• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SPECIALE- ZV PRESIDENTI BIDEN PERFUNDON VIZITEN: SHBA Gjithmonë Përkrahje Kosovës

August 17, 2016 by dgreca

biden-mustafa

-NË KOSOVË RRUGA FERIZAJ-GJILAN EMËRTOHET BEAU BIDEN/

*Kryeministri Mustafa: Tek SHBA-të, Kosova sheh aleatin e saj të përhershëm/

-Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden në vizitë Kosovës: Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit/

-Joe Biden, tash e dy dekada ka mbështetur luftën për lirinë, pavarësinë dhe integrimin e Kosovës në NATO e BE\

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI /më vonë raporti i plotë/

PRISHTINË, 17 Gusht 2016/ Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, mbërrti mbrëmë për vizitë në Kosovë, i pritur në Aeroportin e Prishtinës me ceremoni shtetërore, me nderimet më të larta e mirënjohjen e gjithëmonëshme.

Presidenti i Republikës Hashim Thaçi ka pritur në Aeroport nënpresidentin Joe Biden dhe familjen e tij, siç është shprehur, për t’iu uruar përzemërsisht mirëseardhjen miqve të përjetshëm të Kosovës.“Partneriteti strategjik me SHBA-të na ka mundësuar të bëhemi shtet dhe gjithnjë e më shumë po na bën një shoqëri demokratike me mundësi të barabarta për të gjithë”, është shprehur presidenti i Kosovës.

“Joe Biden, tash e dy dekada ka mbështetur luftën për lirinë, pavarësinë dhe integrimin e Kosovës në NATO e BE”, ka theksuar Thaçi duke shprehur falënderim.Në Prishtinë, sot, nënpresidenti amerikan Biden zhvilloi takime dypalëshe me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa.

“Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit”, deklaroi  në konferencë për shtyp pas takimeve nënpresidenti amerikan Joe Biden.

“Kosova ka shënuar progres dhe ka marrë njohje më të mëdha globale. Jeni në një pozitë ku bota po ju njeh po ashtu jeni duke bërë përpara nën emrin tuaj dhe duke garuar me flamurin tuaj”, tha nënpresidenti amerikan në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin kosovar Thaçi.

“SHBA do të qëndrojë përkrah Kosovës sepse ne besojme tek ajo. SHBA ka dhënë 2 miliardë dollarë ndihma dhe do vazhdojmë të ndihmojmë më tej Kosovën”, theksoi, mes tjerash, në“Pata nderin e veçantë të pres sot Zëvendës Presidentin Amerikan, mikun e madh të Republikës së Kosovës, Joe Biden. Pasi i urova Zëvendës Presidentit Biden mirëseardhje në Kuvendin e Kosovës, zhvilluam një takim shumë të frytshëm bilateral.

Jam thellësisht i bindur se kjo vizitë do të ketë ndikim pozitiv në fuqizimin e mëtejshëm të miqësisë dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Zoti i bekoftë Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, u shpreh kryeministri Mustafa.

Kryeparlamentari kosovar Kadri Veseli ka shkruar në ‘facebook”: “I urova mirëseardhje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mikut tonë të çmuar, zëvendëspresidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe Familjes së tij. Shtetet e Bashkuara janë sinonim i lirisë dhe pavarësisë tonë. Përgjithmonë.”

Gjithashtu, nën patronatin e qeverisë së Kosovës, nënpresidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden do të shkojnë për vizitë afër kampit Bondsteel për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë, Joseph R. “Beau” Biden, III, bën të ditur Ambasada e SHBA në Kosovë.

Ndërkohë, bashkëshortja e nënpresidentit amerikan Biden, Jill Biden do të shkojë në manastrin e Graçanicës, ku do të takohet me peshkopin Teodosije, si dhe do të vizitojë ambientet e manastirit.

Në prag të vizitës, Ambasada amerikane në Prishtinë ka deklaruar për shtypin kosovar se “nënpresidenti vjen në Kosovë për të dëshmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimet demokratike në Kosovë, si dhe për të përforcuar marrëdhëniet e fuqishme midis dy vendeve tona”.

Kjo është vizita e dytë e nënpresidentit të SHBA, Joe Biden,  në Kosovë, pas të parës në 21 maj 2009, pak më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë, kur është dekoruar me Medaljen e Artë të Lirisë, e cila u jepet personaliteteve të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës.

Pavarësinë e Kosovës, të shpallur në 17 shkurtin historik 2008, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.

Që prej 20 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 20 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.

Në pritjen në Aeroport të nënpresidentit amerikan Biden ishte edhe Majlinda Kelmendi, fituse e medaljës së artë në xhudo në “Rio 2016”, të parës medale olimpike të Kosovës shtet. Trajneri i xhudistes, Driton Kuka ka thënë se nënpresidenti amerikan Joe Biden ia dhuroi Stemën Shtetërore të SHBA-ve kampiones olimpike Kelmendi, e përgëzoi dhe nipave të tij ua prezantoi si heroinë të Kosovës.

“Joe Biden Nënkryetar Amerikan jep dekoratë Stemën Shtetërore për Majlindën gjatë zbritjes në Aeroport. Përgëzoi Kampionen tonë dhe ja prezentoj Majlinden nipave të tij si Heroina e Vendit tonë”, është shprehur Kuka.

NË KOSOVË RRUGA FERIZAJ-GJILAN EMËRTOHET BEAU BIDEN

Në Kosovë, emrin e Beau Biden, djalit të ndjerë  të nënpresidentit amerikan Joe Biden e mori sot rruga 35 kilometërshe që lidh dy qytete, Ferizajn e Gjilanin.“Ky është një moment i ëmbël, por edhe i hidhur, pasi po këtu në këtë vend isha me Beau para disa viteve”, tha nënpresidenti amerikan dhe shprehu falënderimet e tij dhe gjithë familjes Biden,  në fjalën e mbajtur në ceremoni, ku morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës dhe drejtuesit e komunave.

Beau Biden ka ndërruar jetë me 6 janar të vitit 2015. Beau Biden, ka punuar në Kosovë në vitin 1998-99 pas luftës, duke ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve vendas për organizatën për siguri dhe bashkëpunim në Evropë (OSCE).

Beau Biden ishte edhe Prokuror i Përgjithshëm në Delaware ndërsa për një kohë kishte shërbyer edhe me Forcat Amerikane në Irak.

PËRFUNDON VIZITA E BIDEN, POLICIA E KOSOVËS: ASNJË INCIDENT

Gjatë realizimit të vizitës së Zëvendës Presidentit Amerikan Joe BIden në Kosovë, në 16 e 17 gusht 2016, Policia e Kosovës ka qenë e angazhuar sipas planifikimeve operacionale të parapara për garantimin e rendit dhe sigurisë së përgjithshme, e në veçanti ka qenë e përkushtuar në ndermarrjen e masave shtesë për siguri që parashihen per porsonalitete të larta.

“Vizita e Zëvendës Presidentit Amerikan z. Biden, në Republikën e Kosovës, ka perfunduar sipas planifikimeve të parapara, nuk është raportuar asnjë incident”, deklaroi pak më parë Policia kosovare.

Policia e Kosovës falenderon të gjithë akterët e përfshirë, e në veçanti qytetarët e vendit për maturinë e treguar dhe mirkuptimin gjatë nderprerjeve të përkohshme të qarkullimit nëpër disa rrugë gjatë realizimit të vizitës dhe njofton se të gjitha rrugët tani janë të lira për qarkullim.

Fjalimi i presidentit Thaçi në ceremoninë e përurimit të rrugës “Beau Biden”/

17 gusht 2016/

I nderuari zëvendëspresident Biden,

E nderuara Dr. Biden,

E nderuara familje Biden,

I nderuari Kryeministër,

I nderuari ambasador Delawie

Të nderuar mysafirë të ceremonisë,

Jemi sot në këtë vend për një arsye shumë të veçantë.Jemi këtu të kujtojmë Beau Biden, por, nëpërmjet këtij kujtimi, të reflektojmë pak edhe për rrugën e përbashkët që kemi ne – Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë botë plot sfida. Beau Biden i ndjerë, për ata që nuk e dinë, përveç se ishte i biri i zëvendëspresidentit Biden, ishte edhe një nga amerikanët që kanë shërbyer me zell dhe me dashuri në Kosovën e pasluftës.Si një jurist i ri dhe entuziast, ai ka ndihmuar që të ngritën kapacitetet e para të sundimit të ligjit.Ai ka ndihmuar prokurorët dhe gjykatësit vendorë të fitojnë përvojën e duhur të drejtësisë, ashtu që Kosova të mos jetë vetëm një shoqëri e lirë, por edhe një vend me të drejta të barabarta.

Ju ftoj të mendojmë pak për këtë koncept të të qenit të barabartë.Zëvendëspresidenti Biden shquhet në SHBA dhe në mbarë botën si një luftëtar për të drejta të barabarta në mes njerëzve. Si i pasuri, ashtu dhe i varfëri, si pjesëtari i shumicës etnike, ashtu edhe ai i pakicës kanë lindur mbi këtë tokë e nën këtë diell, me të drejtën e pamohueshme të lirisë dhe të barazisë.Para 20 vitesh jemi strehuar nëpër male, kur s’ka pasur as autostrada e as rrugë të reja, duke luftuar për lirinë tonë.Kemi luftuar që çdo njeri të jetë i lirë në Kosovën tonë të përvuajtur.

Kemi pasur një fat të paparë.Intervenimi humanitar i SHBA-së dhe aleatëve të tjerë na ka shpëtuar.Partneriteti ynë strategjik tash e një çerekshekulli na ka bërë shtet, na ka bërë një demokraci dhe na ka sjellë në prag të integrimeve euroatlantike.Në majën e majës së këtij udhëtimi të gjatë, por të rëndësishëm historik midis dy shteteve dhe dy kombeve ka qenë zëvendëspresidenti Biden, fillimisht si senator, pastaj si numri dy i shtetit amerikan, por edhe si baba krenar i Beau Biden.Beau, i cili erdhi këtu, na dha kohë të çmuar të jetës së tij të shkurtër dhe mbetet deri në përjetësi simbol i vlerave tona të përbashkëta.

E nderuara familje Biden,

Më lejoni të ju them edhe ca fjalë në fund:Beau, disa vite para vdekjes së tij të hershme, ka thënë se “nuk është gjithmonë mirë të përqendrohemi te caku, pa i shikuar mjetet me të cilat arrijmë në cak”.Nganjëherë duhet të ngrihemi mbi emocione të çastit dhe mbi zhurmën e lajmeve ditore.Duhet të shikojmë më tutje.Mu si kjo rrugë ku jemi sot, që është pjesë e një lidhjeje të re të Kosovës me botën, ashtu edhe ne duhet të jemi pjesë e solucioneve rajonale dhe botërore.Ne, tani, si Kosovë duhet të ofrojmë zgjidhje.Duhet t’u ofrojmë miqësi fqinjëve dhe duhet t’i mbyllim kapitujt e së kaluarës.Nëse ia zgjasim dorën edhe një prindi kosovar serb që ende kërkon fëmijën e zhdukur, nuk na bën kjo të dobët, por shumë më të mëdhenj.Nëse përkrahim të drejtat e barabarta të dashurisë për komunitetin LGBT, nuk na bën kjo më pak të moralshëm, por me fuqi superiore morale.

Nëse kërkojmë të drejtat e një nëne apo motre të goditur nga dhuna familjare, kjo na bën më të fuqishëm.Nëse ngulmojmë në dinjitetin e veteranit të luftës dhe fëmijëve të veteranëve, kjo na bën më krenarë.

Po ashtu, nëse me Malin e Zi forcojmë partneritet strategjik pa asnjë dilemë për kufirin në mes nesh, nuk na bën kjo humbës historik, por na bën fitues të përbashkët të një ardhmërie të sigurt në NATO.Nëse plotësisht normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, ne i japim kuptim paqes – pajtimit në mes popujve dhe vendeve tona.

Të gjithë do të jemi fitues.

Zëvendëspresident Biden dhe Dr. Jill Biden,

 Ju siguroj këtu, në këtë vend, nën emrin e djalit të juaj të ndjerë Beau Biden, se Kosova është  një rrëfim suksesi, është një storie fenomenale e mrekullisë së SHBA-së.Por, mbi të gjitha, ju informoj se në këtë vend, falë punës tuaj, familjes suaj dhe të ndjerit Beau, jemi duke ndërtuar një vend të barabartë për të gjithë.Jam i sigurt se bashkërisht do t’ia dalim.

Ju faleminderit!

***

Kryeministri Mustafa: Tek SHBA-të, Kosova sheh aleatin e saj të përhershëm

Prishtinë, 17 gusht 2016-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës Ferizaj-Gjilan me emrin Joseph R. “Beau” Biden, III, djalit të Zëvendës Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden.Ceremonia që u organizua në Sojevë të Ferizajt, në afërsi të kampit Bondsteel, u mbajt pas takimeve që Zëvendës Presidentit Biden zhvilloi në orët e mëngjesit me Kryeministrin Isa Mustafa dhe Presidentin Hashim Thaçi.

Kryeministri Mustafa, para të pranishmëve të shumtë ku ishin edhe familja e Zëvendës Presidentit Joe Biden, dhe shumë personalitete vendore e ndërkombëtare, shprehu bindjen se emërtimi i kësaj rruge  me emrin e Beau Biden, do ta forcojë edhe më shumë lidhjen ndërmjet popullit të Kosovës dhe të SHBA-ve.

Duke vlerësuar lartë kontributin e Beau Biden dhënë pas luftës në vënien e themeleve të sistemit juridik në Kosovë, Kryeministri Mustafa, tha se ai meriton të jetë engjëlli mbrojtës i kosovarëve për shkak të historisë së jetës së tij.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Kosovës. Prandaj, edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin Beau Biden, ju lutemi ta shihni si një përpjekje të kosovarëve për të respektuar angazhimin e qindra, mijëra e miliona amerikanëve për çlirimin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj. Partneriteti mes dy vendeve tona është natyral. Ne ndajmë vlera të përbashkëta. Prandaj, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sheh aleatin e vet të përhershëm, të cilin, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka emërtuar mrekullisht si Miqësi të përhershme të dy vendeve që kanë të vendosura lidhje speciale”, tha kryeministri Mustafa.

 ***

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në ceremoni.

 I nderuari Zëvendës president i SHBA-ve, Joe Biden

E nderuara doktor Jill Biden

Shumë e respektuara Familje Biden,

I nderuari President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi

Të dashur kryetarë të Gjilanit dhe Ferizajt, z. Lutfi Haziri dhe Muharrem Svarqa

Të nderuar të pranishëm, 

Jam i nderuar që Ju drejtohem nga kjo pjesë e rrugës Beau Biden, e cila lidhë dy qytete të mëdha të Kosovës, Ferizajn dhe Gjilanin.Kjo rrugë, jam i bindur se do ta forcojë edhe lidhjet mes dy popujve dhe shteteve tona.Beau Juaj i dashur, në këtë mënyrë bëhet i Kosovës, ku ai shërbeu me fisnikëri për të vënë themelet e një shteti të së drejtës. Kjo rrugë përshkon Bondstill-in, ku kosovarët shohin garantin e mbrojtjes dhe të sigurisë së tyre dhe të rajonit të Ballkanit.Beau Biden e meritoi të jetë Engjëlli Mbrojtës i kosovarëve.Për shkak të historisë dhe jetës së tij.Për shkak të gatishmërisë së tij për t’ia krijuar sistemin e drejtësisë një populli të sunduar padrejtësisht për shekuj të tërë.Për shkak se karakteri i tij luftarak për jetën është simbiozë e përpjekjes për mbijetesë të kosovarëve.Për shkak se emri i tij Beau dhe mbiemri i tij, Biden, mishërojnë kuptimin e mikut të çdo kosovari.  Doktor Biden, Faleminderit që keni nderuar popullin tim me ardhjen tuaj në Kosovë.Ju jeni një shembull i shkëlqyer i ruajtjes së vlerave të familjes.Populli im ka mbijetuar duke kultivuar këtë vlerë të shenjtë.Miku im, Joe, më lejoni t’ju drejtohem në emër dhe më fal nëse trazoj ndjenjat tuaja.Beau nuk mund të ishte ndryshe. Veçse një djalë i denjë i familjes së mrekullueshme Biden.Populli i Kosovës dhe unë, admirojmë forcën dhe karakterin tuaj për t’u ngritur mbi dhimbjen.Për të shikuar përtej saj, tek e ardhmja, për pasardhësit e Beau-t, Natali e Hunter. Për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të globit tonë.

I nderuar zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotëri Joe Biden.

 Siç biseduam edhe në Prishtinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Kosovës.Prandaj, edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin Beau Biden, ju lutemi ta shihni si një përpjekje të kosovarëve për të respektuar angazhimin e qindra, mijëra e miliona amerikanëve për çlirimin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj.Partneriteti mes dy vendeve tona është natyral. Ne ndajmë vlera të përbashkëta. Prandaj, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sheh aleatin e vet të përhershëm, të cilin, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka emërtuar mrekullisht si Miqësi të përhershme të dy vendeve që kanë të vendosura lidhje speciale.

 I nderuar zëvendëspresident Biden,

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpëtuar Kosovën.

Kanë mbështetur e po mbështesin rindërtimin dhe shtetndërtimin e saj.

Ne e ndjejmë se falënderimi ynë më i mirë për tërë këtë investim tuajin është ta bëjmë Kosovën një shtet të denjë për të qenë mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ne kemi shumë punë për ta arritur këtë objektiv.

Kemi edhe shumë pengesa gjatë rrugës.

Por, populli i Kosovës do t’u del ballë shtigjeve të gjata.

Ai do t’i kapërcejë pengesat dhe do ta bëjë Kosovën një vend të denjë për të jetuar secili qytetar i saj, pavarësisht përkatësisë etnike dhe pavarësisht besimit.

Populli i Kosovës i beson përkushtimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta mbështetur Kosovën.

Për zhvillimin e saj ekonomik.

Për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.

Për sundimin e rendit dhe të ligjit.

Për forcimin e demokracisë së saj.

Për të qenë faktor i stabilitetit rajonal.

Për të krijuar raporte të mira me fqinjët.

Për të forcuar subjektivitetin e saj shtetëror.

Për të qenë e barabartë në familjen euro-atlantike.

Për të qenë një rrëfim i plotë i suksesit, të cilit i gëzohen të gjithë miqtë e saj.

Siç iu gëzuan triumfit të Majlinda Kelmendit në Olimpiadë.

Për ta bërë Kosovën një shtet që sillet me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj interesave të tyre.

Një shtet që është i gatshëm të marrë dhe t’i zbatojë obligimet ndërkombëtare.

  Doktor Jill, i nderuar zëvendëspresident Joe,

 Rruga, emërimin e të cilës po e promovojmë sot, jam i bindur se do ta kthejë shpesh vëmendjen e familjes tuaj kah Kosova.Sipas traditës tonë, shtëpia e kosovarit është shtëpi e mikut të tij.Ju tashmë jeni miqtë e Kosovës.

Nuk keni nevojë për ftesë që të vini në Kosovë.

Sepse ju tashmë vini në shtëpinë tuaj.

Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme

Zoti e bekoftë familjen Biden

Zoti e bekoftë popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.

Biden-Kosove-16-e-17-gusht-2016

Filed Under: Featured, Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Joe Biden, perkrahje Kosoves, SHBA gjithmonë

Kosovë-“Ditët e Diasporës” në fshatrat e Gallapit

August 15, 2016 by dgreca

2 Ditet e Diaspores

 PRISHTINË, 15 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë, në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës”, në fshatin Dushkajë (ish-Dabishec) për herë të parë u organizua aktiviteti për nder të takimeve me bashkatdhetarë të fshatrave Dushkajë, Gjelbrishtë dhe Murrizajë. Për dy ditë rresht u organizuan aktivitete të shumta nga fusha e kulturës, artit, sportit dhe  garat tradicionale me pjesëtarë të diasporës nga kjo trevë. 
Në këtë takim ishte i pranishëm  edhe ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, i cili në fjalën përshëndetëse i falënderoi organizatorët dhe të pranishmit, të cilët kishin ardhur me qindra për këto takime. 
“Prania juaj në numër kaq të madh tregon përkushtimin tuaj për të qenë së bashku në festën ‘Ditët e Diasporës’. Përmes këtyre manifestimeve, po mundohemi të kontribuojmë në ruajtjen e identitetit, si dhe t’ju ofrojmë një laramani të aktiviteteve, për t’ju treguar se jeni pjesë e atdheut”, tha ministri Murati. 
Dita e parë ishte e mbushur me aktiviteteve kulturore, poetike dhe program artistik. Ky program  filloi me nderimin e dy dëshmorëve të kësaj ane, Azem Babiqi dhe Sali Matoshi. Dita e dytë u shënua me plot aktivitete në disiplina të ndryshme sportive, si vrapim, futboll, boks, shah, hedhje e gurit etj.
Ky aktivitet, i cili u mbështet nga Ministria e Diasporës dhe Komuna e Prishtinës, duke u bazuar në interesimin e madh të pjesëmarrësve, mëton të bëhet tradicional./b.j/

Filed Under: Mergata Tagged With: Behlul Jashari, Ditet e diaspores, Gallapi

SPECIALE Prishtinë-Traditë dhe njohje ndërkombëtare

August 15, 2016 by dgreca

 

1 SheshiFoto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Fakulteti i Filologjisë (më parë Fakulteti Filozofik) i Universitetit të Prishtinës, ku në vitin 1974 u themelua Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare /

Prishtinë-Traditë dhe njohje ndërkombëtare/

-Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e katër sesione derit tash dhe i sivjemi është jubilar – i tridhjetë e pesti/

-Mes mëse 120 pjesëmrrësve nga shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë e Kosovën, studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht, këtë vit për herë të parë marrin pjesë arbëreshë nga Zara, qytet bregdetar në Kroaci/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI /

PRISHTINË, 15 Gusht 2016/ Në kryeqytetin e Kosovës, sot në mesditë, u hap Seminari XXXV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, me një solemnitet në Universitetin e Prishtinës-Fakultetin e Filologjisë, ku edhe është themeluar.  Në ceremoninë ku morën marrin pjesë edhe krerë të institucionave të Kosovës, ambasadorë, akademikë dhe seminaristë, e para foli dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, e cila tha se të flasësh për historikun e Seminarit është të sikur të flasësh për jetën e Fakultetit të Filologjisë në veçanti dhe të Universitetit të Prishtinës në përgjithësi.

“Një rrugëtim i vështirë, me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë, një tubim i lartë shkencor dhe kulturor që ka arritur të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm ndërkombëtar dhe me impakt të lartë në avancimin e shkencës dhe të kulturës, në zbërthimin e gërshetimit të gjuhëve e të kulturave të ndryshme me shqipen dhe në avancimin e studimeve gjuhësore, letrare dhe kulturore të shqipes në shumë qendra botërore universitare”, tha dekanja Rugova.

Kryeministri Isa Mustafa, e cilësoi Seminarin si një prej ngjarjeve e cila e përfaqëson më së miri identitetin dhe kulturën shqiptare.

“Seminari pa asnjë dyshim tani më është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës shqipe ku bashkohen njohës të gjuhës shqipe, të letërsisë dhe të kulturës dhe për disa ditë ata shkëmbejnë dijet e tyre, komunikojnë dhe mësojnë gjithnjë duke avancuar edhe me tutje dijet albanologjike. Ky seminar tanimë ka traditë dhe njohje ndërkombëtare. Është bërë shenjë identifikuese e Kosovës dhe e Prishtinës dhe kjo të gjithë neve na bënë nder”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kryeparlamentari, Kadri Veseli, në fjalën e tij falënderoi themeluesit dhe profesorët të cilët i kanë dhënë jetë Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

“Ky është një shembull i mirë do të thoja për institucionet e Republikës së Kosovës, një traditë shumë e mirë e promovimit të Kosovës e cila do të duhej të ndodhte jo vetëm në këtë fushë ,e cila po tregon dhe po besoj veçanërisht në fushën e zhvillimit tonë ekonomik në mënyrë që të kemi sa më shumë investitorë që investojnë në Kosovë, ta njohin Kosovën ashtu si besoni dhe të vini sot në Kosovë me dhjetëra e qindra studiues të albanologjisë”,  tha kryetari i Kuvendit, Veseli.

Në një fjalë rasti, drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, ftoi rektorin, prorektorët dhe autoritetet akademike që vendosin për valorizimin e punës shkencore në Universitetin e Prishtinës të kenë parasysh faktin se Seminari nuk është institucion i izoluar i albanologjisë, por institucion që  krahas promovimit të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare,  synon ta ndërlidhë albanologjinë me shkencën dhe letërsinë botërore.

“Studimet kontrastive e ndihmojnë albanologjinë. Injorimi i tendencës për përfshirjen e albanologjisë në shkencën dhe letërsinë botërore shpejt mund ta shndërrojë Seminarin në një institucion lokal të dijes që sillet rreth vetvetes”, theksoi Paçarizi.

Ai Seminarin e vlerësoi ngjarjen më të madhe kulturore dhe shkencore të albanologjisë. “Këtë vit jemi të lumtur t’ua urojmë ditëlindjen e 80-të, disa prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare, Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes dhe Adem Demaçit”, u shpreh drejtori Paçarizi.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, folën gjithashtu në ceremoninë e hapjes  së Seminarit duke vlerësuar faktin se, “tashmë ka një traditë të gjatë dhe është afirmuar në katër anët e botës” dhe se, “ky organizim shkencor  synon të promovojë gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe është dëshmi e gjallë që këto institucione kanë potencial për prodhim të dijes dhe shkencës”.

Deri në 26 gusht, kur përmbyllet,  tre temat bosht  të Seminarit për sesionet shkencore do jenë: Gjuhësi -Varietetet e shqipes; Letërsi – Koncepti i tjetit në letërsinë shqipe;  Kulturologji – Media dhe kultura në epokën e internetit.

Programi bazë i Seminarit XXXV është: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre shkallë); Ligjërata të veçanta të gjuhësisë; Ligjërata për letërsinë shqiptare; Ligjërata për kulturën shqiptare; Referime shkencore; Ligjërata të përgjithshme; Tryeza të rrumbullakëta.

Mes mëse 120 pjesëmrrësve nga shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë e Kosovën, studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht, këtë vit për herë të parë marrin pjesë arbëreshë nga Zara, qytet bregdetar në Kroaci.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëvetë Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e katër sesione derit tash dhe i sivjemi është jubilar – i tridhjetë e pesti. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

3 Mustafa Kryem

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, njohje nderkombetare, SPECIALE Prishtinë-Traditë dhe

LUFTA NË LAJME, Diplomati amerikan Jim O’Brian në Prishtinë

August 15, 2016 by dgreca

Në foto: Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, në 6 qershor 1996, u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, bashkë me familjen ka marrë pjesë në hapjen solemne të Zyrës Amerikane në Prishtinë, të parës nga gjithë bota, në një ditë historike.

KOSOVA-LUFTA NË LAJME/ Diplomati amerikan Jim O’Brian në Prishtinë…/

-Raportime në 15 gusht 1998/

PRISHTINË, 15 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul JASHARI/ Në Kosovë, para 18 viteve, në 15 gusht 1998, diplomati amerikan Jim O’Brian po takohej me Grupin negociator kosovar, në Zyrën e SHBA në Prishtinë… Bëhej thirrje të ndërhyjë faktori ndërkombëtar për të ndalë sulmet e forcave serbe, që po vrisnin e masakronin shqiptarët, po bomardonin dhe digjnin vendbanimet shqiptare, po bënin spastrim enik…Këtë e raportoja:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1998/98-08-15.ata.html

[08] LDK urges urgent intervention to stop catastrophe in Kosova

PRISHTINE, Aug 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the Presidency of the Democratic League of Kosova called on international factors to urgently intervene to stop the attack in the Peja and Deçan, where Serb forces have also used the warplanes.

The appeal said that the consequences of this barbarous attack if not immediately interrupted could be catastrophic for the population of the area, where besides local populace there are a great number of refugees from other regions already ethnically cleansed.

The situation in Peja and Deçan areas, which are under attack is more than dramatic, the LDK presidency said. It called on the United States, European Union, NATO and the U.N. Security Council to undertake urgent action to oblige Serbia stop immediately the attacks and withdraw military and police forces from Kosova.

“It is time to exert a real pressure on Belgrade if it exists a real wish to resolve the Kosova issue,” the LDK appeal said. mp/das/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[09] Serb forces torch Suhareka villages

PRISHTINE, Aug 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that Serb forces set two Albanian villages on fire on Friday evening in the commune of Suhareke, Duhle and Bllaca, the Democratic League of Kosova division in Suhareka said.

These villages which were completely destroyed and ethnically cleansed, are engulfed by flames and fire. The Serb forces have raided all the houses. mp/das/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[11] Serb forces resume shelling in Lipjan, Shtimje

PRISHTINE, Aug 15 – ATA correspondent Behlu Jashari reported that Serb forces resumed shelling on Saturday at 14.30. p.m. from Zborc, commune of Shtimje, 30 km southwest of Prishtina.

The heavy artillery has shelled last night and early in the morning the villages of Kleçke, Shale and Krojmir of Lipjan commune and village of Pjetreshtice, commune of Shtimje.

Sources on the ground said that some Albanian civilians have been wounded and there are no reports on casualties.

The local population which had returned to its houses was forced to flee again due to new attacks of Serb forces and was now in open air in the mountains. fh/das/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[13] US senior adviser meets Kosova negotiation group

PRISHTINE, Aug 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the diplomat Jim O’Brian, senior adviser to the U.S. Secretary of State Madeleine Albright, arrived in Kosova.

The U.S. diplomat, who is expected to attend the process of negotiations between Prishtina and Belgrade, met on Friday the negotiation group named by Kosova president Ibrahim Rugova at the U.S. office in Prishtina.

Following the announcement of the Kosova negotiation group, the U.S. diplomat Christopher Hill, who mediates talks between Prishtina and Belgrade, had said “the United States will remain an active partner in finding a solution to the Kosova issue” and in the days to come the Americans “will work tete-a-tete with the negotiation teams to go ahead.” shdha/ak/

Albanian Telegraphic Agency

Filed Under: Histori Tagged With: 15 gusht 1998, Behlul Jashari, Ditari i Luftes, Jim O'Brian, Prishtine

SPECIALE PER DIELLIN: Prizren-DokuFest përmbyllet me ceremoni e çmime

August 14, 2016 by dgreca

 

1 mbyllet Doku– Në gjashtë kategori, në garë ishin gjithsej 107 filma. Çmim filmit të regjisorit serb Ognjen Glavonić “Thellësia dy” –“Depth two” (“Dubina dva” në serbisht), i cili ballafaqon Serbinё me krimet e kryera gjatё luftёs nё Kosovё në fundshekullin e kaluar/

-Derisa ka vijuar DokuFest, nga Kalaja e Prizrenit është shikuar perëndimi i diellit nën tingujt e iso-polifonisë shqiptare, nga Grupi Jonianët/

PRIZREN, 14 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në qytetin e Prizrenit natën e kaluar është përmbyllë Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest,  edicioni i 15-të jubilar, me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Kinemanë Lumëbardhi, pas vendimeve të jurive.

Në gjashtë kategori, në garë ishin gjithsej 107 filma,  ndërsa në garën për filmin më të mirë të Ballkanit fituesi është filmi i regjisorit serb Ognjen Glavonić “Thellësia dy” –“Depth two” (“Dubina dva” në serbisht), i cili ballafaqon Serbinё me krimet e kryera gjatё luftёs nё Kosovё në fundshekullin e kaluar.

Tregimi i filmit, sipas prezantimit të DokuFest, është ky: “1999: Derisa NATO po bombardonte Jugosllavinë, një kamion me 53 trupa të vdekur zhytet në Danub pranë kufirit me Rumaninë. Asnjë hetim nuk ndërmerret. Më parë, në Suharekë, Kosovë: policia serbe tubon fshatarët. Një grua përjeton gjëra të tmerrshme, trupat zhduken në varret masive të largëta. Për njerëzit thjeshtë pothuajse nuk ka konsideratë. Ngjarje monstruoze, çdo dhe secila hollësi të organizuara në bazë të një logjistike të dhunës nga një shtet që zbaton një plan sekret vdekjeprurës kundër popullsisë së vet. ‘Dubina dva’ me sukses mat të vërtetën. Njerëzit mund t’i vrasin njerëzit, por jo edhe kujtimet”.

Deklarata e jurisë në përbërje Eric Hynes, Marek Septimus, Maria Bonsanti ishte kjo: “Për filmin të cilin të gjithë e konsideruam të përmbushur në aspektin kinematografik aq sa është shkatërrues moralisht, duke e përdorur një gjuhë për t’ia përshtatur temës së tij që e kombinon dëshminë në audio me pamje nga peizazhe të braktisura tragjikisht, duke e vënë shikuesin në pozitën edhe të reflektimit historik edhe të nëpërkëmbjes aktuale, dhe duke ofruar një betejë të shtresuar, emocionale dhe intelektuale të cilën nuk do ta harrojmë shpejtë, me admirim të thellë, mirënjohje dhe entuziazëm e shpërblejmë filmin ‘Depth two’ nga Ognjen Glavonic me çmimin Best Balkan Documentary”.

Organizatorët janë shprehur shumë të kënaqur me ecurinë e festivalit dhe falenderimet ishin edhe për iso-polifoninë për ngrohtësinë që solli me muzikën shqiptare nga jugu. Derisa ka vijuar DokuFest, nga Kalaja e Prizrenit është shikuar perëndimi i diellit nën tingujt e iso-polifonisë shqiptare, nga Grupi Jonianët.

Në DokuFest 2016, festivalin e hapur në 5 gusht me ceremoninë e zhvilluar në kinemanë mbi lumin Lumëbardh, sipas orgnizatorëve, u shfaqen 238 filma nga 57 shtete të botës, mes tyre Shqipëria e Kosova, që janë përzgjedhur nga një numër rekord – mbi 5 mijë aplikime.

Korrupsioni ishte tema qendrore e DokuFest 2016, ndërsa janë mbajtur punëtori, panele, debate, master klasa, ekspozita dhe një seri e organizimeve në kuadër të DokuNights, që kanë përfshirë  edhe yjet botërorë si Omar Souleyman dhe Yasmine Hamdan.

DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

Njoftimi i plotë dërguar nga Festivali: DOKUFEST XV SHPALL FITUESIT!

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, që u mbajt sot në Kinemanë Lumbardhi në Prizren, pas vendimit të jurisë, u shpallën fituesit e edicionit të 15 të Dokufest-it. Nga gjashtë kategori, në garë ishin gjithsej 107 filma. Në fund do të jepet edhe çmimi i publikut.

Duke arritur që për nëntë ditë të organizojë  aktivitete nga më të ndryshmet, gjatë festivalit janë shfaqur 238 filma nga 57 shtete, janë mbajtur punëtori, panele, debate, master klasa, ekspozita dhe një seri e organizimeve në kuadër të DokuNights, që kanë përfshirë  edhe yjet botërore si Omar Souleyman dhe Yasmine Hamdan, Prizreni edhe njëherë u kthye në qytetin ku gërshetohet kinemaja dhe kultura.

Ju lutem gjeni listën e fituesve më poshtë:

GARA PËR FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT – FITUESI: THELLËSIA DY nga Ognjen Glavonić

Juria: Eric Hynes, Marek Septimus, Maria Bonsanti

Deklarata: Për filmin të cilin të gjithë e konsideruam të përmbushur në aspektin kinematografik aq sa është shkatërrues moralisht, duke e përdorur një gjuhë për t’ia përshtatur temës së tij që e kombinon dëshminë në audio me pamje nga peizazhe të braktisura tragjikisht, duke e vënë shikuesin në pozitën edhe të reflektimit historik edhe të nëpërkëmbjes aktuale, dhe duke ofruar një betejë të shtresuar, emocionale dhe intelektuale të cilën nuk do ta harrojmë shpejtë, me admirim të thellë, mirënjohje dhe entuziazëm e shpërblejmë filmin DEPTH TWO nga Ognjen Glavonic me çmimin Best Balkan Documentary.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT filmin SOMETHING ABOUT LIFE nga Nebojsa Slijepcevic.

Deklarata: Juria deshi të falënderojë grupin e filmave të shkurtër tepër të fuqishëm që ishin në garë, si Postcards from Manila, A Short Family Film, dhe It Could Be a Film. Por filmi i cili qëndroi me ne gjatë gjithë javës është një film i vëzhgimit me respekt dhe kureshtje të madhe, një portret i vogël megjithatë i thellë i një vajze të re që ka një familjaritet të lindur me bashkëpunimin. Juria i jep mirënjohje të veçantë filmit SOMETHING ABOUT LIFE nga Nebojsa Slijepcevic.

Juria e njejtë zgjodhi FILMIN MË TË MIRË NGA REGJISORI BALLKANIK NË ARDHJE: TOURISM (TURIZMI) nga Tonci Gacina.

Deklarata: Për filmin i cili i qaset me ndjeshmëri të madhe, humor dhe humanitet një subjekti të cilit një tjetër regjisor thjesht mund ta përqeshte, një film që zë të gjithë ekosistemin, nga punëtorët deri te pushuesit, nga uji në ajër, me një kamerë të kujdesshme, të qetë dhe të gjithëpranishme. Ky është regjisori të cilin jemi shumë të emocionuar ta përcjellim në të ardhmen. Çmimi Best Balkan Newcomer i shkon filmit TOURISM nga Tonci Gucina.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË NGA REGJISORI BALLKANIK NË ARDHJE filmin DRUMS OF RESISTANCE nga Mathieu Jouffre.

Deklarata: Për filmin i cili merr formën e bashkëbisedimeve, një shkëmbim i hapur i kujtimeve personale, që e lejon të shkuarën të dalë në të tashmen si diçka relevante derisa gjithashtu e përdor dialogun dhe përcjelljen e përvojës si mjet rezistence; Juria i jep një mirënjohje të veçantë filmit DRUMS OF RESISTANCE nga Matthieu Jouffre.

FILMI MË I MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR I METRAZHIT TË GJATË – FITUESI: OLEG AND HIS RARE ARTS nga Andrés Duque

Juria: Carlos Ramos, Jetmir Idrizi, Luke Moody, Nick Pinkerton, Rachael Rakes

Deklarata: Oleg and His Rare Arts është një dokumentar i pazakontë muzikorë që lejon personazhin ta udhëheq filmin, një personazh i paimitueshëm të cilit i jepet hapësira dhe koha në të cilën mund ta shpalosë veten në kohën e tij të mirë. Montimi është i çuditshëm dhe i shkathtë, duke i zgjedhur momentet e buta, të shkëlqyera, rrëfyese në kohë të përsosur, duke ndryshuar në vazhdimësi në mes të interpretimeve të gjata dhe të shkurtra.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR TË METRAZHIT TË GJATË filmin ON FOOTBALL nga Sergio Oksman.

Deklarata: Filmi shumë tërheqës i Sergo Oksman e sajon strategjinë e tij – një sekuencë e xhirimeve me kamerë kryesisht të rregulluar, duke dokumentuar bashkimin e regjisorit me babanë e tij të larguar gjatë periudhës së Kupës Botërore në Brazil – dhe nuk e braktis orientimin e tij edhe përballë tragjedisë: Tragjedisë së një adhuruesi, dhe tragjedinë e të birit. Ashpërsia e qasjes së Oksmanit e zmadhon më shumë se sa e qetëson ndikimin emocional të imazheve, në një film i cili në mënyrë elokuente, thjesht e shpreh shkallën në të cilën sporti mund të luaj rolin e një kanali komunikimi në mes të burrave të heshtur e të tërhequr.

FILMI MË I MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR I METRAZHIT TË SHKURTËR – FITUESI: IMPRESSIONS OF A WAR nga Camilo Restrepo

Juria: Carlos Ramos, Jetmir Idrizi, Luke Moody, Nick Pinkerton, Rachael Rakes

Deklarata: Impressions of a War pikturon një fotografi të fuqishme dhe të thellë të konfliktit të brendshëm të 70 viteve të fundit në Kolumbi. Duke u larguar nga papërsosuria e gazetave vendore, Camilo Restrepo krijon një univers të shkëlqyer ku këto të meta janë të pranishme në strukturën e filmit, duke theksuar një kombinim të pasur dhe kuptimplotë të shtresave që i drejtohen aspekteve historike, politike dhe njerëzore të rajonit.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR TË METRAZHIT TË SHKURTËR filmin THE PARK nga Randa Maroufi.

Deklarata: The Park ofron një vizion të guximshëm koreografik të rinisë marokene. Dekonstruktimi i regjisorit të fenomenit ‘selfie’ na jep një vetëdije më të lartë për politikën dhe kompozimet artificiale të këtyre imazheve. Secila kornizë është e mbushur pamje të brishta të testosteroneve si friza antike gati për tu shkatërruar.

 

FILMI MË I MIRË PËR TË DREJTAT E NJERIUT – FITUESI: HOMELAND (IRAQ YEAR ZERO) nga Abbas Fahdel

Juria: James Longely, Mustafa Kerem Yuksel, Tue Sten Muller

Deklarata: Një dokumentar monumental dhe i papërkulur që me qetësi shpalos rutinën ditore të një familje irakiane që vërtitet buzë një tragjedie, Homeland e personalizon çmimin e vërtetë të luftës përmes vështrimit plot respekt të regjisorit.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË PËR TË DREJTAT E NJERIUT filmin STARLESS DREAMS nga Mehrdad Oskouei.

Deklarata: Një film dokumentar i një hijeshie të rrallë, Starless Dreams eksploron botën e brendshme të grave të burgosura në Iran me një saktësi emocionale të pashlyeshme dhe ndjeshmëri ndaj subjektit të tij.

 

FILMI MË I MIRË PËR AMBIENTIN – FITUESI: WHEN TWO WORLDS COLLIDE nga Heidi Brandenburg dhe Mathew Orzel

Juria: Defne Koryurek, Diego Mas Trelles, Martin Horyna

Deklarata: Patëm një ndjenjë shumë të fuqishme për sinqeritetin e punës, përkushtimin e përzemërt dhe respektin për personazhet dhe njerëzit e përfshirë. Prandaj, do të donim t’i falënderonim regjisorët dhe ekipin për sjelljen e një barbarizmi aq të madh që mori jetët dhe rrezikoi jetesën e shumë të tjerëve. Do të donim t’ia jepnin çmimin filmit When Two Worlds Collide.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË PËR AMBIENTIN filmin THE WOODS DREAMS ARE MADE OF nga Claire Simon

Deklarata: Do të donim t’i jepnim një mirënjohje të veçantë punës e cila paraqiti një sfidë aq të madhe për ne. Ne e falënderojmë regjisoren dhe ekipin e saj që na dha rastin ta shohim ekologjinë nga një këndvështrim tërësisht ndryshe. E falënderojmë për sfidën filmin The Woods Dreams Are Made Of.

 

FILMI MË I MIRË I SHKURTËR – FITUESI: IMPORT nga Ena Sendjevic

Juria: Anri Sala, Barbara Orlicz – Szczyputa, Christopher Tidman

Deklarata: Juria e shpërblen me çmimin e parë një vështrim intim në natyrën absurde të fillimeve të reja. Përmes përdorimit të teknikave vizuale unike për kohën e tyre, ai eksploron një temë që është edhe sot relevante. Një vështrim i çuditshëm në Migrimin, Ndarjen, Integrimin, Pranimin dhe Familjen në kërkim të një normaliteti të ri.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË TË SHKURTËR filmin FRANKFURTER STR. 99A nga Evgenia Gostrer

Deklarata: Një fotografi e çastit e një jete të rëndomtë të pak ditëve më parë e treguar në mënyrë unike përmes stilit të veçantë të animuar. Një përzierje e animacionit me dokumentar, që nuk kombinohet shpesh në rrëfim, formohen bashkë në mënyrë të përkryer për të eksploruar këtë marrëdhënie.

 

GARA KOMBËTARE – FITUESI: PERFORMANCË nga Dritëro Mehmetaj

Juria: Blerta Basholli, Christoffer Olofsson, Eriola Pira

Deklarata: Për mjeshtrinë në formën e filmit të shkurtër artistik në një histori të plotë dhe imponuese të dy studentëve dhe negociatave të tyre të përditshme në skenë dhe jashtë saj. Performanca autentike, skenari i zgjuar dhe regjia bindëse ia del të shpalos ëndrrat dhe luftërat e personazheve me një kujdes dhe integritet që refuzon përfundimet e lehta në lidhje me profesionin e tyre të zgjedhur apo vetë-vlerësimin.

Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për GARËN KOMBËTARE filmin I KISSED YOU KISS ON YOUR GIRLFRIEND’S CHEEK, IT WAS STILL WET nga Samuel Weniger, Dardan Zhegrova

Deklarata: Për bastisjen e tij ambicioze në një drejtim të ri, me pamje joshëse në aspektin vizual, poetik dhe zanor, që kombinohen për të krijuar një film të shquar.

 

ÇMIMI I AUDIENCËS 

“Batusha’s House” Tino Glimmann dhe Jan Gollob

 

ÇMIMI I BANKËS PROCREDIT PËR EKOVIDEO-N MË TË MIRË

Fituesit e garës EkoVideo jane:

Besnik Boletini
Indrit Loshi
Agon Veselaj

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, DokuFest, mbyllet, me cmime, ne Prizren

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 161
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT