Nga Çerçiz Loloçi/ Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe mjaft politikanë të tjerë në Shqipëri kanë kontestuar rolin protagonist të ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së Brukselit Romana Vlahutin për ndryshimet kushtetuese dhe sidomos për Reformën në Drejtësi. Madje përtej kësaj pakënaqësie, mediat pranë tyre ka nisur një fushatë të gjerë denigruese ndaj dy ambasadave më të rëndësishme, që janë njëheri edhe përfaqësues të dy nga partnerëve strategjikë të Shqipërisë. Kjo nuk është hera e parë dhe e vetme kur, vendime apo reforma që duan të kthejnë në normalitet një demokraci të brishtë si kjo e jona, pra kur bëhen përpjekje për një klasë politike më të shëndoshë, për institucione më të konsoliduara, për një administratë publike që nuk përpjestohet mes partive dhe hyjnë deri edhe “të hurit dhe të litarit” përkundër konkurimit- të ngrihen pengesa nga më të pa konceptueshmet. Reforma në Drejtësi është vërtet jetike për vendin tonë dhe këmbëngulja në këtë rast nuk ka qenë as e Partisë Socialiste, as e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe as e opozitës. Këtë e kanë kërkuar dhe kanë këmbëngulur më shumë ndërkombëtarët dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Pikërisht për këtë shqiptarët u janë përjetësisht mirënjohës duke shpresuar në një rithemelim të republikës të grabituar babëzisht nga politikanë, ish kryekomunarë e kryebashkiakë, gjyqtarë e prokurorë dhe nëpunës të të gjitha niveleve. Të ishte për këtë klasë politike, për këta deputetë dhe ministra, asgjë nuk duhej bërë sepse kjo nuk prekte asnjë fije nga shpërdorimet që bënin me pushtetin, nga gjyqet farsë që janë bërë këto 27 vjet dhe politikanët më të lartë “kanë dalë vazhdimisht pa u lagur”. Modeli i partive kryesore në vendin tonë nuk ka asgjë të përbashkët me partitë europiane apo edhe ato të vende fqinje ku mandati i drejtimit s’mund të shkojë më shumë se dy të tilla dhe ku kryetarët e partive nuk sillen si kryetarë çetash të 100 e ca vjetëve më parë. Ky perceptim, por edhe realitet njëkohësisht, i bën politikanët tanë të pabesueshëm dhe të pavërtetë. Kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një hap që duhet përshëndetur, por paralelisht me të duhet bërë edhe kontrolli i krerëve më të lartë të partive kryesore duke iu nënshtruar ”makinës të së vërtetës”.
Mashtrimi i Lubonjës për Kadarenë
Nga Çerçiz Loloçi/
Fatos Lubonja i është rikthyer sërish polemikës me Kadarenë, duke marrë shkas nga botimi i fundit i “UET Press” me titull “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, të autorit Dashnor Kaloçi.Konsekuent në ligësinë e tij, qysh nga largimi i shkrimtarit në Francë, 25 tetor 1990 dhe që prej kohës kur ai, në krye të një grupi konglomerat me Adrian Klosin, Kasem Trebeshinën e disa të tjerë që u thërrmuan vite më vonë njëri pas tjetrit, nisi një sulm frontal kundër Kadaresë duke e konsideruar miopisht si një pengesë në ambiciet e veta karrieriste, për të qenë në krye të klasës së re politike që po formësohej pas rënies së diktaturës.
Themi miopisht pasi Kadare, duke pasur një perandori letrash, të pangjashme me askënd, pra një shkrimtar i përbotshëm, nuk ka dashur asnjëherë të ngatërrohej me pushtetet ekzekutive që vijnë dhe ikin, qofshin në diktaturë apo në demokraci.
Por i keqkuptuar kundrejt Kadaresë, nuk ka qenë vetëm ky grup, segmente të partive opozitare, pra ata që do të vinin më pas në pushtet dhe do të dominonin postet e reja në proceset e reja demokratike do ta mbanin ‘ndezur’ luftën kundër Kadaresë me shpifje, denigrime, të pavërteta dhe bashkim fëlliqësish që ndonjëherë kalonin edhe kufijtë shtetërorë.
Të asaj periudhe janë sulmet e një Kokalar ambasadori në një vend perëndimor, bojkotimi shtetëror i një ceremonie në kryeqendrën franceze, që më shumë se i shërbente shkrimtarit i bënte nder Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe disa të tjera që vazhdojnë deri në ditët e sotme.
Po ku duket ligësia e këtij njeriu?
Kuptohet se ky njeri nuk ka qenë ndonjëherë kundërshtar i regjimit diktatorial, ka qenë pjesë e emërtesës së lartë komuniste dhe në kohën që u dënua i ati, u ndëshkua edhe ai, siç ndodhte rëndom me të ashtuquajturat “grupe armiqësore”, që i krijonte kohë pas kohe kupola komuniste.
Nuk duhet harruar se Todi Lubonja, ashtu si edhe Fadil Paçrami, ashtu si edhe më herët si Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe tërë ish-udhëheqja e lartë e sistemit diktatorial kishin veç e veç ose së bashku krime njerëzore, kishin vrarë vetë ose me dorën e tyre kundërshtarë të PKSH, të cilat ruheshin fanatikisht te më të besuarit e Enver Hoxhës dhe të cilat paracaktonin fatin e tyre: dënimin me pushkatim, me internim ose me degdisje në skutat më të varfra të një regjimi thellësisht të pangishëm dhe pa asnjë shpresë. Më pak se procesi i montuar gjyqësor ndaj Todi Lubonjës, atij i kanë vënë përpara raportimin e tij që thotë tekstualisht:
“Nr.25/5 Rez, 20 Qershor 1946
Komitetit Qendror të PKSH.
Lidhje me telin Nr.25/4 Rez datë 11 Qershor 1946.
Sot, më datën 19 Qershor 1946, në orët e para të mëngjesit u ekzekutuan me vendim të Gjyqit Special, katër të arrestuarit Nazif Reçi, Bajram Vlesha, Fiqiri Zeai dhe Gani Hoxha që u kapën disa ditë më parë.
Gjithashtu me vendim të Gjyqit Special, u ekzekutuan në Shumbat, tre strehues të Dam Kaloshit dhe Cen Elezit të quajturit Cen Selmani, Adem Bitri dhe Rustem Bitri.
Për të bërë që populli t’i aprovojë këto masa, do të organizojmë duke filluar që nga data 20 qershor 1946 mitingje dhe konferenca më të gjata në qendrat e grumbullimit të nën-prefekturave.
Në këto konferenca do të vihet në dukje se do të godasim pa mëshirë kriminelët dhe strehuesit.
Me këtë rast do të bëhet dhe thirrje për dorëzim duke theksuar se faji do t’u rëndohet më tepër në rast se nuk dorëzohen për të dalë para gjyqit.
Do të hidhet parulla për besëlidhjet e 3-4 fshatrave për mos strehimin e kriminelëve, kjo në formë…
Mbi efektet dhe përshtypjet e këtyre masave konferencave do t’u njoftojmë me letër të veçantë. Todi Lubonja”.
Me pak fjalë, hetuesit e komunizmit i kanë thënë se je vrasës i shtatë personave nacionalistë në Dibër, një kumt ky që dihej nga udhëheqja e lartë dhe nga personi që kishte kryer krimin, çka një ditë edhe mund të paguante për këtë akt.
Natyrisht se për këtë skemë dënimi Fatos Lubonja nuk ka shkruar asnjëherë dhe kurrsesi nuk ka dënuar qoftë edhe një rast të vetëm siç kanë bërë fjala vjen Spartak Ngjela, Bashkim Shehu e ndonjë tjetër. Nuk ka asnjë dyshim se dënimi i tij në moshën 23-vjeçare me 17 vjet burgim ka qenë i padrejtë, antinjerëzor, me proces hetimor të fabrikuar.
Thjesht ai u dënua si djali i Todi Lubonjës, por fati i tij nuk ishte i vetmi dhe më i rëndi njëkohësisht; të njëjtën fat patën të gjithë ata që u konsideruan si armiq, madje u ndëshkuan edhe më rëndë. Megjithatë kjo nuk i jep të drejtë atij dhe kujtdo tjetër që të mashtrojë me një varg të pavërtetash.
Akuza e Zylyftar Ramizit
Fatos Lubonja citon ish-zëvendësministrin e Brendshëm, Zylyftar Ramizin, që ka pohuar se Kadare ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Gjenerali”. Lajmin e botoi një e përditshme me kryeredaktor Ben Blushin. Po si është e vërteta? Zylyftar Ramizi ka qenë i denoncuar te Ramiz Alia me emër, mbiemër dhe funksion nga Ismail Kadare për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve të ndaluar në hetuesi apo degët e Punëve të Brendshme.
Në hakmarrje e sipër dhe në kohën që po gjykohej për krime kundër njerëzimit ai lëshoi shashkën kundër Kadaresë, që vështirë të besohej atëherë dhe tani. Themi vështirë pasi qenia formalisht anëtar i PPSH e përjashtonte kategorikisht edhe nga veprimtaria tjetër e agjentit të Sigurimit të Shtetit.
Por, përpos kësaj, një kërkesë publike e vetë Kadaresë në institucionin shtetëror të Verifikimit të Figurave e hidhte poshtë këtë shpifje. Gazeta e publikoi ndjesën, por ndërkaq dëmi i ishte bërë Kadaresë.
Një e pavërtetë tjetër që e rimerr ligësisht Lubonja është çështja e Janulla Rrapit. Tashmë ka shumë dokumente që hedhin dritë për veprimtarinë e saj si bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit dhe fenomeni i saj nuk është gjë tjetër veçse një përdorim i paskrupullt i Sigurimit të Shtetit, njëfarësoj ‘shtrydhje limoni’ dhe pastaj internim për pesë vjet. Për të freskuar kujtesën e Lubonjës, por edhe të disa simpatizantëve të Janullës, po risjellim disa dokumente ku nuk figuron Kadare, por dalin emra dhe persona të tjerë të ish-emërtesës komuniste:
“Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ministria e Punëve të Brendshme Sekret. Drejtoria e Punëve të Brendshme Ekze. Nr.2. Nr. 1566.
Tiranë, më 25.4.1984
Lënda: Propozojmë internimin familjarisht të Janulla Rrapit
Ministrisë së Punëve të Brendshme Drejtorisë I, Degës VIII Tiranë…
Punëtori Operativ: Çerçiz Salaj; Shefi Seksionit III: Shefqet Metaj; Drejtori i Punëve të Brendshme: Zef Loka; DAKORD: Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit: Foto ÇAMI”.
“Sekret/21
Ekzemplar Nr.______
Tiranë, më ______1984
Vërtetim biografik për Janulla Rrapin (Lepuri)…
Punëtori Operativ Shefi Seksionit III: Çerçiz Salaj, Shefqet Metaj
Drejtori i Punëve të Brendshme: Zef Loka”.
“REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE KOMISIONI I INTERNIMIT DHE I DEBIMIT SEKRET Ekzemplar Nr.1…
Tiranë, më 25.4.1984
VENDIM Nr.7
Komisioni i Internimit dhe i Dëbimit, i mbledhur më datën 25.4.1984, në bazë të Dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 5912, datë 26.6.1979, pasi shqyrtoi propozimin e paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme, vendosi:
Të internojë për pesë vjet kohë familjen e mëposhtme:
Janulla Mark Rrapi, e datëlindjes 1944, lindur në fshatin Përparim të rrethit të Sarandës e banuese në Tiranë, shtresë e varfër, me arsim 7-vjeçar, punëtore në NTU, e ve, e dënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare.
Renato Gori Rrapi, (i biri), i datëlindjes 1964, lindur e banues në Tiranë, me arsim të mesëm të pambaruar, pa punë, beqar, i padënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare…
Zëvendëskryetari i Komisionit: Hekuran Isai
Anëtarë: Rrapi Mino dhe Aranit Çela”.
Të vijmë tani te Dhora Leka, një ish-denoncuese e shkrimtarëve dhe figurave kryesore politike, të konsideruar kundërshtarë të regjimit komunist nga Bedri Spahiu e deri te Kadri Hazbiu. Këtë fakt Lubonja vazhdimisht e fsheh siç mbulon edhe krimet e Kasem Trebeshinës në krye të armës së Sigurimit të Shtetit dhe që në fakt goditjen e madhe e mori pas dënimit të Mehmet Shehut, Feçor Shehut, pra grupit të fundit “armiqësor” të zbuluar nga PPSH.
Përmendja e rasteve të mësipërme e rreshton Lubonjën në krahun e atyre që të keqen e një sistemi gjakatar nuk e kërkojnë te themeluesit dhe ekzekutuesit e vërtetë, por ndër radhët e shkrimtarëve që edhe në raste juntash apo regjimesh po aq të egra sa komunizmi bëheshin frymëzues të lirisë dhe demokracisë.
Praktika amerikane me shtetarët shqiptarë
Nga Çerçiz Loloçi/
Në 15 dhjetor 2015, ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarë shqiptarë, ku në fjalën e hyrjes, ndër të tjera, tha: “Përshëndetje të gjithëve! Unë jam Don dhe jam i kënaqur që së bashku do të bisedojmë mbi korrupsionin. Ju mund të mos e besoni, por unë kam shumë shpresë se gjërat po ndryshojnë në lidhje me korrupsionin në Shqipëri. Njerëzit janë lodhur dhe duan të shohin ndryshime – që nga dekriminalizimi i parlamentit, deri tek reforma në drejtësi, transparenca financiare e partive politike dhe parandalimi i blerjes së votave”. Përpara këtij bashkëbisedimi, më shumë se një vit më parë, ambasada e SHBA bëri një rikompozim të deputetëve shqiptarë në grupin e miqësisë Shqipëri-SHBA, duke refuzuar praninë e disa prej tyre, si të papërshtatshëm dhe të padëshiruar për amerikanët.
Zgjidhet ngërçi në grupin e miqësisë SHBA- Shqipëri
Zgjidhet ngërçi i krijuar në formimin e grupit parlamentar të miqësisë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në faqen online të Parlamentit është publikuar lista e re me 36 anëtarët e këtij grupi miqësie, tejet i debatuar javët e fundit. Nga ky grup janë hequr emrat e tre deputetëve të cilët janë: Tom Doshi, Mark Frroku dhe Pjerin Ndreu.
Pyetja që vuri në lëvizje ambasadën e SHBA
Çerçiz Loloçi: Zoti Ambasador, a nuk do të ishte shumë e vlefshme nga ana juaj që disa politikanë majtas dhe djathtas, gjyqtarë, prokurorë dhe shtetarë të lartë të korruptuar dhe të inkriminuar të shpalleshin non grata nga ju si SHBA dhe nga gjithë vendet perëndimore?
Çerçiz, kjo është një super pyetje. Në fakt, ekziston një vendim presidencial (numër 7750 -https: //www.gpo.gov/fdsys/pkg/FR-2004-01-14/pdf/04-957.pdf) në Shtetet e Bashkuara i cili i jep Sekretarit të Shtetit dhe Prokurorit të Përgjithshëm autoritetin për të ndaluar zyrtarët, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Siç e kemi thënë edhe më parë, ne jemi duke shqyrtuar disa individë në Shqipëri për të përcaktuar nëse – duke u bazuar në këtë vendim presidencial – atyre duhet t’i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
2 mars 2016, SHBA u mohon vizën disa gjyqtarëve shqipëtarë
SHBA ka filluar të refuzojnë vizat për gjyqtarët e korruptuar. Lajmi është konfirmuar nga ambasadori Donald Lu gjatë një komunikimi me publikun në rrjetet sociale. “Korrupsioni është një prioritet kryesor i qeverisë së SHBA në Shqipëri. Ne jemi duke ndërmarrë masat tona dhe me shoqërinë civile dhe udhëheqësit shqiptarë. Vitin e kaluar pamë sesi partitë politike hoqën disa kandidatë kriminelë nga zgjedhjet. Politikanë të tjerë të korruptuar apo me të shkuar kriminale janë arrestuar apo kanë dhënë dorëheqjen. Mbështesim zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimin. Së fundmi, qeveria e SHBA u ka ndaluar hyrjen disa gjykatësve të korruptuar duke iu refuzuar apo anuluar vizën. Ky është vetëm fillimi! Kemi më shumë më tepër punë për të bërë për të luftuar korrupsionin”, thuhet në mesazhin e Donald Lu. Zoti Lu nuk e tregoj emrin e gjyqtarit, por bëhet fjalë për gjyqtarin Gjin Gjoni i cili ka aplikuar para disa kohësh për vizë amerikane . Viza i është refuzuar pa i dhënë shpjegime.
31 mars 2016, SHBA u mohon vizën prokurorëve shqiptarë
“Mangësi në dokumentacion në aplikimin për paisje me vizë amerikane”. Kështu mësohet ta ketë komentuar Ambasada Amerikane, refuzimin e kërkesës të prokurorit të Durrësit Agron Gjana për dhënie vize, i cili së bashku me kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe 3 kolegët e tij kishin aplikuar në ambasadë si delegacion i Prokurorisë së Përgjithshme për të kryer në SHBA një vizitë pune 5 ditore. Kryeprokurorit Llalla, drejtoreshës së Marëdhënieve me Jashtë Rovena Gashi, drejtuesit të prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdërmataj dhe atij të Tiranës Petrit Fusha, administrata e ambasadës i ka kthyer përgjigje pozitive, ndërkohë negative ka qënë për prokurorin e Durrësit Agron Gjana, i cili ishte pjesë e këtij delegacioni që do udhëtonte në SHBA, për një vizitë pune. Motivacioni i refuzimit të vizës ka qënë i thatë dhe i prerë “…mangësi në dokumentacionin e aplikimt për vizë…”.
Proces-verbal i bashkëbisedimit të plotë të ambasadorit amerikan me shqiptarët dhe përgjigjet e 56 pyetjeve, 15 dhjetor 2015
Ardenal Ferhati: Cila është ajo formulë magjike që do të rrëzojë këtë strukturë kriminale në Shqipëri?
Ardenal, pyetje shumë e mirë. Ndryshimi i Shqipërisë do të fillojë me ligje të reja – për dekriminalizimin, Zyrën Kombëtare të Hetimeve dhe reformën në drejtësi. Por vetëm ligjet nuk mund ta ndryshojnë Shqipërinë. Zbatimi i tyre është puna më e vështirë. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të pushohen nga puna dhe të ndiqen penalisht. Politikanët e inkriminuar duhet të hiqen nga udhëheqësit e partive politike, nga parlamenti dhe nga pozicionet vendore. Ministrat e korruptuar, të kaluar dhe aktualë, duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet e tyre. Populli shqiptar duhet të kërkojë që kjo të ndodhë.
Shpetim Dervishi: A mund ta luftojnë korrupsionin ata që e vendosën?
Shpëtim, korrupsioni nuk ka nevojë të luftohet nga ata që e krijuan atë. Korrupsioni duhet të luftohet nga njerëit e zakonshëm. Njerëzit e zakonshëm që votojnë. Njerëzit e zakonshëm që punojnë në biznese, në qeveri apo në shkolla. Njerëzit e zakonshëm që punojnë në OJQ-ë, universitete dhe media. Mos i lejoni politikanët që të kontrollojnë nismën anti-korrupsion.
Hamdi Shehu: Mirë zotnia do përgjigjet, po korrupsionin kush do ta luftojë në këtë vend?
Hamdi, ti do ta luftosh! Dhe tre milionë qytetarët e tjerë shqiptarë. Kjo nuk është një luftë për të huajt apo politikanët. Kjo duhet të jetë një luftë e qytetarëve të zakonshëm.
Gazmir Gjoni: A mendoni se me këto politikanë që kemi ne, do arrjimë ta luftojmë korrupsionin dhe të anëtarësohemi në BE në 5 vitet e ardhshme apo jo?
Gazmir, kjo është një pyetje e mirë. SHBA nuk janë anëtare të BE kështu që unë nuk e di se sa e mundshme është që Shqipëria do të futet në BE së shpejti. Ajo që unë di është se BE është serioz në lidhje me kërkesat që Shqipëria të ecë përpara në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën në drejtësi përpara nisjes së negociatave për anëtarësim. Dhe po, ju keni të drejtë kur thoni se pasja e rrogave të arsyeshme është një pjesë e rëndësishme e luftës kundër korrupsionit.
Ard Gr: Përse këtu në Shqipëri Amerika është indiferente për korrupsionin e lartë nga vetë deputetët e Shqipërisë dhe ju heshtni dhe populli shqiptar vuan nga skamja dhe varfëria. A është kjo demokracia që ne shqiptarët kemi kërkuar? Faleminderit dhe pres përgjigje. Ardian Elezi.
Ardian, Sigurisht që SHBA nxisin demokracinë duke zhvilluar Organizatat Jo Qeveritare, partitë politike dhe mediat. Ne gjithashtu nxisim vendet për t’u marrë seriozisht me korrupsionin e nivelit të lartë. Në Shqipëri, ne kemi punuar me të dyja palët, qeverinë dhe opozitën, për të larguar anëtarët e parlamentit dhe kandidatët për kryetarë të komunave apo bashkive të cilat kanë qënë të arrestuar apo janë dënuar penalisht. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit do të sjellë largimin e shumë prej këtyre politikanëve me precedentë penalë.
Redin Hafizi: Pyetja ime është nëse edhe në Shqipëri do të jetë e mundur që të zbatohen ligjet e transparencës dhe që ky sistem të kthehet në një praktikë në sistemin qeverisës shqiptar. Unë mendoj se kjo do të jetë një zgjidhje afat-gjatë për Shqipërinë. Si mund ta bëjmë këtë të mundur? Unë jetoj në SHBA dhe paguaj taksa, por kurrë nuk kam pasur problemin më të vogël nëse paratë e mia përdoren për të luftuar korrupsionin dhe terrorizmin duke ndërtuar shoqëri demokratike dhe qeveri të forta dhe të drejta kudo në botë.
Redin, gëzohem kur lexoj që ju mendoni se taksat tuaja shpenzohen ashtu si duhet. Edhe unë mendoj se është e rëndësishme për interesat amerikane që ne të mbështesim aleatët e NATO-s si Shqipëria në luftën e tyre kundër korrupsionit. Ju keni prekur një çështje të rëndësishme. Sistemi i transparencës nuk funksionon siç duhet kur institucionet kanë aq shumë nevojë për reforma, si përshembull sistemin shqiptar i drejtësisë dhe Kuvendi. Tani është e rëndësishme që këto institucione të reformohen, që parimet e transparencës të përforcohen me institucione të pavarura dhe të përgjegjshme.
Kreshnik Veliaj: Dua të pyes përse Donald Lu ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë ndërsa ambasadorët e tjerë nuk duan t’ia dinë fare?
Kreshnik, unë shpresoja që të më bëhej kjo pyetje. Unë kam punuar për 25 vjet në vende që u kanë thënë amerikanëve të mos përzihen në punët e tyre të brendshme. Ndryshe prej tyre, Shqipëria e mirëpret këshillën amerikane. Qëllimi ynë është që të jemi të përfshirë vetëm në ato çështje të brendshme të cilat janë të rëndësishme për përparimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE — kundër-korrupsionin, luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën në drejtësi.
Flori Myftari: Shqipëria nuk është në luftë mirëpo të larguarit janë kaq shumë njësoj si në luftë. Çfarë mendimi keni për këtë fenomen. Dhe e dyta nëse ju keni informacione të klasifikuara dhe unë besoj se keni për politikanë gjykatës apo biznesmen me ndikim të cilët kanë vjedhur apo vrarë për tu pasuruar a do t’i publikoni ato në ndër të shqiptarëve pas bërjes së reformës në drejtësi?
Përshëndetje Flori, pyetje e mirë. Unë e di që shqiptarët janë të zgjuar. Unë jam i sigurt se ata mund ta kuptojnë se cilët janë zyrtarët e korruptuar dhe kriminelë. Janë ata që nuk e bëjnë punën e tyre. Ata nuk e mbështesin reformën dhe ata nuk kanë arritur asgjë në pozicionet e tyre. Janë ata të cilët kalojnë gjithë kohën e tyre duke vjedhur paratë tuaja
Hamit Shehu: Ç’mund të bëjë aleati ynë i madh për të na ndihmuar për vendosjen e demokracisë së vërtetë në Shqipëri? Veçanërisht problematike është demokratizimi i partive politike si baza e demokracisë së një vendi.
Hamit, unë pajtohem me ju se partitë politike kanë nevojë të reformohen për t’u bërë më demokratike. Udhëheqësit e partive sot mund të marrin të gjitha vendimet pa u këshilluar apo mbajtur zgjedhje. Unë shpresoj se reforma zgjedhore mund t’i ngrejë këto çështje. Ndoshta, duke folur publikisht në lidhje me këtë çështje, ju mund të ndihmoni.
Lazër Koçeku: A mendoni se duhet një sistem i integruar dixhital në të gjitha institucionet që tu vihet në shërbim qytetareve për të ulur nivelin e korrupsionit në Shqipëri?
Lazer, sygjerimi juaj është i shkëlqyer. Jam dakord me ju, qasja online ndaj informacionit dhe shërbimeve është një nga mënyrat më të mira për të luftuar korrupsionin kur qytetarët e zakonshëm kërkojnë shërbime zyrtare. Ekziston një nismë, e mbështetur nga qeveria e SHBA dhe Ministria shqiptare për Teknologjinë dhe Inovacionin, e cila quhet Open Government Platform (Platforma e Qeverisjes së Hapur) dhe që përpiqet të përhapë këtë teknologji në qeverinë kombëtare dhe vendore.
Xhev Halili: A do të ishte e mirë një lëvizje e shoqërisë civile ajo që mund të merrej me publikimet e pronave të politikanëve, gjyqëtarëve dhe prokurorëve në vend tëpëfituara prej korrupsionit?
Xhev, faleminderit për sygjerimin tuaj. Është normale në shumë demokraci, përfshirë edhe në SHBA, që pasuritë e ministrave dhe parlamentarëve të bëhen publike çdo vit. Ne e kemi sygjeruar këtë si një nga mënyrat më të rëndësishme me anë të së cilës partitë politike dhe politikanët mund të përmirësojnë transparencën në Shqipëri.
Gramoz Cekani: 25 vite demokraci kanë kaluar. Mendoni që shqiptarët sot janë më mirë se në vitet e komunizmit dhe doja të dija që politika shqiptare do ketë edhe ajo gjykimin e saj në gjykata për rastet e shumta që ka.
Gramoz, mendoj që shumë njerëz e bëjnë këtë pyetje. Kam lexuar një studim së fundmi sipas të cilit Shqipëria dhe një nga vendet balltike ishin të vetmet vende ish komuniste që kanë të ardhura më të larta tani krahasuar me 1991, kur komunizmi u rrëzua në pjesën më të madhe të Europës. Unë nuk kam jetuar kurrë në një vend komunist, por nga historitë që më kanë treguar miqtë e mi shqiptarë të cilët kanë jetuar nën regjimin e diktatorit Enver Hoxha, nuk mund të ketë krahasim me kohën e komunizmit. Cilado qofshin sfidat dhe vështirësitë e kohëve të sotme, ju keni sigurinë se çdo shqiptar sot gëzon liritë dhe privilegjet themelore të cilat në kohën e komunizmit as nuk i kishin ëndërruar.
Arben Marku: Z. Ambasador, problemi më i madh në Shqipëri nuk janë 4 – 5 politikanë që pasi u bënë të pasur me drogë dhe prostituta më pas hynë në politike, pasi kaq i gjejmë dhe në Amerikë, por janë pothuajse e gjithë pjesa tjetër e tyre dhe Gjykatës e Prokurorë, që u gdhinë milardierë.
Arben, unë mbajta një fjalim të shkurtër, në konferencën kombëtare gjyqësore. U mundova ta ndaj fjalimin tim në dy mesazhe – një për pjesën më të vogël të gjykatësve, të cilët janë jashtëzakonisht të korruptuar, dhe një mesazh për pjesën më të madhe të tyre, të cilët e kryejnë punën e tyre me ndershmëri dhe nuk kërkojnë rryshfet. Jam dakord me ju, gjendja me gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë është e patolerueshme. Unë shpresoj se ju do të punoni për të mbështetur reformat që piketojnë dhe largojnë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Kjo gjë është kritike për të ardhmen e këtij vendi.
Dritan Dervishaj: Kur do të kemi drejtësi reale dhe të pavarur në Shqipëri? Korrupsioni luftohet vetëm me ndëshkim dhe këtë e bëjnë vetëm prokurorët dhe gjykatat e pavarura.
Dritan, institucionet e pavarura janë jetike për balancimin e pushtetit në çdo qeveri. Në të njëjtën kohë, gjykatësit dhe prokurorët duhet të japin llogari për krimet që mund të kryejnë apo për çdo lloj abuzimi me pushtetin e tyre. Zgjidhja që është përfshirë në reformën aktuale në drejtësi, është ngritja e këshillave gjyqësorë dhe të prokurorisë, të përbërë nga anëtarë të shoqërisë civile dhe me shumicën gjykatës e prokurorë, të cilët do të propozojnë, promovojnë apo largojnë gjykatës dhe prokurorë. Ky është një ekuilibër shumë delikat.
Psikologu Ppv: Po nuk ndryshuan kodin penal që është si paçavure arrna arrna nuk ka zgjidhje të bëhet një kod i ri i një shteti perëndimor që korrupsioni mos të dënohet me muaj po të bëhet sic e keni ju në Amerikë që e dënoni njëzet vjet atëher do shihni do guxoj njeri të bëj korrupsion. Një njeri i thjeshtë kapet duke vjedhur njëmijë ose dhjetë milion lek ose duke bërë një punë tjetër kundër ligjit dënohet dhjetë vjet ose më shumë kurse kur organet shtetërore vjedhin 1 ose 10 ose 100 miliard lekë ato janë shumë të nderuar dhe të respektuar se edhe po u kapën nuk bëjnë më shumë se një vit burg se në burg rrijnë të varfërit dhe viktimat.
Psikologu Ppv, është e vërtetë që dënimi për korrupsion në SHBA është shumë i ashpër. Unë mendoj që shqiptarët duhet të kenë shpresa që reforma në drejtësi është e mundur. Sot po mbahet një dialog publik i vërtetë. Ju po merrni ndihmë nga miqtë tuaj në SHBA dhe BE. Kini besim. Ndryshimi po vjen.
Kastriot Dinci: Luftën ndaj korrupsionit nuk mund ta bëjnë ata që janë pranë në Kuvend me kriminelë dhe hajdutë dhe që i kanë vënë vetë. Duhet ndërgjegjësohet ky popull që të mos shesë votën për vaj e miell. Pavarësia e drejtësisë është kryesore. Deputeti që shtiu me armë doli nga burgu, kurse ata që pritën plumbat u futën në burg. A nuk mbanë erë që shteti vazhdon bën pazare me krimin?
Kastriot, në demokraci, nëse ju jeni të pakënaqur me udhëheqësit tuaj, keni dy mundësi – ose të bashkëpunoni me njerëzit që janë në pushtet ose të prisni deri në zgjedhjet e ardhshme dhe të votoni ndryshimin. Edhe unë kam dyshimet e mia për disa nga anëtarët e parlamentit dhe vullnetin e tyre për të mbështetur reformën, por unë besoj se me presion publik, ndryshimi është i mundur.
Saimir Kola: Une e njoh në shifra investimin e SHBA për drejtësinë shqiptare, milionat që keni dhënë… E kuptoj gjithë këtë, po e mendoni se kjo ju jep të drejtë të shpreheni se “Nëse nuk miratohet kjo reforma e drejtësise do të izoloheni”? Si do ta kryeni këtë izolimin? E dyta keni folur për dhunën në protestë. Unë isha në atë protestë dhe nuk e shikova dhunën. Çfarë u dhunua? Unë jam gazetar dhe kam informacion rreth dy objekteve të sulmuara për të cilat nuk ekziston asnjë leje. Ndaj nuk mund të cilësohen as objekte në mbrojtje sipas ligjit shqiprar. E treta flisni se u shkatërrua prona publike. Unë dua të di, vërtetë besoni një bunker i ndërtuar fringo i ri është pronë publike, kur ai është cilësuar si provokues? E katërta, mirë politika shqiptare nuk e kupton, po ju a e kuptoni situatën në cilën ndodhen sot familjet shqiptare? Do kisha vërtet dëshirë të kem përgjigje për këto pyetjet e mia.
Saimir, është e vërtetë. Ne dhe BE kemi investuar në sektorin e drejtësisë më shumë sesa për çdo çështje tjetër në Shqipëri. Jam i sigurtë që kjo shumë shkon në qindra mijëra dollarë. Dhe ne jemi të irrituar nga ritmi i ngadaltë i këtyre reformave. Por ne nuk kemi hequr dorë. As nuk kemi në plan të izolojmë Shqipërinë. Ne duam të punojmë së bashku për ta kryer këtë punë. Ne nuk do të ndalemi. Saimir, gjatë protestës në 8 dhjetor, u hodhën gura dhe vezë në godinën e Kryeministrisë, tek policët dhe në godinat e tre ministrive. Dhe bunkerit iu vu zjarri. Përdorimi i këtyre taktikave të dhunshme e zbehu kuptimin e vërtetë dhe domethënien e asaj që mund të ishte një demostratë e madhe dhe paqësore. Përdorimi i dhunës politike nuk përputhet me vlerat demokratike të Shqipërisë, as me angazhimet e saj në NATO.
Arjan Dullaj: A mundet SHBA të na asistojë në hetimin e dekriminalizimit të njerëzve me pushtet dhe bashkëpunim në sistemin e drejtësise sepse tek sistemi jone populli ka humbur besimin?
Arjan, në fund të fundit, unë nuk mendoj se është përgjegjësia e qeverive të huaja që të hetojnë politikanët shqiptarë. Kjo është punë e medias, shoqërisë civile, dhe e partive politike. Ne po punojmë në mënyrë të vazhdueshme për të mbështetur zhvillimin e kapaciteteve të këtyre institucioneve, për të hetuar të kaluarën kriminale të kandidatëve apo politikanëve aktualë. Unë kam besim se kjo do të arrihet.
Sokol Çuadari: A është inicimi i reformës në drejtësi për t’i treguar kësaj klase politike që është totalisht e dështuar në implementimin e një demokracie të vërtetë dhe duhet të largohet, pra a mos është më mirë të thuhen gjërat me troç që kjo klasë po fundos Shqipërinë?
Sokol, unë e kuptoj që ju dhe shumë shqiptarë të tjetër jeni të irrituar. Unë ju kërkoj që të mos dorëzoheni. Ne, pa dyshim, nuk jemi dorëzuar. Unë besoj se ndryshimi është i mundur nëse populli e kërkon atë. Sot në Shqipëri, unë shoh se populli kërkon veprime të prera kundër korrupsionit dhe reformë sistemin e tyre të drejtësisë. Ashtu si thoni edhe ju, a mund të mbështetemi tek politikanët për këto reforma ndërsa disa prej tyre po përfitojnë nga sistemi aktual. Po, ne mund të mbështetemi nëse populli e kërkon këtë.
Anton Hasanpapaj: A mundeni ju të nxisni dhe përkrahni njerëzit që nuk nënshtrohen politikisht në mënyrë që ata minimalisht të krijojne “polin e tretë”? Për mua korupsioni fillon që në rekrutimin e pa shmangshëm politik të profesionistëve në të gjitha fushat. A ndani ju të njëjtin mendim?
Anton, është interesante ideja e të pasurit një parti politike kundër-korrupsionit. Unë mendoj se është përgjegjësia e çdo opozite për të kritikuar qeverinë sa herë që ata kanë prova të korrupsionit. Ndërsa mendimi im përsa i përket krijimit të një partie të veçantë të përqëndruar kundër korrupsionit, është që partitë politike duhet të mbështesin diçka, jo thjesht të jenë kundër diçkaje. Sa për punësimin e njerëzve nga fusha të ndryshme, unë besoj se nëse do të kishim më shumë njerëz të zakonshëm në politikë (mësues, shoferë taksie, punëtorë të fabrikave, etj), do të kishim më pak korrupsion në politikë. Unë e mbështes idenë që udhëheqësit të jenë njerëz nga të gjitha fushat.
Suela Tahiraj: Çfarë mund të bëj unë që vendi im të jetë një vend më i mirë në të ardhmen, sepse thonë që ndryshimi vjen nga studentët? Sepse në përgjithësi, miqtë e mi dhe komuniteti ku jetoj janë të zhgënjyer që nuk mund të bëhet dot asgjë, sidomos kur shohin akoma dhe më shumë raste politikanësh të përfshirë në çështje korrupsioni…
Redon Veliu: Çfarë mund të bëjmë mund të bëjmë ne të rinjtë, për më shumë liri politike dhe drejtesi sociale?
Suela dhe Redon, unë besoj se gjëja më e mirë që mund të bëjnë studentët është që të kenë pritshmeri të mëdha – për udhëheqësit e tyre, komunitetet e tyre dhe veten e tyre. Unë jam shume i lumtur kur takoj të rinj, sepse ata mezi e presin ndryshimin. Ata duan që vendi i tyre të ketë ekonomi dhe politikë të njëjtë me vendet më të zhvilluara të Europës. Dhe e duan këtë menjëherë. Ata kanë të drejtë dhe duke kërkuar këtë ata do ta çojnë Shqipërinë drejt një të ardhmeje më të mirë.
Gjergji Naqo: Le ta konsiderojme si të përmbushur me sukses misionin e pastrimit të administratës nga të korruptuarit. Thelbi i cështjes qëndron këtu: hoqëm ata, por me kë do ti zëvendësojmë?!
Edmond Banushi: A ka mundësi të luftohet korrupsioni pa departizuar administratën, pa një polici dhe prokurori të pavarur nga politika, pa gjyqtarë të ndershëm?!
Ledieltoni Bardho: A mund të gjejmë shqiptarë të hajrit, edhe nëse i marrim ata nga Amerika, për të qeverisur Shqipërinë dhe ekonominë? Pra, a mund ta largojmë këtë qeveri? Pas 25 vjetësh demokraci, njerëzit në Shqipëri janë 30 vjet prapa dhe më të varfër. Ju lutemi, ndihmojeni Shqipërinë dhe largojeni këtë qeveri. Kur votuan, njerëzit në Shqipëri nuk menduan kurrë se të njëjtit kriminelë do të qeverisnin vendin. Ata janë partia komuniste dhe ata po marrin paratë e njerëzve me kompanitë e tyre fallso. Ata bënë reformën territorial për të kursyer €100.000.000 në vit për të ndërtuar rrugë, shkolla, kopshte, për të pasur më shumë para për të moshuarit por asnjë nuk po bëhet. Ata vazhdojnë të thonë se nuk kanë para. Në komunizëm njerëzit kishin drita dhe ujë, ndërsa tani nuk kanë bukë. Ju lutem, nidhmojeni Shqipërinë. Faleminderit dhe gëzuar festat!
Gjergji, Ledieltoni dhe Edmond, mos e humbni shpresën. Unë njoh shumë shqiptarë të cilët janë njerëz të ndershëm dhe punëtorë. Për shembull, Shkolla e Magjistraturës nxjerr të diplomuar të shkëlqyer që bëhen gjyqtarë dhe prokurorë. Unë jam i bindur se mund të gjenden njerëz të ndershëm dhe të përgjegjshëm për të udhëhequr Shqipërinë.
Andi Kumi: A e merr parasysh Departamenti Amerikan i Shtetit në marrëdhëniet me qeverinë shqiptare faktin që politikanët janë të korruptuar dhe a mendon për ata që i fshehin paratë e tyre në llogari jashtë vendit?
Andi, po, lufta kundër korrupsionit është përparësi madhore e Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe e Departamentit të Shtetit. Sigurisht që ne e marrim parasysh korrupsionin në pikpamjen e marrëdhënieve tona dypalëshe me Shqipërinë. Kjo është çështja kryesore që ngrihet gjatë takimeve tona të nivelit të lartë. Ajo që shpesh mua me çudit është se në vende të tjera me nivele të larta të korrupsioni, njerëzit e korruptuar i fshehin paratë e tyre jashtë shtetit, në Ishujt Kajman. Në Shqipëri, gjyqtarët, zyrtarët dhe biznesmenët e korruptuar e shfaqin pasurinë e tyre haptazi, në mënyrë që të gjithë mund ta shohin se sa të korruptuar janë ata. A mund dikush të më shpjegojë se pse ata e bëjnë këtë?
Igli Bisha: Përse Ambasada Amerikane nuk bojkoton çdo aktivitet, konferencë, takim, qe janë organizuara apo, ku bëjnë pjesë politikanë të implikuar në korrupsion?
Luti Kelmendi: A duhet që vendi juaj – i cili është miku ynë më i madh – të bojkotojë këta njerëz të korruptuar? Pra, thjesht të mos takojë asnjë politikan të korruptuar? Dhe së dyti, të na mbështesë ne si një komunitet që përpiqet të integrohet?
Igli dhe Luti, ju keni përmendur një prej sfidave që kemi. Është e rëndësishme që të punohet me qeverinë ndërsa punohet edhe për ndryshim. Unë nuk besoj se të gjithë politikanët janë të korruptuar dhe mendoj se gjërat do të ndryshojnë. Vetëm këtë vit, kemi parë disa prej tyre të japin dorëheqjen ose të pushohen nga puna. Është e rëndësishme që t’i mbani këta persona nën presion dhe të mos hiqni dorë.
Ardian Murizi: Ju lutem që ta vazhdoni presionin tuaj dhe të qeverisë suaj për pastrimin e politikës shqiptare nga kriminelët dhe nga analfabetët që po mbajnë peng fatin e shqiptarëve.
Ardian, ne kemi parë shumë zhvillim në procesin e dekriminalizimit gjatë këtij viti. Shqiptarët duhet të jenë krenarë. Ata iu bënë ballë këtyre kriminelëve dhe treguan se nuk do t’i tolerojnë ata në Parlament apo qeverinë lokale. Ka akoma shumë punë për të bërë, por ky është një fillim i mbarë.
Le Aleksi: Kur do ketë drejtësi vendi ynë, prokuroria, gjykata e koruptuar, shëndetësia nuk funksonon, arsimi i dobët, administratë jashtë funksionit hipoteka, e korruptuar pronat, kur do të jenë te pronari legjitim, 25 vjet zvaritje nëpër gjyqe, çdo instutucion, shtetëror është i korruptuar, gangrenën e shoqërise, shqiptare.
Aleksi unë shpresoj që në vitin 2016 ju dhe çdo qytetar shqiptar, do të shihni zbatimin e reformës në drejtësi dhe fillimin e ndryshimeve të vërteta. Do të duhet kohë për të larguar të gjithë gjykatësit, prokurorët dhe zyrtarët e korruptuar, por ndikimi shtrëngues i reformës madhore do të nisë menjëherë. Menjëherë ju do të shihni gjykatës, prokurorë dhe zyrtarë që do të kenë frikë nga pasojat e marrjes së rryshfetit. Unë shpresoj që ky ndryshim të vijë shumë shpejt.
Artan Toska: Korrupsioni i politikës po varfëron taksa-paguesin dhe po detyron qytetarët të emigrojnë pa kthim. Në këto 25 vite tranziçioni të pakuptimtë, shqipëtareve po ju zhvlerësohen Pronat dhe Jetesa. E vërtetë është eksperimenti i 25 viteve i ka kthyer qytetarët në pikën 0.
Artan, faleminderit për komplimentin. Unë jam i gëzuar që ju e quani veten një taksa-pagues. Patriotët e vërtetë i paguajnë taksat.
Saimir Allmuça: Në Shqipëri korrupsioni është përligjur edhe nëse nuk je pjesë e grupit përjashtohesh. Kështu më ka ndodhur mua personalisht ku kam punuar dhe dhënë kontributin tim në një institucion në vartësi të Kryeministrit por pranova të jem gardian i ligjit dhe më përjashtuan për motive politike.
Saimir, më vjen keq që ju keni humbur vendin tuaj të punës për arsye politike. Kjo i ka ndodhur mijëra njerëzve. Fatkeqësisht, kjo nuk është e vërtetë vetëm për periudhën e ndryshimit të qeverisjes në vitin 2013, pasi e njëjta gjë ka ndodhur edhe kur PD erdhi në pushtet në 2005. BE kërkoi një ligj që mbronte nënpunësin civil por fatkeqësisht ka shumë pak nënpunës civil dhe në shumë nga vendet e punës emërohen kandidatë politikë. Unë shpresoj që ju të punoni për të sjellë ndryshimin në këtë fushë.
Veronika Hasani: Sa më të korruptuar të jenë, më shumë i ngremë në detyrë. Qeverisemi nga blloku dhe nga baba Taku.
Veronika, është e vërtetë që shumë vende përballen me korrupsionin e lartë, por gjithashtu shumë vende edhe e kanë luftuar korrupsionin në nivele të larta. Zyrtarët e lartë duhet të kenë frikën se mund të përfundojnë në burg. Sot, në Shqipëri, ata nuk kanë frikë se do të hetohen, por nëse reforma në drejtësi do të zbatohet, ata do të fillojnë të kenë frikë.
Luan Kurti: Korrupsioni këtu është kthyer në mendësi, përsa kohë nuk ndëshkohet askush i pushtetshëm. Kriza e besimit është më e rëndë se varferia dhe kjo paralizon aksionin e shoqërisë civile. E keqja riciklon të keqen dhe si popull jemi të ftuar gjithmonë të zgjedhim të keqen më të vogël. Do më interesonte të dija vizionin tuaj se si mund të dilet nga kjo situatë?
Luan, ndryshimi vjen nga qytetarët. Një kolegu im nga Uashingtoni tha së fundmi, “Gjelat e Detit asnjëherë nuk kanë të drejtën e zgjedhjes për Krishtlindje.” Me këtë, ai donte të thoshte se ne nuk mund të presim që zyrtarët apo gjykatësit e korruptuar të luftojnë korrupsionin. Me ndihmën e miqve tuaj ndërkombëtarë dhe me komunitetin aktiv të shoqërisë civile në Shqipëri, unë jam i sigurtë që qytetarët e thjeshtë do të mund të sjellin ndryshimin.
Eros Kroni: A nuk mendoni se autoriteti juaj do ishte i një vlere të jashtëzakonshme, nëse do organizonim një propagandë dashamirëse për të ngritur lartë dashurinë e shqiptarëve për atdheun dhe krenarinë për prejardhjen e tyre të lashtë?!
Eros, mua më kanë thënë se shqiptarët kanë një shprehjë, “duaje athdeun si shqiponja folenë.” Unë mendoj se shqiptarët janë shumë besnikë ndaj Shqipërisë. Fatkeqësisht, kjo nuk zbatohet me të njëjtin angazhim në luftën kundër korrupsionit apo bizneseve të ndershme.
Hamide Hoxha: Rruga më e mirë është ti sekuestrohen pasuritë atyre që i kanë vënë nëpërmjet korrupsionit dhe ti ndalohet të vendosen në postet publike. Për mua futja thjesht në burg është e gabuar se do na duhet të shpenzojmë përsëri taksat për ti mbajtur në burg.
Hamide, unë mendoj se versioni ekzistues i ligjit për dekriminalizimin e ndalon shumicën e njerëzve të dënuar që të kandidojnë sërish. Ky ligj do të largojë gjithashtu edhe politikanët që kanë precedentë kriminale. Megjithatë, nuk i konfiskon pasuritë e tyre. Mbase ju mund të sygjeroni këtë gjë.
Pano Fejzulla: A e dini egzistencën e organizimit për rrëmbimin e çfarëdo financimi që del nga shteti dhe donatori të huaj dhe që pjesa e tyre i përkasin ish persekutorëve.
Pano, mos u dorëzo. Ndryshimi po vjen. Të heqësh dorë dhe të largohesh nga atdheu yt nuk është asnjëherë përgjigja e duhur. Bashkohu me shoqërinë civile. Bëhu një gazetar i ndershëm. Bëj punë vullnetare për të mbështetur komunitetin tënd.
Doni Nido: Z.Ambasador, je njeri i shkëlqyeshëm, më pëlqen jashtë zakonisht ndëryrjet e tua në politikën shqiptare je shumë orgjinal dhe i pa kursyer, nderimet e mia suksese në punën tuaj.
Nihat Abeli: Përgëzime për kontributin që po jepni për ngritjen e vendit tim në një shkallë të tillë që popullit tim ti ringjallet shpresa e humbur.
Doni dhe Nihat, jeni shumë të sjellshëm. Ne jemi të kujdesshëm dhe nuk përmendim emra, përveçse në rastet kur jemi të sigurtë mbi aktivitetin kriminal apo dënimet e tyre. Ne e marrim seriozisht respektin që kanë shqiptarët për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë të sillemi me përgjegjësi dhe pa kursyer askënd.
Deni Kroj: Njerëzimi nuk duhet të vuajë për bukën e gojës dhe ne nuk e meritojmë këtë gjë…ne drejtohemi nga njerëzit e mafias dhe nëse kërkojmë diçka, më keq është. Ju jeni në drejtimin e duhur. Ju lutem, mos hiqni dorë.
Deni, Mero Baze shkruante sot se unë jam nuni i reformës në drejtësi. Ne nuk kemi frikë nga mafia apo krimi i organizuar. Dhe mendojmë se as qytetarët shqiptarë nuk duhet të kenë frikë prej tyre. Ne jemi shumica. Ata janë pakica. Ne mund të mos kemi paratë apo banditët që ka mafia, por ne kemi njerëz të zgjuar dhe të ndershëm në anën tonë. Ne do të fitojmë.
Ardi Seitllari: Ju mund të keni hidhëruar apo edhe trembur disa nga fytyrat e “gjyqtarëve tanë të nderuar” (sa ironike) në konferencën e gjyqësorit, por jashtë dyerve të asaj konference shqiptarët u gëzuan dhe e duatrokitën fjalimin tuaj. Ashtu sic e dinë të gjithë, fatkeqësisht, këta gjyqtarë nuk janë të vetmit njerëz të korruptuar në Shqipëri. Nëse ju jepet rasti, a do të mbanit të njëjtin fjalim edhe në Parlamentin shqiptar dhe t’u drejtoheni deputetëve, të cilët kanë më shumë sesa ora të shtrenjta.
Ardi, uau, pyetje shumë e mire. Unë dyshoj se do të më kërkohet të flas në parlamentin shqiptar së shpejti. Unë mendoj se nuk janë vetëm gjyqtarët të cilët e kuptojnë se populli shqiptar është duke vëzhguar se çfarë makinash ata kanë, çfarë orësh apo bizhuterishë ata veshin dhe cilat vila në bregdet ata blejnë. Populli shqiptar është i zgjuar dhe është i lodhur me këto teprime.
Astrit Hysaj: Z. Ambasador, rreth 6 muaj më parë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë solli në Shqipëri një prokuror amerikan për të ndihmuar prokurorët shqiptarë në hetimin e ish ministrave dhe kryeministrave të korruptuar. A mund ta dimë se me çfarë rasti po merret ai? A mbylli ndonjë hetim? Shqipëria ka nevojë për ndihmë pasi të gjithë kriminelët janë të lirë.
Përshëndetje Astrit, kolegu im nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë po punon fort për të siguruar mbështetje teknike për prokurorët shqiptarë në zyrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ata kanë punuar sëbashku në disa raste të rëndësishme anti-korrupsioni. Unë duhet të sqaroj, gjithsesi, se të gjitha këto raste janë duke u drejtuar dhe hetuar nga prokurorët shqiptarë. Ekspertët e Shteteve të Bashkuara kanë vetëm rol këshillues.
Sabina Koka Marsh: Çfarë mund të bëjë Ambasada e SHBA për të ndihmuar shqiptarët të kuptojnë natyrën dhe shtrirjen e korrupsionit që ekziston brenda qeverisë së tyre? A mundet Ambasada Amerikane të japë udhëzime, apo të sigurojë shqiptarët që ndihen në rrezik në ngritjen e padive për të ndryshuar ose përmbysur disa ligje joetike që janë vënë përpara për të mohuar shqiptarët dhe të drejtat e tyre? Shpresa ime e sinqertë është që Ambasada Amerikane do të ndërmarrë hapa me qeverinë Amerikane dhe atë shqiptare për të ndihmuar shqiptarët të marrin sërish në dorë vendin e tyre.
Përshëndetje Sabina. Në korrik unë pata mundësinë që të vizitoj Himarën dhe të takohem me disa udhëheqës të komunitetit etnik grek në Shqipëri. Dëgjova nga të gjithë ata në lidhje me konfiskimin e paligjshëm të pronës dhe mohimin e të drejtave. Ne i ndjekim çështjet e këtij komuniteti me shumë vemendje. Ne e bëjmë këtë gjatë zgjedhjeve dhe sa herë që ka një krizë. Gjithashtu ne kemi anëtarë të stafit që e vizitojnë rregullisht rajonin. Nëse shqiptarët kanë shqetësime personale lidhur me të drejtat e njeriut, ata mund t’i drejtojne ato në Ambasadën Amerikane dhe në zyrën e Avokatit të Popullit të Shqipërisë.
Dritan Dema: Nëse Institucioni që ju drejtoni (Ambasada e SHBA-Tiranë SHBA), janë dyshuar për të njëjtin nivel të korrupsionit siç dyshohet për institucionet e sistemit shqiptar të drejtësisë, çfarë do të bënit ju për të trajtuar atë? E fundit, një fjalë e urtë shqiptare thotë: “peshku prishet nga koka”, a ka një shprehje të ngjashme në SHBA apo të njëjtën gjë? Nëse koha lejon që ju ti përgjigjeni pyetjes time, unë ju falënderoj paraprakisht për mendimin tuaj mbi këtë. Së fundi, ju falënderoj për mundësinë dhe jam mirënjohës për luftën për një kauzë të tillë kaq të madhe. Jini i sigurtë se ju keni mbështetjen e plotë të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë në Shqipëri dhe më gjerë.
Dritan, e mbaj mend shprehjen “peshku prishet nga koka” që kur mësoja gjuhën shqipe në Uashington, DC. Nuk besoj se ne kemi të njëjtën shprehje në gjuhën angleze. Unë mendoj se ka korrupsion të nivelit të lartë në Shqipëri. Korrupsioni ekziston në çdo vend në botë. Pyetja e vërtetë është çfarë bëjmë ne për të luftuar korrupsionin. Në shumë raste në Shtetet e Bashkuara, kur ka akuza për korrupsion, ata hetohen, dhe nëse janë të vërteta, njerëzit ndëshkohen. Unë personalisht, gjykoj se njerëzit me të cilët punoj kanë norma të larta etike në punë, dhe në vendet e tjera në të cilat të kam shërbyer, i kam pushuar nga puna ata të cilët kanë qenë të përfshirë në veprimtari të paligjshme. Përsa i përket pyetjes se si unë personalisht veproj kur takoj dikë që është i korruptuar, do të jem i sinqertë: unë shqetësohem nëse bëj foto apo shtrëngoj duart me zyrtarë, gjykatës dhe prokurorë që njihen si të korruptuar. Askush nga ne nuk duhet të jetë mospërfillës dhe të injorojë korrupsionin kur e hasim atë në jetën tonë të përditshme.
Denis Dulla: Zoti Lu mua më duket e pamundur që një grup të korruptuarish, vjedhës e në disa raste edhe kriminela pa bërë përgjithsime, mund të votojnë Reformën në Drejtësi, pa u sigurur që kjo reformë s’do prekë interesat e tyre dhe vetë ata?!
Denis, ndryshimi vjen nga qytetarët. Një kolegu im nga Uashingtoni tha së fundmi, “Gjelat e Detit asnjëherë nuk kanë të drejtën e zgjedhjes për Krishtlindje.” Me këtë, ai donte të thoshte se ne nuk mund të presim që zyrtarët apo gjykatësit e korruptuar të luftojnë korrupsionin. Me ndihmën e miqve tuaj ndërkombëtarë dhe me komunitetin aktiv të shoqërisë civile në Shqipëri, unë jam i sigurtë që qytetarët e thjeshtë do të mund të sjellin ndryshimin.
Martin Hicka: Përse po shtyhet reforma?! A ka dijeni “Departamenti i Shtetit” për këtë zvarritje?! Ju kujtoj që jemi në dhjetor dhe duhet të kishin kaluar ndryshimet kushtetuese.
Përshëndetje Martin. Nuk do të thoja që reforma në drejtësi është vonuar. Kjo është një reformë e rëndësishme dhe e ndërlikuar që meriton një bashkëbisedim të plotë midis shoqërisë shqiptare. Kjo kërkon kohë. Unë besoj se Komisioni i Posaçëm veproi me zgjuarsi duke i dërguar projekt-ndryshimet në Komisionin e Venecias për komente. Këtë muaj ne presim mendimin paraprak të Komisionit të Venecias. Ky mendim, së bashku me komentet e marra nga 19 tryezat e rrumbullakta publike, duhet të ndihmojë ekspertët që të bëjnë ndryshime në përmirësimin e projektit aktual. Unë shpresoj se në pranverë do të shohim miratimin e këtij grupi ligjesh dhe ndryshimesh kushtetuese.
Artan Resuli: Kush është aksioni që duhet të ndërmarrë cdo qytetar në nivel personal për të ndryshuar në drejtimin e duhur situatën në Shqiperi? Shpresoj që përgjigja juaj të jetë e thjeshtë dhe e drejpërdrejtë.
Artan, mos u dorëzo. Ndryshimi po vjen. Të heqësh dorë dhe të largohesh nga atdheu yt nuk është asnjëherë përgjigja e duhur. Bashkohu me shoqërinë civile. Bëhu një gazetar i ndershëm. Bëj punë vullnetare për të mbështetur komunitetin tënd.
Indrit Sejko: Pyetja ime është se çfarë është detyra e studentëve që kanë studiuar jashtë shtetit në këtë moment dhe si mund të japim kontributin nga këtu ku jemi ose të kemi rol aktif në këtë periudhë ndyshimesh? Duke pasur parasysh edhe numrin e madh te studenteve qe janë diplomuar jashtë shtetit.
Indrit, pyetje e mrekullueshme. Unë mendoj se ata që kanë pasur mundësi që të marrin një edukim të shtrenjtë (përfshirë edhe mua) kanë një detyrim të veçantë ndaj shoqërisë. Unë shpresoj se në cilindo komunitet ju jetoni apo në çfarëdo profesioni që keni zgjedhur, ju po ndihmoni në krijimin e një kulture të bashkëbisedimit dhe debatit aktiv rreth korrupsionit, reformës në drejtësi dhe mënyrat për të përmirësuar Shqipërinë.
Anduel Et’hemaj: Duke parë zvarritjen e procesit të dekriminalizimit dhe reformës në drejtësi (pavarësisht presionit të diplomatëve të huaj) si nga pozita ashtu dhe nga opozita a nuk tregon kjo përfshirjen e të gjitha palëve si në korrupsion ashtu dhe në krim? A nuk do të thotë kjo që të gjitha alternativat e ofruara për qeverisje janë të korruptuara dhe të inkriminuara? Atëhere çfare rruge/alternativë mund dhe duhet të ndjekim? Duke marrë parasysh popullin shqiptar dhe mentalitetin e tij i cili ndryshon nga ai i USA.
Anduel: Unë nuk mendoj se amerikanët dhe shqiptarët ndryshojnë kaq shumë. Ne të gjithë duam një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Ne duam të fitojme para mjaftueshem për të mbajtur familjet tona. Ne duam të jetojmë në një botë ku ne trajtohemi në mënyrë të drejtë dhe me respekt. E kemi parë këtë çështje të ngritur shumë herë – nëse ky parlament (me të gjitha problemet e tij) është i aftë për të miratuar reformën në drejtësi. Unë besoj se ka shumë njerëz të nderuar në Kuvend dhe nëse ata kanë mbështetjen e popullit shqiptar, miratimi i kësaj reforme është i mundur.
Kim Krasniqi: Si ka mundësi që Shqipëria është pjesë e NATO-s por jo e BE?
Kim, siç e dini, SHBA janë anëtare të NATO-s, por jo të BE. Kur Shqipëria përpiqej për t’u anëtarësuar në NATO, Shtetet e Bashkuara e mbështetën hyrjen e saj, por edhe e ndihmuan Shqipërinë për të përfunduar reformat e nevojshme për t’u kualifikuar për anëtarësim. Tani unë shoh që Bashkimi Europian është duke bërë të njëjtën gjë. Unë jam i bindur se Shqipëria do të anëtarësohet në B.E. Kjo është e ardhmja e saj. Pyetja e vetme është se kur do të ndodhë kjo.
Çerçiz Loloçi: Zoti Ambasador, a nuk do te ishte shume e vlefshme nga ana juaj qe disa politikane majtas dhe djathtas, gjyqtare, prokurore dhe shtetare te larte te korruptuar dhe te inkriminuar te shpalleshin non grata nga ju si SHBA dhe nga gjithe vendet perendimore?
Çerçiz, kjo është një super pyetje. Në fakt, ekziston një vendim presidencial (numër 7750 -https: //www.gpo.gov/fdsys/pkg/FR-2004-01-14/pdf/04-957.pdf) në Shtetet e Bashkuara i cili i jep Sekretarit të Shtetit dhe Prokurorit të Përgjithshëm autoritetin për të ndaluar zyrtarët, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Siç e kemi thënë edhe më parë, ne jemi duke shqyrtuar disa individë në Shqipëri për të përcaktuar nëse – duke u bazuar në këtë vendim presidencial – atyre duhet t’i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Odeta Çunaj: Pse besoni që me reformimin e ligjit do luftohet korrupsioni në Shqipëri? Kush do e bëj këtë kur nga parlamenti deri tek roja në zyrën më të pa rëndësishme në fshatin më të humbur të Shqipërisë është i korruptuar. Ku do gjenden njerëz për të zbatuar këto ligje?
Odeta, mosbesimi juaj është i kuptueshëm. Reforma në drejtësi do të jetë e vështirë. Kjo nuk mund të kundërshtohet. Unë pajtohem me mendimin se zbatimi i kësaj reforme do të jetë një sfidë e madhe. Për shembull, një pjesë e rëndësishme e reformës së propozuar është kontrolli i të kaluarës, përvojës, vendimeve dhe pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë. Ekspertët kanë propozuar në reformë që ky kontroll të kryhet nga ekspertë ligjorë shqiptarë (të propozuar nga Avokati i Popullit dhe të miratuar nga Kuvendi), të cilët do të mbikëqyren vazhdimisht nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Unë, personalisht, jam i bindur se ka njerëz të ndershëm në Shqipëri që mund ta bëjnë këtë detyrë të vështirë.
Angela Brahaj: Si ka mundësi që çdo qeveri që nga viti 1991 nuk ka vënë përpara drejtësisë ndonjë nga udhëheqësit ish komunistë? Berisha Nano, Rama, Meta, Gjinushi, Pëllumbi, Ruçi, unë mund të kaloj gjithë ditën duke shkruar emrat e tyre, të gjithë këta njerëz janë mbrojtësit e administratës ish komuniste, të gjithë këta njerëz në një pikë kanë shërbyer në qeverinë e Hoxhës. Deri më sot asnjëri prej tyre nuk është vënë përpara drejtësisë, gjyqtarët janë të gjithë ish komunistë. Unë nuk mendoj se ne populli shqiptar meritojmë më mirë, sepse ne nuk e dimë se si të votojmë ose që të votojnë, ne shesim votat tona për një vakt. Korrupsioni do të vazhdojë për aq kohë sa të gjithë këta njerëz të jenë në pushtet. Ndryshimi ndërmjet njerëzve dhe politikanëve është si nata me ditën. Ju lutem, a mund të nxisni dhe ta përfshini në axhendën tuaj mbështetjen e njerëzve që me të vërtetë kanë vuajtur nga të njëjtit njerëz që janë tani në pushtet. Gjyqtarët dhe prokurorët janë të gjithë pjesë e sistemit të korrupsionit. Gjithë të mirat!
Angela, ju ngrini një çështje të rëndësishme mbi të kaluarën komuniste të Shqipërisë. Unë kam punuar në disa vende ish-komuniste, por nuk jam ekspert në të kaluarën komuniste apo të dhënat vetjake të politikanëve të Shqipërisë. Mendoj se është e nevojshme që shoqëritë të trajtojnë historinë e tyre dhe të mos përpiqen të fshehin të kaluarën. Pranverën e kaluar, unë i mbështeta përpjekjet e qeverisë për miratimin e ligjit të lustracionit, duke arsyetuar se shqiptarët sot kanë një mundësi për të folur në lidhje me historinë e tyre përpara se ata që e përjetuan atë periudhë të mos jenë më. Me rënien e komunizmit përpara 25 vjetësh, kjo mundësi do të ekzistojë edhe për pak vite të tjera.
Taulant Muka: A ndodh që në Amerikë një person me profesion mjek të mbylli muajin me mundim dhe sakrificë (për mjekët në sistemin publik)? PS: Mendoj se 2-fishimi pagave të mjekëve do ta ulte korrupsion në mjekësi në mënyrë drastike). Gjithashtu para pak ditësh kam parë një dokumentar me titull rreth klimës “Cosmos: A Spacetime Odyssey – S01E12” rreth klimës dhe më ka shqetësuar shumë. Presidenti Obama po bën shumë përpjekje, para 2 ditësh shkaktarët më të mëdhenj për emetimin e CO2 (Kina, India, Arabet) u dakortësuan për çështjen e klimës. Në Shqipëri rreth 50% e pyjeve janë prerë këto 25 vite në mënyrë abuzive dhe korruptive. Qeveria ka vënë moratorium dhe kjo është arritje. Si mund të kontribojmë unë, miqtë e mi, shteti im në këtë problem kaq serioz dhe të rëndësishëm për planetin?
Taulant, faleminderit për komentet tuaja. Unë jam shumë i lumtur që SHBA dhe Shqipëria punuan së bashku me 150 shtete të tjera për të arritur marrëveshjen historike mbi ndryshimet klimaterike. Nipërit tanë do të na falenderojnë. Unë jam takuar me disa doktorë dhe profesionistë të fushës së shëndetësisë qëkur kam ardhur në Shqipëri. Keni shumë të drejtë kur thoni se pagat për stafin mjekësor të kualifikuar janë shumë të ulta. Tani ka edhe shumë diferencë midis stafit mjekësor në spitalet publike krahasuar me stafin e spitaleve private. Edhe në Shtetet e Bashkuara ekziston i njëjti problem. Është e rëndësishme që ky problem të ngrihet dhe të punohet që doktorëve, infiermiereve dhe profesionistëve të tjerë t’u jepen rroga të drejta.
Bledi Taho: Cila do të ishte ndërhyrja më e mirë për të ulur korrupsionin e lartë dhe përmirësuar aksesin e barabartë në shërbimet publike për komunitetin Rom?
Përvoja ime më ka mësuar se disa prej njerëzve me të drejta më të pakta në shoqëri janë më të prekshem ndaj korrupsionit. Disa nga nismat aktuale kundër korrupsionit përfshijnë faqe në internet dhe transparencë të pasurive dhe buxheteve. Në kuadrin e komunitetit rom, ne gjithnjë kemi menduar se një nga pengesat kryesore për qasjen ndaj shërbimeve dhe përfitimeve është mungesa e dokumentave të identitetit. Shumë foshnja janë lindur në komunitetet rome në Shqipëri, por lindjet nuk janë të regjistruara. Kjo mund të shkaktojë probleme përgjatë gjithë jetës së këtij fëmije ndërsa arrin moshën madhore pa dokumenta identifikimi. Ministria e Brendshme dhe Organizatat Jo Qeveritare vendase, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, janë duke punuar në mënyrë aktive për të edukuar familjet rome mbi të drejtat që ato kanë për të pasur shërbime, përfshirë të dhënat e lindjes dhe dokumentat e identifikimit sipas ligjeve shqiptare. Pyetje e mrekullueshme.
Unë dua të falenderoj të gjithë ju që morët pjesë në këtë bisedim në Facebook. Mësova shumë mbi atë që shqiptarët mendojnë nëpërmjet komenteve dhe pyetjeve tuaja. Mirëpres me kënaqësi që të takoj personalisht disa prej jush, si dhe vazhdimin e kësaj bisede. Do të bashkëbisedojmë sërish. Gjithë të mirat, Don.
PROMETHEU I KADARESE
Prometheu në të parën dhe të vetmen tragjedi të shkrimtarit shqiptar Kadare, edhe në Olymp stinë e mërzitshme/
Nga Çerçiz Loloçi/
1.
Pas botimin në frëngjisht, siç ngjet rëndom me një pjesë të konsiderueshme të krijimtarisë së tij në dy dekadat e fundit, është publikuar në shqip e para dhe e vetmja pjesë teatrale e Ismail Kadaresë “Stinë e mërzitshme në Olymp”, një tragjedi e pesëmbëdhjetë hyjnive që zbulohen përpara lexuesit në katërmbëdhjetë akte. E destinuar për t’u vënë në skenë, “Stina…” është luajtur në fragmente të saj nga një trupë franceze e Lionit si dhe nga trupa shqiptare e Teatrit Kombëtar, por përtej shfaqjeve ajo ruan të tjera befasi në faqet e librit. Prometheu, një prej figurave më sipërane dhe më enigmatike të mitologjisë greke, figurë qendrore në këtë tragjedi moderne, duket se ka përmbushur një brengë të përhershme të autorit, teksa shfaqet në mënyrë të plotë dhe gjithështerruese.
Prometheu, një figurë e kahershme e antikitetit, pa qenë ndër hyjnitë më të sipërpërmendur të asaj kohe të largët, do të shndërrohej megjithatë ndër protagonistët më elitarë të postmitologjisë jo aq për akt-dhurimin e zjarrit në komunitetin njerëzor por sidomos për rebelimin e parë antiperëndi ku shembëlltyrat e tjera të mëvonshëm nuk do të ishin gjë tjetër veçse kopje të zbehta dhe të paplota. Duke qenë vetë perëndi, ai vjen e konfliktohet me kryeperëndinë, Zeusin, jo thjesht për t’i ngritur vetes një përmendore përjetmësisht të rrejshme, (çka nuk ka ndodhur me të tjerë zotër dhe bij të perëndisë, Krisht apo Muhamet), por sepse më shumë se të gjitha hyjnitë ai ka zbuluar sekretin e madh se nuk ka jetë qiellore pa atë tokësore. Dy testamentet po aq të hershme të besimit kristian dhe të atij musliman, (si edhe të besimeve të tjera ndoshta më të hershme por më pak të populluara), me të dërguarit e tyre respektivë nuk kanë qoftë edhe një resht ngritjekrye prometheiane, megjithëse kanë të ngjizur sakrifikimin e tij për botën njerëzore. Buda, Krishti, Muhameti, të plotëfuqishëm të tjerë të perëndisë, teksa kanë përsosur misionin prometeik të shërbestarit ndaj njerëzimit, asnjëherë nuk kanë vënë në dyshim se diçka nuk shkon mirë edhe te kryezotat e tyre. Titani i mitologjisë, përveç që e cilëson Zeusin si tiran të pashpirt, përshkruan gjithashtu edhe ardhjen kriminale të tij në majë të kupolës qiellore përmes vrasjeve dhe krimeve të tmerrshme, përfshi edhe sakrifikimin monstruoz të të atit, Kronosit.
Pra, Prometheu, duke qenë i këtyre përmasave kozmike, detyrimisht që ka trazuar shumë personalitete të letrave në të gjitha kohët. Një prej studiuesve francezë, Erik Faje, në parathënien shoqëruese të tragjedisë, përmend disa prej autorëve të mëdhenj që kanë për bazë mitin e Prometheut. “Në shekullin e dytë para Jezu Krishtit autori latin Lucius Accius, i cili pëlqente të imitonte tragjeditë e sivëllezërve të tij grekë, u pri, gjithashtu, nga figura e titanit Promethe. Lucien de Samosate, në fillimet e erës sonë mori përsëri këtë figurë, por në mënyrë satirike. Ndër shkrimtarët modernë, Volteri e rishqyrtoi atë te “Pandora”, Calderon de la Barca te “Statuja e Prometheut” e kështu me radhë gjermanët e anglezët që nga Wieland te Gëte e nga Bajroni te Shelly e që prej këtij të fundit kemi një dramë me katër akte “Prometheu i çliruar”. Ndërkaq Eskili ka një variant tjetër të pahumbur me “Prometheun e mbërthyer”, si një pjesë e një triologjie homonime ku dy prej tyre “Prometheu i çliruar” dhe “Prometheu në Olymp” u zhdukën në rrethana krejt misterioze e të pashpjegueshme së bashku me pjesën më të konsiderueshme të krijimtarisë së tij.
2.
Kontaktet dhe pikëtakimet e Kadaresë me humbësin dhe kolosin e madh të antikitetit, Eskilin, ravgojnë çprej fëmijërisë, nga qytetlindja e autorit ku mitet dhe ndodhitë e zakonshme përziheshin krejt natyrshëm dhe pa kurrfarë sforcimi. Vargje të tëra të shkrimtarëve antikë, fragmente dramash, tragjedish e komedish, balada, legjenda, rituale dasmash e vdekjesh, histori të frikshme që ndiqnin një rrjedhë zinxhir si shtëpitë e rrasura nguc e nguc ishin atje, në kryeqendrën jugore, shqip dhe greqisht, pa të cilat s’mund të kuptohej asnjë fëmijëri. Pastaj, në moshë ta madhuar, tridhjetë e një vjeçar, Kadare do të provonte të shkruante një variant të vetin prometheian ku titani i braktisur është mbërthyer në një shkëmb kaukazian me shpretkë të zmadhuar dhe me shpresën e ardhjes së shkabës çukitëse. Shfaqja e shpendit, çukitja e shpretkës së stërmadhe liron përkohësisht Prometheun për ta degdisur në një sakrifikim tjetër. Tregimi tjetër i po atij viti, më i plotë, i strukturuar në tri pjesë si një minitriologji, do të ketë të përmbledhur krejt informacionin për mitin. Një pesëmbëdhjetë vjeçar më pas, autori do të shkruante dhe rishkruante variantin e vet të triologjisë duke parathënë krijimin e madh me parathënien eskiliane dhe përkthimin e Orestias.
3.
“Stinë e mërzitshme në Olymp” duke u fokusuar me jetët dhe punët e fuqive të tejnatyrshme do të përqëndrohet më shumë në sferën qiellore. Dukja e parë: qiell-Olymp; dukja e dytë: gjithmonë qiell; dukja e katërt: qiell; dukja e pestë: qiell-natë; dukja e nëntë: qiell-Olymp; dukja e njëmbëdhjetë: Olymp; dukja e dymbëdhjetë: Olymp, dukja e katërmbëdhjetë: Olymp. Katër skena-dukje zhvillohen në tokë (dukja e tretë, e gjashtë, e shtatë dhe e dhjetë), ndërsa kemi edhe dy dukje të tjera: njëra nëntokë (dukja e trembëdhjetë) dhe dukja e trembëdhjetë që ndodhet përsipër Olympit, në Malin e Bardhë. Pra, tragjedia shpërfaqet në katër rrafshe në funksion të zbërthimit të figurës së Prometheut. Pra kemi katër banesa të ndryshme ku perënditë dhe njerëzit lëvizin në mënyra të ndryshme: më shpejt ecin llumnajat e qënieve që e kanë një cak, vdekjen dhe më ngadalë e më e zymtë ecin zhvillimet në rrafshin qiellor ku ky cak është i panjohur. Siç ngjet me veprat e mëdha, edhe në këtë tragjedi, autori nuk rreket të shpjegojë aktin e vjedhjes së zjarrit prej Olympit dhe përçimi i tij te njerëzit, nuk i kushton vëmendje gjithashtu krimeve të kryera prej tij si gjithë hyjnitë, por duket se e fut lexuesin në një fill të mistershëm që zbulohet gradualisht nga akti në akt. Dukja e parë e dramës, megjithëse me personazhe të njohur të sferës qiellore, të krijon ndjesinë e një diçkaje të madhe që ka ndodhur apo që paralajmërohet të ndodhë. Dhe kështu akt pas akti merret vesh grindja e madhe mes Zeusit e titanit të zjarrit, por ndryshe nga çfarë është përshkruar nga autorë të mëparshëm, Kadare zbulon se dhimbjet fizike i përjeton Prometheu, ndërsa ankthi i pafund gjendet te kryezoti, Zeusi. Studiuesi i Kadaresë vëren me të drejtë se autori “na jep këtu gjithë përmasat e lirisë krijuese; ai kontrollon me kujdes të madh jo vetëm rubinetat e rrjedhjes së kohës, por edhe tri zonat e mëdha të perandorisë krijuese: sipërfaqen tokësore ku Prometheu është mbërthyer dhe ku njerëzit po qytetërohen, nëntokën, vendbanimin e zotit të Ferrit, pra themelet e botës ku është hedhur titani dhe qiellin, përmes të cilit qarkullojnë perënditë dhe shkabat… por në këtë qiell klasik është futur një nocion me kurorë misteri, ai i një qendre, instancë e lartë për të cilën s’dihet asgjë, por së cilës i binden të gjithë duke filluar nga vetë Zeusi…kemi kështu një akt të ri në hierarkinë e fuqive superiore, diku në kozmos, si për të ngritur statusin e një vrime të humbur të provincës tokësore”.
Të tjerë për Kadarenë
Një nga romancierët më të shquar të kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët.
Bruce Bauer, Wall Street Journal
Proza e Kadaresë vezullon me realizmin magjik të Gabriel Garsia Markesit.
Los Angeles Times Book Review
E kemi thënë më parë dhe do ta themi prapë: kur do ta njohë Stokholmi kalibrin e jashtëzakonshëm të këtij shekulli?
Figaro Litteraire, Paris
E kanë krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Oruellin. Por ai i Kadaresë është zë original, universal e prapë me rrënjë të thella në tokën e vet.
Shusha Guppy, Indipendent on Sunday
Kadare është i rrahur në të gjitha dallgët e artit modern bashkëkohor. Veçse ai gëzon avantazhin e madh që kurrë të mos ketë pasur nevojë të çajë kryet për recezentët gjermanë. Ai ka mundur ta mbrojë veshjen e artit të tij nga gjithë luspat e shëmtuara të “izamve” zhurmëmëdha, aq shumë të çmuara prej doktorëve tanë të kritikës… Vepra e tij, sa ç’është ushqim shpirtëror, po aq është edhe art sublim.
Michael Kleeberg, “Die Welt”, korrik 2002
Gjëja më ideale në letërsi është kur lexon diçka të sapobotuar dhe e kupton që kjo do të bëhet klasike. Kjo gjë ideale ka për titull romanin “Përballë pasqyrës së një gruaje” dhe i përket më të madhit shkrimtar të gjallë të kohës, Ismail Kadaresë.
Guillaume Allary, “Elle”, korrik 2002
Lexuesi amerikan sapo mori në dorë romanin e ri të mrekullueshmë të Ismail Kadaresë “Lulet e ftohta të marsit”.
Jonathan Levi, “Los Angeles Times”, korrik 2002
Çdo vit, pothuaj gjatë një dhjetëvjeçari, Kadareja u ka dhënë lexuesve të vet nga një roman, që i befason dhe i shtang ata, i prek në shpirt, u ngjall ndjenja e mendime të thella… Ka ardhur koha që Kadareja ta marrë çmimin që e meriton… Jepjani Kadaresë çmimin Nobel!
Magazine litteraire”, Paris.