• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori: Çfarë ndodhi më 8 tetor?

October 8, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI*/

314 – Perandori romak Licinius mposhtet nga homologu i tij Konstandin, në betejën e Cibalaes, dhe humbet territoret evropiane. Konstandini është quajtur i Madh, sepse shënoi një epokë të veçantë në historinë e Perandorisë Romake. Ai ndërtoi një vendbanim të ri perandorak në Bizant dhe e quajti Nova Roma, Roma e re (Deutera Rhoma, Roma  e Dytë, është një tjetër variant); megjithatë, për nder të Konstandinit, romakët i dhanë emrin Konstandinopojë, Qyteti (i ri) Kostandin, që më vonë do të bëhej kryeqyteti i Perandorisë Bizantine deri më 1453, kur u pushtua nga otomanët. Disa thonë se krijimi i qytetit nga Kostandini, është edhe shkaku që shpesh mendohet se ai themeloi Perandorisë Bizantine, krijimi i së cilës, në fakt ishte proces, jo punë e një njeriu të vetëm, dhe as brenda ditës, madje as Roma nuk u ndërtua në një ditë, thotë epigrami. Emri i Bizantit përmendet që në vitin 660 pes., dhe  mendohet se është eponym, emër personi që quhej Byzas. Tradita e lashtë greke i referohet një mbreti me këtë emër si udhëheqës kolonistësh. Megjithatë, historianë bashkëkorë kanë dalë me idenë se emri Byzas (Biza, Bicaj) ka prejardhje trake ose ilire, dhe është përdorur shumë kohë para kolonizimit grek. Plini i vjetër në Natural History thotë se para se të quhej Byzas, qyteti njihej me emrin Lygos. Konstandini (Flavius Valerius Aurelius) lindi më 27 shkurt 280 në qytetin ilir Naissus, Nish i sotëm, nga prindër; e ëma kamariere, i ati ushtarak e më pas Cezar (zv/perandor). Vetë Konstandini do të bëhej i Madh; Perandori i 57-të i Romës dhe i pari Perandor i krishterë. Ai la pas 3 djem që u bënë perandorë; ndërsa nëna e tij e kanonizuar nga Kisha do të njihej si Shën Helena. Sa për Kostandinopojën, qyteti vazhdoi të ruajë rëndësinë e tij edhe pas rënies së perandorisë bizantine. Ndryshimi i emrit në Istambul (Stamboll) ishte gjithashtu process; Disa thonë se Istambul është shprehje që rrjedh nga greqishtja mesjetare “is tim bolin”, që do të thotë “për në qytet”, siç përgjigjej tregëtari kur i pyesnin “ku po shkon?”. Më 1930, qyteti u emërtua zyrtarisht Istanbul.

1912 – Fillon Lufta e parë Ballkanike midis Perandorisë Osmane dhe Lidhjes Ballkanike. Sipas historianëve, Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje që të reformohej, qeveriste keq , ose s’mundi të zgjidhte problemet e nacionalizmin në rritje mes popujve të saj. Së dyti, Fuqitë e Mëdha grindeshin aq shume mes tyre sa që dështuan për të siguruar që otomanët të kryenin reformat e nevojshme. Këto probleme bënë që shtetet e Ballkanit të imponojë zgjidhjen e tyre, duke krijuar Lidhjen e Ballkanit (Bullgari, Greqi, Serbi e Mal i Zi). Por ishte edhe arsyeja tjetër; deri në fillim të shekullit të 20-të, këto vende kishin arritur pavarësinë nga Perandoria Osmane, por duke parë se ajo po dobësohej e së shpeti shpërbëhej, donin të merrnin pjesët që do të mbesnin, siç ishin trojet shqiptare ende nën perandori. Brenda këtij konteksti duhen kuptuar edhe thirrjet e atdhetarëve brenda e jashtë, që shqiptarët në këtë luftë të qëndronin në anën e Perandorisë; ndërkohë që Ismail Qemali shpejtonte drejt Vlorës me sigurimet ndërkombëtare për pavarësinë që u arrit më 28 nëntor, kur Lufta e pare Ballkanike ndodhej në kulmin e saj. Lufta përfundoi në korrik 1913 me nënshkrimin e Traktatit të Londrës dhe pas 5 shekujsh, Perandoria Osmane humbi pothuajse të gjitha zotërimet e saj në Ballkan. Pastaj erdhi Lufta e Dytë Ballkanike, që filloi pa mbaruar ende e Para. Shkaku ishte pakënaqësia e Bullgarisë lidhur me ndarjen e Maqedonisë, që u bë në fshehtësi nga ish-aleatët e saj, Serbia dhe Greqia. Si rrjedhim, Bullgaria sulmon, por ushtritë serbe e greke kundërpërgjigjen më ashpër; Bullgaria sulmohet edhe nga Rumania dhe Perandoria osmane – lufta përfundon me Traktatin e Bukureshtit, dhe Bullgaria humbet shumicën e territoreve që kishte fituar në Luftën e Parë Ballkanike.

1918 – Në luftën e parë Botërore, në Argonne të Francës , tetari amerikan Alvin York vret i vetëm gjatë një beteje të vetme 28 ushtarë gjermanë dhe 132 të tjerë i kap robër. Kur e pyetën se si ishte e mundur, York tha se kishte ndjekur të njëjtën taktikë me atë që kishte përdorur në jetën civile gjatë gjyetisë për gjela të egër – në pyjet e fshatit të tij Pall Mall, Tenesi – duke qëlluar në fillim gjelin e fundit në radhë, e pastaj të tjerët që nuk shihnin se ç’ndodhte pas tyre.

1929 – Në Shqipëri, 34 vjetori i ditëlindjës së Mbretit Zog festohet me një paradë madhështore në Tiranë, që u filmua nga Fox Movietone News. Kjo kompani amerikane gjithashtu filmoi Mbretin gjatë kohës që mbajti fjalimin përshëndetës, duke u bërë i pari film dokumentar me zë në Shqiperi. Gjatë cermonisë, parada ushtarake u shoqëruar nga parakalimi i grave e vajza të veshura me kostume kombëtare. Shumë gra myslimane shqiptare për herë të parë dolën me fytyra të zbuluara këtë ditë. Rrugët e Tiranës ishin zbukuruar me sende ngjyrash festive dhe flamujt kombëtarë valviteshin nga çdo ndërtesë.

1962 – Revista gjermane Der Spiegel boton artikullin “Bedingt abwehrbereit ” (Përgatitje e kushtëzuar për mbrojtje), në lidhje me një manovër të NATO-s të quajtur ” Fallex 62 “, e cila zbuloi se ushtria gjermano-perëndimore ishte e papërgatitur për t’u përballur me kërcënimin komunist nga lindja në atë kohë. Revista u akuzua për tradhti.

Mendim i ditës

“Një udhëheqës, një popull, nënkupton një pronar dhe miliona skllevër.”

Albert Kamus

  • Kortezi VOA

Filed Under: Histori Tagged With: 8 tetor, Astrit Lulushi, cfare ndodhi

Histori: Çfarë ndodhi më 4 tetor?

October 4, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI*/

1795 – Napoleon Bonaparti del në skenën franceze si ushtarak, duke përdorur artilerinë për të shpërndarë turmat e armatosura që përpiqeshin të pengonin punimet e Konventës (legjislatura franceze) në Paris – ishte fillimi i fundit të epokës së Revolucionit. Pas 9 vjetësh, ai do të shpallej Napoleoni I, Perandor i Francës deri më 1814 kur u hoq nga froni, u burgos në  Elba, u arratis, u përpoq për t’u kthyer, por humbi në betejën e Vaterlosë më 1815, vdiq në ishullin Shën Helena, i izoluar, i sëmurë ose i helmuar. Napoleoni ishte perandori i parë francez që nga koha e Karlit të madh (881-887). Dihet se familja Bonaparti e ka prejardhjen nga Korsika – të parët e tij ishin shpërngulur aty nga Toskana e Italisë  – si të ardhur nga Morea (Peloponez), vendbanim arbëresh pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Historiani i njohur francez i shek XIX, Adolf Thieres citohet se kur Josef Bonaparti, vëllai i madh i Napoleon Bonapartit, u bë mbret i Napolit në vitin 1806, dhe një grup arbëreshësh shkuan për t’i uruar mirëserdhjen – Bonaparti u tha: Edhe familja ime është me prejardhje arbëreshe. Marie Josef Louis Adolphe Thiers (1797-1877) – autor i një historie shumë-vëllimëshe franceze, shërbeu për disa mandate si kryeministër i Francës mes viteve 1830 – 1845. Në historinë e tij, Thiers thotë se kur Napoleon Bonaparti zemërohej, ai shante në një gjuhë të pakuptueshme për ata që e rrethonin. Bonaparti njihet edhe për atë që quhet Kodi i Napoleonit, Kodi civil francez, baza e kodit civil mbarë-evropian – bazuar në Kodin e Justinianit – që lejon lirinë e fesë dhe i pret udhën korrupsionit në sfera të larta.

1887 – Gazeta International Herald Tribune (IHT) del për herë të parë në Paris. Kjo gazetë në anglisht sot kombinon burimet e korrespondentëve të saj me ato të gazetës Nju Jork Tajms dhe shtypet në 38 vende të botës, për shitje në më shumë se 160 vende e rajone. Me qendër në Paris, IHT –  pjesë e kompanisë New York Times – ka njoftuar se brenda këtij viti do të fillojë të quhet “The New York Times International”.

1913 – Në Shqipëri, Qeveria e Ismail Qemalit jep koncesione për dy grupe bankerësh austriakë dhe italianë për themelimin e Bankës Kombëtare Shqiptare. Marreveshja e nënshkruar, e cila dha kësaj Banke privilegjin e vetëm për t’u marrë me pasuritë e patundshme, shkaktoi mes shumë shqiptarëve humbjen e besimit për qeverinë e tyre. Frika ishte se duke shfrytëzuar varfërinë në vend, Banka Kombëtare do te ishte në gjendje të blente me çmim tepër të lirë gjithe tokën e mundshme, e cila do të kalonte në pronësi të investitorëve austriakë dhe italianë, dhe Shqipëria do të bëhej e hapur për kolonizim të huaj.

1939 – Një berber 25 vjeçar nga Kanonsburg i Pensilvanisë, hoqi dorë nga profesioni i tij; Pierino Ronald “Perry” Como, i shtati mes 13 fëmijëve të një familje emigrantësh italianë, kishte zë të mirë –  dhe klientët që u qethte flokët, e nxitën të bëhej këngëtar. Komo regjistroi këngën e tij të parë me një grup muzikantësh që kaloi rastësisht në qytetin e tij – kënga “That Old Gang of Mine” u transmetua në radio dhe brenda pak ditësh u përhap dhe shpejt u bë e famshme. Që nga ajo kohë, për vite me radhë Perry Komo do të shihej vetëm duke kënduar në klube, koncerte, opera,  filma e televizion dhe këngët e tij do të zinin vend të veçantë në repertorin e radiove. Perry Komo vdiq në gjumë më 12 maj 2001, në shtëpinë e tij në Florida, një javë përpara se të mbushte 89 vjeç – u tha se vuante nga simptomat e sëmundjes Alzheimer.

1957 – Bashkimi Sovjetik hedh satelitin e parë artificial, Sputnik, në orbitë rreth tokës –  me këtë ngjarje fillon edhe epoka e garës hapsinore Lindje – Perëndim. Amerika do të përgjigjej pas pak muajsh me hedhjen në orbitë të raketës Explorer 1, më 31 janar, 1958.

1993 – Në Moskë, tanket bombardojnë ndërtesën e parlamentit, ndërkohë që demonstruesit kundër presidentit Boris Jelcin mblidhen jashtë saj. Rusia kishte hyrë në një krizës kushtetuese.

Mendim i ditës
“Mënyra më e mirë për të mbajtur fjalën është të mos e japësh”.
Napoleon Bonaparti

(Kortezi:VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: 4 tetor, Astrit Lulushi, cfare ndodhi

Histori: Çfarë ndodhi më 3 tetor?

October 3, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

1226 – Vdiq Giovanni di Pietro di Bernardone, i njohur me emrin Françesku (francezi), dhe më pas Shën Françesku i Assisit, themelues i Urdhërit Françeskan. Lindi në një familje të pasur, por e humbi shijen e mirëqenies për veten kur pa rreth tij shumë njerëz vuanin nga varfëria dhe luftrat – madje ai shkoi deri në Egjipt për të bindur Sulltanin që t’i jepte fund konfliktit të kryqëzatave. Françesku themeloi 3 shoqata fetare, përfshi Urdhërin Françeskan. Në vitin 1224, në trupin e tij filluan të shfaqeshin “stigmata”, duke u bërë i pari person i regjistruar që mbarte plagët e Krishtit. Më 16 korrik 1228, Papa Gregorio IX e shpalli atë Shenjtor. Urdhëri Françeskan ka qenë i pranishëm në Shqipëri që në fillimit e tij. Për shembull, studiuesi Lutfi Alia, duke iu  referuar arkivave françeskane në Romë, thotë se në vitet e para të shekullit XIII Shën Françesku ka vizituar Shqipërinë, ku themeloi dy manastire;  Manastirin Shën Martini në Kunavia (Martanesh) dhe manastirin Shën Maria në Lezhë.
1863 – Presidenti amerikan Abraham Linkoln shpall të enjten e fundit të nëntorit, si Ditën e Falenderimeve në mbarë vendin. Lincoln shpalli këtë ditë të njësuar për të nxitur një ndjenjë bashkimi mes shteteve veriore dhe jugore. Për shkak të luftës së civile dhe refuzimit të Shteteve jugore për të njohur autoritetin e Linkolnit, Dita mbarëkombëtare e Falenderimeve nuk u realizua deri në përfundim të fazës së Rimëkëmbjes në vitin1870.
1923 – Moska dërgon në Tiranë një agjent të saj për të biseduar me kryeministrin Ahmet Zogu mbi vendosjen e lidhjeve diplomatike sovjeto – shqiptare dhe për nevojën e hapjes së një dege të Kryqit të Kuq sovjetik në Shqipëri. Por kryeministri Zogu refuzoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike derisa BRSS të njihej nga shumica e fuqive të mëdha. Ai besonte se lidhjet me Moskën dhe prania e Kryqit te Kuq sovjetik në Tiranë ishin hapa të planifikuara nga Moska për të çuar përpara kauzën e saj komuniste.
1929 – Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, ndryshoi emrin duke u quajtur zyrtarisht Mbretëria e Jugosllavisë. Ajo ishte krijuar që në vitin 1918, pak pasi mbretëria e Malit të Zi ishte bashkuar me Serbinë, ndërsa rajonet e Kosovës, Vojvodinës dhe Maqedonisë së Vardarit ishin pjesë e Serbisë që para bashkimit. Në prag të pushtimit nazist, më 1941, familja mbretërore jugosllave  iku në Londër, ku krijoi një qeverisë në mërgim , e cila u njoh nga Britania dhe fuqitë e tjera aleate. Në vitin 1944, nën presionin  e kryeministrit britanik Winston Churchill , Mbretëria e njohu Federatën Jugosllavinë si pasues të saj, nëpërmjet traktatit të nënshkruar në Viç nga Ivan Subasiç (në emër të Mbretërisë) dhe Josip Broz Tito (në emër të partizanëve jugosllavë ).
1990 – Gjermania Lindore dhe Gjermania Perëndimore bashkohen në një Gjermani të vetme, 45 vjet pas ndarjes në dy shtete në fund të Luftës së Dytë Botërore. Me një përvojë të kaluar naziste, një nga hapat e para të Gjermanisë së re për të shëruar plagët e shkaktuara nga regjimi komunist ishte përcaktimi i fatit të dosjeve së ish-sigurimit gjermano-lindor, Stasi. Legjislacioni i miratuar  i vuri këto dosje në dispozicion të të gjithë gjermanëve që donin të ballafaqoheshin me të kaluarën.
1995 – Presidentit i Maqedonise Kiro Gligorov bëhet objektiv i një tentative për vrasje me makinë bombë në Shkup. Ndërsa udhëtonte nga shtepia per në zyrën e tij, automjeti i Gligorovit u hodh në erë nga shpërthimi i një makine të parkuar, duke vrarë shoferin e presidentit  dhe plagosur disa kalimtarë. Gligorovi u plagos rëndë në syrin e djathtë dhe menjëherë u dërgua në spital. Që nga koha e incidentit, jane kryer shumë hetime rreth fajtorëve të mundshëm, por pa çuar në ndonjë arrestim. Kiro Gligorov vdiq natyrshëm në shtëpinë e tij më 1 janar 2012 në moshën 85 vjeçare.

Mendim i ditës
“I grabituri që buzëqesh, fsheh diçka nga vjedhësit.”
William Shakespeare

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ndodhi, me 3 tetor

Histori: Çfarë ndodhi më 20 shtator?

September 21, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

480 pes. – Grekët mundin persët në betejën detare të Salaminës, ishull pranë Athinës. Kjo betejë shënoi pikën kulmore të pushtimit persian. Një vit më pas, grekët hidhen në ofensivë, mundin persët në betejën e Plateas, duke i dhënë fund pushtimit.

1187 – Saladini fillon rrethimin e Jeruzalemit që zgjati deri më 2 tetor kur qyteti u dorëzua dhe banorët u lejuan të largoheshin kundrejt një pagese. Disfata e Jeruzalemit sinjalizoi fundin e Mbretërisë së parë të Jeruzalemit. Evropa u përgjigj në vitin 1189 me Kryqezatën e tretë të udhëhequr nga Richard Zemërluani, Filip Augustus, dhe Frederik Barbarossa, secili me ushtritë e veta.

1519 – Ferdinand Magellani fillon lundrimin rreth globit. Ai kishte nën komandë një flotë prej 5 anijesh (Trinidad, San Antonio, Concepcion, Santiago, Victoria) dhe rreth 240 marinarë. Magelani ishte portugez, por i shërbeu mbretit të Spanjës në kërkim të një rruge detare drejt perëndimit për në ishujt indonezianë të pasur me erëza e bimë ekzotike. Magelani ishte i pari që lundroi nga Oqeani Atlantik në Oqeanin Paqësor (i quajtur “deti paqësor” nga vetë ai), duke kaluar nëpër Ngushticën që u quajt “e Magelanit”. Ekspedita arriti të kryejë lundrimin e parë rreth tokës, megjithëse nga 5 anijet, vetëm “Viktoria” me disa marinarë në bord mundi të mbërrinte në brigjet spanjolle. Madje, as vetë Magelani nuk arriti t’a përfundonte lundrimin – ai mbeti i vrarë gjatë një beteje në Filipine.

1685 – Në Padova të Italisë del nga shtypi libri “Çeta e profetëve” i Pjetër Bogdanit, vepër teologjike-filozofike, edhe letrare shqipe. Pjeter Bogdani – kryeipeshkëv, teolog dhe filozof – lindi me 1625? në Gur te Hasit (midis Kukesit dhe Prizrenit) dhe vdiq me 1689 në Prishtinë. “Çeta e profetëve” cilësohet jo vetem si libri i parë i prozës origjinale shqipe, por edhe si një nga monumentet e gjuhës për konceptet që artikulon duke u shtuar shqiptarëve të asaj kohe krenarinë për pasurinë shprehëse të gjuhës së tyre. Zhdërvjelltesia e të shprehurit të Bogdanit tregon gjithashtu se gjuha shqipe është shumë më e vjeter sesa dolumentohet – prandaj Pjeter Bogdani edhe është quajtur përfaqësues i hershëm i lëvizjes së Rilindjes Kombëtare. Ja si shkruan ai në parathënie për lexuesin: “…Të lutemi pra, litari em i urtë, të më ndijeçë në gjeç fjalëzë, që të trazon veshëtë. Përse as dielli pa hije as hëna pa mjegullore mbi faqe nuk anshtë…” Rreth Pjeter Bogdanit jane kryer shumë studime ku veçojmë librin “Vepra e Bogdanit 1675–1685” nga doktor Ibrahim Rugova më 1982, atëhere studiues e kritik i njohur para se të bëhej i famshëm edhe si politikan dhe shtet-formues.

1848 – U themelua në Filadelfia Shoqata Amerikane për Avancimin e Shkencës. Fillimisht me vetëm 87 anëtarë, sot, kjo shoqatë është organizata më i madhe dhe më e njohur në botën shkencore; ka rreth 127-mijë anëtarë, dhe është botuesja e revistës së njohur Science me një tirazh javor prej 140 mijë kopjesh.

1870 – Trupat italiane marin kontrollin e Shteteve të Papës, duke çuar në bashkimin e Italisë.

1881 – Nënpresidenti Chester A. Arthur përurohet si Presidenti i 21-të i Shteteve të Bashkuara pas vrasjes së James Garfield në stacionin hekurudhor Baltimore – Potomak afër Uashingtonit. Garfield u qëllua nga Charles J. Guiteau më pak se katër muaj pasi ishte zgjedhur President. Garfield vdiq më 19 shtator, duke u bërë i dyti mes katër Presidentëve të vrarë; pas Abraham Linkolnit, dhe duke i paraprirë William McKinlit dhe John F. Kennedit. Garfield jetoi më gjatë pas të shtënave,11 javë, në krahasim me presidentët e tjerë. Lincolni dhe Kennedi vdiqën ditën që u qëlluan, ndërsa McKinley vdiq një javë pas të shtënave.

1946 – Hapet festivali vjetor i filmit në Kanë. Festivali ishte planifikuar të fillonte në vitin 1939, por shpërthimi i luftës së dytë botërore detyroi anulimin e përurimit të kësaj ngjarjeje. Festivali i parë ndërkombëtar i filmit u mbajt në Venecia në vitin 1932. Deri në vitin 1938 ky festival ishte kthyer në vegël propagande fashiste e naziste, me Musolinin dhe Hitlerin që diktonin përzgjedhjen e filmave dhe i ndanin çmimet mes vendeve të tyre. E zemeruar nga kjo, Franca vendosi te organizoje një festival alternativ filmi, atë të Kanës në rivierën franceze.

1909 – Parlamenti britanik miraton Aktin për krijimin e shtetit të Afrikës së Jugut nga bashkimi i kolonive britanike; Kepi i Shpresës së Mirë, Natal, Orange River, dhe Transvaal.

1955 – Në Tiranë, Zëri i Popullit, duke cituar Gazetën Zyrtare, shpall planet për riatdhesimin e te gjithë italianëve që mbaheshin në burgje politike, në kampe të punës së detyruar ose në fshatra internimi në Shqipëri. Mes tyre ishte edhe prifti jezuit At Giacomo Gardini, i cili u transportua nga një kampi i punës së detyruar për në portin e Durrësit. Natën e 24 shtatorit, ish-të burgosurit u nisën me anije për në Itali. Pak vite më vonë, At Gardini botoi edhe një libër me deshmi mbi jetën në burgjet dhe kampet e punës së detyruar ku njerëzit mbaheshin në kishte çnjerëzore.

2001 – Në një fjalim para dy dhomave të Kongresit dhe drejtuar popullit amerikan, presidenti George W. Bush shpall luftën kundër terrorizmit.

2011 – Shtetet e Bashkuara shfuqizojnë politikën “Mos Pyet, Mos thuaj” duke lejuar homoseksualët për të shërbyer hapur për herë të parë në ushtri.

Mendim i ditës

“Ne do të donim për të jetuar si dikur, por historia nuk n’a e lejon këtë.”

John F. Kennedy

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ndodhi, me 20 shtator

Histori: Çfarë ndodhi më 19 shtator?

September 20, 2013 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

1796 – Presidenti i Shteteve te Bashkuara, Xhorxh Uashington publikon fjalimin e tij të lamtumirës dhe del ne pension, duke mos pranuar të qëndrojë në post për një mandat të tretë. Ai i këshillon amerikanët t’u shmangeshin partive politike duke i cilësuar ato egoiste dhe armike të qeverisë. Në fjalimin e tij të lamtumirës, Uashingtoni u kërkoi amerikanëve t’u kushtonin vëmendje arsimit dhe të ruanin moralin e fenë, si shtylla të fuqishme të lumturisë njerëzore.

1876 – Shpikësi amerikan Melville Bissell regjistroi patentën për një pastrues dyshemesh, sot fshesa elektrike.

1956 – Udheheqësit sovjetik Nikita Hrushov, gjatë vizitës në SHBA, iu dha mundësia për të vizituar Hollivudin dhe mbeti i kënaqur me pritjen e organizuar nga aktorët Shirley Maclaine dhe Frank Sinatra. Por udhëheqësi sovjetik shpërtheu në zemërim kur autoritetet i thanë se dëshira e tij për të shkuar në Disneyland nuk mund të plotësohej për arsye të protestave që mund të cënonin sigurinë e tij. Të nesërmen, ai i hypi aeroplanit nga Los Anxhelesi për në Uashington ku u takua  në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Dwight David “Ike” Eisenhower.

1974 – Erik Klapton merr diskun e artë për këngën “I Shot the Sheriff”, e cila më 14 shtator ishte ngjitur në vendin e parë në listën e këngëve të muzikës pop.

1991 – Otzi, Njeriu i Akullt u gjet nga një turist gjerman në Alpet Otztal në kufirin italo-austriak.Trupi i përket një njeriu të moshës 25 deri 35 vjeç, 1.6 metra i gjatë dhe rreth 50 kg. Otzi është njeriu më i vjetër i mumifikuar që është gjetur ndonjëherë – ai ka jetuar 5000 vjet më parë. Qimet e mbetura të kokës dëshmojnë se qedhja e flokëve ekzistonte si modë që në atë kohë. Mbi të gjitha, në lëkurën e Otzit u gjetën një numër tatuazhesh të shpuara me gjilpërë – 80% e të cilave shihen si pika të vlefshme të akupunturës moderne – kjo bën që data e ekzistencës së akupunturës të shtyhet prapa në vitin 3300 pes.

Mendim i ditës

“Asgjë interesante ndodh nëse nuk je e/i interesuar.”

Helen Keller

Filed Under: Featured Tagged With: 19 shtator, Astrit Lulushi, cfare ndodhi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT