• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova pret misionin vlerësues të BE për liberalizimin e vizave

March 16, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Kosova pret liberalizimin e vizave – pamje nga kryeqyteti, Prishtina/

-Në seancën e djeshme, Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta kompletojnë Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, që është një nga tetë kriteret e përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave.

-Qeveria e Kosovës: Të premten riprocedojmë  në Kuvend propozimet për Organin Shqyrtues të Prokurimit/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Mars 2016/ Kosova pret nesër një mision të ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave.Misioni vlerësues do të jetë i përbërë nga katër ekspertë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zyrtarë të Komisionit Evropian. Ky mision i paraprinë vizitës së Komisionerit Avramopoulos,  të paralajmëruar në Kosovë për t’u njohur për së afërmi me progresin e bërë në adresimin e kritereve të fundit për të rekomanduar më pastaj heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.

Ministria për Integrim Evropian ka deklaruar se ka koordinuar procesin dhe së bashku me institucionet tjera përgjegjëse kanë bërë pregaditjet e nevojshme për të pritur misionin vlerësues dhe për të prezentuar të gjitha masat e ndërmarra në zbatimin e 8 rekomandimeve të fundit në këtë proces.Në 18 dhjetor 2015, Komisioni Evropian ka publikuar raportin e fundit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky raport ka konstatuar se nga gjithsejt 95 kritere të Udhërrëfyesit, 87 janë zbatuar plotësisht, ndërsa ka dhënë rekomandime për 8 kritere që janë vlerësuar si të plotësuara pjesërisht.Në pritje të ardhjes në Prishtinë të Misionit vlerësues, institucionet e Kosovës, në 11 mars 2016,  deklaruan se i kanë përmbushur të gjitha kërkesat dhe rekomandimet e Komisionit Evropain për liberalizimin e vizave dhe shprehën optimizëm se edhe kosovarët do të realizojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së.Por, në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, ku nuk mori pjesë opozita,  deputetët e maxhorancës me mosvotim kanë dështuar ta kompletojnë Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, që është një nga tetë kriteret e përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave.

Pas këtij zhvillimi në Kuvend, ka reaguar Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga duke “shpreh qartazi dhe publikisht zhgënjimin” me deputetët që “dështuan të emërojnë anëtarët e rinj të Organit Shqyrtues të Prokurimit, njëri nga kushtet kryesore të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.“Ky dështim, në ditët kur në Kosovë pritet ekipi i Bashkimit Evropian për të vlerësuar përparimin e Kosovës në plotësimin e kritereve që jemi zotuar t’i përmbushim, rrezikon të vazhdojë t’i mbajë qytetarët e Kosovës të izoluar për shkak të interesave të ngushta të atyre që prioritet kryesor duhet ta kenë mirëqenien e qytetarëve”, është shprehur Presidentja, e cila është në ditët e fundit të mandatit të saj, që e përfundon në 6 prill.

Ajo u ka bërë “thirrje institucioneve të Kosovës, qeverisë dhe Kuvendit dhe të gjitha subjekteve politike që të marrin përgjegjësinë dhe të gjejnë zgjidhje në mënyrë që ky kriter të plotësohet pa vonesë”.Ministri i Integrimit Evropian në qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka deklaruar për shtypin në Prishtinë se mosemërimi i anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga Kuvendi është lajm jo i mirë, në prag të ardhjes së misionit vlerësues nga BE-ja, pasi që ky ishte një prej kritereve të vetme që kishte mbetur pa u përmbushur në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.

“Besoj se me një komunikim më të mirë ndërinstitucional kjo çështje do të ishte përmbyllur me kohë, meqë gjatë gjithë procesit janë ndjekur procedurat e parapara ligjore dhe deputetët ishin në dijeni se funksionalizimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit është ndër kriteret e vetme të mbetura në këtë proces. Por, duke shprehur respekt për vullnetin dhe pavarësinë në vendimmarrje të deputetëve të Kuvendit të Kosovës duhet pranuar faktin se ky vendim rrezikon të ndikojë negativisht në raportin vlerësues të këtij misioni, që pritet të vijë nesër në Kosovë”, citohet sot Çollaku  nga shtypi.

 “Koalicioni qeverisës rrezikon vizat”, “Pazaret e koalicionit mbajnë peng liberalizimin e vizave” dhe “Kuvendi del kundër liberalizimit të vizave”, janë disa nga kryetitujt e gazetave sot në Kosovë.

Në Kuvendin e Kosovës dje, edhe pse pati përsëritje të votimit, as në votimin e dytë si edhe në të parin, nuk pati vota të mjaftueshme për emërimin e kryesuesit dhe të një anëtari të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Kryesuesi i seancës, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti konstatoi gjithashtu se, sipas rekomandimit të Organit Përzgjedhës të Pavarur asnjëri nga kandidatët e propozuar nga komuniteti serb nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për procedim në seancë plenare.

Duke e përmbyllur seancën pas votimit të dytë, ku nga 75 deputetë, 40 votuan pro, një kundër dhe një abstenoi, ndërsa nuk votuan fare 33 të tjerë, aq sa ka grupi parlamentar i LDK-së, partisë së koalicionit qeverisës me PDK-në, ku janë të përfshira edhe subjektet politike të komuniteteve pakicë, nënkryetari i Kuvendit, Haliti tha:

“Shpresoj që do të gjendet një zgjidhje. Unë nuk mund të konstatoj nëse duhet përsëritur votimi më, për faktin se përgjigjja është konkrete. Shpresoj që vërtetë kemi ardhur në pikën që ndoshta grupet parlamentare duhet të deklarohen, por sidoqoftë nuk ka kaluar dhe presim që në seancat e ardhshme të vendosim për procedurat e mëtutjeshme”.

Edhe gjatë votimit të parë për pikën e vetme të axhendës së seancës, që ishte shqyrtimi i rekomandimit të Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve të Organin Shqyrtues të Prokurimit,  në sallën plenare të Kuvendit kosovar ishin të pranishëm 75 deputetë. “Konstatoj se me 43 vota pro, 1 kundër, asnjë abstenim, nuk është plotësuar kushti për votim. E përsëris edhe një herë, por në qoftë se nuk plotësohen numrat, atëherë konstatoj që nuk kalon”, është shprehur pas votimit të parë kryesusi i seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës.

 QEVERIA E KOSOVËS: TË PREMTEN RIPROCEDOJMË  NË KUVEND PROPOZIMET PËR ORGANIN SHQYRTUES TË PROKURIMIT

Qeveria e Republikës së Kosovës, lidhur me çështjen emërimit të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, bën të ditur se të premten do të mbajë mbledhjen e kabinetit qeveritar ku do t’i riprocedojë Kuvendit të Republikës së Kosovës propozimet për emërimin e anëtarëve në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

 Në komunikatën  e sapodërguar theksohet se, sa i përket vendimit të Kuvendit, Qeveria e Kosovës do të respektojë çdo procedurë që i takon asaj dhe do të pranojë çdo vendim që merret nga ana e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 Lidhur me përmbushjen e rekomandimeve për liberalizimin e vizave, Qeveria e Kosovës vlerëson se janë përmbushur të gjitha rekomandimet dhe kriteret e kërkuara nga mekanizmat e Bashkimit Evropian, për këtë proces.Në këtë aspekt, janë përmbushur edhe të gjitha rekomandimet dhe kriteret që lidhen me fushën e prokurimeve.

 Është bërë kompletimi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

 Është bërë plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Prokurimin Publik, i cili mundëson që ky organ tashmë të jetë dhe të veproj në mënyrë krejtësisht të pavarur.

 Është aprovuar kalimi në prokurimin elektronik dhe janë përcaktuar fazat e zbatimit, sipas të cilit prokurimi publik gjatë këtij viti do të aplikohet në të gjitha agjencionet qendrore, ndërkaq nga viti i ardhshëm edhe në pushtetin lokal.

 Pas propozimit të Qeverisë, është aprovuar shkarkimi i një anëtari të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit i cili nuk i ka përmbushur kriteret ligjore dhe një anëtar tjetër është tërhequr më herët.

 Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj të plotë për të dëshmuar përmbushjen e çdo detyre dhe obligimi më këto procese të rëndësishme për vendin.

 MUSTAFA: NUK KA ASNJË ARSYE QË TË RREZIKOHET PROCESI I LIBERALIZIMIT TË VIZAVE

Kryeministri kosovar Isa Mustafa u shpreh sot i bindur se nuk ka asnjë arsye që të rrezikohet procesi i liberalizimit të vizave, për faktin se, theksoi ai, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.“Nuk ka asnjë arsye që të rrezikohet sepse ne kemi plotësuar të gjitha kriteret. Sa i përket Organit Shqyrtues të Prokurimit edhe sistemit të prokurimit, unë mund t’ju them se ne vitin e kaluar kemi kompletuar Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, kemi ndryshuar Ligjin mbi Prokurimin, kemi kaluar nga ky vit në prokurimin elektronik, dje edhe i kemi përcaktuar fazat e zbatimit të prokurimit elektronik gjatë këtij viti në të gjitha agjencionet qendrore, ndërsa nga viti i ardhshëm e bëjmë edhe në pushtetin lokal”, tha kryeministri i Kosovës.

Çështja e zgjedhjes së anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, vijoi Mustafa, është çështje praktike, e cila nëse nuk është kryer dje në Kuvend, kryhet për një javë ditë.“Janë çështje të cilat do të ndodhin gjithmonë, sepse gjithmonë do të kemi zgjedhje dhe rizgjedhje. Mirëpo është me rëndësi që ne kemi siguruar që me ligj ky organ të jetë i pavarur, dhe të jetë profesional”, tha kryeministri Mustafa. Ai i është përgjigjur sot kështu interesimit të medias gjatë një vizite në Suharekë.

 ÇOLLAKU E ZHBOGAR KONFIRMOJNË GATISHMËRINË E INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS PËR TË PRITUR MISIONIN VLERËSUES TË VIZAVE

 Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, priti sot në takim përfaqësuesin special të BE-së njëherësh shef i Zyrës së BE-së në Kosovë,  Samuel Zhbogar me të cilin ka diskutuar lidhur me përgatitjet që janë bërë për të pritur misionin vlerësues të ekspertëve lidhur me përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të KE-së në procesin e liberalizimit të vizave.Ministri Çollaku, konstatoi se institucionet përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të fundit, janë të gatshme dhe mirë të përgatitura për të pritur dhe për t’ju përgjigjur interesimit të ekspertëve të misionit vlerësues.Të dy bashkëbiseduesit shprehën edhe njëherë zhgënjimin për mosvotimin e anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Përkundër kësaj ishte përfundim i përbashkët që institucionet përgjegjëse duhet të riprocedojnë këtë çështje brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.Po ashtu është diskutuar lidhur me përgatitjet e institucioneve të Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, e cila do të hyj në fuqi në 1 prill.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Misioni i BE, vizat

FSK, krenaria e Republikës së Kosovës

March 16, 2016 by dgreca

 – Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga: Synimi dhe vizioni ynë është i qartë, Kosova do të jetë vend anëtar i NATO-s/

–President Jahjaga: KSF, Pride of the Republic of Kosovo /

PRISHTINË, 16 Mars 2016/ Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga zhvilloi një vizitë përshëndetëse në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku u prit nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe ministri i Forcës së Sigurisë, Haki Demolli.

 Njoftimi dërguar nga Presidenca thekson se, Presidentja Jahjaga e përgëzoi gjenerallejtënant Ramën dhe ministrin Demolli për komandimin dhe menaxhimin me sukses të FSK-së dhe Ministrisë. Ajo tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni i cili ka arritur që edhe në nivel të rajonit dhe më gjerë ta prezantojë me shumë sukses vendin tonë.

 Komandantja Supreme e FSK-së, Presidentja Jahjaga, gjatë takimit në FSK, tha se Republika e Kosovës është duke ndërtuar një Forcë gjithëpërfshirëse dhe synimi ynë është që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s. Presidentja Jahjaga falënderoi gjenerallejtënant Ramën dhe të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shërbimin ndaj vendit, duke thënë se FSK-ja është krenaria e Kosovës dhe institucioni më i besueshëm në vend nga të gjithë qytetarët.

 Gjenerallejtënant Rrahman Rama e falënderoi Presidenten Jahjaga për bashkëpunimin, koordinimin dhe angazhimin e saj për ngritjen profesionale të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s, gjatë mandatit të saj si Komandante Supreme e kësaj Force. Pas takimit, Presidentja Jahjaga në një koktej rasti takoi dhe bisedoi personalisht me shumë prej kadetëve, ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së.Me këtë rast ajo tha: “Dua t’ju përgëzoj gjithsecilin prej jush, por edhe paraardhësit tuaj për punën e palodhshme që keni treguar këto vite me radhë në ngritjen, avancimin dhe profesionalizimin e FSK-së. Të gjithë ne jemi krenarë me Forcën e Sigurisë që sot është në rrugën e saj të duhur të transformimit të mëtutjeshëm në Forcat e Armatosura të Kosovës. Synimi dhe vizioni ynë është i qartë, Kosova do të jetë vend anëtar i NATO-s”./b.j/

***

President Jahjaga: KSF, Pride of the Republic of Kosovo

Supreme Commander of the Kosovo Security Force, President Atifete Jahjaga, visited the Ministry of Kosovo Security Force, for a farewell visit, where she was received by the KSF Commander, Lieutenant General Rrahman Rama, and the Security Force Minister, Mr. Haki Demolli.

President Jahjaga congratulated Lieutenant General Rama and Minister Demolli on successful commanding and management of the KSAF and of the Ministry. She said that Kosovo Security Force is the institution which has achieved to successfully represent our country in the region and beyond.

KSF Supreme Commander, President Jahjaga, said during the meeting that Republic of Kosovo is building an all inclusive Force and that Kosovo’s NATO membership is an ambition of ours. President Jahjaga thanked Lieutenant General Rama and all the Officers, Non- Commissioned Officers and soldiers of the Kosovo Security Force for their service to the country and said that KSF is the Pride of Kosovo and the most trusted institution by the citizens of Kosovo.

Lieutenant General Rama thanked President Jahjaga for cooperation, coordination and for her engagement for professionalization of the KSF in accordance with NATO standards during her mandate as the Supreme Commander of this Force.

After the meeting, President Jahjaga, at a cocktail held for the occasion, met and spoke to many of the cadets, soldiers, NC Officers and Officers of the KSF.

On this occasion Madam President stated:  “I would like to congratulate each and every one of you for your untiring work which you have shown in all these years for the advancement and professionalization of the KSF. We are all very proud of the Kosovo Security Force, who is today on its rightful path towards transformation into the Kosovo’s Armed Forces. Our aim and vision is clear, and that is for Kosovo to be a NATO member state”.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, of Kosovo, President Jahjaga: KSF, Pride of the Republic

Kosova nuk bisedon me askënd për Trepçën

March 15, 2016 by dgreca

-Kryeministri Isa Mustafa, në pyetjet e gazetarëve ka theksuar se Trepça assesi nuk do të shkoj në Bruksel dhe se qeveria e Kosovës me askënd nuk do të bisedojë lidhur me pronat e Republikës së Kosovës/

-Zgjidhja e afërt për Trepçën, në përputhje të plotë me interesat e qytetarëve të Kosovës/ 

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Mars 2016/ Zgjidhja e afërt për Trepçën do jetë në përputhje të plotë me interesat e qytetarëve të Kosovës, tha sot kryeministri Isa Mustafa në një konferncë shtypi pas mbledhjes së qeverisë.

“Në vazhdën e punëve për të definuar statusin final të Trepçës, sot në mbledhjen e qeverisë është aprovuar vendimi për themelimin e Komisionit për Hartimin e Projektligjit për Trepçën, me një përbërje gjithëpërfshirëse”, theksoi ai.Kryeministri Mustafa tha se këtij komisioni i është dhënë detyrë që në afatin optimal t’i paraqes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik projektligjin, të kryhen pastaj të gjitha fazat e konsultimeve të brendshme dhe të jashtme, me të gjitha palët e interesuara për këtë ligj, dhe që ai të procedohet në qeveri dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë pjesës së parë, përkatësisht deri në mesin e këtij viti.

“Ligji do t’iu nënshtrohet të gjitha procedurave të rregullta dëgjimore dhe do të aprovohet në procedurë të rregullt në Kuvend dhe në qeveri. Ky Komision do t’i raportoj qeverisë lidhur me punën e tij dhe do të kemi bashkëpunim të ngushtë lidhur me këtë. Unë mendoj se themelimi i këtij komisioni për hartimin e projektligjit, paraqet hapin e fundit që qeveria po e ndërmerr në realizimin e premtimeve të saj që i ka dhënë për zgjidhjen afatgjate të statusit të Trepçës, e cila kompani tani gjendet nën qeverisjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ne do të dëshironim që gjatë këtij procesi të kemi të gjitha inputet edhe prej shoqërisë civile, qytetarëve, profesionistëve, në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen më të mirë dhe më të qëndrueshme për Trepçën”, tha kryeministri.

Mustafa, po ashtu tha se së shpejti do të kenë informatë edhe nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit lidhur me kërkesat e kreditorëve dhe lidhur me të gjitha borxhet për të cilat pretendohet se i ka Trepça. 

“Jemi në koordinim me Agjencionin e Privatizimit se tani janë në përfundim termat e referencës për organizimin e punëve për Studimin e Fizibilitetit dhe të Strategjisë së Trepçës, i cili studim presim që do të përfundoj në vjeshtën e  këtij viti. Ndërsa, në bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Kosovës, po ndërmerren masa për studime të rastit (case study), për raste të caktuara të firmave të tilla në shtete të ndryshme, qoftë të atyre në tranzicion apo të vendeve të tjera, se si ato i kanë zgjidhur në mënyrën më të mirë këto raste, të cilat ne do t’i marrim parasysh edhe gjatë procesit të hartimit të ligjit, por edhe në pikëpamje të organizimit dhe të funksionimit të mëtutjeshëm të kompanisë Trepça”, tha kryeministri.

Duke folur për këtë proces, kryeministri tha se po bëhen përpjekje që të kyçen të gjitha palët e interesuara. 

“Kemi biseduar edhe me sindikatat, kemi biseduar me udhëheqjen e Trepçës, kemi biseduar me profesionistët e ndryshëm që e njohin këtë fushë, dhe besoj plotësisht që qeveria me kohë do të përfundojë ligjin për Trepçën, se minatorët do të jenë të kënaqur me zgjidhjen, të cilën do ta bëjmë, dhe po ashtu që zgjidhja do të jetë në interes dhe në harmoni me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të gjithë atyre që janë të interesuar që ne ta aftësojmë, ta rigjenerojmë dhe ta revitalizojmë këtë kompani që është shumë e rëndësishme për ne”, u shpreh kryeministri. 

Kryeministri Isa Mustafa, në pyetjet e gazetarëve ka theksuar se Trepça assesi nuk do të shkoj në Bruksel dhe se qeveria e Kosovës me askënd nuk do të bisedojë lidhur me pronat e Republikës së Kosovës. 

“Trepça është pronë e Republikës së Kosovës, e sanksionuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe po ashtu është pronë e njohur edhe me Planin e Ahtisaarit, si bazë e rregullimit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se ka biseduar edhe me ministrat serbë të kabinetit dhe duke shprehur bindjen e plotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta aprovojë ligjin i cili do të përgatitet dhe se ai do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Kryeministri Mustafa, nuk bisedon me askënd, për Trepçën

Molotov në ndërtesën e Kuvendit dhe në Presidencë-REAGOJNE Qeveria & PARTITE

March 12, 2016 by dgreca

-Rreth orës 04:00 është raportuar se disa persona të maskuar kanë hedhur koktej molotov/

PRISHTINË, 12 Mars 2016/ Në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku është edhe Presidenca e Republikës, një dritare pranë rrugës kryesore të Prishtinës në mëngjesin e sotëm duket e thyer dhe me nxirje të murit pranë.Policia e Kosovës në njoftimi e sapodërguar konfirmon hedhjen e molotovit në ndërtesën e Kuvendit – Zyrat e Presdiencës së Republikës së Kosovës, duke e cilësuar “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm-asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet:“Me datën 12.03.2016 rreth orës 04:00 është raportuar se disa persona te dyshuar të maskuar kanë hedhur koktej molotov në drejtim të ndërtesës Presidenciale. Personat e  dyshuar pas hedhjes së koktej molotovit  dyshohet se janë larguar në drejtim te rrugës Agim Ramadani me një veturë me ngjyrë të bardhë. Fillimisht dyshohet se me gurë e kanë thyer xhamin e dritares ku kanë tentuar që ta hedhin shishen e molotovit, çka nuk kanë arritur pasi që shishja ka goditur në mur ku shihet një sipërfaqe rreth një metër e nxirë me rastin e thyerjes së shishes, ku derivatet janë djegur në atë pjesë të murit. Njësia policore ka dalë menjëherë në vendngjarje, mirëpo nuk është arritur të hasen të dyshimtit.

 Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitet policore relevante, duke përfshirë edhe njësinë e hetimeve dhe krimteknikën rajonale për të kryer ekzaminimin e vendit te ngjarjes, duke përfshirë dëshmitë në vendngjarje.

Nuk raportohet për persona të lënduar. Rasti është iniciuar dhe dedikuar njësisë së hetimeve për procedura të mëtutjeshme dhe kryerje te hetimeve intensive, për zbulimin dhe arrestimin e personave te dyshuar”, përfundon njoftimi zyrtar nga Policia e Kosovës.

Në fotografitë e publikuara nga media, siç raportohet, “shihen dëmtimet që janë bërë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, derisa burime nga ky institucion kanë thënë se pos thyerjes së xhamave është tentuar edhe djegia e këtyre zyrave me hedhjen e koktejve të molotovit”.

 “Një nga zyrat e Presidencës është sulmuar me molotov gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm”, raportonte media.

***

QEVERIA:AKTE TE RREZIKSHME

-Qeveria e Kosovës dënon ashpër sulmin me molotov ndaj zyrave të Presidentes së Republikës në ndërtesën e Kuvendit/

PRISHTINË, 12 Mars 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmin me molotov ndaj zyrave të Presidentes së Kosovës në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.“Ky akt kriminal, i drejtuar kundër institucioneve të Kosovës, është vazhdimësi e sulmeve me bomba molotov mbi Policinë, ndërtesën e Qeverisë, djegies së makinave zyrtare dhe private, si dhe ndaj shtëpisë dhe familjes se Kryeministrit, përgjegjësit e të cilave jo që nuk u ndriçuan dhe nuk u vunë para ligjit, por nuk kishte as reagime publike”, thekson deklarata e bërë pak më parë. Aktet e tilla, vijon deklarata, Qeveria e Kosovës i konsideron të rrezikshme për rendin kushtetues dhe për stabilitetin e vendit, prandaj kërkon me ngulm që ato të zbardhen dhe kryesit të përgjigjen para ligjit.  Qeveria e Kosovës, po ashtu, “fton të gjithë përfaqësuesit politikë, të cilët në paraqitjet e tyre publike po përpiqen të arsyetojnë sulmet me molotov mbi shtëpitë private dhe institucionet publike, duke u thirrur në kauza krejt fiktive, që të heqin dorë nga një gjuhë e tillë”. 

 Veprimet e tilla, vijon deklarata, dëmtojnë interesat madhore të qytetarëve të Kosovës, proceset e intensifikuara eurointegruese, fuqizimin e shtetit ligjor dhe perspektivën ekonomike të vendit. 

 “Qeveria e Kosovës fton të gjithë përfaqësuesit politikë, të cilët duke u bazuar në kauza jo të qëndrueshme kanë nxitur dhe promovuar futjen e gjuhës së molotovit dhe mjeteve tjera joligjore në jetën politike dhe publike në Kosovë, që të distancohen nga këto akte dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime euroatlantike dhe fuqizim të partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike”, përfundon deklarata e dërguar./b.j/ 

***

AAK: Dënojmë ashpër sulmin mbi ndërtesën e Presidencës

Partia opozitare kosovare, AAK e liderit Ramush Haradinaj dënon ashpër sulmin mbi ndërtesën e Presidencës së Kosovës. Në deklaratën e dërguar theksohet: 

Sulmi i sotëm mbi ndërtesën e Prësidencës, është një akt kriminal, i dënueshëm dhe kërkon ndërhyrjen urgjente të organeve të rendit për zbardhjen e tij. Është krejtësisht e papranueshme, se si sulmohet ndërtesa e një institucioni të lartë të vendit, që prezupozohet të jetë e vëzhguar me kamera dhe e ruajtur nga policia. Institucionet e rendit dhe të ligjit duhet ta bëjnë punën e tyre dhe ta zbardhin këtë akt kriminal, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe t’i identifikojnë sulmuesit, dhe të njejtit t’i nxjerrin para drejtësisë dhe t’i bëjnë të njohur për opinionin publik.

Ndërkaq Qeveria e vendit, është mirë që të mos paragjykojë kryesit e mundshëm të këtij akti qyqar, dhe të mos provojë që këto sulme kriminale, t’i përdorë për të justifikuar dështimet e veta. Për më tepër ta akuzojë Opozitën për kauza fiktive. Kauza “fiktive|” e Opozitës ka rezultuar të jetë shkelje flagrante e Kushtetutës, nga kryeministri i vendit dhe partnerët e tij.

Prandaj sulmi i sotëm është një akt kriminal dhe duhet të trajtohet si i tillë. Përpjekjet për t’i dhënë këtij akti banditesk dimensione politike, pa u gjetur akterët dhe motivet e tij, i konisderojmë një tjetër sulm mbi stabilitetin e vendit.(AAK)

***

LDK: Sulm mbi të gjitha institucionet dhe shtetin e Kosovës

 Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër dhe shpreh shqetësimin e saj të thellë për sulmin kriminal me molotov kundër zyrave të Presidencës së Kosovës, në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

LDK-ja, këtë vepër kriminale, e konsideron sulm mbi të gjitha institucionet dhe shtetin e Kosovës.

Duke pas parasysh aktet e ngjashme që kanë ndodhur në brenda dhe jashtë institucioneve muajt e fundit, duke përfshirë sulmet me molotov mbi organet e rendit dhe ndërtesat qeveritare, hedhjen e molotovëve mbi shtëpinë e Kryeministrit të Republikës dhe djegien e makinave private dhe zyrtare e sulmet mbi selitë e partive, LDK-ja vlerëson se kemi të bëjmë me akte të koordinuara të cilat kanë për synim zhytjen e vendit në kaos dhe anarki, për përfitime politike nga subjekte me agjenda antiperëndimore.

Duke ftuar organet kompetente të rendit dhe të drejtësisë që të zbardhin këto akte kriminale dhe që kryesit e nxitësit e tyre të ballafaqohen me drejtësinë, LDK-ja, po ashtu, thekson se askush nuk ka të drejtë të arsyetojë veprime e sulme të tilla në shtëpi private dhe në familje. 

 

Me këtë rast, Lidhja Demokratike e Kosovës, duke vlerësuar rolin e z. Ramush Haradinaj, reagon ndaj gjuhës së përdorur nga ai një natë më parë, në një debat televiziv. 

 

Z. Haradinaj, nuk mund ta konsideroj Kosovën vetëm të tije, duke justifikuar sulmet ne bomba molotovi në shtëpinë dhe familjen e Kryeministrit, duke u thirrur në kauza krejtësisht fiktive. Sulmet në familje dhe shtëpi private janë ligësi dhe vepra kriminale, nga të cilat duhet të hiqet dorë dhe të distancohen të gjithë. 

Z. Haradinaj nuk mund ta shfrytëzojë marrëveshjen për asociacionin si argument për të justifikuar atakimet e shtëpive private. Këtë marrëveshje e ka votuar AAK-ja dhe është bashkëshkruar nga nënkryetari i parë i AAK-së. Sa i përket demarkacionit, edhe kjo çështje do të zbardhet shpejt nga komisioni ndërkombëtar.

LB: Akte dhune kundër Republikës së Kosovës

    PRISHTINË, 12 Mars 2016/ Lëvizja për Bashkim  deklaroi sot se, dënon ashpër dhunën dhe terrorin mbi institucionet e Republikës së Kosovës. “Dhuna dhe terrori si mjete për realizimin e qëllimeve politike janë të papranueshme”, shprehet subjekti politik pjesë e koalicionit qeverisës, ku drejton Ministrinë e Diasporës.Deklarata fillimisht thekson se, sot, në orët e hershme të mëngjesit, me mjete shpërthyese është sulmuar ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, përkatësisht zyrat e Presidencës! 

Pas sulmeve mbi veturat e ministrave dhe deputetëve, vijon deklarata, është e padyshimtë se motivet e këtyre sulmeve janë politike dhe se sulmet janë të koordinuara dhe udhëhiqen nga një qendër.
“Lëvizja për Bashkim thërret organet kompetente që të marrin të gjitha masat për zbulimin sa më të shpejtë të aktorëve të këtyre veprave të drejtuara kundër Republikës së Kosovës dhe pavarësisë së saj! Përndryshe, përgjegjësit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së qytetarëve duhet menjëherë të ofrojnë dorëheqje për paaftësi në kryerjen e detyrave të besuara!”, përfundon deklarata.

***

Reagim i Partisë Demokratike të Kosovës ndaj sulmit të drejtuar ndaj zyrave të Presidencës

Partia Demokratike e Kosovës reagon ashpër ndaj sulmit me koktej molotovi ndaj zyrave të Presidencës së Republikës së Kosovës.Sulmet e tilla kriminale që po ndodhin në vazhdimësi, synojnë të krijojnë klimën e frikës dhe pasigurisë në shoqërinë tonë, si rrjedhojë janë të papranueshme dhe të dënueshme.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se veprimet e tilla, po cenojnë vlerat themelore të shtetit tonë dhe janë qartësisht anarkiste.Partia Demokratike e Kosovës, i bën thirrje organeve kompetente që ky akt të ndriçohet sa më shpejt dhe autorët e kësaj vepre të shëmtuar të vihen para drejtësisë. Zyra e Komunikimit-PDK

Filed Under: Komente, Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Molotov ne Kuvend, Presidence, Qeveria denon aktin

Kosova, Program Kombëtar për zbatimin e MSA-së me BE-në

March 11, 2016 by dgreca

-Programi përcakton masat dhe prioritetet legjislative dhe zbatuese në dy faza: masat afatshkurtra (për vitin 2016) dhe prioritetet afatmesme (për vitet 2017-2020)/

-Javën e ardhshme, në 17 dhe 18 mars, në Kosovë do të qëndrojë një mision vlerësues i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Mars 2016/ Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian u miratua sot pasdite në seancën plenare të Kuvendi i Republikës së Kosovës.Ministria e Integrimit deklaroi se, mbështetja e ofruar nga deputëtët e Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimit të Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së, dëshmon përkushtimin e Institucioneve të Republikës së Kosovës për të zbatuar të gjitha reformat legjislative dhe institucionale dhe detyrimet kontraktuale të parapara me Marrëveshjen e Stabilizim Asociim-it.Ky Program është dokumenti kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e axhendës evropiane që mbulon periudhën pesëvjeçare 2016-2020 dhe fokusohet në tre aspekte strategjike të anëtarësimit në BE: Përmbushjen e detyrimeve të MSA-së; Përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së; Zbatimin e legjislacionit të përafruar.

Programi mbulon të gjithë kapitujt e Acquis së BE-së. Bazuar në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndara në tri blloqe: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike, dhe Standardet Evropiane.Programi përcakton masat dhe prioritetet legjislative dhe zbatuese në dy faza: masat afatshkurtra (për vitin 2016) dhe prioritetet afatmesme (për vitet 2017-2020). Programi gjithashtu përcakton qartë përgjegjësitë e institucioneve për zbatimin e tij, si dhe afatet kohore të përmbushjes së këtyre veprimeve dhe burimet buxhetore.Procesi për hartimin e Programit, është koordinuar nga Ministria për Integrim Evropian,  me përfshirje të të gjitha institucioneve shtetërore dhe në një proces gjithëpërfshirës dhe konsultativ me shoqërinë civile dhe palët tjera të interesuara.

Zbatimi i Programit do të filloj menjëherë me hyrjen në fuçi të MSA-së në fillim të muajit Prill 2016.Marrëveshja për Stabilizim Asociim e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg me Bashkimit Evropian, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.Ndërsa, javën e ardhshme, në 17 dhe 18 mars, në Kosovë do të qëndrojë një mision vlerësues i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave.

 Në 18 dhjetor 2015, Komisioni Evropian ka publikuar raportin e fundit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky raport ka konstatuar se nga gjithsejt 95 kritere të Udhërrëfyesit, 87 janë zbatuar plotësisht, gjersa ka dhënë rekomandime për 8 kritere që janë vlerësuar si të plotësuara pjesërisht. Misioni vlerësues do të jetë i përbërë nga katër ekspertë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zyrtarë të Komisionit Evropian. Ky mision i paraprinë vizitës së Komisionerit Avramopoulos i cili pritet të realizojë vizitën e paralajmëruar në Kosovë për t’u njohur për së afërmi me progresin e bërë në adresimin e kritereve të fundit për të rekomanduar më pastaj heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ministria për Integrim Evropian ka koordinuar procesin dhe së bashku me institucionet tjera përgjegjëse kanë bërë pregaditjet e nevojshme për të pritur misionin vlerësues dhe për të prezentuar të gjitha masat e ndërmarra në zbatimin e 8 rekomandimeve të fundit në këtë proces.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, MSA-BE, program kombetar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 183
  • 184
  • 185
  • 186
  • 187
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT