MALISHEVË, 2 Gusht 2015/-Në qytetin kosovar të Malishevës ka filluar mbrëmë festivali i folklorit “Oda e Llapushës”, ku po marrin pjesë shoqëri, grupe dhe këngëtarë nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, si dhe nga Amerika e vende të tjera të diasporës. Ky festival garues në fushën e folklorit mbahet në kuadër të “Ditëve të Mërgatës”, organizuar nga Komuna e Malishevës.
“Kjo është hera e dytë që mbahet ky festival dhe do të jetë tradicional. Janë shumë arsye që ky festival i takon të mbahet në Malishevë, pasi kjo trevë, është më e njohura në fushën e folklorit”, u shpreh në hapje kryetari i Komunës, Ragip Begaj.
Pjesëmarrësit e festivalit paraprakisht kanë defiluar rrugëve të qytetit të Malishevës.
Festivali do të mbyllet në mbrëmjen e sotme dhe me ndarjen e çmimeve nga organizatori, sipas vlerësimeve të jurisë profesionale, të përbërë nga njohësit e fushës së folklorit dhe traditës shqiptare./b.j/
KOSOVA DO NDIHMOJË ARSIMIN SHQIP NË MAL TË ZI
-Ministri Bajrami u prit në Mal të Zi nga ministri i Arsimit dhe ministrja e Shkencës-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 31 Korrik 2015/-Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami po qëndron në vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku sot ka pasur takime të rëndësishme me udhëheqës të institucioneve më të larta të arsimit dhe shkencës, me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit.
Ministri Bajrami është pritur nga ministri i Arsimit i Malit të Zi, Predrag Boskoviç, me të cilin është pajtuar për bashkëpunim në të gjitha nivelet e arsimit. “Me ministrin Boshkoviç, u pajtuam për bashkëpunimin në fushën e shkëmbimit të përvojave akademike universitare në të mirë të ngritjes së cilësisë, e po ashtu edhe në aspektin e integrimeve regjionale dhe evropiane”, bëri të ditur ai.
Ne, theksoi ministri Bajrami, u pajtuam plotësisht që të ndihmojmë arsimin shqip në të gjitha nivelet në Mal të Zi, që të krijojmë një cilësi në shkollat shqipe, duke siguruar mësimdhënës të përgatitur, por edhe kushte të mira për mësim. “Do të mbështesim shkollat shqipe këtu me të gjitha mundësitë që kemi në një platformë të bashkëpunimit ndërshtetëror”, tha ministri kosovar.
Po ashtu, ministrat e arsimit të të dy shteteve kanë biseduar edhe për nevojat që ka arsimi shqip në Mal të Zi dhe mundësisë për të pranuar më shumë studentë në Universitetin e Prishtinës për përgatitjen e mësimdhënësve për mësimin në gjuhën shqipe. Gjithashtu, ata kanë biseduar edhe për lehtësimin e procedurave të njohjes reciproke të diplomave.
Ministri Bajrami e ka falënderuar homologun e tij malazez edhe për gatishmërinë që t’i mundësojë Republikës së Kosovës të ndihmojë arsimin shqip në Mal të Zi me tekste. “Qeveria e Kosovës nuk dëshiron të zhvillojë bashkëpunimin në arsim me platforma patriotike, por reale. Interesat e komunitetit, interesat e mësimit në gjuhën shqipe këtu janë jetike dhe ne kemi arritur konsensus të plotë që të bashkëpunojmë me një vullnet pozitiv”, tha ministri Bajrami.
Ministri kosovar Bajrami është pritur edhe nga ministrja e Shkencës e Malit të Zi, Sanja Vllahoviç, me të cilën ka biseduar për mundësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror për projkete të përbashkëta shkencore, por edhe për projektet evropiane si Erasmus+, Horizon 2020, ku dy shtetet mund të konkurrojnë për fonde dhe studime të përbashkëta në fusha të ndryshme.
Të dy ministrat kanë biseduar edhe për shkëmbime akademike të profesorëve të të dyja vendeve dhe janë pajtuar që së shpejti ky bashkëpunim të konkretizohet me një Marrëveshje Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Malit të Zi. “Ka një vullnet jashtëzakonisht të mirë midis dy shteteve që të ecim përpara në rrugën tonë evropiane edhe me raporte jashtëzakonisht të mira e miqësore, ku arsimi dhe shkenca janë fusha ku mund të shënojmë rezultate të mira”, tha ministri.
Ministri Bajrami gjatë ditës është takuar edhe me Komisionin Parlamentar për Arsim të Malit të Zi, të kryesuar nga Branka Tanasijeviç.
Gjatë ditës së nesërme, ministri Bajrami do të takohet edhe me udhëheqës të Komunës së Ulqinit, Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi dhe përfaqësues të partive politike shqiptare për të biseduar për nevojat e arsimit shqip.
Bordi Ekzekutiv i FMN-së ka aprovuar Programin Stand-By me Kosovën
Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 30 Korrik 2015/-Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar në mbledhjen e mbajtur në 29 korrik 2015 ka aprovuar Programin Stand-By me Kosovën. Ky Program do të zgjasë për një periudhë 22 mujore dhe përmes tij synohet të mbështeten politikat e Qeverisë për reforma fiskale, financiare e strukturore. Këto reforma janë pjesë e Programit të Qeverisë dhe implementimi i tyre direkt do të ndikojë në forcimin e pozitës fiskale të vendit dhe njëherit do të krijojnë parakushte për një rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme të ekonomisë së Kosovës.
Ministria e Financave, e cila sapo dërgoi sot njoftimin, si dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për implementim të Programit me FMN janë duke punuar në vazhdimësi për t’u siguruar se të gjitha kriteret e performancës dhe ato strukturore përmbushen sipas marrëveshjes dhe në kohë.
Në fakt, një numër i veprimeve që janë pjesë e Programit tanimë janë përmbushur, siç është rasti me aprovimin e Rishikimit të Buxhetit për vitin 2015 dhe ligjeve që lidhen me reformat fiskale, ndërsa tani do fillojë implementimi i këtyre ligjeve.
Pritet që vizita e radhës e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Rishikimin e parë të Marrëveshjes të jetë gjatë muajit shtator, ndërsa duke filluar nga ky muaj, nën koordinimin e Ministrisë së Financave, do të mbahen takime të rregullta të të gjitha institucioneve përgjegjëse për të monitoruar nga afër implementimin e Programit.
Në 9 qershor 2015 Ministria kosovare e Financave njoftonte se ka përfunduar me sukses vizitën misioni i FMN-së në Kosovë.
“Pas 10 ditë diskutimeve me ekipin e FMN-së përfundimisht kemi arritur në një konkluzion për një program të mundshëm të Kosovës me FMN-në për një periudhë 22 mujore, i cili program i akomodon në tërësi nevojat që ka shteti i Kosovës, ekonomia e Kosovës për të ofruar mundësi zhvillimi për të ardhmen” ka thënë ministri Avdullah Hoti në konferencën e për shtyp me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Jacques Miniane.
“Programi përfshinë një mbështetje financiare që do të merr buxheti i Kosovës për të mbushur bilancin bankar në mënyrë që ne të kemi siguri të mjaftueshme në financat publike dhe mbi këtë bazë të kemi mundësi të hyjmë në projekte zhvillimore”, ka thënë Hoti .
Ndërsa, shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën Jacques Miniane, ka theksuar se, “Misioni arriti marrëveshje në nivel të stafit me autoritetet lidhur me një program ekonomik i cili do të mbështetej me një Marrëveshje Stand-By (MSB) me FMN-në, në një kohëzgjatje prej 22 muajsh. Qasja e propozuar do të kishte gjithsej SDR (të drejta speciale të tërheqjes) prej 147.5 milionë (rreth €185 milionë), apo 250 për qind të kuotës. Marrëveshja në nivel të stafit duhet të presë aprovimin e Menaxhmentit dhe Bordit Ekzekutiv të FMN-së. Shqyrtimi nga ana e Bordit Ekzekutiv pritet të bëhet deri në fund të muajit korrik”.
“Rritja ekonomike në Kosovë ka mbetur relativisht e fortë dhe e qëndrueshme viteve të fundit, e nxitur pjesërisht nga remitancat e larta nga diaspora. Megjithatë, ekziston një konsensus i gjerë që nevojitet një rritje ekonomike më e lart për t’i afruar të ardhurat në nivel të vendeve fqinje dhe për të siguruar vende pune të cilësisë së lartë, për të cilat Kosova ka shumë nevojë. Për ta arritur këtë, autoritetet synojnë që t’i adresojnë hendeqet në infrastrukturë dhe shkathtësi, t’i adresojnë kostot e larta të punës, t’i heqin pengesat strukturore të kredidhënies bankare, si dhe ta forcojnë mjedisin e biznesit. Veprimet vendimtare në këto fusha do ta ndihmojnë ekonominë e Kosovës që të arrijë një rritje të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse, të nxitur nga sektori privat dhe eksportet”, ka shtuar Miniane.
*Dielli falenderon Gazetarin e njohur nga Kosova, Behlul Jashari,qe percjell per lexuesit tane infomacione, analiza,veprimtari kulturore, arstistike, politike, ne nje kohe rekord.
Kufijtë e Kosovës, përgjegjësi e të gjithëve
-Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj me ekspertët e vendit diskutoi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi/
PRISHTINË, 29 Korrik 2015/-Me nismën e kryetarit të AAK-së, deputetit dhe anëtarit të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Ramush Haradinaj, sot, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, u mbajt tryeza tematike “Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi”.
Kryetari i AAK-së, Haradinaj tha se kësaj teme të ndjeshme dhe të rëndësishme për vendin, duhet t’i qasemi seriozisht dhe të mos e konsiderojmë asnjëherë si çështje të një partie politike ose grupi të caktuar. “Kufijtë janë përgjegjësi e të gjithë neve”, tha ai, duke i falënderuar ekspertët prezentë në tryezë dhe ftuar ata që të jenë pjesë e vazhdueshme e punës.
Në tryezë diskutuan ekspertë të fushave të ndryshme, profesorë universitarë dhe njohës të hartografisë, aerografisë, topografisë, çështjeve kufitare… si prof. dr. Muharrem Cërrabregu, prof. dr. Florim Isufi, prof. dr. Muhamet Mala, prof. dr. Muhamet Sadiku, Gazmend Muhaxheri, Ali Lajçi etj., si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarë të komunave.
Sipas komunikatës dërguar nga AAK, ekspertët dhanë argumentet e tyre që dëshmonin të kundërtën e asaj që është raportuar nga Komisioni Shtetëror për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Ekspertët e njohur të hartografisë në vend thanë se Agjencioni Kadastral i Kosovës nuk është organi kompetent për caktimin e kufijve.
Në fund u nxorën edhe konkluzionet e kësaj tryeze, në lidhje me demarkacionin shtetëror të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi.
U tha se duhet referuar hartave kredibile, burimore të vitit 1962 dhe më herët; si dhe kufiri duhet përcaktur mbi parimet Ujëndarëse (Drini i Bardhë), Qafore, Kodrinore dhe Natyrore.
Gjithashtu, u vendos që të hartohen dhe të aprovohen nga institucionet e Kosovës bazat e punës Komisionit Shtetror për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi./B.Jashari/
Kosovë –Gjykata Speciale, ende as riprocdedim nga qeveria e as në axhendën e Kuvendit
-Shtypi kosovar: Përpjekja 2 për Specialen këtë javë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 27 Korrik 2015/-Nuk do të shkohet në pushim para riprocedimit të amendamentit kushtetues dhe vendimit për Gjykatën Speciale, është përkushtimi nga institucionet e Kosovës i ritheksuar edhe në fundjavën e kaluar, ndërsa ditën e parë të javës vijuese, sot, u mblodhën Kryesia e Kuvendit e kryetarët e grupeve parlamentare me axhendë përgatitjet për seancën plenare, e cila u vendos të mbahet të enjten e 30 korrikut.
“Kemi kërkuar që deputetët të mos shkojnë në pushime para se të vendosë Kuvendi për Gjykatën Speciale, përkatësisht para se ta riprocedojmë”, është shprehur kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, në konferencën për shtyp të premtën.
Qeveria e Kosovës pritet ta riprocedojë amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës për krijimin e Gjykatës Speciale, pasi të sigurohen të pakëtën 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, prej tyre 10 serbë. Në seancën e Kuvendit në 26 qershor për miratim të amendamentit mungonin 5 vota, derisa 75 deputetë ishin pro, 7 kundër, 2 abstenuan e opozita nuk mori pjesë në votim.
Votat kundër dhe abstenim ishin nga deputetët e koalicionit qeverisës, PDK-së, që ishin në seancë, ndërsa 4 mungonin kur u votua. Por, në zhvillimet pasuese, sipas burimeve mediale të raportuara javën e kaluar, “vetëm katër nga 13 deputetët e PDK-së, që nuk i dhanë mbështetje amendamentit kushtetues që do t’i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, nuk kanë ndryshuar qëndrim”, prandaj, “mbështetje Speciales pritet t’i japin 85 deputetë të koalicionit qeverisës”.
“Përpjekja 2 për Specialen këtë javë”, është një kryetitull në shtypin e sotëm kosovar, sipas të cilit “burimet kanë thënë se partitë e koalicionit janë ‘bindur’ se do t’i bëjnë 80 votat e nevojshme për ta kaluar Specialen”.
“Në qeveri nuk është në diskutim plotësimi apo ndryshimi i amendamentit ekzistues, të cilin Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar të jetë në përputhje me Kushtetutën”, thekoson shtypi.
Në 27 qershor, në një mbledhje konsultative të qeverisë u paralajmërua riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën që nuk votoi në Kuvend ndryshimet kushtetuese, por në 30 qershor tre partitë opozitare kosovare , me gjithësej 31 deputetë, në një deklaratë të përbashkët janë shprehur se, “vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, i datës, 26 qershor 2015 është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”.
“Opozita organizohet kundër Speciales”, shkruante dje shtypi në Prishtinë, sipas të cilit, “nëse kjo çështje procedohet sërish në Kuvend nga ana e qeverisë, opozita do ta kundërshtojë atë me metoda parlamentare e përtej parlamentare me qëllim që ta mbrojë demokracinë në vend”.
Se kur do jetë Gjykata Speciale në axhendën e seancës plenare, Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të vendosë në një mbledhje tjetër e jo sot, kur në rend dite ishin çështje të tjera.
Të enjten, në 30 korrik, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancën e radhës.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit.
Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë kërkesën për interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.
Kryesuesi i mbledhjes, Haliti, citoi shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Fitim Krasniqi, sipas të cilës, duke parafrazuar përgjigjen e ministrit, vlerësohet se pikat e adresuara në kërkesën e parashtruar për Interpelancë, veçanërisht tek pjesa e rekomandimeve, nuk kanë të bëjnë me fushën e përgjegjësive të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sepse ato lidhen me fushat e përgjegjësive të institucioneve tjera.
Më pas, në seancë do të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për digjitalizimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore dhe pritet të zgjedhen pesë anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 233
- 234
- 235
- 236
- 237
- …
- 245
- Next Page »