Nga Xhelal Zejneli
Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, sipas pseudo-historianëve serbë, ushtria serbe paska marshuar triumfalisht prej Selaniku deri në Alpe. Si rezultat i fitores serbe qenkësh çliruar “një pjesë e mirë e Ballkanit”. Parullë kryesore e asaj kohe ka qenë “Ballkani ballkanasve”. Sipas serbëve, me këtë parullë do t’i jepej fund pushtimit të Ballkanit nga Fuqitë e Mëdha dhe hegjemonisë së tyre.
Sipas ideologëve serbë të fillimit të shekullit XX, në Ballkan duan të shtrijnë hegjemoninë e tyre Vatikani, ShBA-ja, Gjermania, Austria, Italia, Anglia.
Për ideologët serbë të asaj kohe, Rusia nuk është pushtuese e Ballkanit dhe nuk synon të shtrijë hegjemoninë e saj në të. Me fjalë të tjera, Rusia është mike dhe aleate e natyrshme e Serbisë, ndaj prania e saj në rajon nuk paraqet pushtim as hegjemoni.
Parulla serbe “Ballkani Ballkanasve” nënkupton parandalimin e hyrjes së ShBA-së dhe të Gjermanisë në gadishull. Sipas kësaj parulle, penetrimi dhe ndikimi i Rusisë në rajon është i mirëseardhur, i dobishëm, i nevojshëm dhe i domosdoshëm.
Me rastin e krijimit të të ashtuquajturit Shengen i vogël, kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçiq (1970 -) e përsëriti sintagmën e sipërthënë “Ballkani ballkanasve”. Sipas kësaj parulle, fuqive perëndimore duhet t’u mbyllen dyert e gadishullit, ndërsa për Moskën, dyert e rajonit duhet të mbeten të hapura. Përpos kësaj Serbia pandeh se pa Uashingtonin dhe Berlinin, Serbia lehtë mund t’ia dalë me vendet e Ballkanit perëndimor.
Sipas ideologëve serbë, Vatikani, ShBA-ja, Gjermania, Austria, Italia, Londra natyrshëm anojnë nga shqiptarët dhe nga kroatët. Për këtë arsye, dyert e gadishullit duhet të mbyllen për to. Shengeni i vogël ndërkaq apo “Ballkani i hapur” janë mundësi e mirë për ta arritur këtë.
Sipas serbëve, situata sot na qenkësh e njëjtë me atë të kohës së luftërave ballkanike – 1912-1913. Strategjia e Fuqive të Mëdha të sotme, d.m.th. e fuqive perëndimore, ndaj popujve të Ballkanit na qenkësh identike me atë të fillimit të shekullit XX. Me një fjalë, strategjia e fuqive perëndimore e fillimit të shekullit XX ndaj serbëve na qenkësh identike me atë të sotmen. Me Marrëveshjen e Dejtonit (1995), Bosnja na qenkësh aneksuar përsëri, mu si në kohën e Kongresit të Berlinit (1878), kur kalon nën administrimin e Vjenës. .
Luftërat çlirimtare në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, të viteve 1991-1999, nuk kanë qenë luftëra çlirimtare por fetare. Luftërat çlirimtare të sipërthëna, për serbët paraqesin përsëritje të Luftës së Dytë Ballkanike. Sipas tyre, popujt e këtyre hapësirave paskëshin luftuar kundër njëri-tjetrit. Kjo s’është dot e vërtetë. E vërteta është se sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët, në vitet 1991-1999 kanë bërë luftë çlirimtare kundër pushtuesve, militaristëve, hegjemonistëve, ekspansionistëve dhe kolonialistëve serbë. Fuqitë perëndimore ndërkaq, në periudhën e sipërthënë kanë mbështetur luftën e drejtë të popujve të lartpërmendur. Për fat të keq, ndërhyrja e perëndimorëve në Bosnjë e Hercegovinë ishte e vonuar, gjë që pati si pasojë numrin e madh të viktimave.
Sipas serbëve, sot paskëshim inversionin e historisë së Luftës së Parë Ballkanike, d.m.th. sot paskëshim konflikte dhe luftëra të nxitura nga jashtë. Sipas Beogradit, nxitës nga jashtë janë fuqitë perëndimore. Kur përzihen fuqitë e jashtëm, popujt e rajonit e humbkan lirinë dhe pavarësinë. Kjo s’është e vërtetë. E vërtetë është se në saje të mbështetjes së fuqive perëndimore Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova fitojnë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë. Mali i Zi dhe Maqedonia ndërkaq, mbrojnë pavarësinë nga synimet hegjemoniste serbomadhe.
Sipas serbëve, sot s’paskëshim “Ballkan ballkanasve”. Sot paskëshim “Ballkani të huajve”. Të huaj dihet kush janë – fuqitë perëndimore. Rusia s’është e huaj, ajo është aleate, mike. Nëpërmjet saj, Serbia do të shtrijë hegjemoninë dhe dominimin e vet në Ballkanin perëndimor, pa lënë jashtë as Kroacinë.
* * *
Nëpërmjet Shengenit të vogël apo të ashtuquajturit Ballkan i hapur, synon ta rikthejë dhe ta ringjallë parullën e vjetër “Ballkani ballkanasve”. Kjo strategji i mundëson Serbisë dominim në Ballkanin Perëndimor dhe lehtësira për të dalë në Adriatikun shqiptar.
* * *
Ballkani i hapur i Aleksandër Vuçiqit të përkujton edhe “Federatën ballkanike”. Pas Luftës së Dytë Botërore, ndërmjet pushteteve komuniste të reja – RPF të Jugosllavisë, RP të Bullgarisë, RP të Rumanisë dhe RP të Shqipërisë, me pjesëmarrjen aktive të BRSS-së, u shqyrtua bashkimi në Republikën Federative Ballkanike, në të cilën do të përfshihej edhe Greqia, po qe se në luftën civile greke do të fitonin partizanët. Në këtë kohë Josip Broz Titoja punonte me të madhe për krijimin e Federatës ballkanike. Jugosllavia u ndihmonte partizanëve grekë dhe punonte për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit komunistë Josip Broz Tito (1892-1980) dhe Gjergj Dimitrovi (Georgi Dimitrov, 1882-1949) punuan në projektin e bashkimit të të dy vendeve – Jugosllavisë dhe Bullgarisë – në Republikën Federative të Ballkanit. Si lëshim për palën jugosllave, autoritetet bullgare ishin pajtuar të njohin dallimin midis kombësisë dhe gjuhës bullgare nga kombësia dhe gjuha maqedonase. Ky ka qenë një prej kushteve për Marrëveshjen e Bledit (qytet në Slloveni) të nënshkruar midis Jugosllavisë dhe Bullgarisë, më 1 tetor 1947. Në nëntor 1947, nën trysnin e Bashkimit Sovjetik, Bullgaria nënshkruan marrëveshje për miqësi me Jugosllavinë. Qeveria bullgare ishte e detyruar që qëndrimet e veta përsëri t’ua përshtatë interesave sovjetike në Ballkan. Duhet shtuar se Titoja e shihte veten si një lider, përkatësisht si një udhëheqës potencial të shteteve të rajonit.
* * *
I ashtuquajturi Ballkan i hapur, për shqiptarët është një bashkësi e panatyrshme. Shqiptarët nuk mund të jenë në një bashkësi politike dhe ekonomike me sllavët e jugut, me të cilët, jo vetëm në të kaluarën, por edhe sot janë në konflikt.
Shengeni i vogël apo i ashtuquajturi Ballkan i hapur, s’ka sesi mos të ta rikujtojë Jugosllavinë e AVNOJ-it apo të Titos, atë të Aleksandër Ranokviqit, përkatësisht të Sllobodan Millosheviqit. Në atë Jugosllavi tre milionë shqiptarë kanë qenë të shtypur, të shkelur, të sunduar, të dominuar, të shfrytëzuar, të kolonizuar. Shtypës i egër ka qenë boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë).
Në fillim të shekullit XX Serbia e konsideronte veten Piemont të “luftës ballkanike për liri”. Edhe pse në vitet 1991-1999 shkaktoi katër luftëra në ish-Jugosllavi, Serbia ende shpreson se mund të luajë rolin e Piemontit në Ballkanin Perëndimor. Serbia pandeh se forca e saj integruese në rajon është më e madhe se ajo e shteteve të tjera të gadishullit. Si e tillë, ajo u dashka të luajë rolin udhëheqës.
Përfshirja e Shqipërisë në Ballkanin e hapur që nënkupton rimëkëmbjen e amalgamës jugosllave, s’ka sesi mos të ta rikujtojë tendencën e Josip Brozit, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, për shndërrimin e Shqipërisë në republikë të shtatë të serbosllavisë.
* * *
Për çfarë Ballkan të hapur flet Vuçiqi, kur vendi të cilin e udhëheq, është destabilizuesi kryesor i gadishullit?! Nuk mund të ketë Ballkan të hapur në një rajon të cilin Beogradi synon ta shndërrojë në fuçi baruti, mu si në fillim të shekullit XX.
Për ta vënë në dyshim konceptin e një Ballkani të hapur, nuk ka nevojë të kthehemi në histori, t’i kthehemi ideologjisë dhe politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste serbe. Për të mos i besuar konceptit të Ballkanit të hapur, s’ka nevojë t’u kthehemi krimeve dhe gjenocidit serb të vitit 1877-1878; krimeve dhe gjenocidit serb të kohës së luftërave ballkanike apo të kohës së Luftës së Parë Botërore; krimeve dhe gjenocidit serb të periudhës midis dy luftërave botërore, kur Beogradi, për ta ndryshuar strukturën etnike të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Mbretërinë Jugosllave, sillte aty kolonë serbë dhe malazezë. S’ka nevojë t’i kthehemi elaboratit të Vaso Çubrilloviqit (1897-1990) për dëbimin e shqiptarëve për në Anadolli; s’ka nevojë t’u kthehemi krimeve serbe të pas Luftës së Dytë Botërore; s’ka nevojë t’i kthehemi kohës së Aleksandër Rankoviqit (1909-1983); të Sllobodan Millosheviqit (1941-2006), të Vojisllav Sheshelit (1954 -) apo të Vojisllav Koshtunicës (1944 -); s’ka nevojë t’u kthehemi krimeve të viteve 1998-1999, dëbimit të një milion shqiptarëve prej vatrave të veta.
Sikundër shihet, në përputhje me planet e Çubrilloviqit dhe të Ivo Andriqit (1892-1975), shqiptarët u dëbuan nga trojet e veta edhe në Jugosllavinë socialiste. T’i shpërngulim shqiptarët nga Rrafshi i Dukagjinit, nga Kosova dhe nga rajoni i Pollogut. Masat e dëbimit, të deportimit apo të shpërnguljes do t’i justifikojmë si veprime kundër “shqiptarëve reaksionarë”, “kundërrevolucionarë” dhe “bashkëpunëtorë të okupatorit”. Me këtë akuzë u dëbuan edhe gjermanët nga Vojvodina.
Sidoqoftë, të mos kthehemi në të kaluarën për arsye se ka të tillë që thonë: “Mos u ktheni në të shkuarën, në të kaluarën. Mos u kthe në histori, ta lëmë historinë mënjanë, të shikojmë para, të shikojmë të tashmen për një të ardhme më të mirë…”
Atëherë po shikojmë të sotmen, të tashmen. Pra, për ta vënë në dyshim konceptin mbi një Ballkan të hapur, mjafton të ndalemi në kohën e përtashme, në kohën e Vuçiqit.
Për çfarë Ballkani të hapur mund flitet, përderisa Serbia:
– ka pretendime territoriale ndaj Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, ndërkaq Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh kishën sllavo-maqedonase;
– thotë se Kosova është Serbi;
– thotë se kurrë s’ka për t njohur pavarësinë e Kosovës;
– ka pretendime territoriale ndaj Kosovës;
– nuk e njeh realitetin e ri në Kosovë;
– është në kundërshti me parimet e BE-së, për pandryshueshmërinë e kufijve;
– ndaj Kosovës ndjek luftë speciale dhe luftë psikologjike;
– përdor retorikën luftënxitëse;
– ndjek politikën e forcës;
– mu afër kufijve të Kosovës zhvillon manovra ushtarake dhe demonstron forcë;
– armatoset me armatime nga Rusia dhe i rrit potencialet luftarake;
– është përçuese e interesit rus në rajon;
– është satelite politike, historike e Rusisë;
– përqendron arsenal luftarak dhe forca ushtarake mu afër kufirit të Kosovës;
– cenon tërësinë e tokave dhe sovranitetin e Kosovës;
– e instrumentalizon pakicën serbe në Kosovë;
– ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) dhe i detyron të shpërngulen prej vatrave të tyre;
– parandalon anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare;
– punon për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet të cilat tanimë e kanë njohur;
– nuk e ndryshon kushtetutën e vet, ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë;
– nuk miraton në Kuvendin e vet një rezolutë, ku do t’u kërkohej falje shqiptarëve për krimet e luftës dhe për gjenocidin e kryer, që nga koha e Krizës së dytë lindore e deri në vitin 1999;
– nuk i paguan Kosovës zhdëmtim për politikën kolonialiste dhe për shfrytëzimin e egër të Kosovës;
– nuk i nxjerr para drejtësisë vrasësit serbë të cilët gjatë luftës së vitit 1998-1999 kanë vrarë popullsi civile shqiptare, përfshi edhe gra dhe fëmijë;
– nuk i nxjerrë para organeve të drejtësisë kriminelët serbë të cilët gjatë luftës së viteve 1998-1999 kanë përdhunuar femrat shqiptare;
– nuk bashkëpunon mirëfilli për sqarimin e fatit të të pagjeturve, etj.
* * *
Ndaj shqiptarëve, Serbia ndjek një politikë djallëzore: me Shqipërinë, hiqet sikur e çon mirë, Kosovës ndërkaq, i kanoset forcërisht. Vuçiqi duhet ta dijë se rruga e Beogradit për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë. Për të shpresuar një të ardhme më të mirë, puna e parë që duhet të bëjë Serbia është të turpërohet nga e kaluara e vet. Po qe se Vuçiqi e sheh veten si një politikan me vizion, atëherë le të tregohet burrë shteti dhe le ta njohë pavarësinë e Kosovës. Pas kësaj dhe vetëm pas kësaj do të mund të flitej për zhvillimin e proceseve të fqinjësisë së mirë. Vetëm pas kësaj, dy popujt – shqiptarët dhe serbët – do të mund të shikonin para dhe të ecnin para. Pa Kosovën s’mund të ketë kurrfarë Ballkani të hapur. Krizë e Ballkanit nuk është Kosova. Krizë e rajonit është Serbia me synimet e saj hegjemoniste dhe ekspansioniste dhe me politikën e saj luftënxitëse.
Franca dhe Gjermania kanë luftuar tri herë gjatë historisë së kohës më të re: një herë në shekullin XIX dhe dy herë – në qindvjeçarin XX. Këto dy fuqi të mëdha të kontinentit të vjetër u dhanë fund konflikteve midis tyre, vetëm pasi e njohën njëra-tjetrën.
Për një të ashtuquajtur Ballkan të hapur, Serbia paraprakisht:
– duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të respektojë tërësinë tokësore të saj dhe sovranitetin e saj; si dhe
– duhet t’i japë fund gjenocidit të heshtur të ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegje).
Ballkani i hapur, me një Serbi si pjesë e tij, është një koncept bizar, grotesk, i panatyrshëm dhe absurd. Një absurditet të tillë s’e has dot as edhe në dramat e irlandezit Semjuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989).
Edhe Bashkimi apo Unioni Evropian është themeluar vetëm pasi fuqitë historike të kontinentit të vjetër kanë arritur një marrëveshje historike paqeje, që nënkupton:
– mosndryshimin e kufijve; dhe
– respektimin e lirive dhe të të drejtave të minoriteteve.
Për çfarë Ballkani të hapur mund të flitet përderisa integritetin territorial të Kosovës, e e garanton dhe e mbron nga pretendimet hegjemoniste dhe ekspansioniste serbe – ShBA-ja.
* * *
Pjesëmarrja e Shqipërisë në të ashtuquajturin Ballkan i hapur, e dobëson pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Lidhur me mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, shqiptarët duhet të sillen dhe të veprojnë si një komb i bashkuar. Për çfarë Ballkani të hapur mund të flitet kur kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi s’ka ditë të mos deklarojë – tërthorazi – se Serbia përgatitet për luftë.
Në vend të pjesëmarrjes në një Ballkan të hapur, që nuk është veçse një nocion fiktiv, mu si Shengeni i vogël, në Gjykatën ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit, Tirana duhet të ngre padi ndaj Serbisë për gjenocidin e heshtur të ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).
Këto që u thanë më sipër duhet t’i ketë parasysh qendra botërore e qytetërimit – Amerika si dhe Gjermania. Serbia, ndonëse i ka humbur luftërat e viteve 1991-1999 në territoret e ish-Jugosllavisë, përsëri tenton të dalë fitues. Shtetit që ka shkaktuar luftëra pushtuese dhe i ka humbur ato, i vihen frena.
Nuk ulesh dot në të njëjtën tryezë me vrasësin tënd, përderisa ai nuk e pranon krimin e kryer, nuk pendohet, nuk kërkon falje dhe nuk tregon gatishmëri për zhdëmtim.
* * *
Shqiptarët nuk duhet ta humbin orientimin në hapësirë dhe në kohë. Të jesh në të njëjtën bashkësi me sllavët e jugut, me të cilët ke qenë dhe je në konflikt, do të thotë ta rrënosh identitetin tënd. Si një popull i vjetër dhe me identitet të padiskutueshëm, shqiptarët e kanë vendin në familjen perëndimore dhe jo nën tendën e sllavëve të jugut me të cilët s’i lidh dot gjë, përpos një historie qëndrese për liri dhe pavarësi. Ruajtja e kujtesës historike nuk është pengesë për krijimin e shtetit demokratik. Shlyerja e kujtesës historike, e ideve dhe e idealeve nuk mund të jetë kusht për krijimin e kombit modern.
Ata që i injorojnë mësimet e mëdha të historisë, do të shndërrohen në përsëritës të saj dhe do të flaken nga historia. Shqiptarët i vë në lëvizje, jo Ballkani i hapur por objektivi i drejtë, d.m.th. synimi për t’u bërë pjesë e familjes perëndimore.