• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS…

June 24, 2021 by dgreca

– PARA 30 VITEVE, MEDIA E KOSOVËS PËR VIZITËN E BEJKER NË SHQIPËRI/

-Para 30 viteve Gazeta “Bujku” e 23 Qershor 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS/

-Si u raportua për vizitën historike të Sekretarit Amerikan të Shtetit James Baker në Tiranë në qershorin e vitit 1991 nga gazeta e vetme shqipe në atë kohë në Kosovë, derisa kufiri me Shqipërinë ishte i hekurt, ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në titullin e reportazhit që e botova në Prishtinë e edhe në Tiranë në 19 Mars 1996/

-Sot gjeta në arkivin e digjitalizuar të gazetës “Bujku” se çka shkruante në 23 Qershor 1991 për vizitën historike…

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË, 23 Qershor 2021/ Para 30 viteve, në 22 Qershorin e vitit 1991 për të përcjellë vizitën historike të Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker në Tiranë  nga gazeta e vetme shqipe në Kosovë në atë kohë “Bujku” dërguam në Shqipëri reporterin special Avni Spahiu, si dhe ekipin në qytetin pranë kufirit të hekurt të Kosovës me Shqipërinë, në Gjakovë, atje ku mund të shihej Televizioni Shqiptar, i cili nuk mund të shihej në Prishtinë e në shumicën rajoneve kosovare. Fotot i patëm bërë nga transmetimet e Televizionit Shqiptar, nuk kishte asnjë mundësi teknike në atë kohë t’i marrim nga Agjencia Shtetërore Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë – Agjencia Telegrafike Shqiptare, me të cilën kishim nisur bashkëpunimet e para të mediave Kosovë-Shqipëri. Ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në titullin e reportazhit që e botova në Prishtinë e edhe në Tiranë në 19 mars 1996,  duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.

Sot gjeta në arkivin e digjitalizuar të gazetës “Bujku” se, në 23 Qershor 1991 kryetituj në ballinë ishin: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS –  VIZITA E BEJKERIT NË SHQIPËRI U NDOQ ME INTERESIM NË KOSOVË.

Në ballinë paralajmëroheshin raportimet për vizitën historike të Sekretarit Amerikan të Shtetit në Tiranë gjerësisht në faqet 8 e 9, ku kryetituj janë: SHQIPËRIA KA MBËSHTETJEN E SHBA-ve, AMERIKANËT JANË ME SHQIPTARË, SHQIPTARËT JANË ME AMERIKANË – AMERIKA PO KTHEHET NË SHQIPËRI. Janë këto citime nga fjalimet e Sekretarit Amerikan të Shtetit Xhejms Bejker. MOMENT HISTORIK PËR SHQIPËRINË, është një titull tjetër…

Po në ballinë me titull BISEDUAM SI MIQ botohej Deklarata për gazetën “Bujku” e Dr. Ibrahim Rugovës pas takimit me Xhejms Bejkerin, ku në nëntitull theksohej: Sekretarit Amerikan të Shtetit iu dorëzua mesazhi i partive politike shqiptare me kërkesat e tyre për zgjidhjen e krizës në Kosovë dhe në Jugosllavi. Në tekst njoftohej se takimi, ku ishin lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut Adem Demaçi  dhe kryetari i Partisë Parlamentare të Kosovës Veton Surroi, ishte mbajtur  me 21 Qershor 1991 në një hotel në Beograd, gjatë vizitës që Bejker kishte edhe në Jugosllavi.

Në ballinë të gazetës “Bujku” paralajmërohej edhe shkrimi: SHKOLLAT SHQIPE NË MËRGATË – KUNDËR ASIMILIMIT.

Dhe, mes tjerash, një titull tjetër ishte: LUTJE PËR PAQE, QETËSI E LIRI…

“Bujku” ishte gazetë e përditëshme e rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës, me orientim e përcaktim të fuqishëm propërëndimor euroatlantik që nisi të dalë  nga 18 Janari 1991, isha themeluesi-kryeredaktori i saj në atë kohë. Ishte gazeta e vetme e përditshme shqipe ne Kosovë dhe edhe sfidonte ndalimin e dhunshëm të gazetës tradiconale shqiptare kosovare Rilindja nga regjimi okupator serb.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, shtypi i Kosoves, vizita e Xhejms Bejker

Kosovë-Serbi, në Bruksel rinisën takimet për dialogun

June 15, 2021 by dgreca

-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti: Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme. Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 Korrik. Nuk u pajtuam për axhendën e dialogut të ardhshëm. Unë bëra katër propozime…/

-Pas takimit me delegcionet e Kosovës e Serbisë, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri,  Josep  Borrell, sot pasdite takohet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 15 Qershor 2021/  Kosova dhe Serbia rinisën takimet për dialogun në Bruksel. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendësin e tij Besnik Bislimi, e me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri,  Josep  Borrell dhe emisarit të tij Miroslav Lajçak, sot në Bruksel u takuam me delegacionin nga Serbia të përbërë nga Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe Ministri i Jashtëm Nikola Selakoviç.

Pas takimit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur:

Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme. Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 Korrik.

Nuk u pajtuam për axhendën e dialogut të ardhshëm. Unë bëra katër propozime në këtë takim:

1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.

3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, Veljko Odaloviç, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjelkoviç.

Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërsa tre propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, Vuçiç dhe Selakoviç, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve, theksoi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai bëri të ditur edhe se, sot pasdite Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri,  Josep  Borrell, takohet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Para 10 viteve fillimi me takim dyditësh 8-9 Mars 2011 në Bruksel i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian e me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasonte një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe historik për Kosovën: Në 22 Korrik 2010 Kosova doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

*** 

NGA RAPORTIMET E MEDIAS:

Lajçaku: Takimi Kurti-Vuçiq s’ishte i lehtë, por me rëndësi ndodhi

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit që patën të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe president serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, ka deklaruar se takimi s’ka qenë i lehtë.Ai ka thënë se nga dialogu, BE-ja dhe popujt e dy vendeve kanë pritje të mëdha.

“Nuk ishte takim i lehtë, por i rëndësishëm që ndodhi. Të dy liderët patën diskutim të hapur secili se çka do nga dialog. E rëndësishme nga BE-ja është që të dy liderët konfirmuan se s’ka rrugë tjetër pos normalizim raportesh. Të dy u zotuan për punë për arritjen e marrëveshjes së përgjithshme, nëpërmjet dialogut. Do të vazhdojë në fund të korrikut. BE-ja ka pritje të mëdha për të tejkaluar trashëgiminë e kaluar dhe që Serbia e Kosova të drejtohen kah e ardhmja evropiane nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse obliguese”, ka thënë ai. 

Vuçiqi: Kosova s’donte të fliste për Asociacionin, por për të pagjeturit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin në Bruksel ka pasur “provokime” nga ana e Kosovës.

Ai ka thënë se nuk janë përdorur fyerje në takim, por “përgjigje të rrepta”.

“Ai erdhi duke mos u pajtuar për asgjë. Erdhi e më pyeti se kur do ta njohim Kosovën. I kam thënë kurrë. Ka shpërthyer”, ka thënë Vuçiq pas takimit.

“Delegacioni i Kosovës nuk dëshiron t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara, pra nuk do fare të flasin për Asociacionin, ndërsa në anën tjetër kanë kërkuar ugjentisht të dijë se kur do ta njohim Kosovën dhe janë thirr në incidentet që kanë ndodh atje, që serbët po dëshirojnë përmes liturgjive dhe kishave në kohën kur këto kisha janë ndërtuar në kohën e Milloshevqit. Kemi fol për personat e zhdukur dhe nuk do të besoni, unë kam folur sipas principeve, kam folur për atë se sa është e rëndësishme të zbulojmë vendet ku gjendet trupi i çdo shqiptari dhe serbi. Unë kam kërkuar që të ketë kërkime në nëntë lokacione, dy në Klinë një në Istog, një në Llapushnikë, Mejë të Gjakovë dhe Suharekë. Kemi kërkuar që ne t’i zhvillojmë zhvarrimin pasi dyshojmë se në këto lokacione ka trupa të serbëve, por ata kanë refuzuar”, ka thënë më tej Vuçiqi.Sipas Vuçiqit, është arritur pajtimi për vazhdim të dialogut deri në korrik. (Koha.net)

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Bruksel, Kosove-Serbi, Rinis Dialogu

12 QERSHOR 1999 …

June 12, 2021 by dgreca

AMERIKA-NATO SOLLËN LIRINË NË KOSOVË, ISHA NË KOLONËN E TANKEVE TË PARA…/

-Në ditën e Lirisë  së Kosovës – 12 Qershor 1999, raportoja drejtpërdrejë nga kolona e tankeve të para të NATO-s që prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynin në Kosovë, duke filluar nga ora 05 e 17 minuta të përcjella nga helikopterët Apaçë/ 

-Liria Kosovës po i vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe që bënin spastrim etnik, masakra e gjenocidit kundër shqiptarëve/

-Nderohen ushtarët e NATO-s të rënë në ndërhyrjen ushtarake për ndaljen e gjenocidit mbi popullin shqiptar në Kosovë/

-Mirënjohje dhe falënderim përjetshëm për mirëpritjen e përkujdesjen vëllazërore shqiptare për të dëbuarit – refugjatët nga Kosova/

-Viti 2005: Mesazhi dhe pritja e fundit e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova për 12 Qershorin – Ditën e Lirisë: Dita më e madhe në historinë e re të Kosovës… Presidenti Rugova dekoroi ushtarët e KFOR-it me Medaljen e Sigurisë/

-12 Qershor 2019: Kosova 20 vjet liri, në festën e madhe Amerika – Clinton , Albright, Palmer…/

-Sot-12 Qershor 2021,  u bënë gjashtë vjet dhe nis viti i shtatë i raportimeve të mia për Gazetën DIELLI, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Me shumë respekt e vlerësim për gazetën më të  herëshme shqiptare… Uroj që gazeta e VATRËS së shqiptarëve në Amerikë të mos shuhet kurrë e të shëndrisë gjithmonë ashtu si DIELLI, emrin e të cilit e ka…/ 

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI 

PRISHTINË, 12 Qershor  2021/ Në Kosovë festohet Dita e Lirisë dhe Paqes – 12 Qershori.

Në mëngjesin e sotëm, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti, vendosën kurora lulesh te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të NATO-s të rënë në ndërhyrjen ushtarake të para 22 viteve për ndaljen e gjenocidit të forcave okupatore të Serbisë mbi popullin shqiptar në Kosovë.

Kosovës para 22 viteve nisi t’i ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët Apaçë nisën të hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Lexoje te plote specialen ne Gazeten Dielli online www.gazetadielli.com)

Lajmin e madh për gjithë shqiptarët e botën e raportoja drejt Tiranës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të focës më të madhe planetare, e cila të nesërmen merrte në kontroll edhe kryeqytetin, Prishtinën, ndërsa  duke kaluar kufirin nga Shqipëria nëpër Morin-Vërmicë shkonte edhe drejt Prizrenit…

Uturima e fortë e helikopterëve Apaçë dhe e kolonës së gjatë të tankeve të NATO-s, që hyri në Kosovë në mëngjesin e hersëm të 12 Qershorit 1999 nuk kishte kend ta zgjonte në qytezën kosovare Hani i Elezit, mu në pikën e kufirit me Maqedoninë. Forca më e madhe e botës, NATO, kalonte nëpër qytezën fantazmë, të mbetur pa banorët e dëbuar, të boshatisur nga jeta, të djegur e bërë shkrum nga gjenocidi e spastrimi etnik i forcave serbe.

Me përshkrimin e kësaj pamje të tmerrshme të Kosovës së mbetur pa njerëzit e saj, por edhe me gëzimin më të madh se në atë mëngjes plot shkërqim të diellit që po lindëte kishte ardhë ajo dita e ora e madhe e ëndërrave – Dita e Lirisë së Kosovës, po vazhdoja të japë me telefon raportin e nisur në orën 05 e 17 minuta, me kryelajmin më të madh në botë:  “Taknet e para të NATO-s hynë në Kosovë, në këtë orë të lume, në këtë mëngjes të 12 Qershorit 1999, në këtë ditë të madhe historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët…”

Më shumë se lajm ishte një shpërthim ndjenjash, që në reportazhin e asaj dite mundohesha t’i tregojë edhe me këto fjalë: “Çlirimi i Kosovës nuk është ëndërr, është më shumë se gëzim, po ndodhë…”

Me një ndjenjë krenarie erdhën pastaj pëshëndetjet për NATO-n në Kosovë nga një grup i luftëtarëve të lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili doli të presë e përshëndes forcen aleate. Ishin me uniformat dhe simbolet e ushtrisë me shqipnjën dykrenare, e të pa armatosur.

Uniforma të tjera dhe ushtarë të tjerë nën armë, pjesëtarë të forcave serbe, u gjetën ca më vonë në një tunel, tek në ikje minonin për t’ia mbyllë rrugën NATO-s. Ata u çarmatosën dhe u detyruan vet t’i heqin minat, dhe marshi i NATO-s vazhdoi pas një ndalje e vonese te tuneli.

Një ndalje e gjatë e kolonës, më se katër orë, ishte te Ura e Kashanit mbi lumen Lepenc në Grykën e Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvilluan operacionin për mënjanimin e rreziqeve të mundshme nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin e helikopterëve mbi të, fillimisht helikopterë më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githënjë e më të rëndë e në numër më të madh…

Kishte kaluar ora 15 e pasditës dhe ura po kalohej…

 Kishte edhe rreziqe e pengesa të tjera në terrene të luftës së sapopërfunduar. “Asnjë hap jashtë asfalti”, ishte urdhëri për gazetarët që ishim në kolonën e NATO-s. Mina të vendosura nga forcat serbe mund të kishte kudo.

Në Grykën e Kaçanikut forcat serbe kishin lënë prapa edhe shumë grafite në faqe shkëmbinjësh. Për grafitin serb “Kosova është zemra e Serbisë” si një antigrafit ishte komenti i  një gazetari: “E si mund të jetë zemra jashtë trupit?!”. “Serbia deri në Durrës” ishte një nga grafitet që shkonin në të pamundurën e edhe shumë më larg: “Serbia deri në Tokio”,  “Serbia deri në Sidnei”, që pretendonin se edhe Japonia dhe Australia qenkan Serbi. Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës shqiptare tradicionale të Kosovës Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri serbe dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

Për të hyrë me NATO-n në Kosovë “të akredituar deri natën e 11/12 Qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën historike Rilindja.

Përtej grafiteve të përçudshme serbe, si një përgjigje dhe realitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 Shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit të Kosovës, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi, e që pasonte Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990 të miratuar para dyerve të mbyllura të ndërtesës së Kuvendit në Prishtinë nën shtetrrethim edhe me tanke e snajperë të forcave okupatore të Serbisë.

 Një pjesë e forcave të NATO-s u ndal në Kaçanik, ndërsa kolona vazhdoi rrugën drejt Fushës së Pajtimit dhe qytetit të Ferizajt, në orët e pasditës.

 Ora 16. Mbi qytetin e Ferizajt shiheshin re tymi. Për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO-Kosova e Lirë”, kishin dalë ata pak banorë shqiptarë që kishin mbetur në Ferizaj. Ata kishin dalë përkundër kërcënimeve e shumë rreziqeve se ende forcat serbe nuk kishin ikur. “Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin në largim e sipër”, tregonin banorët shqiptarë.

 Në një cep të rrugës ishin ndalur ushtarakë të NATO-s dhe fëmijëve u shpërndanin bombone (ëmbëlsira). Fëmijtë ishin tërë gëzim. Një vajzë 10-vjeçare, shumë smpatike, po shtrëngonte ëmbëlsirën në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”. Për ta ruajtur, veç një herë e afroi te buzët bombonin ajo vajzë që muaj të tërë as s’kishte parë ëmbëlsira e kishte vujtur edhe nga uria në mungesë të bukës. Vajza tregonte se quhet Shega Asllani dhe se është nxënëse shembullore e klasës së katër të tetëvjeçares. Një e afërm e saj, Bardha Asllani, me gazetarët spanjollë fliste spanisht, ndërsa për të shprehur falenderimin e madh të gjithë fëmijët përreth brohorisinin për Solanën, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, për Presidentin Amerikan Clinton, Kryeministrin Britanik Bler…

Pas ndonjë ore edhe fushat rreth Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arrijnë deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet mbetet për të nesërmen.

Me gazetarët që nuk u pritej u nisëm për në Prishtinë edhe pse rreziku ishte i madh para se të hynin forcat e NATO-s. Ishte edhe festë lajmi që e jepja drejt Tiranës se po hyja në Prishtinë dhe afër ishin forcat e NATO-s që do hynin…

Po kthehesha në Prishtinë, para mbrëmjes së 12 Qershorit, duke kujtuar edhe largimin drejt kufirit jugor të Kosovës pasi në mbrëmjen e 24 Marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  nga Prishtina në Tiranë për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Atë parambrëmje të 12 Qershorit 1999 në qendër të kryeqytetit, te Hotel Grandi, shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar. Në të gjitha anët kishte të shtëna armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur…

 Edhe në atë situatë, mes shumë rreziqesh, po bëja një raportim edhe për gazetën Rilindja, e cila pas ndalimit nga forcat serbe në Kosovë vazhdonte të dalë në Zvicër, Shqipëri…Nuk dola fare nga automjeti që u ndal para hotelit, dolën vetëm gazetarët nga bota.

 Paramilitarët serbë i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotel, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po largoheshim me shpejtësi me automjetin ku ishim…

Po ku të shkonim, ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 Majit 1999 nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 Majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”.

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli i lajmit që kisha raportuar nga Kufiri jugor i Kosovës në 6 Maj 1999, ku theksoja: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëper objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja”…

Në kryeqytetin e Kosovës edhe gjatë gjithë natës së 12-13 Qershorit 1999 breshëritë e armëve serbe vazhdonin dhe plumbat qorr binin mbi kulmin e shtëpisë së boshatisur, ku u strehuam. Nata e fundit e forcave serbe në Prishtinë ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte shqiptarë të vranë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje.

Në mëngjesin e 13 Qershorit 1999 qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolona e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste nga kodrina e Veternikut dhe mbushte sheshet dhe rrugët e Prishtinës. “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat serbe të largohen…” Lajmi që po raportoja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë po shkonte nga Prishtina në Tiranë me telefonin me lidhje zvicerane satelitore, sepse lidhjet tjera telefonike ishin të pamundura. Në Prishtinën e shkatërruar ndihej erë shkrumi e shtëpive e obekteve tjera të djegura. Ishin djegur edhe selia e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe selia e Presidencës së Kosovës. Dyqanet dhe klubet të gjitha ishin të mbyllura dhe të plaçkitura. Hotel Grandi ishte i hapur, por ende jo për shqiptarët. Thuhej se bodrumet e hotelit ishin shndërruar në qendër turturash për shqiparët e rrëmbyer e të arrestuar nga forcat serbe.

Vetëm edhe një lokal-klub tjetër i vogël përball hotelit ishte i hapur. Ai ishte i mbushur plot me njerëzit që pinin kafenë e parë në Prishtinën e lirë. Në Kosovë, edhe në Prishtinë, ku po ndodhte liria…

Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se dje e sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 Qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe gazeta Rilindja, të cilën e shpërndanim në Kosovën që po çlirohej,  në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.  

Dhe, vazhdoja raportimin: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12-katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.

Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.

Në qytetin e Kaçanikut, në jug të Kosovës, ushtarët e Ushtirisë Çlirimtare të Kosovës ishin vendosur në ndërtesën e Stacionit të Policisë, prej nga kishin ikur forcat serbe…

Kështu ishte 22 vite më parë…

 Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, gjeneral britanik, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 Qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.

Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  poashtu para 12 vitesh në 9 Prill, më pak se dy maj pas 17 Shkurtit historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës anëtare të OKB-së…

NDEROHEN USHTARËT E NATO-s TË RËNË NË NDËRHYRJEN USHTARAKE PËR NDALJEN E GJENOCIDIT MBI POPULLIN SHQIPTAR NË KOSOVË

PRISHTINË, 12 Qershor 2021/ Me një ceremoni shtetërore, në sheshin “Nënë Tereza” të kryeqytetit, u përkujtuan ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it të rënë në Kosovë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vendosën kurorë lulesh te Pllaka Përkujtimore në nderim të ushtarëve të rënë të NATO-s, me rastin e shënimit të 22- vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Kryeministri Kurti në fjalën e tij tha se në qershorin e vitit 1999 kishim zjarr në qiell dhe zjarr në tokë, por më 12 qershor, këmbësoria e NATO-s iu bashkua ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Millosheviqit për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar.

“Më 12 qershor ne kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe këtë ia përkujtojmë vetes për çdo ditë, sepse të gjithë ato gra e burra të cilët u sakrifikuan, dhanë jetën, ndodhen në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, të pavarësië sonë, të cilën duam ta shpiejmë më tej, me zhvillim, drejtësi dhe demokraci”, tha ai.

Në ceremoninë  e organizuar nga tri institucionet më të larta të shtetit, të pranishëm ishin edhe Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe zëvendës komandanti i KFOR-it, Günter Schöpf.

MIRËNJOHJE DHE FALËNDERIM PËRJETSHËM PËR MIRËPRITJEN E PËRKUJDESJEN VËLLAZËRORE SHQIPTARE PËR TË DËBUARIT – REFUGJATËT NGA KOSOVA

Si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, në vitin 1999 të kohës së luftës, të dëbimit të mëse 1 milion shqiptarëve nga Kosova, për rreth dy muaj “selia” e raportimeve të mia ishte kufiri jugor i Kosovës, si dhe Tetova e fshati i afërt Dobrosht – shtëpia e familjes së Mesut Veselit, ku më parë kishin mbërritur njerëz të familjes sime të dëbuar nga forcat serbe… Raportoja edhe nga Shkupi e vende tjera në Maqedoni.

 Akreditimi mu dha nga Ministria e Informatave e Maqedonisë të njëjtën ditë të kërkesës dërguar me telefax nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në 5 Prill 1999. Ishte mëngjesi i ditës sime të parë refugjat jashtë kampit të Bllacës, ku pas qëndrimit disaditësh natën kisha kaluar kufirin…

Mirënjohje dhe falënderim të përjetshëm për mirëpritjen e përkujdesjen vëllazërore shqiptare për të dëbuarit nga Kosova refugjatë të luftës së përfunduar në pranverën e lirisë të vitit 1999.

VITI 2005 – MESAZHI I FUNDIT I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA PËR 12 QERSHORIN, DITËN E LIRISË TË KOSOVËS

PRISHTINË, 12 Qershor 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Lirisë të Kosovës, u ka drejtuar qytetarëve të Kosovës një mesazh urimi me këtë përmbajtje:


Me rastin e 12 Qershorit, 6 vjetorit të Ditës së hyrjes të trupave të NATO-s në Kosovë, që është Ditë e Lirisë së vendit tonë, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 12 Qershorit, pra Dita e Lirisë së Kosovës, është një ditë e madhe që e siguroi qenien tonë nacionale e njerëzore dhe të ardhmen më të lumtur për të gjithë ne.


Në këtë Ditë feste, urime të përzemërta i shprehim Komandantit të KFOR it, Gjeneralit Iv dë Kermabon dhe ushtarëve të Tij.


Njëherësh urime të sinqerta i shprehim UNMIK-ut dhe OSBE-së.


Urime të sinqerta po ashtu u shprehim përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e vendit tonë, në Prishtinë.
Dhashtë Zoti që 12 Qershorin e ardhshëm, Ditën e Lirisë, ta festojmë me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.

 12 QERSHOR 2005 – PRESIDENTI RUGOVA: 12 QERSHORI MBETET DITA MË E MADHE NË HISTORINË E RE TË KOSOVËS

PRISHTINË, 12 Qershor 2005/ Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në mbrëmjen e 12 Qershorit 2005 në Prishtinë shtroi një darkë solemne për nder të Ditës së Lirisë – 6 vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Të ftuar ishin përfaqësues të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë.


Në këtë solemnitet Presidenti Rugova deklaroi se Kosova është e lirë falë ndihmës së NATO-s. Ai gjithashtu u shprehu mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përpjekjet e bërë për lirinë dhe pavarësinë.


“Kjo do të jetë dita më e madhe në historinë e re të vendit tonë, sepse me të u kurorëzua liria e kombit tonë, që ishte ëndërr dhe përpjekje e shumë gjeneratave”, theksoi në fillim të fjalës së tij Presidenti Rugova.


Duke folur për periudhën e pasluftës, Presdenti Rugova vlerësoi se gjatë këtyre gjashtë vjetëve Kosova ka pasur një progress të madh në të gjitha fushat e jetës, të cilin e ka arritur “me NATO/KFOR-in, që ka bërë dhe po bën sigurinë e Kosovës, si dhe bashkë me UNMIK-un e me OSBE-në në planin civil”.


Ndërsa, duke folur për momentin aktual, ai tha se institucionet po punojnë në përmbushjen e standardeve prioritare dhe në vlerësimin e progresit, që do të krijonte mundësi për pavarësinë e vendit tonë simbas rrugës ndërkombëtare.


“Por, siç e dini, unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe BE sa më shpejtë. Kështu Kosova si vend i pavarur e demokratik është e vendosur për integrim në BE e në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Kjo do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës dhe do të krijonte sigurinë e të ardhmes së të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ritheksoi edhe me këtë rast Presidenti Rugova.


Në vazhdim të fjalës së tij, Presisdenti Rugova lavdëroi punën e paqeruajtësve në Kosovë, duke thënë se “NATO/KFOR-i për gjashtë vjet ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit për të gjithë qytetarët. Kështu KFOR-i mbetet forcë e dashur dhe e nderuar nga i gjithë populli i Kosovës”.


Ai u shprehu mirënjohje ushtarëve të KFOR-it, që në kryrje të detyrave humbën jetën e tyre.
“Në këtë ditë i përkujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

Njëherësh i shprehim mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të UÇK-së për përpjekjet e bëra për lirinë dhe pavarësinë e tonë”, theksoi Presidenti Rugova, duke përshëndetur me këtë rast Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, që përkrahin Kosovën.

Poashtu ai përkujtoi me pietet të lartë Papa Gjon Palin II që ka ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe përshëndeti Atit e Shenjtë Benedikti XVI, me dëshirë që të lutet për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë.


Presidenti Rugova e luti gjeneralin Kermabon që t’ua përcjellë ushtarëve të KFOR-it urimet e tij të përzemërta dhe të popullit të Kosovës për Ditën e Lirisë së Kosovës, 12 Qershorin, Ditën e NATO-s në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it Iv de Kermabon theksoi se përkushtimi i NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit mbetet i njëjtë si përpara gjashtë viteve, kur u vendosëm në Kosovë.


“Është e rëndësishme të përkujtojmë se KFOR-i nuk vepron i vetëm. Puna që ne bëjmë me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe liderët vendorë mbetet esenciale për ndërtimin e paqes. Pra, partneriteti ynë nuk është vetëm ndërmjet KFOR-it dhe UNMIK-ut, por përshinë edhe partnerët tanë vendorë dhe mbështetja e tyre është esenciale”, tha Kermabon.


Ndërsa Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë Filip Goldberg duke folur në emër të përfaqësive diplomatike në Prishtinë theksoi se ata ndihen krenarë për atë që bënë më 1999.


“Ne jemi shumë krenarë për atë që bëmë në vitin 1999 dhe duam të mbetemi të tillë për atë që do të ndodhë më 2005, 2006 dhe 2007, që do të thotë një Kosovë e cila do të reflektojë vlera demokratike në respektim të njëri-tjetrit, pa marrë parasysh etnitë apo besimin. Janë këto vlera që ne i sollëm më 1999”, theksoi Goldberg.


Në këtë darkë solemne Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dekoroi ushtarët e KFOR-it me Medaljen e Sigurisë.

12 QERSHOR 2019: KOSOVA 20 VJET LIRI, NË FESTËN E MADHE AMERIKA -CLINTON , ALBRIGHT, PALMER…

 Në 12 Qershor 2019 kam raportuar për Gazetën DIELLI, mes tjerash: Festë të madhe sot ka Kosova për 20 vjetorin e lirisë, është festë e gjithë shqiptarëve, urime e përgëzime vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të botës së lirë e demokratike. Presidenti Amerikan Bill Clinton dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright, nga koha e luftës dhe e fitores së paqes e lirisë në Kosovë, si dhe zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit Amerikan, Mattheë Palmer, ishin sot dhe mbajtën fjalime në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në Sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë. Mes shumë pjesëmarrësve ishe edhe ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Ëesley Clark, i cili ka drejtuar ndërhyrjen shpëtimtare-humanitare në kohën e luftës në Kosovë. Në festimin madhështor ishin drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike dhe diaspora.

Më Prishtinë sot bëhet edhe përurimi i Bustit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Neëborn.

Pjesë e festës, mbrëmjen e djeshme u mbajt koncerti i Filarmonisë së Kosovës, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Kosova po feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.

SOT-12 QERSHOR 2021, 6 VJET RAPORTIMI PËR GAZETËN DIELLI

PRISHTINË, 12 Qershor 2021/ Sot u bënë gjashtë vjet dhe nis viti i shtatë i raportimeve që bëj si korrespondent nga Kosova i Gazetës DIELLI që e njoha nga historia e kombit dhe shtypit shqiptar. E që edhe shumë vite para 12 Qershorit 2015 botonte shkrimet e mia që i merrte nga Agjencia Shtetërore-Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë e në shtypin shqiptar.

Raportimet për DIELLIN i nisa pikërisht në Ditën e Lirisë, në përvjetorin e 16-të të hyrjes së NATO-s në Kosovë, me një reportazh për ngjarjen historike, ku në 12 Qershor 1999 isha gazetar i akredituar në kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe planetare që kishte nisur misionin shpëtimtar e paqerujtës…

Me shumë respekt e vlerësim për gazetën më të  herëshme shqiptare, DIELLI, që në 15 Shkurt 2021 festoi 112 vjetorin, e themeluar nga personalitetet e mëdha të kombit Fan Noli e Faik Konica, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA, për të gjithë shqiptarët në SHBA që aq shumë kontribuan për Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet tjera etnike. Falënderime e mirënjohje të përgjithëmonëshme…

Uroj që gazeta e VATRËS së shqiptarëve në Amerikë të mos shuhet kurrë e të shëndrisë gjithmonë ashtu si DIELLI, emrin e të cilit e ka…

Me shumë respekt,

Behlul Jashari

me shume fotografi i geni ne FB.

Filed Under: Featured Tagged With: 12 Qershor 1999, Behlul Jashari

PRIZRENI FESTON 143 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE DHE DITËN E LIRISË

June 10, 2021 by dgreca

-Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore. Në 10 Qershor të vitit 1878 në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet/ 
– “Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë”, shprehej Rugova para 18 viteve/
 
-Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë janë shënuar tradicionalisht në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit. Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren. 
 
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
 
PRIZREN, 9 Qershor 2021/ Kremtimi i 143 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është  në axhendën e aktiviteteve të 10 Qershorit 2021 të Komunës së Prizrent, qytetit më të madh jugor të Kosovës afër kufirit me Shqipërinë, ku do të ketë edhe vendosje të luleve në monumentin e Lidhjes së Prizrenit dhe koncerte festive e manifestime tjera treditore edhe për 22 vjetorin e lirisë.
 
Shtatoret e tre liderëve historikë Abdyl Frashërit, Sylejman Vokshit dhe Ymer Prizrenit në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë përuruar në 25 Nëntor 2018, në vitin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuadër  të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në një veprimtari ku kanë marrë pjesë drejtues të lartë institucionalë e politikë të Shqipërisë e të Kosovës.
Në 22 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.
Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.
Në 10 Qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa isha në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare me ekipin e gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”-Rilindja, bashkë me fotoreporterin Ilaz Bylykbashi e shoferin Faik Binça,  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmin e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.
 
Edhe në atë ballafaqim me forcat okupator serbe arritëm të shpëtojmë fotot që kishim fshehur dhe u botuan me raportin duke nisur nga faqja e parë me legjendën “Vizitorë të shumtë dhe orë historike, dje në Komplksin Memorial të Lidhjes së Prizrenit”. Raporti që e shkruaja i botuar në numrin e 11 Qershorit 1997 në gazetën e rezistencës “Bujku”  në ballinë kishte mbititullin “Në Kosovë u shënua 119-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, titullin “Program kombëtar edhe për sot e të ardhmen” dhe nëntitujt “Në Prizren dje u mbajt akademia solemne në temën: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, roli i saj dhe porosia politiko-kombëtare.-Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e vizituan mijëra shqiptarë nga gjithë Kosova e trojet e tjera etnike”.
Një nga mestitujt ishte “Mesazhet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit aktuale deri në bashkimin kombëtar”. Në raportin që vijonte edhe në faqen e dytë të gazetës theksohej edhe: “Derisa ktheheshin nga Prizreni, në të dalë të qytetit, policia ndaloi rreth gjysëm ore, bastisi e i pyeti për qëllimin shkuarjes në Prizren edhe ekipin e reporterëve të “Rilindjes” – “Bujkut”, që po ktheheshin në Prishtinë, (Behlul Jasharin, Iljaz Bylykbashin dhe Faik Binçen)”.
 
***
LAJMI I ASAJ KOHE PER NDALIMIN NË 10 QERSHOR 1997 – nga Buletini i Ministrisë së Informateve të Republikës së Kosovës Nr. 304, 16 Qershor 1997:
 
https://groups.google.com/forum/#!topic/bit.listserv.albanian/QgXzizjYqD0
Police harasses ‘Bujku’ reporters
Prizren, 11 June – Yesterday Serbian police stopped a team of ‘Bujku’
journalists on their return from Prizren. Behluh Jashari, Ilaz
Bylykbashi and Faik Binca, were interrogated regarding their visit to
Prizren. Film had been taken of the camera and destroyed.
***
Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.
 “Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mire”, shprehej Rugova para 18 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.
“Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet”, shprehej Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova. 
 
Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit Rugova, i cili ditën e parë njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.
“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova. 
Në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal të asambleve komunale, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora. Ishte i pranishëm në këtë solemnitet edhe Naltmadhnia e Tij trashëgimtari i Fronit Shqiptar Leka Zogu I me bashkëshorten.
  “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para më shumë se 23 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e gazetës së vetme shqipe në Kosovë Rilindja nga regjimi okupues serb. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja, vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…
Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.
I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.
Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.
Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 13 vite nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës.

Filed Under: Featured Tagged With: 143 Vjet, Behlul Jashari, Lidhja e Prizrenit

Kosova me Bibliotekë Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”, bazuar në modelin Amerikan

June 7, 2021 by dgreca

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani: Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”  mbanë gjallë kujtesën historike e shtetërore. Projekti është i bazuar në modelin Amerikan të ndërtimit të bibliotekave presidenciale dhe do ta mbajë emrin e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Përkrahje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, i cili do të dërgojë një ekspert për të ndihmuar që të kompletohet biblioteka… Presidentja Osmani i ka ftuar të gjitha institucionet bibliotekare, arkivore dhe muzeore që të ofrojnë material siç janë librat, artikujt, revistat, fotografitë apo eksponatet e Presidentit Rugova…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 7 Qershor 2021/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, sot kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit mes Bibliotekës Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Presidentja Osmani ka shprehur falënderimin e saj për ministrin Çeku për gatishmërinë e tij të menjëhershme që ta mbështesë bashkërisht edhe me Bibliotekën Kombëtare, por edhe institucionet tjera vartëse të Ministrisë së Kulturës, projektin për Bibliotekën Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.

Ky projekt, sipas Presidentes Osmani është i bazuar në modelin Amerikan të ndërtimit të bibliotekave presidenciale dhe do ta mbajë emrin e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

“Siç e përmenda kjo bazohet në modelin Amerikan dhe rrjedhimisht kemi marrë edhe përkrahje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, i cili do të dërgojë një ekspert për të ndihmuar që të kompletohet kjo bibliotekë duke u bazuar në këtë model. Në të njëjtën kohë sipas memorandumit të bashkëpunimit që nënshkruam sot me ministrin Çeku, edhe Biblioteka Kombëtare, edhe Muzeu, por edhe Arkivat e Kosovës do të ndihmojnë që të punojmë së bashku për zhvillimin e fondeve për bibliotekën”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes, Biblioteka Kombëtare do ta ofrojë të gjithë bibliografinë e Presidentit Rugova, siç janë librat, artikujt e tij, por edhe të gjithë librat e artikujt që janë shkruar për të. Më tej, ajo ka bërë të ditur se dhe Familja Rugova ka premtuar dhurimin e arkivit personal.

“Lajmi i rëndësishëm është që po ashtu familja e Presidentit Rugova ka vendosur që të gjithë arkivin e Presidentit t’ia vë në dispozicion Bibliotekës Presidenciale”, ka theksuar Presidentja.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani i ka ftuar të gjitha institucionet bibliotekare, arkivore dhe muzeore që të ofrojnë material siç janë librat, artikujt, revistat, fotografitë apo eksponatet e Presidentit Rugova.

“Në këtë mënyrë do të ruhen në kujtesën tonë historike  përpjekjet e një populli të tërë për liri dhe pavarësi, e mbi të gjitha për shtetndërtim. Për të treguar se në këtë proces të shtetndërtimit edhe kujtesa institucionale, edhe memoria institucionale janë tejet të rëndësishme”, ka thënë Presidentja Osmani.

Ndërsa, Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport Hajrulla Çeku, ka thënë se duke e kriju këtë institucion dhe duke e pagëzu me emrin e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, përveç që e nderojmë figurën e tij, e nderojmë edhe kombin, edhe Republikën e Kosovës.

“Ne si Ministri e Kulturës bashkë me institucionet që janë në varësi të Ministrisë, me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Muzeun Kombëtar të Kosovës, Arkivave Shtetërore dhe të gjitha pjesët përbërëse do të jemi në dispozicion, do ta marrim me shumë seriozitet këtë detyrë kaq të rëndësishme dhe fisnike në të njëjtën kohë. Prandaj, përveçse kënaqësi ne ndjejmë edhe obligim në të njëjtën kohë që t’i përgjigjemi kësaj nisme, të bëhemi pjesë e Bibliotekës Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova””, ka thënë ministri Çeku.

Nga Arkivi i Gazetës DIELLI-16 Gusht 2016: VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova….  Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 ishte vendosur mibishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Biblioteke presidenciale, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT