• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIELLI- Kalendar-15 mars 2005, Presidenti Rugova i shpëtoi atentatit

March 16, 2018 by dgreca

-Presidenti Rugova ndodhej në veturë dhe po kalonte rrugës për të shkuar në takim me atëherë Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana/

 Rugova-Solana

-12 prill 2005, Presidenti i Kosovës Rugova refuzoi një takim me Presidentin e atëhershëm të Serbisë, Tadiç, “para se të njihet pavarësia e Kosovës”/

rugova_engel

-7 korrik 2005, në Kosovë qëndroi Kongresisti Amerikan Eliot Engëll, të cilin Presidenti Rugova e nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë/

-KALENDAR, Gazeta DIELLI/

PRISHTINË, 15 Mars 2018/ Para 13 viteve, në 15 mars 2005, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i shpëtoi një atentati në qendër të Prishtinës.Ngjarja ndodhi rreth orës 8 e 20 minuta, derisa Presidenti Rugova ishte në veturë dhe po kalonte rrugës për të shkuar në takim me atëherë Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, në Presidencën e Kosovës – ndërtesën e Kuvendit.

Besohet se mjeti shpërthyes, që ishte vendosur në një kontejner afër qendrës së kryeqytetit të Kosovës, ishte aktivizuar me teledirigjues, ndërsa burime të afërta me mbrojtjen e Presidentit kishin thënë se atë e kishte shpëtuar shkalla e lartë e sigurisë së makinës në të cilën gjendej, gjegjësisht shkalla e blindimit të saj.

“Për fat të keq, ende ka elementë, ende ka njerëz që dëshirojnë ta destabilizojnë Kosovën”, tha Presidenti Rugova në lidhje më atentatin, pas takimit me Solanën – Përfaqësuesin e Lartë të BE.

Pas më pak se një muaji, në 12 prill 2005, Presidenti i Kosovës Rugova refuzoi një takim me Presidentin e atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiç. “Para se të njihet pavarësia e Kosovës, takimi mund të ndodhë vetëm në rrafsh multilateral, në ndonjë konferencë ndërkombëtare”, insistonte Rugova. Në 7 korrik 2005 në Kosovë qëndroi Kongresisti Amerikan Eliot Engëll, të cilin Presidenti Rugova e nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë, për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës. Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Engëll tha se Kosova do të jetë shumë shpejtë e pavarur.

“Jam i sigurt, ashtu siç marr frymë, se Kosova do të bëhet një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik, sepse qytetarët e Kosovës nuk meritojnë më pak, sepse qytetarët e Kosovës duan t’i bashkohen demokracive të gjithë botës”, u shpreh Engell, duke i vlerësuar marrëdhëniet e popullit  të Amerikës dhe të Kosovës të mrekullueshme dhe të fuqishme.

Kongresisti Engell tha se Rugova është një patriot i madh dhe Kosova është fatlume që e ka lider./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, DIELLI- Kalendar-15 mars 2005, i shpëtoi atentatit, Presidenti Rugova

PARIS, Kosova ftesë kompanive franceze për investime

March 16, 2018 by dgreca

1 Thaci Thirrje investime

 -Presidenti Thaçi në Paris, fton kompanitë franceze që të investojnë në Kosovë/

PARIS, 16 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Këshillit të Biznesit Francë-Kosovë “MEDEF International” në Paris. Presidenti Thaçi ka thënë se si shtet i ri, me popullatën më të re në Evropë, Kosova është e etur për dije, punë, zhvillim dhe prosperitet, duke paraqitur një potencial të madh për investime. Ai ka thënë se në Kosovë janë bërë reforma në të gjithë sektorët e jetës dhe konfirmimi më i mirë i këtyre të arriturave është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit me Bashkimin Evropian, por edhe marrja e statusit të vendit kandidat për fondet e MCC-së të Kongresit Amerikan.“Të dyja këto janë dëshmi e suksesit tonë në reforma të gjithanshme dhe në konsolidimin e shtetit të Kosovës. Jemi vend me rritje konstante ekonomike, mesatarisht 4 për qind në vit, që prej kur jemi shtet. Kemi stabilitet të borxhit publik dhe sistem bankar të suksesshëm dhe të qëndrueshëm”, ka thënë presidenti Thaçi.Kreu i shtetit ka folur edhe për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave që lidhin Kosovën me vendet e rajonit dhe më gjerë, me kontinentin dhe me portet më të mëdha, duke shtuar tutje se është rritur vazhdimisht edhe prodhimi vendor dhe cilësia e prodhimeve.“Kemi vazhduar të hapim shkolla e universitete që të përgatisim fuqi punëtore, që të jetë konkurrente në Evropë. Sot shohim kompani evropiane e botërore që kanë ardhur në Kosovë dhe po i shfrytëzojnë këto kapacitete e këto potenciale të Kosovës”, ka pohuar ai.Presidenti ka thënë se mbi të gjitha, sot Kosova është një vend që ka mbyllur kapitullin e luftës dhe është një shtet i fokusuar në zhvillim, bashkëpunim dhe integrim.“E kemi thënë qartë që veten e shohim në NATO dhe në Bashkim Evropian. E kemi mirëpritur konfirmimin nga NATO-ja dhe BE-ja që Kosova, si dhe i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor, e kanë vendin në këto dy organizata”, ka thënë presidenti Thaçi.I pari i shtetit ka theksuar se Kosova nuk është më ajo e para 20 vjetëve, por është një vend që me sukses ka tejkaluar shkatërrimet e luftës dhe është kthyer kah paqja dhe zhvillimi.“Në këtë sukses tonin jemi falënderues për përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare kanë qenë bashkë me ne në ndërtimin e sistemit tonë juridik, që garanton drejtësi për të gjithë”, ka thënë ai. Presidenti Thaçi është shprehur mirënjohës për shtetin francez, që ka përkrahur Kosovën në ndërtimin e paqes, në ndërtimin e shtetit dhe tash na përkrahin në ndërtimin e një të ardhme evropiane.“Jemi mirënjohës që kompanitë nga Franca kanë qenë ndër investitorët e parë në Kosovë. Por, dëshirojmë që këtë bashkëpunim ta thellojmë edhe më shumë, sidomos në ekonomi”, ka thënë presidenti Thaçi.Ai i ka ftuar kompanitë e Francës që t’i shikojnë mundësitë për të bashkëpunuar sa më shumë në fushën e ekonomisë, me interes të ndërsjellë të dy shteteve, por edhe të tërë kontinentit tonë./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, ftese kompanive franceze, Investime ne Kosove, Thaci

Kosovë-Demarkacioni, të martën

March 15, 2018 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës rimblidhet për demarkacionin të martën e javës së ardhshme/

1 Kuvendi sot

-Lëvizja Vetëvendosje pas largimit të 13 deputetëve, nga grupi më i madh parlamentar kaloi në vendin e tretë/

–Tani grupi i parë – më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës është i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti opozitare, me 27 deputetë/

PRISHTINË,15 Mars 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Vazhdimi i seancës plenare për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi  do mbahet të marten e javës së ardhshme, 20 mars 2018, në orën 16:00.

Ky është vendimi i mbledhjes së mbrëmjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare, ndërkohë që gjatë ditës u zhvilluan punime në seancë plenare për pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara në mungesë kuorumi.

Seanca e jashtëzakonshme për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi ka pasur katër shtyrje në pritje të sigurimit të dy të tretave të votave – së paku 80 nga Kuvendi 120 anëtarësh.

Duhen së paku edhe 2 vota derisa janë dy parti që ishin deklaruar kundër – Lëvizja Vetëvendosje opozitare dhe Lista Serbe pjesë e koalicionit qeverisës.

Por, grupi parlamentar i  Lëvizjes Vetëvendosje nuk është më si ishte deri dje më i madhi me 32 deputetë, pasi ndarja u pa sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Dje në mbrëmje Kryesia e Kuvendit zyrtarizoi kërkesën e 12 deputetëve për krijimin e grupit të ri parlamentar – Grupi i Deputetëve të Pavarur nga të dorëhequrit e Vetëvendosjes, e cila tani ka vetëm 19 deputetë pas kalimit dje edhe të një deputeteje të deritanishme të saj në partinë që udhëheqë me qeverinë -Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Vetëvendosje nga grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës  ka kaluar në vendin e tretë.

Tani grupi i parë – më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës është i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti opozitare, me 27 deputetë, e cila me kohë ka deklaruar votën pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin.

I dyti është grupi parlamentar nga koalicioni qeverisës, i Partisë Demokrake të Kosovës me 23 deputetë.

Së paku dy votat që duheshin për ratifikimin e demarkacionit tani duket se janë siguruar – një e deputetes së Vetëvendosjes së kaloi në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e ndonjë tjetër nga partia e sapondarë.

Ndërsa, për Listën Serbe “tema e të ashtuquajturit demarkacion fare nuk egziston”.

“As që na intereson kjo çështje, me të le të merren partitë shqiptare në përputhje me programet e veta politike”,  ka deklaruar në një komunikatë në 9 mars partia serbe, e cila ka 10 deputetë në Kuvend e 3 ministra në qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve është edhe zëvendëskryeministër.

Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi është nënshkruar në 26 gusht 2015 në Vjenë. Për palën kosovare e ka nënshkruar atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, te henen

Dita e Verëzes në Kosovë, si Dita e Verës në Shqipëri

March 14, 2018 by dgreca

5 skenderbeu
-Prej një viti festë zyrtare në Prizren, e vendosur nga Kuvendi i Kumunës/

1 VeraPRISHTINË, 14 Mars 2018-Behlul Jashari/ Si Dita e Verës në Elbasan, në Shqipëri, në 14 mars, është edhe në Kosovë  Dita e Verëzes, në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, përfshirë krahinën e pojës  në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.1 vogelushja

Si Dita e Verës në Elbasan, në Shqipëri, në 14 Mars, është edhe në Kosovë  Dita e Verëzes, në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës  në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.3 zjarre ne Kosove

Në Kosovë, edhe pse ka ide,  ende nuk ka organizime institucionale, për festimin e Ditës së Verës, por ritet e festës të lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli.  Ndërkohë, Dita eVerëzës – Dita e Vërës prej një viti është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.1 byreku

“Si festë tradicionale është e theksuar në fshatrat e Vërrinit, Lumës dhe të Opojës. Ne 14 mars, fillon ripërtëritja e natyrës dhe si festë do ia shtonte atraktivitetin Prizrenit si qytet turistik”, u theksua me atë rast.Në mbledhjen e Kuvendi Komunal të Prizrenit në  23 shkurt 2017, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, Faik Konica “Ç’është dita e verës?”, ku theksonte se  “Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve”.1 Flia

Në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në një raportim nga Kosova në 14 mars 2012, para 6 viteve, shkruaja për idenë se, Elbasani mund të jetë shembull edhe për Prizrenin, për organizime edhe institucionale në festimet e Ditës së Verëzes.
“Kjo pyetje juaj është një ide e mirë për të ardhmen”, tha atëherë koordinatori për kulturën në Komunën e Prizrenit, Urim Ukimeri, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka ide a iniciativa që në qytetin më të madh jugor të Kosovës Dita e Verëzes të shënohet edhe me ndonjë organizim institucional, si në Elbasan.

Në foto arkivi të ATSH të vitit 2010 shihet një fëmi në Opojë, ku në Ditën e Verëzes në borë me vezë të ngjyera është shkruar shkurtesa me shkronja të para të emrit në anglisht të Agjencisë kombetare-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – Albanian Telegraphic Agency – ATA, për të cilën prej mëse çerek shekulli, nga pranvera 1992, raportoj nga Kosova edhe për festimet e Ditës së Verëzes.

Ndërsa, para 22 viteve, në 18 mars 1996, në gazetën e përditshme “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i  parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”,  i dërguar edhe në ATSH dhe që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se është botuar, në 19 mars 1996, edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë,  mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 marsit.

Donon të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”.

Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes,  pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterojnë kurrë, mbledhin bimë a lule, drunj e  shkurra dëllinje, dhe ndezin zjarre.

Vezët e ziera e të ngjyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.

Në Ditën e Verëzes zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.

Në drekën e Ditës së Verëzes në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.

Dita e Verëzes festohet nëpër familje, së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore.

Në këtë ditë që është e fillit të verës së re, ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat eshtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallimin,  kalimin nga dimri në pranverë.

Afër Prizrenit dhe në kufi me Shqipërinë, në rajonin e Vërrinit, në festime në fshatin Zhur, më të madhin në Kosovë vezët e ziera herët i ngjyrosin fëmijët dhe bashkë me të rinjët dalin në zonat malore të afërta, ku mbledhin lulen e parë që lulëzon në pranverën e herëshme, luleborën.

Nënat zhurjane bëjnë gatimin tradicional, flinë, si dhe shumë gatime të tjera të veçanta për Ditën e Verëzës, që ështe edhe dita e vizitave të shumëta mes të të afërmëve dhe dhe familjarëve.

“Ani mori Verëz moj e lumja Verëz
Ani dita e parë o ani e Pranverës o”.

Këto janë vargje të këngëve që këndohen në këtë festë të Ditës së Verës në Zhur, fshatin e madh të Kosovës afër vendkalimit drejt Shqipërisë në Vërmicë-Morin nëpër Autostradën e Kombit.

Verëzes i këndohet edhe në 13 mars – në mbrëmjen e pragditës së saj, derisa në çdo lagje të fshatit të rinjtë ndezin zjarre “që t’i jepin sa më shumë fuqi Diellit”.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, Dita e Verëzes në Kosovë

SHBA përkrah Kosovës në çdo hap

March 13, 2018 by dgreca

-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar dhe do të vazhdojnë të punojnë përkrah Kosovës në çdo hap/

1 Mitchell-Thaci 4

-Mitchell përmbyllë vizitën në Kosovë, sot mbërrin edhe në Serbi/

-Që prej 22 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 13 Mars 2018/ Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, me një Takim me Udhëheqësit e Rinj përmbylli sot vizitën në Prishtinë. Ai mbërriti dje në mesditë dhe takoi  udhëheqësit Kosovarë, përfshirë Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues tjerë politikë dhe të shoqërisë civile, ndërsa theksoi se Kosova duhet të ndërmarë disa hapa tepër të rëndësishëm gjatë këtij viti për të siguruar rrugëtim të vazhdueshëm drejt të ardhmes perëndimore.Pas vizitës në Prishtinë, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, mbërrin sot në Beograd, ku, sipas medias serbe, do takojë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Kryeministren Ana Brnabiç, shefin e diplomacisë Ivica Daçiç, si dhe liderë opozitarë.Në konferencën për shtyp pas takimit dje me Presidentin Kosovar Thaçi, Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Mitchell iu bë edhe kjo pyetje:“Mediet në Serbi, e po citohen edhe nga mediet në Kosovë, raportojnë se vizita juaj në vendet e Ballkanit perëndimor, me këtë rast edhe në Serbi, do të prodhojë një takim me presidentin dhe krerët e shtetit serb ku ju do t’ua prezantoni një plan të ri për Kosovën, i cili, sipas raporteve, është plan shtesë nga ajo që është prezantuar nga Presidenti Ahtisaari dhe që ka të bëjë me kompetencat shtesë që ju do të propozoni për asociacionin e komunave me shumicë serbe e në këmbim të kësaj Kosova do të lejohet nga Serbia që të kërkojë anëtarësim në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. A është e vërtetë? A ekziston një plan i tillë? A do ta bëni këtë gjatë vizitës në Serbi apo këto janë vetëm raportime të kota?”.Ndërsa, përgjigja e Mitchell ishte kjo: “Ju faleminderit për këtë pyetje. I pashë këto spekulime në rrugë e sipër dhe mendova se kjo ishte gazetari shumë kreative. Mund t’ju them se nuk kam ardhur për të shpalosur asnjë plan specifik. Ajo që kam ardhur është për t’u angazhuar me të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, për çështjen e të ardhmes së tyre të përbashkët, për të folur për dialogun, për të folur për shtegtimin perëndimor për të dy vendet dhe për Ballkanin perëndimor dhe pres me kënaqësi të diskutoj për këto çështje këtu dhe në Serbi”.

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell në fjalën e tij në konferencën për shtyp në Prishtinë tha se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë për një Kosovë sovrane, shumetnike dhe demokratike dhe për t’u riangazhuar për mbështetjen e rrugëtimit evroatlantik për Ballkanin Perëndimor.

“Kosova duhet të ndërmarë disa hapa tepër të rëndësishëm gjatë këtij viti për të siguruar rrugëtim të vazhdueshëm drejt të ardhmes perëndimore. Folëm për normalizimin dhe rëndësinë që Kosova të qëndrojë ngusht e angazhuar në dialog me Serbinë. Folëm për çështjen e kufirit me Malin e Zi dhe për rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje si pjesë e shtegtimit drejt liberalizimit të vizave. Folëm për transformimin e sigurisë dhe që të sigurohet mbështetje prej të gjitha palëve dhe komuniteteve për ndryshim kushtetues, si dhe ia nënvizova presidentit dhe do ta them këtë edhe këtu: askush nuk ka veto për sigurinë e Kosovës.  Si dhe folëm për sundimin e ligjit dhe rëndësinë e vazhdimit të luftës kundër korrupsionit për të siguruar të ardhme demokratike dhe rritje ekonomike për Kosovën.  Në të gjitha këto fusha, Kosova mund ta zgjedhë vetë të ardhmen e vet, por dëshiroj t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar dhe do të vazhdojnë të punojnë përkrah Kosovës në çdo hap”, theksoi Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell.Në njoftimin paralajmërues të vizitës dërguar nga ambasada e SHBA në Prishtinë theksohej se Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit “do të riafirmojë lidhjet e ngushta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të inkurajojë qeverinë e Kosovës që të bëjë përparim në dialogun me Serbinë, në forcimin e sundimit të ligjit, në ngritjen e rritjes ekonomike, dhe që të tejkalojë sfidat rajonale në dobi të stabilitetit dhe integrimit perëndimor”.

Që prej 22 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996, ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen.Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes. Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008.

Filed Under: Editorial Tagged With: Behlul Jashari, Kosoves, në çdo hap, SHBA përkrah

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT