• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERFAQESIA E VATRES NE WASHINGTON

September 5, 2020 by dgreca

Fedrata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” , ashtu si gjatë të gjithë historisë së saj ndermjet dy shekujve egzistence, është e pranishme dhe thote fjalen e saj aty ku vendosen fatet e Kombit. Ekipi i Vatrës i perbere nga: Kryetari Elmi Berisha dhe Presidenti i Nderit Agim Rexhaj, Dr. Pashko Camaj, Besim Malota, Marjan Cubi, Mehmet Kadrija,qendruan per dy dite ne Washington dhe ishin në kontakt të vazhdueshëm me delegacionin negociues të Qeverisë së Kosovës.

Vatra pati ne Shtepine e Bardhe edhe nje takim me ndermejtesuesin Richard Granell.

INTERVISTA NE RTK

Kryetari i VATRËS, Elmi Berisha: Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, Kosova përherë e pavarur e në miqësi me Amerikën.

-Vatra pati edhe nje takim me ndermjetesuesin Richard Granell-

-Për Marrëveshjen Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA Elmi Berisha flet drejtpërdrejtë nga Uashingtoni në emisionin special të Radio Televizionit të Kosovës – RTK

UASHINGTON-PRISHTINË, 5 Shtator 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Elmi Berisha ka folur nga Uashingtoni për Marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë në mbrëmjen e ditës së djeshme historike të nënshkrimit, në emsionin e drejtpërdrejtë e special të Televizionit të Kosovës – RTK, ku kanë folur edhe anëtarë të delegacionit të Kosovës si dhe përfaqësues të tjerë, analistë e opinionistë.

Lidhur me marrëveshjen e saponënshkruar me SHBA-të e në prani të Presidentit Donald Trump nga Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë Alaksandar Vuçiç, intervistuesi Ridvan Berisha kryeredaktor në RTK fillimisht iu drejtua Kryetarit të VATRËS kështu:

-Pamë, dëgjuam zotin Abrashi (ministrin Arban Abrashi nga delegacioni i Kosovës), Kryeministrin, ministra të Qeverisë, vetë Zotin Tump, i cili u deklarua se kjo është një marrëveshje historike dhe e tratjon si të tillë…Por njohja nuk është në këtë marrëveshje, në këto 16 pika…

Në përgjigje, Kryetari i VATRËS, z. Elmi Berisha u shpreh me vlerësimet e larta – me këtë deklaratë:

-Unë mendoj që kjo pjesa ekonomike që sot u aprovu, ma mirë me thanë historike, sepse sot u betonizu Pavarësia e Kosovës, edhe me qasje materiale. Ne e dimë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpenzu miliarda dollarë gjatë intervenimit ushtarak për Kosovën, do të thotë miliardat janë shpenzu edhe ma herët, pastaj edhe gjatë ndërtimit të shtetit të Kosovës, në periudhë 15 vjeçare deri 20 vjeçare. Amerika ka investu dretpërdrejtë edhe me të holla në pjesën materiale. Kjo çka ndodhi sot, marrëveshja e ditës së sotme nga Shtëpia e Bardhë, e involvuar drejtpërdrejtë nga Presidenti Trump më së miri e pasqyron faktin që Amerika ka qenë gjithmonë e sinqertë, e ka pasë seriozisht, me prezencën në Ballkan dhe prezencën e përherëshme…

-Intervistuesi përkujton edhe njohjen e Kosovës, ku Amerika direkt është sponsor i Pavarësisë së saj, e z. Elmi Berisha vijon me deklaratën dhe rithekson:

-Është betonimi i Pavarësisë së Kosovës, sot ka ndodhur betonimi i përhershëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe miqësia e përherëshme me Amerikën, por edhe betonimi Shtetësisë së Kosovës.

-“S’ka mëdyshje ma?”- pyet intervistuesi.

Dhe përgjigja e z. Berisha është:

-S’ka mëdyshje ma. Do të thotë, Amerika sot e ka shtri dorën te shqiptarët, tek e ardhmja e të rinjëve e të rejave, ka hapë rrugë e perspektivë dhe ka qëllimisht vullnetin më të mirë të mundshëm që mundet me pasë për një popull.

Prononcime kane dhene edhe Presidenti I nderit I Vatres z. Agim Rexhaj dhe pjestaret e tjere te perfaqesueseve te Vatres , te cilet ishin te pranishem per dy dite prane delegacionit negociues te Qeverise se Kosoves. Vatra pati ne Shtepine e Bardhe edhe nje takim me ndermejtesuesin Richard Granell.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Ne Washington, PERFAQESIA E VATRES

DIALOGU KOSOVË-SERBI, PËR HERË TË PARË NË SHTËPINË E BARDHË NË AMERIKË

September 3, 2020 by dgreca

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari-

  • Sot, kur Uashingtoni-Shtëpia e Bardhë janë vendi ku delegacionet nga Kosova e Serbia takohen e bisedojnë për herë të parë në nivel të lartë, udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, korrespondenti në Prishtinë i Gazetës DIELLI risjell një kronologji të disa nga ngjarjet që ka raportuar të zhvillimeve të shkëlqyera SHBA-Kosovë nëpër vite-

PRISHTINË, 3 Shtator 2020/ Uashingtoni-Shtëpia e Bardhë janë vendi ku sot delegacionet nga Kosova e Serbia takohen e bisedojnë për herë të parë në nivel të lartë, udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bisedimet, që pritet të vazhdojë edhe nesër,  i ndërmjetësojnë Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien dhe dërguari i Presidentit Amerikan Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Ambasadori Richard Grenell. Delegacioni i Kosovës udhëheqet nga Kryeministri  Avdullah Hoti, ndërsa delegacioni i Serbisë nga Presidenti Aleksandar Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës Avdullah  Hoti në Uashington deklaroi:

“Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë, diskutuam projektet e zhvillimit ekonomik mes të dyja vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive. Do të keni informata sapo të kryejmë raundin e parë të takimit. Asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë përveç se për njohje reciproke. Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik është një hap më afër normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me Serbinë dhe që është vetë njohja reciproke”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar:

 “Duartrokas lidershipin e Shtëpisë së Bardhë, presidentit amerikan Donald Trump dhe ambasadorit Richard Grenell për t’i bërë bashkë përsëri Kosovën dhe Serbinë në kërkim të një marrëveshjeje të paqes. E inkurajoj delegacionin e Kosovës të bëjë hapa të guximshëm drejtë paqes, njohjes dhe zhvillimit ekonomik”.

Korrespondenti në Prishtinë i Gazetës DIELLI risjell një kronologji të disa nga ngjarjet që ka raportuar të zhvillimeve të shkëlqyera SHBA-Kosovë nëpër vite:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 24 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para më shumë se 12 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Para mëse 24 vitesh, në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Rugova bashkë me familjen.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë.

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në Shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 11 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

Para një viti, në 4 Korrik 2020, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.Që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara të Amerikës  kontribuojnë me trupa në Forcën e Kosovës (KFOR) të prirë nga NATO, e ngarkuar me ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kontribuuan me staf për Misionin e BE-së për Sundim të së Drejtës (EULEX) që nga vendosja e tij më 2008, duke shënuar herën e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën pjesë në një mision të BE-së për Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kosove-Serbi, White House

Për Amerikën, Përjeta është Mirënjohëse….

August 31, 2020 by dgreca

Vargje te Shtatoret nga Behlul Jashari-

Për Amerikën, Përjeta është Mirënjohëse–

Në ditëmirën e Kosovës përshëndes me mirëmëngjes

Si në sheti në histori me Amerikën eci nëpër Prishtinë

Nëpër Bulevardin Xhorxh Bush te Katedrajla Shën Nënë Tereza

Shkoj te Shtatorja e Bill Klinton në Sheshin me emrin e tij në Dardani

E aty pranë te Shtatorja e Robert Doll  që çeli mëngjesin e parë

Dhe rrugës me emrin e tij shkoj te Shtatorja e Medlin Olbrajt

Në Sheshin me emrin e saj te Newborn Simbol i shtetit të ri

Shtrëngoj duart me Shtatoret

E Njerëzve Simbole

Të Lirisë e Pavarësisë së Kosovës

Flas dhe falënderoj shumë e shqip

Shkruaj dhe në vjershë vargje vijnë fjalët

Zemra falënderon

Përjeta është mirënjohëse

Për Amerikën….

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Behlul Jashari, Për Amerikën

BOB DOLE NË KOSOVË- PRISHTINA ME 3 SHTATORE TË 3 PERSONALITEVE AMERIKANE

August 30, 2020 by dgreca

KRYEQYTETI I KOSOVËS ME SHTATORE TË TRE PERSONALITETEVE AMERIKANE: CLINTON, ALBRIGHT DHE PREJ SOT DOLE-

-Shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole u përurua sot në Prishtinë në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

-Gjatë ceremonisë, Senatori Amerikan Bob Dole iu adresua popullit të Kosovës me një video mesazh përmes të cilit shprehu mirënjohjen e tij për dedikimin e bustit, duke shtuar se është punuar bashkërisht për 30 vite për ta bërë Kosovën një shtet të fuqishëm dhe demokratik, derisa shprehu besimin e tij që Kosova të vazhdojë të fuqizohet më tej me kalimin e viteve/

-Edhe veprimtarët shqiptarë në Amerikë, biznesmeni dhe aktivisti Jim Xhema, kryetari i Federatës Pan-Shqiptare VATRA, Elmi Berisha dhe aktivisti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari folën në ceremoni përmes video mesazheve, duke ngritur lartë veprën e Senatorit Amerikan Bob Dole/

-Kryeministri Hoti: Senatori Dole është ndër personat e parë zyrtarë të lartë të SHBA-ve që e kanë vizituar Prishtinën dhe Presidentin historik Ibrahim Rugova në ditët më të vështira kur është vendosur gurthemeli i shtetit të Kosovës e edhe i miqësisë së përjetshme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës-


-Ministrja Haradinaj Stublla zbulon pllakën përkujtimore për të kujtuar vizitën në Kosovë të senatorëve amerikanë më 29 gusht 1990, ditën kur bota nuk heshti më ndaj shkeljeve e krimeve të regjimit serb…

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI 

PRISHTINË, 30 Gusht  2020/ Në Prishtinë sot u përurua shtatorja e Senatorit Amerikan Bob Dole në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 Vendimi për ndërtimin e shtatores për një prej miqve më të mëdhenj të Kosovës ishte marrë më 22 Korrik  2019 me rastin e ditëlindjes së Senatorit Dole.

Kjo është shtatorja e tretë e personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

Në Prishtinë në 1 Nëtor 2009 është përuruar  Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij, ndërsa  në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë u bë edhe përurimi i Bustit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj. Clinton mori pjesë në të dy përurimet, ndërsa Albright në përurimin e bustit të saj.

Gjatë veprimtarive të ditës së sotme në sheshin qendror të Prishtinës nga kaloi para 30 viteve delegacioni i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zbulimin e pllakës përkujtimore e bëri Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës  Meliza Haradinaj-Stublla.

Poashtu në Shesh, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit  hapi ekspozitën e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit Amerikan që kishte mbërritur në Kosovë në 29 Gusht të vitit 1990.

KRYEMINISTRI HOTI: SENATORI DOLE-SHEMBULL I PËRKUSHTIMIT ATDHETAR PËR VENDIN NË LUFTË DHE NË PAQE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit, mori sot pjesë në ceremoninë e zbulimit të bustit të Senatorit Amerikan Bob Dole, në lagjen Dardania të Prishtinës.

Kryeministri Hoti duke folur për figurën e senatorit Dole, theksoi se ai është një person që po të lexosh CV-në e tij, punën e tij, pa dyshim që impresionohesh. Kryeministri Hoti u shpreh i bindur që secili nga ne e merr si simbol dhe shembull të përkushtimit se si duhet të ketë një politikan, një atdhetar për vendin e vet në luftë dhe në paqe.

 “Unë jam i bindur që ky bust këtu të jetë vend ku edhe gjeneratat e ardhshme do të mësojnë për historinë e tij, historinë e ndërtimit të miqësive në mes të dy popujve tanë dhe do të inspirohen për kontributin dhe dedikimin që duhet të kemi secili nga ne për vendin tonë”, tha Kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti veçoi se Senatori Dole është ndër personat e parë zyrtarë të lartë të SHBA-ve që e kanë vizituar Prishtinën dhe Presidentin historik Ibrahim Rugova në ditët më të vështira kur është vendosur gurthemeli i shtetit të Kosovës e edhe i miqësisë së përjetshme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vërtet është nder i veçantë për mua që sot së bashku e zbulojmë këtë bust. Le të mbetet ky vend, kjo simbolikë e nderit e miqësisë së përhershme e popullit të Kosovës me popullin e SHBA-së”, përfundoi Kryeministri Hoti, theksohet në komunikatën e dërguar nga Qeveria e Kosovës.

ODA AMERIKANE DHE QEVERIA E KOSOVËS INAUGUROJNË BUSTIN E SENATORIT BOB DOLE

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë  në komunikatën e dërguar thekson se në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës mbajtën sot ceremoninë e zbulimit të bustit të mikut të shqiptarëve, Senatorit Amerikan Bob Dole, në shenjë mirënjohje për punën e tij të palodhshme dhe rolin e tij në pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.
Gjatë kësaj ceremonie, Senatori Amerikan Bob Dole iu adresua popullit të Kosovës me një video mesazh përmes të cilit shprehu mirënjohjen e tij për dedikimin e bustit, duke shtuar se është punuar bashkërisht për 30 vite për ta bërë Kosovën një shtet të fuqishëm dhe demokratik, derisa shprehu besimin e tij që Kosova të vazhdojë të fuqizohet më tej me kalimin e viteve.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, theksoi se është nder i veçantë për Odën Amerikane të jetë pjesë e këtij aktiviteti mirënjohës për punën dhe kontributin e Senatorit Bob Dole, i cili është një hero i veçantë në Kosovë. Ai tha se jehona e vizitës së Senatori Dole dhe gjashtë senatorëve të tjerë tridhjetë vite më parë në Kosovë i dha drejtim tjetër rrugëtimit të Kosovës drejt çlirimit, pavarësisë, dhe hapjes së mundësive për ndërtimin e një shteti demokratik.
“Busti është edhe rikujtim i përgjegjësisë për ne dhe gjeneratat pas nesh për të kujtuar dhe shprehur mirënjohjen tonë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin e tyre të vazhdueshëm në procesin e krijimit dhe fuqizimit të shtetit të Kosovës”, theksoi Zeka.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Shkëlqesia e tij Philip Kosnett, theksoi se ndihet i privilegjuar të jetë pjesë e kësaj ngjarjeje historike. Derisa falënderoi ata që e kanë bërë të mundur këtë ditë, Ambasadori Kosnett tha se me vendosjen e kësaj shtatoreje po shënohet edhe jeta e një heroi amerikan dhe një miku të Kosovës. Ai gjithashtu potencoi se Bob Dole ka qenë prijës për promovimin e kauzës së lirisë nëpër tërë botën, dhe se vizita e Senatorit Dole para tridhjetë vitesh u hapi sytë bashkësisë ndërkombëtare për abuzimin e vazhdueshëm të të drejtave të njeriut që po ndodhnin në Kosovë.
“Sot po e kremtojmë jetën e një prijësi, guximi dhe përkushtimi personal i të cilit për kauzën e lirisë ka frymëzuar aq gjatë popullin e Shteteve të Bashkuara, të Kosovës dhe miqve nëpër botë’’, tha Ambasadori Kosnett.
Edhe veprimtarët shqiptarë në Amerikë, biznesmeni dhe aktivisti Jim Xhema, kryetari i Federatës Pan-Shqiptare VATRA, Elmi Berisha dhe aktivisti shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari folën në këtë ceremoni përmes video mesazheve, duke ngritur lartë veprën e Senatorit Amerikan Bob Dole.

Përveç Odës Ekonomike Amerikane dhe Qeverisë së Kosovës, në ndërtimin e bustit kontribuan edhe kompanitë kosovare KIVO, Tregtia, Meridian Corporation, ELKOS, Devolli Corporation, Mabetex, Emona, Al-Petrol, NLB Banka, Al Trade Center dhe Klinika Amerikane.

MINISTRJA HARADINAJ STUBLLA ZBULON PLLAKËN PËRKUJTIMORE PËR VIZITËN NË KOSOVË TË SENATORËVE AMERIKANË MË 29 GUSHT 1990

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, të dielën, në qendër të Prishtinës, zbuloi pllakën përkujtimore me rastin e 30 vjetorit të vizitës në Kosovë të delegacionit të parë të dërguar nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ministrja e Jashtme tha se kjo pllakë do të jetë kujtesa jonë kolektive e ditës kur bota nuk heshti më.
“Me 29 gusht 1990, delegacioni i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga senatori Bob Dole vizitoi Kosovën për herë të parë. Kjo vizitë u organizua në kohën e heqjes së njëanshme te statusit të njësisë federale të Kosovës brenda Jugosllavisë, dhe imponimit të politikave diskriminuese ndaj popullatës etnike shqiptare në Kosovë nga Serbia”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.
Qëllimi i kësaj vizite, sipas kryediplomates së Kosovës, ishte mbledhja e informatave të drejtpërdrejta në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut që kryheshin në mënyrë sistematike kundër popullit shqiptar të Kosovës nga regjimi serb.
“Dhjetëra e mijëra qytetarë të Kosovës dolën në rrugë për të mirëpritur senatorët e ShBA-ve dhe u mblodhën rreth kësaj ndërtese, ku delegacioni zhvillonte takimet. Policia serbe përdori forcë brutale për të shpërndarë këtë tubim të qetë dhe kremtues të qytetarëve”.
“Pas përfundimit të vizitës, senatori  Dole bëri deklaratën historike: Liria po vjen, demokracia po vjen! Dhe që nga ajo kohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës”, tha Ministrja Hardinaj Stublla, duke kujtuar se diaspora shqiptaro-amerikane, udhëhequr nga veprimtari Xhim Xhema, kishte rol vendimtar në realizimin e kësaj vizitë historike.
Vizita e senatorëve Bob Dole, John W. Warner, Jake Garn, Don Nickles, Alfonse M. D’Amato, Steve Symms dhe Connie Mack e vulosi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, deri te çlirimi, pavarësimi dhe shtetndërtimi i Kosovës, thekson komunikata e dërguar nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.

HAPET EKSPOZITA E HAZIR REKËS, SHPALOSEN FOTOGRAFI TË DELEGACIONIT TË SENATIT AMERIKAN NË KOSOVË PARA 30 VITEVE

Sot në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë u hap zyrtarisht ekspozita e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit Amerikan, që ndodhi në gusht të vitit 1990.

Këto foto para publikut po paraqiteshin për herë të parë dhe për fotografin Reka kjo do të thoshte shumë, ai falenderoi të pranishmit për vizitën dhe e shpalli zyrtarisht të hapur ekspozitën. “Për të gjithë ju që nuk keni qenë prezent në atë pritje madhështore dhe në atë dhunë të tmerrshme, sot keni rastin të shihni se çfarë ndodhi para 30 viteve”, deklaroi ai para të pranishmëve.

Ekspozita e fotografit Reka, do të jetë e hapur gjatë gjithë ditës.

KultPlus shkruan se, pandemia ka bërë që secili aktivitet të zhvillohet në mënyra të ndryshme, duke respektuar masat AntiCovid, kështu ndodhi edhe me ekspozitën e Rekës e cila zuri vend në ambient të jashtëm.

Filed Under: Featured Tagged With: Albright, Behlul Jashari, Prishtina, Shtatorja

KOSOVA, BUST SENATORIT AMERIKAN BOB DOLE NË 30 VJETORIN E VIZITËS HISTORIKE…

August 29, 2020 by dgreca

-Në 30 vjetorin e vizitës në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nesër – në 30 Gusht 2020, në Prishtinë përurohet busti i Senatorit Bob Dole/

-Para 30 vitesh, në fund të muajit Gusht 1990, në Kosovë erdhi një delegacion i Senatorëve dhe Kongresistëve Amerikanë në krye me Senatorin Bob Dole. Presidenti  historik i Kosovës Ibrahim Rugova, atëherë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në takim i kërkoi që ta mbështesin Pavarësinë e Kosovës si të vetmen zgjidhje për paqe në Ballkan/

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Dole – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, takim në Shkup, derisa konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.Vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë…/

-Në 7 Nëntor 2002: Presidenti Rugova emëroi Senatorin Amerikan Bob Dole Ambasador Nderi i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-Në 24 Shkurt 2020 fotografia e shtatores i është  dorëzuar Senatorit Amerikan Bob Dole/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI 

PRISHTINË, 29 Gusht  2020/ Me rastin e 30 vjetorit të vizitës në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga Senatori Bob Dole, nesër – në 30 Gusht 2020, në Prishtinë përurohet busti i Senatorit Dole.

Zbulimi i bustit të Senatorit Bob Dole nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë  bëhet në në një ceremoni në orën 13:30 te  Udhëkryqi i rrugëve Bob Dole dhe Bill Clinton në lgjane Dardania në Prishtinë. 

Në ceremoni do flasin Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, Ambasadori i SHBA në Kosovë Philip Kosnett dhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka.

Gjatë veprimtarive të ditës së nesërme të 30 vjetorit të vizitës në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës  Meliza Haradinaj-Stublla në ora 11:00 do të bëjë zbulimin e pllakës përkujtimore për nder të këtij përvjetori në Sheshin Nënë Tereza.

Poashtu në Shesh, në ora 11:10, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të hapë ekspozitën e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit amerikan në 29 Gusht të vitit 1990. 

Para 30 vitesh, në fund të muajit Gusht 1990, në Kosovë erdhi një delegacion i Senatorëve dhe Kongresistëve Amerikanë në krye me Senatorin Bob Dole. Në rrethana të okupimit të Kosovës nga Serbia,  policia serbe me masa represive e me gaz lotsjellës nuk lejoi tubimin e shqiptarëve për të përshëndetur delagacionin nga Amerika, madje mezi lejoi ardhjen e delegacionit nga Aeroporti deri në hotelin Grand. 

Presidenti  historik i Kosovës Ibrahim Rugova, atëherë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në takim i kërkoi delegacionit Amerikan me në krye Senatorin Dole që ta mbështesin Pavarësinë e Kosovës si të vetmen zgjidhje për paqe në Ballkan. Ndërsa,  nga fundi i Shtatorit 1990 Rugova vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës…

KOSOVA PARA 21 VITEVE: CLINTON-RUGOVA-DOLE, PARALAJMËRIM LIRIE… 

E para 21 viteve, në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Bob Dole – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.

Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin  para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumit të 26 deri  30 Shtatorit 1991 me votim 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë,  në vendin që në 2020-tën festoi 21 vjetorin e lirisë e 12 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Në 29 Maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksonte në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s…

 Njëmbëdhjet vite pas takimit në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 

“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 

“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

7 NËNTOR, 2002: PRESIDENTI RUGOVA EMËRON SENATORIN AMERIKAN BOB DOLE AMBASADOR NDERI I KOSOVËS NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

Në 7 Nëntor 2002 Presidenti Ibrahim Rugova ka emëruar Senatorin shumëvjeçar Amerikan, Bob Dole Përfaqësues të Lartë të Kosovës me titull Ambasador Nderi i Kosovës në Shtetet e Bashkuara.

Edhe më atë rast, Presidenti historik Rugova ka thënë se Bob Dole është mik i madh i Kosovës dhe më shumë se një dekadë e ka përkrahur çështjen e Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.

Në njoftimin e Presidencës theksohej se,  tani Zyra e Senatorit Dole do t’i përfaqësojë interesat e Kosvës në Uashington, pranë Administratës, Kongresit, Senatit dhe komunitetit të biznesit amerikan.

Presidenti Rugova ka theksuar se ky ishte një moment i rëndësishëm për te dhe për popullin e Kosovës.  

24 SHKURT 2020: FOTOGRAFIA E SHTATORES I ËSHTË  DORËZUAR SENATORIT AMERIKAN BOB DOLE

Në 24 Shkurt 2020 Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i ka dorëzuar Senatorit Amerikan Bob Dole një fotografi të shtatores që do të vendoset në Prishtinë.

 “Ishte kënaqësi që t’ia dorëzoja personalisht një foto të shtatores së Senatorit Bob Dole e krijuar nga Luan Mulliqi, e cila do të zbulohet së shpejti në Prishtinë. Njeri i mrekullueshëm”, ka shkruar Ambasadori Kosnett me atë rast.

Vendimi për ndërtimin e një shtatore për një prej miqve më të mëdhenj të Kosovës ishte marrë më 22 Korrik  2019 me rastin e ditëlindjes së Senatorit Dole.

Media ka raportuar se Senatori Dole ishte ndjerë jashtëzakonisht i lumtur për lajmin që e kishte marrë rreth ndërtimit të shtatores në Prishtinë.

22 KORRIK 2019: PËR SENATORIN AMERIKAN BOB DOLE SHËNIMI I DITËLINDJES DHE INICIMI I NDËRTIMIT TË BUSTIT NË PRISHTINË 

Në 22 Korrik 2019 atëherë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në shënimin e ditëlindjes dhe inicimit të ndërtimit të bustit për Senatorin Amerikan Bob Dole në Prishtinë ka përkujtuar vizitën historike të Gushtit 1990.

“Përderisa Senatori Dole ishte në hotelin ‘Grand’ duke bashkëbiseduar me udhëheqësin e atëhershëm të shqiptarëve, presidentin tonë historik, Ibrahim Rugova, policia, regjimi i Millosheviçit kishte filluar keqtrajtimin e qytetarëve jashtë. Kjo vizitë ishte kthesë, kjo vizitë ishte një nismë për së mbari e Kosovës dhe kështu u vazhdua nga të gjithë ata që na nderuan me vizita më pastaj në Kosovë dhe kështu u vazhdua me përkrahjen e vitit ’99, me ndërprerjen e tragjedisë dhe kthimin e jetës në Kosovë dhe mendoj se sot i gjithë populli i Kosovës e nderon veten dhe këtë miqësi”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se janë të gëzuar që populli i Kosovës i drejtohet me një nderim dhe në shenjë falënderimi për kontributin e tij jetësor për Kosovën, Senatorit Bob Dole.

“Falënderojmë presidentin Trump për kujdesin për Kosovën dhe njëkohësisht urojmë që miqësia jonë Kosovë-Amerikë të jetë e përjetshme. Zoti e Bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Amerikën!”, tha Haradinaj.  

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  në Kosovë, Philip Kosnett, falënderoi për mundësinë e këtij çasti frymëzuese, duke thënë se bashkë me bashkëshorten e tij janë të nderuar që janë dëshmitarë të vënies së gurthemelit dhe po ashtu edhe Senatori Bob Dole është prekur nga ky nderim.

“Gjatë tërë jetës së tij në shërbim, fillimisht si hero i ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si kandidat për President të SHBA-ve dhe tani si njëri ndër burrështetasit më të respektuar, Bob Dole i ka prirë gjithmonë shtytjes përpara të kauzës së lirisë në tërë botën. Andaj, nuk ishte fare befasi që ai u bë mbështetës i pazëvendësueshëm i Kosovës, duke qëndruar përkrahë popullit të këtij vendi në përpjekjet tuaja për ta ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, tha Ambasadori Amerikan Kosnett. 

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se nuk ka mënyrë më të mirë sesa kjo e sotmja që t’i urojmë senatorit Bob Dole ditëlindjen e tij, e në të njëjtën kohë nuk ka ditë më të mirë se kjo e sotmja që bashkërisht të konfirmojmë përjetësimin e kujtesës për gjithë rolin dhe kontributin që Senatori Bob Dole ka pasur në Kosovë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT