-I shndërruan shtëpitë në strehimore të shpëtimit për hebrenjtë që iknin nga persekutimi/
-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit/
PRISHTINË, 27 Janar 2016/ Shqiptarët, të rritur me kultin e besës e të mikpritjes, i shndërruan shtëpitë e tyre në strehimore të shpëtimit për hebrenjtë që iknin nga persekutimi, tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, organizuar nga Bashkësia Hebreje Bet Israel Kosova, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës.
Në fjalën e tij të rastit, kryeparlamentari Veseli e konsideroi holokaustin një nga ngjarjet më të errëta dhe më barbare, që simbolizon urrejtjen e njeriut ndaj njeriut.
Duke e cilësuar atë si pikën më të zezë dhe tragjedinë më e rëndë në kontekstin e luftës së racave, Veseli shtoi se nazizmi, në emër të kësaj lufte, ndërtoi kampet e shfarosjes dhe zhyti gjithë botën në Luftën e Dytë Botërore, e cila u mori jetën rreth 60 milionë njerëzve.
“Në ato ditë të errëta për njerëzimin, derisa trenat nga e gjithë Evropa dërgonin hebrenj drejt kampeve të shfarosjes, në periferi të Evropës po ndodhte një mrekulli: mrekullia e humanizmit! Një popull i vogël dhe i lashtë, duke bartur mbi vete një kod të nderit dhe besës, po i refuzonte trenat e industrisë naziste të vdekjes. Ky ishte populli shqiptar”, tha në vazhdim të fjalës së tij Veseli.
Shqiptarët, shtoi kryetari i Kuvendit, të rritur me kultin e besës e të mikpritjes, i shndërruan shtëpitë e tyre në strehimore të shpëtimit për hebrenjtë që iknin nga persekutimi, sikur ta dinin që një ditë treni do të bartë edhe pasardhësit e tyre dhe historia e errët do të përsëritet në fundin e shekullit XX për shqiptarët e Kosovës, nga një sistem po aq i egër sa ai nazist.
“Zhurma e trenit të Bllacës është ende e freskët për ne, që na bën të bashkëndjejmë edhe më tepër me fatkeqësinë e miliona viktimave të Holokaustit.
Sot, kur ne përkulemi para këtij kujtimi dhe njëkohësisht, përkulemi me respekt para veprës së qindra familjeve shqiptare që strehuan në vatrat e tyre hebrenjtë e ikur. Ne sot ndihemi krenarë se jemi pasardhës të këtyre familjeve”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke treguar për takimin e disa muajve më parë me zonjën Stela Levi, një qytetare hebreje e lindur në Kosovë dhe e mbijetuar e Holokaustit, e cila ka rrëfyer për humanizmin heroik të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve nga terrori nazist.
“Zonja Levi më tregoi edhe për jetën e komunitetit hebre në Kosovë. Rrëfimi i saj përputhej me sa e sa rrëfime që kam dëgjuar gjithandej Kosovës nga Familja e Asllan Rezniqit, Familja Sharri, Familja e Hysni Domit, Familja Lleshi, Familja e Hasan Remë Xërxës, Halim Spahiut e shumë familje të tjera. Komuniteti hebre në Kosovë është një komunitet i respektuar. Vetëm pak metra nga këtu ishte sinagoga e cila përballë kishte xhaminë dhe pak më tutje edhe kishën katolike. Një simbolikë e fuqishme e bashkëjetesës fetare”, tha Veseli.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se përkujtimi i Holokaustit është mësimi më i madh nga historia për njerëzimin, që ideologjitë e urrejtjes të mos kenë mundësi të kthehen. Kur kujtohet Holokausti, shtoi kryetari Veseli, kuptohet se sa shumë duhet të punohet në forcimin e demokracisë, në forcimin e lirive e të drejtave të njeriut, në kultivimin e vlerave të tolerancës, mirëkuptimit e bashkëjetesës mes kulturave, religjioneve dhe shteteve.
Në këtë ceremoni përkujtimore ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve qendrore dhe lokale të vendit, përfaqësues të misioneve diplomatike të akredituara në Kosovë, të konfesioneve fetare etj./b.j/
Kosovë-Konkretizohet bashkëpunimi me Luginën e Preshevës
-Memorandumi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës është një hap i parë drejt ndërkomunikimit më aktiv kulturor, në funksion të njohjes dhe promovimit të kulturës mbarëkombëtare/
-Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës nesër në Strazburg takim me përfaqësues të Komisionit të Latë për të Drejtat e Njeriut, ku do të diskutohet për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, për gjendjen ekonomike e sociale/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Kujtim Shala ka pritur sot në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu, kryetarin e Preshevës, Ragmi Mustafa dhe atë të Bujanocit, Nagip Arifi.
Ky takim pason vizitën zyrtare që ministri Shala ka zhvilluar në Luginë të Preshevës dhe ka nënshkruar Memorandumet e Bashkëpunimit me Komunën e Preshevës dhe të Bujanovcit.
Me këtë vizitë, fillon faza e intensifikimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve ndërmjet MKRS-së dhe përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Në këtë takim, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi mes Ministrisë kosovare të Kulturës, Rinisë e Sportit dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, nëpërmjet të cilit synohet të krijohen kushte për bashkëpunim në politikat, programet dhe aktivitet kulturore dhe rinore në Luginën e Preshevës.
Në takim, përfaqësuesit e Luginës, e falënderuan ministrin Shala për vizitën që i ka bërë kësaj pjese, por edhe për mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve.
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës e vlerësuan si historike vizitën e ministrit Shala si dhe nënshkrimin e Memorandumeve të Bashkëpunimit që janë të parat të këtij lloji.
Ndërsa ministri Shala u shpreh se Ministria kosovare e Kulturës, Rinisë e Sportit po punon gjithnjë e më shumë për promovimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare në mbarë hapësirat nacionale. Në këtë drejtim, ai u shpreh se Memorandumi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, është një hap i parë drejt ndërkomunikimit më aktiv kulturor, në funksion të njohjes dhe promovimit të kulturës mbarëkombëtare.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, ka bërë të të ditur për median se pas vizitës sot në Prishtinë, të mërkurën e 27 janarit do të udhëtojnë për në Strazburg, ku në një takim me përfaqësues të Komisionit të Latë për të Drejtat e Njeriut do të diskutohet për të drejtat e shqiptarëve në Luginë, për gjendjen ekonomike e sociale.
Kosova ka pasur sukses në përmirësimet e qëndrueshme në mjedisin e sigurisë
-Deklaron Komandanti i Komandës së Forcës së Përbashkët në Napoli, Admirali i Marinës Amerikane, Mark Ferguson/
-Rreth 5,000 trupa nga Forca e Kosovës (KFOR) të udhëhequra nga NATO, nga 31 shtete vazhdojnë të punojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurtë si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Komandanti i Komandës së Forcës së Përbashkët në Napoli, Admirali i Marinës Amerikane, Mark Ferguson, vizitoi Forcën e Kosovës (KFOR) dhe zyrtarë të lartë në Kosovë.
Vizita e tij përfshiu takime me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, Peshkopin e Rashkës-Prizrenit, Teodosije Sibaliq, kreun e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral lejtënant Rrahman Rama.
Gjeneral majori i ushtrisë italiane Guglielmo Luigi Miglietta, komandant i KFOR-it, priti Admiralin Ferguson në Shtabin e KFOR-it në kampin Film City. Ai u informua nga stafi i selisë së KFOR-it për zhvillimet e fundit në situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit.
Qëllimi kryesor i vizitës së Admiralit Ferguson ishte për të diskutuar me udhëheqësit kryesorë për sigurinë dhe përpjekjet për stabilizim në Kosovë.
Komandantët diskutuan për rëndësinë e pranisë së KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të sigurtë në Kosovë. Aftësia e KFOR-it për të punuar në mënyrë konstruktive dhe të paanshme si dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe organizatat ndërkombëtare, mbetet një prioritet jetik për sigurimin e stabilitetit në rajonin e Ballkanit, thekson komunikata e sapodërguar.
“Me fillimin e vitit të ri, unë pres për të vazhduar punën me partnerët për të ruajtur një atmosferë të qetë dhe të sigurtë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha Admirali Ferguson. “Kosova ka pasur sukses në përmirësimet e qëndrueshme në mjedisin e sigurisë në sajë të shumë banorëve të saj të përkushtuar dhe besnikë”, theksoi ai.
NATO-ja udhëheq një operacion në mbështetje të paqes në Kosovë që nga qershori i vitit 1999 në mbështetje të përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në rajon.
Rreth 5,000 trupa nga Forca e Kosovës (KFOR) të udhëhequra nga NATO, nga 31 shtete vazhdojnë të punojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurtë si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, bën të ditur njoftimi i KFOR.
***
Admirali Ferguson: SHBA-të edhe në të ardhmen do ndihmojnë FSK-në/
PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Ministria e FSK-së në njoftimin e dërguar bën të ditur se, Komandanti i Forcave të Përbashkëta në Napoli, admirali i Flotës Ushtarake Detare të SHBA-ve, Mark E. Ferguson III, u prit sot në një takim pune nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës -FSK, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Admirali Ferguson shprehu kënaqësinë për vizitën e pritjen dhe theksoi se SHBA-të edhe në të ardhmen do ta ndihmojnë FSK-në. Ai shoqërohej nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Guglielmo Luigi Miglietta
Njoftimi thekson se, gjeneral Rama falënderoi admiralin Ferguson për ndihmën e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin për Kosovën, e në veçanti për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke theksuar bashkëpunimin e mirë me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Me këtë rast Komandant Rama vlerësoi lartë edhe bashkëpunimin e mirë me KFOR-in që po zhvillohet në shumë fusha.
Ai e njoftoi admiralin Ferguson, me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, në të gjitha fushat, bashkëpunimin që ka me shumë shtete si dhe pjesëmarrjen në ushtrime dhe trajnime rajonale dhe ndërkombëtare.
Po ashtu gjenerallejtënant Rama e njoftoi admiralin Ferguson me zhvillimet aktuale në FSK, duke u fokusuar tek procesi i transformimit në Forcat e Armatosura të Kosovës./b.j/
2016-a, Viti i Adem Demaçit
– Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në takim me drejtuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë: Nëse ka njeri të gjallë mbi këtë tokë, të cilit shqiptarët e Kosovës i kanë borxh për lirinë e tyre, ai është vetëm një: Adem Demaçi/
-Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni, nga ana e tij, falënderoi për pritjen dhe përkrahjen e parezervë në kremtimin e ditëlindjes së Adem Demaçit/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës (SHBPK), përkatësisht Këshillin nismëtar për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
Kryetari Veseli dhe drejtuesit e Shoqatës diskutuan lidhur me programin për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit dhe njëkohësisht organizimit të aktiviteteve të tjera që do të zhvillohen gjatë tërë vitit 2016, i cili do të cilësohet si “Viti i Adem Demaçit”.
Të gjitha këto aktivitete, do të organizohen me mbështetjen e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Gjatë takimit, kreu i Kuvendit tha se ndihet jashtëzakonisht i nderuar që institucioni që ai drejton, por edhe institucionet tjera të vendit, kanë mundësinë të bëjnë, siç vlerësoi ai, një gjë shumë të vogël për njeriun e madh, simbolin e kombit, njeriun e rezistencës, të vullnetit e të shpirtit të kombit tonë për liri dhe demokraci, Adem Demaçi.
Veseli garantoi se institucionet e Kosovës do të bëjnë të gjithë atë që është në përgjegjësinë e tyre, për të nderuar figurën e Adem Demaçit.
“Nëse ka njeri të gjallë mbi këtë tokë të cilit shqiptarët e Kosovës i kanë borxh për lirinë e tyre, ai është vetëm një: Adem Demaçi. Do t’i japim mbështetje çdo iniciative e cila është në shërbim të këtij emri. Sheshet në tërë Republikën e Kosovës do të marrin emrin e tij. Institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë çmim kombëtar me emrin e Adem Demaçit, siç ekziston ai me emrin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, theksoi kryeparlamentari Veseli, ndërsa shtoi se në kuadër të shënimit këtij përvjetori do të botohen edhe libra dhe do të përgatitet një dokumentar për figurën e Demaçit.
Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni, nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli për pritjen dhe përkrahjen e parezervë në kremtimin e ditëlindjes së Adem Demaçit. Hyseni tha se Këshilli nismëtar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, mbështetur nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Instituti Albanalogjik i Kosovës dhe ai i Historisë, si dhe segmente të tjera të shoqërisë, do të përpiqet ta rrumbullakësojë këtë shënim të këtij përvjetori, të cilësuar si viti i Adem Demaçi. Ky këshill, shtoi Hyseni, është në fazën e parë të funksionalizimit të tij, ndërsa në të ardhmen do të zgjerohet e kompletohet më tej.
Kosovë-Serbi, në Bruksel nesër raundi 30 i dialogut kryeministror
-Nga zyra e ndërmjetësueses, shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, është bërë e ditur se në takimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, palët do të diskutojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe hapat e mëtejshëm në kuadër të dialogut/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Kosova dhe Serbia nesër në Bruksel zhvillojnë raundin e 30-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, të parin në 2016-tën, të shtatin të krerëve aktualë të dy qeverive, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
Nga zyra e ndërmjetësueses, shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, është bërë e ditur se në takimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, palët do të diskutojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe hapat e mëtejshëm në kuadër të dialogut. Se, nesër në Bruksel do të diskutohet zbatimi i marrëveshjeve të deritashme, paralajmërohet edhe nga burimet në Prishtinë dhe Beograd, referuar zyrtarëve të dy qeverive.
Në takimin e fundit, në 13 tetor 2015, me ftesë të ndërmjetësueses së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, ishin në një “darkë joformale” në Bruksel, në “kontekst të dialogut të lehtësuar nga BE”.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, kanë zhvilluar deri tani gjashtë takime, ndërsa nga gjithsej 29 raundet e dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012.
Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tani ministre e Dialogut.
Fishë teknike-Datat e të gjitha takimeve kryeministrore Kosovë-Serbi në Bruksel:
Thaçi-Daçiç:
Viti 2012:
Raundi 1 – 19 tetor
Raundi 2 – 7 nëntor
Raundi 3 – 4 dhjetor
Viti 2013:
Raundi 4 – 17 janar
Raundi 5 – 19-20 shkurt
Raundi 6 – 4 mars
Raundi 7 – 20 mars
Raundi 8 – 2 prill
Raundi 9 – 17 prill
Raundi 10 -19 prill
Raundi 11 – 21 maj
Raundi 12 – 20-21 qershor
Raundi 13 – 8 korrik
Raundi 14 – 24 korrik
Raundi 15 – 27 gusht
Raundi 16 – 8 shtator
Raundi 17 – 7 tetor
Raundi 18 – 6 nëntor
Raundi 19 – 5 dhjetor
Raundi 20 – 13 dhjetor
Viti 2014:
Raundi 21 – 27 janar
Raundi 22 – 12 shkurt
Raundi 23 – 31 mars
Mustafa-Vuçiç:
Viti 2015:
Raundi 24 – 9-10 shkurt
Raundi 25 – 21 prill
Raundi 26 – 23 qershor
Raundi 27 – 29 qershor
Raundi 28 – 25 gusht
Raundi 29 – 13 tetor
Viti 2016:
Raundi 30 – pritet në 27 janar
- « Previous Page
- 1
- …
- 193
- 194
- 195
- 196
- 197
- …
- 245
- Next Page »