• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BAJO TOPULLI, ATDHETAR I SHQUAR

April 5, 2016 by dgreca

Nga Luan Çipi/Bajo Topulli, në periudhën plotë ngjarje kur jetoi, punoi e luftoi, si vëllai më i madh në çiftin Bajo e Çerçiz Topulli, u shqua midis luftëtarëve trima e atdhetarë të kohës, po edhe si një njeri i ditur, mësues, administrator dhe udhëheqës.Bajo Topulli, lindi në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1872, në fisin e lashtë Gjirokastrit të Topullarëve, në një familje qytetare me pasuri e veprimtari të spikatur. Thuhet se Bajoja e Çerçizi, paraardhësit i kanë nga Vasil Sulioti e brez pas brezi, mbiemri i tyre, u ndërrua në “Karagjozi” e më tej Topi – Topulli (për shkak të një beteje të ashpër që Mehmet Karagjozi bëri me Ali Pashë Tepelenën).
 Babai i Çerçizit e Bajos ishte Ago Topulli, një burrë i mençur e trim, bashkëpunëtor me Abdyl Frashërin, mik i ngushtë me Koto Hoxhin, pishtar të çeljes së shkollave shqipe në gjithë jugun e Shqipërisë. Ai, me 18 fëmijë, nga të cilët 15 djem, pasurinë dhe jetën e tij dhe të bijve, e vuri në dispozicion të tokës arbërore dhe të lirisë së Shqipërisë. .
Bajo Topulli, me prirje për dituri e shkollim, qysh në moshën 11 vjeç, nga familja e vet arsimdashëse, dërgohet për të ndjekur shkollat në Stamboll, Turqi, ku studion me zell e këmbëngulje, deri në formimin e suksesshëm për pedagogji e drejtim.
Në gjurmët e Rilindësve të Kombit dhe të shoqërinë së zgjedhur të Inteligjencës Shqiptare të Stambollit, ai pati fatin e mirë të lidhet me Frashërllinjtë, me rilindës të tjerë  dhe më shumë me Jani Vreton. Në këtë mjedis të ngrohtë shqiptarie, formohen dhe forcohen bindjet e tij atdhetare përparimtare, që lidhen me përpjekjet e tyre, kryesisht për gjuhën dhe të drejtat amtare, me prirje drejt luftës për pavarësi, në ndeshjet e njëkohshme midis dy zjarreve armiqësore Turke dhe Greke.
Përpjekjet e para për propagandimin e Gjuhës Shqipe, nga ana e Bajo Topullit, në kuadrin e Shoqërisë “Drita” të Stambollit, duken qysh në vitin 1904, në Selanik, kur ai fillon punën për njohjen dhe priret në mësimin e gjuhës shqipe, fill pas përfundimit të Universitetit dhe emërimit në punë shtetërore, në moshën e re 22 vjeçare.
Një vit më vonë, atë e gjejmë si mësues dhe nëndrejtor të Gjimnazit në qytetin e Manastirit, me më shumë Shqiptarë, ku krahas lëndëve në gjuhën Turke, u mëson bashkëatdhetarëve fshehurazi, gjuhën e vetë të bukur, tanimë edhe në kuadrin e organizuar të “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë”, me degë në Manastir.
Në një nga detyrat e shkruara të kanonizmës, proklamatës së këtij organizmi, thuhej: “qëllimi i këtij komiteti është të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave që do të shtypen, duke dërguar njerëz në të gjithë anët e Shqipërisë të mbjellin këto mendime… për mbrothësinë e kombit dhe të shpëtuarin nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”.
Në vazhdim, në qarqet e përparuara të Inteligjencës Shqiptare, në Shkodër, Elbasan, Korçë, Stamboll, Selanik, Bukuresht e gjetiu, e shohim të shumëfishuar luftën për alfabetin shqip me rezultatet kulmore historike të “Kongresit të drejtshkrimit shqip të Manastirit”, ku Bajo Topulli kishte barë dhe detyra të rëndësishme (si mikpritës dhe organizator) dhe mbështeste variantin e alfabetit latin. Këto përpjekje e njohën dhe bashkuan luftën e Bajo Topullit me të tjerë atdhetarë të shquar dhe midis tyre me At Gjergj Fishtën, Don Ndre Mjedën, Mitat Frashërin, Sotir Pecin, etj.
Duke studiuar arenën e punës dhe të përpjekjeve të asaj periudhe të lavdishme për ta, faktet historike flasin se Çerçiz dhe Bajo Topulli, nuk janë thjesht komitët që rrëmbyen armët e dolën maleve, por ata janë edhe diplomatët, që trokitën në kryeqytetet evropiane e Amerikë, për të gjetur mbështetjen ndërkombëtare dhe për të organizuar shqiptarët, drejt çështjes madhore të pavarësisë.
Krahas përpjekjeve dhe punës organizative për ide atdhetarie dhe për gjuhën shqipe, Bajo Topulli, u hodh në hapa konkrete veprimtarie kundërshtuese antiturke, me armë në dorë, nga ku lindi edhe Çeta famëmadhe e Çerçiz Topullit, me aksionin e guximshëm të vrasjes së tradhtarit pro grek Dhespot të Korçës, Foti (që kish paraorganizuar vrasjen e pabesë të atdhetarit Shqiptar Papa Kristo Negovani); me betejën famëmadhe dhe krejt të pabarabartë në forca e armatim, të Luftës legjendare  te Rrapi Mashkullorë; në aksionin për vrasjen e guximshme të Pashait Turk të Gjirokastrës, etj.
Të kësaj periudhe janë edhe inkursionet pararendëse të Çetës së Kryengritësve Gjirokastritë, në Kolonjë e Korçë dhe bashkëpunimi me atdhetarin Sali Butka dhe më tutje jashtë atdheut, deri në Rumani, ku u gjallërua lëvizja antiturke dhe me përkrahjen e Shahin Kolonjës me shokë dhe ku aktivizuan edhe Mihal Gramenon, që u bë zëdhënës dhe tribun i çetave kryengritëse të jugut.
Bajo Topulli bëri përpjekje për të drejtat shqipe edhe direkt, me pjesën e përparuar e reformatore të Turqisë, por pa rezultat. Ishte kjo arsye që, në këtë tentativë, ai pranoi të aktivizohet në përkrahje të Mustafa Qemal Ataturkut edhe u vendos në pozicione të rëndësishme drejtuese e administrative në Shtetin Turk, si Vali e deri Prefekt.
Po, jeta e  atdhetarit të shquar ishte e shkurtër. Ai, i sëmurë rënd, vdes në Sarandë te shtëpia e të vëllait dhe  varroset  me një ceremoni madhështore në Gjirokastër, në moshën 58 vjeç në datën 24 Korrik të vitit 1930.
Vallë ç’bëri në këtë interval kohe, relativisht të gjatë, nga 1912 deri më 1925, atdhetari i përkushtuar?
 Bajo Topulli arriti t’i shërbente edhe Shqipërisë së Pavarur në 3 vjetët e fundit të jetës së tij, si shtetar me kulturë e përvojë: Ishte Kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, qytetit të tij të lindjes dhe la atje plot gjurmë qytetarie e modernizmi për kohën.
Por, pak para kurorëzimit të Pavarësisë, nga Plaku i Vlorës, Topullarët e Gjirokastrës shkëputën paksa nga veprimtaria dhe krijojnë njëfarë vakumi në rolin e tyre atdhetar aktiv e pararojë. 
Si qëndron e vërteta historike?
 Mos Ismail Qemali kishte rezerva për të dhe nuk i grishi në bashkëluftim? Apo Bajo Topulli, ideolog, kërkonte tjetër platformë zhvillimi ngjarjesh? Ndofta të dyja!
Është fakt që ndërkohë, për më shumë se 15 vjet, Bajua vazhdoi punën në pozicione drejtuese në Shtetin Turk, në mbështetje të Ataturkut (edhe ky origjinë Shqiptare) dhe u kthye për të punuar në Atdhe vetëm në fund të jetës së tij.(në 5 vjeçarin 1925-1930)
Edhe Çerçiz Topulli, vllau më i vogël, trimi i çartur e i pa lodhur, besnik i ideve të Bajos së ditur,  pati një ndërprerje lufte antiturke, po vetëm për dy vjet. Në prill të vitit 1914, atë e gjejmë në Kuvendin Historik të Shtëpezës në Kurvelesh, ku me Hasan Xhikun, Sulo Beqirin. Halil Sullon, Selam Salarinë etj., si dhe me kontributin e Komitetit Ndërkombëtar dhe Qeverisë së Durrësit të Wilhelm Vidit, organizojnë luftën kundër pushtuesve progrekë dhe kundër “shqiptarit” famëkeq Zografos, derisa e bashkojnë Gjirokastrën me Vlorën dhe me Shqipërinë tashmë të Pavarur. Në shtator të vitit 1914 Çerçiz Topullin bashkë me gazetarin atdhetar Muço Qullin, i gjejmë në Shkodër, ku shkuan për t’ju bashkuar mbrojtjes së trojeve nga pushtimi serbo-malazez, për t’ia bashkuar Shqipërisë Londineze, si dhe për botimin e një gazete shqip. Arrestohen, lirohen, por arrestohen sërish në 7 korrik 1915 në Fushën e Shtoit (Shkodër) nga një togë malazeze dhe asgjësohen rrugës për në Çetinë. Eshtrat e tyre gjinden dhe varrosen pas 20 vjetësh. Dhe janë interesante fjalimet e mendimtarëve dhe autoriteteve të kohës në Shkodër, me rastin e varrimit të heronjve, sepse ditën ta nderonin maksimalisht aktin e tyre patriotik e antiserb, duke kontribuar në forcimin e unitetit shqiptar veri jugë, si dhe për solidaritetin ndërfetar.
Edhe humbjen e parakohshme të Bajo Topullit, duhet thënë, e ndjeu shumë djalëria përparimtare e kohës (viti 1930). Është përcaktues dhe kuptimplotë fjalimi i të riut, shkencëtarit dhe gjuhëtarit tonë më të madh të të gjitha kohëve, po Gjirokastritit Eqerem Çabej, kur midis të tjerave, tha në fjalën e tij të lamtumirës ditën e varrimit:
 “Në emër të djalërisë vij t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra. Sikundër thotë i madhi Leonardo da Vinçi:     -Sikur njeriu gëzon muzgun e mbrëmjes pas një dite me punë plot, ashtu dhe vdekja është lumturi në fundin e jetës pas një jete të përdorur mirë-, ashtu edhe ti o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”. 
 
Për t’u ngelur gjithnjë ndër mend ky akt përcjelljeje, si i veçantë, do ta mbyll edhe unë këtë jetëshkrim të shkurtër përkujtimor, duke iu drejtuar atdhetarit të shquar Bajo Topulli, me fjalën e fundit të kolosit të shqipes, Eqerem Çabei: “ti o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri … që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”. 
 
Tiranë, më 5.04.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: ATDHETAR I SHQUAR, BAJO TOPULLI, Luan Cipi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT