• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AROME BJESHKE PREJ GJERMANIE…

November 11, 2013 by dgreca

NEKI LULAJ NE SOFREN E DIELLIT/

1.AROMË BJESHKE/

Sot jam vetëm një hap pranë gurit që si gjysh hesht/

Lexoj zëra  apostujsh të kombit që duan qetësi/

Bie llohë këtë mëngjes vjeshte me diellin pas resh/

E cep më cep të trupit vesa po më jepka gjallëri/

 

I hazdisur si kalë livadhi e kam marr vrapin/

Napa  zbret hijshëm nga shpati mbi çati/

Me duhet të pushoj në albërishten  mes flladit/

Me aromë bjeshke në trupin e gjoksin tim/

 

Kjo llohë bore e përzier me baltë dhe me shi

Më ka xurxullosur gjer në lëkurën e trupit

Në shëpinë e gjyshit tim arbër me plis

Dua të  shtrihem në qilim mbi dhogatë pa fijen e turpit

 

Prek si një vajzë e bukur vesën brilantore  që rri mbi gur

Mbi shtratin e pranverës nanuriset  gjethja  e degës

Mbrenda saj si mjeshtër prek gurët në një mur

E në libra kërkoj kodin e një testament të vjetër

2.NËNËS

Mos ec kërrusur se nuk je duke shkuar në greminë

Je buqtë xhenxhafile orkide  dhe  dhuratë hyjnore

Je diell i dytë që shndërit me kaq rreze me shkëlqim

Je oshmak që e mban tërë vendin në të gjithë trojet

Fjala jote shëron plagë e rrafshon male

Dora jote është si urë që dhe oqeanet  i lidh me zemër

Unë përulem si foshnja  pranë teje dhe falem

Ti je ninëza e syrit që engjëllin na e sjell mes njerëzve

 

Je oshmak i pragut dhe i  çatisë

Je e bekuara  që bekon udhën e fëmijës

Je orakulli  i pagabuar i gjithë njerëzisë

Je dhuratë më e bukur e perëndisë

 

Je ojnikë e lehtë  dhe nimfë bukurore deti

Je agshol i çdo mëngjesi  që shkon e sërsh vjen

Je urim që e rrit foshnjën me këngë tek  djepi

Je lektisje dashurie që zbukuron  për jetë

 

3.LEARTI  I GJYSHIT

Ai është Abetarja ime Meshari  fjalëbekuar

Që me gishtërinjtë e vegjël në derë më troket

Një këpucë e lë jashtë pragut të portës së mjaltuar

E tjetrën  nga këmba harron  për ta heqë

 

I tëri i bërë xurxull agullimën e syve ma heq

Kujtimeve të mija ua largon hapin e mërzisë

Me duket vetja se jam në gjysmën e rrugës  që prek

Gardhin  do e thur me vargjet e bukura  të poezisë

 

Bredhëroj në brinjët e maleve e yjet i hedh  mbi det

Kur më hidhët  mbi gjoksin e gjyshit si të ishte shigjetë

Jam lektisur për ballin tërë dritë, o nip, qofsh me jetë

Engjëlli i gjyshit Leart që fletët  e bardha nga dora m’i heq

 

Unë përjetoj çaste hyjnore se si shkrin bora te bjeshka

Tërë Saharanë e  bën gjelbërim dhe uji i kthjellët rrjedh

Mua ma sjell Hënën  në prehër e Diellin ma vë te streha

Kur  me fjalët e bukura shqipe gjyshit i flet

 

4.LOT SHPIRTI

Dallgë, fërfëllazë  dhe dritëhije paska shpirti në rreshta

Si  çurg shiu i  lotit të mërgimtarit për Pejën e lashtë

Vërshon orteku me gurë, ranë,  lëng bore nga bjeshka

E s’është shi prillan,  por është  malli për fusha e vreshta.

 

Si përrua pranvere rrjedh ky lëngim i vrerosur

Mes duarve të çara e zemrës shoh zgërbonja përmallimi

Pse kështu u larguam larg tokës , larg vatrës të vrerrosur

Sa të kemi zili dhe dheun ku kanë për të më groposur?

 

S’jam i zemëruar për besë e nuk e thërras në murranë

Por jam i dashuruar me trungun që ia putha lëmyshkun e parë

Më zë çurgu i mallit netëve të pagjuma me yje të rrallë

E shetis me veten time rrugëve e oborrit e bjeshkës së artë

 

Askush s’më dëgjon kur tek porta thërras

Kulla hesht oxhaku s’ka zjarr është thinjur  guri

Në oborr lulja është vyshkur e dhimbshëm  është tharë

Në arë ka nisur të ndryshket dhe plugu

 

5.Këtu larg Atdheut

Këtu të këta horra nuk gjen qetësi e ngrohtësi

Ndoshta na mallkoi Atdheu i shtrenjtë ty dhe mua

Kemi mbetur si fusha si livadhi  me borë të ngrirë

Nuk  e shoh asnjë shteg  drejt bregut  që pata ëndërruar

E këta si këta

Buzëqeshjën e kanë të ”ngrohtë “ si nata në Groenlandë

Mua kurrësesi nuk me qetësohet kjo zemër që veç vuan

Larg nga ju vuaj për një fjalë për një emër që më dhemb

Larg nga trojet që më rritën e më dhanë fjalën e bekuar

 

Eh, o njerëz,  këtu nuk ka fjalë të ngrohtë a ngushullim

I “ngrohtë” si akulli është dheu në mërgim

E trishtë,  e “bukur” Europë,  pse ti thua ka emër

Këtu kurrë nuk u ngroh nga ky diell kjo zemër

Këtu është e kotë nuk gjen ngushllim

Jeta ikën shpejt si vesa mbi gur tretet në mërgim

Si dallgë deti zemra këtu më lëkundet lehtë lehtë

I ndrydhur shtrydh aortën vetes e them nëse është e mundur

A e lexojnë të gjithë në këtë botë në  këtë jetë

I huaj erdhe para një shekulli dhe i huaj do të mbetesh përherë

6.AGSHOL MËNGJESI

(Kushtuar Bekim Fehmiut)

Hinorët e Uliksit në urnë  u përplasën mes dallgës dhe tymit

Në rrugëtimin e gjatë  për në gjirin  e tokës pa varr

Lumëbardhi  mori ngjyrën e hirit e të kujtimit

Testamenti i Samurait të plotësohet sa më parë

 

Orkidet çelin  në gurët e lëmuar të Lumbardhit

Uji lëpin shputat e blerta etjen ia shuan Kasabasë

Dëshmitarët e 1878 nanurisin me vete si cicëronët e mallit

Në Oborrin e Lidhjës  Apostujt e kombit roje i bëjnë Kalasë

 

Zgalët mes  rrasave të gurëve të lashtë  Katallani

E Uliksi Penelopës ia thur një gardh poetik hyjnor

Me metafora futet në thellësinë e tokës si për së gjalli

Hinorët ecën nepër skerkat me stinorët pa u kthyer në kohë

 

Skërmitet pas diçkaje lerante,  zall a përrua që çurgon

Ajzam hinori në rrjedhën e pashterur  me ujët e bekuar

Samuraj ecë pas gjurmëve e kërkon e vetëm kërko

Zullapët gropuan Fishtën e Dedë Gjo Lulin trupin plaguar

 

Uliksi kërkon gjumët për ta verbuar Katallanin

Natës ia patën robëruar diellin, hënën e rrjedhën e mbetur

Nopranët zardafët të gjymtuarët e kodoshët

Xhuraja e Uliksit kërkon me ngulm patriotët  që kanë mbetur

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Arome Bjeshke, cikel poetik, neki Lulaj, prej Gjermanie

NEKI LULAJ-GJERMANI- MYSAFIR SPECIAL NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

October 22, 2013 by dgreca

Neki Lulaj/

 DRITË SHEKULLI/

 (Për  ditëlindje  Mark Krasniqit me rastin e 93 vetorit)/

 Fatos i lartë dritë shekulli që bën shtegëtim triumfal/

Me hekurat e rëndë rreth qafe të ushtarakëve sadistë/

Tringëllima të kaliti nëpër mote si gurë në lapidar/

Mes Cikloneve forcë fjala dhuratë hyjnore për ty o mik./

 Litar i lidhur nyje aq fort për tokën e shenjtë

Besë e shkulur  që zemrën e ka  zgafellë kudo në Dardani

Trungu i dijës  me 93 ashkla shkallë jete

93 vravashka drite qe i dha krah fjalës mendimit dijës

 Fjala magjike me peshë mali që të vjen pas lavdia

Enciklopedi e gjallë për sokolat dhe sokoleshat e shqiptareë

 Gurgullon kroi i kristaltë nga Jenipazari e Mitrovica

Etjen e bjeshkëve ta shuajnë në Tivarin e etur për shkronjën shqipe

 Të dehurit prej etjeve barbare të ushqyer nga paradigmat e vjetra

Vjen fjala e Titanit të mendimit si Drini Vardari e Buna

Me “Kujtime e përjetime”sjell  lajmin e fitoreve të reja

Për ditëlindje uroi Skënderbeu në Krujë,  Tereza Kalkut  mali e gurra

 Në krahët e zogut në Koshare Bogdani flen në Velani në tokëm amtare

Përuruan dëshmorët e herojt në permendore

Me butësinë e shpirtit tënd paç jetë të gjatë sa Alpet shqiptare

 

SHAJAK PLISI IM

 Nga ëmbëlsira e djersës shajak veshja ime e lashtë

Plisi rrugëton  në Hartën e Pellazgëve nëpër shtigjet e botës

Në mes të reve qiell i grisur   bricë e eshkë bashkë ….

 E unë bëhem flamurtar që nuk ndaloj asnjëherë udhëtimet

 Askush nuk e zuri hijen në labirintet e mendimeve

Ikën….e lanë nga pas pluhur dhe terr mbi sirtarë

Fjala shqip ndër shekuj ish dhuratë nga hyjnitë pellazgjike

Kur stërgjyshërit e mi   bëheshin për lirinë farkëtarë

 

Ata patën bekimin e Yjeve që ishin bërë si vello në qiej

Buzë shtratit të lumit në shtegtim vezullonte shenja e Zotit

Ylli tetë cepësh pranë Pllakës me Epikën e Gillgameshit në pritje

Kish ngritur lapidarinei mendjes së ndritur  që moti

 

 PËR FESTA

 Për festat tona mblidhnim lule pranverore

Bashkë vraponim ne livadhe mes bjeshke

Sajonim dhurata gazi që i shtrëngonim mes dore

Ne, të bekuarit e kësaj toke mes njerëzve

 

Dollitë i mbushnim me fat e shpirtërat me shpresë

Kur zogjtë zdrigjeshin në horizont tek sheshi

Në bëheshim lule me aromë e në Vjosë bëheshim vesë

Në lëndinat e Dardanisë bënim një fjongo mëngjesin

 TA KTHEJ MËRGIMIN

 Eci si në barkun e zogut dhe mbi re kam të magjishmin Ylber

 mbi shpatulla  kam mjegulla me këmbë sikur prek  retë

Ohhh,  paskam mall  e brinjët sot po me therin në çdo vend

Nuk të  ndal kufiri  nuk të ndalon as mallkimi i rëndë

 Jam dirigjent e një Simfonie mbi pentagramin e zemrës

Notat mbi tingujt e kitarës  rrahin si qerpikët që duan qetësi

Buzagaz malli vjen e vendlindja zgjohet nga gjumi i ëndrrës

Jeta ecën mbi jele kali në një revan të fortë që nuk ka mbarim

 Çerdhet e dallëndysheve varen  mbi trarët e fortë të pritjeve

Tjerrin vargje,   ani pse dhimbshëm kullon korniza e mallit

Ta kthej mërgimin në bashkim si të ishte një diel në rrëzëllitje

Për freskimin e shpirtit për të prekur  dhe majën më të lartë të malit

 

 VESË MBI GUR

 Një pikë vese mbi gurin e nuses kridhen legjendat e moçme

Nëpër  shekuj e dekada  nuk i pinë koha  s’thahet plaga 

Testamentin ne arkë të ma ruani,kështu pat thenë Sofë shkodranja

Nese fjala ime thrret  lindje dashurinë  ma ruani si sytë e një lehone

 Një pikë loti rrëshqiti lugut  ra mbi gur e guri  se piu

Ishte  ngopur nga lot shekulli gur i shenjët fortë qendron mbi mur

Nuk lotoi kurrë krenaria n’shpirt trazuar nga nga padretësia

Nepër breza rritëm shtatin duke ja pasë besën gjoksit e malit

 Gjatë ndriqoi hëna nëpër re duke e pritë agimin e bardhë

Që ta zhdukë errësirën e vjetër dielli i ngrohët te na puthë në ball

E puthi nana e bekoi kombi një Shall të Rugovës n’besë të Kastriotit

Sot lëshon rreze parajse ndertoi urë mbi Atlatik akitekti Dardanisë së lashtë

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: cikel poetik, ditelindja e Mark Krasniqit.., neki Lulaj

KLITHMËLINDJE…Nga ARTUR VREKAJ

September 11, 2013 by dgreca

KLITHMËLINDJE*/

Si kalimtar i përditshëm klithmëlindjet e jetës/

i përjetoj në çdo stinë./

Kur ndjeni që  mushkëritë ju  çliren,/

një oksigjen i ri, jetëson/

gjithësinë…/

Dhe shoh si dheu  barin e kon/

me frymën shpërthyese të lulesythnajës/

dhe tërë bota  bleron./

Dua të jem klithmë-lindje …/

 

Çdo ditë  me lindjet njerëzore,/

Çdo ditë me klithmë-dehjen e agimeve pranverore .

 

Kurrë nuk do t’u ndahem klithmave.

Edhe  dhimbjeve,

gjithsesi.

 

Kur nuk do të më ndjeni,o njerëz,

kërkomëni,

dhe do të më  gjeni:

me një trëndafil Përmeti në dorë…

dhe, herë-herë,

…edhe  me lot’ në sy…

 

Me lindje është mbushur plot-përplot zemra ime:

me mall, me këngë dhe me ëndërrime….

 

Kam një dhimbje njerëzore, që më mundon:

“Pse , moj Vesë-parfumeri-agimesh

Më tretesh pa gjurmë dhe,

…më avullon?!…

 

Përse, moj  Vesë-parfumeri-agimesh, pse ?!

Jetën kaq të shkurtër e ke ?!”…

 

 

 

 

ME NJË ENDËR E LIDH  DITËN

 

Pas një vargu naimian,

shpirtshtegtuar dritëDiellit,

i thaj lotët e mërgimit

me agimet  e Përmetit….

 

Sa dal portës, në oborr

shpirt e këngë bilbilkënduar;

Pas një lule trëndafili

paqem, gazem lulëruar!

 

Me një endërr e lidh ditën,

shpresëruar me besë e zot;

Si zotin kam Amerikën,

kombvëlla si dje, si sot!

 

Kënga visesh më shtegton,

ku e ardhmja shpresëron!

 

 

 

VALËZAMBAKËRISHT

Liqeni val bregut

të tijat buzëvalë;

Tufat e zambakëve

i përkund pa fjalë.

 

Syre, syre pihen

pas zambakërisë;

Shpirtër-a që krihen

qeshur vajzërisë.

 

Lulebardhët puthin

faqeujësinë;

Vajzëria shtiz

pritjedashurinë.

 

Era merr liqenin

në ditët katran;

zambakëve majëthikash

fytyrëgjakur qan.

 

I urti liqen

gjizambakëruar;

Shpirtbardhë si lulja

rrathë-rrathë shkruar.

 

Si dashuria ime

ëndërrlëmshëzuar;

Me mall të vendlindjes

mërgimit pikuar!

 

Syprinës rrathëprerë

Valëzambakërisht;

Vargu im këndon

Ditën djalërisht!

 

 

KTHE, O SHPIRTMËRGUAR

 

Dita përmes zërash kthjell veç zëbilbilin,

bahçes krehur, larë me erë kamomili;

Ajri ajkëzënë me ajkë nektari,

rrugëve nga shkon bleta harliset behari.

 

Bleta e mjalt ditën në zgavër të lisit,

që jeta të zërë farë lumturimi;

Në të shenjtin vend ku ndrin hij’ e fisit

kthe, o shpirtmërguar g’zoju paqësimit!

 

 

 

LOTI  DHËMB SI NJË FRYMOR

 

Loti dhëmb si një frymor,

sepse shpirti i tij vaj:

I nxehtë si dalë nga furra,

moshëfoshnjë i pafaj.

 

Qiell’n e syrit lan me qarje

kripen dhe gurët pa zë;

Këputet nga buzë e syrit

njolla e lotit ngrin e fle…

 

Kur një shpirt loton plaguar,

vështron urtë si vetë zoti,

sa njeriu shpirtlënduar,

nuk arrin të fshijë lotin.

 

Lot’n e pafaj qelq të larë,

mos e pafshim që të bjerë;

Të fiket dashurivrarë,

tek vetja dhe tek të tjerë!

 

FARËZIMI I GRURIT

 

Si një foshnjëz  pa pelena,

brazdës në bukëvaltin shtrat,

nis një jetë e madhërishme,

farë e vogël  ngrihet lart…

 

Rrënjëzon kjo jetë e re,

thith nektarë e nënës- tokë,

farëzon e shtohet jeta,

ndrit  një yll i art’ në botë…

 

Ja një kokërr shtohet, rritet,

pushton fushën  tejpërtej…

Farëzon një kokërr fare,

dhe pavdekësinë  mbjell…

 

 

KUMBULLA IME

 

Kaq të bardha, kaq të paqme,

i çel lulet kumbull-o;

Të mbolla as njëvjeçare

edhe pse mërguar-o!

 

Kaq e paqme, kaq e bardha,

velloveshur kumbull-o;

Sa zili të ka dhe dardha,

sythfjetur, vonuar-o.

 

Sa gëzuar bletët rendin,

se ti kumbull çel e  para;

Lulegjinjtë nektar u falin,

të ëmblave këngëmjalta!

 

S’dua që bletët të trëmben,

kur një degëz e shkund era;

Bleta shtegtare  dhe  unë,

rrugëve, në kërkim përhera…

 

Ah, moj kumbull që të pres

Çdo pranverë, si lajmëtare,

bardhësia jote më jep

pasaportën përmetare …

 

 

 

 

TË MOS THAHEM I MËRGUAR

 

Det mendimi e kthjell vargun,

të pastër, të ngrohtë, të dashur;

Dhe një shpirt që shkon frymëmardhur

e ngre gjallë, të papërmbajtur.

 

Me të shpirtit ajkëkuar,

ditënatë shqipëroj;

Të mos thahem i mërguar,

vargun vesh e pranveroj!

Me vargun çmend edhe detin,

kur hoven hiret e fjalës;

Dashurin’ e dashurive

shkruaj tantellave të valës!

* Cikël me poezi nga libri “Klithmëlindje”, 2013/

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: artur vrekaj, cikel poetik, klithmelindje

MBI UNIVERSIN POETIK TE SABIT RUSTEMIT

July 24, 2013 by dgreca

Nje kenveshtrim letrar rreth vepres poetike te Sabit Rustemit, botimet e tij, dhe nej cikel I plote poetic…/

Shkruan:  Shaban Cakolli/

Poet i mirë është vetëm ai,duke bërë hapat e tij në krijimtari hap pas hapi,lufton për të arrirë të bukurën,të përshkruaj ngjarëjet dhe fenomenet,për atdheun,kohën,njerëzit e atdheut,ku qoftë mes poezisë apo tregimit,dokumenteve,krijimtarinë e bënë si skulpturë që flet, si muzikë që fisnikëron,si zjarr që nuk i nënshtrohet hirit,por një art të përsosur,estetik,të thjesht,lakonik dhe të qartë,të pasur letrarisht dhe të kapur për secilin  lexues.Një poet i mirë lypset sa më shumë lexim. Veçanërisht në lëmin e poezisë që të përvetësohet përvoja e të tjerëve në përsosjen e vargut si nga pikëpamja teorike (forma), ashtu edhe nga pikëpamja përmbajtjesore,kuptojmë se poezia lirike, për të dalë e mirë, duhet të jetë:  e shkruar me fjalë të zgjedhura që, me pak fjalë të thuhet shumë, ) duhet ta ketë idenë e domosdoshme sipas temës së trajtuar,  duhet ta ketë ndjenjën e ngrohtësisë së brendshme, që të dalë poezia sa më e mbrujtur dhe sa më bindëse,  ta ketë, në të njëjtin kohë, edhe dufin, që është dyzash sipas temës e motiveve të trajtuara dhe, duhet ta ketë edhe  goditjen e qëlluar,sipas këtyre cilësive të cilat cekëm më lart,njëri nga  letrarët tanë i cili i posedon të gjitha këto cilësi,është  poeti ynë i  çmuar,z.Sabit Rrustemi.

Sabit Rrustemi:Shquhet ndër letrarët më të spikatur të rrethit të Anamoravës.Veprat e tij poetike, vijnëpara lexuesit me një përkushtim  të theksuar,ai që prej krijimeve të para artistike ka ruajtur identitetin e vet krijues, gjithnjë duke e pasuruar fondin e letërsisë shqiptare me veçantit e tija artistike.Vargjet e tij korrespondojnë pohimin e brendshëm shpirtëror në krijimin e vargut racional, duke e pasqyruar atë gjithnjë me zjarrminë e botës së brendshme, që shpërthen vazhdimisht në përditshmërinë tonë.Tek krijimtaria e Sabit Rrustemit . Vargjet e tij korrespondojnë pohimin e brendshëm shpirtëror në krijimin e vargut racional, duke e pasqyruar atë gjithnjë me zjarrminë e botës së brendshme, që shpërthen vazhdimisht në përditshmërinë tonë portretin e ekspresiv prej artisti.Poeti përmes figurave artistike si; metafora, epiteti,simboli etj., ka treguar se transparenca në poezinë e tij bartë atributet e kohëve,si në rrafshin tematik,po ashtu edhe si; metafora, epiteti,simboli etj., ka treguar se transparenca në poezinë e tij bartë atributet e kohëve,si në rrafshin tematik,po ashtu edhe në rrafshin e vetëdijesimit të këtij absurditeti nëpër shoqëritë e ndryshme.Sabit Rrustemi,veç talentit të tij,punës së paepur,ka ardhur në këtë botë edhe me dhunti për të shkruar,me dhunti për të kapur mendimet,për të shprehur ate që ndizet në shpirtin e tij poetik,për të shpalosur botën shpirtërore para lexuesit.Ai është një lërues i madh i kulturës sonë,gëdhend vargun dhe nga ai nxjerr thesaret e fjalës,të cilat lëkundin shpirtin e  lexuesëve.Poezia e tij është poezi e prushit të madh,ai ka ditur të pregadis mirë brumin e tij poetik,Ai di të zgjedh tema,din të i shtjelloj ato,gjatë shtjellimit nxjerr motive dhe mesazhe të fuqishme,bënë mrekullira dhe vargun e tij  e bënë armë të fortë në duart e luftëtarit.Një poet që poezinë e vënë në shërbim të kombit,mes saj pastron shpirtin e vet prej krijuesit dhe shpirtërat e lexuesëve.Ai ka shumë aftësi  për të shprushur shpirtin poetik,për të e  pasuruar me figura të pasura poetike,metafora e simbole,qoftë kur  vargëron në motivin kombëtarë,qoftë në ate të dashurisë.Sabiti iu është përkushtuar poezisë nga fëmijëria,ndoshta mu aty e mori frymëzimin,se i takonte një treve me pasuri të pashterrshme kulturore e kombëtare,në odat e rrethit të tij ka pasur burra veprimtarë  të kombit të cilët kishin cilësitë më të çmuara të cilat u takojnë burrave, mençurinë, trimërinë, burrërinë, qëndresën, besen, nderin , mbi të gjitha atdhedashurinë,si ishin: Mulla Idriz Gjilani, Idriz Seferi, Ramiz Cërnica, e shumë të llojit të tyre në rrethin e  Karadakut,të cilët  jetën ia kushtonin burrërisë,nderit dhe kombit.E si mos të  e frymëzonin burrëritë e tyre,madje ato pejsazhet e bukura të vendlindjes së Sabitit,fushat,arat,malet,gurrat,e atijvendi të dashur e pitoresk.Poezitë e  Sabitit i kam lexuar si fëmijë nëpër gazetat e revistat që botoheshin atëhere,aq sa i kuptoja,ia kisha lakmi  vargjeve të tija të fuqishme.Shumë kohë më vonë,kam pasur fatin të e njoh personalisht  Sabitin,të e përqafoj e të i shtrëngoj duart me te,të pijmë kafe së bashku,të bisedojmë e këshillohemi për poezinë,artin,kulturën,i mençur ,i ngrohët,i papërtueshëm në këshilla, të jep guxim,frymëzim dhe të mundëson të kapish kuptimin e bukur të fjalës së shkruar.Njeri që dhuron libra,unë edhe pse në mërgim,kohën kur shkoj në vendlindje takohem me te, në Hotelin”KRISTAL” të Gjilanit,vend  ky që sikur i bashkon krijuesit,isha edhe në  shtëpinë e tij,ku më ka lënë përshtypëje mikpritja e tij prej burrit,bukuritë pitoreske të vendlindjes  së tij,më ka dhurua shumë nga krijimtaria e tij, deri te përmbledhja e fundit”Zjarrmi e Kthjelltë”,madje më ka dhënë të u përcjell edhe miqëve në mërgim,çka e kam bërë me shumë kënaqësi.Sabiti është një organizator i mirë i krijimtarisë letrare,udhëheq klubin”Beqir Musliu” në Gjilan i cili rreth vetes bashkon shumë krijues,nxjerr revistën “Agmia”,unë kam marrur pjesë në organizimet e tyre dhe jam nda shumë i kënaqur.Sabiti me  Nexhat  Rexhën, një shkrimtar, poet e kritik letrar, kanë bërë shumë për krijimtarinë letrare në rrethin e Anamoraves,nuk e fsheh  mallin i cili më ka pushtuar,për të takuar këta dy miq të mirë,të cilët kur të i takoj,padyshim do të sjellin ndonjë risi.

Sabit  Rrustemi,një poet i cili simbolizon Atdhedashurinë,guximin,largpamësinë,mendjen e ndritur,i ka armë të forta fjalët e tij në vargje,frymëzim  për çdo atdhedashës,ngrohin zemrat e artdashësit,ngritë moralin në shpirtin e lexuesit,është idator,projektor dhe realizues i veprave të mëdha në letërsinë tonë kombëtare.Të shkruash të bëmat e Sabit  Rrustemit në letërsinë tonë,nuk arrin të i thuash me një vështrim të

shkurtër,për to duhet të shkruajmë shumë.Ky mendimtar i fjales  së ndritur,letërsinë e ka bërë pasion e dashuri të shpirtit,mënyrë e të jetuarit me te në të njejten çati.

Beqir Musliu u shfaq në poezinë tonë në fillim të viteve ’60, si poet me pikëpamje dhe forma insistuese, që nuk ishin të rëndomta për atë kohë… prandaj kritika e përcolli me interesim të veçantë dhe   krijimtarinë e tij e tij ,i cili  atë botë ishte më i miri,por shkuarëja e tij e parakohëshme në botën tjetër,la pasardhësit e tij në Anamoravë,të cilët nuk e lanë të rrënohet asnjë çast kështjella e tij letrare,vetëm sa shtoheshin krijuesit e kësaj ane,të cilët secili vënin nga një gurë në atë kështjellë ,i pari e vuri Sabit  Rrustemi,i cili punoj   çdo çast që të ruaj,kultivoj,pasuroj dhe të mbajë gjallë vepren e tij. Kur kujtonim të madhin Beqir  Musliun në Gjilan,e pata thënë publikisht:As  Beqir  Musliu dhe as Kadare nuk u shfaqen rastësisht,ata me punë e mençuri bënë emër dhe vepër,ata duhet të i zëvendësoj dikush,unë e quajta një Beqir  Musliu të dytë z.Sabit  Rrustemin,por ai protestoj menjëherë,tha se Musliu mbetet i pazëvendsueshëm.Eh,po kështu janë ata që punojnë pa zhurmë e bujë,por jeta dhe vepra e  Beqir  Musliut,mbetet e gjallë,e ndritëshme,nga se ate e bëjnë të pavdekshme krijues të mëdhenj të Anamoravës,si:Sabit  Rrustemi,Nexhat Rexha,i madhi poet e kritik Ibrahim Ibishi,i cili fatkeqësisht nuk është më me ne,por i jeton vepra,Hysen Kqiku,Daut Maliqi,Demir Krasniqi,Musah Ahmetaj,Hasije Selishta -Kryeziu,Bajram Kosumi,Albinë Idrizi,Dan Kosumi,Linditë Ramushi,Vehbi Klaiqi,Fatushe Ahmetaj,Fitore Bunjaku,e shumë të tjerë të cilët nuk po mund të i përfshij në këtë shkrim të shkurtër,si Ramadan S.Latifaj,Sadbere Gagica,Isë Kosumi,Fehmi Cakolli,Shpresa  Ajvazi,e shumë të tjerë…….

KUSH ESHTE SABIT RUSTEMI

Sabit Rrustemi është i lindur më 3 Prill 1959 në Terziaj, fshat në afërsi të Zhegrës, Komuna e Gjilanit. Shkollimin fillor e kryen në Zhegër, atë të mesëm në Gjilan, ndërsa studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Prishtinë. Në vitin 1977 boton poezinë e parë ne revistën “Zëri i rinisë” të Prishtinës. Në vitin 1981, është shkrimtari i vetëm i Kosovës që burgoset për shkak të botimit të tregimit “Nën maskën e mysafirëve”, të botuar në revistën “Fjala” më 1 prill të atij viti, ditën kur demonstratat shqiptare për Kosovën Republikë e mbushën Prishtinën. Dënohet me katër vjet burg nga regjimi i Jugosllavisë titiste, me ç’rast i ndalohet edhe botimi i krijimtarisë letrare. Tek në vitin 1990 boton përmbledhjen e parë të poezive ËNDËRRO ËNDRRËN E MUNGUAR.

Sabit Rrustemi,ka botuar:

Ku i la lisat era Rilindja, Prishtinë, libër ky i dorëzuar që në vitin 1981, redaktuar nga poeti i mirënjohur Ali Podrimja.

Besoj në një diell, Fjala 1992 Prishtinë.

Variacione për lirinë, Rilindja, 1997, Prishtinë.

Ëndrra që puthet, poezi, Rozafa, 2001, Prishtinë.

Pika e zezë, përmbledhje tregimesh, Flaka e vëllazërimit, Shkup, 1993.

Maska e mysafirëve SH.B. Buzuku, Prishtinë, 1997.

Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës, prozën dokumentare 1994, Shtëpia Botuese Plejada botues, Beqir Musliu.

Natyrë me vaj, album poetik, Shtëpi Botuese Plejada, Prishtinë me parathënie të Beqir Musliut.

Paqja e brishtë, bot. Rozafa, Prishtnë, 2007

SHIU I BUZËVE TUA, bot. Rozafa, Prishtnë, 2009

ANTINGERE DIVINA / Prekje hyjnore (përkthyer në gjuhen rumune nga Baki Ymeri), Bukuresht, 2009

NËN QERPIKUN TËND, poezi, T-KOM, Shkup 2009

I përfaqësuar edhe në Antologjinë poetike TEMPLUL CUVANTULUI / Tempulli i Fjalës, Bukuresht 2009

 

Trekëndshi Poetik i Paqës

 

Zjarmi e Kthjelltë,si dhe Sabiti do të ketë botuar edhe shumë libra tjerë,por unë si mërgimtarë shkoj rrallë në vendlindje,dhe nuk kam mundur të siguroj gjitha veprat e tij.

Është laureat i një sërë shpërblimesh letrare ne poezi e prozë mes viteve 1979 -2010.

 

NGA KRIJIMTARIA E SABIT RRUSTEMIT

 

Qiellit të mesnatës sime

U shfaqe papritur ashtu si je

E butë

E qetë

 

Etur për dashuri e jetë

 

Si një fllad pranvere

Më shprush nëpër dej

Më grishë pas

Kah ata qiej

 

Tek ajo Yllnajë ëndrre

E paprekur më prêt

Vetminë time dhe tënden

Pa fjalë e vret

 

 

…

 

Dhe unë rend pas teje

Rend e t’kërkoj

Botën tënde të fshehur

Të ta shfletoj

Përngadal krejt përngadal

Me puthje lot e mallë

Faqe për faqe

Pore për pore

Të të puthë ku dua

Dhe së fundmi në ballë

Për kënaqësinë që ma falë

Si një shfaqje e rrallë

 

E ëmbla ime e dëshiruar

Ik tash

Fli

 

Fli e ëndërro

Ëndrrën e munguar

 

E PRITA DHE ZGJIMIN TËND

 

Që t’ mos ndihesh e harruar

E prita dhe zgjimin tënd

 

Anise nuk jam aty

Lëkurës së bardhë engjëllore të të mikloj

Flokëve jeshile shelgjeve të varem

Të këputem e të bie

Në shtratin tënd

 

Pastaj ti

Zemrën ta shpalosësh sërish

Të ma mbash kokën në duar

E të mos ndalesh duke më uruar

 

Kafja e mëngjesit

Me vargje zier e përzier

Prêt për t’u shijuar

Brenda një bote që të vlon në gji

 

Llogarit që jam aty

Brenda atij filgjani që e pive me fund

Si një uratë e përditshme

 

…..

 

Ti s’ je e harruara

Ti je je ajo që po vjen

 

Mes reshë të mbarsura

Shpërthen

Si ajo dritë

 

Syri yt i kaltër

Pluhurin tim e fshin me flatër

Nëpër stinë

Rilind dashurinë

 

Si këtë mëngjes

Lulja ime që pres

 

( 24 Maj 2013)

 

 

 

 

 

E DIELA ZGJATË ËNDRRËN

 

E diela zgjatë ëndrrën

vonon agun

atë trokitje në dritare

 

jashtë shtëpisë

bryma tinzare e natës

dogji atë jeshil buzësh

 

u vonuam e dashur

një orë u vonuam

duke e pritur atë puthje

në ëndërr

 

të dielën e shterrim solo

si kafenë e zezë

të një mëngjesi

 

31 tetor 2010

 

 

 

 

MA GJEJ

 

Ma gjej atë varg

atë imazh

ma gej atë Po E zi

që flakë mërzi

 

veten tënde

ma gjej në mua

veten time në Ty

e m’i kthjell këta Sy

 

në dritë hëne e dielli

deri te ajo kupë e kaltër

të prekim

e të prehemi

sall me dashuri

 

1 Nëntor 2010

 

 

 

 

TEK RRËNJA JOTE

 

dyshimi

për dallim nga krimbi,

nuk e gërryen atë ZemërMollë,

po atë LoçkëZemre

 

mos i jep rast

të të futet në brendi

trupit jeshil

qerpikëve të zi

 

strehë e tij

mos u bë

moj peh’rri

 

se ajo zemërrëmollë

do gërryhet

do bëhet zi

 

ajo loçkëzemre

do rrudhet

do t’kurret

e do varet syve të mi

plot mërzi

 

as dyshimit

as krimbit

strehë

nuk do t’i bëhesh ti

 

verë e dimër

tek rrënja jote do rri

plagët të t’i mbyllë me dashuri

nëpër sythat me lule

të buloj përsëri

me frut të ri

 

Gjilan, 6 nëntor 2010

 

 

 

 

VJEN ME DIELL

 

e diela vjen sërish

me diell

lutje e vetmi

 

vjen dhe me të dridhshmen dashuri

fshehur diku

nën gji

 

vjen

e më gjen mua tek ty

ku rri

 

të gjen ty

nën këtë strehë zemre,

si zog vjeshte nën çati

të t’mos lag ai shi

 

e diela vjen

e më gjenë atje ku dua

ku me ëndje rri

 

tek ai Çepur i lashtë

nën një meditim të ri

i flakëruar me dashuri

 

14 Nëntor 2010

 

Nata lahet në shi

ajo rrugë me mërzi

ankthi i pritjes

ato gjurmë kah vjen ti

 

po zërin ta vjedh era

simfonia e vjeshtës me shi

me murmurima

 

stinë e vonë për vetëtima

se nuk shihen fytyrat tona

 

përshëndetja nuk shtypet

as në tastaturë

nuk belbëzon as në dritare

 

e dashur

rrebeshet e pritjes

vërshojnë bebëzave të mia

 

natës që s’ lahet

nga tërë ky shi

vetëtimë bëhen sytë e mi

 

 

(22 Nëntor 2010)

 

 

 

MONOLOG DIELLOR

 

ajo sillet njëzeekatër orë

rreth meje

ditë e natë

me mijëra vjet

 

në sistemin tim

e kam më të bukurin planet

 

ia kam dhënë të gjitha

të gjitha

 

ato që i fsheh në brendësi

dhe ato që i shihen në jashtësi

dhe të bukurit sy

 

oh,

po nuk di ç’i mungon tashti

pos meje

 

nga dhimbja

se mund ta shkrijë të tërën

nuk ju futa nën qepalla

nën të shkriftin gji

për pa e krijuar një planet të ri

 

ajo më rrëshqiti faqesh

ra në tjetër dashuri

 

 

(23 Nëntor2010)

 

 

 

 

FESTIVE

 

nga rrënjë e emrit tënd

të njomë e plot shend

piptha të flamurtë

bulojnë

e lëshojnë shtat

luleshqiponjat

me aromë

atdhedashurie

 

(28 Nëntor 2010)

 

 

NË MESNATË

 

Hyre qetas shpirtit tim

Si një ëndërr

Në mesnatë

 

nuk ndjeva zë

nuk ndjeva gjëmë

as fytyrën

nuk ta pashë

 

brenda syve t’u isha

vetëm nuk të lashë

 

gjumin nuk ta prisha

asnjë fjalë s’ ta thashë

 

veten time krejt ta dhashë

moj

ta dhashë

 

(1 dhjetor 2010)

 

 

NATA RREBELE

 

nata u bë rrebele

shtyp portrete

pllakateve prej letre

e i ngjet nëpër mure

trungje

rrugëve

shesheve

hyrje daljeve

vërshojnë retë mbi gënjeshtra

vërshojnë gjerë e gjatë

tokës së mpirë shpresash

me premtime boshe

 

gënjeshtarët nën ombrella

struken katesh të larta

 

po populli ecën rrugësh

këmbëlagur i qullur

se s’ka si struket xhepash

 

vetëm pritjeve thahet

prej fjalëve

që pa prekur tokën

barten prej ere

 

sa shi bie

e pritet me ra

këtë soj gënjeshtarësh

për me la e shpërla

 

(3 dhjetor 2010)

 

 

E FSHEHUR N’THELLËSI

 

rrëzë Çepurit struken ëndrrat

nën kaçuba

vetullave të mia

thellë diku në gji

hirin e kujtesës shprushë

për zjarr të ri

 

janë tharë çufurraket

pritjeve nën diell

nën erë

nën shi e stuhi

 

e dora ime s’ është aty

as buzët tua

e mëngjesit puhi

 

se si ndizen të shkretat

si ëndrrat marrin flake

e më kthejnë aty

ku tash jam dhe unë

je dhe ti

 

një ëndërr Çepuri

e fshehur n’ thellësi

 

( 10 dhjetor 2010)

 

 

 

 

BESOJ

 

E diela e lutjeve

e diela e pritjeve

e diela e pendesës

kjo ditë e shërbesës

 

troket nesësr

si ditë e shpresës

maje Çepurit

me atë fytyrë diellore

e bukë nore

 

të pres

e nuk zbres pa ty

për dore

ëndrra ime

për një puthje

që mbeti pa prehje

e nuk pushoi

ende ku desh’

 

e diela ime

me ty vjen

nuk ka rrugë tjetër

pritja ime

zgjatet deri nesër

 

11 dhjetor 2010

 

 

PËR DRITË TË LLAMPËS

për dritë t’ llampës

i futën gishtërinjtë

duart

dhe kapën qetas

atë pjesë të vullnetshme

për ta hedhur

atje ku s’ binte

 

më pas

futën dhe këmbët

qetas e pa drojë

sipas porosisë

spërkatën me egjër

njerëzit e shtëpisë

 

shpërgjumja ndodhi vonë

diku në mesnatë

 

kryemjeshtri i hajnisë

pa gojë la një popull

në qendër të Dardanisë

 

historia

aty ku përsëritet

nuk është mësuese e jetës

fituesi edhe njëherë

shpallet përmes gënjeshtrës

 

(13 dhjetor 2010)

 

(VARIANT)

 

Për dritë të llampës

futën gishtërinjtë

duart

dhe kapën qetas

atë pjesë të vullnetshme

për ta hedhur

atje ku s’ binte

 

më pas

futën dhe këmbët

qetas e pa drojë

sipas porosisë

spërkatën me egjër

njerëzit e shtëpisë

 

shpërgjumja ndodhi vonë

pasi mjeshtëri i vjedhjes

cipricullak la të zonë

 

(13 dhjetor 2010)

 

MUNGOJNË

 

teshtinë Kosova

nga të kundërtat

zbresin gradat përjashta

temperaturat ngriten përmbrenda

dyert hapen

koridoreve të mbyllura

mungojnë shkallët për të zbritur

zonave të lira

 

e mali harxhohet

muret nxihen

trarët e shtëpisë

mushkëritë e njerëzisë

 

tabletat

si përkujdesje çasti

vetëm fshehin dhembjet

të kundërtat rikthejnë teshtimat

lutjet

bëje mirë o zot

 

(15 dhjetor 2010)

 

KOKRRAT

Dimri ha kashtën

Leje ma kokrrat

 

Dilni

Përpushni

Ç’prisni

 

Mblidhni më

Ato dokrra

Kokrra…

 

Hajni e borë po reshë

Si brenda

Si jashtë shtëpisë

TROJËS  ju shterr zëri

Ju mpi goja

Prej acarit

Veshtë na lanë

 

Ku me gjetë lesh

Pojatën kush s’ e ruan

E ujqit

Bartën kopenë

 

Dimër i shtirë

Do vijë

Mbi ne do n’lurë

Do teshtijë

 

Dhe flokët do të na bien

Prej kresë

Duke kruar

 

Dimrit ju sos kashta

Kokrra po ha

 

(16 dhjetor 2010)

 

 

UDHA E SOTIT

 

N’ gushtohet njeri

në ditë të sotit

shtirë me ecë drejtë

…me metë n’ kamë

përfundi akull

e naltë

nji qiell i vratë

e lehtë

e lehtë i qoftë udha

kush ka me udh’tu

gjatë

deri tek ai lis

me maje t’ thatë

 

(20 dhjetor 2010)

 

 

THELLËSISË SATE

(maleve të Karadakut në dimër)

 

 

Heshtja e bardhë

si paqe e ftohtë

ma mbulon trupin

të shtrirë nën lisa

mb rrënjë malesh

 

vetëm flokët

m’ i shkund era

degëve krahëlehta

ka pak gjethe

shpresë pranvere

 

i vetëm ha veten

ditët që ikin

me ushtimë ere

zë a gjëmë s’ ka

sall kur thyhem

prej jugu a ngrice

 

rri e pres

sot e mot

nuk shkulem dot

e kanë kot

 

vetëm yti lot

më djeg

dhe ai zot

fshehur në mua

 

prej dhimbjeve

shtrydhem

shpërthej në krua

buzëve tua

 

(21 dhjetor 2010)

 

 

BJERI TRUP

ka shumë shtigje

deri tek ajo maje

kahdo që t’ i biesh

ecja jote do shihet

nuk ka se si fshihet

 

mali që patëm

më parë është prerë

tash po digjet

 

bjeri trup përpjetzës

diku gjunjaz

diku me duar

 

e di sëpaku

që arrive vetë

kurdo që ta prekësh atë majë

 

tagër s’ i paguan askujt

 

dhe pusho pastaj

pusho e kënaqu

krejt i qetë

 

(22 dhjetor 2010)

 

 

 

 

ORËZEMRA

Orëzemra

në dymbëdhjetë dritare

trokiti

dymbëdhjetë herë

për t’u bërë një me ty

 

dhe u bë

 

mes zerosh

u shfaqe Ti

në pikë të natës

 

përmes puthjesh

ditë e re agoi

(24 dhjetor 2010)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: cikel poetik, krijimtaria, Sabit Rustemi, Shaban Cakolli

LEDIANA STILLO, E FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

June 14, 2013 by dgreca

Lediana Stillo lindi në qytetin e Korçës më 25.11.1980. Në mars të 2003 ndërpreu studimet universitare për të emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga shkurti i vitit 2005 punon si analiste ne Departamentin e Thesarit te Massachusetts. Ajo vazhdon studimet ne Harvard University, ku shpreson të kopletojë studimet për kontabilitet financiar dhe artet e bukura.
Pasioni i Lediana Stillos për letërsinë ka filluar që në moshë të re, por ajo nuk botoi deri më 2008. Eshtë autore e vëllimeve poetike “Lotët e nimfës” (2008); “Pax Deorum” (2011); vëllimit me drama “Mëkati i heshtjes” (2011) si dhe autorja e antologjisë me poezi amerikane të përkthyera në shqip “Tingujt e erës”, botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës më 2012. Lediana ka fituar çmimin e parë për poetet e rinj më 2010 nga shoqata e shkrimtarëve “Pegasi” dhe ishte finaliste e konkursit austriak për dramat më të mira shqipe ne vitin 2009. Së shpejti, vëllimi tjeter me poezi, “Kulpra e Katedrales së Heshtur” do t’i paraqitet publikut shqiptar.

 Paqe ballkanase

 Të pikturosh paqen ballkanike

është si të hijëzosh fytyrat e të humburve,

me laps të kuq

 Të rikthesh klepsidrën deri në kokrrën e fundit

dhe te presësh heshtjen e Athinës

përmbi Trojë.

 Të flasësh për paqen në Ballkan

do të thotë të kesh në duar dhjetë sy

të përulur e me veti përthithje

në pritje për të fjetur përfundimisht.

 Të kerkosh paqen ballkanike

do të thotë t’i biesh në gjunjë sfinksit.

të shohësh me trimëri një sy meduze

e të dehesh me një gotë pelini.

 Dhe nuk e dime se për sa kohë koha do të kercënojë me kohë?

Dhe nuk e dimë se për sa kohë shtëpitë do braktisen e heshten?

Dhe nuk e dime se për sa kohë ënjgjëjt do flenë tok me djajtë?

Kërcënimi ballkan është i lashtë.. i lashtë… një lashtë universale…

 Atdheu im, kërthizë antike.

 Forcën gravitacionale nuk e kuptoja dot

kur në lirinë time kridhesha shfrenuar

nga dega e braktisur.

Në këmbët e pemës mëmë, rrija indiferente

fshihja identitetin tim të mohuar.

Ajo, pema e sherrit.

Unë fruti i mbujtur në mite.

Shkëlqimit tim të llustruar iu përgjigjën krimbat

Atëherë, u ndieva dyfish e huaj

mashtruar nga inekzistenca amfibe.

 Forcën e tërheqjes nuk e shihja dot

kur në palcë më derdhej shkujdesshëm

uji I kroit të ftohtë.

Trefish e njoha dëborën e Marsit atë vit,

ciklonit oqeanik trefish ia njoha peshën

në dimensionin e një neuroni.

Po trefish u përplas koha në format e saj.

Atëherë u njelmën kanalet e syve të mi.

Gravitacioni i mitit të braktisjes

gropë të zezë formoi

në prehër të kraharorit…

Atëherë pashë hijen e Njutonit të më fanitej.

Ndieva dhimbjen e krimbit dhëmbgërryes.

Kuptova ekzistencen “e huaj” në dhe.

 O Atdhe! Nuk të drejtohem dot me emrin e Gaia’s.

dhe pse Nënë të gjithë të kanë quajtur.

Ti je kërthizë,

Kërthizë,…

e një mitre mbarsur me mite.

 Ne, barbarët

 Kush tha se më barbarë nuk ka?

Kush tha se s’kanë qënë ndonjëherë?

Sot heshtja është prova moderne

e barbarëve, e jona, e shkrirë me ta

që kur Eva e hëngri frutin çuditbërës.

Dhe ende nuk e kuptojmë

rritjen tonë në kafaz;

si vendosim të mirën dhe të keqen

në peshoren Anubiane

dhe besojmë se jemi me të lehtë

se pupla e  një struci afrikan.

Thua se Zoti na dha shpirtin dhe na bekoi

shtegtimin mbi botën e humbur,

për t’i ndier valsin në brendinë tonë,

në ngjitjen tonë të ajërt drejt askushit?

Sa të varfër jemi. Sa varfërisht besojmë

Cavafy priti kaq shumë t’i shihte barbarët,

por ata nuk erdhën në qytetin e shtangur

Si do të mundeshin, kur ata aty ishin

në senat, asamble, në pallatet “teatrale”?

Sa të varfër që jemi. Sa varfërisht mendojmë.

Gjithçka bëjmë, është të lënit poshtë të penës

dhe të imagjinuarit se sa engjëj ne jemi

në këtë botë mizorish.

 Dialog me një të panjohur

  -Si ju quajnë?

– Nuk më kujtohet. Ndoshta nuk kam emër..

Ndoshta jam një numër i panumërueshëm

në bashkësinë e zerove.

 – Pse keni ardhur?

– Më patët thirrur ju ose ndoshta më kanë bërë veshët…

 – Si ndiheni?

– Bosh në plotësinë time, sigurisht!

 – Çfarë shije kanë bajamet?

– Të athët.. të kripur…

 – Çfarë shije kanë bajamet ju pyeta!

– Nuk e di. Di se më velin.

 – Pse dridheni?

– Kam frikë. Dielli më drithëron gjithmonë.

 – Pse shkruani?

– Se s’kam si ta shtyj kohën..

 – Pse shkruani ju pyeta?

– Sepse kam tëmtha që ndinë të rrahin…

 – Pse shkruani, po ju ripyes!?

– Sepse jam gjithmonë në pritjë të një dite ngjyrë karafili

 – Përsëriteni c’thate-

– Sepse kam nevojë ta pulsoj ditën,

Ta ringjall e ta bëj të ecë mbi marshe

të panjohura. Ta rradhit në kronologjinë

e ngjarjeve pa autor. Ta hiperbolizoj

paralizen e heshtjes. Ta mardh

ngrohtesine e qeshjes.

Ta godas me shuplakën time – …

 – Ah po, kaloni tashmë ne dhomen e të marrëve!

Histori guralecësh

 Dallgët e detit në Dhërmi duken gojëhapur

si grumbull grash ulur pragjeve të shtëpive

në thurrje të trikove me fjalë sokakesh.

Shtëpitë kalojnë gojës së tyre

si syçkat e trikos përmbi shtizë

e degdisen në breg –

midhje të shqyera, pa histori.

Duhet të bëhem sy që të flas gjuhën e heshtur të guralecave

e në retinë të më kalojë historia e errët, pa të tashme

sepse e tashmja është klithmë e pazëshme,

vrasëse, pa kujtime, pa ankthet e së nesërmes

pa alibi mbijetese. Një gjume letargjik

që përkund në djep mallkimin e peshqve.

 6.21.2011 Winthrop, MA

 Mjeshtër

 Si munde të hyje në labirinthin tim?

Këtu nuk ka as dyer, as dritare jo.

Është terr së jashtmi.

Ashte të njoma trokasin lehtë mbrëmjen.

Kërkojnë t’i strehoj në ngrehinën time të ngurosjes.

 Siç e sheh, sfondi është i thjeshtë. Mure të ndrydhura

si shpirti im i varur mbi mur. Mbi fotografi të paemra

vuloset krenaria martire sipër avullit të xhamtë.

Gishtërinjtë mardhin. Flokët nuk i tregojnë thinjat. Buzëqeshja

di t’i buzëqeshë aparatit fotografik me dhëmbët që sforcojnë mbylljen.

Pak marshe çajkovskiane do të na ngrohin shpirtin. Ti e di –

Violinat e shpirtit do të tundojnë timberin e rrahjes së amshimit.

Mjeshtër,

afromi këpucët e njomura pellgut të shpirtit tënd.

Unë do të përpiqem tua dëshifroj kodin e tyre të veshjes,

me erën e kaluar që ia ngulfatën rritmin.

Erën e njoh. Por jo trokthin e tyre. Flokët e mia

janë amfibe. Ato asgjë s’dinë të fshijnë, veçse të shkulin kujtimet

e t’i rradhitin si mollë të pjekura në kosh.

 Mjeshter,

shoh lodhjen si të ka ndalur mbi ballë, ku stolat e pritjes janë rradhitur.

E ndiej në palcën time fshikullimin e tyre

tek gjerb me gllënjka të vogla pakënaqësinë tënde.

Kam dashur të luftoj në emrin tënd, për ty.

Pa shpatë, pa duar invalidësh. Flaka që ke mbjellë ti

është më e fuqishme. Ajo mbijeton në timen frymë.

 Mos e beso po deshe se mëngjesi im kalon nga një rrjetë merrimange.

dhe fillit të saj end si pëlhurë Penelope trillet e së nesërmes.

 (Tetor 2010)

 Panoramë kuartike

 Si gjethe fluturake që bie në bulevardin Shanzelize

dashurohem me shpejtësinë e erës.

 Përballë, Harku i Triumfit

godet me shkëndija zjarresh të huaja

shikimin tim magjepsur nëpër mure

 Sytë e mi vishen me mite të panjohura.

Ekoja e fatit mban fjalën në majë të gjuhës

dhe kohërat i bashkon në një byzylyk

rrahur me shufra mëkatesh të parrëfyera

 Si gjethe fluturake që bie në bulevardin Shanzelize

thërmohem mbi tëmthin e kohës, mbi terr.

 4/19/11

Tiranë

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: cikel poetik, Lediana Stillo, Sofra e Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • Dardanët…
  • DEKLARATA E PAVARËSISË – GURËTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS
  • 2 korrik 1990 – Prishtinë, Shpallja e “Deklaratës Kushtetuese”!
  • Penalizimet e kryeministrit për pyetje ndaj gazetarëve janë rast tipik shqiptar. Këto penalizime duhen refuzuar
  • Në Kroaci u zhvillua shkolla verore e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare
  • Rinjohja e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe roli i SHBA
  • 2 Korrik 1990 si revoltë ndaj sistemit komunist
  • Përkujtohet veprimtari i shquar i arsimit shqip Ahmet Gashi
  • EMËRTIMET E VENDBANIMEVE,  VLERA ETNO-KULTURORE  TË ÇDO MJEDISI
  • KËSHILLI BASHKIAK LIBOHOVË I JEP TITULLIN “MIRËNJOHJA E QYTETIT” (PAS VDEKJES) ATDHETARIT QERIM BAJRAM HAXHIU
  • LA PATRIE (1920) / IMZOT LUIGJ BUMÇI : “POPULLI SHQIPTAR, ME VULLNETIN E TIJ, NUK DO TA LËSHOJË KURRË VLORËN.” – SHKRESA DREJTUAR KONFERENCËS SË PAQES NË PARIS
  • KOSOVA PARA 32 VITEVE: DEKLARATA KUSHTETUESE PËR PAVARËSI E 2 KORRIKUT 1990
  • Plenumin i Brioneve në fokus të Shërbimit Inteligjencës Amerikane 1 Korrik 1966
  • JETA E NJË FËMIJË “KULAKU” NË DIKTATURË!
  • “MEDIA SHQIPTARE, RRUGËTIMI I VËSHTIRË DREJT LIRISË”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT