• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A E DËGJOI TUZI KËMBANËN E ULQINIT?

May 2, 2014 by dgreca

*NIKOLLË CAMAJ: MAKINERIA NACIONALISTE E QEVERISË MALAZEZE PRODHON VETËM ASIMILIM PËR SHQIPTARËT/

*Intervistë e Editorit të Diellit, Dalip Greca, me z. Nikollë Camaj, Kryetar i LD-Dega e Malesisë dhe këshilltar i kesaj partien ne Kuvendin e KU te Tuzit/
Një ndër veprimtarët më të spikatur të çështjes Kombëtare në Mal të Zi, Këshilltar i LD në Kuvëndin e KU të Tuzit në Mal të Zi, z. Nikollë Camaj, ishte për vizitë në SHBA. Ai ishte pjesmarrës aktiv dhe folës në protestën e madhe kundër qeverisë së Gjukanoviçit-shkelëse e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, organizuar në Uashington me 8 prill 2014. Para largimit ai u takua edhe me kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Buçaj.Editori i Diellit iu lut z. Camaj për një intervistë për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nga qeveria Malazeze. Ndiqeni:

-Me çfarë mbresash u kthyet nga vizita që realizuat në SHBA?

Nikolla Camaj: Ishte kjo një pervojë e re, në dallim me vizitat e mëparshme. Pjesëmarrja në protestë në Washington, për mua qe një ngjarje tejet e veçantë, të cilën që në fillim dua ata vlerësoj si të organizuar mire. Ishte ky një rast për të takuar shumë persona e personalitete të shquara nga diaspora jonë, të cilët nuk do t’i takoje po të mos ishte ky eveniment. Natyrisht se mbresat si gjithnjë janë pozitive, përpos dhimbjes që shkakton ndarja nga të afërmit që i kam përtej Antlantikut. Edhe pse më së tepërmi më gëzojnë rrugët që më çojnë drejt shtëpisë sime, dua të them se ndarjet kanë mall, prandaj sado që kthehem i mbushur me kënaqësi, me vete marr një barrë të rëndë dhimbjeje dhe malli për njerëzit që lë andej.
Le të përqëndrohemi tek demonstrata e shqiptarëve të Amerikës para Shtëpisë së Bardhë dhe para Ambasadës së Malit të Zi. Cili është vlerësimi juaj për këtë demonstratë? Ai ia arriti ajo qëllimin?
N.Camaj- Veç e thash se demostarta ishte në nivel. Ishte ky një udhëtim dhe aktivitet jo pa sakrifica, i gjithë atyre burrave e burrneshave që shkuan në Washington për të kërkuar drejtësi për shqiptarët në Mal të Zi. Aty u dëgjuan shumë fjalë me vend, shume porosi të qëlluara, kërkesa të artikuluara shumë mire, andaj si e atillë ajo e plotësoi objektivin që i kishte vënë vehtes. U dëgjua zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare, zëri i dinjitetit malësor. Gjithë ajo masë, me perovoja jo të mira me Malin e Zi dhe të sillet me aq dinjitet, vëretet është për çdo lëvdatë. Por protesta nuk do të duhej të përfundoj me kaq. Ajo do te arrijë qëllimin vetëm nëse edhe ne në vendlindje do të jemi të gatshëm të sakrifikojmë diçka, duke hequr dorë nga privilegjat që i ofron partia në pushet, e që janë privilegje personale, në dëm të çështjes kombëtare. Protestuesit duhen të jenë më aktiv me të afërmit e vet në vendlindje, në mënyrë që të ndikojnë që të mos e përkrahin partinë e kryeministrit Gjukanoviq, kundër të cilit ishte protesta.
Ju folët në demonstratë. Cili ishte mesazhi që përcollët?
N. Camaj- Të folurit spontan nganjëherë mund edhe të mos artikulojë mesazhe krejt të qarta, mirëpo duke qenë se protesta kishte të bënte me të (pa)drejtat tona në Mal të Zi, dhe pasi që i njoh fort mirë rrjellat politike te ne, besoj se arrita të përcjell mesazhin mbi nevojat tona kryesore, mbi problemet tona, e mbi të gjitha, mbi nevojën e fuqizimit të zërit që flet për padrejtësitë tona. Derisa Mali i Zi shpenzon milionat në zërat që flasin se Mali i Zi është shteti ideal, atëhere ekzston nevoja të bëhet çmosi që të fuqizohen zërat që e thonë të kundërten, pra të vërtetën. Protesta ishte në favor të kësaj, por nuk duhet ndalur vetëm tek ajo. Po ashtu edhe para ambasadës pata një prononcim të shkurter drejtuar atyre që ishin pas mureve të atij pallati, të cilësuar si pallati i mashtrimeve, përkunder Shtëpisë së Bardhë, apo Pallatit të demokracisë. Ajo që kërkova nga z. Gjukanoviq ishte që të mësojë diçka nga demokracia amerikane, nga e cila ne shqiptarët kemi mësuar shumë, dhe të kthehet në Malt të Zi e të përmbushin, jo vetëm obligimet kushtetuese, por edhe premtimet dhënë shqiptarëve që nga viti 1997, e sidomos nga koha kur ata i krijuan shtetin.
Nëse do të ndalemi në detaje çfarë të drejtash të Shqiptarëve shkel Qeveria e Gjukanoviqit?
N. Camaj- Shkurt, pyetja është se çka nuk shkel? Kjo qeveri shkelë pothuajse çdo të drejtë. Të drejtën në punësim, në përfaqësim, në shfrytëzim të resurseve lokale (të mirat detare, kryporja, vreshtat, pyjet etj.) dhe në shpërndarje të të ardhurave të përgjithshme; në investime (ku janë repartet e prodhimit, ku është kopshti fëminor, tregu i gjelbërt, palestra sportive në Tuz etj, të premtuara vite me radhë); në shkollim, që nga ai parashkollor e deri në superior, por edhe në shpërndarje të pushtetit përmes pengimit të themelimit të komunës për Malësinë, e cila jo vetëm se paraqet obligim kushtetues, por edhe premtim e zotim para të gjitha zgjedhjeve të deritashme, të cilat i ka fituar mbi platformën e komunës për Malësinë. Për këtë afati i fundit ishte viti 2013, e sot na paraqiten me një eksperiment të ri që ka për qëllim që edhe më tutje të zvarrisë status quon për Malësinë. Për fat të keq, në këtë drejtim aleatë po gjen edhe ndër shqiptarë, madje edhe në subjekete nacionale shqiptare.
Është folë gjatë për Komunën e Tuzit. Përse nuk e kanë ende shqiptarët këtë të drejtë, kur Kushtetuta e Malit të Zi ua njeh të drejtën e vetëqeverisjes lokale?
N. Camaj- Mali i Zi është një njerkë ndaj shqiptarëve. Por, ai ka gjetë servilët e vet, të cilët situatën në Mal të Zi e paraqesin si të favorshme për pakicat. Përmes tyre Mali i Zi po paraqitet si shembull i tolerancës, çka në të vërtet nuk është. Mali i Zi është një shfrytëzues i pashembullt i pakicave, sepse oligarhija në pushtet përmes pakicave po ruan pushtetin, gjithnjë duke i frikësuar ato me ardhjen e të tjerëve në pushtet. Frikë kjo krejt e parasyeshme, e cila po jep rezultate. Kjo është edhe njëra nga arsyet që nuk jepet komuna. Spese përmes votave që i vijnë nga Malësia, në formë të votës së dyfishtë (ne votojmë për asamblenë e Tuzit dhe të Podgoricës) ajo qeverisë Podgoricën. Pra, Podgoricës i duhen votat e Tuzit, por edhe resurset. Në ndërkohë, me të madhe punohet në ndërrimin e strukturës etnike, kështu që së shpejti një mjedis me mbi 90% shqiptarë, do të shndërrohet në një mjedis ku shqiptarët do të jenë pakicë, gjë që po ashtu mund të radhitet në arsyenat për mosdhënie të komunës.
Po shqiptarët vetë a e kanë “ndihmuar” ndopak Gjukanoviçin me mosbashkrendimin mes tyre në mosplotësimin e kërkesave elementare të Shqiptarëve atje?
N. Camaj: Natyrisht se e kanë ndihmuar dhe janë bashkëfajtor. Por duhet dalluar viktimën nga xhelati! Sepse nuk ka qenë e lehtë t’i rezistohet makinerisë asimiluese që prodhohet në laboratoret malazeze. Me parullën devide et impera, që po jep rezulatet si pak ku, ata po arrijnë të formojnë shumë subjekte shqiptare dhe pastaj një pjesë të mirë të tyre t’i kontrollojnë, kurse pjesën tjetër pothuaj t’a neutralizojnë, duke e ushqyer masën me psudoinformacione diskredituese, me të cilat tentojnë që të gjitha të paraqitet si aleate të pushtetit, kështu që votuesi nuk e ka të lehtë dhe shpesh dënon atë që nuk duhet dënuar dhe përkrahë atë që nuk guxon ta përkrahë. Me këto manipulime e hile, ky pushtet po qëndron tash 24 vite. Mali i Zi është rast unikal në Ballkan për faktin se pushteti nuk ëshë ndërruar që nga viti 1990, e edhe si i tillë paraqet kontinuitet të pushtetit të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore.
Në takim me disa përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë, pas demonstratës, Gjukanoviçi ka thënë se përfaqësues të disa partive shqiptare janë dakort për projektin e një komune të Tuzit në vartësi të Kryeqytetit. A thotë të vërtetën ai në këtë rast?
N. Camaj- Po ai e thotë të vëretetën dhe këtë për fat të keq e kanë nënshkruar shumnica e aktorëve politike në Malësi. Cila ishte arsyeja nuk e them dot, por i vjen era tregti. Dhe ne e kemi këtë problem. Të gjithë ata që e nënshkruan kërkesën për një nënkomunë, mandatet i kishin fituar me projektin për komunë të plotë. Pra, ata e hiluan zgjedhesin e vet dhe shpresoj se do t’i dënojnë në zgjedhjet e 25 majit. Nëse kjo nuk ndodhet atëher manipulimi ka arritur kulmin, së bashku me korrupsionin politike. Por ajo në çka nuk ka të drejtë z. Gjukanoviq është se ai me këtë tenton ta arsyetojë edhe zvarritjet e mëparshme. Ai nuk kishte asnjë arsye që këtë ta zvarriste me realizimin e komunë së Malësisë, përpos atyre që i përmenda më parë, pra arsyeja e mbijetesës së vet politike.
Zoti Camaj, ju keni 25 vjet në politikë dhe keni qenë një luftëtar i të drejtave të shqiptarëve. Pyetja ime: Në dekadën e fundit, është në ulje asimilimi i bashkatdhetarëve tanë atje, apo në rritje?
N.Camaj- Për fat të keq, edhe pse nevoja kurrë nuk ishte më e vogël, mundësitë janë më të mëdha se kurr më parë, kështu që asimilimi është në rritje, në rend të parë për shkak të prezencës së madhe të elementit boshnjak dhe bashkndiesisë kombëtare të “sheherlinjëve” të Tuzit, në bazë të përkatësisë fetare. Përpos ardhacakëve boshnjakë edhe ky fenomen ka ndikur dukshëm në ndryshimin e strukturës etnike në Malësi.
A ishte një këmbanë alarmi situata që u krijua në zgjedhjet e fundit lokale me partitë shqiptare në Ulqin?
N. Camaj- Do të duhej të ishte, por nuk e di nëse është. Druaj se Tuzi nuk mësoi gjë nga Ulqini, dhe këmbanave nuk u arriti zëri këndej. Vet fakti se në koalicion parazgjedhor kemi një parti shqiptare me një parti boshnjake dhe me partinë e Millo Gjukanboviq, fletë më së miri se ku gjendet “patriotizmin” i disa partive shqiptare dhe se sa të interesuara janë që në Malësi të qeverisin shqiptarët. Si duket disa shqiptarë, për pak privilegje personale, më hall kanë si të ruajnë pozitat e Millo Gjukanoviqit se të vetat, e të popullit të vet.
Para demonstratës pat kundërshtarë të organizmit të demonstratës, pat prononcime në rrjetet sociale, ndërkohë që kishte nga ata që mendojnë se shqiptarët e Malit të Zi duhet t’i kërkojnë fajet dhe tek vetja, tek boshatisja e vendlindjes, tek shitja e pronave, etj. Si mendoni ju, kanë të drejtë zëra të tillë?
N. Camaj- Nëse duhet të kërkohen fajet edhe te ne, kjo s’do të thotë se nuk duhet të protestojmë për te drejtat që na takojnë. Protesta është legjitime dhe duhet drejtuar gjithë atyre që mbahen për fajtorë, por po e përsësrisë, nuk është mirë të nivelizohen viktima dhe xhelati. Në këtë drejtim duhet pasur kujdes që të dallohen viktimat e vëreteta nga ato “viktima” që janë strukur nën fustanellën e Millo Gjukanoviqit dhe rrinë nën hijne e lisit pushtet. Përgjithësimi se “të gjithë janë njësoj” ndoshta bënë edhe më shumë dëm se vet aktivitete e partisë në pushtet. Por duhet ditur se edhe këtë “përgjithësim” e kurdisin strukturat e pushtetit, të përgaditura për të manipuluar me masat. Personalisht jam munduar me gjithë forcën që të dëshmoj se jo të gjithë jemi njësoj dhe se, jo që të gjithë jemi të gatshëm të bëjmë kompromise të kalbura me pushtetin. Edhe fakti se ne nuk e nënshkruam kërkesën për eksperimentin “komunë e kryeqytetit” dëshmon se dijmë të ruajmë dinjitetin tonë dhe se nuk bëjmë pazardhiqe në dëm të popullatës sonë.
Federata Vatra e Amerikës i ka propozuar ansambleistit të Shtetit të NY, z. Mark Gjonaj, që është me origjinë nga trevat shqiptare në Mal të Zi, që t’i prijë një delegacioni shqiptaro-amerikan për një vizitë në Ambasadën Amerikane në Podgoricë. Mendoni se do të jetë efekte një vizitë e tillë, nëse bëhet?
– Propozimi është shumë me vend, por kam një sygjerim; duhet pasur para syshë se malezazët premtojnë shumë dhe nuk e kanë fare problem që të mashtrojnë dhe për mashtrimet e veta shpikin “fajtorë”.
Një mesazh përmes Diellit për shqiptarët e Amerikës?
N. Camaj- Për fund do të përkujtoja vetëm vargjet e Nolit: “Mbaju nëno mos kij frik’, se i ke djemtë në Amerikë”, të cilat janë akom aktuale. Nëna Malësi gjithnjë ka nevojë për bijtë e vet kudo që janë. Edhe pse ka zëre që dëshirojnë t’i menjanojnë, ata asesi nuk guxojnë të pranojnë një rol të tillë. Ata kanë lindur këtu, kanë pronat këtu, kanë eshtrat e të parëve këtu, prandaj kujdesi për Malësinë është më se i natyrshëm.

Filed Under: Interviste Tagged With: A E DËGJOI TUZI, dalip greca, KËMBANËN E ULQINIT?, Nikolle Camaj

28 PRILL- GËZUAR DITËLINDJEN,VATËR KOMBËTARE!

April 28, 2014 by dgreca

PRILLI, KUJTESA VATRANE/
Nga Dalip GRECA/
Muaji i dytë i stinës së Pranverës, Prilli, është ngulitur thellë në Kujtesën vatrane si muaji historik i themelimit të Vatrës. 28 Prilli 1912, është memorializuar në Kujtesën e Kombit si Dita Historike e Vatrës, e asaj Vatre Kombëtare, që shpëtoi Shqipërinë.
Fara e bashkimit ishte hedhur shpejt nga punëtorët e palodhur të Rilindjes Kombëtare, por u desh që mendjet e mençura të kohës të vinin në Amerikë dhe që aty të bënin Shqipërinë. Duket si rastësor fakti që Petro Nini Luarasi, Sotir Peci, Fan S Noli, Faik Konitza, Kristo Kirka, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Loni Prifti, At Naum Çere, fati i solli në Amerikë në fillimin e Shekullit të XX për të orientuar Kombin. Dhe mendjet e ndritura do t’i mblidhte rreth vatrës së shqiptarisë, Vatra historike e Nolit dhe Konicës.
Që nga mbledhja e parë e 24 Dhjetorit 1911 deri tek mbledhja historike e 28 Prillit, u deshën pesë muaj takime, debate për të arritur tek bashkimi. Emrat janë sa për record, por gjithësesi nuk mund të neglizhohen as sot në përkujtim të kësaj date, 102 vjet më pas. Recordet që ruhen në Shtëpinë e Vatrës, por jo vetëm aty, kanë shënuar si organizatore të takimit të parë, Shoqërinë Besa-Besën, dhe editorin e asaj kohe të Diellit, Kristo Floqi, që u bë chairman i takimit të thirrur në Rathbone Hall, 724 Washington Street. Sipas kujtimeve të pubulikuara nga Kristo Floqi në të gjallë të vet, në mbledhjen e parë nuk ishte kryemendja e shqiptarëve, Faik Konitza, por emri dhe prania e tij kishin peshën e vet në koloninë shqiptare të Amerikës. Asgjë nuk mund të bëhej nëse ai nuk do të ishte pjesë e atij bashkimi. Duke iu drejtuar arkivit, në recordet e vatrës është shkruar emri i një shqiptari të mirë, Marko Adams, i cili pas shumë orësh bisedimesh, doli më një propozim: Bashkimit t’i prihej me një komision, në përbërje të të cilit ai renditi këta emra: Faik Bej Konitza, At Fan S. Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleks. U deshën të kalonin rreth dy muaj nga takimi i parë, kur ky Komision, me 13 shkurt 1912, bëri publike një thirrje drejtuar shoqërive dhe përcolli njoftimin se sekretar i Komisionit ishte Imzot Fan S Noli.
Në rekordin e dytë të Vatrës është shënuar data 3 mars 1912, datë kur komisioni u mblodh dhe shqyrtoi letrat që iu përgjigjën mesazhit të Komisionit të Bashkimit. Komisioni kërkoi që shoqëritë të dërgonin delegatët, që do t’i përfaqësonin. Ata duhej të kishin me vete kartat e përfaqësimit. Çfarë rezultoi? Tetë Shoqëri e kishin pëlqyer platformën e bashkimit pa kushte, ku do të përdorej sistemi federat(ide e Faik Konicës).
Pa praninë e delegatëve komisioni realizoi edhe një takim me anëtarët e vet me 10 mars, ku diskutuan pikat e një Kanunoreje, që do t’ua paraqesnin delegatëve me 17 mars.
Orteku i bashkimit kishte nisur të rrotullohej me shpejtësi. Takimi tjetër u la me 17 mars 1912, në orën 2 pasdreke, në Kishën e Shën Gjergjit, 227 Tremont Street, Boston. Takimi vazhdoi deri më 6 të mbrëmjes. Ishte mbledhja e parë së bashku me delegatët. Shfaqen kështu edhe emrat e tjerë që kanë kontribut historik në bashkimin e kolonisë shqiptare në Amerikë. Ata janë; Kristo Kirka, Elia Tromara, Dr. Kost Kotta, Kostika Treska dhe Lambi Çikozi.
Në rekordin IV të Vatrës janë fiksuar këto shënime: Komisioni i Bashkimit dhe delegatët e Shoqërive- Komiteti”Flamuri i Krujës” i New England, “Kombëtarja” e Wercester-it, “Mirëbërse e Syracuse-it, “Malli i Mëmëdheut dhe Përlindja” e Jamestown-it, “Dallëndyshja” e Nju Jorkut, dhe “Besa –Besën” e Amerikës, në mbledhjen që mbajtën me 17 Mars, 1912, kënduan letrat e shoqërive për çështjen e Bashkimit dhe panë se shoqëria “Arësimi” e Korçës nuk dërgoi delegat pa thënë shkaket e heqjes…edhe delegati i Shoqërisë “Mbarësi e Luarasit” nuk u ndodh në mbledhje, ndonëse ishte deklaruar. Pas bisedimeve, u arrit në përfundim:
1- Shoqëria e Jamestown-it M.M, mbeti jashtë bashkimit nga që nuk bashkohej me mendjen e shumicës së delegatëve.
2- Mbledhja e dytë e përbashkët e Komisionit dhe delegatëve u la për 24 mars në orën 2 deri 6 pasdite. U përcaktua dhe tema e diskutimeve; Pikat e Kaunores dhe a do t’i duhej Shoqërisë federale që të mbante Gazetën Dielli?
Rekordi ka firmat e komisionit dhe delegatëve.
E veçanta e takimit të 24 marsit, ishte leximi prej sekretarit të komisionit, Fan Noli, i letrës prej shoqërisë nga Gary, Indiana, “G. Scanderbeu”, e cila deklaronte bashkimin me federatën. U pranua bashkimi i kësaj shoqërie. Në takimin e 24 marsit u vendos që Shoqëria Federale që do të formohej të kishte në hijen e saj Gazetën Dielli, që deri në atë çast ishte pronë e Besa-Besës. Po në këtë takim Konica dhe Floqi morën zotim që përmes një avokati të njohur të merrnin përsipër Kanunoren e Vatrës. Për shpenzimet e Kanunores u votua një shumë prej $25.00.
Mbledhja tjetër e përbashkët u la që të bëhej me 31 Mars 1912 po në Kishën e Shën Gjergjit, nga ora 4-6 pasdite. Njoftimi i parë që u lexua në këtë takim ishet prej Shoqërisë “Kombëtare’ në Worceseter, e cila përmes një letre njoftonte se në vend të z. Kostika Treska, që ishte i pamundur, dërgonte delegat të ri, Kosta Vasil. Konica dhe Floqi të ngarkuar për hartimin e Kanunores, pas marrveshjes, kishin sjellë Kanunoren e Shoqërisë, si dhe një note- për ta njohur Kanunoren nga ana e Guvernës zyrtarisht, duheshin paguar $ 70.00, të cilat mbledhja i votoi, dhe u la që t’i sillnin delegatët sipas pjesës që u takonte shoqërive, në takimin e ardhshëm.
Po në këtë mbledhje u diskutuan disa variante për ta pagëzuar Federatën. U pëlqye dhe u aprovua me një zë fjala kuptimplote”Vatra”. Që në atë mbledhje Shoqëria e re e federuar u quajt” Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra”. U la që vula të porositej, po ashtu dhe kopsa e Shoqërisë. Në Kanunore u la që të përcaktohej edhe” kordhelja” e Shoqërisë për festa dhe ditë të shënuara.
Pagesa u vendos që të ishte $3 në mot dhe $1 për pranime të çdo anëtari të ri. Takimi tjetër u la me 9 prill 1912. Takimi i 9 prillit kishte për Chairman At Fan Noli. U lexua anglisht nen për nen Kanunorja, pastaj u përkthye edhe në shqip, dhe u lexua shumë herë me radhe nyjë pas nyje. Pas shumë bisedimesh , u votua një pjesë e Kanunores, që përmblidhte fillimin, qëndrimin, dhe qëllimin e Vatrës si dhe detyrat e Komisionit Qendror, i cili formohej nga sekretari i përgjitshëm , kontrollorët, arkëtari, gjithësej 5 vetë. Pas një pune të lodhshme deri në 10 të natës, mbledhja u ndërprerë për arsye komunikacioni, të largëtit nuk arrinin dot trenin e fundit, u la që takimi tjetër të bëhej me 14 prill. Në këtë takim u votua e gjithë Kanunorja.Takimi tjetër u la me 28 prill.
Në rekordin e 28 prillit, është fiksuar akti historik; Komisioni i bashkimit dhe delegatët në mbledhjen që mbajtën me 28 prill 1912, pasi panë raportet e Shoqërive që bashkohen, i dhanë fund:
I- E quajmë të formuar Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës, prej shoqërive”Besa-Besën”, “Flamur i Krujës”, “Kombëtare” dhe “Dallëndyshja”,
II- Emërohen pleqësi e përkohshme këta zotërinj:
Sekretar At Fan Noli, arkëtar Lambi Çikozi, Manage’r i Diellit Kristo Kirka.
Organizator të Degëve; Faik Konitza dhe Kristo Floqi
Mbikqyrës të Diellit: Paskal Aleksi, Elia Tromara, Kosta Vasil
III- Konferenca e parë për të filluar degën e Bostonit do të bëhej të Dielën, me 12 të Majit 1912, dhe për fshatrat e tjerë sipas programit që do të botohej në Dielli.
IV- Mbledhja e përgjithshme e kryetarëve të degëve të Federatës për të zgjedhur Komisionin e rregullt(Pleqësinë e Qendrës) për mot-mot do të bëhej të dytën të Dielë të Korrikut(Kur do të ishin formuar degët).
V- Hëpërhë gazeta Kombëtare Dielli do të mbante titullin dhe programin që kishte gjer sa të zgjidhej Komisioni i Rregullt i Federatës.
VI- Komisioni i Përkohshëm ftonte Shoqëritë që u bashkuan, sipas Kanunores që u votua, të dërgonin kapitalet e tyre tek arkëtari i përgjithshëm, z. Lambi Çikozi.
KOMISIONI I BASHKIMIT
At Fan Noli
Kristo Floqi
Faik Konitza
Paskal Aleksi

DELEGATËT
Kristo Kirka
Lambi Çikozi
Elia Tromara
Kosta Vasil
Boston, Mass, 28 Prill , 1912

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, Gezuar Ditelindjen Vater

DIELLI URON: GEZUAR PASHKET!

April 20, 2014 by dgreca

Redaksia e Diellit uron te gjithe besimtaret e Krishtere:Gezuar Pashket!Le ta festojme te gjithe se bashku Diten e Ringjalljes dhe ta forcojme me shume vleren e bashkjeteses dhe haromise nder fetare mbareshqiptare! GEZUAR!

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Dielli uron, Gzuar Pashket

VËRTETË KEMI BAJRAM E PASHKË, POR SHQIPTARINË E KEMI BASHKË

April 20, 2014 by dgreca

Nga Dalip Greca/*
Titullin e këtij editoriali ia kam marrë borxh At Gjergj Fishtës. Mendoj se nuk ka shprehje më të gjetur se kjo për të shprehur realitetin e shkueshmërisë fetare mes shqipatrëve. Vetë Fishta ishte modeli praktik i asaj harmonie ndërfetare që shqiptarët e kanë fe’ e përmbi f’e. Është shumë dmoethënës akti i priftit franceskan, intelektualit erudit, politikanit kombëtar, letrarit të shkëlqyer-kandidat për çmimin Nobel, At Gjergj Fishta, kur me çlirimin e Shqipërisë nga perandoria Osmane, do të ngrinte Flamurin Kombëtar në Shkodër, dhe në bashkëveprim me myftiun e xhamisë pranë, do të lidhte me konopin ku ishin vendosur dritëza ndriçuse, këmbanoren e kishës me minaren e xhamisë, ndërkohë që në të dyja, edhe në minare, edhe në këmbanore, shpalosej Flamuri Kombëtar. Ka një shekull që ka ndodhur kjo ngjarje dhe ende përcillet ndër breza si mesazh harmonie dhe bashkëjetese ndërfetare.
Kjo harmoni ndërfetare është prezente edhe tek shqiptarët e Amerikës. Nuk është rastësi që në themel të bashkimit më solid të shqiptarëve të Amerikës, Federatës Panshqiptare, Vatra, është pikërisht lidhja e fortë ndërfetare që e bëri atë rezistente të kohës. Po ashtu nuk është rastësi fakti që shqiptarët e kuptuan se “manovrat” dhe kurthet e fqinjëve për të na përçarë me fenë, kërkonin si kundërveprim shpëtues kombëtar- bashkim, dhe vetëm bashkim Kombëtar. Dhe u bashkuan këtu në Amerikë, fillimisht duke krijuar Kishën Orthodokse Autoqefale Shqiptare, e më pas Federatën Vatra, që i ndihu bashkimit Kombëtar. Kur Venizellosi i Greqisë shpallte botërisht se “çdo ortodoks ishte grek”, shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës firmosnin peticione se të gjithë ishin ortodoksë,veçse jo grekë, por shqiptarë (madje dhe myslimanët).
Për Federatën Vatra harmonia fetare është e shenjtë dhe e përcjellur ndër breza. Në të 101 vitetet e jetës së saj ajo është udhëhequr nga ky parim. Vatra i ka parë të tre besimet fetare të lidhura ngushtësisht me kombin dhe egzistencën e tij.Peshkop Noli ishte një lis i fortë, rreth të cilit u bashkuan shqiptarët e Amerikës, pavarësisht fesë. Vetë Kisha Ortodokse shqiptare që ai themeloi këtu, u bë një gur prove për shkueshëmrinë fetare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Ai ndërtoi marrdhënie të shkelqyera me udhëheqësit myslimanë, veçanërisht me Imam Vehbi Ismailin, me komunitetin bektashian, Baba Rexhepin dhe me udhëheqësin shpirtëror të katolikëve, Monsinjor Zef Oroshin. Këto marrdhënie edhe në ditët e sotme, mes Vatrës dhe komuniteteve fetare, janë të shkëlqyera.
Vatra e ktheu në traditë njëshekullore bekimin e darkës së Pavarësisë së Shqipërisë, duke aplikuar rregullin e radhës së përvitshme, herë një imam e bekonte darkën,herë një prift katolik apo prift orthodoks. Kjo rregullsi vazhdon deri në ditët e sotme.Natyrisht këto marrdhënie nuk janë formale, por reale dhe bazë për ruajtjen e traditave kombëtare këtu në mërgatë.
Shembulli më i qartë ishte ai i festimit të 100 vjetorit të themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, ku i gjithë kleri ndërfetar, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, diaspora, përfshi dhe arbëreshët e Italisë, ishin të përfaqësuar në rangjet më të larta.Mënyra e përcjelljes së mesazheve, qoftë në Konferencën Shkencore”100 vite në shërbim të kombit”, qoftë edhe në darkën festive me më shumë se 1000 të ftuar, ishte emocionuese.
Faktet nuk kanë nevojë për komente, ato flasin në dritën e diellit.Ndonjë koment që përcillet në internet apo kafeneve nuk mund ta trondisë ata ç’ka paraardhësit tanë e kanë ndërtuar me mund e përkushtim.
Por jo gjithëçka shkon sot si në vaj. Tendencat e kohëve të fundit për të futur mes shqipatrëve rryma fetare agresive, ekstremiste, kërkojnë pjekuri dhe reagim kolektiv me qëllim që e keqja të mos hyjë mes nesh dhe të na përçajë. Trysnia radikale e rrymave fetare nuk përputhen me trashëgiminë tonë fetare tradicionale. Veçanërisht fondamentalizmi radikal është i rrezikshëm për kombin tonë, që nuk e ka në natyrën e tij të përqafojë rryma të tilla.
Kombi shqiptar, autokton në trojet e veta, e ka pësuar nga teoritë dhe tezat radikale fetare dhe nuk duhet të bjerë preh e tyre. Kujtesën duhet ta kemi të kthjellët: a nuk u dëbuan nga trojet autoktone myslimanët çamë në fund të Luftës së Dytë Botërore me pretekste fetare? Po rreth treqind mijë muslimanë të Kosovës, a nuk u dëbuan nga trojet e veta nga Jugosllavia duke ua mohuar autoktoninë? Po një milion shqiptarët e Kosovës në agimin e shekullit të ri, a nuk u dëbuan dhunshëm nga racistët e Beogradit?
Ne shqiptarët e sotëm duhet ta ruajmë drejtpeshimin harmonik fetar si një hajmali, ndryshe brezat që vijnë pas nesh do të na gjykojnë rëndë. Ne do të jemi përgjegjës për atë ç’ka trashëguam, nëse nuk e ruajmë.
Natyrisht ne kemi pasë edhe problemet tona në të shkuarën.Siç ka konstatuar edhe shkrimtari ynë Kombëtar, kandidat shumë herë për çmimin Nobel, Ismail Kadare-Historia e harmonisë fetare në Shqipëri nuk është një histori idilike, në thelb ajo ka qenë dhe mbetet dramatike përgjatë historisë,- nuk është fjala këtu vetëm për episode të atilla, si farsa tragjikomike e ndalimit të besimeve nga regjimi komunist, as për mallkimin që në emër të fesë iu bë alfabetit shqiptar, dhe as rebelimit proturk të Haxhi Qamilit , historia ka qenë dramatike sepse ka qenë përherë e mbarsur me rreziqe të mëdha. Edhe tani në demokraci të gjitha rreziqet e kapërcyera, janë prapë të mundshme, sepse ato janë të tilla edhe në botë.
Kombi ynë karakterizohet nga tri fe tradicione dhe secila ka vendin e vet, pa i hyrë në pjesë tjetrës. Kombi nuk mund të identifikohet as me njërën, as me tjetrën më vete, por me të tria bashkë. Kjo përbën thelbin e shkueshmërisë fetare dhe ne duhet të krenohemi me harmoninë tonë fetare. Kjo është pasuria me të cilën trokasim për të hyrë në dyert e Europës. Është fakt se kombi ynë është në Evropë dhe po shkon drejt saj me dy shtete shqiptare. Nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë se në këtë shekull, por harmoninë duhet ta ruajmë fort, si pasuri Kombëtare. Ata që veprojnë kundër nuk punojnë për Kombin.
Edhe pse në tërësi kombi ynë është i rreshtuar në krah të Amerikës dhe Europës kundër terrorizmit, fatkeqësisht trojet tona duken të ekspozuar nga rryma fetare radikale që nuk janë karaktersitike për psikologjinë shqiptare. Mjerisht po përzihen shqiptarët në emër të fesë edhe në luftra në vendet arabe, ku ka përplasje ndërfetare, siç është rasti i Sirisë e gjetkë, ku kanë humbur edhe jetën. Kush do t’ua ndriçojë mendjet shqiptarëve se nuk duhet të përzihen në luftra fetare? Sa shpejt e harruam kurthin që na pat ngritur Millosheviçi duke trumbetuar nëpër botën perëndimore se lufta e shqiptarëve të Kosovës, nuk ishte luftë për të drejta njerëzore, por luftë fetare, luftë kundër krishtërimit Seb! Sa mirë që bota nuk e hëngri përrallën e Millosheviçit se nuk ishte fjala për Luftë fetare të myslimanizmit shqiptar kundër krishtërimit Serb, por luftë për të drejta njerëzore. Nëse shqiptarët e Kosovës do të kishin rënë në kurthin e Millosheviçit dhe makinës së tij propagandistike , tragjedia do të kishte përmasat e katastrofës njerëzore.
Për asnjë çast nuk duhet t’i harrojmë aleatët tanë që na shpëtuan nga katastrofa. Nëse ata na thonë sot se duhet të ruhemi nga radikalizmi fetar, duhet t’i bëjmë sytë katër.
Qeveritë e shteteve tona është koha që të bëjnë kujdes që ta kultivojnë më tej drejtpeshimin dhe shkueshëmrinë fetare, duke u udhëhequr nga ligjet dhe toleranca. Krahas lirisë, nuk duhet hequr dorë nga kontrolli i institucioneve fetare, nga shkollat, fondacionet, klerikët shqiptarë dhe të huaj që shërbejnë në to, financimet e brendshme dhe të jashtme.Varfëria ekonomike mund të pranojë çdo urdhërese që vjen në emër të fesë.
Në mbyllje të këtij komenti, po i rikthehem edhe një herë, vlerësimit të Kadaresë, për harmoninë fetare shqiptare:” Shqipëria e re dhe ajo e vjetër karakterizohet nga marrdhënie të mira mes besimeve. Tolerance dhe harmonia fetare është vlera më e madhe e Shqipërisë dhe kjo nuk është vetëm diçka proverbiale. Shqiptarët ditën të përballen me holokaustin. Pas Lufëts së Dytë Botërore, Shqipëria ishte vendi i vetëm, ku numri i hebrejve u rrit gati dhjetëfish. Megjithëse në Shqipëri ekzistojnë tre besime e katër komunitete fetare dhe nuk shquhemi si popull i urtë, nuk i kemi njohur konfliktet fetare. Dy vëllezër, njëri katolik e tjetri musliman kanë jetuar në një pullaz.”
Kjo na bënë që të ndjehemi krenar për ç’ka kemi trashëguar, dhe të mos harrojmë se jemi vëllezër të një gjaku, të një gjuhe, pavarësisht besimit.Të mos e harrojmë thëinien e at Gjergj Fishtës në krye të shkrimit,”Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”!
Editorial I Diellit, Korrik 2013

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, POR SHQIPTARINË E KEMI BASHKË, VËRTETË KEMI BAJRAM E PASHKË

TAKIM NË KONSULLATËN E KOSOVËS NË NEW YORK

April 14, 2014 by dgreca

KRYETARIT TË DEGËS SË VATRËS NË JACKSONVILLE-FLORIDA,Z. ADRIATIK SPAHIU, IU DHURUAN LIBRA PËR SHKOLLËN SHQIPE QË DO TË HAPET SË SHPEJTI NGA DEGA E VATRËS/
Ditën e hënë me 14 Prill, kryetari i degës së Vatrës në Jacksonville-Florida, z. Adriatik Spahiu i shoqëruar nga editori i Diellit Dalip Greca dhe drejtori i TV Kultura Shqiptare, Adem Belliu, u pritën në Konsullatën e Kosovës nga ambasadori Bekim Sejdiu dhe ndihmësi i tij, Konsulli Korab Mushkolaj. Ambasador Sejdiu i uroi mysafirit nga Florida mirëseardhjen dhe e përgëzoi për punën e palodhur në cështjen Kombëtare, për veprimtaritë e degës së Vatrës, si dhe për inisiativën që kjo degë dhe kryetari i saj kanë marrë për hapjen e shkollës shqipe në Jacksonville, ku jetonë më shumë se 7-8000 shqiptarë. Ambasadori u ndal edhe në regjistrimin e domosdoshëm të shqiptarëve kudo që ndodhen në SHBA. Më pas ai foli për përparësinë që merr hapja e shkollave shqipe për të ruajtur gjuhën e Kombit nga vijmë, kulturën dhe traditat kombëtare.
Kryetari i degës së Vatrës në Jacksonville informoi për punën atdhetare që po bën dega e Vatrës atje, duke plotësuar një boshllëk të ndjeshëm në komunitetin shqiptar atje. Ai tha se insiativa për krijimin e degës pat filluar që në 100 vjetorin e Vatrës, por ditëpërditë ajo u rrit dhe tash ka rreth vetes një komunitet të shumtë, që po vjen duke u shtuar. Spahiu informoi edhe për festimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në Jacksonvillë, tha Spahiu, jetojnë rreth 150 shqiptarë të Kosovës. Ata po i afrohen përditë e më shumë Vatrës. Vetëm në ditën e festës për pavarësinë e Kosovës, u anëtarësuan në Vatër 15 veta. Shkolla shqipe që do të hapet së shpejti do ta gjallërojë akoma më shumë degën e Vatrës dhe do t’i bëjë më të intëresuar shqiptarët e atjeshëm.
Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit Shqiptaro Amerikan, z. Martin Shkreli. U bisedua gjatë për cështjen Kombëtare dhe bashkërendimin e shoqatave që veprojnë në Amerikë.
Duke i dhuruar librat për Shkollën Shqipe në Jacksonville, ambasador Bekim Sejdiu, falenderoi edhe një herë për inisiativën, ndërsa zoti Spahiu falenderoi shtetin e Kosovës për librat e dhuruara.

Filed Under: Vatra Tagged With: Adem Belliu, Adriatik Spahiu, ambasador Sejdiu, dalip greca, ne New York, TAKIM NË KONSULLATËN E KOSOVËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT