-Kuvendi i Kosovës, kërkohet raportim për bisedimet Prishtinë-Beograd në Bruksel/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Korrik 2015 – Shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, me procedurë të përshpejtuar, është një nga 10 pikat e axhendës së seancës së sotme plenare të Kuvendit kosovar. Ligji sapo u miratua me shumicë votash. “ Kanë votuar 63 deputetë pro, 4 kundër dhe 1 ka abstenuar. Kuvendi miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015”, konstatoi pak më parë kryesuesi i seancës, nënkryetari Sabri Hamiti.
Miratimi në parim u bë javën e kaluar, në 10 korrik, në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës pas debatit të një dite më parë, ndërkohë, si u theksua dje në mbledhjen e qeverisë, projektligji ka kaluar diskutimet në komisionet parlamentare me ndryshime të vogla.
Komisioni Parlamentar për Buxhet nuk ka propozuar amendamente që e ndryshojnë strukturën e Buxhetit dhe që do të rezultonin nevojën që të rikonsiderohet edhe njëherë.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria i është dhënë një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Në seancën plenare të shqyrtimit të parë, Komisioni Parlamentar për Buxhet u deklarua për shqyrtimin e dytë të projektligjit në 16 korrik pasi në 24 korrik Bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi sot në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parashikuara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Seanca e sotme e Kuvendit ka në axhendë edhe kohën për deklarime jashtë rendit të ditës dhe për pyetje parlamentare, zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, shqyrtimin e parë të Projektligjit për Sigurimet, shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Pika e fundit e axhendës është kërkesa e deputetes Albulena Haxhiu (e Lëvizjes Vetëvendosje), e mbështetur nga 5 deputetë nënshkrues për debat parlamentar lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës.
PYETJE NË SEANCËN E KUVENDIT: KUSH MUND TË NA GARANTOJË SE BRENDA KOSOVËS NUK DO TA KEMI NJË “REPUBLIKA SRPSKA”?
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të nisur sot me deklarime jashtë rendit të ditës, u kërkua raportim për bisedimet Prishtinë-Beograd në Bruksel.
“Kërkojmë nga kryeministri dhe ekipi negociator që të jenë transparentë për të gjitha vendimet të cilat i marrin në këto bisedime”, tha deputetja Valdete Bajrami, nga grupi parlamentar i Nisma për Kosovën.
“Duhet të raportonit këtu në Kuvend se si shkuan këto bisedime dhe çfarë vendimesh keni marrë”, vijoi ajo duke kërkuar që “me asociacionin-bashkësinë e komunave serbe të mos lejohet krijimi i një minishteti brenda Kosovës në veri”.
“Kush nga ju mund të na garantojë se brenda Kosovës nuk do ta kemi një ‘Republika Srpska’?”, ishte pyetja e deputetes Bajrami.
Sipas saj, “krijimi i kësaj bashkësie do të jetë jashtë rendit kushtetues të Kosovës dhe pikërisht do të jetë Beogradi që do të vendosë për ato komuna”.
“Pra, ky asociacion neve nuk do në na mundësojë që të kemi qasje në atë pjesë të vendit, sepse rendi dhe ligji do të funksionojë nën kompetenca të Beogradit dhe llogaria do t’i jepet vetëm Beogradit”, ka shprehur opinionin e saj deputetja Bajrami.
Gjatë këtij deklarimi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk ishte në seancë, ndërsa në 8 Korrik në mbledhjen e qeverisë ka thënë se në dialogun me Serbinë në Bruksel “temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë”.
“Në katër tema që i kemi tash në shqyrtim, mund të them se ne e kemi përfunduar praktikisht marrëveshjen për kodin telefonik. Marrëveshja është e gatshme, nuk është nënshkruar”, ka shtuar ai.
“Kemi përafruar qëndrimet sa i përket Asociacionit të Komunave, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, mirëpo kanë mbetur disa çështje të cilat duhet të diskutohen dhe të sqarohen edhe më tutje, në mënyrë që çdo gjë që merremi vesh atje të jetë e zbatueshme dhe të jetë e aplikueshme”, ka theksuar Mustafa.
“Janë diskutuar, por nuk janë përfunduar edhe çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me Urën mbi Ibër që kanë mbetur që të diskutohen në vijim”, ka vijuar ai.
“Ne kemi prezantuar qëndrimin tonë, që jemi për atë që të bëjmë përpjekje që këto katër marrëveshje t’i përfundojmë, dhe që si pako t’i realizojmë, natyrisht duke e nënshkruar secilën veç e veç, sepse e konsiderojmë që në to është punuar gjatë, në disa prej tyre mbi dy vite, si në marrëveshjen për kod telefonik dhe atë për energji dhe se mundemi që ato përnjëherë t’i pranojmë dhe t’i aprovojmë, natyrisht pas një dialogu i cili është përmbajtjesor dhe kemi një angazhim shumë të madh të ekipit tonë”, ka thënë kryeministri kosovar Mustafa në mbledhjen e qeverisë pas kthimit nga Brukseli.
Në 30 qershor njoftohej se, nuk është arritur asnjë marrëveshje finale në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel të raundit të 27-të në nivel të lartë kryeministror, të nisura një ditë më parë në mëngjes, e të përfunduara pas mesnate.(Foto-Arkiv)
Kosovë – Inaugurohet ura “Bailey” afër manastirit të Deçanit
Nga Behlul Jashari/.-PRISHTINË, 15 Korrik 2015/ Dy muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së ndërtimit, sot në mëngjes u zhvillua ceremonia e hapjes së urës “Bejli” afër manastirit të Deçanit, në Kosovë.
Projekti është mbështetur fuqimisht nga komandanti i KFOR-it, gjeneral major Francesco Paolo Figliuolo, për të zgjidhur problemet operacionale në mënyrë që të lejohen ushtarët e KFOR-it të Grupi Shumëkombësh i Betejës Përendim për të mbrojtur manastirin, ku KFOR-i vepron si reagues i parë për sigurinë e tij.
Gjithashtu në këtë ceremoni ishin shumë të ftuar nga institucionet në Kosovë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe dhe të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
Komandanti i KFOR u shpreh se ndërtimi i urës është një simbol i rolit të KFOR-it në përmirësimin e marrëdhënieve në mes të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe dhe atyre të Komunës së Deçanit.
Ura e re do të shfrytëzohet edhe nga komuniteti lokal dhe hapja e saj do të mundësojë një qasje më të shpejtë dhe më të sigurtë në disa zona të komunës, duke mundësuar në të njëjtën kohë zhvillimin e mundshëm të zonës në dobi të gjithë popullit të Kosovës.
Gjenerali Figliuolo tha se, “normalizimi i marrëdhënieve dhe zhvillimi socio-ekonomik janë faktorë themelorë dhe esencialë të stabilitetit dhe mund të kontribuojnë për të parandaluar rritjen e çfarëdo lloji të ekstremizmit”.
KOSOVA DREJT DY MARRËVESHJEVE ME GJERMANINË DHE MALIN E ZI, QEVERIA MIRATON NISMAT
-Ekskluzivisht për Gazetën Dielli/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Korrik 2015- Qeveria e Republikës së Kosovës miraton nisma për dy marrëveshje, me Gjermaninë dhe me Malin e Zi.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës, ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për Bashkëpunim Zhvillimor (marrëveshjen kornizë) me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë.
Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar se kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe krijon mundësi më të mira të bashkëpunimit afatgjatë të Kosovës me Qeverinë Federale të Gjermanisë.
Qeveria ka miratuar në parim edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes bilaterale për zbatimin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar që financohet në kuadër të IPA-s 2014-2020, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
SOT QEVERIA, NESËR KUVENDI, KOSOVA DREJT RISHIKIMIT TË BUXHETIT TË SHTETIT
Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka informuar kabinetin qeveritar me procedurat e rishikimit të Buxhetit në Kuvendin e Kosovës, duke bërë të ditur se Projektligji ka kaluar diskutimet në komisionet e Kuvendit me ndryshime të vogla.
Kryeministri Mustafa theksoi se të gjithë jemi koshientë lidhur me kapacitetin e Buxhetit dhe lidhur me mundësitë tek ky ndryshim dhe plotësim i buxhetit. Kryeministri po ashtu e vlerësoi faktin se Komisioni Parlamentar për Buxhet nuk ka propozuar amendamente që e ndryshojnë strukturën e Buxhetit dhe nxjerrin pastaj nevojën që të rikonsiderohet edhe njëherë.
Qeveria e Republikës së Kosovës u mblidh sot, ndërsa nesër mbahet seanca plenare e Kuvendit për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit për vitin 2015, me procedurë të përshpejtuar.
Votimi me shumicë e miratimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit u bë javën e kaluar, në 10 korrik, në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës pas debatit të një dite më parë.
Në prezantimin e Projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik pasi që në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të Qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar Qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
QEVERIA E KOSOVËS ANGAZHOHET QË TË GJITHË QYTETARËT TA NDJEJNË VETEN TË SIGURT
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kosovare, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariç, ka ngritur para kabinetit qeveritar çështjen e disa problemeve ndaj të kthyerve në disa komuna të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për sigurimin e pronave dhe jetës së qytetarëve si dhe dënimin e akteve të dhunës. “Gjithsesi se ne kërkojmë dhe do të kërkojmë si Qeveri që organet përgjegjëse ta bëjnë punën e vet. Ne e dënojmë çdo sulm ndaj qytetarëve serbë në Kosovë. Mirëpo, duhet të bashkëpunojmë, duhet të punojmë së bashku që të ketë sa më pak, të komunikojmë”, tha ai. Unë si kryeministër, dhe të gjithë ministrat, vijoi Mustafa, jemi të gatshëm që të jemi në ato mjedise ku mund të kemi probleme të tilla.
“Janë krime të cilat ndodhin dhe ndaj të cilave duhet të ndërmerren masa ligjore. Ne mund të zhvillojmë një bisedë të veçantë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme edhe me organet e tjera në mënyrë që të shohin se çfarë masa do të ndërmerren për të krijuar siguri të plotë të qytetarëve tanë. Ajo për të cilën ne do të angazhohemi si Qeveri, është që të gjithë qytetarët ta ndjejnë veten të sigurt dhe që mos të ketë probleme të tilla, që nesër problemet mos t’i dallojmë se a po ndodhin ndaj serbëve apo ndaj shqiptarëve. Çdo krim do të jetë i dënueshëm dhe duhet të ndërmerren masat e tilla”, tha kryeministri Mustafa.
MBLEDHJA E 38-TË E RREGULLT E QEVERISË MUSTAFA
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e 38-të të rregullt dhe miratoi vendime dhe dokumente tjera nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Në mbledhje është miratuar Udhërrëfyesi për vlerësimin ex-post të legjislacionit në Republikën e Kosovës. Vlerësimi ex-post është mjet i rregullimit më të mirë që është definuar me Strategjinë për Rregullim më të mirë 2014-2020 në Kosovë. Ky vlerësim i mundëson administratës publike që të mbledh të dhëna për një akt juridik: sa është zbatuar, sa janë arritur qëllimet e aktit juridik, sa ka realizuar akti efektivitetin e kostos, si dhe për sfidat në realizim dhe implementim të aktit. Këto informata do t’ju shërbejnë institucioneve për të vendosur nëse legjislacioni duhet të ndryshohet apo zëvendësohet me dispozitat të reja.
Kabineti qeveritar ka miratuar sot edhe Koncept dokumentin për fushën e statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës. Analiza e përgjithshme e gjendjes së statistikave zyrtare në Kosovë, sipas këtij koncept dokumenti, rekomandon shqyrtimin e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Statistika zyrtare në Kosovë.
Plotësim ndryshimet e ligjit do të bëjnë harmonizimin me legjislacionin evropian dhe do përmbushen obligimet që dalin nga fusha e statistikave zyrtare në procesin e integrimeve evropiane.
Kosovë-Belgjikë, drejt një marrëveshje të bashkëpunimit policor
Ministri i Jashtem Hyseni në Bruksel: Çështjet politike nuk mund të lënë Kosovën të izoluar
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Korrik 2015/ Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit në Bruksel, pasditën e djeshme ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Belgjikës, Jan Jambon. Me homologun e tij belg, ministri Hyseni ka biseduar për një numër çëzhtjesh më rëndësi siç janë liberalizimi i vizave, ekstremizimi dhunshëm, krimi i organizuar, bashkëpunimi i shtuar policor midis Kosovës dhe Belgjikës, si dhe ka folur për rëndësinë e antarësimit të Kosovës në Interpol.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, ndërkohë që një mision vlerësues i Komisionit Evropian po qëndron këto ditë në Kosovë, ministri Hyseni theksoi nevojën e domosdoshme që qytetarët kosovarë të mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian duke qenë se Kosova është vendi i vetëm i rajonit që ka mbetur i izoluar. Për më tepër, “derisa qytetarët e vendeve të largëta, sikurse Timori Lindor, lëvizin pa viza brenda shteteve të Schengenit, nuk ka kuptim që qytetarët e Kosovës të mos lëvizin”, theksoi ministri Hyseni.
Ministri Jambon shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova e sidomos rëndësinë e bashkëpunimit për të luftuar krimin e organizuar në format e tij të shumta, thekson njoftimi i ministrisë kosovare dërguar nga Brukseli.
Të dy ministrat u pajtuan që të punohet në hartimin e një marrëveshje të bashkëpunimit policor midis të dyja vendeve dhe u dakorduan që kjo të finalizohet shumë shpejtë me nënshkrimin e marrëveshjes. Gjatë ditës së neserme Ministri Hyseni do të ketë disa takime me përfaqësues të Parlamentit belg dhe organizatave të huaja.
Bëhet e ditur edhe se, ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka vazhduar takimet me përfaqësues të shtetit belg gjatë qëndrimit të tij në Bruksel.
Sot, ai është takuar me anëtarë të Komisionit për Punë të Brendshme në Parlamentin belg me të cilët ka bashkëbiseduar për çështje të liberalizimit të vizave, bashkëpunimit policor si dhe ekstremizmit të dhunshëm e terrorizmit.
Njoftimi i Ministrisë dërguar nga Brukseli bën të ditur se, ministri Hyseni u është përgjigjur kureshtjes lidhur progresin që ka bërë Kosova në shumë këto rrafshe.
Ai ka kërkuar mbështetjen e Belgjikës në heqjen e regjimit të vizave për Kosovën tani kur misioni i Komisionit Evropian po bën vlerësimin e përmbushjes së kritereve. “Çështjet politike nuk mund të lënë Kosovën të izoluar, e sa i përket kritereve teknike Kosova tashmë i ka përmbushur ato”, theksoi ministri Hyseni gjatë takimit.
Gjithashtu, ai kërkoi përkrahjen në fushën e bashkëpunimit policor që do të ishte shumë më efikas për rajonin dhe më gjerë në rast se Kosova bëhet pjesë e Interpol-it.
Gjatë takimit më anëtarë të Komisionit u vlerësua lartë përkrahja e vazhdueshme e Belgjikës si dhe bashkëpunimi i ngushtë që të dyja vendet kanë pasur.
Komisioneri Navracsics shpreh përkrahjen e Bashkimit Evropian për Kosovën
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Korrik 2015 – Komisioneri i BE-së për Edukim, Kulturë, Rini dhe Sport, Tibor Navracsics, sot në Prishtinë në takim me kryeministrin Isa Mustafa vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Bashkimit Evropian.
Duke çmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur proceset që lidhen me edukimin, kulturën, rininë dhe sportin, komisioneri Navracsics, po ashtu shprehu përkrahjen e BE-së në këto aspekte të rëndësishme të zhvillimeve në Kosovë.
Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u bisedua për progresin e Kosovës në të gjitha fushat, me theks të veçantë në proceset integruese evropiane dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur avancimin dhe reformat në arsim, kulturë dhe mbështetjen e rinisë e sportit në Kosovë.
Kryeministri Mustafa e njoftoi edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, për prioritetet e Qeverisë që lidhen me zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor, si dhe reformat në shëndetësi e aspekte të tjera në kuadër të zhvillimit të vendit.
Kryeministri Mustafa theksoi se reformat në drejtim të ngritjes së cilësisë në arsim dhe kulturë, si dhe përkrahja e fuqishme për rininë e sportin, janë prioritete të programit qeveritar, duke e njoftuar komisionerin e BE-së me hapat konkretë të Qeverisë në këtë drejtim.
Lidhur me proceset integruese evropiane, kryeministri Mustafa shprehu nevojën që Kosova sa më shpejt të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe që BE-ja të marr vendim për liberalizmin e vizave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund të qarkullojnë të lirë në vendet evropiane ashtu si qytetarët e të gjitha vendeve tjera në rajon.
Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, pret në takim Komisionerin Navracsics, të shoqëruar edhe nga Samuel Zbogar, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Komisioneri i BE-së për Edukim, Kulturë, Rini dhe Sport takon poashtu ministrin kosovar të Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Shala, ndërsa mbanë një ligjëratë në Universitetin Veror të Prishtinës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 236
- 237
- 238
- 239
- 240
- …
- 245
- Next Page »