-Sot u mbushën 15 vjet nga mbyllja dhe dëbimi i dhunshëm i gazetës tradicionale e historike të Kosovës Rilindja/
-“Zbatohet vendimi i UNMIK-ut për largim nga Pallati i Rilindjes – Gazeta ‘Rilindja’ detyrimisht ndërpret botimin derisa t’i sigurohet lokali i ri i punës”, theksonte në ballinë gazeta në numrin e fundit të përdishëm para 15 viteve, në 21 shkurt 2002/
PRISHTINË, 21 Shkurt 2017/ Sot u mbushen plot 15 vjet nga 21 shkurti 2002, ditës kur administrata e UNMIK detyrimisht mbylli gazetën tradicionale e historike të Kosovës Rilindja me dëbim prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm.
Gazeta Rilindja kërkoi të drejtën edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm.
“Zbatohet vendimi i UNMIK-ut për largim nga Pallati i Rilindjes – Gazeta ‘Rilindja’ detyrimisht ndërpret botimin derisa t’i sigurohet lokali i ri i punës”, theksonte në ballinë gazeta në numrin e fundit të përdishëm para 15 viteve, në 21 shkurt 2002. Atë ditë, administratori i UNMIK-ut në orën 16:00 ndërpreu edhe energjinë elektrike pasi kohë më parë na e kishte ndërprerë edhe ujin në vazhdimësi të presioneve për të dëbuar Gazetën Rilindja nga Pallati i saj e që edhe mban emerin e saj. Pallatin Rilindja aministrata e UNMIK e mbylli edhe me grila hekuri për t’u pamundësuar hyrjen gazetarëve dhe punëtoreve të tjerë të gazetës.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, me punën e gazetarëve e punonjësve tjerë të saj nëpër shtëpa si në kohën e luftës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e kohëpaskohëshme në 30 dhjetor 2008, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Në kushte të jashtëzakonshme, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për shpalljen e Pavarësisë para 9 viteve në 17 Shkurtin historik nuk arriti të dalë të nesërmen, por në 22 Shkurt 2008 doli numër festiv me kryetitullin: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.
Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.
“Dita e 17 Shkurtit 2008 e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është dita më e madhe në historinë e shqiptarëve, pas ditës së 28 Nëntorit 1912 të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Edhe pse në një distancë të largët kohore prej 95 vjetësh, duket se po ndodh diç e afërt nga ajo që është dashur të ndodh që atëherë me përfshirjen edhe të Kosovës në pavarësinë shqiptare. Pavarësia po ndodh në kushte krejt të reja e pas shumë sakrificave e ecjeve rrugës së gjatë që na solli në cakun më madhor: të rrugës së afërt të Kosovës, shtetit më të ri, dhe Shqipërisë shtet gati një shekull, drejt Bashkimit Evropian”, shkruante në ballinë Rilindja.
Lart te logoja po në faqen e parë gazeta historike shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
Në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë 12 shkurt 2017 do të festonte 72 vjetorin.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifillloi në 7 nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën Rilindja edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.
Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar, që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 shkurt 2014. “Kompensimi i punëtorëve në procesin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja, për dëbimin kolektiv nga puna dhe dëmet”, është kërkesa tjetër drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në shkresën e 21 shkurt 2014.
Një e drejtë tjetër e garantuar me ligj për punëtorët e gazetës Rilindja, por që ende nuk u realizua, është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone, përfshirë Arkivin e Rilindjes, pasuri e madhe e gazetës tradicionale dhe kombëtare, për dërgimin e të cilit në Arkivin e Kosovës kemi nënshkruar marrëveshjen në 29 janar 2007 bashkë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – tash Privatizimit, duke pasur për këtë edhe vendimin me shkrim të Kryeministrit të Kosovës.
Para 12 vitesh, në vitin e 60 vjetorit, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, në 3 Maj 2005, gazeta Rilindja në numrin e jashtëzakonshëm protestues në ballinë shkruante në kryetitull: “Gazeta Rilindja e drejtë e shkelur”. Poashtu në ballinë theksonte: “Rilindja në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka këtë mesazh: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar padrejtësisht nga autoritetet”. Ky mesazh proteste është edhe i ditës së sotme dhe i gjithëmonëshëm derisa të ridalë e përditshmja Rilindja.
Behlul Jashari
Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)


PRISHTINË, 20 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron për një vizitë dy ditore në Kroaci, ku është pritur me nderimet më të larta shtetërore. Njoftimi i dërguar thekson se, Hoxhaj ka takuar krerët më të lartë institucionalë të Kroacisë, si presidenten Kolinda Grabar-Kitarovicć, kryeministrin Andrej Plenkovic dhe ministrin e Jashtëm, Davor Ivo Stier. Në takimet e ndara, Hoxhaj ka ngritur nevojën për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe hapjen e një kapitulli të ri të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, të tregtisë, të sigurisë, integrimeve evroatlantike dhe sektorë të tjerë me specifikë për të cilat Republika e re e Kosovës ka shumë nevojë të përfitoj nga Kroacia.Hoxhaj me ministrin e Jashtëm Stier janë pajtuar për konsultime të rregullta dhe koordinim jo vetëm për çështje bilaterale, por edhe rajonale pasi Kroacia është edhe një partner rajonal i rëndësishëm për Kosovën.“Kroacia është një partner i rëndësishëm bilateral për Kosovën dhe me kolegët e mijë në Zagreb kam folur për një thellim të marrëdhënieve tona politike dhe të bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit në të ardhmen të një forumi të përbashkët të investimeve dhe tregtisë në Prishtinë. Po ashtu, Kroacia është edhe një partner rajonal që shtrihet në Evropën Juglindore dhe temat e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë kanë qenë temë e shkëmbimeve tona. Sikurse ky shtet si anëtar i BE-së dhe NATO-s do të jetë një mbështetës i fuqishëm në të ardhmen evropiane të Kosovës por edhe të zbatimit të një marrëdhënie të re me NATO-n që e kemi krijuar nga dhjetori i vitit të kaluar ”, ka thënë Hoxhaj.Ministrat Hoxhaj dhe Stier kanë mbajtur edhe një konferencë për shtyp ku kanë folur edhe për rajonin dhe situatën e fundit të krijuar pas provokimeve të Serbisë. Hoxhaj ka thënë se Kosova mbështetet edhe në Kroacinë për të luajtur së bashku një rol që i kundërvihet sjelljes agresive të Serbisë dhe i pamundësojnë rikthimin e skemave të vjetra të dominimit serb në rajon.Hoxhaj ka takuar edhe ministrin e mbrojtjes, Damir Krstičević me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e sigurisë.Kroacia është shteti i 31-të që ka njohur Kosovën në 19 mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë, të njohur deri tani nga 113 shtete anëtare të OKB-së./b.j/



Prishtinë, 17 shkurt 2017 – Liderë nga e gjithë bota e kanë uruar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, për nëntëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në urimin e tij për presidentin Thaçi, ka shkruar se e ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare.“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të uroj popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë suaj më 17 shkurt. Partneriteti mes dy shteteve tona mbështetet në vlerat dhe interesat e përbashkëta. E ardhmja e Kosovës sovrane, multietnike dhe demokratike bazohet në rajonin e Ballkanit stabil, të begatë dhe plotësisht të integruar në bashkësinë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtuan së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës fitimin e medaljes së artë historike në Lojërat Olimpike në Brazil, si dhe debutimin e përfaqësueses së Kosovës në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA). E mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit tonë të gjerë dhe të thellë, të përqendruar në mbështetjen e rritjes së zhvillimit demokratik dhe ekonomik, forcimin e sundimit të së drejtës në Kosovë, zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, si dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftëtarëve të huaj terroristë”, ka shkruar presidenti amerikan në urimin e tij.Madhëria e Saj, Mbretëresha Elizabeta II e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re, me urimin e saj për pavarësinë, popullit të Kosovës i ka përcjellë edhe urime për sa më shumë lumturi në këtë vit.“Kam kënaqësinë e madhe për t’ju përcjellë, Shkëlqesia Juaj, urimet e mia me rastin e shënimit të ditës tuaj shtetërore, së bashku me urimet e mia më të mira për lumturinë e popullit të Kosovës në vitin vijues”.Kurse, Presidentja e Konfederatës zvicerane, Doris Leuthard, në urimin e saj ka shprehur bindjen se besimi reciprok dhe miqësia që dy shtetet tona gëzojnë do të thellohen edhe më shumë.“Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës është një mundësi e mirëpritur për mua që t’ju përcjell, Shkëlqesia Juaj, në emër të Këshillit Federal Zviceran urimet tona më të sinqerta dhe dëshirat më të mira për prosperitetin e vendit tuaj, si dhe për shëndetin dhe mirëqenien tuaj personale. Jam e bindur se besimi reciprok dhe miqësia që dy shtetet tona gëzojnë do të thellohen edhe në vitin vijues. Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka shkruar në urimin e saj Doris Leuthard, Presidente e Konfederatës zvicerane.Edhe lideri austriak, Alexander Van der Bellen, në telegramin e tij dërguar presidentit Thaçi ka uruar mirëqenie dhe të ardhme të begatë për Kosovën dhe qytetarët e saj.“Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës së Kosovës me kënaqësi të madhe ua përcjell urimet e mia më të ngrohta. Përfitoj nga kjo mundësi të ju dërgoj urimet e mia më të mira për mirëqenien tuaj, si dhe për një të ardhme të begatë të Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar lideri austriak.Ndërkaq, Presidenti i Republikës italiane, Sergio Mattarella, në urimin e tij ka shkruar se marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të njohin perspektiva gjithnjë e më të gjera në rrafshin politik dhe atë ekonomik.


