(Sejdullah Martinaj, Ekzistoj vetëm për ty, Amanda Edit, Bukuresht 2014)/
Nga Baki Ymeri/Bukuresht/
Veprat e krijuesve të mërgimit janë do dhurata të bekuara që kontribuojnë vazhdimisht dhe aktivisht në pasurimin e thesarit tonë kulturor dhe kombëtar. Në një farë mënyre, ato shndërrohen në një masë definitive për realizimin e profilit shpirtëror të botës shqiptare dhe asaj europiane. Në kapitullin e parë të kësaj vepre, Sejdullah Martinaj vjen para nesh me pëshpëritje dashurie, me kujtimet e paharruara të rinisë, me një ndjeshmëri specifike dhe me një sinqeritet të veçantë. Në vargun e tij zotëron një “buçitje” sentimentale e frymëzimeve lirike, siç janë: çiltërsia, zëri i dashurisë, vendlindja, martirët e kombit, dashuria ndaj atdheut dhe jeta në totalitetin e saj.
Tekstet lirike me motive dashurie nuk i mungojnë letërisë sonë, edhe pse ato ende janë të pamjaftueshme. Shqiptari e ndjen veten ende të “trembur” kur vjen fjala për përshkrimin e ndjenjave erotike si një dëshmi ekzistenciale dhe e domosdoshme për evolucionin e spiritualitetit tonë. Shëndrit dielli, buzëqesh hëna, lulëzojnë fushat dhe lartësohen malet nga ndjeshmëria e një poeti shqiptar. Poezitë e Martinajt janë dëshmi morale dhe shpirtërore. Poeti shkruan me dritën e momenteve speciale dhe nuk trembet para stuhisë së dashurisë që mbretëron gjithandej.
Para nesh kemi një koleksion të pasur motivesh erotike ku zotëron gjuha, drejtëshkrimi dhe diskursi poetik me kontacione gegërishte. Autori debuton me një vëllim të guximshëm ku lexuesit kanë shansin të deshifrojnë edhe vargje meditative/refleksive, sentimente e ndjenja që parashtrojnë pyetje dhe kërkojnë përgjigje. Të shkruash apo të lexosh poezi don të thotë të kërkosh freskinë e shpirtit e jo të moshës. Për deshifrimin e lirikës së këtij poeti të ri shqiptar, ekziston nevoja t’i referohemi një poeti të famshëm të huaj, Luçian Blaga: “Isha aq i lodhur dhe vuaja. Unë mendoj se vuaja nga shpirti im i mbushur me dashuri.” Dhe më tej, me fjalë të tjera. Fëmija qesh: Mençuria dhe dashuria ime është loja. I riu këndon: Loja dhe mençuria ime është dashuria. Plaku hesht: Dashuria dhe loja ime është mençuria.
Autori i kësaj vepre e ndjen dritën e dashurisë në thellësi të shpirtit. Poeti debuton duke fluturuar me flatra engjëjsh dhe shkruan për engjëj dhe engjëllusha. Kuptimi i këtij fluturimi reflektohet në vëllimin e tij të parë, një album poetik që do t’i lumturojë edhe dashamirët e tij në mërgim dhe atdhe. Misioni i librit qëndron në përkëdheljen dhe ledhatimin shpirtëror. Libri “Ekzistoj vetëm për ty” është i strukturuar në dy kapituj: “Porta e shpirtit” dhe “Shqipëri moj nëna ime”. Nga poezitë e kapitullit të parë meriton të citojmë disa sintagma reprezentative ku zotërojnë ndjeshmëria, melankolia dhe nostalgjia: Rreze e dashurisë ëndërrimtare, Simbol i bukurisë shqiptare, Te porta e shpirtit ke trokitë, Vjen si zanë në ditën e nusërisë, Të zgjodhi shpirti se të ndjeu, I paharruar në përjetësi, I përjetshëm mbeta n’dashuri, Shikimi yt më jep energji, Bukuri magjepsëse, Parajsa e dashurisë, Hyjneshë e bukurisë, etj.
Në Kapitullin e dytë shpërthen një ndjenjë e fuqishme nacionale, zëri shqiptar, dashuria dhe atdhedashuria ndaj Hasit, ndaj dëshmorëve të kombit, ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Tek-tuk dalin në pah edhe vargje satirike ku fshikullohet fanatizmi fetar, pseudo/patriotët dhe pseudo/poetët. Poeti përshkruan ëndrrat e të parëve tanë për bashkim kombëtar. Vepra titanike e prijësve të kombit është prezent pothuajse në çdo faqe të kapitullit të dytë.
Përmes prindërve të tij, si dhe përmes sakrificave të dëshmorëve të kombit, autori shpreh sentimentin e një patriotizmi të lartë duke cimentuar dashurinë ndaj Hasjanëve, ndaj Adem Jasharit, ndaj Nënës Tereze, ndaj tribunit më të shquar të atdheut tonë: “Nga dera fisnike e Kastriotit kryetrim i Arbërisë/ Ishe i vogël kur t’rrëmbyen osmanët e Azisë/ Gjon Kastrioti yt princ bujar dëshmoi madhërinë/ Djemtë ua fali otomanëve, por s’e shiti Arbërinë.” Dhe më tej: “Krenarinë Kombit ia ngjalle e ia ngrite/ Europën e zgjove nga gjumi e habite/ Jo i the robnisë jemi gjak i Ilirisë/ T’parët e t’parëve fis i Pellazgjisë”. Ja edhe një strofë e inspirruar e kësaj poeme briliante (Gjergj Kastrioti-Skënderbeu): “Me ty o Kryetrim u identifikuam ndër brezni/ Pa ty s’do t’kishte mbi këtë dhe Shqipni/ Hero qi s’vdes kurrë je gjithmonë ndër ne/ Për ata që kan lindur dhe të tjerët që kan me le”.
KOSOVA DHE UNIVERSI LIRIK I VARGUT TË KRISTALTË
(Gentiana H. Muhaxhiri, Heshtje e trazuar, Amanda Edit, Bukuresht 2014)/
Shkruan nga Bukureshti:Baki Ymeri/
Ja edhe një vepër e re e një autori nga Kosova që e sheh dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë! Sipas autorit të parathënies (Daniel Marian), metafora e poemave të Gentianës është e interpretuar si një rrugë e ekzistencës apo e artit, një rrugë simbolike e përshkuar ndërmjet realitetit dhe poezisë. Duke cituar eseisten Carmen Firan lidhur me Fuqinë e fjalëve, konstatojmë se fjala e përshtatshme në momentin e përshtatshëm, përfaqëson provokimin që e propozon krijuesi, duke i dhënë prioritet funksioneve të gjuhës poetike, artit të komunikimit dhe shpëtimit shpirtëror përmes përforcimit të forcës së fjalës, e aftë të na influencojë fatin dhe të na optimizojë ekzistencën.
Një mendim i tillë shkon edhe në adresë të Gentianës. Si mund ta shfrytëzojmë metaforën për të tejkaluar përkufizimet, për t’u çliruar nga tmerret e jetës dhe për t’u pajtuar shpirtërisht me vetveten? Cili është roli i metaforës shëruese në jetën e përditshme dhe si mund ta bëjmë atë aleate? Andrei Codrescu nga SHBA, thekson se në momentet kur një botë e vjetër shpartallohet dhe një tjetër e re ngrihet mbi themelet e saj, fenomene të çuditshme e shndrisin qiellin. Kështu ngjet edhe me Kosovën. Është koha kur shkrimtarët e bekuar me dhuntinë e kundrimit dhe me shansin e përkushtimit, e zbusin penën në materien stelare duke konfiguruar ardhmërinë.
Gentiana Muhaxhiri ka edhe talentin, edhe ndjenjën e kohës. Dëgjon në poezinë e saj se si kthehet rrota e kohës, e sheh se si ndryshojnë gjendjet, përjetimet, provokimet. Ndjen përpjekjen e dhembshme të njerëzve për të shpëtuar nga tirania e historisë, duke e gjetur shpëtimin në krahët e dashurisë. Ajo e boton librin e saj, i dyti apo i treti sipas radhës, në moshën më të bukur të jetës. Vargu i saj ta përkujton pasditen e një engjëlli, heshtjen e trazuar, shkrumbin e një kohe të perënduar, iluzionet e një parajse të re. Pse? Sepse, sipas saj: „Hapave të vargut të kristaltë/ E tashmja më flakëzon pranë vetes/ Jam ëndrra, jam hiri, jam bija e saj”.
Tejtamatë vetvetes kur dielli i ri e sjell qetësinë time
Nga një diskurs i zgjedhur deri në përshkimin e fjalëve sipas prejardhjes së koncentruar të ekzistencës, dhe në të njëjtën kohë e ndërgjegjësuar, e matur, me një nivel të lartë linguistik, lind poezia e qartë. Rrugët janë të shumta, por të gjitha duke patur për qëllim të përbashkët shkreptimën e atyre ideve të transponuara mbi faqen e paprekur kurrë më parë nga nënhija e penës. Libri i Gentiana Muhaxhirit përfaqëson një univers lirik të magjepsur, absolutisht mahnitës, ku jeta, vdekja, pasioni, vuajtja dhe koha, janë të përshkruara definitivisht nga një vetëdije poetike e denjë për ta admiruar.
Nëse nuk dimë nga ta kapim të paparashikueshmen, nganjëherë madje të pamundshmen, kurse në një moment të dhënë edhe infinitin, atëherë me siguri duhet të kërkojmë „Përtej vetvetes”: “Copëzohem shkrumbeve të së kaluarës/ Hapave të vargut të kristaltë/ E tashmja më flakëzon pranë vetes/ Jam ëndrra, jam hiri, jam bija e saj”. Ja pra, një poezi që zhvillon përreth bërthamës së saj një atmosferë të ritualit dhe magjisë, një përvojë milenare të një shpirti të ri e të frymëzuar.
E ardhur me dëshirën për të përcaktuar gjërat dhe për t’i shpënë ato nga ngjyra e përhirtë drejt universales, jo medoemos të definuara, por me siguri në pragun e definimit, Gentiana rimemoron rrënjët drejt një kërcelli të tërë, një trung i famshëm që të magjeps me kalimin e kohërave. „Heshtja e zgjuar” mund të kundrohet dhe kuptohet si një fakt, si një rifabrifikim i të pathënave, i shmangieve, i përpjekjeve të rënda për hulumtim, i interseksioneve të shkëputura dhe të dëshmuara të jetës. Mu për këtë duhej të ekzistojë „Dielli i ri”. Thjeshtë dhe natyrshmërisht, ashtu siç duhet të jetë sublimja: „Kërkoj një flakë/ Kalldrëmeve të qytetit tim/ Një flake/ Dhe ta flak tutje çdo trishtim/ E nesër/ Një tjetër diell le të lindë/ Të ma kthejë sërish/ Flakën e shpirtit tim”. Prej këtu fillon aspekti i një bote ku çdo gjest të shpie në kotarin e një kuptimi simbolik.
Pa patur asnjë gjurmë konfuzioni, zemërimi vazhdon gjithsesi i pazbutur. Del në pah nevoja kategorike për një qetësi magjike: “Mes rrugësh të krisura/ Që s’çajnë kokën për ne/ Mes qiejsh që zemërimin/ Hedhin me rrufe/ Të gjeta ty/ Qetësi e grisur e shpirtit tim.” (Qetësia ime). Është qetësia e poetes, e pahomologuar në kalendarët e shpirtit, madje as në muzeumet e memories. Është qetësia e kundruar nga një këndvështrim i shpirtit absolut. Shqetësimi i Gentiana Muhaxhirit përfaqëson vokacionin poetik për të gjetur motive të reja të vuajtjes, për zbutjen e tyre. Është një urë e shëndetit për purifikimin e mundimit.
Mrekullia e kalimit nëpër shtresat e jetës ndahet ndërmjet emancipimit të pa fshehur, i përforcuar me barrën e përditshmërisë, duke arritur deri te zhgënjimet e natyrës: “Mos ma hesht fjalën qyteti im/ Të përgjërohem/ Në agimet e panumërta/ Që pritëm të dy// Fjalën mos ma hesht/ Se më rrënohen kështjellat e durimit/ Se rrënohemi vetë/ E s’i ik dot zhgënjimit” (Mos ma hesht fjalën), – dhe ja më në fund kundërshtimi i kristalizuar, kur „Mbi heshtje vara dhimbjen/ Dhimbja heshti/ Heshti dhe cicërima përtej/ E diku larg kënga ndali fjalën/ Melodi e zbrazët si nata/ Tha diçka/ Diçka tha…/ Por qyteti i mbylli dyert e fjalës”. (Pa fjalë). Autorja sjell kështusoj një qetësi të trazuar e të përbujshme, e denjë për të lindur pyetje e përgjigje, kujtime nga paraekzistenca e heshtjes, të gjitha në një amallgamë përfytyrimesh dhe gjendjesh ekstraordinare (të jashtëzakonshme).
Ajo “Melodi” nuk do të mbarojë kurrë. Mbetet si një jehonë në drejtim të kuptimit, gjithnjë e më i mbushur me kuptime: „Melodi kjo natë/ Melodi// Një notë e re lind/ Lind një varg i ri// Përjetësi kjo natë”. Kurse diku, në një moment të caktuar, vjen edhe hipostaza e konkluzivitetit, sidomos atëherë kur me çdo kusht duhet „Të vazhdojmë”: „Le të ecim sonte/ Po erdhi lodhja/ Le të vijë/ Ne të lodhur jemi edhe kështu// Le të heshtim sonte/ Më mirë pa fjalë/ Edhe ashtu nuk themi gjë// Le të vazhdojmë…”. Kështusoj, del në pah një anë e veçantë e poezisë shqipe në Kosovë, nëpërmjet lirizmit që manifestohet si rezultat i një gjendjeje të përjetuar. Poezia e Gentianës që vjen në gjuhën rumune falë përkthimit besnik të poetit Baki Ymeri, na sugjeron një shpirt të ri me një tension lirik të vetëpërmbajtur.
Nuk shoh se çka mund të jetë më e lartë se poezia. Autores i duket se transmetimi i idesë perpetuum mobile zhvillohet tani dhe këtu. Ja rezultati i disa sintagmave të jashtëzakonshme përmes të cilave reflektohet arti poetik dhe përlindja e universit: Përtej yllit të fatit, Flaka e shpirtit tim, Kështjellat e durimit, Qetësi e shkëputur e shpirtit tim, Loti i fjalës sime, apo: Qyteti i mbyllte dyert e fjalës, pas perdeve të heshtjes. (Daniel Marian)
BOX
Pasi botoi disa poezi nëpër gazetat e përditshme, Gentiana Muhaxhiri na vjen me përmbledhjen e poezive të cilën e titulloi “Ëndërrime”, ku janë përfshirë poezi të ndryshme. Ky vëllim lë përshtypjen se trajton një temë qendrore, që është tema e dashurisë dhe çështjet e ndërlikuara që dalin prej saj. Me aq sa na flasin poezitë e saj. Gentiana me anë të poezive bën përpjekje për të hyrë në jetën e vërtetë, por me një dozë frike. Ajo kërkon rrugë shpirtërore për t’i realizuar ëndrrat e veta. Të gjitha poezitë e këtij libri përbëjnë një poemë lirike, që flet për dashurinë si shpëtim, si zhgënjim, si fatbardhësi, si fatkeqësi, si mashtrim, si tradhti, si besnikëri, si ëndërr, si frikë. Gjatë këtyre meditimeve, poetja vë në shënjestër të keqen, të ultën njerëzore, atë që ndjehet si pengesë kryesore gjatë realizimit të dëshirave të saj. Poetja na bind me krijimet e veta se dashuria e vërtetë e ka vështirë të jetësohet në mjedise, ku ka primitivizëm, mashtrime të ngjyrave të ndryshme, ku ka idiotizëm, egoizëm, smirë, xhelozi, fanatizëm. Megjithatë, poetja bën përpjekje me vjershat e veta për të gjetur një shteg që do ta shpjente në botën e idealeve të saj, përkundër gjithçkaje që i del përpara si pengesë. (Cituar nga Din Mehmeti, Ëndërrime, 2008)
BIO-BIBLIOGRAFI
Gentiana H. Muhaxhiri u lind në Gjakovë më 25 tetor 1984. Magjistroi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, dega Letërsi Shqipe. Aktualisht është doktorante në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori–Filologji, Departamenti i Letërsisë. Vepra letrare: Ëndërrime (vëllim poetik, Gjakovë, 2008); Kush jam unë (Panoramë e poeteshave të Gjakovës, Gjakovë, 2004); Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës (antologji, Gjakovë, 2013); Korsi e hapur (antologji); Jam pjesë e qiellit tënd (antologji, Bukuresht 2014); Heshtje e trazuar (vëllim bilingv, Bukuresht 2014). Laureate e një serë çmimesh letrare, pjesëmarrëse në seminare dhe konferenca të ndryshme, redaktore e disa revistave shkollore, anëtare e Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë, pjesëmarrëse në Mitingun e Poezisë (2008, 2013, 2014). Që nga viti 2009 është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës.
Shqiptari i Bukureshtit me vlera të reja shqiptare
Në kuadrin e rubrikës “Vlera të pavdekshme shqiptare”, jepet fjala e Asdrenit me rastin e varrimit të Arhimandrit Harallamb Çalamani në Bukuresht: “Ishte ai gjak i flaktë shqiptari që i ushqente me entuziazëm të parët tanë”. Sot, për ne shqiptarët etnikë, një lugat endet nëpër Parlamentin e Rumanisë si deputet i etnisë shqiptare, edhepse s’i përket kësaj, duke përvetësuar paratë publike për kompromitimin e ekzistencës së komunitetit tonë. Kjo situatë poshtëruese nuk mund të komentohet aq kohë sa autoritetet rumune, edhepse e njohin situatën reale, nuk kanë bërë asgjë deri tani, ndërsa autoritet shqiptare janë dëshmuar edhe më të pandjeshme, duke na lënë në mëshirën e fatit, pa kurrfarë intervenimi te autoritetet rumune./
Shkruan:Baki Ymeri?Bukuresht/
Në faqen e parë të numrit të shtatorit (2013), jepen fotografitë e kryeministrit rumun Victor Ponta që ka admirim ndaj Kosovës, ministri i Jashtëm Titus Corlăţean, presidentja Atifete Jahjaga, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli. Në gjuhën rumune jepet artikulli i deputetit Remus Cernea “Njohja e pavarësisë së Kosovës, një hap i madh përpara për Qeverinë rumune”. Sipas fjalëve të tij në kuadrin e një interviste për gazetën Puterea (Fuqia): “Autoritetet e Bukureshtit duhet të kenë mençurinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Për më shumë, krahasimi ndërmjet Kosovës dhe një zone të banuar me hungarezë (Tinutul Secuiesc), është një krahasim i gabuar”. Parlamentari Cernea ka nënvizuar se Qeveria rumune do të duhej të vijë me një trajtim të mençur në politikën e jashtme… Kosova është një realitet gjeopolitik, kurse Rumania është një nga vendet e fundit të Europës që s’er ka njohur, ndaj ma merr mendja se duhet të kemi mençurinë për ta njohur. Kosova është një realitet që duhet pranuar, kurse Qeveria rumune duhet të bëjë një hap të madh përpara, një hap që do t’i sjellë prestigj në plan ndërkombëtar.” Sipas tij, politika e jashtme rumune duhet të dalë nga kornizat e mbylljes, të dyshimit e të ngërdheshjes, ndaj ka ardhur koha kur duhet të kemi një qëndrim më të hapur ndaj Kosovës.
Vlen të ripotencojmë faktin se Shqiptari del kohëve të fundit me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës, falë minsitrit Makolli dhe ekipit të tij. Në vazhdim jepet artikulli “Vetëm trysnia gjermane po e mbush me mend Serbinë”, huazuar nga Bota sot: “Derisa përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, po bëjnë lëshime të vazhdueshme në raport me negociatat me Serbinë, janë dy vende mike të Kosovës, Gjermania dhe Britania, ato të cilat po tregohen më rigoroze ndaj sjelljeve të shtetit serb në raport me Kosovën. Shteti Gjerman, me mbështetjen e Britanisë së Madhe, ka hartuar një listë prej nëntë kushtesh, të cilat Serbia duhet t`i plotësojë, nëse dëshiron të futet në BE”.
Pason një artikull tjetër nga e njëjta gazetë: “Ministri i Diasporës viziton Medvegjën”, fotografi të ndryshme në kolor, artikulli “Makolli inkurajon krijuesit e diasporës”, artikulli i Daniel Marianit në gjuhën rumune “Të jesh shqiptar don të thotë të jesh një shpirt i hatashëm”, një artikull në gjuhën rumune marrë nga Adevărul (Shqipëria mund të bëhet vendi i 29 i BE), një shkrim i redaksisë me titullin “Rruga magjike e revistës Shqiptari”. Pason një fotodokumentim mbi hallet e komunitetit shqiptar të Rumanisë sipas shtypi shqiptar dhe atij rumun, fotografi me Behxhet Pacollin dhe misionin e tij në botë për njohjen e Kosovës, një portret kushtuar Reshat Sahitajt në kuadrin e personaliteteve të shquara shqiptare, pamje nga tryeza e miqësisë së Kosovës me Bukureshtin, artikulli i Florian Bichirit “Kosova dhe Dhelpra e Ballkanit” me burime nga “Shqiptari” i vitit 1889. Në vazhdim jepet rumanisht pamfleti i poetit Daniel Marian me titullin “Një parlamentare e virosuar, bakterizuar dhe e stërpërdorur”. Blhet fjalë për deputeten antikosovare Oana Manolecu që ia zhvat buxhetin qeveritar komunitetit shqiptar.
Se kush është ajo, flet edhe shtypi rumun përmes artikullit “Përfaqësuesi i shqiptarëve në Parlament nuk është shqiptar” (Azi, 28 shkurt 1997). Në kuadrin e rubrikës “Vlera të pavdekshme shqiptare”, jepet në gjuhën shqipe fjala e Asdrenit me rastin e varrimit të Arhimandrit Harallamb Çalamani në Bukuresht: “Ishte ai gjak i flaktë shqiptari që i ushqente me entuziazëm të parët tanë. Shqipëtarët, si brenda edhe jashtë, s’kanë kohë të mentohen për gjëra të larta, të cilat i lartësojnë si ata vetë, si edhe atdheun që i lindi. Këta të sotmit nuku u ngjasin aspak atyreve burrave të brezit të shkuar, që me veprat e tyre patriotike, shkëlqyen si ylli i motshëm në mes të errësirës. Sot Shqipëtarët hahen e grihen në mes të tyre për punë interesi, smërira personale, duke ia vënë kazmën themeleve të shtetit tonë të ri. Shqiptarët s’kanë kohë t’i peshojnë mundimet e çdo idealisti, e t’u japin meritën e duhur.” Pason rubrika me tituull “Shqipëria ekziston që nga krijimi i botës”, me një fotografi të Presidentit Bujar Nishani në mesin e shqiptarëve të Kosovës, si dhe me një fotografi qytetarësh rumunë përballë ëmbëltores “La atletul albanez/Te atleti shqiptar” në Sllatinë të Oltenisë.
“Ministri Makolli priti një delegacion nga Austria” është një artikull i veçantë i shoqëruar me një fotografi zonjash të njohura nga Gjakova, si Sakibe Dobruna Doli etj. Pason rumanisht një intervistë me zonjueshen Mona Agrigoroiaiei: “Rumania dhe njohja e Kosovës”, botuar në të përditshmen cotidianul.ro, me një numër impresionues komentesh në favor të kauzës kosovare. “Shqiptarët e Rumanisë ndjehen viktimë e diskriminimit” është një letër a hapur drejtuar Presidentit Bujar Nishani lidhur me hallet e komunitetit shqiptar të Rumanisë. Po japim vetëm një fragment: Shkëlqesi e nderuar! Jemi të detyruar nga rrethanat në të cilat ndodhet sot diaspora shqiptare e Rumanisë, pas disa intervenimeve te Qeveria rumune, të Ju drejtohemi me këtë letër edhe Juve si përfaqësuesi më i lartë të Shtetit amë, për të Ju informuar dhe sensibilizuar mbi situatën e zhvillimeve retrospektive dhe aktuale të komunitetit tonë.
Prej disa vitesh rrjesht, shteti shqiptar dhe opinioni mbarëkombëtar janë njoftuar me situatën e rëndë në të cilën ndodhet komuniteti shqiptar i Rumanisë, në veçanti organizata përfaqësuese e kësaj, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë (BKSHR). Kjo si pasojë e faktit se etnia shqiptare përfaqësohet në Parlamentin e Rumanisë nga një person që nuk i përket kësaj etnie, nuk njeh as historinë dhe as anëtarët e komunitetit shqiptar, por që përdor subvencionet financiare të Qeverisë vetëm në dobinë e një grupimi të themeluar në mënyrë të dyshimtë nga Oana Manolescu, shtetase rumune me origjinë serbe përnga gjyshi i mamasë së saj (Sërbulescu, alias Sërbu).” Me ç’risi vjen Shqiptari në numrin e tetroit?
Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqiptare
Revista inaugurohet me artikullin “Kosova e nderuar që ka një mik dhe partner si Gjermania”, de facto me fjalimin e Kryeministrit Edi Rama në OKB. Pason një intervistë e Ina Arapit huazuar nga Bota sot: “Shqipja ishte e shkruar që para Mesharit”,. Pas ballinës së Shqiptarit me gazetarin Idriz Morina pason një rubrikë e re me titullin “Nga aktivitetet e Ministrsisë së Diasporës”. Jepen burime mbi takimet ministrit Makolli me zyrtarë dhe mërgimtarët tanë në Australi, artikulli Në Stamboll u mbjat paneli “Marrëdhëniet shqiptare-turke gjatë historisë”, një njohtim me titullin “Konferenca për investime. Rrjetëzimi i bizneseve të diasporës në Gjermani”, një njoftim tjetër lidhur me regjistrimin dhe aplikimin për votim për pjestarët e diasporës. Pason ekspozita “Simfoni në bronz” nga Mal Myrtaj, një njoftim tjetër mbi kampin dimëror organizuar nga Ministria respektive, me qëllim të zgjerimit të njohurive të nxënësve shqiptarë nga diaspora, përafrimit me vendlindjen dhe krijimin e kontakteve me moshatarët e tyre nga data 23 deri më 29 dhjetor 2013. Pason një informatë për grumbullimin e lëndës arkivore dhe muzeore të diasporës dhe mërgatës shqiptare, si dhe burime tjera huazuar nga portali Ministrisë së Diasporës.
Revista dinamizohet me ribotimin e artikullit Gazeta të vjetra shqiptare, jepet një album historik me Përlindjen e Shqipërisë, faksimil nga një letër dërguar Nikolla Naços më 1893, gazeta e revista të vjetra si: Drita, Atdheu, Flamuri i Shqipërisë, Albano Macedonia, Lajmëtari i Shqypenies, Shqipëria e re, Zëri Shqiptar, Dielli, Kosova etj. Dr. Xhelku Maksuti vjen me artikullin “Shqiptarët e Rumanisë, viktimë e antishqiptares Oana Manolescu”, me një fragment si: “Një lugat endej dikurë nëpër Europë – lugati i komunizmit. Sot, për ne shqiptarët etnikë, një lugat endet nëpër Parlamentin e Rumanisë si deputet i etnisë shqiptare, edhepse s’i përket kësaj, duke i përvetësuar paratë publike të kontribuesit rumun për kompromitimin e ekzistencës së komunitetit tonë. Kjo situatë poshtëruese nuk mund të komentohet aq kohë sa autoritetet rumune, edhepse e njohin situatën reale, nuk kanë bërë asgjë deri tani, ndërsa ato shqiptare janë dëshmuar edhe më të pandjeshme, duke na lënë në mëshirën e fatit, pa kurrfarë intervenimi te autoritetet rumune.” Revista mballet me një cikël poetik të Dumitru Ichim nga Kanada, me një portret mbi Kozeta Zavalanin, me poezi të Sadie Kryeziu Bajtullahu, me fotografi e ballina revistash shqiptare që mbeten në memorjen e historisë sonë. (alban.voka@gmail.com)
REVISTA SHQIPTARI NË FUNKSION TË DIASPORËS SONË
Shkruan: Baki Ymeri, Bukuresht/
Çdo dhuratë e vërtetë nuk është tjetër veçse një flakë e gjallë e dashurisë. Të jesh shqiptar don të thotë të jesh një shpirt i hatashëm, thekson Marian Danieli në një kronikë të tij. Shqiptari i Naços (1888-1903) të cilin e rinxorri në dritë Xhelku Maksuti (që nga viti 1993), e të cilin e botojmë kohëve të fundit falë përkrahjes së Ministrisë së Diasporës, i ofron lexuesit një platformë të larmishme subjektesh dhe një hapsirë dialogu mes gjeneratave e profesioneve të ndryshme. Në faqet e kësaj tribune ka vend për çdo kend që vjen me subjekte përmes të cilavet e shpreh talentin për të krijuar ura miqësie mes dy popujve, dy vendeve e dy gjuhëve, para një opinioni të vetëdijshëm se kemi respekt dhe admirim ndaj njëri-tjetrit, që nga periudha parasllave e simbiozës rumuno-shqiptare. Revista respekton programin e Shqiptarit të Naços që delte në dy gjuhë, si dhe atë të rilindësve tanë lidhur me veprimin kombëtar të shqiptarëve të Rumanisë.
Në rubrikën e Historisë, Shqiptari i qershorit (2013) prezanton në gjuhën rumune studimin “Ilirët kundër sllavëve” të Andrei Crăciun (“Kosova – Ilirii contra slavi”), me argumente historike, etnike dhe kulturore që ndërlidhen me Kosovën e dymilionë shqiptarëve që i kanë bërë ballë gjatë shekujve uraganit sllav. Dardania e lashtë, Instalimi i serbëve në Kosovë, Dy betejat në Fushën e Mjellmave, Konferenca e Londrës – gjeneratore e krizës kosovare, Kosova e Konstancës (1932), Tito, autonomina dhe pastrimet etnike të Millosheviqit, Rruga e gjatë drejt pavarësisë, janë disa nga mestitujt e këtij studimi historik. Pason një intervistë e Dr. Ibrahim Makollit me titullin “Serbia mos t’iu krijojë probleme mërgimtarëve”, ku bëhet fjalë mbi problemet e mërgimtarëve tanë që lindin qysh në hyrjen e tyre në kufirin e Serbisë dhe deri me rastin e hyrjes në territorin e Kosovës: “Në shumë raste mërgimtarëve iu është kërkuar të paguajnë para me qëllim që të kalojnë më lehtë apo më shpejt kufirin”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, duke shtuar se “shpreson që këto probleme do të zgjidhen në kuadër të marrëveshjeve që Kosova ka arritur me Serbinë. (Bota Sot, 18.05.2013).
Në vazhdim jepet një informatë lidhur me Rumaninë që theu rekordin botëror duke hyrë në librin Guinness me flamurin më të madh në botë. Flamuri, me përmasa 349 dhe 227 metra dhe me peshë prej 5 tonësh, është shtrirë në shtatë hektarë tokë, në jug të Bukureshtit (27 maj 2013). Ngjarja është transmetuar drejtpërdrejt në televizionin kombëtar. Kryeministri rumun, Victor Ponta, dhe anëtarë të tjerë të qeverisë kanë ndjekur nga afër ngjarjen e së hënës. Puna për flamurin gjigand thuhet të ketë nisur para dy muajve. Jack Brockbank, nga Libri Guinness, ka konfirmuar se ky është flamuri më i madh në botë. Rekordin e mëparshëm për këtë e ka mbajtur Libani. Në kuadrin e rubrikës “Shqipëria turistike” Shqiptari i Bukureshtit jep në gjuhën gjermane një intervistë të Nina May që ia ka marrë ambasadorit të Shqipërsië në Bukuresht, Sami Shiba. Zoti Shiba ka botuar edhe disa intervista e artikuj tjerë të rëndësishëm për Shqipërinë në gjuhën rumune dhe atë angleze. Të gjitha shkrimet e huazuara nga shtypi i huaj apo ai shqiptar, shoqërohen me burime respektive.
Nikolla Naço dhe Kosova në Samitin Ekonomik të Bukureshtit
Nga Kosova vijnë kohëve të fundit në Bukuresht ekspertë fushash të ndryshme. Ndër ta edhe Liman Asllani që mori pjesë me një delegacion në Samitin Ndërkombëtar Ekonomik të Rumanisë (9 prill 2013), organizuar nga Elita e Industrialistëve të Rumanisë, Qendra e Biznesit të „Carpathia“ dhe e mbështetur nga donatorë dhe institucione rumune. Në këtë samit ishin të pranishëm rreth 400 biznesmenë, zyrtarë të lartë e senatorë shtetërorë dhe deputetë, jo vetëm nga Rumania, por edhe nga vende të ndryshme të botës. Delegacioni i AKB-së, ishte i pari nga Kosova që morri pjesë në një aktivitet me konotacione ekonomike, edhepse ky shtet akoma nuk e ka njohur Kosovën. Portat e njohjes janë të hapura në sajë të Qeverisë së re, por për këtë duhet të ketë interesim konkret edhe pala politike e diplomatike kosovare, për ndërlidhhje konkrete me Kryeministrin, Ministrinë e Jashtme, Parlamentin dhe Senatin. Sipas një komunikate për shtyp kuptojmë se delegacioni nga Kosova, konkretisht fjalimi i kryetarit të AKB-së Agim Shahini, është pritur shumë mirë nga të pranishmit dhe nga dhjetëra folës nga e mbarë bota, ku është ndërprerë disa herë nga duartrokitjet. Pas nikoqirit, Kosova ishte e para me fjalim e prezantim me temë: “Kosova mundësi e re për investime”. Po ashtu gjatë këtij samiti kanë qenë të pranishme edhe simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës. Duke parë rëndësinë e madhe të pjesëmarrjes sonë në samit, Ministria e Punëve të Jashtme i dha mbështetje të fuqishme delegacionit nga Kosova.
Nikoqiri i samitit, presidenti i Elitës të Industrialistëve të Rumanisë Mihai Nita, njëherësh edhe kryetar i Qendrës së Biznesit të Rumanisë, tha se për herë të parë në një samit madhështor merr pjesë edhe delegacioni nga Kosova, ku të gjithë diskutojnë rreth bërjes së biznesit në Rumani dhe thellimit të bashkëpunimit me Kosovën. Qëllimi i këtij samiti është që të gjitha bizneset të mblidhen në Bukuresht dhe nga këto edhe rezultatet janë pozitive. Bashkimi krijon arritjen e rezultateve dhe fuqisë dhe të gjithë janë koka e biznesit. Bashkëpunimi ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës, do të sjellë rezultate të dyanshme dhe se në Kosovë do të nisin investimet rumune. “Ditë më parë është ndërmarr një iniciativë shumë e rëndësishme për bashkëpunim dhe investime me Kosovën, tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe lëvizur përpara, ku kemi gjetur rrugën e ndryshimeve e pastaj edhe ato politike. Jemi pionierët e kësaj ngjarje madhore për dy shtetet”, tha Nita.
Në faqet e Shqiptarit defilon një shkrim i Istref Haxhillarit mbi romanin “Angelus Novus” të Bashkim Shehut, i përkthyer në gjuhën rumune nga Kopi Kyçyku. I njëjti autor (I. Haxhillari) vjen në faqet e revistës me artikullin “Nikolla Naço në një duel mendimtarësh për Rilindjen Kombëtare”. Po japim vetëm një fragment, sa për ilustrim: “Naçot ishin mokrarë, treva e hijshme dhe e rëndë në juglindje të Shqipërisë, me shumë bëma dhe histori. Autoritarë dhe nursëzë nuk duronin t’ua bëje fjalën dysh. Të zotët e punës e fjalës, të zotët edhe të gishtit, nuk shiheshin me sy të mirë nga ajo pjesë që bënte dovanë e turkut, po nuk kishin ç’u bënin se frika ruan vreshtin. Kur erdhi puna që i shkelën në kallo, Naçot ua treguan mirë qejfin. Kështu hynë në hasmëri jo aq me fisin e agait se sa me parinë turke që në ato kohë kishte shumë fuqi dhe bënte hatanë(…).
Energjik dhe atdhetar, shqiptar nga fijet e flokut deri në thonjtë e këmbëve, Nikolla zuri miqësi me bashkatdhtarët e mësuar në Egjipt, të përmasave të Thimi Mitkos me shokë. Të gjithë bashkë morën përsipër barrën e madhe të përlindjes së kombit. Mbi këto baza më 1875 formohet në Egjipt shoqëria patriotike “Vllazëria”, ku Naçua zuri vendin e parë. Historia tashmë e ka pasqyruar veprimtarinë e shoqërisë dhe dobinë e saj për zgjimin kombëtar. Në Stamboll Sami Frashëri kishte hartuar një alfabet të gjuhës shqipe mbështetur në gërmat latine me përzierje edhe të atyre turke e greke. Ndonëse jo fort i përshtatshëm, ishte më i miri i hartuar nga patriotët deri në atë kohë… Më 1878 po në Stamboll lind “Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqipe”, ku Naçua mori përsipër financimin e botimit të librave të para në gjuhën amëtare, përgatitur për shkollat që do të përpiqeshin të çelnin në të ardhmen e pritshme. Nikolla Naço u bë shpirti i lëvizjes patriotike shqiptare për të cilën vuri në shërbim të pandërprerë pasurinë, mendjen dhe shpirtin e tij të madh.”
Pason një tregim i gjatë të njëjtit autor (I. H.) “Nikolla Naço sa një delegacion”, ku bën fjalë për intervenimet e Naços në Stamboll për hapje shkollash në gjuhën shqipe: “Vetë Fatih beu e shoqëroi mysafirin e lartë te dhomat e hotelit, ndrequr e rregulluar posaçërisht. Afër fundditës së gjatë e të lodhshme, Naçua zbriti ngadalë shkallët me parmakë të lartë, plasaritur nga kujtime të hershme. Si njëzet vjet më parë vegoi sërish Aleksia, rumunia e hijshme me kurmin e derdhur prej perëndeshe. Harresa ra në kurthin e dhimbjes, dallgët e mallit të pashuar e përmbytën. Duart e trëndafilta, vështrimi i ndezur i gruas së bukur e mbërthyen si atëhere. Lëngata rëndoi e plumbtë dhe hija e trishtimit u ndeh mbi ballin e plagosur. Në mesditën e shtyrë të jetës Aleksia i preu rrugën, ngjalli ëndrrën e venitur të martesës. Ishin gjashtë muaj të nxehtë që nuk i pati njohur kurrë më parë. Gratë patën hyrë shpesh në jetën e tij, por asnjëra nuk e robëroi si rumunka me shtatin e derdhur dhe përkëdhelitë e zjarrta.” Dhe më tej:
“Nikolla qeshi me frikën e dukshme të beut, maskuar dobët. – Unë jam tregtar zotëri dhe tregtia ka një rregull të fortë e të përjetshëm në gjithë botën. “Ai që bën kërkesën kurrë nuk tradhton, tjetri nuk dihet”. Qeshi edhe beu. Logjika e hekurt e arnautit e qetësoi përfundimisht, dërrmoi ngurrimin e gjatë. U ngrit, zgjati dorën, e përgëzoi si rrallë herë: – Qenke i zgjuar, efendi. Mua më pëlqen të merrem vesh me burra të tillë. Nikolla u ngrit, nderoi me përkulje të lehtë pa ndërruar shprehjen e papërcaktuar si përherë, pastaj i tha beut, gërmuqur në zyrën e tij të madhe, vetëm dy fjalë: – Faleminderit zotëri. Doli shoqëruar nga Gjergji dhe hyzmeqarët e zyrës së këshilltarit. Mëngjesin e ditës së tretë Nikolla korri fitoren përfundimtare. Mori në dorë dekretin perandorak. Sulltani u jepte lejë të hapnin shkollë në gjuhën e tyre. Jashtë zakonit dhe natyrës së tij e puthi tri herë me gjithë zemër iradenë, lidhur me fjongo mëndafshi ngjyrë vjollcë, e vendosi në çantën e lëkurës dhe u nis me shpirt të ngarkuar. Më në fund u groposën degët e kalbura të vetmisë. Shirat qenë varur mbi det dhe mëngjesi hidhte supeve pelerinën e lagur. Qielli i grizhdë, i pamatë tretej tutje horizontit. Paradita me duart e ujshme përkëdhelte gëzimin e tij. Në trupin e Nikolla Naços nuk qarkullonte gjak, po llavë. Ngriti kokën, vështroi hapësirën e murrmë përmbi qytetin e madh.- Shpirtrat janë si retë, – mendoi, – mbledhin e derdhin.” Në faqet e kulturës, Shqiptari prezanton për herë të parë me vargje në gjuhën shqipe, poeteshën rumune, Gabriela Marcu. Revista, si çdo numër tjetër i kohëve të fundit, del me 50 faqe në kolor, e dinamizuar me fotografi të ndryshme. Çka boton Shqiptari në numrin e tij të fundit (korrik 2013)?
Atdhetarizmi, shoqatat e miqësisë dhe ekspansionizmi serb kundër Banatës rumune
Pas faqes së parë me personalitetet importante rumune dhe shqiptare, revista hapet me artikullin “Formohet shoqata e miqësisë Kosovë-Rumani”, me president Pleurat Sejdiun dhe me fragmente si: “Kemi nderin të Jua bëjmë të ditur se ish-studentë të Kosovës, të cilët kanë studiuar në Rumani, së bashku me miq të tyre rumunë kanë themeluar Shoqatën e Miqësisë ndërmjet këtyre dy shteteve. Edhepse Rumania ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, përfaqësues të shtetit rumun kanë thënë se kjo lidhje e tyre me shqiptarët ka rrënjë shekullore dhe se është në të mirë të të dy vendeve, raporton KTV. Ndërsa, përfaqësues të institucioneve të Kosovës e kanë vlerësuar lart iniciativën për themelimin e kësaj shoqate, duke thënë se shpresojnë që në një të ardhme të afërt edhe Rumania të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të vendosen marrëdhënie diplomatike. Kjo shoqatë ka si qëllim thellimin e miqësisë midis popullit të Kosovës dhe atij të Rumanisë, si dhe të promovojë ide për zhvillim shoqëror në të gjitha fushat, ku si pikësynim kryesor mbetet përqafimi i vlerave të përbashkëta europiane.”
Shqiptarët dhanë rëke gjaku, thesarë të arta dhe miliona jetë për të huajt, theksonte Shqiptari i Naços para 125 vitesh. Në këtë kontekst, në faqet e revistës jepet një portret kushtuar pronarit të Shtypshkronjës Albania në Konstancë, Mihail Sotir Xoxe, të cilin e botoi paraprakisht Zemra Shqiptare dhe disa media tjera në Shqipëri dhe Kosovë. Pason një artikull i Dr. Ibrahim Makolli, “Diaspora ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, huazuar nga Bota sot (13 qershor 2013). Në vazhdim prezantojmë Branko Manojlovskin e guximshëm, njeriu që po ringjall ortodoksizmin shqiptar në Maqedoni, një informatë mbi Konferencën Ministrore për Diasporën në Paris, artikullin e huazuar nga massmedia rumune, “Trădaţi de prieteni: Invazia sârbilor în Banatul românesc” (Të tradhëtuar nga miqtë: Invazioni i serbëve në Banatën rumune), me mestituj si Një luftë për integrim kombëtar, Republika e Banatës, Rumunët në mëshirë të serbëve, Serbët i riformulojnë revendikimet etj. Me një fjalë, bëhet fjalë për shijet paranoike të Serbisë për të gllabëruar trojet rumune të Banatës dhe Luginës së Timokut. Jo vetëm që s’u ngopën me këto troje që s’i përkisnin, as gjeografikisht dhe as etnikisht, por më 15 nëntor 1918, serbët marshuan me trupa edhe në drejtim të Timishoarës, duke inauguruar brenda një intervali prej dy muaj e gjysmë, një regjim represiv kundër popullatës rumune, derisa intervenoi faktori ndërkombëtar për t’u zbrapsur.
Në faqet e Shqiptarit defilojnë edhe interesimet e Rumanisë ndaj Kosovës, që shkojnë duke u shtuar, sidomos gjatë këtij viti të mbarë kur ka gjasa që pas disa muajsh, në vjeshtë, qeveria e re ta njohë pavarësinë e shtetit më të ri në botë. Në këtë drejtim, të interesimeve rumune për Kosovën, më 19 qershor u mbajt një debat në Fondacionin European Titulescu, me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme (sekretarë shteti), presidenti i komisionit të politikës së jashtme nga Senati (Radu Filip), profesorë, akademikë, njerëz të kulturës etj. Ishte prezent edhe ambasadori i Shqipërisë, Sami Shiba, ish ambasadori i Rumanisë në Shqipëri dhe Gheorghe Micu, përfaqësuesi i parë i zyrës rumune në Prishtinë, Gheorghe Bucura. E vetmja që nuk e nderoi këtë manifestim ishte deputetja Oana Manolescu që ik si gjarpëri nga manifestimet kushtuar Kosovës, që tallet me buxhetin e komunitetit shqiptar duke promovuar kultin e personalitetit, e shpallur nga komuniteti shqiptar si persona non-grata. Moderator në këtë debat ishte ish kryeministri Adrian Nastase.
Në faqet e kulturës, Shqiptari i korrikut prezanton jehona nga tryeza e miqësisë rumuno-shqiptare me burime të reja lidhur me lansimin e dyfishtë të librave Kosova letrare të Monika Mureshan dhe Gologota kosovare të Fehmi Kelmendit (Bukuresht, 28 Nëntor 2010). Pasojnë faksimile revistash të vjetra rumune me vargje të Rahman Dedajt, Agim Spahiut, Muhamet Kërveshit, Milazim Krasniqit, Agim Malës, prozë të Anton Pashkut, një intervistë e Bajram Krasniqit, të përkthyera nga autori i këtij shkrimi dhe të botuara në revistat Luceafarul dhe Vatra, që nga viti 1974 e këndej. Kaq sa për sot, për këtë tribunë të jashtëzakonshme të diasporës sonë, që transmeton burime të mëdha të miqësisë letrare, të vlerave historike dhe dashurisë patriotike! (bukureshtiim@yahoo.com)
Revista Shqiptari dhe magjia e fjalës shqipe
Ne Foto: Ballina e revistes Shqiptari (Mars 2013)/
Nga Baki Ymeri/
Në krahasim me nja dy fletushka tjera minore që promovojnë kultin e personalitetit dhe të familiarizmit, Shqiptari i muajve mars, prill dhe maj të këtij viti, nuk të josh me magjinë e fjalës shqipe siç e përmendëm në titull sa për të joshur kureshtjen e lexuesit, por me forcën e mesazhit dhe përmbajtjen e saj politike që shkon në favor të njohjes së Kosovës nga ana e një vendi me të cilin na lidh një miqësi e lashtë tradicionale. Në numrin e marsit, në kuadrin e artikullit “Rumania drejt njohjes së Kosovës” (me burime nga Bota sot), lexojmë: Do të ishte gabim në qoftë se Rumania nuk i merr parasysh ndryshimet dhe përparimet lidhur me Kosovën dhe “të vazhdojë të mbetet e ngulitur në vijën e parë, sikurse ushtari japonez në Oqeanin Paqësor pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë Titus Korlacean Corlăţean. Këtë deklaratë ministri Korlacean e ka bërë në një televizion rumun, duke u përgjigjur në pyetjen nëse Rumania do t’i bashkëngjitet trendit evropian sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Në Kosovë ekziston një realitet politik të cilin duhet trajtuar në mënyrë inteligjente dhe të hapur”, citon agjencia Beta shefin e diplomacisë rumune. “Rumania duhet të shikojë me kujdes se si po zhvillohet dialogu politik në mes të Kosovës e Serbisë, që ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton. Ky është realiteti të cilin Bukureshti duhet ta ketë parasysh”, ka thënë Corlăţean. (3 mars 2013).
Nga Bota sot jepet edhe një shkrim tjetër kushtuar akademisë solemne kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë, pas të cilit pason rumanisht artikulli “Xhelku Maksuti në 82 vjetorin e lindjes”, një informatë e Shtefan Agopianit lidhur me origjinën shqiptare të dramaturgut më të madh të Rumanisë Ion Luca Caragiale (Karaxhiale), i cili vjen përmes të parëve të tij nga një fshat shqiptar i Greqisë, Idra. Pason një artikull në gjuhën rumune mbi progreset e Shqipërisë në kohën e Sali Berishës, artikulli “Makolli përuron mësuesit e diasporës”, një pamflet rumanisht i zonjushes Mona Agrigoroaiei me titullin “Të respektohet pakoja e Ahtisaarit edhe për rumunët e Timokut të ndodhur nën kthetrat e kolonializmit të Serbisë “demo(n)kratike”, artikulli “Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos” kushtuar zonjës Ermira Babamusta, reçensioni “Patriotizmi i përflakur i poetit Rashit Gashi” (Patriotismul inflacarat al poetului Rashit Gashi), një reportazh i Hazir Mehmetit nga Viena me titullin “Krimet serbe në Kosovë”, poezi të Andreea Maria Cotoros, ballina librash e revistash dhe fotografi të ndryshme.
Ç’të reja na sjell numri i prillit? Nga ministri i Jashtëm Titus Corlăţean jepet deklarata e tij me titull “Një rikonsideratë eventuale e pozitës rumune që vizon pavarësinë e Kosovës implikon një dialog politik”, pas të cilit pason një përkthim i zsh. Mona Agrigoroaie me titullin “Victor Ponta sugjeron se Rumania duhet të njohë Kosovën. Çfarë thotë Ministria e Punëve të Jashtme?” Po e japim në tërësi: Kryeministri Viktor Ponta ka deklaruar para disa ditësh se Rumania duhet të shkojë afër familjes evropiane në rastin e Kosovës, duke sugjeruar kështu se Bukureshti duhet të njeh pavarësinë e këtij shteti të vogël, ashtu siç ka bërë shumicën e shteteve të BE-së. Ministri i jashtëm Titus Corlatean beson se një rekonsiderim eventual të pozitës rumune lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës implikon një dialog të gjerë politik në Rumani.
Një rikonsiderim eventual të pozitës rumune lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës implikon një dialog politik midis të gjithë partive, në nivelin e Parlamentit, midis Qeverisë dhe Presidencës, ka pohuar, të enjtën, ministri i Jashtëm, Titus Corlăţean, sipas agjencisë së lajmeve rumune Agerpres. “Janë realitete politike të cilat ne duhet t’i shqyrtojmë dhe duhet të diskutojmë në një mënyrë korrekte në plan politik ashtu në nivelin e parlamentit, midis partive të ndryshme politike, në nivelin e presidencës, të Qeverisë. Nuk ju fsheh se jemi në një proces reflektimi prej kësaj pikëpamje. Në Rumani pozita e mosnjohjes ka përfshirë edhe një pozitë e shprehur prej Parlamentit të Rumanisë. Një rikonsiderim eventual të pozitës rumune implikon një dialog politik midis të gjithë partive politike prej nivelit të Parlamentit dhe për të mundur të shikohet saktë perspektivat. Nuk është një gjë shumë të thjeshtë. Megjithatë, nga kjo pikëpamje, unë ju thashë se Qeveria u angazhua që më parë në këtë reflektim dhe ne jemi në një dialog dhe jemi jashtëzakonisht të hapur dhe dëshirojmë të kemi këtë dialog edhe në nivelin e Parlamentit, se paku në komisionet parlamentare të specialitetit”, ka shpjeguar të premtën, në Pallatin e Parlamentit, Titus Corlăţean.
Ponta, pasi PE ka miratuar rezolutën e njohjes së Kosovës: Shkojmë afër familjes europiane
Ai konsideron se Rumania duhet të shqyrtojë me vemendje rezolutën e Parlamentit Europian. “Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian është një dokument politik të rëndësishëm, i miratuar nga një institucion të rëndësishëm të BE-së dhe në mënyrë evidente në do të shqyrtojmë me vëmendje këtë rezolutë. E them këtë dhe nuk është herën e parë kur themi së në nivelin e qeverisë ka disa realitete politike, disa evolucione në Ballkan të lidhur me këtë rajon, të cilat ne nuk mundemi t’i injorojmë. Ekziston një dialog që ka avancuar dhe që është afër dhënies së rezultateve midis Prishtinën dhe Beogradit. Nëse Beogradi dhe Prishtina dialogojnë dhe avancojnë për t’u kuptuar, në mënyrë evidente se ne të tjerat duhet të jemi jashtëzakonisht të vemendshëm në këto evolucione, tha gjithashtu Corlăţean.
Në kontekst ai ka treguar se “shtete të cilat nuk kanjë njohur dhe nuk kanë ndryshuar pozitën, siç është Sllovakia dhe Greqia kanë kontakte politike, kanë disa porjekte të rendit ekonomik”. “Rumania ka një marrëdhënie shumë të ngushtë bashkëpunimi me Serbinë. Ne përkrahim rrugën europiane me respektimin e kritereve, dhe këtu referohem në mbrojtjen e minoritetit rumun dhe, nga ana tjetër janë realitete që thonë shkurtimisht se ne, Rumania, jemi të interesuar në Ballkan që proceset e integrimit europian dhe euroatlantik të referohen në tërë rajonin. Dhe në këtë pikëpamje unë besoj se Rumania ka pasur një pozitë jashtëzakonisht konstruktive, duke përfshirë edhe muajt e fundit në aspekte të lidhura me Kosovën”, ka shtuar shefi i diplomacisë rumune. Duke qenë i pyetur për një horizont kohor lidhur me Kosovën, Corlatean tha: “Në një subjekt të tillë është, besoj unë, të mençur të mos flasim për horizonte kohore, por një koordinim të mirë, duke përshirë edhe me partenerët tonë ndërkombëtarë europianë që nuk kanë njohur deri më tani Kosovën, është një domosdoshmëri.
Pason një letër Qeverisë shqiptare me këtë përmbajtje: “Përshëndetje të përzemërta nga Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, Presidentit Nishani, Kryeministrit Berisha, Ministrit të Jashtëm Aldo Bumçi, Ministrit të Kulturës Visar Zhit dhe ministrave tjerë! Ministria e Jashtme dhe Qeveria e Shqipërisë duhet ta dijë se në Bukuresht jeton sot e kësaj dite në moshën 84 vjeçare albanologu Grigore Brënkush, si dhe Nikolla Naço i ditëve tona, Dr. Xhelku Maksuti (82 vjeç), të cilët e meritojnë nga një Mirënjohje për kontributin e tyre 60 vjeçar në favor të kulturës shqiptare nga Ministria e Jashtme dhe Qeveria Shqiptare, sepse sot janë e nesër jo. Mirënjohjet mund t’u dërgohen në emër të Ministrisë së Jashtme dhe Qeverisë nëpërmjet Ambasadës Shqiptare në Bukuresht, sepse mosha dhe gjendja shëndetësore nuk u mundëson të vijnë në Tiranë. (Bota sot, 5 prill 2013). Me respekt,Baki Ymeri, Kryeredaktor i revistës Albanezul / Shqiptari.
Në vazhdim jepet një reportazh me titullin “Jemi një, pavarësisht ku jetojmë”, kushtuar vizitës së ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, në gjirin e komunitetit shqiptar në Suedi, një reportazh tjetër i Hazir Mehmetit lidhur me pjesëmarrjen e ministrit Makolli në një takim pune me mësuesit e gjuhës shqipe në Austri. Më tej jepet një portret me titullin Legjenda e kulturës shqiptare në Suedi: Sadulla Zendeli Daja është autor i disa veprave të mrekullueshme që mbeten në memorjen e historisë. Ndër to shquhet Fjalori Suedisht-Shqip me 950 faqe dhe 28.550 fjalë. U lind në Sërmnovë të Gostivarit, me pregaditje shkollare dhe profesionale si intelektual me ide përparimtare. Sipas Murat Gecajt, që heret nisi aktivitetin e tij atdhetar duke iu kundërvënë në mënyra të ndryshme pushtetit të atëhershëm komunist, i cili me çdo kusht tentonte t´i zhbëjë shqiptarët nga faqja e dheut. Pikërisht aktiviteti i tij prej atdhetari u bë halë në sytë e regjimit të asaj periudhe famëkeqe rankoviqiane, e cila nisi ta ndjekë këtë atdhetar të devotshëm. Mu për këtë, Daja u shtërngua ta braktisë vendlindjen dhe të kërkojë strehim në Suedi (1966), në qytetin universitar Uppsala. Fillimisht kreu kursin e paraprak të gjuhës suedeze, pastaj diplomoi për shkencat filozofike në Universitetin e Uppsalës, studioi dy vjet gjuhën shqipe në Universitetin e Sofjes (dega e Albanologjisë, duke patur për shef të katedrës albanologjike, profesorin e ndjerë Thoma Kacorri). Në ndërkohë kreu shkollën e lartë Bibliotekare (drejtimi universitar dhe i sipërmarrjeve) në Borås. Një kohë punoi si shef i biblotekave të shkollave në Nybro.
Aty pa se gjëja më e shtrenjtë për fëmijët është ruajtja dhe kultivimi i gjuhës dhe traditave kombëtare. Mu për këtë u angazhua që të hapë shkollën shqipe për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë. Kësaj ia arriti me sukses dhe kështu hapi shkollën e parë në Nybro. Kështu pra, që nga 5 marsi i vitit 1975, nisi të punojë si arsimtar i gjuhës shqipe në Nybro me 12 nxënës. Më vonë hapi shkollën e parë shqipe në Emmaboda me 5 nxënës dhe në Kalmar me 10 nxënës, punë kjo të cilën vazhdoi ta kryejë me entuziazëm dhe kënaqësi të veçantë. Përveç punës së palodhshme si arsimtar i gjuhës shqipe, Daja është autor i një varg shkrimesh publicistike dhe botime të fjalorëve dhe librave për fëmijë. Në vitin 2001 doli në pension duke i lënë arsimtarit Raif Mehmetit 65 nxënës në Nybro dhe arsimtarëve Sali Komoni, Hasan Sula dhe Milaim Lekajt, me rreth 70 nxënës të gjeneratës së dytë. Për këtë konribut 27 vjet si arsimtar i gjuhës shqipe në Nybro, Emmaboda dhe Kalmar, si dhe për punën e palodhur për çështjen kombëtare Sadulla Zendeli Daja shprehet: ”Unë jam njëri ndër mërgimtarët e parë në Suedi, i dëbuar me dhunë para 46 vitesh. Rrethanat e jetës në mërgim, siç mund ta dini, janë mjaftë të ndërlikuara e të vështira. Duke qenë larg atdheut, mërgimtarët tanë i pret pashmangshëm asimilimi i pjesshëm ose ai i plotë. Ajo që brengos çdo njeri në rrethanat e jetës jashtë atdheut është ruajtja e gjuhës shqipe”.
Sadulla Zendeli Daja ka qenë dhe është shumë i afër me bashkatdhetarët tanë në Suedi, të cilët kishin marrë rrugën e mërgimit ugurzi nga dhuna që bëhej në trojet e tyre shekullore. Këtë gjë e dinte mirë sepse e kishte përjetuar në kurrizin e vet, gjatë veprimtarisë së tij në vendlindje. Në komunën Nybro, përveç shkollës shqipe, bashkarisht me bashkatdhetarët e tij, hapën shoqatën e parë shqiptare me emrin ”Ilirida”. Për herë të parë u ndanë shqiptarët nga shoqata ”Vuk Karadjic”, e cila bënte presione me ambasadën jugosllave që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë të vazhdojnë të ndjekin shkollën e përzjerë serbe-jugosllave. Në anën tjetër pason hapja e shkollave shqipe në Nybro, Kalmar dhe Emmaboda, hapja e shoqatës shqiptare “Ilirida” në Nybro dhe hapja e një Restorani me emrin “Shqiponja”. Kaq sa për këtë shqiptar të prekur nga flatrat e engjëllit, i cili defilon në faqet e antologjisë me disa poezi në gjuhën rumune, si: Shpirti (mërgimtarëve që vdesin në mërgim), Lisat e atdheut tim, Pranë tregut, Miq të betuar, Përgjakje prej tradhëtisë, Nëpër shkallë, Drita e varrosur në qeli (kushtuar Ukshin Hotit), etj. (B. Y.)
Në vazhdim jepet reçensioni i Dumitru Vela-s „Dumitru Ichim, apo për ripërkujtimin e gjuhës së harruar”, artikulli “Makolli priti ambasadorin Ozan”, artikulli i Gani Mehmetajt (huazuar nga Zemra Shqiptare) “Jemi shtet laik a islamik?”. ballina revistash e librash dhe fotografi të ndryshme. Në numrin e majit (2013), Shqiptari i bukureshtit boton artikujt “Rumania ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës” me burime nga Bota sot:Publikuar: 19.04.2013 – 09:21Bukuresht, 19 prill – Rumania paralajmëron qëndrim tjetër karshi Kosovës.Bukuresht, 19 Prill – Romania paralajmëron qëndrim tjetër karshi Kosovës. Pas miratimit të rezolutës së Parlamentit Europian, ajo ka bërë një hap drejt njohjes së Kosovës, raportojnë mediet .Pas miratimit te rezolutës së Parlamentit europian, ajo ka bërë një hap drejt njohjes së Kosovës, raportojnë mediet. Kryeministri i këtij vendi, Victor Ponta citohet nga mediat e ndryshme evropiane të ketë thënë se Rumania ka lëvizur nga qëndrimi i saj i mëparshëm për Kosovën, ndërkaq lëvizjet e shtetit rumun kanë ardhur pas takimit të Pontas me raportuesen për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek.Kryeministri i këtij vendi, Victor Ponta citohet nga mediat e ndryshme evropiane të ketë thënë se România ka lëvizur nga qëndrimi i saj i mëparshëm për Kosovën, ndërkaq lëvizjet e shtetit rumun kanë ardhur pas takimit të Kryeministrit Ponta me raportuesen pe Kosovën në PE, Ulrike Lunacek. Kryeministri Ponta edhe më parë kishte treguar dispononim më të mirë për njohjen e Kosovës, ndërkaq thirrja e Parlamentit Evropian që pesë vendet e BE-së ta njohin Kosovën vetëm i ka ndihmuar kësaj klime.Kryeministri Ponta edhe më parë kishte treguar dispononim për njohjen e Kosovës, ndërkaq thirrja e Parlamentit Europian që pesë vendet e BE-së ta njohin Kosovën vetëm i ka ndihmuar kësaj klime. (Bota sot, 19. 04. 2013. Pasojnë Shënime biobibliografike mbi shqiptarët dhe filoshqiptarët e Rumanisë, gazeta të vjetra shqiptare dhe misioni historik i tyre, poezia e Riza Lahit „Pilotët e vjetër”, një album me fotografi të ndryshme dhe kolegjiumi i redaksisë me bashkëpunëtorë si Gëzim Marku, Xhever Ymeri, Sadulla Zendeli-Daja, Tiberius Puiu, Ejup Ajdini, Ilir Dardani, Kozeta Zylo, Eduard Dilo, Gheorghe Bucura, Sokol Demaku, Aurel Dasareti, Ilo Mani, Mediar Leka, Vlash Fili, Neki Lulaj, Xhafer Leci, Xhevat Muqaku, Ylli Dilo, Ramiz Dërmaku, Ilir Kosova etj.
- 1
- 2
- 3
- 4
- Next Page »