha kohët e fundit), nuk do kisha reagur, sepse fundja fundit si individ dhe pjesë e shoqërisë civile, ç’do njeri ka të drejtë të mendojë apo të thotë çfarë të dojë për Veriun apo për zonat e tjera shqiptare.

Përkundrazi, në këtë rast, ndryshon situata në detyrën aktuale që kryetari i « përjetshëm » i PS-së ushtron, sepse gjuha e përdorur është provokuese dhe sidomos tregon shenja mosmirnjohje ndaj Veriut. Sulmoj nga Saranda (qytet bregdetar i mrekullueshëm) ish-kryeministrin dhe ata që ai paska importuar, por se kush janë « ATA », ne nuk e dimë. Dhe kështu i bie që i gjithë Veriu të krahasohet me « ATA », dhe bashkë me « ATA » edhe unë.

Pra, unë, katunar (fshatar) prej rrethit Mat, malok prej Qarkut të Dibrës, dëshiroj ti rifreskoj memorjen zotit Kryeministër, se andej nga malet apo alpet tona, në zgjedhjet e fundit vendore të qershor 2015, mbi 36 mijë individë kanë votuar për ASE-n. Në qarkun e Lezhës 36 mijë, në atë të Shkodrës mbi 53 mijë dhe në atë të Kukësit mbi 21 mijë. Po ashtu, kam besimin e plotë se një pjesë e atyre të « importuarëve të Alpeve » kanë votuar për koalicionin e Kryeministrit edhe në qarkun e Tiranës dhe atë të Durrësit.

Dhe në këtë rast, Zoti Kryeministër, po lëmë mënjanë veriorët që nuk ju kanë votuar, që me padiskutim i keni zemëruar me fjalimin tuaj, dhe po bazohemi vetëm tek mbështetësit veriorë të koalicionit ASE. Si mund të jenë ndjerë ata/ato pas gjuhës tuaj anti-veriore ?

Kur erdhët në pushtet në 2013, përdornit shpesh termin një milion shuplaka, një pjesë e të cilave ishin veriore. Në këtë rast, nevojitet pak kujdes dhe mbi të gjitha respekt, se votat e veriorëve që keni marrë në 2013 dhe ato që morët në 2015 mund të kthehen në një « uragan » kundra jush në zgjedhjet parlamentare të 2017, dhe andej nga alpet tona do ju këndojnë : Viu viu fryn Veriu !

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja, kryeminsiter, Viu viu fryn veriu

Shqipëria e sloganeve politike

October 24, 2015 by dgreca

Nga Aurenc Bebja, Klara Buda Post (New York)/
Në zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe ato lokale të 2015 janë përfshirë 63 parti politike, me apo pa koalicion. Kurioziteti më bëri që të mbledh sloganet e tyre, « ajkën e ajkës », dhe të shoh se çfarë kanë premtuar, propaganduar gjatë fushatave elektorale.
Pasi arrita të mbledh pothuajse gjysmat e « parrullave », në pamundësi për ti gjetur të gjitha, vendosa të « vesh » kostumin e një lideri politik shqiptar dhe të luaj rolin e tij. « Kompozova » po me këto slogane një fjalim « prekës dhe bindës » që me siguri në lidhje me « kandidaturën time » do më « sjellë » një numër të konsiderueshëm votash.
Me këtë fjalim të « sinqertë » bëhuni gati ti themi « lamtumirë » varfërisë, injorancës, korrupsionit, padrejtësisë e çdo gjëje besdisëse që dëshironi, se këtu do të bëj « premtime të bëra » që as edhe politikanët perëndimorë nuk janë të « aftë » t’i bëjnë.
Kuptohet që fjalimin do e mbaj direkt nga tribuna kryesore e sheshit përpara jush, domethënë përpara « qindra-mijëra » mbështetësve euforikë duke më pritur me padurim, me duartrokitje, brohorima dhe me fishkëllima dashamirëse ashtu siç na e ka tradita. Duke marrë parasysh fluksin e madh të simpatizantëve, nuk ju fsheh që jam pak i shqetësuar për faktin se nëse do të ketë vend të mjaftueshëm për të gjithë në shesh.
Nëpërmjet « fjalimit tim » të më poshtëm do të gjeni një përmbledhje të 30 sloganeve partiake që kanë për qëllim të « mirën » e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ja se çfarë na është shërbyer nga politika shqiptare që prej 2013 e deri më sot :
Zonja dhe zotërinj,
Përshëndetje,
Së pari, ju e dini fare mirë dhe nuk keni aspak dyshim se unë e dua Shqipërinë [1] dhe se kam ardhur këtu me një vizion të ri [2] për të sjellur një politikë njerëzore [3]. Së bashku do ti japim politikës identitet dhe moral [4], elementë të cilët do të shërbejnë si për shtetin dhe qytetarët [5].
Së dyti dhe me të drejtë absolute, për ju që e ndërtuat Shqipërinë [6], unë e di që jeni të pakënaqur dhe të zemëruar prej partive të pushtetit 25 vjeçar [7], por bësomëni…bashkë do sjellim ndryshimin [8]. Jam këtu për tu kushtuar vëmendje qytetarëve [9]. Jam tepër i bindur se shqiptarët meritojnë më shumë [10]. Nuk i harroj gjithashtu brezat e rinj, dhe përfitoj nga rasti tu them atyre se Shqipëria është e të rinjve [11].
Së treti, zëri juaj [12] është i rëndësishëm, dhe nëse nuk votojmë, nuk flasim [13], kjo na bën që të mos kemi standarte jetese, dinjitet njerëzor [14]. Për këtë arsye, bashkombasit e mi, afrojuni vlerave se koha nuk pret [15], më dëgjoni është koha për njëri-tjetrin [16], se vetëm kështu mund të fitojmë të ardhmen [17]. Ju garantoj se të bashkuar jemi më të fortë [18].
Së katërti, është mëse e qartë që vendi ynë ka nevojë të rilindë [19] dhe të çohet në drejtimin e duhur [19], por kjo arrihet vetëm me punë dhe dinjitet [20].
Se pesti, si forcë politike me themele të patundura, ne ju afrojmë punësim, mirëqenie dhe integrim [21], e theksoj me plot bindje dhe po e ripërsëris, se do të ketë më shumë shërbim dhe punësim[22]. Duke më votuar, ke votuar për të ardhmen e fëmijëve tuaj, ke votuar për drejtësi, ke votuar për prosperitetin e vendit [23]. Portat e Bashkimit Europian po na hapen, dhe le tu tregojmë të gjithëve se shqiptarët janë vetëm europianë [24], dhe së shpejti do bëhemi pjesë e tyre.
Së gjashti, motra dhe vëllezër, ju bëj thirrje solemne të zgjidhni njeriun, t’ju qeverisë më mirë [25]. Duke më votuar, voto veten [26], voto vetveten [27], voto për komunitetin tënd [28] ku unë bëj pjesë.
Së shtatti dhe së fundmi, po ju them se me besimin në zot, pronë dhe komb [29] do ecim përpara [30] sepse ne jemi ndryshimi [30]. Rroftë Shqipëria, rroftë liria, rroftë demokracia, rroftë populli shqiptar !

Me këto slogane kaq inkurajuese është për tu çuditur kur dëgjojmë ende të flitet për ngerc ekonomik, për trazim social, dhe për papunësi në Shqipëri. « Besoj » se politikanët që bëjnë të tilla premtime, janë të vetëdijshëm dhe me « siguri » që do i mbajnë ato, të paktën ata që kanë fituar në zgjedhje. Në qoftë se premtimet e bëra nga politika shqiptare më sipër nuk mbahen, atëherë populli shqiptar me rrugë demokratike mund të reagojë dhe ta ndëshkojë atë me anë të votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2017.
Aurenc Bebja, Klara Buda Post (New York)

Burimi : Klara Buda Post (New York)
http://klarabudapost.com/shqiperia-e-sloganeve-politike/#.VioZZfnhDIU

REFERENCAT E SLOGANEVE :

[1] Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU)
[2] Parti Forca Rinia (FRA)
[3] Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet (ADS)
[4] Partia e Unitetit Kombëtar (PUK)
[5] Partia Fryma e Re Demokratike (FRD)
[6] Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve (PMDE)
[7] Partia Lëvizje për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH)
[8] Partia Ligj dhe Drejtësi (PLIDR)
[9] Partia Demokracia Sociale (PDS)
[10] Partia Republikane (PR)
[11] Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)
[12] Partia Lëvizje për Drejtësi e Shqiptarëve (LDSH)
[13] Partia Socialiste e Moderuar (PSM)
[14] Partia Personat me Aftësi të Kufizuara (PPAK)
[15] Partia Shqiptare Atdheu (PSHA)
[16] Partia Demokristiane e Shqipërisë (PDK)
[17] Partia Demokracia Sociale (PDS)
[18] Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë (ADK)
[19] Partia Socialiste e Shqipërisë (PS)
[20] Partia Demokratike (PD)
[21] Partia Demokracia e Re Europiane (PDRE)
[22] Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)
[23] Partia e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë (PDBMSH)
[24] Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ)
[25] Partia Bashkimi Demokrat (PBD)
[26] Aleanca Popullore (AP)
[27] Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL)
[28] Partia Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar (LZHK)
[29] Partia Republikane (PR)
[30] Partia Demokratike (PD)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja, politike, Shqipëria e sloganeve

Lodhje nga llumi politik Shqiptar

October 4, 2015 by dgreca

Klasa politike shqiptare, me « metodat » e saja menaxhuese, apo më saktë me mungesën e tyre e ka lodhur popullin shqiptar, në planin ekonomik dhe moral. Me një « sy qorr » dhe një « vesh të shurdhër », kundrejt kritikave, fatkeqesisht sporadike ajo vazhdon të bëjë një gjë të tillë e pa tronditur. Gjithnje e me i madh eshte numri i njerezve që ndihen të neveritur nga llumi politik shqiptar./

Shkruan: Aurenc BEBJA/
Francë, 3 tetor/Një seri konstatimesh, edhe pse mund të mungojnë shumë të tjera, mjaftojnë për të bërë tabllonë e « keqtrajtimit » të popullit shqiptar dhe origjinën e lodhjes së tij…me premtimet politike të pambajtura [1] :- 300 000 vende të reja pune brenda mandatit të parë qeverisës 2013 – 2017

– 95 % e popullsisë do të përfitojë ulje taksash

– 5 fish rritje të financimit për bujqësinë

– Shëndetësia, falas për të gjithë

me gjuhë e degraduar në Parlament [2] :

– akuza nga më të rëndat për njëri-tjetrin, por çuditërisht nuk ka asnjë arrestim…asnjë dënim

– një gjuhë shkëmbimi tepër e degraduar : e ke fajin ti, e kam fajin unë (si fëmijë kopshti), ti je horr, ndërsa ti je sorrë [3], ti je legen, ti merresh më këtë, ti shkon me atë

me lojën politike të dyfishtë [4] :

– kaloj djathtas, pastaj majtas, dhe anasjelltas

– krijoj parti të re dhe pastaj e shkrij partinë pasi ribashkohem me një tjetër parti

– braktis filan parti edhe pse më kanë zgjedhur me votë (d.m.th kam premtuar shumër gjëra elektoratit) për një parti tjetër

me një pozitë që sillet sikur është gjithmonë në opozitë, dhe me një opozitë që s’po ndërgjegjësohet e të ribashkohet për të bërë opozitë :

me mbijetesën në fshat :

– punimin e tokës si në mesjetë

– prodhimet bujqësorë që nuk u gjejnë dot treg

– rrugët që nuk mund të quhen rrugë

– faturat e çmimit të lartë të energjisë elektrike që nuk mund të paguajnë

– mungesa e ujit te pishëm që nuk e kanë në shtëpi

– mungesën e shërbimit shëndetësor

me jetesën në qytet :

– trafikun e dendur

– ndotja dhe smogu [5]

– mbeturinat

– mungesën e hapsirave të gjelbërta dhe e kendeve te lojrave per femije

– taksat, faturat

me aksidentet rrugore [6], mua krimin [7] dhe dhunën [8] në familje

me pritjen nëpër kampet gjermane pa shpresa [9] :

– sigurisht nuk u larguan me dhunë nga Shqipëria por u larguan nga varfëria

– u larguan pa e ditur mirë se çfarë i priste

– u larguan se u lodhën duke pritur

me ëndërrën europiane [10] :

– sa herë që kemi një shans për tu afruar në BE e djegim

– sillemi me arrogancë ndaj autoriteteve të BE-së, dhe dihet që duke vëzhguar sjelljet tona, na e mbyllin derën çdo herë, apo më mirë na e plasin në surrat

me imazhin e keq që kemi në Botë për arsye të veprimeve apo lidhjeve politiko – kriminale. Populli perëndimor, kur janë në dijeni se nga bie Shqipëria, na quajnë popull mafioz (drogë, prostitucion, vjedhje).

Si përfundim, sa do të mund të durojë populli shqiptar lodhjen e shkaktuar nga klasa politike ? A ka limite durimi i tij ? A do te ndryshojë klasa politike përpara se populli të humbë durimin? Kjo eshte tanime nje domosdoshmeri.(Kortezi: K L A R A  B U D A  P O S T)

REFERENCAT :

 [1] Gazeta Shekulli, 23 shkurt 2013 : « Programi i plotë elektoral, premtimet e PS-së ».

http://www.shekulli.com.al/p.php?id=17270

[2] Syri.net, 17 shtator 2015 : « Debatet sot në Kuvend ».

http://syri.net/index.php/2015/09/17/perplasje-te-forta-ne-kuvend-per-dekriminalizimin-berisha-dhe-rama-kembejne-njeri-tjetrin/

[3] Mapo, 2 tetor 2015 : « PS tkurret akoma, Balla fyen Topallin: Sorrë ».

http://www.mapo.al/2015/10/ps-tkurret-akoma-balla-fyen-topallin-sorre

[4] Mapo, 26 shtator 2015 : « Merkato politike, kush janë deputetët që kanë ndryshuar parti ».

http://www.mapo.al/2015/09/merkato-politike-kush-jane-deputetet-qe-kane-ndryshuar-parti

[5] Telegrafi.com, 17 janar 2015 : « Tirana mbulohet nga mjegulla dhe smogu (Foto) ».

http://www.telegrafi.com/lajme/tirana-mbulohet-nga-mjegulla-dhe-smogu-foto-78-13366.html

[6] Syri.net, 5 shtator 2015 : « Shifrat e frikshme të aksidenteve. BB: Shkalla e vdekshmërisë 10 herë më shumë se në BE ».

http://syri.net/index.php/2015/09/05/shifrat-e-frikshme-te-aksidenteve-bb-shkalla-e-vdekshmerise-10-here-me-shume-se-ne-be/

[7] Respublica.al, 20 Mund 2014 : « Krimi në familje, burri vrau gruan se i ktheu dorë, më pas vetëvritet ».

http://www.respublica.al/arkiv-lajme-t%C3%AB-p%C3%ABrdit%C3%ABsuara/krimi-n%C3%AB-familje-burri-vrau-gruan-se-i-ktheu-dor%C3%AB-m%C3%AB-pas-vet%C3%ABvritet

[8] Koha Jonë, 14 shtator 2015 : « Dhuna në familje, në 48 orë 7 urdhërmbrojtje ».

http://www.kohajone.com/index.php/aktualitet/dhuna-ne-familje-ne-48-ore-7-urdhermbrojtje

[9] Java News, 8 shtator 2015 : « Shuhen shpresat për azil në Gjermani, Shqipëria vend i sigurt origjine ».

http://www.javanews.al/shuhen-shpresat-per-azil-ne-gjermani-shqiperia-vend-i-sigurt-origjine/

[10] Tema, 14 Shtator 2015 : « Rama : Kur do antarsohemi në BE ? Pyesni Merkelin. Ka shumë paragjykime për Shqipërinë ».

http://www.gazetatema.net/web/2015/09/14/rama-kur-do-te-anetaresohemi-ne-be-pyesni-merkelin-ka-shume-paragjykime-per-shqiperine/

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja, Lodhje, nga llumi, politik Shqiptar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT