

-Kryeparlamentarja e Kosovës Dr. Vjosa Osmani së bashku me prodhuesit vendorë dhe përfaqësues të bizneseve nga diaspora, ka organizuar festën tradicionale të Darkën e Lamës, me synim të promovimit të prodhimeve vendore. Është një festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit. Në Kosovën e lirë – moderne, në vitin 2002, Ditën e Falënderimit – Darkën e Lamës Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli festë shtetërore/

PRISHTINË, 31 Tetor 2020 – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Dr. Vjosa Osmani së bashku me prodhuesit vendorë dhe përfaqësues të bizneseve nga diaspora, ka organizuar të premten mbrëma Darkën e Lamës, një traditë e filluar nga presidenti Dr. Ibrahim Rugova.

Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të partive politike dhe bizneseve kosovare.

Kjo darkë është organizuar konform respektimit të masave anticovid, teksa qëllim kryesor ka promovimin e produkteve vendore dhe punën e prodhuesve vendor, të cilët kanë pësuar nga pandemia Covid-19.

Kryetarja Osmani ka thënë se kultivimi i traditës e mbanë të gjallë shpirtin e kombit.

“Darka e sivjetme mbahet në rrethana të rënduara për shkak të pandemisë. Këto rrethana na mbajnë më larg njëri-tjetrit fizikisht, por me karakterin e saj, do të na e rikujtojë se sa i rëndësishëm është besimi në njëri-tjetrin, në miqtë tanë, të cilët na janë gjetur përkrah në ditë të vështira e në ditë të mira, kanë ndarë me ne gëzimin e hidhërimin dhe e kanë përcjellë bashkë me ne lutjen për të mirat e motmotit”, ka thënë kryetarja Osmani.
Ajo ka falënderuar kultivuesit dhe prodhuesit vendor për bereqetin e sivjetmë.
“Darka e sivjetme përveç tjerash synon promovimin e prodhimeve vendore. Prandaj, ne kemi shtruar sonte sofër pikërisht me këto prodhime nga duart e tyre të vyera dhe do t`i ndajmë miqësisht me ju, sepse kështu ndajmë edhe jetën tonë sociale me njëri-tjetrin”, është shprehur zonja Osmani, citon njoftimi i dërguar sot nga Kuvendi i Kosovës.
Më parë, në mbrëmjen e 23 Tetorit 2020, Darkën e Lamës e shtroi kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ku të pranishëm ishin krerët e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër, ndërsa autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në Kosovën e lirë – moderne Dita e Falënderimit – Darka e Lamës e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës.
Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit, e cila është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej vetëm në kryeqytet-Prishtinë, ndërsa nga nga viti 2014 edhe në qytete tjera, në Sheshin “Lama e Drithit” në Gjakovë e pastaj në Pejë…
Në vitin 2013 Darka e Lamës u festua në Sheshin me emrin e shtatoren e Presidentit historik Rugova, në Prishtinë.
Në Prishtinë, në 23 Tetor 2003, në mjediset e një hoteli, kur ishte një nga festimet e Darkës së Lamës, organizuar nën patronatin e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti theksonte se Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.
Duke folur për traditën e festës së Darkës së Lamës, Presidenti Rugova theksonte se ajo është shumë e vjetër. Madje edhe autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit tek ilirët, të parët e shqiptarëve që është festuar rreth 23 Tetorit. Autorëve antikë ia ka tërhequr vëmendjen kjo festë e rëndësishme e kulturës shqiptare, shtonte ai.
Presidenti Rugova theksonte se kjo festë nëpër shekuj është ruajtur deri në ditët tona. “Populli ynë ka shumë festa të vitit, që lidhen me solsticin, si shumë popuj të tjerë, që përmbyllen me Darkën e Lamës, që është më e njohura në Kosovë”, theksonte ai, duke shtuar se vitin e kaluar e ka shpallur festë tradicionale shtetërore të Kosovës, e cila do të festohet në çdo familje në Kosovë.
“Në këtë ditë kemi menduar si të parët tanë, t’i bëjmë falenderim Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë më shumë të mira”, shprehej Presidenti Rugova dhe shtonte se “kjo Ditë Falënderimi na obligon dhe na përkujton se duhet t’i shtojmë prodhimet tona të tokës”.
“Po ashtu na obligon që prodhimet e tokës së Kosovës t’i përpunojmë, t’i bëjmë më cilësore për të gjithë qytetarët tanë dhe për eksport për kombet e tjera. Dhe në këtë ditë ne i lutemi Zotit për këtë”, vijonte Rugova.
Njëherit paralajmëronte se që nga viti i ardhshëm për ditën e kësaj feste nuk do të punohet dhe do të jetë ditë që i kushtohet falenderimit.
“Shpresoj se kjo festë do të pasurohet me forma të ndryshme të manifestimit në të ardhmen”, theksonte Presidenti Rugova, duke i ftuar të pranishmit që të kënaqen me tryezën e shtruar e me prodhime kosovare tradicionale.
“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, duke folur në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës para 17 viteve – në 23 Tetor 2003.