• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEGA E VATRËS E QUEENSIT PËRKUJTOI MIT’HAT FRASHËRIN NË HOTELIN LEXINTON

October 4, 2013 by dgreca

Mbrëmjen e 3 shtatorit, pikërisht në datën kur humbi jetën apostulli i shqiptarizmës, Mithat Frashëri, dega e Federatës Vatra  në Queens me kryetar dr, Skënder Murtezani, ka organizuar një takim përkujtimor. Inisiator i këtij organizmi  ishte  vetë dr. Skënder Murtezani, i cili kishte ftuar në këtë takim nderues edhe Shkrimtarin Naum Prifti, aktivistin e njohur  dhe sekretar i Shoqatës Camëria Sali Bollati, studiuesen  Julika Prifti, Bashkim Musabelliu, Uke Gjonbalaj, Bujar Golemi  dhe editorin e Diellit, Dalip Greca.

Në takim u sollën copëza nga jeta e Mithat Frashërit, jetë që e shkriu për Kombin. Po ashtu u sollën copëza nga momentet e fundit të jetës së tij si dëshmi të pesonave që iu ndodhën pranë në castet e fundit, ku mendja e ndritur e kombit mbylli sytë larg vendit për të cilin pat shkrirë jetën dhe pasurinë.

Gjatë takimit u propozua që për vitin e ardhshëm që është përvjetori i 65-të i vdekjes të organizohet një simpozium po në këtë hotel, i cili ka gjasa të jetë hoteli ku mbylli sytë mëmëdhetari mendjendritur më 3 tetor 1949. Hotel Lexinton ka ndryshuar disa herë emrin dhe kohët e fundit u rikthye sërish tek emri i vjetër. I ndërtuar që më 1925 ky hotel ka pritur dhe përcjellë personalitete të larta nga e gjithë Bota. Po aty ishte vendosur edhe presidenti i Republiëks së Shqipërisë dhe stafi i tij gjatë qëndrimit në New York.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dega e Vatres, Naum Prifti, Queens, Skedner Murtezani

VATRA I PROPOZOI PRESIDENTIT DEKORIMIN E THEMELUESËVE DHE TË VATRANËVE TË DËNUAR NGA DIKTATURA KOMUNISTE

September 28, 2013 by dgreca

Të Shtunën, me 28 shtator, një përfaqësi e Vatrës është takuar me presidentin Nishani në Hotelin Lexinton. Presidenti shoqërohej në takim nga ambasadori Gilbert Galanxhi dhe Konsulli i Përgjithshëm Dritan Mishto. Përfaqësia e Vatrës përbëhej nga Kryetari dr. Gjon Buçaj, sekretarja e Vatrës,  Nazo Veliu dhe editori i Diellit, Dalip Greca.

Presidenti Nishani falenderoi Vatrën për pritjen e ngrohtë gjatë vizitës së Tij në Shtëpinë e Vatrës dhe gjatë darkës, që organizoi Vatra dhe bashkësia shqiptare me 24 shtator. Ndër dhjetra takime që presidenti ka organizuar me komunitetin shqiptar në të gjithë Amerikën, veçoi atë me Vatrën, për shkak të historisë që Vatra mbanë mbi shpinë si dhe të veprimtarive të saj në shërbim të Kombit.Vatra, tha presidenti, më shumë se kushdo tjetër, është kontribuesja më e madhe e ruajtjes së identitetit shqiptar këtu në Amerikë për më shumë se 100 vite, është një urë e fuqishme miqësie mes Amerikës dhe Shqipërisë.

Puna e Vatrës është e lidhur fort me çështjen kombëtare, tha presidenti.Ajo ka përcjellë dhe vazhdon të përcjellë mesazhe bashkimi shpirtëror, kulturor  për  popullin shqiptar në trojet e veta etnike. Më pas Presidenti foli për sfidat që e presin Shqipërinë për  të ardhmen e saj Europiane, marrjen e ftesës për në BE, realizimin e reformave, ruajtjen e standarteve demokratike, foli për sfidat që e presin Kosovën, për forcimin e shtetit, për rritjen e njohjeve ndërkombëtare, ku ka kontributin e vet edhe Shqipëria, edhe Diaspora, foli për sfidat e shqiptarëve në Maqedoni, për Marrëveshjen e Ohrit, për sfidat e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe  në Malin e Zi. Për këtë të fundit ai tha se ia ka përcjellë presidentit malazes dy kërkesat kryesore të popullsisë shqiptare për Komunën e Pavarur të Tuzit dhe  hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe. Nuk ka asnjë argument kundër, dhe për pasojë të dyja janë të realizueshme.

Më pas presidenti u ndal edhe në çështjen çame. Tani kjo çështje  nuk është më tabu; për të flitet hapur në Parlament, madje ka dhe një Rezolutë të Parlamentit Shqiptar dhe Presidenti shtoi se gjatë vizitës që do të bëjë në Tiranë presidenti grek, ai do t’ia shtrojë edhe çështjen çame. Nuk bëhet fjalë për ndryshim kufijsh, sqaroi ai, por për probleme të trashëgimisë së pronave dhe shtëpive të popullsisë çame.

Diaspora shqiptare në Amerikë, tha presidenti, kërkon edhe mbështetjen dhe koordinimin me vendlindjen për t’i rritur kontributet në Washington.

Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti tha se diaspora shqiptare, Vatra, të gjithë e kanë të hapur derën e presidencës për bashkëpunim dhe punë të përbashkëta për çështjen Kombëtare.

Dr. Gjon Buçaj, kryetar  i Vatrës, e falenderoi presidentin Nishani për fjalët vlerësuese të adresuara Vatrës dhe vatranëve si dhe në adresë të diasporës në përgjithësi. Vatra, tha ai, natyrisht nuk ka pushtet egzekutiv, por ajo ka 101 vjet që i shërben çështjes Kombëtare dhe po kështu do të vazhdojnë brezat e ardhshëm.

Z. Buçaj, shprehu besimin se institucioni i presidencës do të ushtroje autoritetin e  vet për të ndikuar në thellimin e reformave, duke ruajtur standartet demokratike, me qëllim që Shqipëria me dinjitet të shkojë në BE. Në mesazhin e tij, dr. Buçaj përcolli idenë se krahas integrimit në BE Shqipëria dhe Kosova si dy shtete shqiptare të ndikojën pozitivisht që të unifikohet faktori shqipatr në Ballkan për të ruajtur arritjet e deritanishme dhe për t’i çuar ato më tej. Faktori shqiptar duhet të jetë i përgatitur dhe të punojë fort për bashkimin dhe jo për ndarjen, pavarësisht ngjyrave politike.Urojmë që infrastruktura rrugore t’i lidhë të gjitha trojet, deri edhe në skajet më të largëta.

Dr. Buçaj, shprehu shqetësimin se ndërrimi i pushtetit, nuk duhet të kthehet në revansh dhe të shkatërrojë investimin e bërë në adminsitratë. Dr. Buçaj e quajti të nxituar veprimin e fitusëve të zgjdhjeve duke hequr nga zyrat e shtetit  fotografinë e kryetarit të shtetit. Ai përmendi edhe pushimet pa kriter nga funksionet, siç ka ndodhë me Konsullin e  Shqipërisë në New York, z. Dritan Mishto, i cili e ka mandatin  edhe për një vit. Konsulli Mishto ka qenë shumë i lidhur me komunitetin shqiptar, pavarësisht orientimve politike.

Duke shtruar shqetësimet e Vatrës për zhvillimet në Shqipëri, kryetari Buçaj shfaqi brengën për uzurpimin real që i ka bërë autoqefalisë së Kishës ortodokse shqiptare Kryepeshkopi Janullatos.

Një problem tjetër, që shtroi para presidentit të Shqipërisë , kryetari i Vatrës, ishte edhe ai për vlerësimin e figurave të baltosura nga diktatura komuniste, që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot në demokraci. Ka figura të periudhës së Mbretit Zog dhe të kohës së okupimit, që kanë bashkëpunuar për t’i shërbyer sa të mundnin Kombit. Duhet parë me vështrim të kthjellët kontributi i Ernest Koliqit dhe bashkëpunëtorëve. A duhet vlerësuar  hapja e shkollave shqipe në Kosvë?

Në fund të bisedës kryetari Buçaj i paraqiti presidentit propozimin e Vatrës për dekorimin e themeluesëve të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA si dhe të vatranëve atdhetarë të pushkatuar, të burgosur, të mbeturit pa varre nga diktatura komuniste.

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, Gjon Bucaj, Nazo veliu, Perfaqesia en Vatres, presidenti

ME 20 SHTATOR 1991 NISI TË BOTOHEJ NË LUSHNJË GAZETA”ORA E FJALËS”

September 20, 2013 by dgreca

Nga Dalip GRECA/

Sot, me 20 shtator 2013 është përvjetori I 22-të i Gazetës lokale”Ora e Fjalës”, ndër të parat gazeta të pluralizmit shqiptar, gazetë që dha një kontribut të vecantë në shtypin lokal dhe kombëtar. Gazeta vërtetë u botua në Lushnjë dhe pat për themelues një grup djemësh të guximshëm republikanë, që atë kohë patën krijuar të parën degë të republikanëve shqiptarë në rrethe dhe po ashtu themeluan dhe të parën gazetë lokale të demokracisë, por kjo agzetë i kaloi kufijtë e Lushnjës, ajo shkoi dhe në Tiranë, dhe në Berat, dhe në Durërs, dhe tek emigrantët shqiptarë në Romë, Frosinone, Milano, Bari, Brindizi, kudo ku kishte emigrantë. Kjo gazetë vërtetë u krijua nga republikanët Shpend Sallaku, Gëzim Hajdari, Themi Bello, Pirro Kice, Astrit Hodo, por ajo pati edhe mbështetjen e krijuesëve të njohur, jashtë PR-së, si Faslli Haliti, Visar Zhiti, Halil Jacellari,Bujar Xhaferri, Sherif Bali, Kadri Fishta, Seit Selfo,dr. Prenjo Imeraj, Minella Dani, vëllezërit Bedri, Caush dhe Esat Coku,Baki Nezha,Elamz Qerreti,  i ndjeri Vladimir Cuni, Fatbardh Rustemi,  e të tjerë. Gazeta dhe një kontribut të vecantë edhe për të ndihmuar krijuesit e rinj, në pjesë e të cilëve sot janë kontribues me emra të spikatur në median qendrore në Tiranë.

Ndjehem mirë që themeluesit e gazetës më përfshinë edhe mua që në numrin e parë, ku botova një artikull kundër korrupsionit, do të më përfshinin edhe  në Këshillin Botues,  dhe pastaj do të isha me ORËN deri në fundgushtin e vitit 1996, kur gazeta u mbyll pasi shkova në Tiranë tek gazeta Republika.

Numri i parë i Gazetës doli të premten me 20 shtator. Faqja e parëk ishte dizajnuar  në këndin e majtë, Shtëpinë e Kongresit të Lushnjës-maketi i saj, titulli-emërtues në mes, dhe një njoftim i opozitës , “Miting I Madh’- sigluar nga PD, PR PSD dhe Sindikatat, që do të bëhej pasdite në qytet.

Në faqen e parë gazeta botonte urimin”Udhë të mbarë ORËS….”, poshtë saj ishin vendosur dy shkrimet kryesorë të gazetës, shkrimi i Shpend Sallakut dhe Gëzim Hajdarit: ” Demokratë të orëve të fundit”, ” Historia si duhej të ishte”, po në faqen e parë ishte një përkthim nga Bujar Xhaferri prej Antuan Fabre D’Olivet”Fjala është një pemë e madhe”; në faqen e dytë ish deputeti i ndejrë-Izet Shehu, botonte një shkrim për tokën, përkthyesi i talentuar Seit Selfo sillte shkrimin”Tatimet e jshtzakonshme të luftës dhe pasojat e tyre”, faqja e tretë sillte shkrime të artit dhe bukurisë.Binte në sy një poezi e shkurtër, por tepër pikante e Albana Kozelit”DIKTATURË”.

Ja disa nga vargjet:

Diktaturë është;

Babai im që vjen

Cdo mbrëmje i dehur,

Këpucët që i fusin ujë,

Dhe xhaketa e tij e shqepur

…dhe kallot

Dhe rroga e tij

Modeste…

Fytyra e nxirë,

Sytë e trishtuar,

Diktaturë është….

Në Faqen 4 të gazetës binte në sy shkrimi i të ndjerit Vladimir Cuni, që edhe pse ishte radhitur në krah të socialistëve, godiste pa mëshirë krimin, falsitetin, gjithcka që i kundërvihej fryëms demokratike….

Gazeta deri në prillin e vitit  1992 doli në drejtimin e Shpend Sallakut dhe Gëzim Hajdarit, të ndihmuar nga grupi i republikanëve. Më pas dolën disa numra nën drejtimin e themi Bellos, Dalip Greca, Pirro Kice, Astrit Hodo. Pastaj për më shumë se tre vjet e kam mbajtur unë duke patur bashkëpunëtorë dhe ndihmës krijuesit e Lushnjës, pavarësisht kahjeve të tyre politike. Gazeta Ora e Fjalës  fillimisht shtypej në shtypshkronjën e qytetit, më pas botuam disa numra në Berat, ndërsa nga vitit 1995 deri në fundgushtin e 1996 u shtyp në Shtypshkronjën Eurorilindja në Tiranë. Në bibliotekën e Qytetit të Lushnjës dhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiarnë duhet të egzistojnë koleksionet e lidhura që i kam dorëzuar me dorën time. Janë botuar rreth 200 numra të kësaj gazete. Nuk e di nëse jam i saktë, por gazeta ishte e përjavshme.

Me këtë shkrim u shpreh mirënjohjen atyre që e krijuan dhe atyre që kontribuan.Gazeta ka fiksuar kronikën e ngjarjeve nga viti 1991 deri në gusht 1996, kur u botua numri i fundit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dalip greca, gazeta e Lushnjes, Gezim Hajdari, Ora e Fjales, shpend sallaku

Çamëria, vazhdimësi Pellazgo- Iliro-Shqiptare, që u masakrua nga Konferenca e Londrës

September 16, 2013 by dgreca

–         Duke shfletuar librin e Prof. Dr. Selman Sheme” Monumentet Natyrore dhe Kulturore të Çamërisë”/

–         Si u realizua Spastrim etnik nëpërmjet një genocidi të egër ndaj popullsisë shqiptare të besimit mysliman./

–         Kur nisën imigrimet, kur erdhën kolonët, shpërnguljet, masakrat…pakicat greke në Shqipëri shfaqen në fillim të Shekullit XIX/

–         Kthimi i fesë nga ortodoksë në myslimanë në Çamëri nisi në Shekullin e XIX/

Nga Dalip GRECA*/

Ne Foto: Pamje nga promovimi qe u organizua nga Federata Panshqiptare e Amerikes. Ne promovim ishte i pranishem edhe autori i librit Prof. dr. Selman SHEME/Është kënaqësi për mua që të prezantoj para jush librin e Prof . Dr. Selman Sheme”Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë” që është unikal në llojin e vet. Profesor  Sheme ka arritur që të na sjellë një tablo të gjallë të Çamërisë, jo vetëm me përshkrimin gjeografik tërësor dhe rajonal të Çamërisë, por përmes albumit të ilustruar për çdo rajon, ai na ka sjellë para syve pamjet e mrekullueshme të Krahinës së Çamërisë së mohuar shqiptare. Krahas kujtimeve që popullsia çame i ruan të freskëta, krahas dokumenteve, tapive, pamjeve tragjike të të parëve të tyre të masakruar para syve, apo shtegtimi i mbramë i tyre plot dhimbje drejt Shqipërisë,në fundluftën e Dytë Botërore, studiuesi, që është vetë një bir Çamërisë martire,familja e tij është shpërngulur nga Çamëria,  na shton edhe monumentet natyrore dhe kulturore të Çamërisë, duke u ndalur veçmas në secilin rajon dhe në tërsinë gjeografike të Çamërisë. Para syve tanë kalojnë rajonet e Çamërisë si; Filati, Gumenica, Paramithia, Margëlliçi, Parga, rajonet e Prevezës, Artës e Janinës, si dhe gjeneza historike e rajoneve çame të fiksuar në hartografinë historike të Kohës.

Përmes këtij libri album, Çamëria përshkruhet si tërësia jonë Kombëtare, ndaj dhe studiuesi e ka parë atë si pjesë e trojeve shqiptare. Studiuesi ka përshkruar fillimisht trojet shqiptare në tërësi dhe regjonalizimin etnografik dhe më pas sjellë veçori të përgjithshme fiziko-Gjeografike, kufijtë natyror e gjeografiko-etnologjikë të Çamërisë, përshkrimin e peisazhit të krahinës, si një oaz Klimatik tipik mesdhetar, përshkruan ekosistemin natyror dhe gjelbërimin e përhershëm, pasurinë ujore,bregdetin, lumenjtë etj.

Monumnetet Natyrore dhe Kulturore të Çamërisë nis me një vështrim historik të trojeve shqiptare, argumenton shkencerisht autoktoninë e shqiptarëve si populli më i lashtë në Ballkan, duke e vënë theksin tek Ilirët, si trashëgimtarë të Pellazgëve. Prof Sheme sjell argumentet historikë dhe arkeologjikë që vërtetojnë autoktoninë  Ilire, që nënkupton formimin etnik në vend mbi bazën e vazhdimësisë së gjërë kulturore, e cila ka pësuar ndryshime në kohë, duke  marrë edhe nga kultura e popujve fqinjë apo popujve të ardhur në Ballkan, duke ruajtur tiparet e veta etnike. Ilirët banonin në të gjithë pjesën Perëndimore të Gadishullit Ballkanik, që nga degët e Danubit, lumenjtë Sava e Drava në veri e deri tek Gjiri i Ambrakisë në Jug, kurse në lindje banonin edhe në Maqedoninë Perëndimore.

Profesor  Selamn Sheme përshkruan fiset ilire, vendbanimet e tyre, duke u ndalur në secilin prej tyre, trojet ku banonin, si: Enkelejtë, Taulantët, Ardianët, Dardanët, Paionët, Dalmatët, Albanët, Molosët, Thesprotët etj.

Pa u ndalur në periudhat historike dhe pushtimet e ndryshme , për evolimin ndër shekuj, po qëndrojmë në të dhënat e messhekullit të XIX, ku hapësira etnike shqiptare zinte një sipërfaqe  prej 75 .000 km katrore dhe në katër vilajetet e saj banonin 1.700.000 banorë, ndërsa në vitin 1912 numëroheshin 2.354.000 banorë. E administruar në katër Vilajete, popullsia shqiptare ishte e ndarë në këtë mënyrë: Vilajeti i Kosovës kishte 909.700 banorë, ku popullsia shqiptare zinte 61,4 për qind (558.900 banorë); Manastiri 694.800, popullsia shqiptare përbënte 54,1 për qind(275.800 banorë); Janina 559.700, shqiptarët përbënin 59.1 përqind(330.800 banorë); Shkodra 190.000, shqiptarët përbënin 98.2 përqind( 186.500 banorë.

Në Vilajetin e  Janinës ndodhej edhe krahina e Çamërisë, ku shqiptarët përfaqësonin 59.1 përqind të popullsisë, grekët 24 përqind, vllehët 10.4 për qind. Krahinat e Janinës, Kosturit, Follorinës kanë qenë të banuara masivisht nga shqiptarët. Në gjysmën e parë të shekullit XX shqiptarët janë dëbuar me forcë nga trojet e tyre(veçanërisht elementi myslimanë). Pas vitit 1912 janë dëbuar me forcë nga Follorina dhe Kosturi rreth 35 .000 shqiptarë.

Trojet në jug të Vurgut të Delvinës e të Vrinës e deri në Gjirin e Artës përbëjnë viset shqiptare të Krahinës së Çamërisë. Historikisht, deri në vitin 1912 Çamëria ishte në Juridiksionin e Janinës. Pas shpalljes së Pavarësisë  më 1912 kufijtë e shtetit shqiptar u masakruan nga Konferenca e Londrës më 1913, ku vetëm një rrip verior i Çamërisë mbeti brenda kufijëve të Shqipërisë Londineze. Në kohën e Mbretërisë së Zogut, në atë zonë u krijua një njësi e vetme administrative, që u quajt”Nënprefektura e Çamërisë”. Konferenca e Ambasadorëve e ’13-tës në Londër, i hoqi Shqipërsië pjesën më të madhe të Çamërisë; rrethet Filat, Gumenicë, Margëlliç, Prevezë, Artë etj. Kjo krahinë shqiptare iu aneksua Greqisë.

Libri i Prof Shemes ndalet në ndarjen regjionale etnografike të Shqipërisë në shek  19-20. Po ndalemi vetëm tek Çamëria;  e cila përbëhet nga tre rajone:

1-    Çamëria Veriore-krahina në veri të lumit Kalama e deri në kufi me Labërinë. Gjatë mesjetës ajo është quajtur VAJONETË.

2-    Në jug të lumit Kalama deri në lumin Akeron(lumi i Zi + Gliqia) shtrihej Çamëria e Mesme në të cilën përfshihet edhe krahina e Sulit.

3-    Në Jug të lumit Akeron(Lumi i Zi) deri në gjirin e Artës shtrihej Qasopi(Çamëria Jugore) në të cilën përfshihej edhe qyteti i Nartës. Konferenca e Londrës i shkëputi trungut shqiptar Janinën dhe qarkun e saj, ku përfshihej Meçova dhe Konica,- gati e tërë Çamëria me rrethet e Filatit , të Gumenicës, të Margëlliçit(ku përmblidhej dhe qyteti i Pargës) dhe qarku i Prevezës(ku futej dhe qyteti Llurë me rrethinat e tij). Trungut të Shqipërisë iu shkëputën edhe Follorina, Kosturi, dhe tërë fshatrat përtej Gramozit. Brenda Shqipërisë Londineze mbeti vetëm një pjesë e Çamërisë Veriore, qyteti i Konispolit dhe disa fshatra të pellgut të lumit Pavlla në Jug të Vurgut e të Vrinës.

Në një kapitull më vete autori i ka kushtuar veçorive të përgjithshme Fiziko Gjeografike, duke u ndalur në: 1- Kufijtë natyrorë Gjeografiko-Etnologjikë të Çamërisë,

2-Peisazhet e krahinës; duke sjellë karakteristikat e secilës zones dhe duke përshkruar bregdetin karakteristik, reliefin, lumenjët, klimën, ekosistemin natyror etj.

Me interes janë të dhënat që sjell autori për Strukturën gjeoetnike dhe identitetin regjional të Çamërisë; ku e vë theksin tek lufta më shumë se një shekullore e procesit të asimilimit dhe helenizimit të krahinës së Çamërisë. Ky proces u intensifikua pas vitit 1913 me pushtimin e Çamërisë, ku filloi një trysni e pandërprerë  e shtetit dhe forcave ultranacionaliste greke për shkombëtarizmin e kësaj krahine shqiptare me synim helenizimin total të saj.

Cila ka qenë strategjia e helenizimit dhe çfarë rrugësh janë përdorur?

Prof. Dr. Selman Sheme veçon tri rrugë:

1- Spastrim etnik nëpërmjet një genocidi të egër ndaj popullsië shqiptare të besimit mysliman. Për këtë qëllim janë përdorur të gjitha mënyrat, si: Grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesmarrja në administrate shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, torturat e rënda, burgimet, dëbimi me dhunë e deri në masakrat e përgjakshme.

Së dyti; Ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë nëpërmejt kolonizmit të krahinës me imigrantë grekë e vllehë të ardhur nga pjesë të ndryshme të Greqisë dhe nga Azia e Vogël.

Së treti:Asimilimi i popullsisë shqiptare të besimit Ortodoks nëpërmjet dhunimit(mohimit) të identitetit të saj kombëtar, ndalimit të përdorimit të gjuhës shqipe dhe mësimit të saj në shkolla, perfshi dhe ato fillore.

Profesor Selman Sheme, konstaton se fakeqësisht kjo strategji dhe praktikë shkombëtarizimi është mbështetur dhe mbështetet edhe në kohën tonë nga konceptet gjoja ”shkencore” të disa studiuesve grekë ,që pretendojnë  se”gjithë fiset që jetojnë në Epirin e lashtë i takonin etnisë greke” dhe se’ deri në lumin Shkumbin kishin qenë tokat e Epirit, që ishin banuar nga Grekët”. Brenda konceptit “shkencor” grek është përfshirë  edhe popullsia çamë ortodokse që jeton sot në Greqi. Këta studiues kanë rënë nën ndikimin e doktrinës së “MEGALI IDE-së”, duke dëmtuar imazhin akademik dhe duke u vënë me ose pa dashje në shërbim të qarqeve shoviniste reaksionare greke.

Studimet rigoroze shkencore shqiptare dhe të huaja, të mbështetura në kulturën materiale dhe dokumentet e shkruara , dëshmojnë katërcipërisht autoktoninë dhe vazhdimësinë pellazgo-ilire-arbërore edhe të popullsisë çame në trevën më skajore  të hapësirës etnike shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Në një kapitull të veçantë, studiuesi Selman Sheme trajton një objekt të rëndësishëm demogjeografik të identitetit regjional të Çamërisë; etnogjenezën dhe strukturën gjeoetnike. Ai ndalet në autoktoninë ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të krahinës së Çamërisë, sjell dëshmitë historike, arkeologjike dhe etno-kulturore. Në ndihmë i vijnë gërmimet arkeologjike të kryera në Çamëri në disa stacione prehistorike si në Shpellën e Kreshmoit në Konispol, Shpellën e Shën Marinës në Mile, vendbanimin fushor të Xarës e të tjerë.

Për autoktoninë ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të popullsisë së Çamërisë në trojet e veta gjenden shënime të bollshme në veprat e autorëve klasik si: Skylaksit, Herodotit, Strabonit, Tulqidit, Ptolemeut, Plinit, Stefan Bizantinit, që studiuesi i citon.

Më pas ai sjell dëshmi të fushës së onomastikës, toponimisë, antropologjisë, numismatikës e të tjera, që vërtetojnë  vazhdimsinë iliro-shqiptare të Çamëve.

Materiale  të shumta historike sillen në këtë libër, si: dëshmi të mbishkrimeve që vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve në trojet e veta çame. Do të mjaftonin rreth 50 emrat me prejardhje ilire të zbuluara në Dodonë, ose citimi i historianit Grek S. Llambros në një dokument të shek XV, ku thuhet se “gjithë Epiri sot banohet nga shqiptarët, popull ilir.” Apo studiuesi tjetër Theodore Spandugino Cantacuzino që pohon se”Janina ishte Kryeqyteti i Mbretërisë së Shqipërisë”. Po ky autor shkruan se “Kur Sulltan Murati pushtoi Artën, tha se hyri në Shqipëri”. Do të duhej shumë kohë e shume faqe që të sillnim citimet, dokumentete të studuesvë të shumtë , të albanologëve, që hedhin dritë mbi të vërtetën e autoktonisë të çamërisë shqiptare, por që ndodhen me shumicë në këtë libër-album.

Studimi i Prof. Dr Skënder Sheme përfshinë edhe strukturën fetare dhe etnike të Çamërsië deri në pushtimin grek. Ai ndalet tek vepra e kronistit heleno-epirot,  P. Arvanito, ku renditen të gjitha vendbanimet e  vilajetit të Janinës,  të ndara në Sanxhaqe, dhe këto në Kaza,  dhe Nahije,  dhe për çdo vendbanim jep numrin e shtëpive, gjuhën që flitej nga banorët dhe besimin fetar. Nga regjistrimi i Arvanitos del se në Sanxhakun e Delvinës, ku përfshihej një pjesë e konsiderushme e Çamërisë, shqiptarët përbënin shumicën në të gjitha kazatë e saj. Kazatë e Delvinës, të Filatit, të Paramithisë, të Margëlliçit dhe të Fanarit kishin gjithsej 13,217 familje shqiptare dhe 7030 familje greke. Prof Sheme pohon se”Nga llogaritjet e përafërta që ai ka bërë, del se në gjysmën e shek. XIX, Çamëria  dhe trevat e tjera shqiptare pranë saj kanë pasur një popullsi prej mbi 150.000 banorësh.

Ai sjell dhe të dhënat që jep Sami Frashëri në “Fjalorin e përgjithshëm të Historisë dhe gjeografisë”(Kamus-ul alam-1889), sipas të cilit krahina e Çamërisë bënte pjesë në dy sanxhaqe të vilajetit të Janinës, në Sanxhakun e Janinës dhe në Sanxhakun e Prevezës. Sanxhaku i Janinës  përbëhej nga 6 kaza, 2 nahije dhe 439 fshatra me një popullsi prej 166.691 banorësh. Në Kazanë e Janinës, të Meçovës dhe të Konicës popullsia ishte me etni të ndryshme(Shqiptarë, greke, Vllehë, kurse në kazatë e Filatit, Ajdonatit(Paramithisë), e Leskovikut, popullsia ishte tërësisht shqiptare dhe shumica e fesë muslimane.

Popuillsia shqiptare në Çamëri deri në fillim të shek XVIII ishte pothuase e gjitha e besimit ortodoks. Besimi u ndërrua vonë, shek XIX. Duhet veçuar fakti se në të gjithë fshatrat e Çamërisë ka qenë i përhapur zakoni i lashtë i shqiptarëve për bashkëjetesë dhe vëllazërim midis besimeve fetare. Dallimi ishte vetëm në ushtrimin e riteve fetare.

Autori sjell dëshmi se si depërtuan kolonët grekë në krahinën e Çamërisë, ku krahas dyndjes së popullsisë greko-vllehe, që  me shumicë u dyndën edhe në Luginën e Dropullit, edhe në Vurgun e Delvinës, pati dhe ardhje të bujqëve.Prurjet e popullsisë greke e vllehe erdhën edhe për shkak të marrjes të bujqëve grekë nga pronarët shqiptarë. Pra pakicat greke janë të pranishme në tokat shqiptare në  shek XIX.  Dhe në gjysmën e dytë të  shek XIX  nis vënia në jetë e programit politik me emrin “MEGALI-idea”(Idea e Madhe) nga qarqe të caktuara nacionaliste greke, që nxitën konflikte etnike dhe fetare për aneksimin dhe shkombëtarizmin e trojeve shqiptare të Çamërisë dhe të Shqipërisë së Jugut. Sipas konceptit politik të mbretërisë greke, Epiri përfshinte territoret nga Janina në Durrës.

Me plotë fakte dhe analiza është bërë prej autorit trajtimi i Shëprnguljes me dhunë të popullsisë çame dhe kolonizmi i saj. Gjurmët e shpërnguljes me forcë ndeshen që në shek XIX, pas  Luftës Ruso-Turke 1877-1878. Pas lufrave ballkanike ky proces i shëprnguljes së dhunshme u fut në rrjedha tragjike për popullsiën çame. Pushtimi i Çamërisë pas Konferencës së  Londrës pat pasoja tragjike.U përdorën metoda të ashpra të trysnisë, dhunë, grabitje e tokave, ndalimi i komunikimit në gjuhën shqipe,ndalimi i arsimit shqip, tortura, vrasje, burgime deri në masakra të përgjakshme. Në këto kushte shumë familje u detyruan që të emigrojnë në Shqipëri dhe Turqi. Megjithë koeficentin e lartë të shtimit natyror, numri i popullsisë shqiptare erdhi gjithëmonë duke rënë.

Memorandumi i vitit 1921, vërtetuar nga Bedri Pejani, jep këtë tabelë të popullsisë së Çamërisë: Në Filat popullsia shqiptare ishte 22. 348, ndërsa grekë 5.125, në Gumenicë 19.126 shqiptarë, dhe nuk ak grekë; Ajdonat 13.780 shqiptarë, grekë 2575; Margëllëç kishte 15.723 shqiptarë, nuk ka grekë, Pargë 800 shqiptarë, 500 grekë, në total 62.777 shqiptarë dhe 9.200 grekë. Vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore u përzunë nga trojet e tyre stërgjyshore 10.000 shqiptarë të Çamërisë. Me zbatimin e Traktatit të Lozanës (1923) për shkëmbimin e  popullsisë midis Greqisë dhe Turqisë u shpërngulën me dhunë dhe u dërguan me forcë në Turqi 35.000 shqiptarë të Kosturit dhe Follorinës dhe 55.000 shqiptarë myslimanë  të Çamërisë, pjesa më e madhe nga rrethet e Janinës, Prevezës dhe Pargës. Pas shumë protestash procesi u ndërpre më 1926, kur në krye të qeverisë Greke ishte Pangallos.

Masakra më e fundit është ajo në fundluftën e Dytë Botërore, ku maskarat e Zervës mbi popullsinë e pafajshme çame, njohën një barabarizëm mesjetar dhe tepër tragjik. Dëshmitarë të asaj tragjedie janë ende gjallë sot, madje dhe në komunitetin shqiptar të Amerikës.

Siç jemi në dijeni trysnia dhe politika e helenizimit u bë fakt i kryer edhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ku grekët kishin dorë të lirë të bënin ç’të donin, pa pasur asnje oponence nga qeveria shqiptare, ndërkohë që edhe komuniteti çam në Shqipëri, u dyshua, u përndoq, u shpallën grupe armiqësore, u burgosen e  u pushkatuan.

Mendoj se ky libër përbën një dëshmi shkencore që ia vlen ta shpërndajmë e ta çojmë kudo, mundësisht edhe tek politika amerikane, studuesit amerikanë, në shkolla e librari,  ndërsa për ne shqiptarët ai është më se i domosdoshëm ta kemi në dorë sa herë të flasim për Camërinë. Për fat libri-album është në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht, çfarë jep mundësi përdorimi edhe nga të huajët, vecanërisht këtu në SHBA, ku është qendra e politikës botërore. Mendoj se duhet të jemi më të drejtëpërdrejtë në punën tonë për ndërkombëtarizmin e mëtejshëm të çështjes çame, më bashkëpunues me njeri-tjetrin; të mos mbetemi tek veprimtaritë brenda vetes, apo të ashtuquajturat veprimtari folklorike, kur flasim vetë dhe dëgjojmë po vetë. Helenët janë më të sofistikuar se ne shqiptarët, ata kombinojnë luftën politike me veprimet anarkiste. Veprimet e kohëve të fundit me Agimin e Artë, demonstrimin arrogant i forcës së tyre brenda territoreve të shtetit shqiptar janë skandaloze dhe të dënushme. Përgjegjësia është e shtetit shqiptar. Lufta për të drejtat e çamëve është pjesë e platformës Kombëtare për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për Vatrën, që ka 100 vjet që lufton për këto të drejta.

Përfundimisht e falenderoj Prof. dr. Selman Shemen për punën e shkëlqyer që ka bërë në sjelljen e fakteve, pasqyrimin e plotë të historisë të Camërisë,dhe vërteton me argumente vijimësinë pellazgo-Iliro- arbërore të saj.

New York, 15 Shtator 2013

  • Paraqitja që i bëri editori i Diellit librit të Prof. Dr. Selman Sheme, “MONUMENTE NATYRORE DHE KULTURORE TË ÇAMËRISË”, gjatë promovimit që organizoi Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA  me 15 shtator.

Filed Under: Kulture Tagged With: dalip greca, Monumentet kulturore te Camerise, promovimi, selman Sheme, Vatra

Zgjedhjet në New York- De Blasio në krye të rivalëve për kreun e Bashkisë

September 11, 2013 by dgreca

*Kandidati demokrat,shqiptaro-amerikani  Ken Biberaj, nuk mundi t’ia dilte mbanë në garimin e tij për një vend në Këshillin Bashkiak/

Në Foto: Z. De Blasio dhe gruaja e tij , Chirlane McCray ,  të martën në bibliotekën e Brooklyn-it /

Nga Dalip Greca/

Bill de Blasio , fushata e të cilit për të kapur kreun e Bashkisë të Nju Jorkut,u bazua tek premtimet për të ngushtuar ndryshimin e madh dhe të pabarabartë të të ardhurave të qytetarëve njujorkezë, si dhe në dhënien fund të praktikave agresive të policisë, duket se ka kapur më shumë vota nga konkurentët e tjerë demokrat në zgjedhjet e së martës të 10 shtatorit.

Edhe pse kampi i  zotit de Blasio, po festonte gjatë natës, ende nuk është shumë e qartë nëse ai do t’i shpëtoi një balotazhi me rivalin më të afërt të tij William Jr C. Thompson, balotazh që nëse do të kryehet, zhvillohet me 1 tetor. De Blasios do t’i mjaftonte 40 për qind e votave të fituara, që ta shmangë këtë balotazh. Gjithësesi avokati, dhe një ndër aktivistët e shquar të demokratëve, Bill de Blasio në fund të natës së shkuar kishte fituar vetëm 40 përqind të votave të numëruara, jo përfundimisht, ishin ende mijëra fletë të panumëruara.

Z. De Blasio , i cili bëri fushatë shumë liberale, mbajti fjalim në mesnatë në një klub muzike në Brooklyn, ku foli për 12 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.Ai u tha fansave të vet që e kishin rrethuar se ne nuk duhet të harrojmë 11 shtatorin dhe është detyrë e autoriteteve që drejtojnë, të cilët duhet ta mbajnë të sigurtë qytetin tonë, të jenë vazhdimisht vigjilentë, dhe të përdorin cdo mjet në dispozicion për të mbrojtur njerëzit.

Rivali i tij,  zoti Thompson , iu drejtua përkrahësve të tij në një hotel Midtown Manhattan , ku u zotua të vazhdojë fushatën e tij të paktën deri sa të gjitha votat primare të jenë të numëruara.

Fitues në kampin republikan është Joseph J. Lhota , ish kryetari i Autoritetit Metropolitan të Transportit . Ai mundi John A. Catsimatidis , një miliarder fjalëshumë, i cili udhëhoqi një fushatë shpesh fare të cuditshme.

Z. Lhota , i cili shërbeu si nënkryetar gjatë mandatit të të famshmit  Rudolph W. Giuliani. Ai ka premtuar se  do të kryej operacione  të vështira dhe do të luftojë fort kundër krimit dhe se do të ulë shpenzimet e qytetit . Në fakt ai njihet si një përkrahës i fuqishëm i politikave të Kryetari aktual Michael R. Bloomberg . Zoti Lhota e ka quajtur fitoren e tij “Hapi i parë në vazhdimin e një të ardhmeje të fortë për qytetin tonë. ”

E nxehtë ishte gara për zyrën e llogarisë së qytetit, ku luftuan fort  dy rivalë, Scott M. Stringer , Borough  Presidenti në Manhattan , i cili nuk ia kurseu kundërshtarit direkt replikën. Eliot Spitzer, i cili pat dhënë dorëheqjen si Guvernator për punë prostitutash, arriti që të konkurojë denjësisht, pa e përfillur amoralitetin me prostitutat. Ndërsa në zgjedhjet paraprake Demokratike per Avokatin publik , Letitia James , një anëtar për i Këshillin e qytetit nga Brooklyn , do të përballet me Senatorin Daniel L. skuadron e Brooklyn në balotazhin e zgjedhjeve .

Brenda garës demokrate ia vlen të vecohet edhe lufta plot rivalitet e  Christine C. Qiunn, një aleate e hapur e kryetarit Bloomberg, por që nuk arriti që të shënonte histori, si e para femër , dhe e para homoseksuale drejt postit të madh për të udhëhequr qytetin.

Z. Bloomberg e ka e cilësuar kandidatin më potent të demokratëve, de Blasio, si një racist që përcan dhe nuk bashkon.

Në këto zgjedhje, Kandidati demokrat, amerikano-shqiptari Ken Biberaj, nuk mundi t’ia dilte mbanë në garimin e tij për një vend në Këshillin Bashkiak, por ai zhvilloi një fushatë emocionuese, ku u përfshinë të gjitha shtresat e shoqërisë, padyshim edhe shqiptarët. Kjo fushatë i dha përvojë të riut që premton një angazhim të sukseshëm politik në të ardhmen. Që të fitosh duhet huxosh. Dhe Ken Biberaj e hodhi hapin e pare me guxim.

Filed Under: Kronike Tagged With: dalip greca, De Blasio, zgjedhjet en New York

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 119
  • 120
  • 121
  • 122
  • 123
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT