• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Serbi, dialog pas tensioneve

January 24, 2017 by dgreca

-Kosovë-Serbi, presidentët e kryeministrat sot takim në Bruksel, pas tensioneve e retorikave/

1 takimi 24 Janar

PRISHTINË, 24 Janar 2017-Behlul Jashari/ Në Bruksel ka nisur sonte raundi më i ri i  takimeve në nivel të lartë Kosovë-Serbi, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, ku për herë të parë, pas 30 raundeve kryeministrore, janë edhe presidentët, Hashim Thaçi e Tomislav Nikoliç, bashkë me krerët e qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç.1 Moheri Thaci Isa

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, fillimisht  takoi delegacionin e Serbisë e më pas delegacionin e Kosovës, ndërsa vazhdohet me takimin e përbashkët trilateral. Sipas pritjeve dhe paralajmërimeve, në fokus është dhënia fund situatave tensionuese dhe realizimi i marrëveshjeve.

Ka kaluar një vit pa takime në nivel të lartë, pas të fundit e të vetëmit të 2016-tës të zhvilluar në 27 janar, ndërsa raundi më i ri i dialogut mbahet ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme:  Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në veri të Kosovës pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare.Pas këtyre ngjarjeve, që u pasuan edhe me retorika, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, javën e kaluar i ka ftuar palët për takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për sot në në Bruksel.

“Zhvillimet gjatë ditëve të kaluara e theksojnë nevojën për përkushtim të shtuar dhe angazhim të të dy palëve nëpërmjet dialogut”, thuhej në kumtesen e javes së kaluar të BE-së dhe shtohej se “progresi në normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i rëndësisë së lartë për të dy palët, për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor si të tërë”.

Takimi i sotëm në Bruksel i presidentëve të Kosovës e Serbisë është i pari bashkë me kryeministrat, por është i dyti pas atij të 6 shkurtit  2013, kur është zhvilluar takimi i përbashkët me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, i presidentes kosovare Atifetje Jahjaga në atë kohë dhe presidentit serb, Tomislav Nikoliç,  pas takimeve të ndara që Baronesha zhvilloi me dy presidentët.

“Takim për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore, paqen e stabilitetin në rajon dhe drejt integrimeve evropiane”, e vlerësonte Jahjaga takimin me Nikoliç, duke theksuar se ishte i pari takim i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.

Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, takimi i parë në nivel të lartë kryeministror është mbajtur në 19 tetor 2012.

Në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.

Deri tash, 23 takimet kryeministrore Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dialog, Kosove-Serbi, pas tensioneve

Kosova kujton Presidentin Historik Rugova në 11 vjetorin e shuarjes

January 20, 2017 by dgreca

femija-LAJM I VITIT 2006:  GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE -Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës/flamuri populli-GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA, MËSE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS…berisha rugovarama rugova-“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, ka thënë shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator/popullSPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/Presidenti-Ibrahim-Rugova-e-Behlul-Jashari-Interviste-Rilindja-dhjetor-2002

PRISHTINË, 20 Janar 2017/ Kosova kujton Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, arkitektin e pavarësisë, i cili u shua para 11 vitesh, në 21 janar 2006, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.Një akademi përkujtimore mbahet nesër, në 21 janar 2017, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ndërkohë gjatë ditës do zhvillohen homazhe dhe veprimtari tjera.

Ibrahim-Rugova-Shtatore-Prishtine-foto-Gazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-11Para 11 viteve, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, në kryeqytet. “Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar para 11 viteve, në 21 janar 2006, në mesditë.

Presidenti-Ibrahim-Rugova-e-Behlul-Jashari-Interviste-Rilindja-dhjetor-2002

“Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.Janar2006-Prishtine-

Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, në 23 dhjetor 2005, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit.
Pak ditë para shuarjes, në 16 janar 2006, Presidenti Ibrahim Rugova priti kardinalin e Venedikut, Anxhelo Skola dhe shefin e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Filip Goldberg. Këto ishin takimet e fundit që Presidenti Rugova ka zhvilluar  me diplomatë të huaj para se të ndërronte jetë.

“Presidenti Rugova pret në takime të veçanta Kardinalin Scola, shefin e Misionit Amerikan në Kosovë”, bënte të ditur komunikata nga ato takime të fundit, e dërguar nga Presidenca e Kosovës, në të cilën thuhej:

“Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka pritur sot (e hënë) në një takim Kardinalin Angelo Scola (Anxhelo Skola), Patriark i Venedikut, i cili ka ardhur në Kosovë për ceremonitë mortore të imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovë, i cili ndërroi jetë javën e kaluar.

Kardinali Scola çmoi filozofinë politike dhe vlerat që përfaqëson Presidenti Rugova, duke uruar që Presidenti të përballojë tani edhe sfidën e shëndetit dhe të arritjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Presidenti Rugova vlerësoi kontributin e Imzot Mark Sopit për Kosovën.

Presidenti i Kosovës theksoi se tani që jemi në prag të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, pavarësia dhe sovraniteti i plotë janë zgjidhje që siguron paqe e stabilitet në vendin tonë dhe në këtë pjesë të Evropës.

Po sot, Presidenti Ibrahim Rugova ka pritur në një takim të veçantë edhe shefin e Misionit Amerikan në Kosovë, Philip Goldberg, me të cilin zhvilloi një bisedë për çështjet aktuale në vendin tonë”.

Dr. Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte  idenë për Kosovën Republikë-shtet, që para afër tre dekadave dhe viteve në vijim, edhe drejt negociatave për staustin.

“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, ka thënë shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjitjhshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Të zhvilluara kështu të ndërmjetësuara e garantuara ndërkombëtarisht bisedimet për statusin – pavarësinë e Kosovës, Presidenti Ibrahim Rugova i parashikonte e kërkonte edhe në intervisten ekskluzive, të parën të Presidentit të parë të Kosovës dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), të cilën e zhvillova në shtator 1994.

Presidenti Rugova theksonte se, “ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen gjithsesi në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë, theksonte Presidenti Rugova, dhe shtonte se, kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova. Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991 e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”…

Në intervistën që e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, Rugova falenderonte dhe vlerësonet ATSH-në, për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën që zhvillova atëherë, në vitin 1994.

Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës të shndërruar në seli të institucioneve të Republikës së shpallur.

“Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte ai në një intervistë poashtu ekskluzive që zhvillova në fundvitin 2002, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë të vendosur përjetshëm në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

E teksti i i këngës “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, e cila nga Predidenti historik i Kosovës Rugova është propozuar Himn i Kosovës është ky:

KUR KA RA KUSHTRIMI N’KOSOVË

Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë
Kur ka ra ushtrimi n’Kosovë

Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë
Janë bashku’qytete, katunde
Dhe bjeshkët me malësorë

Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë
Mirë luftojkan Pejë e Gjakovë

Mirë luftoi Prizreni, Prishtina e Llapi me Rugovë
Mirë luftoi Prizreni, Drenica e Llapi me Rugovë

Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë
Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë

Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë
Të na rrnojë e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë

I lindur në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, Ibrahim Rugova, më 23 dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila më shumë se parti lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.
Më 24 maj 1992, pas deklarimit të popullit të Kosovës në referendum për pavarësi një vit më parë, Rugova në zgjedhjet e para nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila ishte shpallur në vitin 1990, por nuk ishte njohur ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Si gjithmonë, edhe më 4 mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës president i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Dr. Rugova theksonte: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.

Personalite të larta nga e gjithë bota, sa herë që vijnë në Kosovë kujtojnë me vlerësimet më ta larta Presidentin historik Rugova.

Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

Në vitin 1998, Tony Blair, atëherë Kryeministër i Britanisë së Madhe, ia kishte dhënë “besën” Ibrahim Rugovës, Presidentit historik të Kosovës, se do të ndihmonte.

Këtë e tregoi vetë Blair në Prishtinë në 9 korrik 2010, në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës:

“Më kujtohet fundi i vitit 1998, vizita në Downing Street e Ibrahim Rugovës. Ai ishte një burrë i qetë dhe modest. Ai më dha një dhuratë të vogël të kristalit të purpurtë dhe të bardhë. E mbajta gjatë tërë qëndrimit tim në Doëning Street mbi tavolinën time. Tash ajo ndodhet në shtëpinë time mbi kaminë.

Ai (Rugova) më tregoi të vërtetën për Kosovën. Orvatjet e popullit të saj, nevojën që bota të dëgjojë, detyrën e botës për të vepruar. Ai nuk bërtiste, nuk e shfaqte gjendjen me slogane ose gjeste ekstravagante. Ai fliste butë por me një sinqeritet mbresëlënës. Përderisa largohej, më tha: ‘Ju lutem, po ju kërkoj vetëm një gjë: mos lejoni që populli im të vuajë më. Ndjeni për të siç ndjeni për popullin tuaj. Dhe ndihmoni’.
I thashë se Britania do të ndihmonte. Ia dhashë ‘besën’ time. Detyrimin tim. Dhe e mbajta. Sot kujtoj Ibrahim Rugovën dhe shpreh respektin tim për lidershipin, vendosmërinë dhe urtësinë e tij”.

Duartrokitjet frenetike në Kuvend pas këtij tregimi shprehën edhe një herë fuqishëm falënderimin dhe mirënjohjen e përjtëshme për Kryeministrin e Britanisë së Madhe në kohën e luftës në Kosovë, Tony Blair, njeriun që bashkë me Presidentin amerikan Bill Clinton kishin vendosur të lëviznin NATO-n për Kosovën.

Në 24 mars 1999 ishte mbrëmja e ditës që i hapi shteg lirisë së Kosovës, ndërhyrjes shpëtimtare së NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit. Ishte një ndërhyrje që pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në  6 shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar.

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

 

LAJM I VITIT 2006:  GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE

-Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës-
PRISHTINE, 23 Janar /ATSH Behlul Jashari/ – Zyra e Shtypit e SHBA-së në Prishtinë sapo ka shpërndarë për mediat letrën që Presidenti i SHBA-së George W. Bush i ka nisur  familjes së Presidentit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës. Në letrën e nisur nga Shtëpia e Bardhë shkruhet: “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Ibrahim Rugova. Kryetari Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqë dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare.
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Kryetarit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës”.

 

GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA

Para 11 vitesh,  në  27 janar 2006, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.

Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1 TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËNNDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.

Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHENDËRKOMBËTARE.

Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokracidhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.

Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006).

  1. DR.IBRAHIMRUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.

Në mëngjesin e 27 janarit 2006 kam raportuar kështu për atë se çka shkruante shtypi i Kosovës për ngjarjen e një dite më parë:

 

SHTYPI I PRISHTINËS: MBI 500.000 NJERËZ NDERUAN RUGOVËN

 

Gazetat e Prishtinës sot (27 janar 2006) shkruajnë gjerësisht për nderimet e larta kombëtare e ndërkombëtare  dhe për praninëmë të madhe diplomatike në historinë e vendit në varrimin e djeshëm të Presidentit Rugova.

“Mbi 500. 000 njerëz kanë marrë pjesë në nderimet më të larta kombëtare e ndërkombëtare në ceremoninë e varimimit tëPresidentit Rugova”, sipas gazetës tradicionale të Kosovës “Rilinda”, që sot në një numër special ka kryetitullin “Bota nderoi”.

Eksluzive te “Rilindja” tri intervista të Presidentit Rugova në periudha të ndryshme, e para para 12 vjetëve dhënë ATSH-së: “Presidenti Rugova parashikoi dhe ndërtoi të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve”.

“Koha ime po vjen”, është kryetitulli i shoqruar me një foto të madhe të Presidentit Rugova në gazetën më të re të Kosovës “Iliria Post” në numrin e saj të parë sot. “Kur flet loti s’ka vend fjala” është një nga titujt e tjerë të kësaj gazete, që boton deklarata të përsonaliteteve kombëtare e ndërkombëtare që vlerësojnë Presidentin Rugova.

“Kosova dhe bota i dhanë lamtumirën e fundit Presidentit të Pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan në ballinë gazeta “Zëri”. Një titull tjetër është nga një deklaratë e Havier Solanës: “Jam i mahnitur me dinjitetin e popullit të Kosovës në  këto ditë të zisë dhe të pikëllimit”. “Perëndimi kërkon nga kosovarët që të bashkohen për të përmbushur boshllëkun pas vekjes së Rugovas”, është titulli nga deklarata e nënsekretarit amerian Nikollas Berns.

“Lamtumirë President, Rugova përcillet me Flamurin e Himnin e tij”, është titulli kryesor n gazetën “Kosova sot”.

“Kosova u nda nga Presidenti i parë i saj Ibrahim Rugova. Lamtumirë”, është kryetitulli në gazetën “Lajm ekskluzive”. Gazeta njofton se në varrimin e Rugovës ishin 36 delegacione shtetrërore me rreth 200 anëtarë.

“Lamtumirë President”, është kryeartikulli i gazetës “Koha ditore”. Kjo gazetë paralajmëron: “Ahtisari sot në Bruksel, tëmarten takohen ministrant e Grupit të Kontaktit”. “SHBA fton shqiptarët që t’i refuzojnë ata që i rreken dhunës”, është një titull tjetër në “Koha ditore”.

“Prehu i qetë në dheun e Kosovës, Dradanisë antike, President Rugova”, është titulli kryesor në gazetën “Bota sot”. “Presidenti i Kosovës i tregoi botës, që nganjëherë diti të jetë indiferente, për vuajtjet e Kosovës”, është një titull tjetër i gazetës, që citon fjalën e Kryeadministratorit Petersen në ceremoninë mortore.

“Presidentit Rugova iu dha lamtumira e fundit”, është kryeartikulli i gazetës “Epoka e re” nga ceremonia e varrimit, e cila gazetë thekson edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë dhe përfaqësuesëve nga shumë vende të botës.

“Pacifisti nderohet nga ushtarët”, është titulli qëndror i gazetës “Express”. “Kosovarët i dhanë nderimet e fundit presidentit tëndjerë Ibrahim Rugova, një ceremoni tejet e organizuar dhe me praninë më të madhe diplomatike në historinë e vendit”, shkruan gazeta “Express”.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, kosova kujton, Presidentin Ibrahim Rugova

Speciale-“Bujku” nisi para 26 viteve, çka shkruante në numrin e parë

January 18, 2017 by dgreca

1 BujkuFoto Gazeta Dielli – Behlul Jashari në Arkivin Shtetëror të Kosovës: Ballina e numrit të parë të gazetës së rezistencës në Kosovë “Bujku”, të 18 janarit 1991/

1 BehlulNë foto: Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova gjatë intervistës ekskluzive për gazetën Rilindja dhënë kryeredaktorit Behlul Jashari në fundvitin 2002: Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë

SPECIALE/ Kosovë-Gazeta “Bujku” nisi para 26 viteve, çka shkruante në numrin e parë?

-Gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe e bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 18 Janar 2017/ Gazeta e rezistencës në Kosovë “Bujku”, që nisi të dalë pikërisht para 26 viteve, në 18 janar 1991, duke nisur edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 mars”. Në ambientet e kësaj gazete para çerek shekulli u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga  dita e 24 majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste, në rrethana të rënda të okupimit  e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda- zyrë e ATSH-së u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, i cili u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, që e shfletoj sot, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar” marrë nga gazeta “Rilindja Demokratike” e Tiranës e 16 janarit 1991. Në faqet e mesme botohej edhe “Kalendari historik”, që  përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…

E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionat, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…

E përditshmja “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha, ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes e luftës gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën e nxorën gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale.

Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek… “Filloi lufta në Gjirin Persik”, është kryetitulli në ballinë, nën të cilin lajmi me titull “Për 24 orë – 1.300 fluturime luftarake” dhe deklarata “Xhorxh Bush: Tërheqje pas fitores”…  Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.

“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë dhe Radiotelevizionin Shqiptar një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk  u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…

Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002.

Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para mëse 8 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.

Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës,  pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 shkurt 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: 26 vite me pare, Behlul Jashari, Bujku

Treni që s’lejohet në Kosovë kthehet në Beograd,protestojnë serbët

January 15, 2017 by dgreca

3 flamur serrb-Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet në Beograd pas ndalimit të trenit ilegal për të hyrë në Kosovë. Presidenti serb Nikoliç kërcënon…

1 Vucic nikoleic-Kryeministri kosovar Isa Mustafa:  Kosova është përballur me një situatë tërësisht të panevojshme të krijuar nga Serbia në kuadër të lojërave të saj të pandershme/

1 Nikolic

-Në Mitrovicën veriore pjesëtarë të komunitetit serb protestojnë/PRISHTINË, 15 Janar 2017/ Në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë u zhvillua sot mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e ftuar nga Presidenti i Republikës, Tomislav Nikoliç, raporton media serbe, ndërkohë në orën 03:56, herët në mëngjes, është kthyer në Beograd, prej nga u nis dje, treni ilegal e provokues drejt Mitrovicës Veriore, të cilit aktoritetet e Kosovës ia ndaluan hyrjen.

“Lëndë e dialogut të Brukselit duhet të jetë vetëm treni, gjegjësisht lëvizja e lirë”, citohet nga media serbe presidenti i Serbisë, Nikoliç, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Nikoliç u kërcënua se çdo përpjekje e ardhëshme  e “institucioneve të përkohëshme” të Kosovës për provokim të konfliktit, si në rastin e trenit, do përfundojë keq.

“Le të mendojnë për këtë shqiptarët dhe sponsorët e tyre”, citohet presidenti i Serbisë, Nikoliç t’u ketë thënë gazetarëve sot në Beograd.

Ndërsa në Prishtinë, mbrëmë, kryeministri kosovar Isa Mustafa në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi tha se, Kosova është “përballur me një situatë tërësisht të panevojshme të krijuar nga Serbia në kuadër të lojërave të saj të pandershme”.

“Kthimi mbrapa i këtij treni është veprim i duhur, dhe se hyrja e tij në Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës nuk do të lejohej, ose në rast se do të hynte do të trajtohej në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.

Mustafa bëri të ditur se, një ditë më parë në Prishtinë ishte mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës ku është marrë vendimi “që institucionet e Republikës së Kosovës në përputhje me situatën të ndërmarrin gjitha veprimet ligjore dhe veprimet kushtetuese”.

Si reagim në këto zhvillime, në Mitrovicën veriore pjesëtarë të komunitetit serb protestojnë sot në mesditë./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Beograd, Kosove, Treni

Speciale: KUR KOSOVA PRISTE VITIN E PAVARËSISË

January 8, 2017 by dgreca


1rilindja
Rilindja, 31 Dhjetor 2004: KOSOVA PRET VITIN E PAVARËSISË/

1-rugova

 -Lajmi i vitit 2005 në Kalendarin e Rilindjes: KOSOVA VLERËSOHET SUKSES NË STANDARDE NJIHET PAVARËSIA E KOSOVËS/

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova: Vit i progresit më  të madh të Kosovës/

1-behlul-haradinaj

-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të Standardeve/

1-philip

Ne Foto: Behlul Jashari me Shefin Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Godlberg/

-Shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Godlberg: Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin një Kosovë demokratike dhe tolerante/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 8 Janar 2017/ “KOSOVA VLERËSOHET SUKSES NË STANDARDE NJIHET PAVARËSIA E KOSOVËS”, ky ishte titulli – “Lajmi i vitit 2005 në Kalendarin e Rilindjes”, që e botonte edhe në ballinë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në numrin special të 31 dhjetorit 2004, festiv, në prag të Vitit të Ri.

Lajmi i plotë ishte ky:

Në Shqyrtimin Gjithpërfshirës në Këshillin e Sigurimit, në Grupin e Kontaktit, etj. Kosova vlerësohet sukses në Standarde. Burimet e “Rilindjes” janë të sigurta se bisedimet për statusin final të Kosovës do të sjellin Pavarësinë, madje vlerësimi sukses i standardeve ka mundësi të pasohet me fillimin edhe më të shpejtë të njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga SHBA-të, vende të BE-së dhe fqinje.

“Njohja e Pavarësisë së Kosovës që tani nga SHBA-të dhe BE-ja do të lehtësonte edhe bisedimet për çështjet e tjera me Beogradin”, thekson udhëheqja kosovare.

“Pavarësia e Kosovës është interesi dhe garancia për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet e saj, mundëson një zhvillim më të shpejtë dhe perspektivat e integrimeve euroatlantike, si dhe qetëson rajonin”. Ky është qëndrimi unanim i institucioneve të Kosovës, që pavarësinë e kanë vullnetin, mandatin dhe besimin e popullit, të votës së lirë të zgjedhjeve të vlerësuara ndërkombëtarisht demokratike.

“KOSOVA PRET VITIN E PAVARËSISË”, ishte kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja, ku në mesazhin e Vitit të Ri 2005 Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte VIT I PROGRESIT MË  TË MADH TË KOSOVËS.

Në pritjen tradicionale të fundvitit, Presidentit Rugova i dhurova ekzemplarët e parë të Kalendarit të Rilindjes me simbolet e Vitit historik të Pavarësisë së Kosovës dhe 600-vjetorit të Skënderbeut, të vitit 2005 të jubileut të 60-vjetorit të gazetës tradicionale, siç theksohet në shënimin nën foton në ballinë. Presidetni Rugova përgëzoi në këtë rast Rilindjen në Jubileun e saj dhe siguroi për zgjidhjen që do të bëhet për gazetën, kryeredaktor dhe kryetar i Këshillit Drejtues i së cilës isha.

“SIGURT DO TË ARRIJMË SUKSESSHËM NË VLERËSIMIN POZITIV TË STANDARDEVE”, ishte titulli po në ballinë të Rilindjes i një interviste që kam zhvilluar në fundvitin 2004 me Ramush Haradinaj, në kohën kur ishte kryeministër – gjatë 100 ditëve të qeverisjes, ku shprehte besimin se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike.“Ne bisedat i konsiderojmë si punë e mëtejme për t’i shpjeguar bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithëve edhe vendeve të rajonit se njohja apo  pranimi i vullnetit politik të popullit të Kosovës për pavarësi, pra njohja e pavarësisë së Kosovës është zgjidhja e vetme dhe që siguron ose shënon edhe më tej ndihmesë në stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit”, theksonte Haradinaj.Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shprehej optimist se Kosova do të arrijë me sukses e me kohë në cakun e caktuar për mesin e vitit 2005 për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe fillimin e bisedimeve për statusin final të Kosovës

“Dinamika jonë, angazhimi ynë, reflekton edhe te UNMIK-u dhe mund të them se sigurt do të arrijmë suksesshëm në maj, pra në gjysmën e vitit që vjen me vlerësimin pozitiv. Veç tani ka sinjale të një sigurie të këtillë edhe nga pala ndërkombëtare duke vërejtur seriozitetin me të cilin ne po angazhohemi për zbatimin e standardeve për Kosovën”, theksonte Haradinaj.  Intervista ekskluzive me kryeministrin Haradinaj u zhvillua pasditën e 30 dhjetorit të vitit 2004 dhe u botua të nesërmen në numrin festiv të Rilindjes të Vitit të Ri 2005, në të cilin gazeta tradicionale e Kosovës kishte jubileun e 60-vjetorit. Me këtë rast të jubileut, kryeministri Haradinaj në zyrën e tij në ambientet e Qeverisë së Kosovës priti për intervistë kryetarin e Këshillit Drejtues e kryeredaktorin e Gazetës  Rilindja, Behlul Jashari, tash korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli.Në këtë numër special botohej edhe intervista ekskluzive e Shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Godlberg, që më dha për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja në jubileun e saj të 60-vjetorit.

“SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS VAZHDOJNË TA MBËSHTESIN NJË KOSOVË DEMOKRATIKE DHE TOLERANTE”, citohej diplomati amerikan në ballinë e në titull të intervistës,  ku Godlberg theksonte: “Standardet, të cilat i ka specifikuar komuniteti evroatlantik janë idealet dhe vlerat me të cilat ne jetojmë çdo ditë dhe në të cilat ne thellësisht besojmë. Këto janë idealet të cilat e përfaqësojnë Evropën e shekullit 21”. “Viti 2005 do të mund të ishte një vit shumë vendimtar për Kosovën pasi që është vit kur ne do të lëvizim drejt një faze të re të procesit në Kosovë. Në kuptimin që mesi i vitit 2005 është koha kur do të bëhet Shqyrtimi Gjithpërfshirës i progresit në standarde, dhe me shpresë se prej kësaj do të rezultojë edhe fillimi i bisedave për statusin”, shprehej diplomati amerikan Godlberg.

NË BALLINË TË RILINDJES paralajmëroheshin edhe: “Mesazhi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Akademik Nexhat Daci – Vit i realizimit të synimeve të Kosovës”, “Intervistë ekskluzive me Akademik Idriz Ajetin – Shkencës së gjuhësisë s’mund t’i dalësh zot pa njohur parimet e shëndosha të metodës shkencore”, “Ekskluzivisht shkruajnë minsitrat Lutfi Haziri e Qemajl Ahmeti”, “RILINDJA 60 VJET MONOGRAFI – Shtojcë speciale – Numri i parë: 12 Shkurt 1945, Prizren”.

Dhe, në këndin lart në ballinë: “RILINDJA” në “JUBILE 60 VJET” uronte “GËZUAR VITIN E RI 2005”.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Kur Kosova, Pavaresine, priste, Ramush Haradinaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 147
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT