• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Koço Kota – Për një Shqipëri oksidentale

November 8, 2017 by dgreca

Libri i ri “Koço Kota – Për një Shqipëri oksidentale”, një ridimensionim i leximit real të historisë shqiptare/1 Koco Kota

 Prof. dr. Bardhosh Gaçe & Albert Z. ZHOLI/Sado që kohët kanë ecur përpara, kanë lëvizur me një progres të habitshëm, janë zbuluar arkiva shtetërore, arkiva familjare, na kanë ardhur në kronikat e të vërtetave dokumente dhe opinione jashtëzakonisht me vlera të nevojshme, në opinionin vlerësues njerëzor dhe të vërtetave historike është shtuar referenca e anashkaluar, mohuar dhe refuzuar për një kohë relativisht të gjatë. Ditë pas dite e kohë pas kohe në duart e lexuesit shqiptar po vijnë libra të rëndësishëm historiko-politik, histori të pazakonta, të cilat po u vijnë në ndihmë shumë çështjeve që ose kanë qenë të errësuara, ose kanë qenë të pastudiuara, ose janë harruar fare. Pavarësisht një prurjeje të shumtë, veçmas pas viteve ‘90-të, të një lloj letërsie dhe historie tematikisht të nevojshme për zhvillimet e kohës dhe të çlirimit për të qenë të lirë në të shprehurin për shumë çështje të prekshme dhe të përjetueshme nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, që kishin lidhje kryesisht me kompleksin totalitar, gjatë këtyre dy dekadave e më shumë ka pasur dhe një prurje të rëndësishme historiografike dhe monografike, e cila ka plotësuar një lloj boshësie të dukshme dhe djerr, e cila në historiografinë shqiptare, ose është lënë ashtu, ose është mbushur me temën e propagandës. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht me dëshminë dhe tregimin e nevojshëm të personaliteteve të dijes dhe të aktivitetit politiko-shtetëror të paraçlirimit të vendit. Ndërmarrje të tilla dhe për figura emblematike të politikës dhe të historisë shqiptare është një zhvillim pozitiv gjatë kësaj periudhe, pasi, edhe pse ka pasur një prurje të veçantë, në letërsi dhe në përvojën e të shkruarit, koha është një mekanizëm racional dhe efektivisht veprues në verifikimin dhe seleksionimin e tyre, në këtë rrjedhë të vrullshme dhe të shumtë librash, ne kemi pasur fatin e mirë të na vijnë libra të rëndësishëm, të cilët kanë zënë vendin e vet në historinë shqiptare, pavarësisht se vonë, siç është edhe studimi monografik “Koço Kota –Për një Shqipëri oksidentale” të autorit të mirënjohur, Harallamb Kota.

Në historinë e popujve të vegjël dhe të njohur në botë, ka raste unikale të mekanizmave dhe fakteve të çuditshme se si është shkruar historia e këtyre popujve dhe vendeve. Kështu në historinë më emblematike të Izraelit ka një fakt të çuditshëm, që lidhet me konsideratën e mirë, shpeshherë dhe preferenciale të një personi të vetëm, i cili gjatë jetës së tij kishte ruajtur me mijëra dokumente të natyrave të ndryshme, për t’i paraqitur si dëshmi të nevojshme në shërbim të vendit të tij dhe historisë së Izraelit. Në këtë lloj rrugëtimi bashkëkohor, lexuesit shqiptar po i vjen dhe njëri nga librat më të rëndësishëm të tij, që lidhet me njërin nga personalitetet intelektuale, politike, shtetërore, diplomatike, sociale, Koço Kota të studiuesit Harallamb Kota.

Deri në vitet ’90-të Koço Kota nuk njihej, dhe nëse njihej, mbi të rëndonte anatema politike, etiketimi politik i ndërtuar mbi perceptimin ideologjik-politik të sistemit totalitar, nëse njihej, ai konsiderohej armiku i pushtetit popullor, ndërsa e gjithë vlera e tij, e cila ka ardhur në librin “Koço Kota- Për një Shqipëri Oksidentale”, të autorit Harallamb Kota, nuk ishte e mundur të bëhej e njohur, pronë shoqërore dhe historiografike, e për më tepër në një botim voluminoz, në të cilin kërkohet të thuhet gjithçka lidhet me të, referuar kohës, politikës, zhvillimeve kombëtare dhe ballkanike, në një lidhje dhe konvencionalitet të thellë shkencor dhe interpretues. Libri që po i vjen në dorë lexuesit shqiptar përmbush një detyrim shoqëror dhe historiografik, pasi në të nuk flitet për Koço Kotën në vetvete, as për bëmat e tij, as udhëtimet, raportet e tij me dijen dhe kulturën, por përmes tij ka një valorizim të gjerë në të gjithë historinë tonë kombëtare, një jetë dhe një veprimtari që lidhet me një kohë relativisht të gjatë dhe aktive, të përfshirë nga zhvillimet historike, politike, të qeverive dhe mbretërisë, të marrëdhënieve me Lindjen dhe Perëndimin, të problemeve të thella jetike të natyrës së besimit, të ligjit dhe të zhvillimit. Koço Kota është një personalitet i përfshirë dhe i gjendur në zhvillimet më të rëndësishme të Shqipërisë, që nisin që në fillimin të shek. XX për të vazhduar me një temp të jashtëzakonshëm deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Fillimvitet 1900, e gjatë tre dekadave të para të shekullit të kaluar kanë qenë të mbushura me zhvillime jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, që nga Shpallja e Pavarësisë, e cila kulmoi të gjithë aktivitetin dhe veprimtarinë kulturore, politike, historike, shoqërore, luftarake dhe intelektuale të Rilindjes Kombëtare, e cila me të drejtë është konsideruar njëra nga epokat më të arta të historisë shqiptare, pas kohës së Skënderbeut. Koço Kota ka lindur në një kohë (1886) dhe zhvillimet politike e shoqërore të viteve 1900 e kanë nxënës të pjekur, të shkolluar dhe një intelektual universitar, i cili më shumë se kushdo mund ta “lexonte” realitetin brenda vendit dhe rrethanat dhe zhvillimet rajonale dhe ato ndërkombëtare. Harallamb Kota është gjendur para një “mali” të madh veprimtarie, aktiviteti dhe kontributesh të Koço Kotës, që ishte i shkolluar si mos më mirë, që nga Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë, pastaj në gjimnazin e njohur “Zosimea”, studimet në Universitetin e Athinës për Shkenca Politike-Juridike-Administrative, arsimin pasuniversitar në Boston të SHBA-ve, mbrojtja e gradës shkencore “Doktor në Jurispondencë” po në SHBA, të cilat e bëjnë të rëndësishme veprimtarinë e Koço Kotës në Shqipëri, e cila fillon që nga viti 1911, si kryetar i shoqërisë “Malli i Mëmëdheut” në SHBA, pastaj si bashkëthemelues i Federatës Panshqiptare “Vatra” po në SHBA, e më pas i gjithë aktiviteti i tij (1912) në Shqipërinë e mbushur me ngjarje, beteja politike, luftarake, koniunktura dhe kthesa të jashtëzakonshme për shkakun e raporteve të lëkundura me fqinjët, për shkakun e koniunkturave të politikës dhe diplomacisë së kohës me Perëndimin, brenda zhvillimeve të qeverive dhe shtresave të shoqërisë shqiptare. Aktiviteti jetësor, patriotik në SHBA dhe në Shqipëri, aktiviteti shtetëror që nga vitet 1912 deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, përbëjnë një prerje historike dhe analitike të zhvillimeve shqiptare përmes një personaliteti, shtetari, dhe politikani kalibri, i cili ka arritur ta njohë në imtësi dhe në detaj çdo zhvillim, që në historiografi është interpretuar në asnjë rast me të njëjtin kriter, e për këtë arsye në historiografinë shqiptare gjithmonë ka pasur vakume.

Koço Kota ka lindur në Korçë, një qytet i njohur për kulturë dhe traditë qytetare dhe arsimore, qytet i dijes dhe i njerëzve reformatorë, qyteti i intelektualëve dhe mërgimtarëve të ndritur, të cilët mbajtën lidhje të forta gjithmonë me vendin dhe qytetin e tyre, me fatin e njerëzve dhe me perspektivën e vendit të tyre. I dalë nga një familje me dashuri dhe sakrificë për dije dhe arsim, ai e ruajti, e përçoi dhe e reklamoi mjaft mirë këtë shembull familjar, duke u treguar një atdhetar i spikatur në të gjitha mjediset patriotike brenda dhe jashtë vendit. Në studimin monografik të Harallamb Kotës, gjithashtu personaliteti i tij shpërfaqet më së pari si një patriot i vërtetë, duke e vënë në shërbim të vendit dhe të prosperitetit të gjithë dijen që ai mori në familje dhe në shkollë, brenda dhe jashtë vendit, duke iu vënë në shërbim vendit që në Shpalljen e Pavarësisë me Plakun Ismail Qemali, e më pas në të gjithë zhvillimet politike dhe qeverisëse të vendit, duke qenë një qeveritar dhe një udhëheqës i vazhdueshëm.

Koço Kota ka qenë senator, deputet, prefekt, ministër, kryetar parlamenti dhe kryeministër, pra, ka qenë një nga personalitetet e politikës dhe të drejtimit të vendit në të gjitha shkallët e hierarkisë. I pranishëm në të gjithë këtë diapazon politik dhe qeverisës të vendit, Koço Kota duket si një pasqyrë reale në të cilën janë reflektuar mirë të gjitha këto zhvillime, të cilat siç janë të njohura në historinë e vendit tonë kanë qenë të vështira, të ngadalta në zhvillimet e veta e në shumë raste konfliktuale. Në këto zhvillime, siç dhe zbulohet përmes njohjes së veprimtarisë së Koço Kotës, ka pasur një sërë faktorësh, të cilat lidheshin me traditën turke të politikës dhe drejtimit të vendit, me koniunkturën ballkanike, e ndihmuar dhe nga koniunktura ndërkombëtare, me mungesën e njohur të drejtimit të vendit me ligje të dala nga parlamenti i zgjedhur me votën popullore, me mungesën e theksuar të shkollës dhe të nivelit arsimor dhe një sërë faktorësh të tjerë, që zbulohen herë drejtpërsëdrejti dhe herë kontekstualisht, në këtë monografi. Lidhur me një çështje të tillë, mjafton të prekim tangjentalisht një lloj pasqyre që autori Harallamb Kota na jep në referencën mbi reformat që Koço Kota bëri gjatë të qënit të tij si kryeministër i vendit si: krijimi i Policisë e Sigurimit Botnor, hapja e shkollës së policisë, hartimi i programit 5-vjeçar i Ekonomisë Kombëtare, vendosja e monopolit të shtetit mbi pasurinë kombëtare, krijimi i ministrisë së Kulturës Popullore, ndërtimi i ministrive, ndërtimi i Bulevardit të Madh, përurimi i Sheshit “Skënderbej”, ndalimi i martesave të nëpunësve dhe ushtarakëve me gra të huaja, ndërtimi i stadiumit kombëtar, ligji i heqjes së mbulesës tek gratë, hapja e kurseve falas kundër analfabetizmit, zyrtarizmi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1937), ligji mbi ndryshimin e emërtesave me origjinë të huaj, orientimi dhe marrëveshjet me qeveritë perëndimore si SHBA, Itali dhe Angli etj.

Libri i Harallamb Kotës “Koço Kota për një Shqipëri Oksidentale” është interesant për lexuesin dhe historiografinë shqiptare, pasi ai ka nën interpretim dhe analizë të thukët zhvillime të rëndësishme të vendit që nga Pavarësia, lufta e vazhdueshme e fqinjëve në bashkëpunim me Fuqitë e Mëdha për ta zvogëluar sa të mundeshin Shqipërinë, Konferencën e Londrës, ndarjen e kufijve, luftërat për çlirim kombëtar, Konferencën e Parisit, Luftën e vitit 1920, si lufta e parë imperialiste e fashistëve italianë për pushtimin e Shqipërisë, zhvillime të tjera ballkanike dhe evropiane. Koço Kota ka qenë njëri nga politikanët, shtetarët, qeveritarët dhe intelektualët që i kanë përjetuar, janë përballur dhe kanë kontribuar në këto zhvillime në favor të Shqipërisë. Libri voluminoz, i ndërtuar mbi shumë detaje të kësaj natyre, e kanë çuar studiuesin Harallamb Kota në dokumente, ngjarje, dëshmi dhe burime të tjera preferenciale që i vijnë në ndihmë dhe shumë fakteve të tjera historike. Po ashtu, që nga Ismail Qemali, i quajtur “Babai i Kombit” e në shumë raste nga autori “profeti Ismail Qemali”, më pas Princ Vidi, ngjarjet luftarake dhe zhvillimet e brendshme politike në kohën tranzitore deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore, ngjarjet e Kongresit të Lushnjës (që me të drejtë është quajtur parlamentarizmi i parë shqiptar, ku Koço Kota është shpallur senator), pastaj zhvillimet e Revolucionit Demokratike të 1924, që krijuan një nga zhvillimet politike më interesante në vend, me Nolin, figura të tjera të njohura, me Ahmet Zogun, duke qenë Kryeparlamentar dhe Kryeministër, duke qenë ndër aktorët më të rëndësishëm të Kushtetutës së parë shqiptare, promovuar nga Mbretëria Shqiptare, Koço Kota nyjëton dhe reflekton në personalitetin, në jetën dhe veprimtarinë e tij, pjesën më të rëndësishme, më problematike dhe më emblematike shqiptare zhvillimet në historinë, të cilat kanë qenë vërtetë të vështira për t’u reflektuar në trilogjinë e autorit. Të gjitha këto kohë të brendshme shqiptare dhe të jashtme diplomatike ndërkombëtare, e bëjnë librin të peshuar mirë, të orientuar në fakte, argumenta, në lexime të gjerësishme dhe të thella, në një diapazon gjithëpërfshirës, ku kuptohet lidhja e ndërsjelltë e individit social-historik, Koço Kota, me vendin dhe të vendit me kontributin e tij. Është një marrëdhënie e ndërsjellë, ku asnjëra nuk bën pa tjetrën, të cilën autori e ka kuptuar mirë. Harallamb Kota në faqet e kësaj monografie na sjell ndërmend lëvizjen më madhore shqiptare, e cila përbën dhe themelin më të qëndrueshëm të historisë sonë kombëtare për atë që Shqipëria dhe kombi shqiptar vazhdoi rrugën e tij më pas, kryesisht Rilindjen Kombëtare, e cila u mishërua në një front të gjerë të zgjimit kombëtar dhe të ideologëve të saj të shquar, që përbënë njëkohësisht dhe thelbin e saj iluminist. I mbështetur si një model i mrekullueshëm, autori është përpjekur që në dritën e zhvillimeve të shekullit kur veproi njëri nga njerëzit e ditur Koço Kota, ta rindërtojë “metaforën” e veprës iluministe të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” dhe në kushtet e reja të zhvillimeve historike, politike dhe shoqërore të vendit. Kësisoj autori përveçse ruan një lidhje të fortë me vijimësinë e zhvillimeve politike dhe kulturore të Rilindjes në kushtet e reja, ajo I shërben atij për ta nxjerrë më në pah figurën e Kotës, e cila nyjëtohet në tri etapa të rëndësishme kohore mbështetur në zhvillimet e reja. Ka një të vërtetë që nuk mund ta mohojmë në këtë rast, sepse natyra rilindëse e zhvillimeve politike dhe historike të fillimviteve 1900 është gati e natyrës së viteve 1878 e në vijim, qoftë në natyrën kulturore, atë politike për çlirim, dije dhe pavarësi, po ashtu dhe zhvillimeve të brendshme edhe ato të jashtme. Epokat ndarëse të modelit të Sami Frashërit, Harallamb Kota i ndan sipas ngjarjeve historike, që nga lashtësia e në vijim. Kështu pjesa e parë “Shqipëria ç’ka qenë” elementin kohën mes viteve 1443 deri në vitin 1912. Është një periudhë e gjatë, disashekullore, e cila është shkruar ngjeshur dhe me referenca të njohura, por të interpretuara mirë nga autori. Pavarësisht natyrës njohëse që ka vepra, pasi natyra monografike e saj, e cila “qerthullohet” rreth një personazhi historik të njohur, siç është Koço Kota, autori është treguar racional dhe interesant në mbushjen e skeletit historik të librit me ngjarje dhe elementë të tjerë racional, interpretues dhe analitik. Harallamb Kota kërkon ngjarje dhe dukuri interesante në këto zhvillime, siç janë ato që lidhen me legjendën dhe mitologjinë, të dhëna, dëshmi dhe vlerësime origjinale për Skënderbeun (bien në sy 65 këshillat e tij para vdekjes), pashallëqet shqiptare, lëvizjet shqiptare për vetëqeverisje, lëvizja “Unite”, një lëvizje interesante e hershme, për të cilën është folur shumë pak, lëvizja për një “Kish shqiptare”, çështjet e ringjalljes së kombit, profeti Ismail Qemali, Fan Noli etj. Në këtë pjesë të rëndësishme të librit “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” hyn dhe pjesa e lindjes, shkollimit, përfshirja në aktivitetin politik dhe intelektual të Koço Kotës, takimi dhe njohja me Ismail Qemalin, ngjarjet historike në jugun dhe në veriun e vendit, të cilat përkojnë me aksionin politik më të rëndësishme të Shqipërisë, me luftën për çlirim kombëtar dhe për ruajtjen e territoreve tokësore të vendit. Pjesa e dytë e trilogjisë “Shqipëria ç’është?” shtrihet në hapësirën kohore 1912-1920, e cila me të drejtë është konsideruar periudha më e vështirë dhe me zhvillime të brendshme për fatet e shqiptarëve, të Shqipërisë, eksponentëve të politikës dhe lëvizjes për çlirim kombëtar. Harallamb Kota ka arritur të sjellë në vëmendje të lexuesit momente kyçe, njerëz të niveleve të ndryshme të dijes dhe të luftës, të mendimit dhe të diplomacisë, ku shkëlqen si diell Ismail Qemali. Koço Kota ka qenë përfaqësuesi i “Vatrës” krah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë, duke dëshmuar mbështetjen e madhe të kombit më të përparuar në botë, të kombit amerikan. Në këtë pjesë autori sjell në vëmendje ndjeshmëritë dhe përjetimin e këtij fakti të madh (atë të Shpalljes së Pavarësisë) në jugun e vendit, në qendrën e njohur kulturore të Beratit, Korçës, Voskopojës, duke qenë ndërkohë dhe nëpunësi i parë i qeverisë së Vlorës si nënsekretar i Ministrisë së Arsimit dhe këshilltar i Luigj Gurakuqit. Në këtë kapitull të konsiderueshëm dhe të ngjeshur me ngjarje dhe zhvillime interesantë në reflektimin e aktivitetit dhe veprimtarinë e Koço Kotës janë insinuatat e njohura që lidhen me personazhet historikë të kohës si Esat Toptani, Ahmet Zogu (1913), shënime të natyrës: “Noli mbështet qeverinë e Vlorës”, “Esat Pasha kundër Ismail Qemalit”, “Noli program për lëvizjen kombëtare”, “Ismail Qemali mbështet Vidin”, “Lufta e Parë Botërore” etj.

Dhe në historiografinë shqiptare dilemat dhe interpretimet e natyrës, për çështje të kësaj natyre kanë qenë të pranishme, për shkakun e lënies në hije të figurave të nivelit të Koço Kotës. Në këtë pjesë duket se Harallamb Kota i jep një këndvështrim të ri jo vetëm Nolit dhe Ahmet Zogut që në të ardhmen do të jenë figura të rëndësishme të politikës, por dhe për çështje të tjera të brendshme të zhvillimit shoqëror, siç janë çështje të asimilimit, koha e depërtimit francez në Korçë dhe në Shkodër, të cilat janë parë në një qasje ndoshta më afër realitetit për shkakun e një personazhi aktiv dhe aktualizues si Koço Kota. Në këtë pjesë, Harallamb Kota përpiqet të hedhë dritë mbi çështje të rëndësishme të zhvillimeve kombëtare si: “Takimi i Zogut me Pashiqin” (1918), “Misioni amerikan në jug të Shqipërisë”, “Memorandumi i Aleksandrisë”, drejtuar Konferencës së Paqes në Paris (1918), i përgatitur në Kajro, anëtarë i të cilit ishte dhe Koço Kota. Pjesa e tretë e trilogjisë së librit “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” zë një hapësirë të konsiderueshme, duke marrë në konsideratë dhe interpretuar një opinion interesant për Koço Kotën si ideator i civilizimit të politikës shqiptare, periudha kohore ku preket dhe shkëlqimi i Koço Kotës në majë të politikës dhe drejtimit të vendit që nga Kryeparlamentar e deri Kryeministër, pastaj rënia dhe eliminimi i tij, shtrihet në hapësirën analitike të veprës nga viti 1921 deri në vitin 1947. Në këtë pjesë vërtetohet se historia e shtetit shqiptar është dhe vepër meritore prej shtetari dhe njeriu të aftë dhe të ditur dhe e Koço Kotës.Në këtë periudhë zhvillimesh thelbësore, pavarësisht konflikteve dhe mjedisit në të cilin zhvilloheshin debate politike, lëvizjet dhe reformat, Shqipëria ka përfituar dhe ka vendosur gurë të rëndë në themelet e shtetit, që në një mënyrë apo tjetër ata i kanë rezistuar kohës deri në kohët moderne. Qeveritë e njëpasnjëshme, herë të rrëzuara dhe herë të dorëhequra, përplasjet mes Nolit dhe Ahmet Zogut kanë qenë sfida dhe horizonte gjithashtu të një zhvillimi të pazakontë në orientimin politik dhe ekonomik të vendit në kushtet e një prapambetje të madhe të Shqipërisë. Koço Kota ka qenë njëri nga njerëzit e përfshirë realisht në këto zhvillime, duke qenë ndër udhëheqësit më jetëgjatë politik në parlamentin e kohës, në detyrën e kryeministrit të kohës, në rolin e deputetit të kohës, i cili solli në vëmendjen e kohës, dhe shtroi për zgjidhje çështje thelbësore për vendin, që nga rendi, arsimi, shëndetësia, rrugët, zhvillimet e qytetit, financat dhe bujqësinë.

Detajet e natyrës“Situatë politike parazgjedhore”,“Grupimi i Koço Kotës tërhiqet nga kandidimi”,“Memorandumi i të krishterëve shqiptarë”,“Laicizmi dhe toleranca fetare”, “Zogu dhe Noli: mbrojtësit e Shqipërisë”, “Dr. Koço Kota, përkrahës i lëvizjet Unite”,“Dr. Koço Kota, deputet i Prefekturës së Korçës”,“Rritja e pushtetit të Ahmet Zogut”,“Koço Kota, përkrahës i Kishës Ortodokse Autoqefale”, “Ahmet Zogu Kryeministër”,“Ushtar i Mbrojtjes së Shtetit Ligjor”,“Koço Kota, Kryeministër i Parë Mbretëror” (1928-1930), “Platforma liberale e

Mbretit Zog I” dhe shumë zhvillime të tjera, të cilat gjejnë një pasqyrim të gjerë në këtë libër, sjellin një kontribut madhor për një figurë emblematike shqiptare në një hapësirë kohore gati 40-vjeçare në zhvillimet politike të Shqipërisë.

Libri monografik “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” për shkakun e natyrës gjithëpërfshirëse, pasi ai zë një kohë të zhvillimeve më delikate dhe më të larmishme të Shqipërisë, është një libër që duhet të studiohet dhe jo të lexohet, pasi brenda tij ka një informacion të dendur historik, politik, kulturologjik, social, i cili është referuar në këto zhvillime interesante dhe shumë të rëndësishme të vendit. Rrugëtimi i një personaliteti si Koço Kota është një rrugëtim prej udhëheqësi,njeriu reformator, i një njeriu të ditur dhe të pushtetshëm, i cili në një mënyrë apo tjetër ishte i lidhur me zhvillimet, me faktorin e jashtëm dhe të brendshëm, me autoritetet e besimit dhe të dijes, me zhvillimet shpirtërore njerëzore, me njerëzit e ditur dhe politikanët e shquar të kohës, kështu që trilogjia e Harallamb Kotës është një kontribut i rëndësishëm dhe një referencë po e rëndësishme për dijen historike shqiptare. Figurën e Koço Kotës nuk e bën emblematike vdekja e tij në mënyrën më tragjike të mundshme në burgun famëkeq të Burrelit, por veprimtaria e tij, aftësitë e tij të sprovuara si gurë themeli në funksionimin e shtetit shqiptar, në krijimin dhe vënien në punë të ligjeve shqiptare, në investimin intelektual dhe mendor në arsim, financa, politikë dhe sektorët jetikë të një vendi, në bashkëpunimin e rëndësishëm prej shtetari të vërtetë me të gjithë udhëheqësit e kohës, pavarësisht diferencave ideologjike dhe fetare, standardit për drejtësi dhe drejtim të vendit, çfarë e bëjnë Koço Kotën një figurë që shkëlqen sa herë i duhet të kthehemi historisë sonë.

Libri i Harallamb Kotës “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” është një lloj thirrjeje qytetare, një ridimensionim i leximit real të historisë shqiptare, një lloj rimësimi për politikën dhe qeverisjen e vendit dhe në kohët moderne.

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Zholi, Bardhosh Gace, Harallamb Kota, Koço Kota - Për një Shqipëri oksidentale

Nëpër gjurmët e trashëgimisë patriotike

August 31, 2016 by dgreca

NGA IBRAHIM VASIARI/*

Monografia ‘’Arshi Selfo Dalani – një vatër kombëtare në Kaninë’’, përveç kureshtjes së zakonshme, të tërheq vëmendjen edhe për faktin se objekti i trajtesës jo rastësisht ka hyrë në fokusin hulumtues të Prof dr Bardhosh Gaçes, autor me përvojë për studime në këtë fushë.

Duke qëmtuar nëpër kohëra episode ngjarjesh, figura dhe kontribute patriotike, në dukje anësore e me pak ‘’peshë’’, historia e kombit bëhet më e plotë, më e gjallë dhe e larmishme. Veçanërisht në zhanrin e monografisë, autorit i jepet mundësia të hyjë më thellë në mikrohapësira periudhash duke evidentuar atë lidhje të brendshme të ngjarjeve dhe kontributeve madhore me një shtresë më të gjerë miningjarjesh e faktorësh veprues më pak të dukshëm, por që në fiziologjinë e mbijetesës etno-kulturore të kombit kanë dhënë gjithnjë lëngun jetësor ushqyes. Pa të tilla studime të larmishme, hartës së madhe historike do t’i mungonte ‘’topografia rurale’’, do të mbeteshin në hije imtësitë e episodeve, karakteret, kundërshtitë dhe dilemat, do të ishin të cungëta detajet e kuvendeve dhe pak të njohura shqetësimet e rretheve më të ngushta miqësore e familjare, ato vatra të prushta që u dhanë flakë lëvizjeve madhore të kombit për liri e progres.

Prof Bardhosh Gaçe është një personalitet shumëplanësh, kontributi i të cilit shtrihet në shumë fusha të dijes dhe kulturës, të studimeve historike, pedagogjike, etnografike, folklorike, estetike si dhe në krijimtari të mirëfilltë letrare, i njohur nga opinioni shkencor e më gjerë për vepra dinjitoze.

I mirëpritur në mbarë trevat shqiptare jo vetëm si autor, por edhe si veprimtar e misionar i trashëgimisë kulturore kombëtare, ai ka vite që është nisur me një çantë librash në krah, ‘’udhëton’’ pa u lodhur në hapësirë dhe kohë, shtegton nëpër troje dhe epoka. Hera-herës qëndron e çlodhet pranë ndonjë burimi, i mrekulluar nga bukuria e viseve dhe bujaria e njerëzve që takon, shpalos me kujdes një ‘’hartë udhërrëfyese’’ paksa të çuditshme dhe nis sërish ‘’udhëtimin’’ për diku më tej, diku më larg e më thellë… hyn qetë-qetë me hap të përkorë në botën e magjishme të përrallave, në misteret e riteve e gojëdhënave, duke thithur e mjaltëzuar nektarin e pyjeve të fjetur, gjurmon çerdhe bilbilash të polifonisë labe, ndien nëpër fëshfërima gjethesh valëzimin e fustanellës arbërore. Dhe gjithçka e mbedh me një dashuri të veçantë, me përpikmëri e seriozitet shkencor, duke u përcjellë brezave ‘’sekretin’’ e mbijetesës dhe ngrohtësinë e vatrës stërghyshore.

Si gjithnjë i suksesshëm, i nderuar me tituj e çmime, prof Gaçe vijon pa ndërprerë punën e tij kërkimore me një klas të lartë profesionalizmi: i thellë në mendime, i mprehtë në gjykim e i ftohtë në analizë, skrupuloz ndaj vërtetësisë arkivore, përzgjedhës inteligjent i tematikave të veçanta, më pak të rrahura, por që meritojnë të dalin në dritë për vlerat që mbartin.

Në studimet dhe monografitë e tij gjejmë një varg figurash të respektuara kryesisht të trevës së Vlorës e Labërisë, si: Osman Haxhiu, Ibrahim Shyti, Ibrahim Abdullai, Beqir Velo Kanina, Spiro Koleka, xha Selimi i Brate etj. I zhytur deri në thellësi të turbullta kohësh ku, si në guaska koralesh, flenë perla vlerash historiko-kulturore, prof Gaçe, falë këmbënguljes dhe pasionit kërkimor shkencor, ka arritur t’i nxjerrë ato në dritë duke e bërë çdo ditë e më të plotë diademën rrëzëllitëse të thesarit tonë kombëtar.

Objekti i studimit të tij këtë herë është një tjetër figurë e respektuar e parisë tradicionale kaninjote: Arshi Selfo Dalani dhe vatra e ndezur e Dalanajve, e këtij fisi rrënjëthellë, të njohur në histori e të përjetësuar në këngë që, ashtu siç del qartë nga dokumente autentike arkivore, nga kujtime e dëshmi luftëtarësh bashkëkohës mbetet një buronjë ujëkthjellët patriotizmi me rrjedhë të pandërprerë nga brezi në brez, plot mund, gjak e sakrifica në shërbim të çështjes shqiptare.

Dalanajt janë njëri mes fiseve të dëgjuara kaninjote, aspak i rrallë e i veçantë as i shkëputur nga të tjerët, përkundrazi, pjesë e asaj elite të pranuar tradicionalisht për bëma dhe vlera morale e patriotike të provuara në vijimësi, e përfshirë organikisht në jetën dhe përpjekjet e komunitetit për liri e dinjitet. Dhe historikisht Kanina shquhet për elita të tilla. Ata që janë marrë me studime shqiptare, vendas ose të huaj, duke gërmuar dokumente jo vetëm në arkivat tona të varfra, por kryesisht në to të Romës, Bizantit, Stambollit, Vjenës e gjetkë, nuk e fshehin respektin që të imponon Kanina, ky kryefshat impresionues me emër ‘’të rëndë’’, me histori dhe rol të veçantë në hapësirën shqiptare.

Në këtë kuadër të përgjithshëm dhe brenda kohështrirjes së vet, merr dimensionin real personaliteti i spikatur i Arshi Selfo Dalanit, objekt i kësaj monografie të prof Gaçes.

Duke e hedhur vështrimin disa breza më parë në zbulim të rrënjëve të tij patriotike, autori shkon deri tek Seit Dalan Kanina, lindur rreth vitit 1776, i cili përmendet për ‘’marrëdhënie të ngushta me Ismail bej Vlorën, gjyshin e Ismail Qemalit, pranë të cilit kishte shërbyer disa vite në Bursë të Turqisë. Por edhe me Brahim Pashë Begollin nga Kosova, i cili ishte vënë në shërbim të mbretit të Egjiptit’’. Në vazhdim autori përmend se ‘’në vjeshtën e vitit 1821, në ndihmë të suliotëve në betejat kundër hordhive otomane shkuan edhe 2000 lebër, të komanduar nga Tahir Abazi e Ago Vasjari, ku midis krerëve ishin edhe Dudë Sinani (Gumenicë), Seit Dalani (Kaninë), Selim Zeneli (Shkozë) dhe Spiro Leka (Dhërmi)… në këto luftime të përgjakshme u plagosën Dudë Sinani, Seit Kanina, Selam Hasan Velça, Hamza Delvina, Kiço Qeparoi si dhe u vranë 42 luftëtarë’’. Po kështu, Seit Dalani: ‘’në vitin 1828 ishte ndër ndërlidhësit kryesorë të Ismail Pashë Vlorës me parësinë e krahinave të Skraparit, Myzeqesë, Përmetit, Tepelenës, Vlorës, Delvinës dhe Himarës për realizimin e një varg kërkesash kundër Mehmet Reshid Pashës si sanxhakbej i Janinës, për t’u rikthyer përsëri krerët vendas në administratën e kësaj treve’’

Dhe tradita patriotike kalon nga brezi në brez, nga babai tek i biri: ‘’Në luftërat e shqiptarëve për të shkëputur vargonjtë e robërisë otomane në shek XIX del në skenë i biri i Seit Dalanit, Dalan Seiti, i cili mori pjesë në disa takime e kuvende me kapedanët e tjerë të Jugut për organizimin e qëndresës antiturke’’.

Dalan Seiti shquhet për trimëri në kryengritjet e viteve 1833-1834 si dhe në vitin 1846 kundër reformave të Tanzimatit, në luftimet e përgjakshme për marrjen e kalasë së Beratit. Për të flasin mjaft dokumente arkivore, po edhe më bukur vargjet e disa këngëve popullore të kohës së tij. Disa vite më vonë, ‘’gjatë kohës që punoi në administratën e Janinës, Dalan Seiti pati një miqësi të ngushtë edhe me rilindësin e madh Abdyl Frashëri, i cili aso kohe punonte edhe ai në administratën e atij vilajetti dhe më pas u zgjodh deputet i Janinës në parlamentin otoman’’.

Traditën patriotike të fisit e vazhdoi i biri i Dalan Seitit, Selfo Dalani dhe më tej djali i Selfos, objekti i kësaj monografie, Arshi Selfo Dalani. Të duket sikur ke të bësh me një sagë, me historinë e një zinxhiri të pandërprerë brezash.

Për jetën dhe aktivitetin e ngjeshur patriotik të Arshi Selfo Dalanit flasin shumë faqe të këtij libri. Ai jetoi dhe punoi në periudhën e përpjekjeve heroike për shpalljen dhe mbrojtjen me gjak të shtetit të parë shqiptar pas një robërie të gjatë otomane. E nisi qysh  herët në rini, qysh nga kontaktet e para me idetë e Rilindjes deri tek përhapja në ilegalitet e librave shqip dhe propagandimi i çështjes kombëtare; e vazhdoi më tej me klubet patriotike, me përkrahjen e çetave të para të lirisë e deri tek mbështetja e plotë e aktit madhor të shpalljes së Pavarësisë.

Hapat e parë të shtetit të ri ishin të vështirë, kohët të turbullta dhe armiqtë kombëtarë të shumtë. Po këto më mirë se kushdo i trajton në mënyrë shkencore autori i librit. Këto kohë dhe situata kritike që kaloi atdheu, ashtu si të gjithë, e ndoqën Arshi Selfon deri në pleqëri. Gjithsesi, ai dhe djemtë e tij qëndruan gjithnjë pranë atdheut, gjithnjë në krahun progresist. I përkiste atij brezi të papërsëritshëm idealistësh rilindas që mbi gjithçka vinin atdheun, ishin bashkëkohës, miq besnikë e idhtarë të palëkundur të Ismail bej Vlorës. Fati e deshte që djali i tij i vogël, Dadan Dalani, dëshmor i Brigadës V S të ishte kurbani i fundit që i dha atdheut, para se të mbyllej në një pleqëri të rëndë e me halle të reja.

Duke hedhur dritë mbi figurën e Arshi Selfo Dalanit qysh prej rrënjëve të thella e deri tek filizat e rinj gjelbërues, prof Gaçe rigjen e vendos në vendin e duhur edhe një pemë tjetër në kopshtin e bukur të patriotizmit vlonjat.E përgëzoj autorin për këtë monografi të arrirë në të gjitha pikëpamjet dhe i uroj suksese të mëtejshme në punime të tilla dinjitoze.

 

*Shënime për librin e Prof B. Gaçes ‘’Arshi Selfo Dajlani – një vatër kombëtare në Kaninë’’ 

Filed Under: Histori Tagged With: Bardhosh Gace, Ibrahim Vasiari, Monografi

Përkujtimore-NJË VIT NGA NDARJA ME ELHAM SHARRËN

February 26, 2015 by dgreca

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe/
Dr. Bujar Leskaj/
Enver Memishaj/
Elhami Sharra, ishte një atdhetar i mirë, një trashgimtar i denj i familjes nga vinte, një nëpunës i përkushtuar, një njohës i mirë i shkencës, dhe ashtu si të parët e tij, nuk u kursye asnjëherë, për t`i shërbyer vendit, edhe në kushte shumë të vështira siç ishte viti 1992, kur sapo ishte rrëzuar diktatura komunite, apo viti 1997, kur komunistët rrëmbyen armët për të rimarrë me grykën e pushkës pushtetin që ua kishin marrë ”armiqtë e popullit”! . Ai nuk u tërhoq asnjëherë nga vështirësitë e jetës, por me guxim, me zgjuarsi por edhe me trimëri diti t`i kapërxente ato duke dhënë shembullin e një qytetari dhe intelektuali me vizion europian.
***
I sëmurë nga zemra në kërkim të një një mjekimi sa më të mirë ai shkoi në SHBA, por zemra e tij nuk mundi ti rezistojë vuajtjeve dhe persekutimit komunist, ajo pushoi së rrahuri në shkurt të vitit 2014, atje në Shtetet e Bekuara të Amerikës, të cilat Elhami i kishte ëndërruar gjithë jetën.
Vdekja e tij u përcuall nga shtypi i kohës. Gazeta ” 55 ”, shkruante: ”Shkoi në amëshim Elham Sharra, shërbestari i përjetshëm i Shqipërisë”
* * *
Trupi pa jetë i Elham Sharës mbriti në Shqipëri nga Amerika, më datën 27 shkurt 2014. Bashkia e Vlorës më datën 28 shkurt, organizoi homazhe në teatrin “Petro Marko” dhe u përfaqësua nga dy nënkryetarët e saj: Arben Beqiri e Ilir Banushi, të Partisë Socialiste. Bënë homazhe gjithashtu përfaqësues të institucioneve shtetërore: Kontrolli Lartë i Shtetit, përfaqësuar nga kryetari Dr. Bujar Leskaj, personalitete të shquara të Vlorës dhe të vendit tonë si Prof. Dr. Sali Berisha, struktura të Partisë Demokratike, qytetarë, miq e shokë të shumtë, etj.
* * *
Të parët e familje Sharra, së cilës i përket edhe Elhami, i kanë sjellë vendit e veçanërisht
Vlorës, shërbime të shquara:
Hasan Sharra ishte një nga luftëtarët e pare për Pavarësinë Kombëtare dhe mbështetës i
Ismail Qemalit. Gjithë ata që kanë marrë pjesë në Kuvëndin Historik të Vlorës më 28 nëntor
1912, tregojnë se: Hasan Sharra mbajti për tre muaj delegatët në shtëpinë e vet. Shpenzoi pa
kursim; më se 100 vetë hanin e pinin në shtëpinë e tij, u varfërua por me gjith qejf për Shqipërinë. Këta janë njerëzit e mëdhej me të vërtetë. Punojnë shkrinë pasurinë për çështjen kombëtare, por nuk flasin e as nuk kërkojnë shpërblim.
Ismail Qemali, një kohë ndenji në shtëpi të Hasan Sharrës, më pas në shtëpin e Xhemil bej Vlorës dhe më së fundi, caktoi si banesë ndërtesën e karantinës që ndodhet në Skelë, sot Muzeu i Pavarësisë Kombëtare.
Ceno Sharra, ishte oficer dhe ra dëshmor në Durrës, më 25 maj 1914, duke mbrojtur shtetin shqiptar.
Që nga 1912 deri në vitin 1915, për shumë kohë pallati Sharra në qendër të Vlorës, ishte selia e shumë zyrave të Qeverisë së asaj kohe.
* * *
Elham Sharra, si kanidat i Partisë Demokratike, u zgjodh kryetar bashkie në balotazhin e zgjedhjeve të 26 korrikut 1992. E filloi detyrën më 20 gusht 1992, dhe e ushtroi këtë detyrë deri më 14 nëntor 1996. Zgjedhjet i fitoi përballë ekonomistit të njohur Arben Malaj, në atë kohë drejtor i Bankës së Shtetit, në Vlorë.
Elham Sharra ka lindur në Vlorë në vitin 1942, ku kreu edhe arsimin para universitar.
Në vitin 1966, u diplomua në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Në vitin 1993, u trajnua nga USAID dhe Universiteti i Nebraskes, Sh .B .A., për Ekonomi Tregu dhe Menaxhim Biznesi.
Në vitin 1995, u trajnua në Instituti i Administrimit Publik, Finlandë: Administrim Publik dhe Menaxhim i Pushtetit Vendor. Në vitin 1999, u diplomua në Universitetin e Shkodrës në Fakultetin e Drejtësisë.
Në vitin 2001, fitoi diplomë për avokat nga Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Tiranë.
Në vitin 2002, në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Natyrore ka fituar gradën: Doktor i Shkencave.
Pas diplomimit, në vitin 1966 deri në vitin 1990, ka punuar si inxhinjer prodhimi dhe teknollog në Ndërmarjen e Kripës dhe në Uzinën e Sodës në Vlorë.
Në vitin 1991 u emërua kryeinxhinier në Ndërmarrjen e Kripës Vlorë. Në vitin 1992 u zgjodh Zv/kryetar i Këshillit Pluralist të Rrethit Vlorë, si dhe kryetar i bashkisë së Vlorës.
Në intervistën e dhënë pas marrjes së detyrës ka deklaruar se: “Si kanidat i Partisë Demokratike… para elektoratit kam premtuar një platformë brenda programit të asaj partie… Në radhë të parë ngritëm administratën duke zgjedhur të rinj të guximshëm dhe ekspertë nga mosha 23 deri në 50 vjeç, ku harmonizohen profesionalizmi i lartë me ndershmërinë
qytetare, dy cilësi nga të cilat ka vuajtur administrata e mëparshme. Si kryetar Bashkie kam synuar të jem i xhveshur nga fanatizmi partiak, duke pëlqyer të jem i pari mes të barabartëve.
Në Këshillin e Bashkisë është arritur që shumë vendime të merren me mirëkuptim, duke i bashkuar forcat politike për të mirën e qytetit… Bashkia e kupton se privatizimi është rruga e shpejtë e përparimit ekonomik, prandaj po nxit hallkat e sajë për realizimin e këtij qëllimi… Kemi kërkuar bashkëpunim me personalitete të huaja nëpërmjet korespodencës në Zvicër, Manopoli, Itali, Tel-Aviv, etj.”.
Gjatë viteve 1995 – 1996, që Elham Sharra, ushtronte detyrën e lartë të kryetarit të Bashkisë, është zgjedhur edhe nënkryetar i Shoqatës Kombëtare të Kryetarëve të Bashkive të Shqipërisë.
Në vitin 1997, ai u emërua prefekt i Shkodrës, Malesisë së Madhe dhe Pukës.
Gjatë viteve 1999 – 2000, ka qënë Këshilltar i Kryetarit të Këshillit të Rrethit Tiranë.
Gjatë viteve 2001 – 2005, ka dalë në aktivitet privat.
Në vitin 2006 u emërua Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri – Tiranë, nga ku doli edhe në pension.
* * *
Gjate Luftës së Dytë Botërore, 1939 – 1944, familja Sharra, mbajti krahun nacionalist dhe ishte kundër ideve komuniste, për këtë arsye Azis Sharra u vra pabesisht me atentat nga komunistët vlonjatë.
Pushteti komunist, jo vetëm që i mohoi kontributet patriotike të kësaj familje, por ushtroi mbi të një persekutim të egër. Pas shpronësimeve tërësisht që iu bë kësaj familje, filluan për të burgjet dhe internimet. Shumë anëtarë të këtij fisi u pushkatuan, u burgosën dhe u internuan deri në vitin 1990.
Elham Sharra do të kujtohet gjithnjë me nderim nga qyetarët vlonjatë si dhe nga të gjithë shtetasit shqiptar ku shërbeu me përkushtim dhe ndërgjegje të lartë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bardhosh Gace, Elham Sharra, Enver Memishaj, nga-Bujar leskaj, Përkujtimore

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT