• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një ditë me prof. Zekeria Cana pranë varrit të Mid’hat Frashërit në New York

February 10, 2020 by dgreca

Prof. Zekeria Cana: Mit’hat Frashëri thithi gjirin e dy nënave – në Janinë dhe në Prishtinë. Lum Toskëria dhe Gegëria që e lindi dhe e rriti.”/

Nga Dalip Greca*/

Nju Jork, 3 Dhjetor 2005- Në amanetin e lënë përsëgjalli, Mid’hat Frashëri pat shkruar:”Mbi varr dua një bllok graniti, të shëndoshë e të fortë dhe, në mes të bregut të vogël, vermëni një qiparis.E dua këtë dru që përçmon vitet dhe i bën ballë Jugës dhe murlanit të marrë, që ngjit drejt qiellit kryet e tij madhështor.

Shpirti im do të jetë i pështjellë në trup të atij dhe do të shoh njerëzit,, këtë botë dhe stërnipët e të sotmëvet….” Po ku është sot trupi i mëmëdhetarit?A mund ta ndjejnë veten të qetë sot ata që udhëheqin Partinë e Ballit Kombëtar, ku amanetin e tij s’po e tret dhe’u? A mund të quhet i kryer misioni i qeverive demokratike, ku ende eshtrat e atdhetarëve”rënkojnë” në dhera të huaj?…

    ****

Tek varri i Mid’hat Frashërit,në varrezat Ferncliff  në Hartsdale, New York,  kam qenë disa herë. Herën e fundit isha atje para gjashtë muajësh, kur u varros aty Luan Gashin, një ndër “ushtarët” e Atdheut, nxënës i shqiptarizëms, që u përgatit në shkollën e  Mid’hat Frashërit-Apostull.Por ftesa që m’u bë të shtunën me 3 dhjetor 2005 për të shoqëruar atje Prof. Zekeria Cana dhe një grup bashkëatdhetarësh që jetojnë në Nju Jork,  e prita me kënaqësi.Nuk e fsheh, m’u bë qejfi që Prof. Cana, që vinte nga Kosova,e kishte vënë në axhendën e vet një vizitë tek varri i shqiptarit të madh, siç kishte vendosur që të dielën, edhe pse qe parashikuar mot i ftohtë me dëborë, do të merrte rrugën drejt Bostonit për të vendosur një tufë me lule tek varri i Fan Nolit. Kanë ardhur shumë shqiptarë të politikës së “madhe” të Tiranës në Nju Jork, por nuk kam dëgjuar ndonjë që së paku të pyes:Ku e ka varrin Mid’hat Frashëri?  

U bëmë një grup jo i vogël, që me tri makina, morëm rrugën për në Hartdsdale.Mikrobuzi ynë ka 8 veta kështu që biseda është më e zjarrtë.Kryetema, natyrisht që është për Mid’hat Frashërin… Ndërsa dëgjoj debatet, në kujtesë kërkoj të gjejë gjurmët e informacionit që kam për Apostullin e Shqiptarizmës dhe them me vete:Përse nuk i kthejnë në Shqipëri eshtrat e shqiptarit të madh, Mid’hat Frashëri? Në makinë me ne është dhe Zija Lepenica, i cili dikur e ka shtruar këtë pyetje publikisht në gazetën Illyria dhe në shtypin e Tiranës, po ishte një zë në shkretëtirë, askush nuk foli, askush nuk shkroi, askush nuk veproi.

Mos vallë ende shihet me dyshim figura e kryeatdhetarit që kishte për Parti Shqipërinë?Kush si ai iu gjend Shqipërisë kur ajo rënkonte nga dhembja e plagëve, kur Europa i priste pjesë nga shtati? Kush me shumë se ai e alarmoi Europën për Çamërinë apo Kosovën? Si s’po kujtohet njëri nga politikanët tanë të shumtë, që kanë 15 vjet që po na e vrasin Shqipërinë nga”dashuria”, që t’i sigurojnë një pëllëmbë tokë atij që gjatë të gjithë jetës e pa veten veçse shërbëtor të Kombit?!. Si nuk u gjet një pëllëmbë tokë në Shqipërinë tonë për një varr, ku të prehen eshtrat e lodhura nga rënkimi në dh’e të huaj të atij që mbeti kryeshërbestar i Kombit?!…

…- Mbërrritëm, dëgjoj kolegun Sina, që kam në krah…Varri i Mid’Frashërit gjendet lehtë; ai është fare pranë zyrave që adminsitrojnë varrezat…Hedh sytë rreth e rrotull dhe provoj të njëjtën ndjenjë boshllëku si herët e tjera:Është një varr i thjeshtë, ku shquhet një pllakë metalike mbi të cilën është shkruar emri, shkronja e parë e Atësisë së tij, A(Abdyli) dhe mbiemri Frashëri. Edhe pse e di se varri nuk përmban asgjë nga amaneti që la i ndjeri që në gjallje, prap një fajësi e pafaj ma vret shpirtin:Amaneti i Mid’hat Frashërit është i pa plotësuar…

Që në gjallje të vet, 35 vjet para se të mbyllte sytë nga ajo vdekje enigmatike, ai e kishte lënë amanetin për një varr të thjeshtë….Unë hedh sytë  përreth si për të gjetur  atë qeparizin për të cilin shkruante Mid’hati në gjallje të vet, por ah, s’është…Dhe shfletoj përmes kujtesës  skicën me titull”Kur të vdes” të shkruar në Sofje, të cilën e pata lexuar  tek”Gjeniu i Kombit” i Uran Butkës: ”Kur të vdes miq, mos mbillni mbi vrrin tim lule që i thanë diell’ i gushtit…mos më vini një shtyllëz më këmbë që e rëzon er’ e veriut.

Mbi varr dua një bllok graniti, të shëndoshë e të fortë dhe, në mes të bregut të vogël, vermëni një qiparis.E dua këtë dru që përçmon vitet dhe i bën ballë Jugës dhe murlanit të marrë, që ngjit drejt qiellit kryet e tij madhështor.

Shpirti im do të jetë i pështjellë në trup të atij dhe do të shoh njerëzit,këtë botë dhe stërnipët e të sotmëvet.

Edhe kur të fryjë veriu i egër dhe të dëgjoni drurin plak të oshëtijë, mos pandehni se era këndon në degët e tij: është zemra ime që këndon e rënkon.

Edhe kur të shihni mbi gjethin e hollë pikëza që shkëlqejnë në diell të një mëngjesi gazmor, mos pandehni se është ves’ e natës:Janë lotët e mi…

Se dua që edhe pas vdekjes, o miq të pritmit, të këndoj e të qesh bashkë me ju, të kem pjesë në gëzimet e në pikëllimet tuaja…”

Sërish pyes veten ën këtë ditë të ftohtë dhjetori: – Po ku është qeparizi që ëndërronte Mid’hat Frashëri? Hedh sytë rreth e rrotull, edhe pse e di që asgjë i tillë nuk është, e kërkoj me këmbëngulje të shoh me sytë e mendjes shpirtin e mosvdekjes…

Prof. Cana duket si i mpirë para varrit të atij burri që e deshi Shqipërinë mbi gjithçka. Ulet ngadalë, fshinë me pëllëmbë pllakën e metaltë, më pas shtrihet së gjati dhe vendos buzët  mbi metalin e ftohtë, ku gjenden shkronjat e arta.Përpiqem që ta fus në kuadratin e aparatit fotografik atë pamje mallëngjenjëse dhe ndjek lëvizjet e këtij plaku të ditur , që e di se si duhet të nderohen heronjtë e kombit.

Pasi e ka marrë veten nga tronditja e parë, Prof. Cana fillon të flasë para burrit të madh të kombit. Ne bëhemi rreth si për të ruajtur fjalët që të mos ia marrë era dhe dëgjojmë fjalët e mençura, të cilat i incizova për t’ia përcjellë lexuesit:

“Sikur që raca jonë është e shkepur në të gjitha skajet e rruzullit tokësor, shumë figura të ndritura të historisë dhe kulturës sonë kombëtare prehen në dheun e huaj. Është një mbyllje sysh në të shumtën tragjike. Kush i vrarë, kush i helmuar, kush i vetëvrarë, kush në skamje dhe i harruar, po edhe i përdhosur nga një regjim i egër –murtajë. Sa vite qëndroi trupi i Konicës i pavarrosur?! Historia e popujve të qytetëruar qorton dhe mallkon vonesën dhe shpërfilljen e baballarëve. Sa eshtrat e tyre presin të mblidhen e pushojnë në tokën arbnore, prej të cilës ata ia kushtuan jetën dhe gjakun.

Të vonuar jemi pranë këtij varri – faltore kombëtare, për të nderuar kujtimin e birit të Abdyl Frashërit, atij veprimtari të flaktë të kombit që shkëlqeu prore në qiellin shpesh të përflakur e të kapluar nga retë e shtrëngatës të truallit shqiptar, figurës së madhe poliedrike të udhëkryqeve historike – të etapës së fundit të Rilindjes, Pavarësisë, Luftës së Dytë Botërore dhe të pasluftës. Një strumbullar që me vullnet të çelniktë e ngulm të madh, urti e mençuri, ka përshkuar udhën me gjemba për të hapur shtigje të reja që çojnë në qafën e malit. Është Lumo Skëndua ai që ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë dhe kulturën e kombit në të gjtha rrafshet ku ka shkelur – si erudit, enciklopedist dhe poliglot.

Sot, përulemi me dhembshuri, krenari dhe respekt të madh përpara varrit të një udhërrëfyesi shpirtndritur, shërbëtari të devotshëm dhe gjithnjë besnik të shqiptarisë, protagonisti të ditënetshëm të historisë, ngadhënjyesi dhe humbësi të madh. 

Jemi këtu jo vetëm për të nderuar këtë burrë të madh të botës shqiptare por edhe për të marrë mësimin e historisë. Ku qenë baballarët tanë të ndritur ku jemi ne, sa jemi dhe ç’jemi sot.

Mit’hat Frashëri thithi gjirin e dy nënave – në Janinë dhe në Prishtinë. Lum Toskëria dhe Gegëria që e lindi dhe e rriti.” Profesor Cana hesht… Një lot i rrokulliset faqeve…Fjalët i tha zemra e Zekeria Canës dhe mua m’u duk se shpirti i mosvdekur i Mid’hat Frashërit rënkoi kur profesori i Kosovës u mpi nga heshtja dhe dhimbja njëherazi…Kumti i tij ishte nisur aty nën dheun e huaj ku rënkonte nga dhimbja dhe malli shpirti i sfilitur i Mid’hat Frashërit….

  • S’mund të rri pa i thënë dhe unë dy fjalë, e thyen heshtjen, Niko Kirka, i lindur në Amerikë, i burgosur në Shqipëri ngaqë e deshte Atdheun jo në mënyrën që e dëshën komunistët, por siç e kishte mësuar Ati i tij, Kristo Kirka, ish konsulli i Shqipërisë në Nju Jork, ish deputeti i Parlamentit Shqiptar me Fan Nolin, që vdiq në burgun e Burrelit….
  • – Dua ta falenderoj Prof. Canën, që u bë inisiator për të na sjellë në këtë takim me të madhin Mid’hat Frashëri. Të tjerët nuk janë kujtuar. Madje edhe kur është diskutuar libri për Mid’hat Frashërin, organizatorët nuk u kujtuan që të bënin ndonjë  vizitë koretzie tek ky varr, ku prehet burri i madh i Kombit dhe të sillnin një tufë lule. Prof. Cana na e dha një mësim; ai na solli këtu(edhe pse kemi qenë edhe herë të tjera), por tani do të jetë mirë që ta kthejmë këtë në një traditë. Të vijmë këtu dhe jo thjeshtë të  sjellim nga një tufë me lule, por çdo 28 nëntor, ashtu si komunistët e demokratët e Tiranës shkojnë tek Varrezat e Kombit, ku monumenti i Nënës Shqipëri, mban akoma yllin e kuq të komunizmit, ne nacionalistët, ta bëjmë traditë, që në Ditën e Shënuar të Flmaurit të vijmë këtu, tek varri i kryetarit të Komitetit Shqipëria e Lirë dhe të bëjmë homazhe. Të njëjtën gjë le ta bëjmë edhe tek Varri i Abaz Kupit, nënkryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë…Pyetjes se ç’mendonte për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri, z. Kirka iu përgjegj se kjo është detyrë e shtetit shqiptar.Po diaspora, a nuk duhet të ndërmarrë një nismë të tillë për të trokitur më pas tek shteti?Mirë do të ishte, por ata nuk  janë kujtuar që të sjellin një tufë me lule tek varri i Mid’hat Frashërit, jo më të ndërmarrin një nismë të tillë…U përgjigj z. Kirka…Në këtë varrezë janë edhe varret e nacionalistëve të tjerë të Ballit Kombëtar, të cilët patën mërguar në Amerikë. Madje eshtrat e Zef Palit, u sollën nga Italia këtu për të qenë pranë kryetarit Frashëri.

3 dhjetor 2005,  Ferncliff  në Hartsdale, New York

  • E ribotoj në kujtim të të ndjerit Prof. Zekria Cana dhe të atyre që atë ditë ishin me ne, por sot nuk jetojnë më: Niko Kirka, gazetari Xhaferr Krasniqi, inxhinier Skënder Shkreli.

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca-Varri I Midhat Frasherit-Zekria Cana

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT