-Lufta e armatosur e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga forcat e NATO-së, ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës, luftë kundër forcave ushtarake, policore, paramilitare dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Shtator 2015/ Në Kosovë, drejt krijimit të Gjykatës Speciale, Ligji për Dhomat e specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të specializuar, është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe hyn në fuqi pas dy javësh, në 15 shtator.
“Me këtë ligj themelohet dhe rregullohet organizimi, funksionet dhe juridiksioni i Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar”, thuhet në nenin 1 “fusha e veprimit dhe qëllimi i ligjit”, ndërsa në nenin e fundit – 65 thuhet se “ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”. Ligji është miratur në Kuvendin e Kosovës në 3 gusht 2015, është shpallur me dekretin e datës 20 gusht nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në nenin 1, pika 2, thuhet edhe se “Dhomat e specializuara brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të specializuar janë të domosdoshme për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të parapara në Ligjin nr. 04/L-274, për garantimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe për garantimin e procedurave penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase në lidhje me pretendimet për krime të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare të kryera gjatë konfliktit në Kosovë dhe pas tij, krime të cilat ndërlidhen me ato që janë raportuar në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Dok 12462, i datës 7 janar 2011, dhe të cilat kanë qenë objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale (“TFHS”) e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (“PSRK”)”.
Ndërsa, në nenin 2 “përputhshmëria me Nenin 55 të Kushtetutës”, thuhet: “Çdo kufizim i të drejtave dhe lirive themelore bëhet në përputhje me nenin 55 të Kushtetutës për qëllime objektive dhe të arsyeshme që janë shprehur në këtë nen, në pajtim me kapitullin II të Kushtetutës dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe procesit të drejtë. Këto qëllime janë në interesin e Kosovës si shoqëri e hapur dhe demokratike dhe janë në shërbim të përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të Kosovës. Në përputhje me nenin 55 të Kushtetutës, këto kufizime shqiptohen vetëm në masën e nevojshme për përmbushjen e këtyre qëllimeve jetike”.
Ndërsa, Ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, siç thuhet në nënin e fundit – 10, “hyn në fuqi gjashtë (6) muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”. Në këta gazetë në 31 gusht 2015 është publikuar edhe ky ligj, e poashtu është miratur në Kuvend në 3 gusht e është dekretuar në 20 gusht nga Presidentja.
Fillimisht, në preambulë, thuhet:
“Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të Nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Duke konfirmuar edhe një herë qëndrimin dhe besimin e paluhatshëm që Lufta e armatosur e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe e përkrahur nga forcat e NATO-së, ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës, luftë kundër forcave ushtarake, policore, paramilitare dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovë;
Duke njohur sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), të mbështetur nga NATO, e udhëhequr nga SHBA-të dhe aleatet e saj, të cilët ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës;
Me qëllim që të mbrohet dhe zbardhet e vërteta për proceset e mundshme gjyqësore që do të zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara, pa ndonjë ndërhyrje dhe veprim të mundshëm i cili do të mundësonte ndërprerjen e këtij procesi dhe i cili do të mund të linte njollë të pazgjidhur në historinë e re të Republikës së Kosovës;
Duke ritheksuar zotimin e Republikës së Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj;
Duke rikonfirmuar gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës në vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, i paraqitur edhe në Marrëveshjen Ndërkombëtare të ratifikuar në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (Ligji nr. 04/L-274);
Miraton
Ligj për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara”.
Në nenin 1 – “qëllimi”, thuhet: “Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore dhe procedurat e ndërlidhura, për krimet e pretenduara pranë Dhomave të Specializuara”.
Mdërsa, në nenin 2 – “fushëveprimi” thuhet: “Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj çdo personi i cili akuzohet për krimet e pretenduara në proceset
gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara duke përfshirë mbrojtjen juridike për personat e akuzuar dhe mbështetjen financiare të anëtareve të ngushtë të familjes së tyre për udhëtimet që ndërlidhen me procedurat gjyqësore, që mbahen jashtë Republikës së Kosovës”.
Neni 9 – “aktet nënligjore” përcakton: “Ministria e Drejtësisë miraton akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji, më së largu tre (3) muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit”.
Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur sesionin pranveror me seancën e jashtëzakonshme të nisur pak para mesnatës së 3 gushtit, që ishte e treta brenda ditës për ndryshimet kushtetuese dhe ligjet drejt krijimit të Gjykatës Speciale.
Në 11 gusht, grupet parlamentare opozitare të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, dorëzuan në Gjykatë Kushtetuese kërkesën ku kontestohet kushtetutshmëria e amendamentit nr. 24 lidhur me formimin e Gjykatës Speciale, të votuar më 3 gusht 2015 nga Kuvendi. Lidhur me këtë kërkesë të opozitës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk është deklaruar ende.
KOSOVA NIS VITIN E RI SHKOLLOR
-Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një fillim të suksesshëm/
PRISHTINË, 1 Shtator 2015/ Në gjithë Kosovën sot nisi viti i ri shkollor në arsimin fillor dhe të mesëm.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një fillim të suksesshëm.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka drejtuar “një urim të veçantë për të gjithë nxënësit e klasave të para, për ata që po fillojnë një etapë të re të jetës së tyre dhe kur po fillojnë të përgatiten për të nesërmen”. “Uroj që ky vit shkollor 2015-2016 të sjellë ndryshimet e shumëpritura dhe të dëshiruara në ngritje të standardit dhe cilësisë të mësimdhënies dhe mësimnxënies”, ka shtuar ajo.
“Qeveria e ka prioritet shumë të rëndësishëm përkrahjen, reformimin dhe avancimin e vazhdueshëm të sistemit edukativ dhe arsimor në Kosovë”, ka siguruar kryeministri Isa Mustafa në urimin për nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Ai edhe më këtë rast ka shprehur “respektin dhe konsideratat më të larta për mësimdhënësit e Kosovës, njerëzit që me sakrificën dhe përkushtimin e tyre kanë pasur rol vendimtar për të gjitha të arriturat që Kosova ka bërë gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit”.
Vitin e ri shkollor, që në Kosovë nis tradicionalisht në 1 shtator, e ka uruar edhe ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Arsim Bajrami.
“Jam i sigurt se të gjithë ne do të punojmë së bashku që vërtetë ky vit shkollor të jetë i suksesshëm, të rezultojë me ngritjen e cilësisë, me një angazhim të gjithëmbarshëm të shoqërisë kosovare, sepse nuk ka prioritet më të madh se sa investimi në edukim”, është shprehur ai.
Ministri Bajrami sot do të vizitojë shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, ku do të bëjë edhe shpërndarjen simbolike të Abetares për nxënësit e klasave të para.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot kishte zgjedhur Shkollën Fillore
“Ibrahim Rugova” në Obiliq, në mënyrë që, nga atje, të përcjell urimin e
tij, për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Sot për ju fillon edhe një vit i betejës për dije, që sot për sot, i duhet
Kosovës më shumë se gjithçka tjetër. Unë jam i nderuar që në emrin tim dhe të gjithë anëtarësisë së AAK-së, nga
kjo Shkollë që mban emrin e Presidentit historik të Kosovës “Ibrahim
Rugova”, t’iu uroj një vit të mbarë shkollor”, u shpreh ai. /B.Jashari/
GJITHË KOMBI SHQIPTAR NDEROI AKADEMIK MARK KRASNIQIN
-Mesazhi i fundit në librin që doli nga shtypi vetëm një ditë para vdekjes ishte – bashkimi kombëtar/
-Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe familjes i kanë arritur shumë telegrame ngushëllimi, nga të gjitha anët e trungut gjeoetnik shqiptar dhe nga diaspora jonë e gjerë. Mbledhje komemorative kushtuar akademik Mark Krasniqit dhe homazhe/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Gusht 2015/ Gjithë kombi shqiptar nderon akademik Mark Krasniqin. Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u mbajt sot mbledhje komemorative kushtuar akademik Mark Krasniqit, i cili u shua në 28 gusht në moshën 95 vjeçare në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa e përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë morën pjesë në mbledhjen komemorative, ku të pranishmëve i janë drejtuar kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Hivzi Islami dhe sekretari i Jusuf Bajraktari.
“Akademik Mark Krasniqi e jetoi një jetë me plot peripeci, duke përjetuar rrugëtimin e rëndë dhe kompleks të Kosovës edhe si dëshmitar edhe si pjesëmarrës i tij, me të gjitha ngritjet dhe rëniet; rrethanat ishin të tilla që asnjë ditë shkolle nuk e bëri në gjuhën shqipe. Por gjithmonë duke qenë optimist – deri në minutin e fundit të jetës nuk pushoi të kontribuojë në fushën e shkencës dhe të çështjes kombëtare dhe në këtë front pa dyshim doli fitues. Të gjitha energjitë intelektuale, fizike dhe emocionale për kaq këto dekada të jetës i la në dispozicion të shkencës, të krijimtarisë dhe të çështjes kombëtare shqiptare. Gjithë veprimtaria e tij shkencore, letrare, publicistike dhe publike përshkohet me mesazhe të qarta optimizmi dhe qëndrese. Mesazhi i fundit në librin që doli nga shtypi vetëm një ditë para vdekjes ishte – bashkimi kombëtar”, theksoi akademik Islami.
Presidentja Jahjaga e kryeministri Mustafa poashtu bënë homazhe në nderim të figurës markante të Akademik Mark Krasniqit, dhe i shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe kolegëve, për këtë humbje të madhe për të gjithë qytetarët dhe Republikën e Kosovës.
Drejtuesit institucionalë e politikë të Kosovës kanë dërguar telegrame ngushëllimi me rastin e ndarjes sot nga jeta të akademik Mark Krasniqit, duke shprehur vlerësimet më të larta.
“Njërin prej njerëzve më të mëdhenj të Kosovës që ka punuar për lirinë dhe pavarësinë” e ka vlerësuar presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga akademik Mark Krasniqin, ndërsa kryeministri Isa Mustafa personalitet të “kontributit të jashtëzakonshëm për Kosovën”.
Për akademik Krasniqin, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shprehet se “ka lënë gjurmë të pashlyera”, ndërsa zv/kryeministri i parë Hashim Thaçi e vlerëson “një nga figurat e shquara të botës intelektuale dhe politike shqiptare përgjatë dy shekujve”. “E harxhoi një jetë në shërbim të atdheut”, thekson kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe familjes i kanë arritur shumë telegrame ngushëllimi, nga të gjitha anët e trungut gjeoetnik shqiptar dhe nga diaspora jonë e gjerë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka njoftuar se ditën e diel, më 30 gusht 2015, në orën 13:00, do të mbahet mbledhja komemorative me rastin e vdekjes së akademik Mark Krasniqit, ndërsa homazhet nga ora 13:30-15:00, në mjediset e Akademisë.
Arkivoli me trupin e pajetë të akademik Mark Krasniqit niset për në varrezat e Prishtinës nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në orën 15:00, ndërsa varrimi do të bëhet në orën 17:00.
FJALA E KRYETARIT AKAD. HIVZI ISLAMI, NË MBLEDHJEN KOMEMORATIVE TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE TË ARTEVE TË KOSOVËS ME RASTIN E VDEKJES SË AKADEMIK MARK KRASNIQIT, 30.08.2015
E nderuar familje Krasniqi,
Miq të nderuar,
Zonja dhe zotërinj
Të premten, në ora 00:35 minuta të mëngjesit, në Qendrën intensive të QKUK-së të Prishtinës, vdiq njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shek. XXI, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe njëri nga doktorët e parë të shkencave në Kosovë, akademik Mark Krasniqi. U shua dijetari, intelektuali, profesori, organizatori i punës shkencore-hulumtuese dhe i institucioneve arsimore e shkencore të Kosovës dhe veprimtari i spikatur i çështjes sonë kombëtare, që la gjurmë të thella në jetën e gjithmbarshme të Kosovës dhe të botës shqiptare.
Ju thërras që me një minut heshtje ta nderojmë prindin, gjyshin, kolegun dhe mikun tonë të dashur, Akademik Mark Krasniqin.
Lavdi!
Duke qenë pjesë përbërëse e lagjes së vogël, por të fortë intelektualësh, dijetarësh dhe patriotësh të Kosovës, sikurse Esad Mekuli, Idriz Ajeti, Ali Hadri, Anton Çetta, Gazmend Zajmi, Dervish Rozhaja, Hilmi dhe Fehmi Agani e të tjerë, me punë, mund dhe guxim të pashoq, akademik Mark Krasniqi dallohej në ngritjen, organizimin dhe zhvillimin e arsimit të lartë, të institucioneve shkencore dhe të veprimtarive kulturore e shoqërore të Kosovës. Këto angazhime ishin pashmangshmërisht të lidhura me luftën e tij për barazi, çlirim dhe afirmim kombëtar. Këtij brezi i takon pa dyshim dhe merita për ngritjen e institucioneve dhe të kuadrove për Universitetin e Prishtinës, i cili luajti një rol të madh në përmbushjen jo vetëm të funksionit arsimor, shkencor dhe edukativ, por u bë dhe faktor i fuqishëm integrativ i shqiptarëve në gjithë ish-Jugosllavinë. Prof. Mark Krasniqi drejtoi me sukses për shumë vjet disa institucione të rëndësishme shkencore e kulturore të Kosovës, nga ato universitare deri te Shoqata e Shkrimtarëve dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Me rezultatet e pakontestueshme në fushën e shkencës, para së gjithash të asaj gjeoetnografike, të mbështetura në fuqinë e argumenteve dhe të dhënave shkencore, prof. Marku arriti ta gjurmojë thellë kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve dhe ta pasqyrojë objektivisht realitetin e ndërlikuar dhe kompleks hapësinor dhe shoqëror të Kosovës, duke u bërë emër dhe jashtë suazave kombëtare. Deri në paraqitjen e tij në fillimet e viteve të 50-ta të shekullit XX, epërsinë e studimit shoqëror-gjeografik dhe etnografik të Kosovës e kishin antropogjeografët, historianët dhe etnografët serbë, trajtimet e të cilëve përshkoheshin thellë nga të pavërteta, gjysëm të vërteta, shtrëmbërime dhe paragjykime deri te ato shoviniste dhe raciste.
Në rrethana tepër të rënda të kohës nuk ishte aspak lehtë për studiuesin shqiptar që të merrej me këto çështje, e lere më t’i kundërshtonte pikëpamjet e bollshme antishqiptare, të thyente klishetë e metodologjisë klasike të shkollës tashmë me traditë të gjatë, të drejtimit antropogjeografik, të Cvijiqit dhe ithtarëve të tij, madje duke qenë brenda Akademisë Serbe të Shkencave dhe punonjës shkencor i saj. Në fillim të viteve të 60-ta kaloi të punojë profesor në fakultetet e para të Prishtinës, në kohën kur hegjemonizmi serbomadh ishte tërbuar dhe me ngulm kërkonte që Kosova të kundrohej vetëm si çështje serbe. Pas ndjekjes së disa studiuesve dhe veprimtarëve shqiptarë, në adresë të prof. Markut pasuan shantazhet dhe kërcënimet më brutale, duke u hapur një fushatë e gjerë, e paparë deri atëherë në gjithë botën objektive shkencore. Kulminacioni arriti në mars të vitit 1966, kur u sulmua rëndë libri i tij shkencor, i botuar tre vjet më parë, që në fakt ishte doktorata e tij e mbrojtur në Universitetin e Lublanës në vitin 1960 nën drejtimin e shkencëtarit dhe akademikut të njohur Anton Melik. Ky botim i kishte vënë bazat për studime të mëtejme në disa fusha të shkencave sociale-hapësinore dhe kulturore-historike. Profesori ishte ndër shqiptarët e rrallë në Kosovë që i përgjohej telefoni nga organet policore në kohën e Rankoviqit.
Akademik Mark Krasniqi e jetoi një jetë me plot peripeci, duke përjetuar rrugëtimin e rëndë dhe kompleks të Kosovës edhe si dëshmitar edhe si pjesëmarrës i tij, me të gjitha ngritjet dhe rëniet; rrethanat ishin të tilla që asnjë ditë shkolle nuk e bëri në gjuhën shqipe. Por gjithmonë duke qenë optimist – deri në minutin e fundit të jetës nuk pushoi të kontribuojë në fushën e shkencës dhe të çështjes kombëtare dhe në këtë front pa dyshim doli fitues. Të gjitha energjitë intelektuale, fizike dhe emocionale për kaq këto dekada të jetës i la në dispozicion të shkencës, të krijimtarisë dhe të çështjes kombëtare shqiptare. Gjithë veprimtaria e tij shkencore, letrare, publicistike dhe publike përshkohet me mesazhe të qarta optimizmi dhe qëndrese. Mesazhi i fundit në librin që doli nga shtypi vetëm një ditë para vdekjes ishte – bashkimi kombëtar.
Edhe pse në moshë të shtyrë, në dobi të kauzës sonë, në vitet e 90-ta të shekullit XX u vu në krye të një partie politike shqiptare, duke u bërë pjesë e “Alternativës” së atëhershme shqiptare me dr. Rugovën si prijës. Për punën dhe kontributin e tij, në vitin 2003 nga Presidenti I. Rugova u dekorua me “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, ndërsa në vitin 2014 presidenti i Shqipërisë B. Nishani ia dha çmimin “Nderi i Kombit”.
Duke marrë pjesë aktive në studimin e shumë çështjeve shoqërore-kulturore dhe në zhvillimin e mendimit ashkencor, prof. Marku merrte pjesë aktive në afirmimin dhe emancipimin e shqiptarëve në hapësirat ballkanike e më gjërë. Jo vetëm në krijimtarinë shkencore, letrare dhe publicistike, por edhe në procesin e emancipimit social, kulturor, politik dhe nacional të shqiptarëve, me ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore-kombëtare, gjithnjë u prononcua dhe pati guximin ta thoshte atë që e mendonte. Si intelektual i orëve të para, me ndjenjë të fortë individualizmi, mbeti brenda synimit kolektiv për emancipim dhe përparim të kombit shqiptar dhe pjesë e kujtesës së tij kolektive. Me kurajon dhe thellësinë shkencore, intelektuale e krijuese që kishte, ishte reagues i pavonuar ndaj shumë dukurive dhe proceseve të ndjeshme dhe të dëmshme për shkencën, shoqërinë dhe interesin kombëtar. Njihej si polemist i mprehtë me bartësit e pikapamjeve antishkencore dhe antishqiptare. Vepra e tij shkencore në përgjithësi mbetet për shumë çështje burim reference.
Me rrugën e bujshme dhe komplekse shkencore, intelektuale e publike dhe trashëgiminë e begatshme, profesor Mark Krasniqi la gjurmë të pashlyeshme në jetën shkencore, kulturore, kombëtare dhe shoqërore të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në fillim të këtij që po e jetojmë. Si i tillë do të mbetej i pavdekshëm.
Me këtë rast Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së akademik Mark Krasniqit, si dhe të gjithë miqve dhe shokëve të tij të shumtë anë e mbanë botës shqiptare.
Akademisë dhe familjes i kanë arritur shumë telegrame ngushëllimi, nga të gjitha anët e trungut gjeoetnik shqiptar dhe nga diaspora jonë e gjerë.
Për jetën dhe veprën e akademik Mark Krasniqit do të flasë anëtari i Akademisë dhe sekretari i Seksionit të Shkencave Shoqërore, dr. Jusuf Bajraktari.
Kosovë-Serbi, raundi i 28-të bisedime të vështira
Nga Behlul Jashari PRISHTINË, 25 Gusht 2015/ Bisedime të vështira po zhvillohen sot në raundin e 28-të kryeministror Kosovë-Serbi në Bruksel, sipas burimeve të Beogradit.
Bisedimet kanë filluar para mëse 10 orësh, por ende nuk ka njoftime për takim të përbashkët të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa e kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësuesen, Përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, e cila krerët e dy qeverive i ka pritur në takime të ndara.
“Dialogu i Beogradit e Prishtinës po vazhdon dhe në qendër të vëmendjes janë katër tema – energjetika, telekomi, Bashkësia e komunave serbe dhe lëvizja e lirë nëpër urën në Mitrovicë”, citohet Ketrin Rej, zëdhënsja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, cituar nga media serbe.
Ndersa, Suzana Vasiljeviç, këshilltarja për media e kryeministrit të Serbisë, në Tviter ka shkruar se kanë nisur negociatat në Brukse dhe se janë duke u zhvilluar konsultime të delegacionit serb.
“Bisedime të vështira” për “4 çëshje kyçe: Bashkësia e komunave serbe, energjetika, ura dhe telekomunikacioni”, citohet një anëtar i delegacionit të Beogradit.
“Krijimi i një korridori territorial është jashtëzakonisht problematik”, shprehet kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka qenë ministër i parë për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa në Bruksel po negociohet Asociacioni-Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndërkohë, zhvillohen “konsultime të delegacionit serb në Bruksel”, bënin të ditur burime të Beogradit, derisa po zhvillohej raundi i 28-të kryeministror i dialogut Kosovë-Serbi.
Këshilltarja për media e kryeministrit të Serbisë në Tviter ka postuar një foto me anëtarë të delegacionit të Serbisë të kryeministrit Aleksandar Vuçiçi, i cili ka takuar Përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, pas takimit që ajo ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Kryeministri i Kosovës, Mustafa, në mbledhjen e qeverisë pas kthimit nga raundi i 27-të deklaronte se në dialogun me Serbinë në Bruksel “temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë”.
Nga delegacioni i Kosovës nuk ka ende konfirmim të ndonjë marrveshje, ndërsa sipas medias serbe, deri tash është dakorduar zgjidhja për telekomin, ndërsa deri në fund të këtij raundi pritet të arrihet paketa e marrëveshjeve, që përfshinë edhe Bashkësinë e komunave serbe, energjetikën dhe urën e lumit Ibër në Mitrovicë.
Kosovë-Shqipëri, vazhdon ndërtimi i “autostradës” energjetike”
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Gusht 2015/ Në Kosovë vazhdon ndërtimi i “autostradës” energjetike drejt Shqipërisë. Në rajonin e Gjakovës, javën e ardhshme, me qëllim të krijimit të kushteve të sigurisë në punë do ketë shkyqje në linën LP 10 kV Cërmjan dhe Sopot.
“Çkyqjet janë të domosdoshme për të mundësuar punimet në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri”, thekson njoftimi dërguar nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT sh.a.
Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë “autostradën” energjetike, ka thënë kryeministri kosovar Isa Mustafa në konferencën e fundit për shtyp këtë muaj, i pyetur nga ATSH, ku ka folur edhe për bashkëpunimet në fushën e energjetikës e të tjera.
“Rrjeti energjetik mendojmë se vitin e ardhshëm duhet të aktivizohet. Sivjet presim që të kryhen të gjitha punimet në pjesën tonë, edhe në pjesën e Shqipërisë kryhet vitin e ardhshëm dhe do e inaugurojmë”, ka theksuar kryeministri kosovar.
Kreu i qeverisë së Kosovës, gjatë konferencës për shtyp ka bërë të ditur se, është duke u punaur që të sigurohet edhe tregu i përbashkët i energjisë elektrike, që të bëhet këmbimi i saj.
“Jemi shumë afër me Shqipërinë që të zhvillojmë një lloj tregu të përbashkët, për arsye të kapaciteteve të transmisionit, të cilat po i ndërtojmë, sidomos të linjës interkonektive 400 kV, ku punimet gati përfundojnë këtë vit, ndërsa presim që në vitin 2016 të përfundojnë tërësisht dhe të aktivizohet kjo linjë dhe të krijohen kushte të veçanta që Kosova e Shqipëria të kenë këmbim të energjisë elektrike në sezone të ndryshme kur mund të ketë mungesë ose mund të ketë tepricë të energjisë elektrike”, ka thënë kryeministri Mustafa.
“Dhe, krahas kësaj, ne do të shikojmë të bashkëpunojmë me Shqipërinë edhe në aspektin e gjenerimit të energjisë elektrike, dhe do të zhvillojmë biseda në të ardhmen edhe për këtë”, ka shtuar ai.
“Po punojmë poashtu edhe në planin e zhvillimit të energjisë së ripërtritëshme në Kosovë, orientimet tona janë që diku deri në vitin 2020 të arrijmë 25 për qind të energjisë nga burimet e ripërtritëshme dhe të përplotësojmë kriteret e Bashkimit Evropian. Këtu llogarisim edhe në hidrocentralin e Zhurit, e poashtu do të shohim edhe mundësinë e kombinimit me Shqipërinë”, ka thënë kreu i qeverisë kosovare, Mustafa.
Në 21 dhjetor te vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes së Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kVKosovë-Shqipëri.
“Ndërtimi i linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike. Me implementimin e projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri, do të mundësohet shkëmbimi më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë”, u theksua me atë rast.
Në 10 mars 2015, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri Kosovar i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, të shoqëruar edhe nga drejtuesit e operatorëve të transmisionit dhe rregullatorëve të energjisë të të dyja vendeve, kanë vizituar NS 400/220kV – Kosova B në Obiliq, ku janë njoftuar për së afërmi me punën që po bëhet për realizimin e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri, “autostradës” energjetike.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, vlerësoi se përfundimi i kësaj linje krijon damarin e nevojshëm dhe shtyllën kurrizore ku ky sistem do të ngrihet, i cili do harmonizohet me politika të përbashkëta, strategji të përbashkëta dhe investime të përbashkëta, pasi dyja vendet kanë sfida të përbashkëta sa i përket energjisë.
“Shqipëria dhe Kosova kanë nevoja të mëdha, prandaj është i nevojshëm koordinimi dhe harmonizimi i tyre dhe kjo ardhje këtu nuk është vetëm simbolike, por është konkrete, është për t’u treguar njerëzve se gjërat po avancojnë përpara”, tha Gjiknuri.
Ministri Stavileci theksoi se ecuria e mirë e punimeve në ndërtimin e linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri rrit pritshmëritë se deri në fund të këtij viti do të përfundojë pjesa nga Kosova dhe deri në pranverën e vitit të ardhshëm edhe pjesa e Shqipërisë. “Kjo është ‘autostrada’ energjetike në mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke ditur rëndësinë që ka dhe benefitet e shumta që përfitojnë dy shtetet. Por, ne do të shkojmë edhe përtej kësaj, pra edhe me një linjë të re 110kV Dragash-Kukës. Dhe po ashtu jemi dakorduar që në konceptet tona zhvillimore të fusim ide që lidhen me ndërtimin e kapaciteteve të reja që e plotësojnë tregun energjetik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Stavileci.
Vizita në NS 400/220kV Kosova B u realizua pas themelimit të Komitetit Drejtues dhe takimit të grupeve punuese për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë mes dy vendeve, që është mbajtur po atë ditë në Prishtinë në mjediset e Ministrisë kosovare të Zhvillimit Ekonomik.
Pjesë e mbledhjes së përbashkët, të parës historike, të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në 11 janar 2014, në qytetin e Prizrenit, pas së cilës u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive, ishte edhe Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të energjisë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 227
- 228
- 229
- 230
- 231
- …
- 245
- Next Page »