DASHURIA/
Dot më s’do takohemi, sa më mungon ngushëllimi,
Timbri yt i ëmbël mungon s’kam më lot gëzimi.
Ëndrrën, flakën e ndezur, ndjenjat s’i mori dot era,
Do t’më shkrijnë ajsbergun kur të vijë pranvera.
Ah, kjo dashuri që asgjë s’e tret tani sa shndërrohet,
Nëpër pritje të gjata në dhimbje e lëngatë!
E ndjej shpirtin tim të thyet, të griset të pendohet,
Jo, asnjëherë s’gabuam e s’ramë në mëkat!
Dielli kur fshihet reve, rrufeve kur zbret ngatërruar,
Rrufeshëm më ndez shpresën eh, ditën e lënduar!
Mos vallë është shenjti që zbret ylberit ngazëlluar?
Mos vallë je ti, ai yll që po më ndrin vezulluar?
E di, sonte s’do mbyll sy, do bëj me qindra pyetje,
Nxitur nga e papërsëritshmja ndjenja qiellore.
Atij buzagazit tënd të dëlirë do t’i hap çdo dritore.
Që të më josh luhatjen e brishtë shpirtërore.
Thellësisht më mungon e s’do takohemi përjetësisht,
Ky shpirt si duron, më thuaj, kam shumë frikë!
Orët e ftohta, nga dashuria që më përthith tërësisht,
Ngrohen, digjen, pastaj pres agimin t’më ndrit!
Ah, sot
Sot nuk i shkula sytë nga gjelbërimi
I fushave ngazëlluese të vendit tim.
Sa dukej malli, vuajtja dhe pikëllimi,
I viteve ku s’ndihej gëzimi im!
Të gjitha vuajtjet, kujtimet janë shtjellë,
Lëndinave, pranverave të praruara.
Rinia faqendezur paska humbur thellë,
Tek vitet tona të dashuruara!
E ndjeva me zemër pasionin përsëri,
Ah, sa hyjnor shpërthimi rinisë!
Kthjellë e shoh qiellin, yjet po ndrinë,
Zot im, dhuroji paqe vendit tim!
FILIZAT E DASHIRISË
Të adhurova marrëzisht
Përmes belbëzimeve,
Përmes pasionit tënd të furishëm.
Dhe të dashurova fuqishëm.
Por, s’vonoi erdhën shirat me ujë të tërbuar
Përtej çdo caku,
Përtej çdo prove,
Përtej çdo dhimbje.
E megjithatë,
Filizat e dashurisë
Lulëzuan ndër ne,
Po me atë forcë,
Po me atë pasion,
Po me atë siguri.
Lulëzuan filizat
Përjetësisht,
Lulëzuan
Tek të dy!