
New York, 15 Dhjetor 2022 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA përshëndet dhe mbështet aplikimin e shtetit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ky është një akt historik për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.
E ardhmja e shtetit të Kosovës është pa dyshim familja e madhe europiane, BE dhe Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO. Kosova përfaqëson më së miri vlerat dhe aspiratat evropiane.
Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm vitet e fundit në konsolidimin e institucioneve, forcimin e demokracisë, respektimin e shtetit ligjor, luftën ndaj korrupsionit, respektimin e lirive e të drejtave themelore të njeriut, transformimin rrënjësor të shtetit në standarde për ta sjellë sa më afër Bashkimit Evropian.
Pranimi sa më parë i Kosovës në BE dhe NATO rrit sigurinë, paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe bashkëpunimin në Ballkan e më gjërë.
VATRA dhe shqiptaro-amerikanët do të bëjnë gjithçka për të ndihmuar shtetin e Kosovës në në rrugën e saj drejt BE-së dhe integrimit europian.
Për Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA
Kryetari
Elmi Berisha