• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IOWA-KOSOVA, ALEATË MODERNË USHTARAKË

February 18, 2021 by dgreca

Foto-arkiv/

-Garda Kombëtare e Iowa dhe Forca e Sigurisë së Kosovës aleatë modernë ushtarakë/

-Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla:  Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një vend shumë të veçantë në zemrat dhe mendjet e gjithë popullit të Kosovës, dhe gjithashtu një vend shumë të veçantë në historinë e Republikës sonë të re/

-Guvernatorja e Iowa, Kim Reyonlds: Lidhjet tona janë të thella dhe jemi të nderuar që Kosova na ka dhuruar misionin e parë diplomatik në Iowa/

-Senatorja Amerikane Joni Ernst: Partneriteti si shtete simotra ka mundësuar rritjen e jashtëzakonshme të marrëdhënieve midis komuniteteve tona, ndërsa ne jemi krenarë qe jemi aleatë modernë ushtarakë. Jam e lumtur të mund t’ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë/

Senatorja Joni Ernst/

18 Shkurt 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Konsullatës në Iowa ka organizuar një ngjarje virtuale solemne në trembëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë aktivitet virtual, me pjesëmarrjen e miqve të nderuar të Kosovës nga shteti i Iowa dhe Garda Kombëtare e Iowa, znj. Kim Reynolds, Guvernatore e Shtetit të Iowa, znj. Joni Ernst, Senatore e SHBA-ve dhe Gjeneralit të pensionuar Tomothy E. Orr, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, në fjalën e saj përshëndetëse, ka falënderuar miqtë tanë të përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 “Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një vend shumë të veçantë në zemrat dhe mendjet e gjithë popullit të Kosovës, dhe gjithashtu një vend shumë të veçantë në historinë e Republikës sonë të re”, ka thënë ajo.

 “Unë dua të shpreh vlerësimin tim për popullin e Iowa-s për lidhjen e veçantë gjatë viteve. Miqësia jonë filloi me partneritetin midis Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, dhe këto ditë, ajo do të përparojë në mënyrë thelbësore me misionin tonë të parë historik si paqeruajtës”.

Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se ky është një hap monumental dhe domethënës në zhvillimin dhe njohjen e vendit tonë.

“Ky është gjithashtu një simbol dhe dëshmi e marrëdhënies së veçantë midis Kosovës dhe Iowa-s. Shtetet e Bashkuara na kanë besuar si një mik, dhe tani ju po na besoni si një partner në një nga misionet më të rëndësishme ndërkombëtare”.

Secili prej jush, shtoi ajo, është një kontribuues i palëkundur i miqësisë sonë të fortë.

Guvernatorja e Iowa, znj. Kim Reyonlds, u shpreh se “lidhjet tona janë të thella dhe jemi të nderuar që Kosova na ka dhuruar misionin e parë diplomatik në Iowa”.

“Një arritje e jashtëzakonshme që të mund të dërgojmë Gardën Kombëtare të Iowa në mision me FSK. Si shtete simotra ne kemi lidhur marrëdhënie të ngushta edhe përmes qyteteve e popujve tanë, duke ndarë së bashku strategji të zhvillimit e partneritete në edukim, kulturë, rini e sport. Jemi më të fortë së bashku. Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, u shpreh ajo.

Senatorja amerikane znj.Joni Ernst, u shpreh ndërkaq se Kosova dhe Iowa kanë një marrëdhënie të rëndësishme mes tyre si aleatë modernë ushtarakë, por që tashmë është zhvilluar edhe përtej asaj ushtarake.

“Partneriteti si shtete simotra ka mundësuar rritjen e jashtëzakonshme të marrëdhënieve midis komuniteteve tona, ndërsa ne jemi krenarë qe jemi aleatë modernë ushtarakë. Jam e lumtur të mund t’ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, u shpreh ajo duke shtuar se “Kosova zë një vend të veçantë në mendjen dhe zemrat e qytetarëve të Iowa. Urime për shumë vite të partneritetit tonë në të ardhmen”.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, IOWA-Kosova

KOSOVA FESTON DITËN E PAVARËSISË – 17 SHKURTIN E SHPALLJES SHTET PARA 13 VITEVE

February 16, 2021 by dgreca

-Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohën Kosovën shtet në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, kur e njohu edhe Shqipëria…/

 -Ngjarjet e sukseset më të rëndësishme nëpër vitet e Kosovës së Pavarur/

-Në 2021-tën festohet edhe 22 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO -forca më e madhe planetare, prirë nga Amerika/

Speciale- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

Kosova në 17 Shkurt 2021 feston  Ditën e Pavarësisë së shpallur para 13 vitesh në 17 Shkurtin historik 2008,   pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sipas Axhendës Shtetërore, Festa në 13 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nisë me ngritjen e Flamurit të Republikës së Kosovës nga Garda Ceremoniale e FSK-së, te selia kryesore e Qeverisë afër  shesheve me emrat e shtatoret e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti  Skënderbeu dhe Presidentit Historik të Kosovës Ibrahim Rugova…

 “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit të para 13 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

     Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i atëhershëm të Kosovës Fatmir Sejdiu në zyrën  e tij, ku na priti në atmosferë feste e përzemërsie drejtorin e përgjithshëm të  Agjencisë Telegrafike Shqiptare Artur Kopani dhe mua korrespondentin në Kosovë të kësaj Agjencie Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në intervistën ekskluzive deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”…

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Kosova deri tani është njohur nga 117 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika. Kosova ditëfestën e 13 vjetorit të Pavarësisë e pret edhe me njohjen më të re nga Izraeli…

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror të Kosovës.

Gjatë 13 viteve, Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Në këto 13 vite të Pavarësisë Kosova ka mbajtur edhe tetë palë zgjedhje të lira e demokratike, pesë parlamentare dhe tre lokale. Zgjedhjet parlamentare, të tetat në Liri e të pestat në Pavarësi u mbatën në prag të ditëfestës së 13 vjetorit të Kosovës Shtet – në 14 Shkurt 2021.

Ndërsa, vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së – kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike.

Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.

Në 10 shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016…

 Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 13 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018. 

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999.

Në 2021-tën festohet edhe 22 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO – forca më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha,  për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Filed Under: Politike Tagged With: 13 Vjet Pavaresi, Behlul Jashari, kosova

FILMI I KOSOVËS “ZGJOI”;TRE ÇMIME NË AMERIKË

February 4, 2021 by dgreca

FILMI I KOSOVËS “ZGJOI”  TRE ÇMIME NË SHBA/

-Arritje historike e filmit të Kosovës, “Zgjoi” nga Blerta Basholli fiton tri çmimet kryesore në Sundance – festivalin më të madh të filmit të pavarur në Shtetet e Bashuara të Amerikës/

3 Shkurt 2021-Gazeta DIELLI  nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/  Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë sot duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në Shtetet e Bashuara të Amerikës.

“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipën, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithe ne” u shpreh Blerta përmes një video mesazhi me rastin pranimit të çmimit Regjisorja më e mirë, gjatë ceremonisë së ndarjes çmimeve.

“Kemi punuar shumë dhe gjatë që ta sjellim këtë film para jush, publikut, dhe jemi shumë të nderuar që na shpërblyet”; “Duam t’ia dedikojmë këtë çmim vendit tonë të dashur dhe të bukur, Kosovës.” u shpreh Yll Uka, producenti i filmit me rastin e pranimit të çmimit të Publikut dhe çmimit Filmi më i mirë (Grand Jury Prize).

‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.

MINISTRJA VLORA DUMOSHI: SUKSESI I FILMIT “ZGJOI” ËSHTË SUKSES I TËRË KOSOVËS

Pas suksesit të arritur të filmit “Zgjoi” nga Kosova, në “The Sundance Film Festival”, festivalin më të madh të pavarur të filmit në SHBA, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka takuar skenaristen dhe regjisoren e filmit Blerta Basholli.

Ministrja Dumoshi e ka përgëzuar regjisoren Basholli për suksesin e arritur në festivalin “Sundance” duke rrëmbyer tri çmime, atë të jurisë, audiencës dhe për regjinë më të mirë.

“Suksesi i filmit ‘Zgjoi’ është një fitore për tërë Kosovën në arenën ndërkombëtare, ku është treguar cilësia dhe tradita në kinematografi që tashmë është ndërtuar në vendin tonë. Dua t’i përgëzoj tërë ekipin e filmit për këtë rezultat të arritur dhe si ministri ndjehemi të kënaqur tej mase që nëpërmjet Qendrës Kinematografike të Kosovës kemi mbështetur këtë film”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Tematika e filmit është shumë e fuqishme, ka vlerësuar ministrja, duke potencuar faktin se përmes këtij krijimi artistik rrëfehet një ngjarje e vërtetë e një gruaje me zemër të madhe siç është Fahrije Hoti, e cila ka pësuar në luftën e fundit në Kosovë të shkaktuar nga regjimi serb. Ndonëse me dhimbje e pikëllim për tragjedinë që ka përjetuar në familje, znj. Hoti ka arritur të mbledh forcat dhe të bëhet një prej prodhuesve dhe ndërmarrësve serioze për të treguar se sa të fuqishme janë gratë e Kosovës. Nëpërmjet filmit Blera e ka prezantuar me sukses këtë ngjarje, është shprehur ministrja.

Ndërkaq, skenaristja e filmit ‘Zgjoi’, Blerta Basholli, tha se e falënderon ministren Dumoshi dhe MKRS-në për përkrahjen e dhënë për filmin. Ajo tha se këtë sukses ia dedikon znj. Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe e Rahovecit.

“I falënderoj të gjithë kastën dhe ekipin tjetër të filmit dhe të gjithë ata që kanë mbështetur prodhimin e tij për të ndriçuar ekranin e madh të kinemasë. Rrëfimi që ka filmin përçon mesazhin e një gruaje nga Kosova që përkundër dhimbjes e mërzisë, paragjykimeve përreth ajo ia del duke u bërë e suksesshme”, tha Basholli.

Filmi ‘Zgjoi’ shënon një prej sukseseve historike dhe është dëshmi e fuqishme që prezanton në arenën ndërkombëtare një të vërtetë nëpër të cilën ka kaluar populli i Kosovës. 

MINISTRJA MELIZA HARADINAJ-STUBLLA: “ZGJOI” ËSHTË E VËRTETA E KOSOVËS

Ministrja Kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, i është gëzuar suksesit të filmit artistik “Zgjoi” / “Hive”, i cili bëri mbrëmë historinë duke fituar tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival. 

Ministrja Haradinja-Stublla tha se suksesi i filmit “Zgjoi” është ndër arritjet më të mëdha ndërkombëtare të kulturës dhe filmit kosovar. 

“Zgjoi’ është e vërteta e Kosovës, një histori prekëse e grave të Krushës së Madhe, që rindërtuan jetën e tyre mbi dhimbjen. Këtë histori të vërtetë të gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë, bota edhe pas 21 vitesh ka nevojë ta dëgjojë e ta rikujtojë”.

Shefja e diplomacisë kosovare ka falënderuar komunitetin e jashtëzakonshëm artistik e kulturor të Republikës së Kosovës, të cilët gjithmonë arrijnë të promovojnë Kosovën në botë, në të shumtën e herave me vetëiniciativë. “Për arritjen e mbrëmshme përgëzoj veçanërisht regjisoren Blerta Basholli dhe ekipin e saj fantastik”. 

Filed Under: Featured Tagged With: 3 çmime, Behlul Jashari, Filmi Zgjoi

KUJTESA- Para 21 viteve në veri të Mitrovicës shqiptarët u vranë e dëbuan

February 3, 2021 by dgreca

-Përkujtohen vrasjet e dëbimi i shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000/

-Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani: Njëzetë e një vjet më parë, më 3 e 4 shkurt struktura paralele të dirigjuara nga shteti i Serbisë vranë në Mitrovicë 10 qytetarë shqiptarë, i plagosën 25, teksa i dëbuan nga shtëpitë e tyre 1564 familje/

MITROVICË, 3 Shkurt 2021-Gazeta DIELLI  nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/  Në Mitrovicë – pjesën veriore të qytetit tani me shumicë serbe,  para 21 vitesh, natën e masakrës mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, janë vrarë 10 shqiptarë e plagosur 25 të tjerë, ndërsa u dëbuan nga shtëpitë e veta me dhunë vetëm brenda asaj nate rreth 100 familje shqiptare, e brenda muajit 1564 familje me gjithsej 11.394 anëtarë.

“Pasojat e sulmeve kriminale serbe të asaj nate në lagjet veriore të Mitrovicës ishin të tmerrshme. Dhunshëm u dëbuan nga pronat shqiptarët dhe në këtë mënyrë ajo pjesë u spastrua etnikisht dhe u ndryshua realiteti, duke u bërë serbët shumicë, që deri atëherë ishin pakicë”, është theksuar në veprimtaritë e përvitshme përkujtimore.

Në Mitrovicë masakra e para 21 viteve ndodhi pas luftës së përfunduar në qershorin e vitit 1999, dërsa gjatë luftës nga forcat serbe janë vrarë 455 shqiptarë,  nga moshat 2 muaj e deri 89 vjet, janë zhdukur 279 dhe janë plagosur 450 shqiptarë. Janë rrënuar  9540 shtëpi shqiptare.

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, në  një deklaratë të dërguar sot nga Presidenca përkujton:

 Njëzetë e një vjet më parë, më 3 e 4 shkurt struktura paralele të dirigjuara nga shteti i Serbisë vranë në Mitrovicë 10 qytetarë shqiptarë, i plagosën 25, teksa i dëbuan nga shtëpitë e tyre 1564 familje.

Dy dekada më pas, kujtimi për civilët jeton bashkë me brengën për ata që më nuk arritën të kthehen në vatrat e tyre.

Nuk mund të ketë as paqe të qëndrueshme e as stabilitet nëse njerëzit në çdo cep të Kosovës nuk ndihen të lirshëm për të jetuar e për të lëvizur.

Koha është që tërësia territoriale e Kosovës të mos jetë vetëm në letër, por edhe në praktikë. Për një Kosovë në të cilën krimet nuk mbeten statistika në raporte, por trajtohen në organet e drejtësisë!

Që historia e 3-4 shkurtit kurrë më të mos përsëritet, nevojitet vendosmëri dhe guxim shtetëror për ta garantuar sigurinë e secilit qytetar të Kosovës, në çdo cep të saj.Qoftë i paharrueshëm kujtimi për civilët shqiptarë të varë me 3-4 shkurt!

Filed Under: Kronike Tagged With: 21 vite, Behlul Jashari, Mitrovice, Nata e tmerrit

PËRKUJTOHEN E NDEROHEN HERONJTË E LIRISË E PAVARËSISË SË KOSOVËS

January 31, 2021 by dgreca

– Zahir Pajaziti, së bashku me Hakif Zejnullahun e Edmond Hoxhën ranë në fillim të fundit të një regjimi gjenocidal. Të tjerët i pasuan heronjët dhe u bënë fortifikatë e lirisë, – shprehet Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani/

-Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës,  Avdullah Hoti: Sot nderojmë kontributin e Zahir Pajazitit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tij, të gjithë atyre që kanë rënë për lirinë dhe pavarësinë të cilën ne e gëzojmë/

-Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti: 24 vjet më parë në Pestovë të Vushtrrisë u vranë nga policia serbe Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Ata ishin kushtrimi çlirimtar i luftëtarëve të paepur…/ 

-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës,  Enver Hoxhaj,  nderon Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun e Edmond Hoxhën: Kosova po e paguan çmimin e dytë para Gjykatës Speciale/

PRISHTINË, 31 Janar 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Përkujtohen sot tre heronjët e kombit – të lirisë e pavarësisë së Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në 24 vjetorin e rënies. Në homazhe e në veprimtari tjera përkujtimore marrin pjesë përfaqësues institucionalë e politikë.

Para 24 viteve, në 31 janar 1997, në fshatin Pestovë – në hyrje të  qytetit të Vushtrrisë,  rrugës Prishtinë-Mitrovicë, drejt realizimit të një misioni të veçantë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së.

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani shkruan: 

Madhështinë e lirisë sonë prej mbi njëzetë vjetësh po e ruajnë vetëm heronjtë tanë. Njëzetë e katër vjet më parë, një djalë i ri, i brumosur në frymën kombëtare, u bë kryengritësi emblematik. Studenti i asaj kohe, nuk duroi gjendjen me të cilën përballeshin bashkëkombësit, ndaj u transformua në një luftëtar të kauzës. Kishte veç një kauzë- çlirimin e Kosovës.

Sa herë që kalojmë mes për mes Prishtinës, nuk mund ta shmangim shikimin me njeriun që sot në bronz është jo veç gardian i kryeqytetit, është grishje për të kaluarën. Është kujtim, frymë dhe motiv se një kohë tjetër më e mirë po vjen.

Ai ishte heroi në qetësi. I njohur për urtësinë dhe modestinë e tij, që në fillet e luftës sonë për çlirim, padyshim u shndërrua në lajmëtar. Prandaj, lirinë e sotme ia dedikojmë atij.

Thuhet se heroizmi nuk ndodh gjithmonë nga një shpërthim lavdie, por ndonjëherë triumfet e vogla dhe zemrat e mëdha ndryshojnë rrjedhën e historisë. Zahiri, së bashku me Hakif Zejnullahun e Edmond Hoxhën ranë në fillim të fundit të një regjimi gjenocidal. Të tjerët i pasuan heronjët dhe u bënë fortifikatë e lirisë.

Më shumë se dy dekada pas, Zahiri, Hakifi e Edmondi sërish dhe përherë janë në mesin tonë. Ata tashmë i kapërcejnë përmasat e heronjëve. Ata nuk janë vetëm referencë e heroizmit, por edhe e përditshmërisë sonë, të cilën fort e deshën dhe ranë për të.

Takimet e shumë njerëzve nisin dhe mbarojnë duke e pasur referencë pikërisht shtatoren e Zahirit gjë që e bën heroin të përbrendësuar në secilin prej nesh. Ai jemi ne. Kjo është e bukura e lirisë, kjo është krenaria që na jep ai, por kjo nuk është Kosova për të cilën ra ai.

Sot kemi shumë punë për të bërë që vizionin e Zahirit dhe heronjve të tjerë ta integrojmë në projektin për shtetin, duke i dhënë formë lirisë, duke i dhënë formë shtetit. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë heronjtë tanë!

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës,  Avdullah Hoti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh tek shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë, në 24 vjetorin e rënies së tij.

‘’Sot nderojmë kontributin e Zahir Pajazitit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tij, të gjithë atyre që kanë rënë për lirinë dhe pavarësinë të cilën ne e gëzojmë sot. Është bërë ritual që ne çdo vit të bëjmë nderimet për ta dhe përmes tyre të shprehim respektin për të gjithë bashkëluftëtarët e tyre në mbarë Kosovën”, tha kryeministri Hoti.

​Pas homazheve tek shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë, kryeministri Hoti, bashkë me ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka vizituar edhe Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti shkruan: 
24 vjet më parë në Pestovë të Vushtrrisë u vranë nga policia serbe Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Ata ishin kushtrimi çlirimtar i luftëtarëve të paepur. Serbia vendoste prita vrastare, mirëpo UÇK-ja bëhej e pandalshme. E në të njëjtën ditë, me 31 janar, por edhe shtatë vjet më herët sesa rënia heroike e Zahirit, Hakifit dhe Edmondit, pra në vitin 1990, në Gjakovë, sërish policia serbe, vrau në demonstratën për liri dhe republikë Fatmir Kërleshin dhe Xhevat Hoxhën. Lagja “Gecë” ku ranë këta dy dëshmorë sot quhet Parku i Lirisë. Në historinë tonë pothuajse nuk ka ditë dëshmori që nuk është edhe ditë e një dëshmori tjetër në një kohë tjetër. Jo vetëm shumë i lartë por edhe gjatë i shtrirë në kohë është çmimi i lirisë sonë.

 Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, së bashku me anëtarë të tjerë të PDK-së kanë bërë homazhe para shtatores së heroit, Zahir Pajazitit, në 24 vjetorin e rënies së tij.

Hoxhaj ka theksuar se sot në këtë përvjetor janë pa praninë e të parit të PDK-së, Kadri Veseli, të presidentit Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqit, të cilët po përballen me Gjykatën Speciale.

“Kjo ditë është e veçantë për Kosovën, kur në rrugëtimin tonë për liri po e paguajmë përsëri një çmim te dytë. Dhe këtë çmim të dytë po e paguajmë para nje gjykate. E para saj kauza jonë për liri, ne jemi të sigurt që shokët tanë do të dalin fitimtarë dhe faqebardhë. Ndërsa, ne si Parti Demokratike e Kosovës do të ndjekim idealet e tyre, do të ndjekim qëllimet e tyre dhe do e përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës duke e anëtarësuar Kosovën në OKB, në Bashkim Evropian dhe në Nato”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje, Hoxhaj me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Lladoc,

Hoxhaj gjatë homazheve është takuar me babanë e heroit, Hakif Zejnullahu. Në këtë vend është edhe shtëpia e heroit të kombit, Hakif Zejnullahu, e cila ka shërbyer si vend nga ku niseshin për aksione pjesëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Komuna e Junikut shkruan në faqen zyrtare:

Sot në 24 vjetorin e rënies heroike, në ndërim të heronjëve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu u bënë homazhe në Junik dhe Gllogjan, pranë shtatorës së heroit Edmond Hoxha në Junik dhe në Gllogjan aty ku pushon trupi dhe vepra e tij e lavdishme.

“Nuk ka vdekje më të bukur se sa të vdesësh për atdhe dhe të mbulohesh me flamur”- Edi

Nder dhe krenari!

Lavdi!

*Me shume fotografi shihni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, E liaise, Nderohen heronjte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT