• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zbulimi i një enigme

March 4, 2014 by dgreca

Nga Bedri BLLOSHMI/

Ndëshkimi që mori Ali Bardhi mesa duket fati nuk ishte i kënaqur. Fatin nuk ka fuqi askush për ta ndryshuar ashtu siç ndodhi dhe më pas. Për ta ditur të vërtetën apo për ta zbuluar, një ditë u nisa për në morgun e Elbasanit. Kërkova dhe e gjeta personin që mbante çelësat e cadavrave. Ja shpjegova problemin, ai ma preu shkurt “Këtu nuk ka asnjë lloj shënimi në këto vite që kërkoni juve, rregjistrat që janë këtu janë që nga 2005 e këtej. Megjithatë shko tek kjo godina këtu përballë se ke drejtoreshën”. U takuam, biseduam, por nuk mësova asgjë mbi fatin ogurzi të Aliut.

Shpesh pyes veten: Çfarë donte Ali Bardhi në fshatin Kokrevë të Librazhdit? Me kë shkoi Aliu atje? Nëse ishte nisur për tu arratisur pse duhej të varej? Po “shokët” si përfunduan? Thonë se kanë qenë 3 vetë dhe njëri ndodhet në Australi, unë po i bëj thirrje nëse është e vërtetë, ai person duhet t’i thërrasë ndërgjegjies, ta thotë çfarë dhe si ka ndodhur me Ali Bardhin. Me kërkimet që kam bërë nëpër arkiva vetëm një shënim të thatë kam gjetur, ky shënim mbyllet me fjalët “hetimet vazhdojnë”. Do ju bëj thirrje atyre hetuesve apo prokurorëve  që janë marrë me këtë ngjarje të shpjegohen sepse nuk është përgjegjësia e tyre dhe ata e dinë mirë këtë gjë. Ndokush mund të thotë: Po ky Bedriu ç’ka me këtë ngjarje? Pse këmbëngul që kërkon ta zbardhë? Po përgjigjen po jua jap para kohe edhe pa bërë pyetje askush.

Unë Ali Bardhin e kam pasur shumë shok, kemi qenë gati 5 vjet në një brigadë skllevërish dhe punonim në zonën më vdekjeprurëse se zonat e tjera, zona e dytë. Ishte një djalë shumë i mirë, besnik më shumë seç duhej,  i sinqertë, gjithmonë i qeshur dhe shumë shakaxhi. Prandaj dua të di gjithçka, kemi detyrim moral për djem të tillë. Ka shumë gjasa që të jetë një nga ato lojrat e famshme të sigurimit. Por nga ana tjetër dhe po të qe kështu shokët e Aliut që e provokuan , e dërguan deri në një fshat të thellë të Librazhdit, mbasi kanë bërë lojën e sigurimit, duhet të ishin në burg. Nëpër burgje merrej vesh çdo gjë që ndodhte jashtë apo çdo lojë që bënte sigurimi famëkeq. Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Më mirë se kushdo tjetër vetëm Aliu dhe sigurimi e dinë se çfarë ka ndodhur, asnjëra palë nuk flet, duan ta ruajnë këtë të vërtetë të pazbuluar. Megjithatë unë nuk do ndalem me kërkimet për ta thënë se çfarë ka ndodhur me djaloshin Ali Bardhi. Veç arkivave të përgjakur të sigurimit do vazhdoj të kërkoj në prokurori dosjen e Aliut 22 korrik 1983 ditën që u zbulua nga bariu në përroin aty pranë një lisi shekullor. Do ju bëj thirrje dhe banuesve të fshatit që patjetër duhet ta mbajnë mend këtë tragjedi, me patjetër u është ngulur në kujtesë dhe s’kanë pse mos të flasin tani, frika është futur në folenë e vet. Flisni dhe tregoni kush e di dhe kujton këtë ngjarje.

 

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: Ali bardhi, Bedri Blloshmi, zbilimi i enigmes

KUSH E VARI ALI BARDHIN NË FSHATIN KOKREVË TË LIBRAZHDIT?

February 26, 2014 by dgreca

Nga Bedri BLLOSHMI/

 Në fundin e vitit 1977 mbasi na dënuan, më plasën në burgun e Tiranës, i cili thirrej  “Kaush”. Brenda javës na lidhën dhe një herë me hekura e zinxhirë e mbas disa orë udhëtimi, duke u përplasur sa majtas – djathtas me të dënuarit që ishin lidhur, po ashtu përplaseshim dhe mbas spontit të autoburgut herë pas here. Kjo tregonte se rruga ishte plot gropa dhe me shumë kthesa, më në fund u dëgjua kërcitja e disa hekurave që fërshëllenin kur hapeshin e mbylleshin.

Autoburgu u ndal,  menjëherë u hap edhe dera e autoburgut, na zgjidhën dhe dikush hungëriti : “Hajde, hidhuni poshtë, zbrisni, pse hapni sytë, ja këtu do të kalbeni”. U përziem me të burgosurit e tjerë, duke na pyetur nga jeni, sa jeni dënuar, duke përfunduar me fjalët shpresëdhënëse se shpejt do të liroheni, se këta tani kanë filluar të hanë njëri- tjetrin, ky është fundi i këtyre. Në dhomën ku na caktuan, i pari që ma dha dorën ishte një djalë i ri, me trup muskuloz, jo aq i gjatë, i mbushur në fytyrë dhe i qeshur, menjëherë të jepte përshtypjen se ishte i sinqertë. Mbasi më pyeti aq sa deshi dhe unë ju përgjigja me shumë përtesë se isha shumë i lodhur nga izolimi i gjatë dhe e dija dhe përfundimin e Gencit dhe Vilsonit, e dija që i kishin vrarë dhe data shënonte 17 korrik 1977. Kisha mësuar se ditën e internimit kishin arrestuar përsëri xhaxha Hasanin, i cili i kishte bërë 15 vjet burg. Pas dy- tre ditësh na nxorrën në punë në zonën e dytë. Po në këtë zonë punonte dhe djaloshi që përshkrova më sipër. Rastisi që edhe frontet e punës i kishim shumë afër dhe pashë që ky djalosh punonte shumë. i qeshur, i respektueshëm dhe gjëja që më ra në sy ishte se ky djalë i fuqishëm kur binte vagoni nga shinat, i vinte shpinën i vetëm dhe e vendoste në shina. Gjeta rastin që po pushonim dhe e pyes:

– Sa jeni dënuar?

-5 vjet, – ma ktheu duke qeshur.

-Po pse ?- e pyeta unë përsëri.

-Ja ashtu kot, bëra një shaka kur isha ushtar dhe më kushtoi 5 vjet burg.

-Ku ishe ushtar, – i them, -në kufi, bëre shaka dhe të denoncuan se deshe të arratiseshe?

-Po jo mor burrë. Kam qënë në gardë dhe me shaka i vura kapelen me yllin e kuq një qeni në kokë, i varëm një teneqe qenit prapa, ai nga zhurma vraponte, e panë të tjerët, më arrestuan dhe pas disa muajsh më dënuan.

-Hajt mos u mërzit, – i them, – se 5 vjet kalojnë shpejt, ke pesë herë më pak se unë. Po s’të pyeta, nga je?

-Nga fshati Kazias i Peqinit, – ma ktheu.

-Si quheni, vazhdova ta pyes.

-Ali Bardhi, –  vazhdoi.

Ali Bardhi duke qënë shumë shakaxhi,  na mbante gjallë në dhomë kur vinim nga puna sfilitëse. 5 vjet burg kaluan shpejt dhe Aliun e liruan. Mbas ca kohësh vjen në burg një nga anët tona dhe në bisedë e sipër më thotë : “ Bedri, ju po e kujtoni shpesh këtë emër, unë nuk e di me siguri, po një Ali Bardhi nga Peqini që ka qënë i dënuar është gjetur i varur në përruan e Bushtricës. Kështu kemi dëgjuar, ishim tre shokë, ishim nisur të arratiseshim, kështu flitej, por nuk e di a është ky që thoni ju, apo tjetër, ca thoshin se e ka varur sigurimi”.

Kur na lëshuan nga burgu më 29 mars 1991 përveç halleve dhe problemeve të mija, u interesova dhe për Ali Bardhin. Ishin të vërteta çfarë kisha dëgjuar për “ Cupilin”, kështu e thërrisnin në burg. Duke vazhduar kërkimet për të mësuar të vërtetën mbi Aliun, një ditë u nisa në fshatin Kazias, por familja e tij ishte larguar dhe banonte në Elbasan. Prindërit i kishin vdekur, vetëm vëllai i tij ishte gjallë.  E takova, e pyes dhe ai fillon të më tregojë:

-Jetonim bashkë, filloi punë në Metalurgji, u martua, shtëpi nuk i jepnin. Unë edhe pse shumë ngushtë i pata lëshuar një dhomë. Ishte i mërzitur, rrinte vetëm, fliste pak, filloi dhe cigaren. Një ditë do shkonim në dasëm në Dibër, nxorrëm leje në D.P.B .Bashkë me Aliun u nisëm për në dasëm. Aliu më tha : Ikni përpara , se unë kam pak punë, do vij më  vonë. Në dasëm nuk erdhi, ne u mërzitëm. Të nesërmen më thirrën në Librazhd në Degën e Punëve të Brendshme, më pyetën: e njeh këtë kufomë armiku? Po i them është vëllai im Aliu. Të nesërmen e sollën në morgun e Elbasanit, më pas e morën e varrosën. Bashkëshortja ka ikur në Itali bashkë me vajzën.

-A mund të shkojmë tek varri ta shohim, apo nuk e dini? Po po e di se kater- pesë vetë ishim në varrim,të tjerët nuk i linte sigurimi se kishin frikë.

Varrezat e Elbasanit janë pranë lumit Shkumbin, ku qindra e mijëra shpirtra flenë,  në një cep te harruar duket si shenjë varri. Afrohemi me ngadalë e të përlotur i vëllai i Aliut më tregon me dorë, ja këtu.  U përkula duke shkulur barishtet, dora më hasi në një gjë të fortë, e pastrova me kujdes pluhurin dhe lexova me zërin që s’më dilte e duke u dridhur Ali Bardhi 1983. U larguam të mallëngjyer me shikim nga mbrapa duke e lënë Aliun të vazhdojë të pushojë nën hijen e qiparisave e këngën e kumrisë të përzier me gurgullimën e ujit të Shkumbinit, që vazhdon përjetësisht të rrjedhë me nxitim për të shkuar larg shumë larg. E megjithatë dhimbja apo keqardhja kurrë nuk e ndryshon fatin…VIJON

 

Filed Under: Histori Tagged With: Ali Bardhin, Bedri Blloshmi, kush e vrau

BLLOSHMI: Z. KRYEMINISTER, MOS LUANI ME DHIMBJEN TONE TE PERGJAKUR!

December 1, 2013 by dgreca

*Dënoje atë përbindësh dhe do të mbetesh në histori në jetë të jetëve…/

*Deklaratë e Drejtorit të Përgjithshëm te Institutit te Perndjekureve Politik/

Zoti.Kryeminstër!/

Të tronditur pa masë kur mësuam se ishte vendosur në protokollin e ditës së shtunë emri i diktatorit, aq më keq shoqëruar me fotografi.
Unë ju drejtohem Ju,  personalisht si Kryeministër: Mos luani me ndnjenjat dhe dhimbjen tonë të përgjakur dhe kurrë të shërueshme.
Disa herë kemi kërkuar, si në media televizive po ashtu dhe të shkruar që të dënohet ai përbindësh që krijoj lumenj gjaku me Shqipëtarët ,po ashtu ti hiqen dhe dekoratat. Partia Debatikase, për 8 vjet rrjesht jo që se përmëndi fare këtë mostër, por na u kundërvu ne, duke forcuar luftën e klasave, duke na detyruar e lënë në mjerim deri në vetëflijim.
Ju në program të partisë suaj, në draftin që keni hatuar për të burgosurit politik keni shkuar se do të dënoni figurën e dikatatorit. Ju duhet ta kërkoni me forcë dhe ta zbatoni Rezoluten e KE për dënimin e krimeve të fatkeqit komunizëm. Parlamenti i shkuar e ratifikoj si Rezolutë dhe e fshehu në sirtarët e krimit për të mos e gjetur kurrë më.

Në emër të atdhetarëve shqiptarë, në emër të të rënëve për Shqipërine e copëtuar, e gjakosur nga komunizmi, në emër të nënave shamizeza, në emër të çupave që se përdorën djepin kurrë, në emër të lotëve të derdhura vazhdimisht, në emër të të zhdukurve, të varreve të hapura, në emër të dhumbjes së përjetshme, të plagëve të pashërueshme bëj atë që duhet bërë.

Dënoje atë përbindësh dhe do të mbetesh në histori në jetë të jetëve, duke qënë i bundur se do prishesh përfundimisht me paraardhësin tënd Sali Berisha.

Ju faleminderit

Drejtori i Përgjithshëm

Bedri BLLOSHMI

 

Filed Under: Featured Tagged With: Bedri Blloshmi, deklarate, denojeni ate perbindesh

Këmbëngulja për ta thënë të vërtetën

September 11, 2013 by dgreca

Shënime për librin “Fabrikimi i Vdekjes” i Bedri Blloshmi/

Ne Foto: Bga e djathta, Dine Dine, Bedri Blloshmi dhe Lirim Bicaku/

Nga DINE DINE/

Së pari me autorin e librit “Fabrikimi i Vdekjes” u njohëm në Burgun e Spaçit, ku si ndërmjetës qe Muharrem Xhydollari. “Bedri Blloshmi” ma prezantoi shoku… po ngaqë kisha dëgjuar aq shumë për dramën e familjeve Blloshmi dhe Leka, pata një tronditje të madhe, dhe aty për aty, në kushtet e burgut s’pata guxim as t’i thoja dy fjalë ngushëlluese për vrasjet e Poetëve… Po burgu si burgu: ruajtëm njohjen, përshëndetjet, respektin, miqtë e përbashkët, dhe kur pas shumë vitesh, u takuam në Tiranë qe vërtet një kënaqsi e madhe, sepse të lirë s’e kishim njohur kurrë njëri tjetrin dhe as nji kafe të lirë s’e kishim pirë… Aty Bedriu më foli me pasion për punën e tij këmbëngulëse që kish bërë, bile më dha ca kopje dosjesh që i rastisën me vete. Përsëri në qëndrimin tim ai pikasi një si ndjenjë dyshimi. Athere më futi krahun dhe më tha: Hajde në shtëpi, do t’i tregoj të gjitha: “Kohës për fshehtësi i ka ardhë fundi!” – ma tha me njëfarë sigurie, sikur desh t’ma davariste at mjegull që vërejti në sytë e mi… Këto ditë duke lexuar librin, gjithë kohën meditoja për rrugët, mënyrat, përpjekjet dhe sakrificat që i janë dashur të përshkoje këtij njeriu për të gjetur çelësin e hapjes së këtyre dosjeve, ku bëhet fjalë për dramën e dy familjeve dhe jo veç jetët e dy poetëve të pafajshme që iu mohua jeta me akuza fallso e mashtrime ordinere, dhe që e diskreditojnë atë sistem deri në atë masë sa s’i lenë rast për justifikime e mashtrime të mëtejme. Dhe duke medituar rreth kësaj tragjedie të paprecedentë të krejt botës komuniste të Lindjes, përpiqesha të vlerësoja përpjekjet e pafundme të autorit për të zbuluar të vërtetën e mbyllur në “shtatë palë dryna”, dhe si papritur m’u kujtuan ca vargje (s’më kujtohet autori), por që i shkojnë aq për shtat Bedri Blloshmit dhe punës së tij vetmohuese për të mbrritur tek e vërteta: “Asgjë në botë s’mund te zëre vendin e këmbënguljes, talenti jo; S’ka asgjë më të zakonshme se sa një njeri i pasuksesshëm me talent, gjeniu jo; “gjeni i pa vlerësuar” është pothuaj një proverb. edhe edukata vetëm s’mundet. bota është përplot me shkretanë të edukuar. Vetëm këmbëngulja dhe vendosmëria janë të plotpushtetshme…”

Jo vetëm dhimbja, detyrimi moral, pengu për vëllanë dhe kushëririn që u zhdukën në lule të rinisë, pa e gëzuar as jetën, as familjen, duke lënë në mjerim nënat, gratë e fëmijët e parritur, duke u veshur me një tis të zi deri në frymën e fundit… Prandaj këmbëngulja për të zbuluar të vërtetën makabre, ishte akti i fundit që shpirtërat qiellorë të poetëve Blloshmi dhe Leka, ia kërkonin si obligim vëllait dhe njeriut të tyre. Veç këmbëngulja edhe vendosmëria e bëri Bedri Blloshmin të plotfuqishëm, për t’ia arritur qëllimit final. Ndaj nuk gjej fjalë për të shprehur mirënjohjen ndaj autorit për guximin e treguar deri në fund, duke na e sjellë këtë vepër me fakte të pakontestueshme, gjë që askush deri sot s’ka arritur ta realizojë në kët mënyrë. Libri edhe pse i shkruar thjesht, në të njejtën kohë është libër tronditës. Tronditëse janë përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ndrrimin e aktakuzës. Fakte s’ka… Veç për agjitacion e propagandë, nuk mund t’i dënojnë me vdekje. Me Gencin ka qenë diçka më e lehtë, me Vilson Blloshmin jo. Ndërsa Gencin, mbas torturash të tmerrshme arrijnë ta përkulin, duke përfituar nga njëfarë dobësie njerëzore që ka për nënën, gruan dhe fëmijët; me Vilsonin u ka hasë sharra në gozhdë. Ai sillet tërë dinjitet dhe në të njejtën kohë është serioz, i prerë, i pamanipulueshëm. Gencit, i premtojnë solemnisht se po ta pranojë akuzën “e rëndë” për sabotim ekonomik do të ketë shumë lehtësira, sepse: “Partia me një krah të hedh edhe me tjetrin të pret”. Vjen një çast kur lodhja psiqike, torturat fizike, njëfarë dobësie shpirtërore, apo shpresa e vakët se mund të shpëtohet jeta, e shtyjnë të bëjë lëshime, sigurisht pa qënë plotësisht i bindur, ka rënë në grackën e tyre të ndyrë. Me naivitet dhe pa asnji keqdashje kërkon ta bindë edhe kushëririn e vet të bëjë të njejtën gjë… me besimin se është diçka pozitive, do t’ua bëjë dënimin ca më të lehtë, o së paku t’u shpëtohet jeta… Jo! – thotë prerë Vilson Blloshmi, dhe i qëndron burrërisht deri në fund së vërtetës, duke refuzuar kategorikisht çdo kompromis me kopenë ujqërore të hetuesve… Po Sigurimin e Shtetit s’e ndal asgjë që t’u marrë jetën dy poetëve të pafajshëm… edhe pse fakte s’kanë asnjë. As vetë Bedriu, i akuzuar së bashku me ta, s’e pranon akuzën për sabotim ekonomik, po të paktën atij iu fal jeta, duke e dënuar me 25 vite burg, dhe duke e parë dritën e lirisë vetëm në fundmars të vitit 1991. Ka mjaft personazhe të tjerë që lexuesi mund t’i takojë në libër, të cilët autori duke na paraqitur dështimin e tyre moral dhe intelektual, siç janë ata në interpretimet e tyre ndaj veprës së dy poetëve nga Bërzeshta. Aty jepet një pasqyrë e gjallë e anës të tyre më poshtëruese: roli i intelektualit “si armë e fuqishme e Partisë shtet”!! Diana Çuli, Koçi Petriti, Myzafer Xhaxhiu janë vetëm tre nga ajo armatë intelektualësh që me dëshmitë e tyre të ulta dhe interpretimet hipokrite e kriminale çuan në burgje dhe para togave të pushkatimit qindra intelektualë. Dhe paradoksi qëndron në faktin, se sot ata jo vetëm s’ndjejnë asnjë brejtje ndërgjegje, përkundrazi ndjehen krenarë se puna e tyre vlerësohet lart edhe prej demokracisë… Ata sot i gjen ministra, deputetë, ambasadorë, shefa katedre… shpesh të rrethuar me elozhe e dekorata paturpësie dhe cinizmi… gjë e cila s’ndodh me asnji demokraci tjetër të botës, veç asaj shqiptare. Prandaj, hapja e dosjeve mbetet një domosdoshmëri, prandaj zbulimi i të vërtetave kriminale të regjimit është diçka urgjente… sepse jo që s’do të sjellë pasoja, siç predikojnë ithtarët e Sigurimit, po e kundërta do të ndodhë, do ta çlirojë kombin nga një ngërç që s’po e lejon t’i bashkohet botës së qytetëruar… dhe së fundi do ta pastronte dhe do t’i qetsonte njëherë e përgjithmonë ndërgjegjen e tij të trazuar. Këtij qëllimi kërkon t’i shërbejë edhe ky libër, që aq shumë i shëmbëllen një britme… ose një drite që shpërthen nga erresira. Ai ju drejtohet me fakte kokforta dhe me dokumente arkivash, si rrallë ndonjë libër tjetër… Prandaj ky libër tmerri u drejtohet gjithë njerëzve të ndershëm kudo që ndodhen ata, që të mos rreshtin së kërkuari të vërtetën. Diku, në një shkrim të mëparshëm kam theksuar se: “Krimi duhet ndëshkuar, ndryshe brezat e rinj mund të marrin një mësim te gabuar dhe mund të mendojnë se veprimet e kriminale s’do të ndëshkohen kurrë… dhe krimet do të lëshojnë rrënjë si grëmi, apo si tumore malinj që metastazojnë krejt shoqërinë tonë. Duket paradoksale, por në Gjermani, deri në vitin 1966, u dënuan 86.000 kriminelë, ndërsa tek ne, në vendin e tmerrit diktatorial numrohen me gishta… dhe dënohen për kafe… dhe me e keqja vazhdon deri sot… dhe për turpin tonë janë ata që na udhëheqin… duke na bërë moral për lirinë dhe demokracinë…(www.radiandradi.com)

*Falenderojme Jozef Radin, qe pati miresine te na e dergonte shkrimin per DIELLIN

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bedri Blloshmi, Dine Dine, Fabrikimi i Vdekjes

Gencin dhe Vilsonin i kishin vrarë atë natë të nxehtë e të errët korriku

July 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Bedri Blloshmi/

Errësirrë, heshtje, mesnatë, dhimbje, shpresë. Do të vijë vdekja apo jeta.Më 18 korrik, në birucën nr.8 ku më kishin mbyllur mbas dënimit me disa të dënuar të tjerë, polici solli të dënuarin Rustem Dashi. Ai kishte qëndruar për 35 ditë në të njëjtën qeli me Vilsonin. E kishin çuar të kujdesej për të. Mbasi e kishin lidhur kokë e këmbë në qelinë nr.2 duke qëndruar shtrirë. Sapo më pa, Rustemi m’u afrua më dha dorën dhe filloi të më tregonte:

-Rustemi më tha që isha ca ditë me Gencin. Ishte shumë i mërzitur: I thash: -o Genc pse … ti si kishe bërë ato që the tani, ç’të gjeti. – Ti e di se këta kanë inatin e babait, se kapën dot atë kur vinte dhe tani do i paguash ti. A të kujtohet çfarë deklarove në sallën e gjyqit? Pse e bëre? Ti kurrë s’i ke bërë ato që the, apo jo? Po s’i kam bërë por …”

Vilsonin e kishte prerë lodhja nga qëndrimi shtrirë. Kur mpihej në njërin krah Vilsoni më lutej ta ktheja në tjetrin. Bënte shumë vapë dhe trupi i djersitej. Flokët i binin vazhdimisht. Të dy supet i ishin rrjepur nga që rrinte vetëm shtrirë. Duart i mpiheshin dhe më duhet të them se njërën prej tyre e kishte gjysmë të paralizuar që nga torturat e Tiranës. Gishtat e duarve kishin filluar t’i nxiheshin. Kishte plagë tek supet, krahët dhe kofshët. Ishin bërë 35 ditë që kur e kishin lidhur duar e këmbë dhe me helmetë në kokë. Isha zgjuar porta e hekurit kërciti me një zhurmë rrëqethëse. Dikush në korridor mbylli sportelet. Qetësi. Asnjë fjalë. Vetëm hapa të rëndë dhe zhurma e këpucëveme gozhdë. Dera e birucës nr.1 u hap. Pas pak u hap porta e madhe e cila të conte jashtë. Me sa kuptova aty po ndodhte diçka. Dëgjoheshin vetëm hapat dhe asnjë zë. Mendova se mos kishte ardhur falja dhe Gencit ia hoqën prangat. U dëgjuan zëra që pëshpëritnin dhe hapa që po afroheshin. Shuli i derës së birucës sonë kërciti me një zhurmë po aq rrëqethëse dhe dera u hap. Përsëri mendova se meqë erdhën tek ne, i kishin falur jetën edhe Vilsonit. Ai rrinte shtrirë dhe i përgjumur nga mpirja me kurriz nga dera. Sapo dera u hap Vilsoni lëvizi, u mbush me frymë, bëri të shtrijë këmbët, por zinxhiri nuk e lejonte.

– Rustem, – foli ai, – kush është? Pse u hap dera, u gdhi?Do shkojmë në banjë?

Unë kisha ngrirë me shikim nga hapësira e derës që e zunë disa civilë.

Brenda u futën Selimi, hetuesi Lulo Ymeri, shefi i policisë Nazmi Kodra dhe përgjegjësi i birucave. Shefi i hetuesisë i qeshur e me llërë përveshur, hë – i tha Vilit, -të pata thënë, ja fundi . Korridori ishte plot me policë e civilë. E ktheva Vilsonin dhe ia fërkova duart si zakonisht. Pastaj e ngrita dhe e mbështeta pas murit. Kur ata ia zgjidhën këmbët dhe i hoqën litarin që mbante të lidhura bashkë duart e këmbët, u binda plotësisht se e kishin falur. Unë shtanga. Rrija mbështetur pas murit dhe nuk arrija të lëvizja as qepallat. Më parë kisha dëgjuar se kur i kishin dënuar me vdekje dhe iu kishte ardhur falja, policët vinin në birucë, i hiqnin hekurat dhe kryetari i degës i komunikonte vendimin. Kurse atë natë askush nuk po fliste. Vetëm vepronin në heshtje. Ia zgjidhën këmbët, por duart jo. S’po e kuptoja ç’po ndodhte. Kishin vendosur ta vrisnin? Jo, jo! Kjo gjë s’kishte pse të ndodhte. Vilsoni nuk kishte bërë asgjë për ta vrarë. Ai kishte lexuar vetëm libra. E kapën për krahësh dhe e ngritën më këmbë. Drejt derës kur po dilte, i hodha xhaketën krahëve. Ai u kthye nga unë dhe më pa në sy pa iu dridhur qerpikët e më tha:

– Rustem, ma bëj hallall shërbimin që më ke bërë gjithë këto ditë. Të lutem, ma bëj hallall! Të jam mirënjohës deri në këto momente të fundit të jetës.

– Unë ngriva në vend. Po e merrnin me lidhur përpara dhe helmetën në kokë. Buza më dridhej dhe nuk arrita t’i them asnjë fjalë. Lotët filluan të më rridhnin faqeve. – Rustem, po të le një amanet. – vazhdoi Vilsoni. – Kur të dalësh nga burgu, të shkosh në familjen time e t’u thuash se nuk i kam turpëruar. Akuzën nuk e pranova sepse s’kam bërë asgjë. Ne ishim bashkë në gjyq. Këto që po të them janë të vërteta, ti e di. Diana me gocën të shohin punën e tyre. Ky qe fati im. Me fatin nuk luftohet. Këto do t’ua thotë edhe Bedriu kur të lirohet, por atë e kanë dënuar shumë dhe si dihet… Edhe një herë: Ma bëj hallall Rustem! Lamtumirë! Lamtumirë! Ktheu kurrizin dhe mua më ngelën sytë tek duart e prangosura dhe kyçi që varej në prangat.

– Hajde tani, -bërtitën policët që e mbanin për krahësh.

U dëgjua zhurma e shulit që mbylli derën. Më pas u dëgjua zhurma që lëshoi edhe porta e jashtme. Përsëri heshtje varri. Dëgjohej vetëm një gërhitje që vinte prej një biruce tjetër. Dikush flinte, ndoshta të gjithë, ndërsa unë jo. I rashë sportelit dhe i kërkova policit një cigare që s’vonoi të ma sillte. Ulur në dyshemenë e birucës thithja cigaren papushim duke parë vendin ku kishte qënë shtrirë Vilsoni dhe tani bosh. Më bëhej sikur Vilsoni më thoshte: – Rustem u mpiva, shpatullat me dhembnin shumë, shikoja përreth por asgjë nuk shikoja. Prapë zë, hapa të rëndë. Veshët më buçisnin. Rustëm ma bëj hallall, thuaju në shtëpi kur të lirohesh… U ngrita në këmbë, u afrova atje ku ishtë shtrirë Vili. Dërrasat ishin akoma të nxehta jo nga vapa , por nga trupi i tij. Një batanije rrinte e hapur ashti siç Vili kur e morën. Si të bëja? Vendi s’më mbante. Nganjëherë mendoja ishalla i kanë thirrur lartë në zyrë për t’i komunikuar fajin. S’e di, po përse? Çfarë të besoja? Mendimi më ishte turbulluar. Përse më tha Vilsoni kur të lirohesh shko në shtëpi? E kuptoi Vilsoni që e morën për ta vrarë? Po përse po e vrasin, për librat, për përkthimet? Jo, kjo s’është e mundur! Isha krejt i përhumbur dhe vetëm kërcitja e shulave më bëri të kuptoj se dita kishte zbardhur. Kur dola në banjë i thashë policit të më hiqte nga ajo qeli sepse nuk mund të qëndroja më aty. Dhe ata më sollën në këtë birucë. Ah, more Bedri! S’ke ç’të bësh, bëhu i fortë, më keq është për prondërit, gocën e vogël që s’e pa asnjëherë, Diana tani ku do mbytet?

U shqetësova jashtë mase nga rrëfimi i Rustemit për vëllanë. U binda se Vilsoni dhe Genci tani nuk jetonim më. Izolimi në birucë sa vinte dhe më bëhej më i pa përballueshëm. Sa herë dilja për në banjë hidhja sytë në fund të korridorit tek birucat 1 dhe 2. E dija që ata s’ishin më…

Nuk mbaj mend se pas sa ditësh të rrëfimit të Rustem Dashit i kërkova përgjegjësit të birucave të më largonte një orë e më parë prej aty. Nuk mund të qëndroja më në atë vend, më bëheshin zëra, të kolliturat si të gencit ashtu dhe të Vilsonit. Zhurma e zinxhirëve kur i zgjidhnin tek dera e banjës përballë biruces time. Çdo ditë hidhja sytë nga birucat e tyre, por asnjë shenjë polici s’kishte. Unë nuk doja ta besoja, por ajo ishte e vërtetë. Kishte mbërritur vdekja. Pas disa ditësh më nxorën nga dhoma, më hodhën prangat, më hipën në një makinë të veshur me llamarinë. Pas disa orë udhëtimi, u ndalëm dhe zbrita në një oborr të rrethuar me tela me gjëmba. Përmbi murin e lartë ngriheshin karakollet me ushtarë në gadishmëri me kallashnikovë në doprë e gishtin në këmbzën e shkrepjes. Godina e verdhë tri katëshe quhej “kaush”. Aty mësova se isha në burgun e Tiranës.

Shënim: atë natë policët më dhanë ushqim me forcë. Rash në gjumë i vdekur. (Ata diçka më hodhën në ushqim.) Kur u ngrita në mëngjes për të shkuar në banjë, hodha sytë nga birucat e Gencit dhe Vilsonit, por polici nuk ishte. Më ra të fikët. Të nesërmen në darkë munda të dilja pak nga kllapia. Gencin dhe Vilsonin e kishin vrarë atë natë të nxehtë e të errët korriku.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Bedri Blloshmi, korrik, pushkatimi i poeteve

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT