• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË FILADELFIA U NGRIT FLAMURI YNË KOMBETAR

December 1, 2015 by dgreca

NGA LAVER NIKU/

Është i katërti vit që në qendër të qytetit të Filadelfias, pranë Bashkisë historike të këtij qyteti me emër të madh, Shoqata Atdhetare-Kulturore Shqiptare- Amerikane “Bijtë e Shqipes”, në nderim të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ngre flamurin e kuq me shkabën dykrenore në mes, flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, të të gjithë atyre trimave shqiptarë që derdhën gjakun për liri dhe pavarësi. Kjo është, në të gjitha kuptimet, veprimtaria më e rëndësishme e vitit për shoqatën. Në këtë ditë të shënuar të historisë tonë, shkrihen në një dashuria për atdheun, krenaria për historinë tonë, dhimbja për dëshirat e parealizuara, ëndërrat për të ardhmen tonë dhe të brezave që vijnë. Dhe për kremtimet e kësaj ngjarje të shënuar nuk merr pjesë vetëm  kryesia e shoqatës, apo vetëm shoqata. Ka përherë e më shumë një pjesëmarrje më të gjerë të të gjithë bashkatdhetarëve, nga të gjitha krahinat e vendit. Kjo vihet re edhe në ndihmesën që japin përherë dhe më shumë  prej tyre, për ta festuar me sa më shumë dinjitet këtë ditë të madhe të historisë tonë.

Ishte një ditë e bukur, dita e Premte, e 27 Nëntorit 2015. Diçka e pazakontë për muajin nëntor në Filadelfia. Një ditë me diell dhe qiell të pastër si rrallëherë. Mjeshtri Haki Çollaku nga Dibra kishte përgatitur një stendë festive kushtuar kësaj dite, mbushur me flamujë shqiptarë të mëdhenjë dhe të vegjël dhe midis tyre edhe flamuj  amerikanë, në nderim të vendit mikpritës. Në të dy anët e stendës ishin vendosur dy foto të mëdha të burrit të mënçur Ismail Qemalit ,  kryetarit të parë të qeverisë shqiptare dhe gjeneralit të lavdishëm Isa Boletinit. Ende pa filluar ceremonia bashkatdhetarër filluan të bënin fotografi para kësaj stende në kujtim të kësaj dite. Bashkatdhetarër filluan të vijnë nga të gjitha drejtimet grupe-grupe. Erdhën dhe studentët e  Shkollës së Mesme të Northeast-it, që çdo vit i japin gjallëri kësaj dite me vallet popullore shqiptare, me gëzimin dhe gjallërinë e tyre. Kjo është edhe meritë e mësueses së tyre Nikoleta Papa, që ka vite që punon me studentët shqiptarë me një përkushtim të veçantë. Si çdo vit vjen Alban Merolli një nga mbështetësit e parë të Shoqatës tonë, me gjithë familjen e tij. Këtë vit ai vjen i shoqëruar me një grup të rinjësh, djemë dhe vajza që janë nipër dhe mbesa të tij. Me të drejtë ndihet krenar tek i shikon ata të përfshirë në vorbullën e valltarëve, në kremtimin e kësaj dite të shënuar. Pak minuta më vonë shohim doktor Besnik Budo me të shoqen Elvira Budo, një ndër veprimtaret e pra të shoqatës dhe për shumë vite antare e kryesisë së shoqatës….. E pamundur t’i veçosh të gjithë. Midis pjesëmarrësve shohim këshilltarin e qytetit të Filadelfias, përkrahësin e parë të ngritjes së flamurit tonë kombëtar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë zotin Mark Squilla, i shoqëruar nga zoti Fernando Trevino, zëvëndësdrejtor i Zyrës së Emigracionit dhe Multikulturës pranë Bashkisë së Filadelfias.

Për pak minuta afron ora 10.00  AM, ora e ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar. Nën tingujt e himnit kombëtar të SHBA, të gjthë pjesëmarrësit nderojnë me mirënjohje shtetin që u hapi dyert dhe u dha mundësi për ndërtimine e një jete të re në këtë vend. Pas pak dëgjohen tingujt e himnit tonë kombëtar. Janë çaste emocionuese për atdheun që e kemi larg syve por shumë afër zemrës dhe mendimeve tona.  Të gjithë nderojnë me emocione dhe jo rrallë sheh edhe sy të përlotur. Ndërkaq nënkryetari i parë i shoqatës zoti Bujar Gjoka fillon ngritjen e flamurit tonë kombëtar.  Kushdo që e ka provuar një moment të tillë nuk shpëton pa provuar emocione të fuqishme. Krejt të veçanta.

Në vazhdim  kryetari i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipe”, zoti Tajar Domi përshëndet të pranishmit. Midis të tjerash, pasi bëri një “udhëtim” të shkurtër historik të rrugës së pavarësisë së kombi tonë dhe përmëndi emrat më të shquar që sakrifikuan pasurinë dhe jetën për flamur dhe Atdhe, ai theksoi se ” kush lufton për kombin, kush bie për flmurin, mbetet krenaria e kombit, kujtohet dhe nuk harrohet kurrë.”

Duke e mbyllur fjalëne tij të shkurtër z. Tajar Domi u bëri thirrje bashkatdhetarëve për të qënë të bashkuar dhe për të punuar së bashku për ruajtjen e vlerave tona kombëtare .

Pas duartrokitjeve e mori fjalën zoti Mark Squilla i cili  pasi foli për rëndësinë e ditës së flamurit për çdo komb, vlerësoi komunitetin shqiptar në Filadelfia si njërëz të zgjuar dhe pnëtorë, me dëshirë për t’arsimuar, që po realizojnë një përfshirje të shpejtë të tyre në jetën e këtij qyteti të madh që po zhvillohet me shpejtësi.

Të pranishmit i përshëndeti edhe zoti Fernando Trevino, zëvndës drejtor i Zyrës së Emigracionit dhe Multikulturës pranë Bashkisë së Filadelfias. Duke përgëzuar shqiptarët për ruajtjen dhe pasurimin e kulturës dhe traditave më të mira të tyre, ai theksoi se në këtë mënyrë ata bëhen mbartës dhe ruajtës të kulturës amerkane.

Përsëri këngë edhe valle nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Disa qytetarë amerikan futen midis valltarëve tanë dhe mundohen të kapin hapin dhe ritmin e valleve tona të bukura.

Në një kënd të sheshit Elidon Pajollari , agjent  sigurimesh i State Farm, ka ngritur tendën  e tij dhe u shërben bashkatdhetarëve kafe dhe donats falas. Është i dyti vit që ai ndërmerr këtë veprim për t’i ardhur në ndihmë shoqatës dhe komunitetit, për të dhënë ndihmesën e tij në kremtimet e Ditës së Flamurit. I faleminderit!

Njërëzit nuk rreshtin së bëri fotografi me flamur. Është dita e tij. Rrofsh dhe  u valavitsh përherë i lirë dhe krenarë Flamuri Ynë!
Filadelfia 28 Nëntor 2015

Filed Under: Komunitet Tagged With: bijte e shqipes, filadelfia, Llazar Vero

BIJTE E SHQIPES NDERUAN KUJTIMIN E TE NDJERIT BETIM MUCO

July 12, 2015 by dgreca

PHILADELPHIA, E Shtune 11 Korrik-: Eshtë, bërë traditë e bukur tanimë për bashkatdhetarët tanë në SHBA – Filadelfia, që Shoqata Atdhetare-Kulturore Shqiptare-Amerikane “Bijtë e Shqipes” të organizojnë aktivitete të këtilla, dinjitoze për nderuar dhe kujtuar figura të shquara të artit dhe kulturës sonë kombëtare.
“Bijtë e Shqipes” ka arritur që të ruajë dhe transmetojë nga brezi në brez vlerat më të vyera të traditës shpirtërore, historike dhe kulturore shqiptare.
Të shtunen me 11 Korrik 2015, Bijte e Shqipes njofton se ka mbjtur një takim me anëtarët e shoqatës, shkrimtarë, poetë dhe artistë të komunitetit, gazetarë dhe veprimtarë, studentë, një veprimtari në nderim të poetit, shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur Betim Muço, i cili u nda nga jeta në 15 janar 2015.
Megjithëse, kjo shoqatë ka shkruar në profilin e saj në rrjetin shoqëror facebook, se një shkrim i plotë rreth këtij aktiviteti do të publikohet së shpejti në web-sitin e shoqatës www.bijteeshqipes.us. Facebook si dhe ne gazetat shqiptare ne New York dhe Shqipëri, një foto-album me fotografitë e aktivitetit është bër publik duke treguar se në ambjentet e shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia në nderim të Poetit, Prozatorit, Përkthyesit e Fizikantit të nderuar Bekim Muco i cili u nda nga jeta papritur 6 muaj më parë.
Zëri i Amerikës, njoftoi 8 muaj më pare se në Maryland të SHBA u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare poeti, shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Betim Muço.
Familja tha se ai vdiq papritur, në mëngjesin e 15 janarit.
Më tej Zëri i Amerikës tduke e protretizuar atë tha se Profesor Betim Muço njihet si autor i shumë librave me poezi dhe prozë, ndonëse me profesion ishte sizmiolog.
Pas zhvendosjes në SHBA në vitin 2001, ai i shumëfishoi forcat në fushën letrare. Librat e tij njihen për ndjeshmërinë dhe sinqeritetin, për stilin elegant dhe fjalën e qëlluar. Familja tha se ai ishte duke përfunduar një roman të ri.
Poezia e Betim Muços është përkthyer në disa gjuhë të botës, ndërkohë që ai vetë ishte një shqipërues i talentuar. Profesor Muço ishte i pari që solli në shqip tregimet e nobelistes Alice Munro, para se ajo të nderohej me çmimin e madh. Shquhen gjithashtu shqipërimet prej tij të James Joyce-it dhe Vladimir Nabokov-it. Ai ka qenë fitues i disa çmimeve letrare kombëtare në Shqipëri.
Betim Muço ishte edhe një shkencëtar i njohur. Nga viti 1993 deri në 1997 ka qenë drejtor i Institutit të Sizmiologjisë në Tiranë. Edhe pas ardhjes në SHBA, Profesor Muço vazhdimisht merrte pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe kontribuonte për shkencën në forma të tjera.
Betim Muço kishte mbaruar studimet në fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë dhe për shumë vite ka qenë drejtuesi i Rrjetit Sizmiologjik të Shqipërisë.
Ai lë pas bashkëshorten, dy vajza dhe një djalë.(B Sina)

Filed Under: Komente Tagged With: Betim Mucon, bijte e shqipes, përkujton

FILADELFIA: VEPRIMTARI, KUSHTUAR PETRO MARKOS, IDEALISTIT DHE SHKRIMTARIT TË MADH

November 9, 2013 by dgreca

Kjo veprimtari u organizua nga Shoqata  Atdhetare-Kulturore  “Bijtë e Shqipes” e rastin e 100-vjetorit të lindjes/

Nga Laver Niku*/

1.

Në Shoqatën Atdhetare-Kulturore Shqiptare “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës,  është bërë traditë që çdo fundviti të përkujtohen figurat e mëdha të letrsisë dhe  artit tone tonë kombëtar. Kështu edhe këtë vit, vëmendja u përqendrua te 100-vjetori i lindjes së luftëtarit idealist dhe shkrimtarit të shquar, Petro Marko. Përgatitjet kishin filluar me kohë. Ishte porositur riprodhimi i smadhuar i portretit, punë e bashkëshortes së tij piktore, Safo Marko. Ishte përgatitur edhe një dokumentar, nga jeta dhe vepra e këtij shkrimtari të madh,  nga nënkryetari i Shoqatës, Bujar Gjoka etj. Koleksionit të Shoqatës, ndërkaq, iu shtuan edhe dy portrete të  tjera të njerëzve të shquar të penës, ai i Migjenit dhe I Dritëro Agollit, dhuratë e Androkli Kokthit, nga Tirana. Pak para fillimit të veprimtarisë, nga Virxhinia mbërriti miku ynë i palodhur, shkrimtari dhe veprimtari i njohur atdhetar, Petraq Janko Pali.

Takimin e hapi kryetari i Shoqatës, z.Sadik Elshani. Ndër të tjera, ai tha se këtë herë takohemi për të nderuar njërin nga shkrimtarët dhe intelektualët më të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Nderojmë njeriun dinjitoz dhe shkrimtarin e talentuar, Petro Marko. Ai është një rast i rrallë, ndoshta dhe i vetmi yni, ku njeriu dhe shkrimtari janë shkrirë, janë bërë një. Jeta u bë vepra e tij dhe vepra u bë jeta e tij. Emrit të tij, shkrimtar dhe intelektual, i shkojnë shumë epitete: i madh, i talentuar, modern etj. Por epiteti më domethënës, që mishëron veprën e tij dhe atë si njeri, është: I dashur. Lexuesi, që shijon veprën e tij, e adhuron atë dhe shkrimtarin, sepse në çdo faqe, në çdo rresht dhe në çdo fjalë është shpirti i tij i pastër, i gjërë dhe i çiltër, është dashuria për jetën, për njeriun.
Midis të tjerash, z.Elshani nderoi edhe kujtimin e dy figurave të shquara të kulturës sonë, që kanë 100-vjetorin e lindjes, atë të prozatorit, kritikut, leksikografit, Vedat Kokona dhe shkrimtarit, filozofit dhe profesorit të nderuar të bashkësisë shqiptare-amerikane, Isuf Luzaj.

Duke mbyllur fjalën e tij, z.Sadik Elshani përshëndeti edhe dy antarët e Shoqatës, që këtë vit dolën me botimet e tyre, z.Hatem Dervishaj, me vëllimin me tregime, “Eremiti” dhe z.Hysë Hasa, me librin “Mes shokëve, në shërbim të Atdheut”, i cili dhe u përurua në kryeqytetin Tiranë, disa kohë më parë.
Pas fjalës përshëndetëse, e mori fjalën z.Llazar Vero, që foli më gjerësisht për jetën dhe veprën e Petro Markos. “Është e vështirë të përmbledhësh në disa pak faqe jetën dhe veprën e tij. Ai jetoi, krijoi e luftoi sa për 100 njerëz dhe vuajti ende më shumë. Të gjitha për një qëllim të vetëm, për mbrothësinë e Shqipërisë, për ta parë atë një vend të lirë, të zhvilluar dhe të mbushur me dashuri njerëzore. Për të gjitha këto, ai i afrohet përmasave të një figure madhore kombëtare, që duhet nderuar dhe respektuar brez pas brezi. ” – tha ai, në hyrje të fjalës së vet.  Por më bukur e ka përcaktuar vetë Petro Marko jetën e tij : “Ditën që linda unë, / planeti ishte në furtunë! / Ditën që rrojta unë, /planeti ishte në furtunë! / Ditën që vdiqa unë, / planetin e lashë në furtunë!”.

2.

Petro Marko lindi në nëntor të vitit 1913, në  Dhërmi të Himarës, në “fshatin më të bukur në botë”. Vitet e para të shkollimit i kreu  po atje. Pastaj e shohim në Shkollën Tregtare të Vlorës, që ishtë për kohën dhe vendin tone, si një universitet. Aty u edukuan  me frymën atdhetare, të  atyre viteve: ekonomistë, gazetarë, luftëtarë dhe udheheqës te shtetit të ardhshëm. Gjatë viteve në Shkollën Tregtare, Petro shkroi poezitë dhe artikujt e parë në shtypin e kohës. Në to spikatin atdhedashuria e  revolta ndaj padrejtësive. Ky ishte pagëzimi i parë i tij në këto fusha, të cilave u qëndroi besnik përherë, me një vetëmohim idealisti, luftëtari, krijuesi dhe intelektuali të përkushtuar. Gjithë jetën, ai do ta kujtonte me respekt të veçantë gazetarin e shquar të atyre viteve, Branko Merxhanin, me të cilin bashkëpunoi në revistën e tij, “Përpjekja Shqiptare”, një nga më përparimtaret e kohës. Më vonë, do të shkruante edhe për organe të tjera të shtypit të kohës, si “Ora” dhe “ABC”. Për shkrimet e tij kritike, ndaj regjimit të kohës së Zogut, ai u burgos disa herë. Kështu, nisi për Petro Markon kalvari i vuajtjeve, burgimeve dhe internimeve, që kanë një shtrirje të gjerë  në kohë, në vende dhe në sisteme të ndryshme politike.
Ishte ndër të paktët shqiptarë, që e konkretizoi kundërshtimin e hapur  kundër fashizmit dhe padrejtësisë, qysh me Luftën e Spanjës, në vitin 1936, pjesëmarrës në brigatat ndërkombëtare të luftëtarëve të lirisë. Në Spanjë, ai ishte gazetar, luftëtar dhe komisar kompanie. Këtë luftë e vazhdoi për disa vite me radhë, në Francë dhe në Itali, kundër nazizmit gjerman,  luftëtar, organizator dhe udhëheqës, në ndihmë të shokëve të tij të betejave e idealit dhe të çdo bashkatdhetari ose bashkëluftëtari të lirisë. Janë tetë vite lufte dhe vuajtjeje, si rrallëkush luftëtar i lirisë, në Luftën e Dytë Botërore. Petro ishte një luftëtar europian i lirisë, demokracisë dhe përparimit. Pra, edhe në ditën, kur Shqipëria do të futet zyrtarisht me Europën e Bashkuar, ai do të jetë aty, në radhë të parë.

3.

Petro Marko kthehet në Shqipëri disa muaj para çlirimit të vendit nga nazizmi gjerman. Eshtë i mbushur plotë ëndërra. E caktuan kryeredaktor të gazetës së vetme të përditshme të vendit, “Bashkimi”, e cila i kishte rrënjët që më 1908 dhe që u rishfaq përsëri, në mars të vitit 1943, organ i Frontit Nacionalclirimtar të Shqipërisë. E filloi punën me zellin dhe pasionin e gazetarit, artistit dhe idealistit të papërkulur. Pasqyronte hapat e para të një shoqërie të re, që po ngrihej me mundime. Petro  drejtonte, redaktonte dhe shkruante vetë përditë për hallet e popullit. Gazeta “Bashkimi” e atyre viteve është një thesar i gazetarisë dhe historisë shqiptare të asaj kohe. Aty gjenë  jetën e vendit, të pasqyruar me vërtetësi, profesionalizëm dhe kulturë, mëson për hallet dhe gëzimet, proceset e plota nga gjyqet ndaj kolaboracionistëve të pushtuesve dhe fjalimet e udhëheqësve të Shqipërisë së re.  Kur ambasadori jugosllav në Tiranë i sugjeron Petro Markos, që ta bëjnë gazetën “Bashkimi”, si gazetën  ‘Borba” të Beogradit, shpirti atdhetar i bregasit shpërthen dhe i thotë: “Përse mos ta bëjmë “Borbën” si “Bashkimi”,  pasi ky organ është më i vjetër se “Borba””? Ambasadori u thartua nga kjo përgjigje dhe u ankua tek udhëheqësit e vendit, për këtë gjë. Ishte koha, kur rruga për në Moskë  kalonte nga Beogradi. Pastaj, ai shoqëroi disa gazetarë perëndimorë e të tjerë përfaqësues të UNRA-s dhe u akuzua si bashkëpunëtor i tyre, kundër interesave të Shqipërisë. Por kjo gjë nuk u vërtetua edhe pas tre viteve burg, hetimeve  dhe torturave. Ndërsa,  të mendosh, se sa oferta kishte patur ai njeri nga shokët e luftës, në Itali, që u bënë edhe udheheqës të saj ose nga kushërijnjtë, në Greqi. Me asgjë nuk mund ta këmbente Shqipërinë Petro, me gjithë vuajtjet dhe mundimet e mëdha, që padrejtësisht  i dha ajo. Ai qëndroi deri në fund e i shërbeu dhe i shërben Atdheut e popullit të vet. përtej jetës së tij, të djalit që ia burgosën, të gruas dhe vajzës, të dyja piktore. Megjithatë, ai nuk u thye.

Pak vite  pas daljes nga burgu i Tiranës, ulet dhe shkruan romanin “Hasta la vista”, kushtuar bashkëluftëtarëve, shokëve dhe miqëve të tij bashkatdhetarë, vullnetarë të lirisë, në Luftën e Spanjës. Jo pa vështirësi, por botimi i tij ishte një ngjarje në letërsinë shqipe, për pritjen e ngrohtë që iu bë nga lexuesit e sidomos nga të rinjtë dhe për vetë faktin, që ishte romani i parë i mirëfilltë i kësaj letërsie të re, pas dështimit të romanit “Çlirimtarët” të Dhimitër Shuteriqit.  Pas atij, boton librin “Qyteti i fundit”, që padyshim është romani i tij më i mirë. Ky ishte një sukses edhe për gjithë letërsinë shqipe. Është i pari roman modern i kësaj letërsie. Aty shquhet për një stil të ri së shkruari, për një temë origjinale, për një gjuhë të përpunuar artistike dhe kompozicion origjinal. Ky roman doli disa vite para romanit  “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, por nuk pati atë jehonë dhe mbështetje, që pati ky i fundit.
Pa dashur të përmendi, një për një, të gjitha romanet e shkruara nga Petro Marko, të tërë me një ” biografi” të vetën krijuese dhe botuese, po ndalem vetëm te romani “Një emër, në katër rrugë”, që nuk e pa dritën e botimit, kur u shkrua, më 1972, pasi u kthye në karton pas shtypjes. Ai qarkulloi vetëm në vitin 2001, pra pas 29 vitesh. Shumë vepra të tjera të këtij autori presin në dorëshkrime.

Petro Marko botoi edhe disa romane të tjerë, si “Stina e armëve”, “Ara në mal” e “Nata e Ustikës”, por kryeromani i tij ose romani “sa për 100 romane” mbetet  “Retë dhe gurët” (Intervistë me vetëveten), një jetëshkrim i letrarizuar i tij.  Ka jetë, ka vërtetësi, ka dhimbje dhe dashuri, në faqet e tij. Aty është Shqipëria e shekullit të kaluar. Ashtu, siç ishte në realitet. Eshtë një rrëfim i veçantë dhe i sinqertë, para historisë. Ky libër pasuron bibliotekën shqiptare dhe bibliotekën e çdo shtëpie, pasuron çdo njeri që e lexon, e bën më të mirë dhe më të mënçur.
Petro Markon e deshën, në të gjitha trojet shqiptare, njerëz të thjeshtë dhe krijues e studies. Por vetëm në Kosovë u botua vepra e plotë e tij, prej nëntë vëllimesh. Kjo u bë e mundur nën kujdesin e kritikut dhe studiuesit Ali Aliu dhe u shoqërua me një parathënie – studim të akademikut Rexhep Qosja. Krijuesit kosovarë e deshën dhe e respektonin shumë Petron, për atë ç’ka ai kishte bërë, njeri dhe krijues; e deshën sinqerisht, se ishte gazetar I  talentuar, poet e romancier, luftëtar dhe idealist i paepur.

Në vitet ’70-të, të shekullit të kaluar, në shtëpinë e tij, në Tiranë, vinin shumë krijues nga Kosova, si Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Ali Aliu, Rexhep Qosja dhe të tjerë. Lidhjet e tij me burrat e Kosovës zinin fill që në vitet ’30-të, kur u njoh me Asim Vokshin, në Gjirokastër. Nëpërmjet tij, u njoh edhe me Bedri Pejanin e Ali Kelmendin. Pastaj ishte Lufta e Spanjës, që e lidhi me shumë bijë të Kosovës, si me  Emrush Myftarin, Xhemal Kadën, Justina Shkupin, Shaban Bashën e të tjerë. Kjo lidhje, kjo dashuri dhe respekt vazhdon edhe sot.
Në Tiranë e kudo në Shqipëri, ai kishte shokë e miq, po unë do të veçoja dy poetët e shquar, Fatos Arapin dhe Xhevahir Spahiun, që  e donin dhe respektonin atë, në mënyrë të veçantë. Kishin të tre diçka të përbashkët: talentin, por edhe guximin, sinqeritetin dhe dashurinë për popullin. Kishin të tre diçka të përbashkët: kishin Vlorën, Detin Jon.

4.
Në fund të fjalës së tij, z.Llazar Vero, përsëri, pyeti auditorin: “Kush ishte, pra, Petro Marko?” Dhe përgjigjen e gjeti tek fjalët e tij: “Kam shkruar dhe përsëri, sa të kem frymë, do të shkruaj, po me atë entusiazëm të Petros, idealist të viteve të rinisë e të luftës dhe qëndrimi im do të jetë gjithmonë kundër çdo lloj padrejtësie, kundër shkeljes së çdo të drejte njerëzore, kundër çdo pushteti diktatorial, që të pengon frymëmarrjen, që vret ëndërrat e fëmijëve dhe idealin e idealistëve, që u vë kufinj telash me gjëmba horizonteve të lira” -Ky është Petro Marko.

Më tej, në këtë takim, sekretari i Shoqatës, z. Vlashi Fili, lexoi  motivacionin e Çmimit “Carlo Levi”, që iu dha para pak kohësh, Dritëro Agollit dhe letrën, që shkrimtari ynë i madh  i dërgon jurisë së edicionit XVI, të Çmimit Kombëtar për Letërsinë në Itali.  Ndërsa z.Sadik Elshani  lexoi një përshendetje, që kishte ardhur nga Tirana, nga miku i kësaj Shoqate, profesor Murat Gecaj, publicist e studiues. Duke e përgëzuar këtë Shoqatë edhe për këtë veprimtari kuptimplote, ai shprehte respektin dhe falenderimin për nderin, që i bëhet në këtë tubim emrit, jetës e veprës të shkrimtarit dhe intelektualit të paharruar, Petro Marko.
Veprimtaria vazhdoi, pastaj, me dokumentarin kushtuar  kujtimit të Petro Markos, përgatitur nga Bujar Gjoka, me materiale të regjistruara nga burime të ndryshme.
Dhe, si perherë,  erdhi koktejli tradicional i Shoqatës, që këtë herë pati  më shumë peshën e djemëve të Librazhdit, të mirë dhe punëtorë të palodhur, që i shikon në çdo veprimtari  bashkë, si shokë e miq të pandarë. (E dergoi ne DIELLI: Bardhyl Selimi)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: bijte e shqipes, filadelfia, Llazar Vero, Petro Marko

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT