– Çeshtja Doshi para se penale është një aferë politike tinzare/
Nga KOLEC TRABOINI/
Kur dëgjon nga prokurorët që nuk sjellin asnjë fakt të qenësishëm para Këshillit të Mandateve të Kuvendit Popullor, por përsërisin pafundësisht si robotë të telekomanduar se duam ta arrestojnë deputetin Tom Doshi se kështu e kërkon procedura, me të vërtetë drithërohesh se kështu flisnin vetëm prokurorët e Enver Hoxhës pa asnjë nuancë dallimi, ndoshta me shkakun, le të hamendësojmë, se këtë punë si prokurorë e kanë bërë zellshëm edhe në kohën e diktaturës komuniste dhe përballë kishin një njeri që kishte në rrethin familjar e fisnor 5 të pushkatuar nga regjimi monist. Nuk duam të paragjykojmë por më thoni ju lutem që të kthjellohem, në cilin vend të botës, veç diktaturave tipike, mund të paraqitet një akuzë e tillë budallaqe dhe pas disa orësh deputeti të shkojë në qeli. Nuk marr përsipër të them cila është e vërteta, e sajimit apo ekzistimi të një plani të Ilir Metës për eliminimin fizik të deputetit të Shkodrës, njëkohësisht as të marr në mbrojtje kauzën e Tom Doshit se ai i ka avokatët e tij të specializuar, por jam sinqerisht i trishtuar me këtë gjendje katastrofave në institucionet tona të drejtësisë që janë themeli i shtetit, ku ligjet interpretohen në mënyrën më banale dhe mjerane madje edhe të dënueshme. Të arrestohesh se ke thënë kështu e jo ashtu, fort e lemeritshme kur ke parasysh se një Fullan, mik darkash e drekash i politikanëve të lartë, e nxorën nga qelia ani pse ishin vjedhur jo pak por mbi 7 milion dollarë në Bankën e Shtetit. Po kush pyet sot për paratë e popullit? A keni parë të lëviz prapanicën nga kolltuku ndonjë nenpunës në Kontrollin e Lartë të Shtetit që duhej të ishte më i fuqishëm e rigoroz se vetë prokuroria. Po le të vazhdojmë me linjën e arsyetimit të çeshtjes së deputetit Doshi, që kërkojnë ta dënojnë për një fjalë e the – nuk e the, kur vetë drejtori i policisë së shtetit tha publikisht një të pavërtetë spektakolare, që nuk e kam takuar dëshmitarin Bami të cilin më vonë doli se e kishte takuar. Pse nuk ndalohet edhe ky bashkë me Tom Doshin me të njëjtën akuze sepse në të vërtetë kemi një delikt verbal. Po a ka ndonjë pikë dinjiteti funksioni i një shtetari apo nënpunësi, ndërkohë që deputeti që ankon kundër kryeparlamentarit se ky ka kurdisur një atentat, arrestohet pamëdyshje për dyshimin që kish, kur dyshimi nuk përbën krim. Pra kish bërë të njëjtën gjë si drejtori i policisë së shtetit. A mundet ligji të interpretohet ndryshe në të njëjtën kohë e për të njëjtën çeshtje ku janë përfshirë të dy palët? Meqë ndodh kësisoj, atëherë në këtë vend nuk duhet të flasësh as kur kërkon të mbrosh jetën tënde e të familjes, se po vihet në funksion neni 55 i lemeritshëm që po folë për shtetarët të pret burgu. Mesazhi ogurzi për popullin dhe intelektualët është i qartë: Mos guxoni të flisni. E frikshme për opinionin publik! Dëshiroj të jem i gabuar në hamendësime por ndjej një instalim sado në zanafillë të diktaturës, sepse të mos harrojmë diktaturat nuk janë vetëm pjella të komunizmit, i pjell edhe kapitalizmi kur pushteti bie në duar autokratësh e sistemi demokratik nuk funksionon, i pjell edhe ambicia për pushtet të individëve të mbështetur nga forca të errëta apo të verbra. Kemi parë se si Italia, një vend demokratik, ka kaluar në diktaturën e Musolinit, Gjermania shkallë shkallë me demagogji në atë të Hitlerit, Greqia me grusht shteti në Juntën e Jorgo Papadhopulos e plot shembuj të tjerë. Kur institucionet e shtetit marrosen e dalin jashtë kontrollit, do të ndodh që, “Republika të lëngojë për vdekje, ata që i rrinë mbi krye janë mikrobet e saj. Poshtë tellallët tallen me delet e molisuna që ecin kryeulëta e shohin kah qielli me do sy pa shprehje. Në nji vend të tillë edhe gabimisht me e thanë të vërtetën s’ta falin”, siç thotë R. Michels. Pra nëse nuk e kundërshton të keqen, nëse intelektualët janë në frikë, nëse media kapet nga pushteti dhe hesht, diktatura është pas dere. Ajo vjen pak e nga pak, fiton terren dhe një ditë zgjohesh nga ëndrrat e këqija e thua nga na erdhën e si na mbiu kjo e keqe. Se ja del deputeti i LSI-s që e kemi edhe në krye të komisionit të sigurisë kombëtare (na ruaj Zot)dhe ja përforcon edhe kryetari i parlamentit duke shfaqur në publik dokumentat personale të qytetarëve a një deputeti në kundërshtim me ligjin mbi fshehtësinë e informacioneve familjare apo individuale. Pyes a ma jep mua njeri çertefikatën familjare të Metës apo kartelën e tij shëndetësore nëse unë dyshoj se ai ka ca probleme serioze me shëndetin në bazë të asaj që shoh kur del e jep intervista në një gjendje jashtë kontrollit dhe dinjitetit të kryeparlamentarit. Nuk besoj. Por edhe unë nuk besoj se jam aq i pamend të bëj këtë marrëzi, jo se do të dënohesha me burg por se nuk ma lejon ndërgjegja personale as ajo profesionale si gazetar. E shihni pra si vepron ai që është në krye të Parlamentit pa i hyrë ferr në këmbë. Po prokurorët pse heshtin. Kuptohet se edhe ata tashmë janë si dele e butë ndaj pushtetarëve, pjesë e tufës së madhe të frikës publike. Kësisoj e jo ndryshe vjen një ditë dhe vendoset pushteti absurd që e ka emrin diktaturë. Por nëse e lëmë të ndodh kjo atëherë nuk do të ketë alibi askush. I duhet thënë ndal para se të jetë vonë, para se të na tufëzojnë, siç bënte diktatura komuniste, përndryshe kthehemi sërish në epokën e errët ku pushteti dhunon popullin e vet.
CËSHTJA DOSHI- KUSH ËSHTË I TRETI?
Në interes të hetimit janë realizuar përgjime ambientale ndërmjet Tom Doshit dhe Durim Bamit, nga ku rezultoi se Durim Bami i qëndron faktit se ngjarja është e sajuar nga ai dhe Toma, madje përmend dhe nje person te trete pa emër cituar, këtë gjë e dimë unë, ti dhe ai…..
Personi i tretë të cilit i referohet Durim Bami, por emrin e të cilit nuk e tregon, besohet nga Prokuroria, të jetë organizatori kryesor i gjithë skenarit të pretenduar për vrasjen e deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi.
Por burime nga organi i akuzës, bëjnë të ditur se Durim Bami ua ka treguar prokurorëve emrin e personit enigmatik, e bashkë me të, ka hedhur dritë mbi motivin e gjithë skenarit të vrasjeve politike.
Të njëjtat burime, sqarojnë se kjo nuk është zbuluar as në relacionin dërguar kuvendit, pasi është e nevojshme të kryhen hetime shtesë mbi dy deputetet Doshi e Frroku, për të cilët është kërkuar leja e Parlamentit për arrestimin e tyre.
Për akuzën, ekzistojnë dyshime të forta se ideatori kryesor i skenarit nuk është as Doshi e as Frroku, por dikush tjetër. Dhe këtë version, e ka mbështetur me dëshminë e tij Durim Bami.
Bashkëpunimin mes Doshit dhe Frrokut, që së bashku kanë detyruar Bamin të flasë për një skenar të paqenë, e saktëson edhe Prokuroria në dokumentin dërguar deputeteve në Kuvend.
Ndërkohë, mësohet se edhe i vetmi person i arrestuar deri më tani nga Krimet e Renda per ngjarjen, Durim Bami, i ka kaluar për kompetence Prokurorisë se Tiranës, pasi tashme ai nuk është me i dyshuar per akuzën e vrasjes se mbetur ne tentative te funksionareve publike, por per kallëzim te rreme.
I kontaktuar nga Vizion Plus, avokati mbrojtjes i Bamit, Ilir Murati tha se pas kalimit te dosjes ne Prokurorinë e Tiranës, kësaj te fundit i duhet qe brenda 10 ditësh te beje rivlerësimin e masës per Bamin, ndërsa vete mbrojtja do te kërkojë lirimin e tij.(Kortezi- VIZION PLUS)
Çështja Doshi, prokuroria nis hetimet
Ndalohet personi që sipas deputetit Tom Doshi ishtë porositur të kryente atentatet ndaj tij dhe deputetit demokrat Fufi. Opozita kërkon mocion mosbesimi ndaj kryetarit të parlamentit Ilir Meta.
Në Shqipëri prokuroria njoftoi sot se ka nisur hetimet lidhur me deklarimet e deputetit Tom Doshi se ndaj tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi, ishte planifikuar një atentat, ndërsa është ndaluar dhe personi i cili dyshohet se sipas zotit Doshi, ishte porositur për ta kryer atë. Ngjarja është vënë në qendër të debatit politik. Opozita vendosi sot të kërkojë një mocion mosbesim ndaj kryetarit të parlamentit Ilir Meta, i akuzuar nga zoti Doshi si porositësi i vrasjes së tij. Por zoti Meta, tha sot se 6 muaj më parë zoti Doshi kishte ofruar një tjetër variant sipas të cilit, ai dyshonte se vrasje ishte porositur nga të afërm të ish kryeministrit Sali Berisha.
jatë orëve të para të ditës së sotme në zyrën e kryeministrit Edi Rama u mblodhën kryeprokurori Adriatik Llalla, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho. Pak më vonë nga përfundimi i takimit prokuroria njoftoi nisjen e hetimeve mbi deklarimet e zotit Doshi. Ndërsa kryeministri përmes një postimi në facebook shkruante se qytetarët “duan të dinë të vërtetën dhe atë mund ta thotë vetëm një hetim i plotë i organeve të Drejtësisë”. Sipas tij, gjithshka është “një telenovelë e shëmtuar që do të ketë një fund të palumtur për të gjithë ata që janë bërë bashkë për të përbatur qeverinë dhe shumicën parlamentare”.
Më herët gjatë natës, në përpjekje për të kaluar kufirin me Malin e zi është ndaluar një 36 vjecar, Durim Bani i cili rezulton të jetë personi i cili sipas deputetit Doshi ishte ngarkuar për vrasjen e tij dhe të deputetit tjetër demokrat Mhill Fufi, por që kishte zgjedhur t’ja tregonte këtë zotit Doshi. Bani sipas policisë është një person me precedent penal. Gati 10 ditë më parë ai kishte qenë objekt i një atentati, ndërsa në makinën e tij u gjet një sasi eksplozivi. Sipas deputetit Doshi, Bani është personi i paguar nga kryetari i parlamentit Ilir Meta dhe se atentati ndaj tij iste një përpjekje për të zhdukur gjurmët.
Por zoti Meta, i vënë nën akuzë të drejtpërdejtë, tha sot se deputeti Doshi muaj më parë kishte shprehur shqetësim se përpjekjet për ta vrarë po organizoheshin nga të afërt të ish kryeministrit Sali Berisha: “Në dijeninë time, deri dje i vetmi person që ka penguar zbardhjen e kësaj çështjeje rezulton të jetë deputeti Tom Doshi. Eshtë e drejta e deputetit në fjalë t’i ndërrojë versionet e atentatit ndaj tij çdo 6 muaj sipas interesit të tij politik”.
Zoti Meta deklaroi se ai kishte kërkuar që përpara disa muajsh që kjo cështje të hetohej. Edhe zoti Doshi shprehet se në dijeni ishte vënë si Prokurori I Përgjithshëm ashtu dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili madje sipas zotit Doshi ka dëgjuar edhe vetë rrëfimin e Banit. Megjithatë mbetet e paqartë se përse hetimet u nisën vetëm sot.
Opozita nga ana e saj foli për një situatë tronditëse për vendin. Ajo ka vendosur të kërkojë një mocion mosbesimi ndaj kryetarit të parlamentit Ilir Meta, i cili sipas saj sot duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të ishte vënë në dispozicion të Drejtësisë.
“Asnjë qytetar i vendit nuk e njeh më për kryetar Kuvendi, asnjë qytetar i vendit nuk mund të pranojë të ketë në krye të institucionit më të rëndësishëm kushtetues, një të akuzuar për dy vrasje. Koka tjetër e këtij binomi kriminal, Edi Rama, në vend se të shkojë në prokurori të paktën në cilësinë e dëshmitarit në krim, sepse edhe vetë e ka pranuar se është në dijeni prej 5 muajsh të kësaj skeme vrasëse, thërret Prokurorin në zyrë. Eshtë ai që duhej të shkonte në zyrën e Prokurorit, e të dëshmonte çfarë di për planifikimin e eleminimit fizik të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha, duke theksuar se “në lojë janë fatet e vendit dhe se në kullën e pushtetit ka plasur lufta e klaneve.
Në Bruksel, e pyetur nga gazetarët shqiptarë, Maja Kocijancic, zëdhënësja e komisionit europian deklaroi se “ne presim një hetim të plotë të këtij rasti nga autoritetet kompetente shqiptare. Ne gjithashtu presim fjalime e sjellje të përgjegjshme, në veçanti mbi çështjet e sundimit të ligjit, nga të gjithë ata që marrin pjesë në jetën publike”
Dje edhe ambasada amerikane në Tiranë përshëndeti përjashtimin e deputetit Tom Doshi nga grupi socialist duke u shprehur se ndaj tij kishte “dyshime se ishte përfshirë në veprimtari kriminale”, një akuzë e hedhur më pas poshte nga zoti Doshi i cili deklaroi se ka dhe një video prej 37 minutash me detaje mbi planin për vrasjen e tij.(VOA)