U.d. Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani nderon kujtimin për hebrenjtë në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit/
U.d. Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, në shenjë nderimi për viktimat ka vendosur buqetë lulesh te pllaka përkujtimore për hebrenjtë, e cila ndodhet në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Ajo ka thënë se gjenocidi ndaj hebrenjve është barbaria më e madhe që njeh historia njerëzore deri më sot.
“Sot, duhet ta kujtojmë dhe të ndihemi krenar për ndihmën të cilën shqiptarët i dhanë komunitetit hebraik në vitet e trishtimit. E përderisa kujtojmë kalvarin e hebrenjve, nuk ka si të mos përmendet edhe ndihma e shtetit izraelit ndaj kosovarëve të dëbuar dhunshëm në luftën e vitit 1999”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.
Sipas zonjës Osmani Holokausti do të kujtohet përgjithmonë.
“Përkujtimi i Holokaustit është riafirmim i të vërtetës, një nevojë prej së cilës nuk duhet të hiqet dorë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.
***
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përkujton viktimat e Holokaustit
Prishtinë, 27 janar 2021– Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bëri homazhe dhe vendosi lule te pllaka përkujtimore për hebrenjtë, që pësuan gjatë Holokaustit, në vendin ku ishte Sinagoga e fundit, në shënim të Ditës Ndërkombëtare përkujtimore të Holokaustit.
“Besoj që populli shqiptar është populli që më së miri e kupton popullin hebraik dhe bashkëndjen me vuajtjet që ka pas gjatë historisë. Unë jam krenar që si popull shqiptar, gjatë periudhës më të vështirë të Luftës së Dytë Botërore, kemi ndihmuar pjesëtarë të këtij komuniteti, të gjejnë strehim në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo tregon përkushtimin e familjeve shqiptare për t’u dalë në ndihmë këtij populli në momentet më të vështira”, tha kryeministri Hoti.
Holokausti ishte një prej kapitujve më të errët të Luftës së Dytë Botërore, kur në kampet e përqendrimit gjatë përndjekjes sistematike dhe çnjerëzore, u shfarosën miliona hebrenj.