• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Reportazhi i vitit 1996 që paralajmëronte bashkimin kombëtar – heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë

November 17, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, Nëntor  2022/ Në Jubileun e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë risjellim reportazhin e ardhmërisë – futuristik “Udhëtimi për në Prizren” që e kam shkruar  para më shumë se çerek shekulli, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996. Këtë reportazh futuristik që paralajmëronte bashkimin kombëtar – heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë e lidhjen edhe me autostradë e gjejë në Arkivin Shtetëror të Kosovës të botuar në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë të botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja që dilte në Tiranë pasi në Prishtinë u ndalua me dhunë nga Serbia okupatore. Brenda reportazhit është edhe shënimi “Kronikë kufiri” – pjesë nga shkrimi që kam bërë në 1 Prill 1996 nga kufiri Kosovë-Shqipëri,  të cilin vetëm zogjtë e kalonin pa pengesa…

 “Udhëtimi për në Prizren” ishte reportazhi i dytë i ardhmërisë që kam shkruar. I pari ishte “KOSOVË: REPORTAZHI I ARDHMËRISË – Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995 dhe është botuar në atë fundvit në të dy kryeqytetet shqiptare, ndërsa i treti ishte  “Kufiri i ëndrrës”  që e kam shkruar në fundvitin 1997, botuar në 3 Janar 1998…

Reportazhet e ardhmërisë i botoja edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip edhe me shumë raportime që bëja si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë që nga 24 Maji i vitit 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë, kur lideri historik i lëvizjes për liri e pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet e ardhmërisë – futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008…

Reportazhi i ardhmërisë II “Udhëtimi për në Prizren” i para më shumë se çerek shekulli ishte ky:

 UDHËTIMI PËR NË PRIZREN

(Reportazhi i ardhmërisë II)

Behlul JASHARI

Nuk kishte arritur as t’i shfletojë mirë botimet e  mëngjesit, të gazetave që i kishte marrë në Tiranë, e as ta pijë deri në fund kafenë. Udhëtimi me aeroplan nga Rinasi deri në Sllatinë kishte zgjatur vetëm njëzet e tre minuta. Kishte fluturuar mbi brerimat e bardha të reve, e nga dritarja nuk kishte mundur as përafërsisht të shohë a të përcaktojë se ku mund të jetë vija e kufirit, prej nga vinte lajmi i ditës, që e kishin botuar të gjitha gazetat: “Hiqen gurët e kufirit…”  Njoftohej se lumjanët me daulle, si në dasma, kishin dalë t’i hiqnin gurët, që para shumë e shumë viteve kishin venë kufi midis tokave të tyre. Nuk ishte ky kurrëfarë incidenti kufitar, por edhe paralajmërim i një ngjarjeje, për të cilën reporteri nga Tirana ishte nisur për në Prizren.

            Kishte ardhur më parë në Prishtinë për të shfletuar kronikat e viteve të bujshme të Kosovës. Donte të bënte edhe një kronikë ngjarjesh që i paraprinë një Kuvendi të madh kombëtar, që do të mbahej pas një kohe në Prizren, në kryeqytetin e Lidhjes Shqiptare. Në Prizren pritej edhe  manifestimi qendror i përurimit të autostradës Lezhë-Prizren-Prishtinë, të ndërtuar nëpër shtigjet e rrugës së vjetër  Lis-Dardani…

            Pikërisht udhëtimet Kosovë-Shqipëri nëpër vite ishin një nga interesimet gjatë shpalimit të kronikave në Bibliotekën Kombëtare e Universitare  në Prishtinë. Viti 1996 iu duk se ishte një vit kthesë. Më 1 prill të këtij viti,  për herë të parë pas shumë viteve,  shqiptarët e Kosovës së pushtuar filluan të udhëtojë për në Shqipëri pa viza dalëse, që i kishte aplikuar regjimi i Beogradit për të penguar komunikimet ndërshqiptare. Rexhimi i vizave ishte tepër rigjid. Vetëm brenda një viti mbi një mijë shqiptarëve të Kosovës iu kishin konfiskuar pasaportat e u ishin shqiptuar dënime nga policia e nga gjyqet serbe vetëm e vetëm pse kishin udhëtuar në Shqipëri pa viza dalëve. Po, udhëtimet nuk ndaleshin me gjithë vrasjet në kufirin e ndodhur nën kontrollin e hekurt të forcave serbe.

            Pasi ishte hequr regjimi i vizave dalëse, sipas kronikave të kohës, Prizreni priste të bëhet qendër shumë e rëndësishme e komunikimeve ndërshqiptare nëpër magjistralin Prishtinë-Lezhë. Magjistrali është quajtur rrugë e ardhmërisë nëpër shumë shkrime gazetash  të vitit 1996, kur nga Prishtina për në Tiranë udhëtohej më shumë nëpër Podgoricë apo Shkup dhe udhëtimi zgjaste deri shtatëmbëdhjetë orë. Ishte llogaritur se magjistrali Lezhë-Prizren do të shkurtonte për tre herë rrugën nga Kosova për në bregdetin shqiptar. Midis këtyre dy qyteteve shqiptare  ai magjistral i shtrirë nëpër luginat e lumenjeve Fani i Vogël e  Drini i Bardhë do të kishte maksimum 130 kilometra…

            Tek shfletonte kronikat e vitit 1996 në Kosovë, gazetarit nga Tirana përshtypje të veçantë i bëri edhe një titull i madh në faqen e parë të gazetës: “Jemi zotuar për të ardhmen  e lirinë tuaj”. Ishin këto fjalët e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kornbllum në hapjen e Zyrës Amerikane në Kryeqytetin e Kosovës, më 5 qershor. “Kjo është një ditë historike për Kosovën”, deklaronte me këtë rast presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

            Shfletimi i kronikave për përfaqësinë e parë të një shteti të hapur në Kosovë ia përkujtoi se duhet të shkojë brenda ditës në ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, në kuadrin e ambasadave në kryeqytet…

            Derisa po kthehej, kishte rënë nata, rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të ndriçuara me neon ishin të mbushura plot njerëz.  Masa e njerëzve që shëtitinin në atë mbrëmje të këndshme ia kujtoi të dhënën se numri i banorëve të Kosovës kishte arritur në mbi tre milionë.

            U ndal më gjatë para reklamave të kinemave e teatrove të kryeqytetit. E shihte se do ta kishte vështirë të përcaktohej ku të shkojë, por as nuk kishte kohë. E priste takimi me kolegët gazetarë të Prishtinës në hotelin “Bozhurët e Kosovës”, ku ishte vendosur. I pihej edhe një raki rrushi e Rahovecit…

            Po, kishte pirë edhe ca më shumë, dhe derisa po lexonte teletekstin shqiptar dhe gazetat e mbrëmjes, e kishte zënë gjumi. E kishte zgjuar herët cingërrima e telefonit. Ishte një telefonatë nga Tirana, që e paralajmëronte se pas një ore duhej të paraqitej drejtpërdrejt me raport për lajmet e mëngjesit në Televizion.

            Raportin e kishte në mendje, po, megjithatë, po e shkruante edhe në letër: “Në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën pritet me interesim shumë të madh  Kuvendi gjithëkombëtar, që do të mbahet në Prizren. Pritet edhe përurimi i magjistralit…Heqja e gurëve që shënonin kufirin është manifestim i entuziazmit e gëzimit të popullit për bashkimin kombëtar që paralajmërohet…”

            Pas festës së madhe që paralajmërohej me mbajtjen e Kuvendit kombëtar në Prizren po e priste edhe një festë e bukur: Dita e Verëzes – Dita e Luleve.

Është kjo një festë e lashtë iliro-pagane, që, pos në Prizren e rrethinë, nga të gjitha trojet shqiptare festohet vetëm edhe në Elbasan, në të njëjtën ditë, më 14 mars,  po me emër ca ndryshe: Ditë e Verës – Ditë e Luleve. Prandaj, në këtë festë në Prizren udhëton edhe një delegacion nga qyteti i Elbasanit.

            Kështu, si një surprizë hyn edhe Festa e Luleve në reportazhin e ardhmërisë të reporterit në udhë për në Prizren, prej nga do të kthehet përsëri në Tiranë, për herë të parë nëpër magjistralin e sapoperuruar, vetëm për afër dy orë. E, në Vermicë s’do të jetë më pika kufitare, s’do të jetë më kufiri…

KRONIKË KUFIRI

Kufiri Kosovë-Shqipëri nuk është më si fundi i botës. Pas shumë vitesh kalohet sot për herë të parë pa viza dalëse nëpër pikën kufitare të Vermicës. Po, megjithatë, aty ende ndalojnë forcat serbe dhe është një kontroll i hekurt.

Në njërën anë – bunkerët e betonit, që kanë mbetur si të harruar e janë mbuluar nga ferrat e bari.

Në anën tjetër – “piramidat e betonit”, kaherë të vendosura në zonën kufitare si “pengesa antitanke”.

E, mbi të gjitha pejzazhet shqiptare, midis të cilave sikur mbytet vija e mallkuar e kufirit të aq shumë ndarjeve. Mbi malet e ashpra me borë të Sharrit, Pashtrikut e Koretnikut fluturon një Shqiponjë, nëpër qiellin e përflakur nga dielli në pranverë si në sfondin e flamurit.

E, jo vetëm stinën, por edhe kohën që vjen, sikur e paralajmërojnë dallëndyshet e lejlekët që fluturojnë mbi syprinat e kaltra të lumit të Drinit.

Megjithatë, vetëm zogjtë kalojnë kufirin pa pengesa…(Vermicë, 1 prill 1996)

NGA REPORTAZHI IM I MARSIT 1996 “MURI NDËRSHQIPTAR SI ‘FUNDI I BOTËS’”:

E më pak se dy javë para 1 Prillit 1996, jo rrugës po nëpër male fshehtas nëpër shtetrrethimin e forcave serbe shkova deri afër kufirit Kosovë-Shqipëri dhe nga një kodrinë shihja si dukej e çka ndodhte në vendkalimin kufitar në Vermicë-Morinë, prej nga shkrujta reportazhin “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, të cilin e botova në gazetën e rezistencës “Bujku” më Prishtinë para 26 viteve, në 18 Mars 1996.

Reportazhin e dërgova edhe në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. Në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se reportazhi është botuar në 19 Mars 1996 edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë. Në atë reportazh mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”…

***

Pas botimit të reportazhit “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi…

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari

Në Pishtinë mbahet Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s

October 8, 2022 by s p

PRISHINË, 8 Tetor 2022 – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Në Prishtinë sot, më 8 tetor 2022, fillon punimet Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“, në të cilin pritet të jenë më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Në takimin 3-ditor do të diskutohet për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë.

Ligjvënës të NATO-s, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe të institucioneve e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, do të diskutojnë gjithashtu për perspektivën e integrimit evropian të Kosovës dhe progresin e deritashëm, për situatën ekonomike në rajon pas Covid-19, për rolin e të rinjve në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme, për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, zhvillimet politike dhe të sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, implikimet e luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor, shtrirjen dhe implikimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, pastaj për kontributin e grave për paqen dhe sigurinë rajonale, pjesëmarrjen politike të tyre në Kosovë, si dhe forcimin e sundimit të ligjit e luftimin e korrupsionit.

Seminari i 102-të Rose-Roth organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, deputetit Driton Hyseni, si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF), së bashku me Komisionin për Ekonomi dhe Siguri.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari

Kosova para 32 viteve: Serbia ua ndaloi shqiptarëve edhe gazetën e vetme të përditshme Rilindja

August 8, 2022 by s p

-Mëngjesi i 8 Gushtit 1990  Kosovën e gjeti pa gazetën e vet tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqiptare në atë kohë që botohej në  Prishtinë, në terrin e natës së gjatë të okupimit forcat serbe e kishin ndaluar në Shtypshkronjë. Por, gazeta historike Rilindja edhe kur u ndalua nuk u ndal…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 7 Gusht 2022/  Në Kosovë para 32 viteve edhe helikopterët e forcave okupatore të Serbisë me fluturime mbi Pallatin Rilindja në Prishtinë – shtëpinë e gazetës tradicionale shqiptare Rilindja ishin pjesë e shtetrrethimt.   Në 8 Gusht 1990, gazeta  Rilindja – në atë kohë e vetmja e përditshme në gjuhën shqipe e Kosovës nuk doli, natën ishte ndaluar dhunëshëm në shtypshkronjë, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën, e edhe pas ndalimit nuk u ndal…

As nuk ishte ndalur, gazeta Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunëshme të Serbisë, që e përfshinin edhe ate në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunëshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunëshme të Serbisë.

Masat e dhunëshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte Pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990.  

Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…

Në ditën kur Serbia ia ndaloi Kosovës gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe Rilindja bëja edhe një shkrim rezistence e proteste. “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja.

Me reportazhin e shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova në Pallatin Rilindja dhe pasi e daktilografova me makinë shkrimi nga redaksia e gazetës ngjita shkallëve të kateve më lart për te kryeredaktori i revistës për kulturë Fjala, Milazim Krasniqi.

 I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve) t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.

Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.

Botimi i shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës së ndaluar Rilindja që e nisi së pari revista Fjala me shpeshtime daljesh edhe si gazetë vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare. Fjala, Shkëndija, Kosovarja, Bujku e të tjera revista ishin të Ndërmarrjes së Revistave, që ishte një nga gjashtë ndërmarrjet sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, pjesë e së cilës dhe më e madhja ishte Gazeta Rilindja…

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditshme “përkohësisht”.

Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.

Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd – kryeqytetin e federatës së atëherëshme, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen e ndaluar.

E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.

Gazeta e përditshme Bujku doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.

Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani bashkë me gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri.

Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17  Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”, editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.

Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë.

Gazeta Rilindja nuk u ndal, vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj na i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.

Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57 vjetorin,  ditën e saj – 12 Shkurtin.

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z. Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis…       

 Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa. 

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së Pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

 Pas 10 vitesh nga botimi i fundit i printuar në letër, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…

Gazeta shqiptare tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para më shumë se 75 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

 “Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005.

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë)…

Edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme, gazeta tradicionale e historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

Edhe sot, si në raste tjera pas ridëbimit e rimbylljes së gazetës Rilindja, e shohim të nevojshëm një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, ashtu si është kërkuar edhe në shkresat drejtuar institucioneve të Kosovës.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga  UNMIK – Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

 Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj kanë bërë kërkesat e tyre bazuar në ligje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës…

 NGA ARKIVI I GAZETËS TRADICIONALE TË KOSOVËS RILINDJA:

VLERËSIMI DHE PËRKRAHJA E PRESIDENTIT HISTORIK RUGOVA PËR RILINDJEN EDHE NË INTERVISTA EKSKLUZIVE

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger. Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë…

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 Shkurt 2002.

Pjesa përmbyllëse e intervistës së gjatë botuar në gazetën Rilindja në 31 Dhjetor 2002 ishte kjo:

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës “Rilindja” për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që “Rilindja” të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës “Rilindja”.

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.

Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta “Rilindja”, t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të “Rilindjes”. Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.

Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe gjithë Kosovën.

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, poashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.

 Gazeta Rilindja e ditës së 60 vjetorit të saj – 12 Shkurtit 2005 botonte edhe një intervistë tjetër ekskluzive me Presidentin Ibrahim Rugova me titulliun në ballnë “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

Me rastin e pritjes që më bëri në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues – Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve,  duke u shprehur, mes tjerash:

“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmediumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”

RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008 TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha,  për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës Shtet i Pavarur.

LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:

 1. Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja – 3 Korrik 1990, foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari

2.Viti 1990-Pallati Rilindja në Prishtinë okupohet nga Serbia edhe me helikopter – Foto Ilaz Bylykbashi –

3.Viti 1990-Forcat serbe në hyrje të Pallatit Rilindja në Prishtinë – Foto Arkivi Rilindja

 4. Në prag të 12 Shkurtit 2005: Behlul Jashari, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues – Kryeredaktorit, Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova i dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës në 12 Shkurt 1945

5. Pllakati i Jubileut të 60-vjetorit të gazetës Rilindja

6. DRITARE NE HISTORI-Faqe arkivi të gazetës tradicionale të Kosovës RILINDJA – foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari

 7. Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe kryeredaktori i Rilindjes Behlul Jashari – Dhjetor 2002

8.  Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 të shpalljes së pavarësisë – botim festiv – foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari

(Behlul Jashari – në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja nga Shtatori 1973 – gazetar, reporter i lirë, komentator, redaktor, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditëshme të rezistencës Bujku që nisi të dalë në 18 Janar 1991 dhe kryeredaktor nga Janari 2002 i gazetës Rilindja, e cila me numrin e fundit të shtypur ka dalë në 30 Dhjetor 2008, ndërsa pas 10 viteve kishte edhe një ridalje simbolike protestuese, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018)

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari

Mesazh atyre që duan kufirin në Mitrovicë

August 2, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 2 Gusht 2022/ Mesazhi për ata që duan kufirin në Mitrovicë, i Gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në botimin e 30 Dhjetorit të Vitit 2008 të Pavarësisë e ndjohjeve ndërkombëtare të Kosovës, është aktual edhe tani pas 14 viteve, kur në veri të Kosovës nga grupe të organizuara serbe  – strukturat ilegale të Serbisë që janë bërë banda kriminale e agresive vendosen e zhvendosen barrikada dhe shkruhen e dëgjohen parulla “Këtu është Serbi”…

Ky ishte shkrimi i atëherë kryeredaktorit të Gazetës Rilindja, tani korrespondent në Kosovë i Gazëtës Dielli – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra:

MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË

Behlul Jashari

Në përfundim të Vitit Historik 2008 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe njohjes nga 53 shtete, dhe më të fuqishmet në botë, po presim gëzuar Vitin e Ri 2009 të pritjesë së anëtarësimit të shtetit tonë të ri në OKB dhe  të jubileut të 10-vjetorit të paqes e lirisë në Kosovë – të hyrjes së NATO-s, forcës më të madhe planetare.
Në Ditën e Lirisë e të Paqes, më 12 qershor 1999, kur NATO-ja hyri e nisi marshin fitimtar e çlirimtar në tokën e Kosovës për t’iu dhënë fund krimeve të tmerrshme e gjenocidit, nga kolona e tankeve të para, ku isha me ushtrinë e Aleancës Veriatlantike e gazetarë nga gjithë bota, atë mëngjes të gëzimit të madh shqiptar kemi qeshur me një grafit çmendie të shkruar nga forcat që po dëboheshin pas humbjes së luftës kundër lirisë, në një shpatull mali në Grykën e Kaçanikut: “Serbija do Tokio”.
Shkarravina, që përkthyer shqip thoshte “Serbija deri në Tokio” më rikujtoi grafitet “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe britmat “ikni përtej…” të atyre që me dhunën më të egër dëbuan më se një milion shqiptarë nga Kosova.
Ata me operacionin “patkoi” kishin dashur ta zhbënin Kosovën, që duke vrarë e dëbuar shqiptarët, duke ua djegur e rrënuar shtëpitë, qytetet e fshatrat, të zhvendosnin kufirin shqiptaro-serb edhe përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e kishin zhvendosur para më shumë se një shekulli përgjakshëm nga Molla e Kuqe e kujtesës sonë historike.
Ata edhe më tej duan t’ua vënë flakën kufijve të Kosovës si në 19 shkurtin e 2008-tës në veri, duan të copëtojnë hartën e vendit që deshën ta zhbëjnë me gjenocid dhe tokëdjegie.

Ata edhe më tej shohin ëndrra të pamundshme, tash më 9 dhjetor 2008, kur në ditën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë Kosovën, në veri të urës mbi limin Ibër në Mitrovicë pashë grafitin që përkthyer shqip thoshte “këtu është Serbi”.
Por, edhe ata të gjithë do ta kuptojnë, shumë prej tyre e kanë kuptuar, se ka ikur përgjithmonë koha e pretendimeve dhe e ëndrrave të këqija kundër Kosovës, se Kosova është shtet.
Le të jetë 2009-ta edhe viti i vetëdijësimit e besimit edhe të asaj pjese të vogël të shtetasve të Kosovës që janë kundër këtij shteti, se Kosova është edhe shtëpia e atdheu i tyre, i lirisë, paqes, mirëqenies, prosperitetit e garancive për të gjithë, i demokracisë, standardeve dhe ecjes drejt integrimeve euroatlantike.
Le të jetë 2009-ta viti i vetëdijësimit përfundimtar edhe të fqinjit tonë verior që ka mbetur i vetmi fqinj kundër shtetit të Kosovës, se kufijtë e Kosovës janë të vendosur e të garantuar edhe ndërkombëtarisht dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik.
Shtet që rrezaton paqe, stabilitet  e demokraci dhe që i ofron fqinjësi të mirë e bashkëpunim edhe shtetit nga i cili pret edhe kërkimfaljen për krimet e gjenocidin.

Grafitet, pretendimet e ëndrrat e këqija “Serbia deri në Tokio”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Kufiri në mes të Mitrovicës” e të tjera si këto e të kohëve që shkaktuan edhe tragjedi njerëzore le të mbesin përmendore të marrëzisë e të shkuarës, apo më mirë sikur të ishte e mundur le t’i fshijë përgjithmonë e bardha dëborë e dimrit që do të shkrijë derisa shkojmë drejt Vitit të Ri 2009 e pranverës së re, drejt kohëve të mira që vijnë për të gjithë.

Gëzuar!

(RILINDJA, 30 Dhjetor 2008)

Filed Under: Fejton Tagged With: Behlul Jashari

GAZETA E VETME SHQIPE E KOSOVËS “BUJKU” E 23 QERSHOR 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS

June 23, 2022 by s p

-Si u raportua për vizitën historike të Sekretarit Amerikan të Shtetit James Baker në Tiranë në Qershorin e vitit 1991 nga gazeta e rezistencës – e vetme shqipe në atë kohë në Kosovë, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha,  derisa kufiri me Shqipërinë ishte i hekurt, ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në titullin e reportazhit që e botova në Prishtinë e edhe në Tiranë në 19 Mars 1996/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

 PRISHTINË, 23 Qershor 2022/ Para 31 viteve, në 22 Qershorin e vitit 1991 për të përcjellë vizitën historike të Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker në Tiranë  nga gazeta e vetme shqipe në Kosovë në atë kohë “Bujku” dërguam në Shqipëri reporterin special Avni Spahiu, si dhe ekipin në qytetin pranë kufirit të hekurt të Kosovës me Shqipërinë, në Gjakovë, atje ku mund të shihej Televizioni Shqiptar, i cili nuk mund të shihej në Prishtinë e në shumicën rajoneve kosovare. Fotot i patëm bërë nga transmetimet e Televizionit Shqiptar, nuk kishte asnjë mundësi teknike në atë kohë t’i marrim nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, me të cilën kishim nisur bashkëpunimet e para të mediave Kosovë-Shqipëri. Ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në titullin e reportazhit që e botova në Prishtinë e edhe në Tiranë në 19 Mars 1996,  duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.

Në gazetën e rezistencës që dilte në Prishtinë “Bujku”  në 23 Qershor 1991 kryetituj në ballinë ishin: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS –  VIZITA E BEJKERIT NË SHQIPËRI U NDOQ ME INTERESIM NË KOSOVË.

Në ballinë paralajmëroheshin raportimet për vizitën historike të Sekretarit Amerikan të Shtetit në Tiranë gjerësisht në faqet 8 e 9, ku kryetituj janë: SHQIPËRIA KA MBËSHTETJEN E SHBA-ve, AMERIKANËT JANË ME SHQIPTARË, SHQIPTARËT JANË ME AMERIKANË – AMERIKA PO KTHEHET NË SHQIPËRI. Janë këto citime nga fjalimet e Sekretarit Amerikan të Shtetit Xhejms Bejker. MOMENT HISTORIK PËR SHQIPËRINË, është një titull tjetër…

Po në ballinë me titull BISEDUAM SI MIQ botohej Deklarata për gazetën “Bujku” e Dr. Ibrahim Rugovës pas takimit me Xhejms Bejkerin, ku në nëntitull theksohej: Sekretarit amerikan të shtetit iu dorëzua mesazhi i partive politike shqiptare me kërkesat e tyre për zgjidhjen e krizës në Kosovë dhe në Jugosllavi. Në tekst njoftohej se takimi, ku ishin lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut Adem Demaçi  dhe kryetari i Partisë Parlamentare të Kosovës Veton Surroi, ishte mbajtur  me 21 Qershor 1991 në një hotel në Beograd, gjatë vizitës që Bejker kishte edhe në Jugosllavi.

Në ballinë të gazetës “Bujku” paralajmërohej edhe shkrimi: SHKOLLAT SHQIPE NË MËRGATË – KUNDËR ASIMILIMIT.

Dhe, mes tjerash, një titull tjetër ishte: LUTJE PËR PAQE, QETËSI E LIRI…

“Bujku” ishte gazetë e përditëshme e rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës, me orientim e përcaktim të fuqishëm propërëndimor euroatlantik që nisi të dalë  nga 18 Janari 1991, isha themeluesi-kryeredaktori i saj në atë kohë. Ishte gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë dhe edhe sfidonte ndalimin e dhunshëm të gazetës tradiconale shqiptare kosovare Rilindja nga regjimi okupator serb.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT