• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

” DASEM RUGOVASE “NE MALET E NEW YORKUT

June 26, 2013 by dgreca

Pikniku dhe aktivitetet e tjera kan bërë që numri i anëtarëve të kësaj shoqate të vijë duke u rritur dita ditës, duke i shtyrë Rugovasit në Amerikë, drejt organizimeve edhe më të mëdha…..!/

Nga Beqir SINA/- Në Taconic State Park – Rudd Pond – shtetin e New Yorkut, të dielën, në mjediset piktoreske të parkut natyror “Franklin D. Roosevelt State Park”, me një natyrë shumë të ngjashme me bjeshkët e krahinës së Rugovës, Shoqata dhe Ansambli artistikë “Rugova” nga New Yorku, organizoi piknikun e saj vjetor.

Pikniku i rugovasve për të gjithë pjesmarresit ka qenë një ditë e veçant. Në në parkun rekreativë vërshuan familjet rugovase, që nga orët e para të mëngjesit, duke u mbledhur si në një dasëm të madhe vëllazërore , me dëshirën për t’u takuar që nga me të vegjëlit(fëmijët e shkollës) të rinjët e të reajt deri tek më të moshuarit, kudo vrehej një gëzim i pa përshkruar.
Në këtë aktivitet kishin ardhur pothuajse të gjithë rugovasit me familjet e tyre, për të kaluar së bashku një ditë të gëzuar, ku ata shpalosën disa nga vlerat karakteristike të krahinës. Një nga pikat më kulminante të këtij pikniku, ishte dhe shfaqja i improvizuar në mënyrën më origjinale të Dasmës Rugovase.

Një dasmë, kjo, që të krijonte përshtypjen se me të vërtet po bëhej dasmë Rugovase në Amerikë, e kompletuar ajo me të gjitha elementët e saj. Duke filluar nga përgatitjet e të dyjave palëve, dasmorët dhe kanegjeqi, nuses, dhe kalit të shalës i bardhë, deri tek atmosfera e gëzimit që mbizotronte me këngët e vallet, doket dhe zakonet Rugovase, të cilat ishin mbresalënëse, tek sa tërhoqën vëmendjen e familjeve rugovasve me gjithë fëmijët e tyre

Ky piknik tradicional, argëtues, kulturorë dhe sportivë, u organizua nga Shoqata dhe Ansambli ” Rugova”, në New York, nën kujdesin e kryetarit të kësaj shoqate, zotit Adem Muriqi, z. Ramiz Mujaj, Idriz Çelaj, Florim Lajçi, Isuf Rexhaj etj.

Kan qenë më shumë se 300 – 400 rugovas të emigruar nga kjo krahinë në Amerikë në periudha të ndryshme, që u ngjitën të dielën në lartësitë e New Yorkut, për t’u relaksuar nën ajrin e freskinë si dhe bukurinë e maleve të Taconicut – të cilat ndodhen në pjesën veriore të New Yorkut.. Gjithçka, ishte e përgatitur për bukuri në pajtim me zakonet dhe traditën e kësaj krahine. Ku përveç një dasme të madhe rugovase të improvizuar, janë mbajtur edhe garat sportive për fëmijë, të rinjë e të reja dhe moshat e tjera, siç ishin vrapimi dhe kërcimi së gjati për fëmijët, tërheqja e litarit, hedhja e gurit, volejbolli dhe shahu për të rriturit, si dhe lojrat e fatit.
Në fillim të piknikut foli për rëndësinë e tij, Vjosa Mujaj – Nikqi, e cila i dha fjalën zotit Idriz Çelaj për të lexuar materialin “Dasmën Rugovase”, të përgatitur nga zëdhënsi i Shoqatës dhe Ansamblit Rugova, zoti Ramiz Mujaj .

“Këtu në këtë vend ku ne jetojmë, thuhej në fillim te këti materiali, i cili është një vend pishtar i kulturave të njerëzimit dhe demokracisë boterore, natyrisht, që është kënaqësi dhe privilegj që kemi mundësinë të bashkohemi dhe t’a zhvillojm traditën e kulturës sonë këtu në Amerikë”.

“Ne sot kemi dasëm! thuhej ndër të tjera , këtë dasëm e bëjmë për fëmijët tanë që t’u tregojmë atyre se si prindërit dhe gjyshërit e tyre, dhe tanët natyrisht, i bënin dasmat në vendëlindjen e tyre dhe në të njëjtën kohë të shpalosim një pjesë të kulturës sonë, në këtë vend ku lulëzojnë të gjitha kulturat e botës.”

Në materialin e përgatitur enkas nga Ramiz Muja, tregohej se sa të lashta janë Këngët dhe vallet Rugovase, sa të lashta janë kostumet tradicionale të kësaj krahine. “Plotë artë janë veshja kombëtare e burrave, tregon ai, ato janë të punuara me dorë nga vet vendasit . Po ashtu shumë të bukura janë edhe veshjet e femrave me plot ngjyra , janë njësoj të lashta dhe tradicionale autoktone , edhe ato janë të punuar nga grat vendase , ku veshia e qiknisë është e veçantë dhe po aq autoktone.”

Më tej në materialin të përgatitur nga zëdhënsi i shoqatës dhe ansamblit Rugova, zoti Ramiz Mujaj, thuhej se:” Në këtë dasëm ne jemi përpjekur, që sa do pak t’a vëmë në skenën natyrore nëpërmjet improvizimit të dasmës tradicionale Rugovase, me të gjitha elementët e saj.”

Pikniku nisi me Dasmën Rugovase – Nusja në kalë! Familja e Zhuke Haxhisë nga Stankajt e Rugovës u miqësua me familjen Hasan Nikqit nga Rugova . Idriz Çelaj nga kjo familje ju dha vajzën Gretën për një djalë të familjes Nikqi ( improvizimi).

Më pasë atmosfera argëtuese në piknikun e rugovasve, u “ndez”, kur filloj kënga dhe vallja popullore të këndohej nga këngëtarët Dile Geci, Besim Muriqi dhe këngëtarët Entela Iliriani, Bekim Jahjaga, në shoqërimin e muzikantit Nexhmedin Bakraqi, të cilët i futën të gjithë pjesëmarrësit në valle, të rinjë e të reja, burra e gra, me repertorin e tyre argëtues.
Gjatë programit të këtij pikniku u zvilluan dhe aktivitete të ndryshme sportive, si gara vrapimi për fëmijët, ndeshje Volejbolli, Tërheqja e litarit, Hudhja e gurit, dhe loja e Shahut, etj.

Në këto aktivitete, sipas sporteve u arritën këto rezultate: Tërheqja e litarit, vendi i parë i takoi ekipit të përbërë nga : Flamur Husaj, Ukë Qorraj, Isuf Rexhaj, Jashar Lajqi, Besim Lajqi dhe Arif Rexhaj.
Hudhja e Gurit: – vendi i parë: Fadil Dembogaj, në të dytin Leotrim Dembogaj dhe i treti Agim Mujaj.
Në Volejboll: – në vend të parë skuadra e Rexhë Avdia – Shkrel në vend të dytë Mujajt – Dugaive dhe të tretë Çelë Shabani – Stankaj. Në garat e volejbollit duhet cekur se me shumë sukses keto gara u drejtuan nga referet Idriz Çelaj dikur volejbollist nga Universiteti i Prishtinës dhe Florim Lajqi.
Ndërsa në lojën e Shahut: – vendi i parë i takoi Isuf Rexhajt, dhe ai i vendit të dytë Esat Rexhaj.
Njëri prej këtyre organizatorëve, zoti Idriz Çelaj, tha se me këtë rast dëshirojë të faleminderoj, në mënyrë të veçantë, në emër tim, dhe të Ansamblit Rugova, të Shoqatës dhe të gjithë Rugovasve për kontributin që kan dhënë të gjithë; prej nga i palodhshmi, vallëtari, instrumentisti, solisti, lahutari kostumografi dhe kryetari i Ansamblit Artistik ” Rugova ” ketu ne Amerike, i madhi z. Sylë Nikqi, i cili bëri aq shumë që ” Dasma Rugovase”, të shkëlqejë edhe këtu në Amerikën e largët!
Çelaj, vijojë duke thënë se : “Edhe një herë i them të faleminderit Daja Sylë! ndërsa faleminderoj edhe vajzën tij Gretën, e lindur në Amerikë, që pa kurrfarë frige, u shpreh ai hipi në kalë, si dikur Nora e Kelmendit! I faleminderoj për së fundi tha Çelaj të gjithë Rugovasit për pjesmarrjen e tyre, dhe ju premtojmë, që sebashku me organizatorët, në vitin tjetër – 2014 do jetë edhe pikniku Rugovas më madheshtor!

Gazetës tonë, në fund Kryetari i Shoqatës, Adem Muriqi, tha se ky piknik synon që të shpalos traditat shqiptare që mbart këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ansambli dhe Shoqata Rugova. Edhe pse një ditë relativisht e nxehtë, Ansamblii këngëve dhe valleve Rugova”, nuk hoqi dorë nga interpretimi i valleve të bukura rugovase në lëndinën e bukur pranë pyllit. Të veshur me kostumin karakteristik rugovas valltarët dhanë një spektakël të duartrokitur. Ndërkohë, që fëmijët, djemtë dhe vajzat tona, burrat e gratë e bënë si një festë bënë të improvizuar një dasmë të madhe Rugovase në Amerikë”

 

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Beqir Sina, dasma rugovase, ne malet e Nju Jorkut

Njujorkezët, të çuditur me funeralin e aktorit James Gandolfini, në Katedralen protestante

June 25, 2013 by dgreca

Shkruan: BEQIR SINA, New York/

MORNINGSIDE HEIGHTS- NEW YORK CITY : – Funerali për yllin e Sopranos James Gandolfini, do të mbahet në Katedralen Hyjnore e Shën Gjon- “Cathedral of St. John the Divine” të enjten në mëngjes në orën 10:00, tha duke e konfirmuar të hënën një përfaqësues i koncernit kinematografik amerikanHBO, në New York .
Ndërkaq, zëdhënësja e tij i deklaroi sot në mbrëmje se me një aeroplan të aerokompanisë italiane AlItalia “Kufoma e James Gandolfini është kthyer në Shtetet e Bashkuara nga Roma, Itali,” tha ajo .
Ylli i Sopranos fitues i Emmy Award vdiq nganjë atak në zemër në moshën51 të mërkurën e kaluar, në Itali. Ai ishte në Itali për një shfaqje në Festivalin e Filmit Taorminas, në Sicilia.
Shtypi njojurkez po komenton sot gjatë çështjet e funeralit të tij që do të mbahet në Katedralen Hyjnore e Shën Gjon- “Cathedral of St. John the Divine”. Fanasat e tij janë të çoroditur tha televizioni i qyetit të New Yorkut, NY1, mbi zgjedhjen e një katedrale Peshkopate -Episcopaliane për funeralin e aktorit, i cili ështëkatolik.
“Një djali italian nga New Jersey, besimtar katolik do t’i bëhet funerali si protestantë në New York,” shrkuante një fans i tij në rrjetin social tweeted, Ellen O’Neill., ndërkohë që PatriciaBeal në faqen e mediave sociale në Tweeter shkrunate “Unë pyes veten pse funeralin e një katoliku në Katedralen protestante?”.
Katedralia Hyjnore e Shën Gjon – “Cathedral of St. John the Divine” e cila ndodhet mes Harlemit dhe Manhattanit -në qytetin e New Yorkut, në lagjen Morningside Heights në rrugën 112 West Street dhe Amsterdam Avenueështë katedralja më e madhe gotike në Shtetet e Bashkuara e cila ka organizuar shërbimet funerale të disa figurave të tjera publike, në New York, duke përfshirë edhe autorin John Gregory Dunne dhe MadeleineL’Engle.
Interesimit të gazetarëve tha NY1 në emisonin e lajmeve të mbrëmjes Katedralia Hyjnore e ShënGjon – “Cathedral of St. John the Divine” nuk i është përgjigjur kërkesës së gazetarëve dhe fansave të Yllit të Sopranos, fitues i Emmy Award James Gandolfini, për të komentuar mbi hollësitë e shërbimit, funeral në këtë Katedrale . Veçse ata pranuan se kërkesën e kan marë nga HBO për zgjedhjen e vendit, ku do të kryen shërbimet funerale.

James Gandolfini, i njohur “The Sopranos”

Aktori amerikan, James Gandolfini, i njohur për rolin e tij si gangster i mafias në serialin televiziv, “The Sopranos”, ka vdekur në moshën 51 vjeçare, në Itali ku kishte shkuar të marrë pjesë në Festivalin e Filmit Taorminas.

Rrjeti HBO, që e transmetoi serialin “The Sopranos”, ka njoftuar se aktori ka vdekur derisa ishte në pushim në Itali. Mendohet se ai ka vdekur nga një atak në zemër, i cili e ka goditur disa herë brenda saj dite.

Në njoftim, e tij koncerni i famshëm i kinemasë amerikane HBO e ka vlerësuar të ndjerin Gandolfini si talent të madh dhe person të dashur e bujar.

Ai e ka luajtur rolin e shefit të mafias, Tony Soprano, në serialin televiziv, që u transmetua prej vitit 1999 e deri në vitin 2007.

Ai ka luajtur edhe në filmat “Zero Dark Thirty”, “True Romance”, “Get Shorty”, e të tjerë. Jetonte prej vitesh në New Jersey .

Ai kishte fituar tre Çmime Emmy për rolin e Tony Sopranos, mafiozit të dhunshëm, që kurohej fshehtazi nga mjekët psikiatër.
Aktori nga New Jersey pati një karrierë 20 vjeçare në kinema dhe televizion. Ai e filloi karrierën në vitin 1992, me një rol në një pjesë të përshtatur për Broadway-in nga drama “A Streetcar Named Desire”, e Tennessee Williams.

Mbas shfaqjes së serialit televiziv, “The Sopranos”, shtepia e James Gandolfini, i njohur “The Sopranos” ruhej nga policia mbas kërcënimeve për jetën që kishte marrë ai nga disa eksponentë mafies njujorkeze, Lukeze dhe Genoveze.

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina, funerali i Galdofinit, ne kishe protestante, Sopranos

U zhvillua në New York Parada e 28-të Ndërkombëtare e Emigrantëve

June 24, 2013 by dgreca

Simbolet tona kombëtare, bluzat e kuqe me hartën e Shqipërisë Etnike, flamuri kuq e zi, këngët e vallet nga të gjitha krahinat i dhanë sheshit America një imazh të gjallë, entusiast dhe të larmishëm/

Nga Beqir SINA/

AMERICA AVENUE – NEW YORK CITY : Është një traditë për rreth katër dekada, që në javën e fundit të qershorit në qytetin e Nju Jorkut, bulevardin e saj kryesorë “America”, për çdo vit të zhvillohet Parada Ndërkombëtare e Emigrantëve – International Immigrants Parade. Organizatori i kësaj parade, është një organizatë joqeveritare në Kombet e Bashkuara, me president zotin Edward Juarez-Pagliocco. Tema e Paradës ishte: “Festimi i Unitetit Nëpërmjet Diversitetit”.

Kjo, Paradë, është themeluar 40 vjetë më parë (1973). Kësaj rradhe ajo e kishte edicionin e 28-të vjetore të saj dhe është të mbajtur të shtunën në mesdrekë, e përfaqësuar nga kuadratet e grupeve të emigrantëve nga Shqipëria, Gjeorgjia, Kina, Tibeti, Meksika, Karaibet, Amerika latine dhe Vietnami. Grupet pjesmarrrëse marrshuan në bulevardin America Avenue në mes të rrugëve 43 street dhe 58 street. Parada zgjati më pak se një orë e gjysmë parakalim,

Marshuesit kuqezi – shqiptarët, ishin kësaj rradhe më të shumtit në numër. Qindra shqiptarë nën entuziazëmin dhe demostrimin e simboleve dhe ngjyrave tona kombëtare, parakaluan plot krenari. Parada u Organizua nga organizata Rrënjët Shqiptare, dhe u mbështet pa rezerva nga Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane, presidenti i saj Joe DioGuardi, Shoqata Ana e Malit, Fondacioni Plavë dhe Guci, Shoqata KOMBI, dhe organizata e shoqata të tjera të komunitetit.

Në marshin e shqiptarëve ishin të rreshtuara tre të ashtuquajtura “parade float – rimorkiot e paradës” të tërhequara nga kamionat, të “veshur” në të gjitha anët me flamuj kombëtarë – kuq e zi, dhe të gjitha ngjyrat e veshjeve folklorike. Me banneret “Rrënjët Shqiptare”, fondacioni Plavë e Guci dhe shoqata Ana e Malit, si dhe me të rinjë e të reja veshur me kostumet popullore, duke vallëzuar dhe kënduar shqip ato parakaluan përmes bulevardit,.

Përfaqësimi i shqiptarëve në këtë paradë, tha presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, është një çështje shumë e rëndësishme, ne jemi shumë të lumtur dhe krenar që po përfaqësohemi për çdo vit në këtë marrshim të vetëm të shqiptarëve deri tani në mes të New Yorkut.

Në këtë Paradë, shqiptarët erdhën më të organizuar se heret e tjera. Me pjesmarjen e shumë grupeve dhe organizatave të tjera shqipëtare, që operojnë jo vetëm në New York, por në gjithë SHBA-të, si grupi i të rinjëve nga Detroiti(dega Rrënjët Shqiptare me kryetar Endrit Topalli), grupi i Teksasit ( me kryetar Besmir Hoxha), Bostoni, dhe New Jersey, duke promovuar të gjitha vlerat tona kulturore dhe folklorike të tilla si kostumet, vallet dhe këngët tona nga treva të ndryshme shqipëtare.

Presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, në fillim të fjalës së tij, i është falenderuar organizatave dhe shoqatave të komunitetit, për gjithë mbështetjen e dhënë në të gjitha aktivitetet, e kësaj organizate. Me këtë rast ata nderuan me çmimin “Nëna Terese”, Ambasadorin Dr. Waheed Waheedullah, për shkrimet e tij kushtuar figurës së Nëna Tereses dhe luftës në Kosovë kur ai ishte ambasador në Kombet e Bashkuara. Ndërsa me çertifikatën e lart të “Mirënjohjes”, për kontributin e madh që kan dhënë në komunitet ata nderuan kryetarin e Shoqatës Shqiptaro Amerikane Ana e Malit, zotin Ismet Kurti, si dhe Top Modelen e njohur shqiptare në New York, Lola Luma, “ambasadoren” shkodrane të bukurisë dhe artit, si dhe disa veprimtarë e lider të tjerë të komunitetit.

Kepi, i cili drejtojë ceremoninë e hapjes, ftojë të këndoi hymnin Amerikan sopranon Lindita Lole. Paradën e përshëndetën presidenti i Lidhjes Qytetare Joseph DioGuardi dhe Këshilltaria e Çështjeve Ballkanike, Shirli Cloyes – DioGuardi, Konsulli i Përgjithshëm të Shqipërisë, Dritan Mishto, kryetari i shoqatës Plavë e Guci, Esad Gjonbalaj, gazetari shqiptaro amerikan Mike Adams, ish -kampioni i boksit “Kosova Kid” Elvir Muriqi, këngëtaria kosovare e spektaklit American Idol – talenteve të reja në SHBA, Melisa Ademi, Dj Edih, kampionin e notit Sidni Hoxha, baritonin e talentuar Bledar Maqellara, dhe kryetarin e shoqatës Kombi, Artur Vrekaj, Paradën e shqiptarëve e nderuan me pjesmarrjen e tyre dhe përfaqësuesit e Konsullatës së Kosovës, konsujt Fatmir Zajmi dhe Ymer Berisha, si dhe veprimtar e lider të komunitetit.,

Pas përshëndetjeve presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, ftojë të gjithë pjesëmarrësit, shumica e tyre të rinjë e të reja shqipëtare, nxënës dhe studentë, aktivistë dhe veprimtarë të komunitetit, nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Çamëria, që edhe në këtë aktivitet, ata të ishin promotorë dhe udhëheqësit e vërtetë të Paradës së Shqiptarëve. “Ne sot ndihemi krenarë tha Kepi në fund të fjalës së tij që jemi shqiptarë dhe le të parkalojmë në këtë paradë, me plot dinjitet dhe krenari të gjithë së bashku – pa dallim feje bindje apo krahine nën sloganin, JEMI NJË”, tha ai.

Një grup vallëtarësh kishte ardhur me veshjet popullore të krahinës së Çamërisë dhe Malësisë. Grupi i djemëve të Çamërisë marrshoi krenarë, ata mbanin në duar pankarta për të drejtat e tyre, dhe dënonin genocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Kudo në shesh shikoje vetëm simbolet tona kombëtare; bluzat e kuqe me hartën etnike, flamuri kuq e zi, këngët e vallet nga të gjitha krahinat, që i dhanë sheshit America, një imazh të gjallë, entusiast dhe të larmishëm, shqiptarë, përgjatë segmentit që ndanë rrugët 43 street dhe 58 street. Një grup prej tyre mbante, pankartat e kandidatit shqiptarë, për në Këshillin e Bashkisë së qytetit të New Yorkut, Ken Biberaj.

Në paradë ke qenë edhe një grup të rinjësh që ka prekur zemrat e shumë shqiptarëve, por edhe të atyre që qëndronin spektatorë në dy anët e sheshit Amerika, përgjatë marshimit në sheshin ku u zhvillua parada. Ai ishte i atyre të rinjëve që mbanin në duar pankarta të mëdha ku shkruhej : “Ethnic Albania – Shqipëria Etnike – Shkupi – Ulqini, Çamëria Kosova” dhe një tjetër në të cilën ishte pikturuar një hartë e Shqipërisë Etnike si dhe : “Malësi, Çamëri, Mitrovicë, Lugina e Preshevës, Sanxhaku, Dardania – Iliria – Arvanite”, Chameria,. Tre banner të mëdhenjë prinin marshimin shqiptarëve në sheshin në zemër të New Yorkut America, : Chamëria – Jemi Një dhe Albanian Roots, ndërsa përrreth tyre dy flamurë kuq e zi gjigandë, qëndronin në mes të pjesmarrëseve. Kurse grupe djemësh e vajzash, veshur me bluza të kuqe, kërcenin dhe këndonin në shesh me një performancë të veçantë.Joe DioGuardi dhe bashkëshortia e tij Shirli Cloyes – DioGuardi bënë paraqitjen e tyre me një autoveturë klasike Cadillac, në xhamin e parë të së cilës ishte vendosur një rug me portretin e Nëna Tereses, në dy krahët e automjetit qëndronin flamuri amerikan dhe ai shqiptarë. DioGuardi, kësaj rradhe demostroi edhe një herë një flamur të kuq me vija të bardha, për të cilin tha ai përfaqëson të shtatë milion shqiptarët në Ballkan.

Një nga pjesët më mbresëlënëse të kësaj parade, së organizuar nga organizata Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots, me përkrahjen e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe presidentit të saj Joe DioGuardi, Shoqatës Ana e Malit, Fondacionit Plavë dhe Guci, Shoqatës KOMBI, nga Bostoni, dhe organizata e shoqata të tjera të komunitetit, ishte kontigjenti i fëmijëve, me prindërit e tyre, djemeve dhe vajzave të bukura shqiptare, në “marshimin i tyre me bluzat e kuqe dhe me flamujt kuq e zi, plot me krenari, përgjatë parakalimit një orësh në sheshin America, në zemër të qytetit të New Yorkut.

 

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Beqir Sina, e emigranteve, ne New York, Parada e 28-te

VAJZA E KAMPEVE TE INTERNIMIT

June 10, 2013 by dgreca

Vdekja e papritur e saj, në moshë të re ka tronditur jo vetëm , prindërit e saj Lek dhe Dolores Mirakaj, bashkëshortin Agjah Libohova, motrën dhe vëllanë, të afërmit e saj farefisin Mirakaj dhe Spahiu, por tërë ish të burgosurit politik, ish të internuarit, miq edhe shokët e kësaj familje në SHBA

Nga BEQIR SINA, New York/

 FERMINGDALE – LONG ISLAND NY : Familja Mirakaj dhe Libohova, anëtarë të komunitetin Shqiptar, miqtë dhe të njohurit i dhanë pak ditë më parë lamtumirën e fundit Manjola Mirakaj – Libohova. Ajo vdiq të shtunën më datën 31 Maj, mbas një sëmundje të randë duke lënë pas vetes dy vajzat Anën dhe Emën, bashkëshortin Agjah Libohova, motrën dhe vëllanë dhe prindërit e saj Lek dhe Dolores Mirakaj.

Manjola lindi në kampin famkeqë të internimit në Gradishtë të Lushnjes, më 24 Janar 1969 dhe fati i saj e solli që qysh në moshë të njomë , të njoh vuajtjen dhe vështërsit e jetës, duke parë me syt e saj edhe dhunën e diktaturës komuniste, mbasi babai i saj Leka kur Manjola dhe Matilda ishin të vogla – kaloi 10 vjetë në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe Qafë Barit.

Vdekja e papritur e saj, në moshë të re ka tronditur jo vetëm , prindërit e saj Lek dhe Dolores Mirakaj, bashkëshortin Agjah Libohova, motrën dhe vëllanë, të afërmit e saj farefisin Mirakaj dhe Spahiu, por tërë ish të burgosurit politik, ish të internuarit, miq edhe shokët e kësaj familje në SHBA.

Manjola, është një nga ato mijëra vajzat( fëmijët), që lindën dhe u rritën në kampet e interrnimit, të privuara për shkak të politikës komuniste që ndiqte regjimi i Enver Hoxhës vetëm për fëmijët në kampet i interrnimit, ku ajo kaloi disa dekada, deri sa me ardhjen e demokracisë, doli më në fund në botën e lirë.

Eugen Mirlika, një ish i burgosur politik që jeton në Itali, shkruan në essen e tij “Kujtim të një “Lulje”, Manjola Mirakaj, që u nda nga jeta me 31 maj 2013, shkuran se :”Çdo gjë më erdhi në sitën e mëndjes kur mora lajmin e hidhur të ndrrimit jetës të Manjolës, vajzës së një çifti mik e të dashur, të Lek Mirakajt e Dolores Spahiut, bashkëmoshatarë, bashkëvuajtës, bashkëudhëtarë në “Rrugët e ferrit” të disa dhjetëvjeçarëve të jetës sonë prej “të mbijetuarish” në fushat e përqëndrimit të Myzeqesë. Kishte lindur ajo vajzë e bukur në një ditë janari të vitit 1969 dhe i kishin vënë emrin e një luleje. Ishte rritur në baltërat e Gradishtit, në barakat e mbuluara me eternit kancerndjellës të atij sektori internimi në zemrën e Tërbufit.”

Më tej Merlika thotë , “si të gjithë shoqet e shokët e saj, si një fëmijë të atyre familjeve që Shteti i kishte vulosur me mallkimin e tij të zi të “armikut të klasës”, u rrit duke thithur ajrin e urrejtjes që një kastë kriminelësh e kishte kthyer në frymëmarrjen e përditëshme të shqiptarëve. Ata fëmijë, të lindur n’ata vite e n’ata kushte mjerimi, ishin shprehja më e mirë e qëndresës së prindërve të tyre ndaj diktaturës, e dashurisë për jetën dhe vlerat e saj. Krahasuar me botën e mirëqënies e të lirisë, ku njerëzit ngurojnë të lindin fëmijë për vështirësitë e rritjes e të edukimit të tyre, Manjola, motra e vëllai i saj, së bashku me të gjithë shoqet e shokët e tyre, janë dëshmi e fuqishme e gjallësisë së shtresës, e fuqisë së saj qëndrestare, e prirjes për të përtërirë familjen e traditën e saj, edhe në kushtet më të vështira, edhe atëherë kur shteti proletar i gjithfuqishëm punonte për zhdukjen e saj”, shkruan Merilika, ai dhe familja e tij u presekutua për 45 vjet në Shqipëri.

Mirëpo, natyrisht, që nuk ka vdekje të madhe apo të vogël, mbasi çdo vdekje është e dhimbshme, por, ikja e Manjolës ishte tepër e rëndë, aq sa përballja me sëmundjen e rëndë, e cila ishte një betejë e vështirë, që Manjola nuk mundi ta fitojë me gjithë kurajon e madhe, që e karaterizonte atë, me gjithë dëshirën për jetën dhe mrekullinë e mjeksisë së këtij vendi të bekuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Manjola u lind në kampin e internimit të Gradishtës më 24 janar 1969 dhe ndërroi jetë me 31 maj 2013

Fëmijëria e saj u përballë me absurdin e diktaturës, ku në vend të lodrave i afruan apelin e detyruar, privimin nga gjërat më elemntare të jetës, frikën dhe presekutimin. Sepse, ajo ishte pjestare e dy familjeve të njohuar në anët e tyre, por dhe në gjithë Shqipërin, familjes Mirakaj dhe Spahiu. Çka padrejtësisht ajo u “dënua” po nga absurdi që përdorte rregjimi i egër komunistë, me të vetmin fajë që kishte bërë ajo dhe ata mijëra fëmijë të presekutuar, sepse ishte një fëmijë nga dy familjet e mëdha.

Mbasi edhe vet jeta e këtyre njerëzve, që u pushkatuan pa gjyqe, u torturuan, u bugosën, ua morën pronat dhe çka patën, u syrgjenosen kampeve të internimit i dërguan të shoqëruar me policë injorantë, nëpër keneta dhe moçale, i privaun ata dhe fëmijët e tyre edhe nga të drejtat më elementare, duke përfshirë edhe shkollimin e tyre. Andaj sot jeta e tyre paraqet një histori të hidhur dhe të papërshkuar . Ajo është një histori trekëndëshe, e këtyre njerëzve, e cila qendron në mes të dinjitetit të familjes, dashurisë për atdheun dhe kombit, dhe të besimit ndaj fesë, që ata i përkisnin.

Ngaqë, karakteri i tyre i fortë, shpirti i tyre i madh njerëzor, bujar dhe tepër fisnik, me një formim dhe kulturë të thekur përendimore, në të cilën mbajtën edhe shpresën e tyre gjallë, besimin dhe idealin e tyre fisnik, edhe sot dy dekada mbasi ai rregjim u rrëzua, po këta njerëz si arkitekt gjenial – po këta njerëz që u shtypën dhe u dhunan për 45 vjet, u ngritën një ditë si triumfues mbi një “ndërtesë që kishte qenë kalbur dhe e rrënuar” me kohë.

Një “ndërtesë” që ata e quanin “Kala e Komunizmit”, e cila, megjithse, i përkiste botës së qyteruar, të asaj bote që ky komb i shumë vuajtur, në zemër të Europës, i kishte dhënë aq shumë, dhe me të drejtë i përkiste, ashtu si dhe që këta njerëz i përkisnin sepse kishin dhënë shumë Shqipërisë, kombit të tyre.

Me një fjalë, jeta e këtyre njerëzve, që u pushkatuan pa gjyqe, u torturuan, u bugosën, ua morën pronat dhe çka patën, i syrgjenosen kampeve të internimit nëpër keneta dhe moçale, i privaun ata dhe fëmijët e tyre edhe nga të drejtat më elementare, rinia e tyre dhe shkollimin. Ajo, që patjetër, sot është një përshkrim i rrugëtimit të tyre, nëpër tri mbretëritë e përjetshme të gjithë njerëzimit: “Lindjes, Jetës dhe Vdekjes”.

Gjatë këtij udhëtimi të gjatë përfytyror, që zgjati aq sa që nuk mendohej, ishin po këta njerëz që provuan të përshkruajnë dhimbjen dhe vuajtjen që ua shkatoi rregjimi diktaorial – gjendjen e shpirtit të njeriut, pas të gjitha atyre vuajtjeve të tmershme, “Shtegtimet me plaçka në krah si Golgota”, nëpër rrugë të llahtarshme, me plot vajtime, lot dhe dhimbje, por dhe shpresë.

Këtë e përshkroi mjaft bukur edhe Dom Nikolin Përgjini, një prift që edhe ai së bashku me familjen e kaloi ferrin komunistë, për pesë vjet në kampet e interrnimit në Shqipëri, në “Meshën e Dritës” në Kishën St. Thomas, në Long Island – New York. Në shtëpin e Zotit, ku do të përcilleshin lutjet për shpirtin e Manjolës, nga prindërit e saj Leka e Lola, vëllai dhe motra, njerëzit më të afërt të familjes së saj dhe dhjetra bashkëvuajtës të saj – që kan ardhur në Amerikë nga kampet e interrnimit në Shqipëri.

“Unë si klerikë jo pak herë, tha në Meshën e Dritës, Dom Nikolini, e kam përdorur atë vështërsinë që kan kaluar këta njërëz, por edhe gjithashtu disa herë në predikimet e mija, duke i bekuar këta njërëz për karakterin e fort e asaj kohe dhe për qëndrimin dhe shpresën – që kurr nuk u përulen dhe nuk u dorëzuan para vështërsive.”

Natyrisht, që sot tha Dom Nikolini, gjatë predikimit nuk flasim këtu për Xhinën gjyshen e Manjolës, por flasim për vet Manjolën – ku jemi bashkuar për ti thënë lamtumirën e fundit këtij engjulli – pra Manjolës. E në të njëjtën kohë, theksojë ai, kujtojë edhe ato fjalët e saj – duke e përshkruar tamam atë karakterin e fort që qendrojë në vështërsi.

Dom Nikolini iu drejtua prindërve të Manjolës, bashkëshoritit të saj më të pikëlluarave të kësaj humbje, me fjalët se “po mundohem pak a shumë t’ju drejtohem ju si familje që të keni po atë karakter atë forcë edhe atë besim atë këmbëngulje, atë vazhdim të jetës, megjithëse, Ju sot jeni në pikëllim të madh. Jeni në dhimbje, jeni në lot! jeni në vuajtje, ku po i thoni lamtumirën e fundit, bijës suaj, gruas, nanës, motrës, mbesës, kushurirës, shoqes, bashkëvuajtjes suaj të pa harrueshme.” tha Dom Nikolin Përgjini

Ndërsa, vijojë ai “I kuptoj mjaft mirë në këto momente lotët dhe hidhërimin tuaj, duke kujtuar edhe ato vështërsitë që keni kaluar ju të gjithë pjesëmarrës në ato vite që jan pothuajse të paharrueshme, megjithëse, tani keni ardhur në Amerikë, ku jeta është mjaft e bukur. Dhe, kur Manjola ishte e martuar me fëmijë, dhe papritmas u sëmurë në moshë shumë të re, në një kohë që mund të gëzonte edhe më shumë veten, burrin dhe fëmijët, familjen e saj , shoqërin dhe gjithë dashamirët, u nda nga ne për në jetën e pasosur, dhe kjo dhimbje e madhe mund të na kalojë vetem e vetem në qoftë se ne si qytetar ose si të krishter, e përcjellim atë me pyetjet që Krishit ju drejtua Martës kur i tha :” A e kupton ti kush jam unë- Unë jam ai që jap ringjalljen dhe shpresën”. Dhe ajo në atë përvuajtjen e saj i tha :”Yes Lord – Po Zot!”

Gjatë predikimit të Meshës së Dritës, Dom Nikolini, tha se të gjithë duhet të besojm që jeta nuk mbaron me vdekjen –

Për Dom Nikolinin :”Njeriu që edhe pse ndoshta largohet nga ne dhe ne nuk kemi mundësi të flasim dhe ta përkasim atë të komunikojmë si kemi komunikuar, përpara kur ai ka qenë në jet, do të thotë se një njeri që beson në Zot me të vërtet, dhe është i bindur se komunikimi me ato që kan shkuar në jetën e pasosur vazhdon dhe është e mundëshme”.

Ai lut që Manjola të pushoi në paqe! “Ju si familje jam i sigurtë që keni shumë kujtesa – keni shumë mendime , vazhdoi predikimin e tij Dom Nikolini, keni shumë eksperienca dhe kujtime, që ju jam i sigurtë që ju do ti mbani dhe do ti ruani të shtrejta dhe do ti kujtoni gjithmonë ato momente që ju i vlerësoni tek ky njeri, që ai ka pasë si vlera dhe karakter të fortë dhe ti thoni se sot e gjithmonë ne do të kujtojmë, do të lutemi për ju dhe në të njëjtën kohë do të kërkojmë që edhe ju të luteni për ne. ”

Pas meshës një orëshe kortezhi me dhjetra njerëz iu drejtua rrugës drejt Varrezave Saint Charles Cemetery në Wellwood në Farmingdale, të ishullit Long Island – New York.

Dom Nikolin Përgjini, aty mbi varrin e hapur, ku ishte vendosë arkivoli me trupin e pajetë të Manjolës, mbajti lutjen e fundit. Dënesa dhe lot, pshertima dhimbjeje dëgjohen në turmë, duke hedhur mbi arkivolin e saj nga një trandafilë të freskët. Të gjithë vendosin kurora me lule të freskëta mbi arkivol. Sa shumë lule sa shumë trandafila sa shumë kuruora me lule! Ngaqë një lule, që u këput ishte dhe vetë vajza e bukur e kampeve të internimit, Manjola Mirakaj. Nëna Dolorez, i ka ulur sytë e përlotur mbi arkivol dhe përcjell dhimbjen. Leka, i ati vajzës, që ka përballuar situata të vështira në hetusinë dhe burgjet e diktaturës, në kampet e internimit, dhe ka treguar karakter të fortë, arrin ta mbajë veten dhe përcjell tek pjesmarrësit e shumtë në varrim mesazhe falenderimi e mirësie. Pas varrimit sipas zakoneve familja, Mirakaj shtroi drekën e fundit për Mnajolën!

Në fund nëpërmjet organit të Vatrës, DIELLI, në emër të familjes Mirakaj dhe Libohova, ata falenderojn me këtë rast, të gjithë miqtë dhe dashamirët që iu janë gjetur pranë në këto momentet e vështira të ndarjes nga kjo jetë, të bijës , gruas dhe nanës të pa harushme për dy vajzat Anna dhe Emma.

Flenderojmë, thotë familja Mirakaj dhe Libohova, të gjithë ata të njohur e të panjohur që na u gjenden afër nëpërmjet telefonatave dhe mjeteve elektronike në rrjetet sociale të internetit, që na shprehen dhimbjen dhe na ngushëlluan për humbjen e Manjolës.

Ju a kthefshim të gjithëve në ditë gëzimi me nderime Lek, Dolores Mirakaj dhe bashkëshorti i saj Agjah Libohova. Lamtumirë Manjola, vajza me karakter të fortë e kampeve të internimit! Shpirti në Paqë!

 

Filed Under: Komente Tagged With: Beqir Sina, Dolorez Miraka, Lek Miraka, Manjola Mirakaj Libohova, vajza e kampeve te internimit

Në Londër ka nisë aplikimi për pasaportë biometrike dhe kartë indentiteti

June 9, 2013 by dgreca

Deri sot shtetasit shqiptarë mund të paisen me pashaporta në disa shtete të botës si në Itali, Greqi, Turqi, Beligjik, SHBA(New York) dhe prite që së shpejti të u ofrohet i njëjti shërbim edhe në Zvicër, ku jetojnë mjaftë shqiptarë/

 Nga BEQIR SINA/

LONDER : Media shqiptare njoftoi sot se , që prej kësaj fund javë çdo shqiptar i cili jeton në Britaninë e Madhe mund të aplikojë për të marrë Pashaportën Biometrike dhe Kartën biometrike të indetitetit, duke aplikuar në zyrën Konsullore të Ambasadës së RSH në Londër.

Të njëjatat burime nga Londra, theksuan se Ministria e Jashtëme e Shqipërisë në bashkëpunim me atë të Rendit – firmën prodhuese të këtyre pashaportave ALEAS dhe Ambasadën e Shqipërisë në Londër, e arritën këtë qëllim pas një pune të përbashkët, e cila sipas tyre u ka marrë më shumë se një vjet kohë .

Ky aplikim i parë në Londër ka filluar si njoftojnë lajmet shqiptare nga Britania e Madhe me aplikimet e para nëpërmjet ndërtimit të infrastukuturës së nevojëshme dhe instalimin brenda mjediseve të Ambasadës së Shqipërisë në Londër, të paisjve moderrne elektronike. Të cilat janë në përputhëshmëri të plotë me atë të sistemit të krjuar në Tiranë, disa vite më parë tash edhe për komunitetin shqiptarë në Brtitaninë e Madhe.

Nga Londra njoftoi gazetari i TCH, se Aplikimi për marrjen e Pashaportës Biometrike ose Kartës së Indetitetit, përbën një nga aktet konsullore më të mirëpritura për shqiptarët e Britanisë së Madhe. Ambasadori i Shqipërisë në Londër Mal Berisha i tha këtij kanali televiizivë se ” hapja e kësa zyre kryehet në vijim që shteti shqiptar po tregon dnaj bashkëatdhetarëve tanë kudo që janë, të vendosur në vende të ndryshme të botës, kryesishtë Europës dhe Shteteve të Bashkuara dhe është një ndihmesë e madhe për ruajtjen e indetiteti tonë kombëtar të bashkëatdhetarëve tanë – lëvizjen e tyre të lirë drejt atdheut si dhe të vendeve të tjera – ku sot shqiptarët lëvizin të lirë”.

Deri sot shtetasit shqiptarë mund të paisen me pashaporta në disa shtete të botës si në Itali, Greqi, Turqi, Beligjik, SHBA(New York) dhe prite që së shpejti të u ofrohet i njëjti shërbim edhe në Zvicër, ku jetojnë mjaftë shqiptarë.

Ndërkaq, për të interesuarit është krijuar mundësia e informimit nëpërmjet faqes së internetit të Ambasadës shqiptare në Londër,(http://www.albanianembassy.co.uk/) por edhe në komunikimin drejtpërsëdrejti. Ambasada e Shqipërisë në Londër tregon për mynyrat e teknikalitetit të aplikimit, e cila padyshim që u kursen mijëra shqiptarëve shumë kohë të humbur si dhe shepnzimet jo të pakta të udhëtimit deri në Shqipëri, që bëhej deri dje për një aplikim të tillë.

Ky është një informacion mbi Aplikimin për Pasaporta Biometrike dhe Karta Identiteti në Ambasadën Shqiptare në Londër i publikuar më 7 Qershor, 2013:

Në vijim të kujdesit që Shteti Shqiptar tregon ndaj bashkatdhetarëve tanë në vende të ndryshme të Europës dhe të botës, Ambasada Shqiptare në Londër filloi me datën 7 qershor 2013, procesin e pranimit të aplikimeve për pasaportë biometrike dhe kartë identiteti.

Hapja e një zyre të tillë në Londër është një ndihmesë e madhe për ruajtjen e identitetit kombëtar të bashkatdhetarëve tanë në këtë vend, për lëvizjen e tyre të lirë drejt atdheut si dhe drejt vendeve të tjera ku sot shqiptarët levizin të lirë siç është Zona Shengen, Turqia, etj, nëse kjo ju nevojitet.

Aplikimi:

Në mënyrë që ky proces të shkojë sa më mirë, që qytetarëve tu bëhët sa më i lehtë aplikimi dhe secili të ndjehet që merr shërbimin e nevojshëm, po rendisim më poshtë mënyrat e aplikimit.

Që në fillim do t’ju kujtojmë se aplikimi bëhet sipas radhës së paraqitjes së kërkesës;

Pasaporta dhe karta biometrike lëshohet bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 913, datë 21.12.2011;

Procesi i aplikimit është i njëjtë me atë që kryhet edhe në zyrat e aplikimit në Shqipëri;

Aplikon më përpara ai që paraqet kërkesën i pari;

Ambasada pret kërkesa vetëm nëpërmjet internetit – postës elektronike – ose postës tokësore. Në rastin e parë, radha e aplikimit do të përcaktohet në mënyrë elektronike progresive sipas datës dhe kohës kur ka aplikuar secili. Për këtë, zyra e pasaportave do t’ju njoftojë me e-mail për datën dhe orën e takimit dhe më pas të dorëzimit të pasaportës;

Në rast, se kërkesa për takim kërkohet me postë, përgjigja jepet vetëm atëherë kur aplikanti dërgon kërkesën bashkë me një zarf të paguar për kthim përgjigje me postë;

Adresa e emailit për marrjen e takimit për tu paraqitur në zyrën e lëshimit të pasaportave është:

albpassport@gmail.com

Kërkesa për takim me postë mund të dërgohet në adresën:

Embassy of Albania

Passports Office

33 St. George’s Drive

London, SW1V 4DG

Ka të drejtë aplikimi:

Të drejtën për të aplikuar për pasaportë dhe kartë identiteti biometrike e ka:

Çdo shtetas shqiptar i regjistruar në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri;

Çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 16 vjeç dhe nuk e ka kartën e identitetit (letër njoftimin elektronik), duhet të aplikojë njëkohësisht për të dy dokumenta;

Çdo shtetas shqiptar nga mosha 0-16 vjeç, ka të drejtë të aplikojë: vetëm për pasaportën biometrike, i shoqëruar nga të dy prindërit, duke paraqitur një dokument ku të tregohet lidhja familjare e prindërve me të miturin, d.m.th. një çertifikatë familjare.

Kur mund të aplikoni?

Orari i aplikimit: Çdo ditë nga e hëna deri të premten, ora 09.30 – 15.00.

Aplikimi bëhët vetëm me orë takimi të konfirmuar me e-mail, siç është shpjeguar më lart.

Ku mund të aplikoni?

Embassy of Albania

Passport Office

33 St. George’s Drive

London, SW1V 4DG

Çmimi dhe pagesa:

Karta e identitetit kushton 11 GBP.

Pasaporta biometrike kushton 120 GBP.

Pagesa bëhet në bankën HSBC, në llogarinë e mëposhtme:

Account name: Embassy of Albania – Passports

Account number: 71716352

Sort code: 400522

Radha e veprimeve:

Shtetasi duhet të paraqitet në fillim në zyrën konsullore në ambasadë. Aty, atij do ti verifikohet përputhja e të dhënave të paraqitura prej tij me Regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile. Menjëherë pas kësaj ai fiton të drejtën të bëjë pagesën në bankën e sipërpërmendur dhe të paraqesë konfermën tek zyra e aplikimit për pasaportë, po në ambasadë. Në castin e aplikimit ai duhet të ketë me vete konfermën të printuar. Asnjë pagesë nuk bëhet me para në dorë, ose mjete të tjera monetare. Pas kësaj, aplikanti regjistron të dhenat tek operatori, jep shenjat e gishtave, fotografinë, merr kuponin dhe largohet në pritje për të marrë pasaportën ose kartën e identitetit në kohën e duhur.

Shënim: Pasaportat dhe kartat e identitetit nuk printohen në ambasadë. Ato printohen ne Qendrën e Lëshimit të Pashaportave në Tiranë dhe dërgohen me postë në ambasadë.

Dokumentat e nevojshëm:

Personi që aplikon duhet të paraqitet personalisht përpara nëpunësit të Zyrës Konsullore. Ai/ajo duhet të ketë me vete të paktën një nga dokumentat e mëposhtme:

Pasaportë të mëparshme

Leje për drejtim automjeti (e reja)

Letërnjoftim elektronik (nëse ka)

Dokument tjeter i vlefshëm me fotografi (përfshirë leje qëndrimi britanike)

Çdo shtetas ka të drejtë të ri-aplikojë për dokumentat biometrike në rast:

Humbje/vjedhje e dokumentit biometrik (qytetari duhet te paraqitet me mandat pagesën, një dokument identifikimi dhe me denoncimin e bërë pranë zyrave kompetente të policisë britanike, i cili duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe dhe i legalizuar me vulë Apostile);

Dëmtim të dokumentit biometrik (qytetari duhet të paraqitet me mandat pagesen, me një dokument identifikimi dhe me dokumentin biometrik të dëmtuar, i cili dorëzohet në zyrën konsullore me procesverbal).

Në rast ndryshimi të dhënave personale, qytetari paraqitet me mandat pagesën, dokumentin e identifikimit dhe dokumentin që vërteton ndryshimin e të dhënave të gjëndjes civile.

Tërheqja e dokumentave biometrike:

Dokumentat biometrike mund të tërhiqen pas 4 javësh nga data e aplikimit, duke konsultuar faqen zyrtare të ambasadës. Faqja zyrtare e Ambasadës ruan privatësinë e secilit aplikant.

Tërheqja e dokumentave bëhet duke paraqitur kuponin e aplikimit në oraret e poshtëshënuara:

E hënë: ora 13.00 – 15.00

E mërkurë: ora 13.00 – 15.00

E enjte: ora 13.00 – 15.00

Kush mund t’i tërheqë dokumentat biometrikë?

Karta e identitetit do të tërhiqet vetëm pas paraqitjes personalisht të çdo aplikanti, pranë Zyrës Konsullore.

Pasaporta, tërhiqet personalisht nga aplikanti, kujdestari ligjor për shtetasit nën 16 vjeç ose persona të autorizuar me prokurë të posaçme si dhe pjesëtar i afërt i familjes (bashkëshorti/ja, prindi, fëmija) me çertifikaten familjare me vete.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasadori Mal Berisha, aplikimi, Beqir Sina, Londer, pasaporta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • …
  • 96
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT