• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin bilateral

July 7, 2020 by dgreca

Paris, 7 korrik 2020- Pas takimit në Elysee, ku ishte pritur nga Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka nënshkruar sot pasdite në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës dy marrëveshje bilaterale Kosovë-Francë.


Nga pala franceze marrëveshjet u nënshkruan nga Sekretari i Përgjithshëm në MPJ, Francois Delattre.
Njëra marrëveshje e mundëson zhvillimin e aktiviteteve në Kosovë të Agjencisë franceze për zhvillim, kurse tjetra e lejon punësimin e anëtarëve të familjeve të diplomatëve.
Me këtë marrëveshje vendosen bazat e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Franceze për Zhvillim në sektorët si energjia, shëndetësia, sektori i ujit, teknologjia digjitale, trajnimi profesional etj.
Përveç mbështetjes që Franca i jep Kosovës nëpërmjet Bashkimit Evropian, këto dy marrëveshje shënojnë thellim konkret të marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Francës janë duke përgatitur një numër marrëveshjesh, të cilat dëshmojnë kualitetin e shkëlqyeshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, dy marrveshje, Hoti, Ministria e Jashtme

Macron-Hoti: Marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera

July 7, 2020 by dgreca

2020-07-07 (202150) Elysée, entretien avec Avdullah HOTI premier ministre du Kosovo

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është pritur në takim nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron. Kjo është vizita e parë bilaterale në Pallatin Elysee e një kryeministri të Kosovës pas shumë vitesh/ 

2020-07-07 (202150) Elysée, entretien avec Avdullah HOTI premier ministre du Kosovo

-Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë/

-Kryeministri Hoti e ftoi Presidentin Macron për vizitë në Kosovë, të cilën ftesë Presidenti e mirëpriti/

2020-07-07 (202150) Elysée, entretien avec Avdullah HOTI premier ministre du Kosovo

 
PARIS, 7 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Sot në Pallatin Elysee në Paris, Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe pjesa tjetër e delegacionit të Kryeministrit, është pritur nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

Kjo është vizita e parë bilaterale në Pallatin Elysee e një kryeministri të Kosovës pas shumë vitesh, thekson njoftimi i dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

Marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera. Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë.

Në takim u bisedua për zhvillimet në Kosovë dhe rajon me fokus në perspektivën euro-integruese, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Hoti e siguroi Presidentin Macron se Kosova është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të treguar vendosmërinë për perspektivën e saj euro-integruese, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës.

Franca mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Hoti theksoi se Kosova është e përkushtuar për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Presidenti Macron dhe Kryeministri Hoti u pajtuan që të dy vendet të bashkëpunojnë për shkëmbimin e të dhënave në mes të dy ministrive të Brendshme sa i përket rendit dhe ligjit, të punohet për promovimin e shkëmbimeve ekonomike në mes Francës dhe Kosovës, si dhe të punohet së bashku për promovimin e frankofonisë në Kosovë.

Në fund të takimit, Kryeministri Hoti e ftoi Presidentin Macron për vizitë në Kosovë, të cilën ftesë Presidenti e mirëpriti. Kjo vizitë do të ndodhë në të ardhmen në një moment të përshtatshëm për Presidentin Macron.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Macron-Hoti

KUJTESA- GAZETA RILINDJA PARA 30 VITEVE: OKUPIM KLASIK I KOSOVËS

July 5, 2020 by dgreca

-Gazeta tradicionale e historike Rilindja para 30 viteve fuqishëm kundër Serbisë dhe okupim klasik – suprimimit të institucioneve të Kosovës/

-Edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme, gazeta tradicionale e historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 5 Korrik 2020/ Para 30 viteve, masat e dhunëshme të Serbisë e goditën edhe gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë Rilindja, në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës.
 Me titull  “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut 1990. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë gazetar a punëtor tjetër i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i Rilindjes në atë kohë ishte Nazmi Misini.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës.
Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.
Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…
“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…
Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbajet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”.
Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.
Gazeta Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…
Pas pak më shumë se një muaji, në 7 Gusht 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën. E edhe pas ndalimit të Rilindjes gazetërët e punëtorët tjerë të saj  nuk u ndalën, vijuan shkrimet të organizuar nëpër revista, e nga 18 Janari 1991 nxorën gazetën e përditshme të rezistencës e të lëvizjes për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.
Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës “Bujku”, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.
Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani.
Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë nga fillimi i vitit 2002 kur në 21 Shkurt UNMIK e mbylli me dëbim nga Pallati i Rilindjes dhe në vijim i afër 40 botimeve të jashtëzakonshme-protestuese të kohapaskohëshme deri në numrin e fundit të shtypur – 30 Dhjetor 2008 dhe ridaljes simbolike pas 10 vjetësh botim digjital në 31 Dhjetor 2018.
Si në raste tjera, pas ridëbimit e rimbylljes së gazetës Rilindja, edhe sot e shohim të nevojshëm një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, ashtu si është kërkuar edhe në shkresat drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj kanë bërë kërkesat e tyre bazuar në ligje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para më shumë se 75 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
Edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme, gazeta tradicionale e historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Rlndja Demokratike

4 KORRIKU, DITA E PAVARËSISË SË AMERIKËS, FESTË EDHE E KOSOVËS

July 4, 2020 by dgreca

-Që prej 24 vitesh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, në 12 Janar, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në Prishtinë/

-NE JEMI ME JU – Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë dhe faleminderit Kosovë! Festimi virtual i 4 korrikut në ambasadën e SHBA-së në Kosovë/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  4 Korrik 2020/ Festohet tradicionalisht në Kosovë 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 24 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 12 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Para një viti, në 4 Korrik 2020, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjespër nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe  ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

 Para mëse 24 vitesh, në 12 Janar1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996.Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Rugova bashkë me familjen.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë.

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në Shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 11 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.

Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Ndërkohë,ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe 20 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në urimet e krerëve të shtetit të Kosovës përkujtohet se, sot është Ditëlindja e 244-të e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

POPULLI I KOSOVËS ËSHTË PËRJETËSISHT FALËNDERUES PËR MBËSHTETJEN AMERIKANE

Shkruan: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Ky 4 korrik shënon përvjetorin e 244-të të Pavarësisë së SHBA-së, vendit më demokratik në botë. Urimet më të sinqerta për popullin dhe institucionet amerikane në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës. Ne ndajmë vlera, parime dhe vizion të përbashkët për një botë të lirë, të drejtë dhe demokratike.

Populli i Kosovës është përjetësisht falënderues për mbështetjen amerikane në kohërat më të vështira dhe për mbështetjen e vazhdueshme në rindërtimin e vendit tonë.

Zoti e bekoftë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

MIQËSIA ME AMERIKËN, REFERENCË E PËRHERSHME E KOSOVËS

-Urimi i Kryetares së Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani për Ditën e Pavarësisë së ShBA-ve/

Për nder të 244 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, flamuri amerikan është vendosur para hyrjes së objektit të Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani dhe ambasadori amerikan Philip Kosnett kanë nderuar flamurin amerikan pas intonimit të himneve të të dy shteteve.

Flamuri amerikan do të valvitet në hyrje të ndërtesës së Kuvendit deri më 6 korrik.

Kryetarja Osmani ka uruar popullin amerikan për ditën e pavarësisë së shtetit të tyre, duke rikujtuar që miqësia e Kosovës me ShBA-të është e një rëndësie strategjike dhe e përhershme.

Mesazhi i Kryetares së Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani për 4 Korrik:

Vlerat e popullit amerikan, të theksuara në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-ve, nga e cila është frymëzuar edhe Deklarata jonë e Pavarësisë, janë frymëzim yni i përhershëm. Jemi krenar që në krah tonin kemi vendin simbol të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. SHBA-të janë përveç se vend mik, edhe partner strategjik i yni në gjithë rrugëtimin tonë për ta bërë Kosovën shtet të pavarur. Vendi ynë sot është i lirë edhe shkaku i kontributit të madh të Amerikës, miqësinë me të cilën na e la testament presidenti historik dr.Ibrahim Rugova.

Kosova në miqësi të përhershme me Amerikën është referencë e përhershme e jona!

Popullit amerikan, urime 4 Korrikun! Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti e bekoftë popullin amerikan!

QEVERIA DHE POPULLI I KOSOVËS BASHKOHEN NË KËTË DITË FESTE ME QEVERINË DHE POPULLIN AMERIKAN

-Mesazh i Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë një mesazh urimi për popullin dhe qeverinë amerikane me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vijim po e japim tekstin e këtij mesazhi:

Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 4 Korriku, është sinonim i lirisë, përparimit dhe shpresës për vendet demokratike anekënd botës. Qeveria dhe populli i Kosovës bashkohen në këtë ditë feste me qeverinë dhe popullin amerikan për ta lartësuar edhe më shumë idenë e lirisë dhe të demokracisë për të gjithë njerëzit e globit.

Deklarata e Pavarësisë e SHBA-ve e 4 Korrikut 1776 ka shënuar lindjen e një kombi të ri e liridashës, i cili, që nga atëherë, ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ngjarjet më të rëndësishme historike botërore dhe në rritjen e demokracisë.

Mesazhi i fuqishëm amerikan i lirisë sot simbolizon ëndrrën e madhe të të gjitha kombeve për liri dhe demokraci, për paqe dhe dinjitet të gjithëmbarshëm. Jehona e këtij mesazhi të madh ka prekur zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të cilët populli dhe qeveria amerikane kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë simbol i frymëzimit për liri, pavarësi dhe demokraci.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Zoti e bekoftë miqësinë e dy vendeve tona!

NE JEMI ME JU – GËZUAR DITËN E PAVARËSISË AMERIKË DHE FALEMINDERIT KOSOVË!

-Festimi virtual i 4 korrikut në ambasadën e SHBA-së në Kosovë/

Këtë vit, ambasada e Shteteve të Bashkuara feston 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së kombit tonë me temën “Ne jemi me ju”, duke i falënderuar qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj të cilat bashkëpunojnë me ne dhe përpiqen ta bëjnë Kosovën një vend ku paqa, drejtësia dhe mirëqenia mbizotërojnë.

Përderisa COVID-19 vazhdon të ndikojë në botë, pritja jonë tradicionale është zëvendësuar për t’u shënuar në mënyrë virtuale për shkak të masave të sigurisë personale dhe për ta mbajtur distance sociale. Bashkohuni me ne të shtunën, më 4 korrik 2020, në orën 10:00, përmes faqes sonë në Facebook ose ueb sajtit tonë gjersa festojmë 4 Korrikun me një program të veçantë, ku do të transmetohet fjalimi i Ambasadorit Kosnett dhe i të ftuarit të posaçëm Dr. Lulzim Raka, profesor i Mjekësisë dhe Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në

Universitetin e Prishtinës.

Ndërkohë, vazhdoni të mbani maska ​ në publik, lani duart dhe mbani distancën sociale. Siç kemi parë, kjo pandemi nuk ka mbaruar dhe vetëm ne si individ kemi fuqinë për ta ndaluar përhapjen për familjet dhe komunitetet tona.

Siç thotë dr. Raka në mënyrë elokuente, “Përvoja e Shteteve të Bashkuara ofron një udhëzues të shkëlqyeshëm për ëndrrat, liritë, demokracinë dhe mirëqenien për të gjithë qytetarëve të Kosovës. Rruga jonë drejt së ardhmes është e përbashkët dhe jemi të përkushtuar për t’i përmbushur idealet që dalin nga Deklarata e 4 korrikut. Le ta ndjekim citatin e presidentit John F. Kennedy, “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi juaj për Ju. Pyetni çfarë mund të bëni Ju për vendin tuaj!”

Meqenëse nuk mund të jemi personalisht së bashku, kjo është një mundësi e mirë për t’i shiquar momentet në histori të cilat na rikujtojnë që demokracia është një punë në vazhdim e sipër që kërkon pjesëmarrje në të gjitha nivelet. Demokracia pret që liderët dhe institucionet t’i dëgjojnë në mënyrë aktive qytetarët e tyre dhe që zëri i qytetarëve të dëgjohet – siç bëjnë sot qytetarët në Shtetet e Bashkuara dhe në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë e të qëndrueshme që shkon disa breza prapa. Si miq e partnerë, kemi qëndruar së bashku gjatë momenteve më të këqija dhe i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Jemi këtu me ju, sot dhe në të ardhmen.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë dhe faleminderit Kosovë!

AMBASADORI AMERIKAN PHILIP S. KOSNETT: NË VITIN 1776, SHTETET E BASHKUARA ISHIN NË NJË UDHËTIM DREJT PAVARËSISË

-Fjalimi i  ambasadorit amerikan Philip S. Kosnettme rastin e Ditës së Pavarësisë/

Përshëndetje. Ju faleminderit që na u bashkuat për ta festuar 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 1776, Shtetet e Bashkuara ishin në një udhëtim drejt pavarësisë. Themeluesit tanë nuk kërkuan vetëm lirinë nga një mbret i huaj. Ata u përpoqën ta ndërtojnë një lloj të ri të shoqërisë – një republikë që njohu se jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë ishin të drejta të qarta njerëzore.

Më shumë se dy shekuj në rrugëtimin e Amerikës për të kuptuar që vizioni është i papërfunduar. Amerikanët kanë përjetuar kohë gëzimi e përparimi, por edhe të dhimbjes e regresit. Në vitet 1860, qindra mijëra amerikanë, të bardhë e të zi, vdiqën në një luftë tragjike civile për t’ua sjellë lirinë miliona amerikanëve të tjerë të skllavëruar.

Një shekull më vonë, aktivistë të të drejtave civile, si Martin Luther King Jr., dhanë jetën e tyre në luftën për ta krijuar një shoqëri në të cilën, sipas fjalëve të King-ut, fëmijët një ditë do të jetonin në një komb ku ata [nuk] do të gjykoheshin nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.

Dhe lufta për drejtësi të barabartë dhe mundësi të barabarta në Amerikë nuk ka qenë vetëm çështje race. Liderët, si Susan B. Anthony, kampion i shekullit të 19-të për të votuar për të drejtat e gruas, luftuan për propozimin që pohimi i Amerikës që të gjithë burrat janë krijuar të barabartë duhet të vlejë edhe për gratë. Brezat e amerikanëve – disa të famshëm, disa anonimë – kanë luftuar për ta shtrirë konceptin e barazisë për të përfshirë njerëz të të gjitha racave, të të gjitha etnive, feve, gjinive dhe identiteteve seksuale.

Javëve të fundit kemi parë që rrugëtimi i gjatë i Amerikës vazhdon, pasi amerikanët po luftojnë përsëri kundër racizmit dhe padrejtësisë.

Në Amerikë, si në çdo vend, demokracia nuk është sport për spektatorë. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve. Gjithashtu kërkon ndershmëri dhe këmbëngulje për t’i adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona. Kjo është një kohë trazirash dhe ankthi në Amerikë – por gjithashtu edhe kohë shprese. Shpresoj që një ndryshim i pakthyeshëm, pozitiv mund të ndodhë me një popullsi të angazhuar. E njëjta gjë mund të thuhet për Kosovën.

Populli i Shteteve të Bashkuara dhe populli i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute. Popujt tanë janë të fortë e të zgjuar, kreativë e shpirtmirë, të shkathët e elastikë. Si miq dhe partnerë, i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Qëndruam bashkë për ta bërë Kosovën të pavarur, pas sulmeve të 11 shtatorit, në luftën kundër terrorizmit global.

Dhe tani qëndrojmë së bashku përballë një pandemie globale.

Sfidat e fundit e kanë treguar kreativitetin dhe aftësinë ripërtëritëse të popullit të Kosovës. Ndërsa institucionet dhe bizneset ishin të detyruara të mbylleshin për ta ndaluar përhapjen e virusit, qeveria, bizneset dhe shoqëria civile reaguan njësoj për t’u ndihmuar atyre që kishin nevojë. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën me ndihmë financiare e teknike. Ka shumë më tepër për të bërë, edhe nga qytetarët e rëndomtë, për ta sjellë pandeminë nën kontroll. Por kam besim se me këmbëngulje, punë të zellshme dhe bashkëpunim përtej kufijve, do të triumfojmë ndaj virusit, siç kemi triumfuar ndaj armiqve të tjerë.

Në këtë Ditë të Pavarësisë së Amerikës, le të zotohemi përsëri për përpjekjet tona më të mira për të ndërtuar shoqëri – për ta ndërtuar një të ardhme të përbashkët – që pasqyron ëndrrat e themeluesve tanë dhe i përmbush detyrimet tona ndaj brezave të ardhshëm.

MJEKU KOSOVAR DR. LUL RAKA: AMERIKË, SOT NË FLAMURIN TËND KE NJË YLL MË SHUMË – ATË TË KOSOVËS!

-Fjalimi e dr. Rakës me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së/

I nderuari Ambasador, të nderuar qytetarë të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, kam nderin dhe privilegjin që, në emër të qytetarëve të Kosovës, t’ua uroj Shteteve të Bashkuara Ditën e Pavarësisë!

Populli i Kosovës do t’u jetë gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara për rolin e tyre në kultivimin e idealeve që burojnë nga Deklarata e Pavarësisë e 4 Korrikut 1776. Përvoja e Shteteve të Bashkuara ofron një udhëzues të shkëlqyeshëm për ëndrrat, liritë, demokracinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Liria është gjithashtu histori e rezistencës. Dhe ndërsa njerëzit e Kosovës kanë lëvizur nga rezistenca e tyre ndaj tiranisë në pavarësi e liri, ne vazhdojmë të kërkojmë drejtësi e punë, shëndetësi, arsim e shkencë, art e kulturë.

Gjatë këtij viti, bota e mbylli pandeminë COVID-19 me një virus vdekjeprurës që po e kërcënon njerëzimin. Njerëzit tanë gjithashtu janë përballur me këtë sfidë të vështirë me burime të kufizuara. Por miqtë janë bashkë në ditë të vështira. E njëjta gjë ndodhi edhe kësaj radhe kur miqtë tanë amerikanë ndihmuan popullin tonë duke e mbështetur sistemin e kujdesit shëndetësor të Kosovës. Ju falënderojmë për këtë mbështetje thelbësore.

Pasi ende nuk ka ndonjë ilaç apo vaksinë, parandalimi i kësaj sëmundjeje mbetet arma e vetme që kemi në dispozicion. Të dashur qytetarë, ju lusim t’i ndiqni këshillat për parandalim duke mbajtur distancën tuaj fizike kudo dhe në çdo kohë, duke veshur maska dhe duke mbajtur higjienën e duarve. Vetëm së bashku mund të përballemi me këtë sfidë!

Rruga jonë drejt të ardhmes është e përbashkët dhe jemi të përkushtuar për t’i përmbushur idealet që dalin nga Deklarata e 4 Korrikut. Le ta ndjekim citatin e Presidentit John F. Kennedy, “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi juaj për Ju. Pyetni çfarë mund të bëni Ju për vendin tuaj!”

Sot, më 4 korrik, çdo kosovar është amerikan!

Amerikë, sot në flamurin Tënd ke një yll më shumë – atë të Kosovës! 

Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Zoti i bekoftë SHBA-në dhe Kosovën!

Filed Under: Featured Tagged With: 4 korriku, Behlul Jashari, Festa e SHBA, feste edhe per Kosoven

2 KORRIK 1990- 30 VJET NGA DEKLARATA HISTORIKE E PARAVARËSISË SË KOSOVËS

July 2, 2020 by dgreca

-Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, “Fillim i së nesërmes” së Kosovës shtet/

-Para 30 viteve, në ditën e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990 gazeta tradicionale Rilindja doli me mbështetje të fuqishme, edhe me komentin “Reprizë nuk do të këtë” pasuar me redaksionalin “Fillim i së nesërmes”. Autor i të dy shkrimeve atëherëredaktorii Rilindjes -tash korrespondenti nëKosovëi Gazetës DIELLI/

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova paralajmëronte dhe përshëndeste Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990/

 SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI*

PRISHTINË, 2 Korrik 2020/ Kosova para 30 viteve me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

 “Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli.  Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për shtet sovran dhe të pavarur i shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 30 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, kujton:
“Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

 Komenti u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbajet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Repoublikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tashmë 21 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet  12 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës, anëtare të OKB-së.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë e vlerësojnë mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën për pavarësi, dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit tjetër që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese për pavarësi të Kosovës e 2 Korrikut 1990 jubileun e 30-vjetorit e pret në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku e para një viti e dërgova  me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:

“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990.  Prishtinë, 30 Maj 2019  Behlul Jashari”.

 Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me atëherë Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.

 Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal, për herë të parë është ekspozuar në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës në 2 Korrik 2019. Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik,  ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, fotografinë e së cilës për botim për herë të parë e kam dërguar  në Agjencinë Telegrafike Shqiptare si korrespondent nga Kosova që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në rrethana të rënda okupimi.

Teksti i plotë i komentit, botuar në 2 Korrik 1990:

REPRIZË NUK DO TË KËTË

E ashtuquajtura “fazë e parë” e ndryshimeve kushtetuese të Serbisë për “shtetësi në tërë territorin”, përkatësisht për suprimimin e funksionave vitale të autonomisë së krahinave, u bë vjet me aplikimin e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë nga Kryesia e RSFJ-së, që atëbotë u quajt me eufemizëm me termin “masa të posaçme”.

“Faza e dytë”, e paralajmëruar qysh atëherë, e ndryshimeve kushtetuese dhe e suprimimit të autonomisë së Kosovës, filloi shpejt dhe tentohet të realizohet përfundimisht tash me aplikim të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë nga Kryesia e RS të Serbisë, po ashtu duke përdorur eufemizmin – “rrethana të posaçme”.

Në këtë shpejtësi të premtuar të “zgjidhjes së problemit të Kosovës” erdhi edhe referendumi për nxjerrje të kushtetutës së re të Serbisë, që në fakt është edhe tendencë për ruajtjen e monopolit monist të udhëheqjes e Partisë që e shkaktoi tragjedinë kosovare, si dhe tendencë për t’ia prerë rrugën pluralizmit e demokracisë, madje në emër të popullit dhe të “shpëtimit të shtetit”!

Shihet sheshazi se kështu dëshirohet të përsëritet skenari i vjetëm i dramës tragjike e plot gjakderdhje në Kosovë.

Ka edhe segmente tjera të ngjashmërisë së situatave. Vjet minatorëve të vetëngujuar të Staritërgut iu premtua dialog pasi të dalin nga zgafella, e për dalje u mashtruan me përmbushjen e rreme edhe të një kërkese – të dorëheqjeve që mandej u tërhoqën me pretekst se me pranimin e atyre dorëheqjeve, me shkuarjen e tre individëve, po u shkatërruaka tërë LKJ dhe politika e saj. Pas mashtrimit që iu bë minatorëve për nxjerrjen e tyre nga greva në nëntokë, jo vetëm që nuk u bë dialog, por u aplikua gjendja e jashtëzakonshme, e me këtë e me masa represive e gjakderdhje “shteti juridik” iu kundërvu rezistencave gjithëpopullore kundër ndryshimeve kushtetuese që e ngushtonin autonominë.

Megjithatë, rezistenca gjithëpopullore, jo vetëm që nuk u shua, por edhe u rrit, çka shihet edhe nga kërkesat e tubimeve e manifestimeve te tjera popullore qe një kohë të gjatë. As LK nuk u shpëtua me mbetjen në funksione të atyre që tërhoqën dorëheqjet, përkundrazi u shkatërrua, sepse populli humbi çdo besim në të dhe ia ktheu shpinën përgjithmonë, duke kërkuar fat e ardhmëri në pluralizëm e demokraci.

Por, ja edhe tash paraqiten “shpëtimtarë”, përkundër mësimeve që do të duhej të nxirreshin nga pësimet që solli injorimi i vullnetit e kërkesave të popullit. Një nga kata “shpëtimtarë” është Gjorgje Bozhoviqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, i cili si koautor i realizimit të një skenari drejtashkelës, kundërkushtetues e kundërkosovar e anti shqiptar  vepron edhe duke shkaktuar drama në Kuvend, duke mos lejuar që në te të hyjnë në rend dite kërkesat legjitime të popullit dhe të përfaqësuesve të tij -delegatëve, duke bllokuar e ndërprerë punën e organit më të lërtë të vetëqeverisjes e të pushtetit të Kosovës, po edhe të proceseve demokratike.

Ai punën e mbledhjes së Kuvendit e ndërpreu dy herë që të vazhdojë në “ditë më të mira”, sigurisht për të pritur aplikimin e “rrethanave të posaçme” në Kosovë, që u bë pas bindjes së delegatëve që të dalin nga salla e Kuvendit në mëngjesin e 23 qershorit e pas premtimit se mbledhja do të vazhdojë më 2 korrik. Megjithatë kryetari i Kuvendit, i cili tashmë ka humbur besimin e mandatin nga shumica e popullatës në Kosovë, përsëri gjeti dofarë arsyesh për ta shpallur të shtyer mbledhjen edhe pse shumica e delegatëve janë këmbëngulës që ajo të mbahet sipas marrëveshjes në ditën e premtuar – sot.

Kurdo që të mbahet kjo mbledhje, një gjë është e sigurt: Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit. Asnjë shtyerje nuk mund të ndalë realizimin e këtyre kërkesave e këtij vullneti gjithpopullor, të shprehur me urti e vendosmëri, në qetësi paqësore e në frymim të thellë demokratik në çdo mjedis në Kosovë.

Kjo është garanci se reprizim të skenarit të vjetmë të dramës tragjike e të humbjes së autonomisë në Kosovë nuk do të ketë as sot, as nesër, as kurrë më. Populli dhe përfaqësuesit e tij legjitimë – delegatët janë të vendosur që vetëm me urti e demokraci të realizojnë të drejtat dhe interest e veta jetike të patjetërsueshme.

B. JASHARI

(Gazeta Rilindja – Prishtinë, 2 Korrik 1990)

TEKSTI I PLOTË I DEKLARATËS KUSHTETUESE TË 2 KORRIKUT 1990 ISHTE:

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:

DEKLARATEN KUSHTETUESE MBI KOSOVEN SI NJESI TË PAVARUR DHE TE BARABARTE NE KUADER TE FEDERATES (KONFEDERATES) TE JUGOSLLAVISE SI SUBJEKT I BARABARTE ME NJESITE E TJERA NE FEDERATE (KONFEDERATE)

1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.

5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990                                              Delegatët, nënshkrues të Deklaratës:

PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA PARALAJMËRONTE DHE PËRSHËNDESTE DEKLARATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS TË 2 KORRIKUT 1990

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në një intervistë të botuar në 15 prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur Kushtetuese apo të Pavarësisë, siç do të quhet më vonë, të 2 Korrikut 1990, të Kuvendit të Kosovës.
Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, qershor Zagreb-Kroaci).
Në 2 Korrik 1990 në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë Deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë.

2 KORRIKU 1990 NA BASHKOI NË RRUGËN E PAVARËSISË

Shkruan ne FB: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 është moment i paharrueshëm politik dhe historik, që na bashkoi në rrugën e pavarësisë. Si akt politiko-juridik ishte shprehje e vullnetit dhe aspiratave të popullit tonë për liri, demokraci dhe pavarësi, të cilat i institucionalizuam pas një procesi të gjatë me shumë sakrifica. Mirënjohje të gjithë atyre që pandalshëm punuan për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. HTH

DELEGATËT E 2 KORRIKUT, SHEMBULL NGA I CILI MËSUAM

Shkruan ne FB:Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani

Sot prita dhe ndava mirënjohje për përfaqësuesit e legjislaturës e cila, para dyerve të tempullit të lirisë, e artikuloi qartë pikësynimin e pathyeshëm për liri në Deklaratën e 2 Korrikut të vitit 1990. Deklarata e miratuar nga 114 delegatët e asaj kohe qe akti politik dhe juridik me të cilin Kosova përfundimisht nuk pranoi t’i nënshtrohej hegjemonisë dhe i hapi udhë artikulimit të shtetësisë së Kosovës, e cila u konkretizua me Kushtetutën e Kaçanikut, të 7 Shtatorit të po atij viti. Prandaj, ua shpreha mirënjohjen më të thellë timen dhe të Kuvendit të Kosovës për aktin sa heroik, aq njerëzor të secilit prej tyre, duke nisur nga ish-kryetari, z. Ilaz Ramajli, delegatët e pranishëm sot, delegatët që për arsye moshe e shëndeti nuk mund të ishin sot me ne dhe në veçanti atyre grave e burrave që tashmë nuk janë mes nesh.
Që të gjithë do të mbahen në mend përjetësisht, sepse në vorbullën politike të kohës, kur vendi ynë po vihej egërsisht nën çizmen e regjimit serb ata i dolën zot atij dhe e artikuluan vullnetin politik të qytetarëve liridashës për Kosovën Republikë.
Ne ju përkulemi sot sepse ata e kuptuan se në botën e përplasjeve të mëdha ideologjike të fundviteve ’80, orientimi drejt vlerave demokratike, përqafimi i idesë së lirisë për veten dhe për tjetrin, si dhe refuzimi i ideologjisë komuniste ishin edhe vullnet edhe orientim strategjik.
Sot themelet e shtetit tonë qëndrojnë mbi vendimin e këtyre delegatëve për ta refuzuar dhunën dhe për t’i përqafuar vlerat e lirisë. Prandaj, si Kryetare e Kuvendit i falënderoj në emër të të gjitha legjislaturave pas asaj të 2 korrikut dhe t’i siguroj se çdo veprim yni në jetësimin e lirive njerëzore dhe në promovimin e tyre do të jetë i frymëzuar nga parimet që i vulosën këta delegatë me Deklaratën Kushtetuese. E, njëri ndër këto parime është këmbëngulja për ta jetësuar shtetin e së drejtës dhe mosdorëzimi para çfarëdo lloj pengese. Ne qëndrojmë fort mbi këtë parim sepse delegatët e 2 korrikut i kishim shembull nga i cili mësuam.

Urime 2 Korriku, që shënoi themelet e shtetësisë!

MOMENT KTHESE NË HISTORINË MË TË RE TË KOSOVËS

-Kryeministri AvdullahHoti: Deklarata e 2 Korrikut sublimon përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot një grup delegatësh, të cilët më 2 korrik 1990, në rrethana të jashtëzakonshme, miratuan Deklaratën Kushtetuese, e cila shënoi hapin e parë institucional në procesin e gjatë për pavarësinë e Kosovës.

Me këtë rast, Kryeministri Hoti tha se kjo deklaratë qe moment kthese në historinë më të re të Kosovës, sepse ishte akti i parë i artikulimit të qartë të vizionit dhe të vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi.

“Deklarata e 2 Korrikut e vitit 1999 do të kujtohet gjithmonë si akt që sublimon përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Bashkë me aktet e tjera që e pasuan atë, si Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për pavarësi, kjo deklaratë shënon kthesën historike në përpjekjet tona të gjithanshme për liri në dekadën e fundit të shekullit XX”, tha kryeministri Hoti.

Në këtë ditë të rëndësishme – vijoi kryeministri Hoti – ne si qeveri e vendit u shprehim mirënjohjen tonë të gjithë delegatëve të Kuvendit të 2 Korrikut, të cilët, në koordinim me lëvizjen politike demokratike të asaj kohe, me vendimet e tyre të guximshme i hapën Kosovës rrugën e pakthyeshme të mëvetësisë dhe të integrimeve euroatlantike.

Ndërsa, në emër të delegatëve, të cilët shpallën Deklaratën e 2 Korrikut dhe miratuan Kushtetutën e 7 Shtatorit, foli z. Iljaz Ramajli, ish-kryetar i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, i cili e falënderoi kryeministrin Hoti për pritjen, si dhe për angazhimin e Qeverisë së Kosovës që kujdesi për delegatët e asaj kohe të ngrihet nga niveli i vullnetit politik, në obligim institucional dhe ligjor.

*Me shume foto shikoni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: 30 vjet, Behlul Jashari, deklarata e pavaresise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT