• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOI TË PUSHOJË FASLLI HALITI- LAMTUMIRË MJESHTËR!

October 16, 2020 by dgreca

Nga Dalip Greca-Iku poeti Faslli Haliti. Shkojë të pushojë artisti, piktori-Van Gogu i Myzeqesë, sic e pat epietuar miku ynë i përbashkët, shkrimtari Roland Gjoza…

Na la dhimbjen pas përkthyesi, tregimtari, Njeriu i mirë Faslli Haliti.Lajm i dhimbshëm. Sot është kryebiseda jonë edhe këtu në New York. Janë trishtuar Rolandi, Vaidi, po Lushnjarët tanë në Queens?- Kristaq Foto e Kristaq Papa, Veis e Adem Belliu, Nazo Veliu, Po Ilir Levonja në Florida? Natyrisht dhe Pëllumb Kulla në Miami …Po lushnjarët e Bostonit, ata të Kanadase? …Faslliu ishte mik i të gjithëve…

 Ekishim mësuesin tonë sic e kishin Mësues të gjithë krijuesit, Jo vetëm të Muzeqesë dhe Darsisë, por në shumë vise të Shqipërisë, jo vetëm ata me biografi të mirë, por dhe të internuarit, dhe të postburgosurit politik. Faslliu ishte miku  të gjithëve, Mësuesi i të gjithëve. Edhe im bir e ka pasë mësues, (Jo të poezisë, pr të Italishtes)…Sa e sa fëmijë kaluan nga klasat e gjuhëve të huaja në shtëpinë- shkollë të Mësues Faslliut?

Faslliu shquhej për karakter.E ruajti burrërinë, karakterin,nuk u baltos, edhe kur e vunë në sprovë dhe e përplasën me pa të drejtë kanaleve dhe baltës së Myzeqes, jo pak por më shumë se 10 vjet.

Kur nxirrnim “Orën e Fjalës” të Lushnjës Faslliu ishte i papërtuar, shkruante, ndihmonte, përkthente, redaktonte, kritikonte pa kompromis. Ashtu ishte gatuar.

Faslli Haliti ishte dhe një nga bashkëpunëtorët e shtypit të diasporës në SHB, Illyria-s dhe gazetës më të vjetër-DIELLIT, të shqiptarëv të Amerikës, gazetës së Vatrës. Ka më shumë se 30 faqe elektronike me poezi, tregime, e përkthime të Faslli Halitit në Dielli online,sic ka edhe në Diellin në print. Përvec poezive të veta, ai prezantoi dhe letrarë të rinjë, por solli dhe mjeshtër botëror të poezisë si: Esenini, ERICH FRIED, Aragon, Sebastiano Grasso,KAVAFIS,ELIOT, HESSE,TJUTČEV, JACQUES PREVERT ,Pablo Nerud-en & RONALD RUSSELL,Majakovski, Ali Ahmed Sa’id Isbir, Stefano Benni, DUSHKA  VERHOVAC, Mercedes Álvarez, Etienne Frederic Mistral, RENÉ FRANCOIS, GABRIELE D’ANUNCIO,Ada Negri, Sylvia Plath, Hermann Hesse,koreaninin Ko Un, Alda Merini,e dhjetra te tjere.

Kemi pasë kënaqësinë që ta presim Faslliun këtu në Neë York. Kemi organizuar edhe takime e bashkëbisedime për Letërsinë. Kanë qenë caste të bukura. Vizitoi gjatë asaj vizite edhe redaksinë e gazetës Illyria në Manhattan, ku unë punoja si Editor i gjuhës shqipe. Fotografia shoqëruese është pikërisht nga ajo vizitë.

Për t’i bërë homazh në distancë Zgjodha nga Dielli vargjet e tij:

FASLLI HALITI

SI, TI BABA

Edhe unë

Si ti,

Baba

Kam filluar

T’i heq këmbët zvarrë,

Siç i hiqje ti, dikur

Kur ishe në moshën që jam sot, unë.

Kanë filluar të më dridhen duart

Siç të dridheshin  ty

Dikur,

Kur ti ishe në moshën që jam sot, unë.

Ka filluar të më derdhet luga,

Gota e ujit

Filxhani i kafesë,

Siç të derdhej ty dikur,

Kur ishe në moshën që jam sot unë.

Edhe unë

Si ti

Baba

Kam filluar

Të urinoj shpesh

Siç urinoje dhe ti dikur,

Kur ishe në moshën që jam sot, unë.

Edhe unë kam filluar të ngashërehem

Siç ngashëreheshe dhe ti, baba,

Për hiçgjë,

Dikur

Kur ishe në moshën që jam sot, unë.

Po ti, mos ngashëre, baba,

Mos u përlot,

Sepse

Një ditë

Do të vij dhe unë tek ti

Atje në Had,

Siç vajte dhe ti, baba, dikur.

Kur ishe në moshën që jam sot, unë.

Do të çmallemi atje të dy,

Unë do të të tregoj për jetën

Këtu mbi tokë,

Mbi dheun

Tonë ar,

Flori.

Për arat, të lashtat

Do bisedojmë çdo ditë të dy…

Kafenë e ardhjes sime në Had,

Do ta pimë të tre

Nënë,

Babë edhe bir.

Dhe unë do të të them me çiltërsi fëmije,

Nëse këtu mbi tokë apo në Had është më mirë.

***

MË GËZOVE MOJ NËNË

 T’u bënë tridhjetë vjet,

Në Hades

Me babanë.

Tridhjetë vjet

T’u bënë, moj nënë.

Ç’bëni

Atje

Si shkoni të dy,

Pi

Babai,

Dehet,

Zihet me ty?

Harrova, ju jeni në Parajsë.

Në Parajsë s’ka dehje, zënka, grindje, mëri?

Më gëzove moj nënë që jeni në harmoni!

(Botoi Dielli, 17 Qershor 2016)

**** 

FASLLI HALITI”HAP” DOSJEN NE SOFREN E DIELLIT TE VATRES

DOSJA IME*

Së pari preva bisedat intime me të,

Pastaj pirjen e kafesë,

Pastaj këmbimin e cigareve,

Pastaj dhënien e dorës,

Pastaj fillova ta përshëndes ftohtë,

Më vonë ta përshëndes vetëm me kokë.

Tani,

S’i flas më.

Jo,  jo, unë s’e dija

Ai paska mbajtur shtëpinë

Paska rritur fëmijët me lakrat e mia.

Dosja ime në Degën e Brendshme

Poezitë e mia kokëqethura Brenda në të,

Si në një qeli

Me dritare

Verbuese,

Ovale,

Me çimento të akullt, gri,

Dosja ime e veshur

Me astarin kob

Të fatit tim,

Të zi…

Dosja ime paska qenë librezë kursimi

Për spiunët,

Për fuksat

E mi

Librezë e artë kursimi,

Me denoncime si dollarë, flori, …

1994

 *Kjo poezi është marrë nga antologjia e klasës VIII, 1994.(Botoi Dielli-18 Shkurt 2016)

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Faslli Haliti vdiq

Marash Mrnaçaj edhe pas vdekjes përcjell mesazhe Jete…

October 14, 2020 by dgreca

Nga Dalip Greca-

Me 10 tetor 2020, një vit pas ikjes nga jeta toksore, Marash Mrnaçaj u përkujtua me nderim e respekt të thellë nga familja e madhe dhe miqtë. Edhe pas ikjes së tij, familja e madhe,( megjithëse Mrnaçajt e kalojnë numrin 100), ndjehet e bashkuar rreth simbolit të tyre, ikonës së Kelmendit,njeriut që sfidoi dhe u kthye në simbol qëndrushmërie. Dera e Shtëpisë së Mrnaçajve ka mbetë e hapur për miqtë falë frymës që u përcolli ai fëmijëve, mbesave dhe nipërve. Mësimet e Marashit ishin jetësore, njerëzore, përcillnin besim dhe shpresë.

Duke pasë pranë vetes gjysmën e Tij, një bashkshorte si Mrija,Shtëpia e Mrnaçajve ishte dhe mbetet dera e hapur Kelmendase në New York.

Marashi i edukoi pasardhësit e vet me frymën e besimit,miqësisë, respektit për veten dhe të tjerët, i edukoi me fryëmn e dashurisë dhe me frymën e Lutjes e Besimit në Zot!

Filozofia e tij jetsore mbështetej  në porosi të tilla si:Kembengul dhe mos u dorëzo asnjëhere!Nëse  do të arrish diçka ,puno shumë dhe kurrë mos u dorëzo!..Dhe ai vet kurrë nuk u dorëzua.

          …Përvjetori nisi me Meshën në Kishën Saint John’s në Yonkers, New York nën drejtimin e Father Danielit. Kisha u mbush plot . Njeriu i mirë respektohet edhe pas vdekjes. Father Danieli u lut për shpirtin e Marashit. Ndërkohë, në emër të familjes, e bija Vera Mrnaçaj(Gojçaj) përcolli përmes emocioneve një esse plot dhimbje dhe krenari për Atin e saj.

    Vera iu drejtua të pranishmëve në emër të Nënës së saj Mrije, të vëllezërve dhe motrave, natyrisht dhe në emër të vetes së saj.

 Edhe pse ka kaluar një vit nga ikja e babait ajo e kishte të vështirë që të frenonte dhimbjen:“Ka qënë një vit jo i lehtë për ne, një vit qe ndoshta shpesh ka lëkundur edhe besimin tonë. Të humbasësh një njeri të zemrës eshtë e vështire…Humbja e babait tonë ështe nje boshëllek i pamundur që të zëvendesohet ….”

  Marashi ishte një njeri me karakter të forte, që ia kishte hedhur vdekjes shumë herë gjatë jetës se tij.E kishte sfiduar vdekjen duke besuar fort tek jeta.Kurrë nuk qe dorëzuar, as kur i arrestuan e burgosën vëllanë Nikollën, as kur humbi jetën në emër të idealeve i biri, Nika. Ka shumë sfida në jetën e tij. Sfida me e rrezikshme ishte ajo e arratisjes pas burgosjes të vëllait Nikollës. Arratisja u bë në një mot të ashpër, me acar, erë dhe borë. Ishte 21 dhjetori i vitit 1959. U arratisën burra e gra, pleq, fëmijë e bagëti. Edhe sot Mrija e ka të vështirë të heqë nga kujtesa tablon e asaj nate me terr, të ftohtë, borë, kur ajo shtërngonte fëmijët në krah. Prindërit e Marashit që ishin në moshë të thyer dhe fëmijët e vegjël, e kishin tepër të vështirë, gati ishin ngrirë nga stuhia. Por guximi i Marashit, besimi në Zot, u dhanë fuqi që ta kapërcejnë kufirin, edhe pse u endën për shumë kohë nëpër terr e borë, në një rrugë që normalisht nuk mbante më shumë se 1 orë nga shtëpia e tyre, ata e përshkuan për një natë e një ditë.  

Sfidë tjetër ishte sigurimi i jetesës në Titograd ku e vendosën me familjen. Marashi punoi fort dhe e ndërtoi vetë shtëpinë falë forcës së krahëve, pa i hyrë në borxh kujt

  Marashi ishte si ai timonieri i mirë, që falë zotësisë, arrinë ta nxjerrë anijen në breg edhe në shtërngatë. Pas tetë vitesh në  Ish Jugosllavi, arriti të emigrojë në Itali dhe që andej më 1967 në krye të familjes mbërriti në Amerikën e ëndrrave, ku u ankorua anija e fatit të tij.

  Pa shumë shkollë, pa e ditur gjuhën angleze, me guxim iu fut biznesit dhe sërish sfidoi duke shënuar sukses. Por suksesi më i madh i Marashit ishte edukimi i fëmijëve, përcjellja e dashurisë dhe respektit për njeri-tjetrin, për mikun,fqinjin, dashuria dhe besimi i patundur në Zot. Jo vetëm fëmijët e Marashit, por dhe fëmijët e fëmijëve, e donin me shpirt, edhe sot betohen për të. Ai ishte gjithçka për ata, një gjysh frymëzues, një ikonë e gjallë.

Tek i pyesnim gjatë përvjetorit të parë të pasvdekjes, mbesat dhe nipat, na thonin:Tata ishte gjithçka për ne. Ne mezi prisnim të takoheshim me atë gjat fundjavëve.
Citoj Verën gjatë Meshës: Mëngjesin e 10 Tetorit 2019,Zoti e mori pranë vetes babain për të ju bashkuar pjesës tjeter të familjes në parajsë.Me ne fund ai u lirua nga dhimbjet dhe vuajtjet,duke u preh në paqe bashke me prindërit, vellezërit dhe djalin e tij Nik…Tani po na shikojnë të gjithë nga parajsa. Im atë nuk u dorëzua asnjëherë deri ne fund….Për të gruaja,fëmijet dhe më vonë nipërit dhe mbesat ishin krenaria dhe gëzimi më i madh në jetë.Babai im erdhi në këte vend me mendimin për të punuar shumë,për të bëre një jetë të ndershme në mënyre që të mos i detyrohej askujt një ditë…dhe ashtu bëri.Siç e dimë te gjithë,historia e jetës se tij flet vet…
Ishte shumë e vështire për të te gjente kohën e lire por çdo moment që kalonte me ne ishte shumë i veçantë.E diela ishte padiskutim dita jonë,një dite që i dedikohej vetëm familjes.
Ai thoshte gjithmonë që të punosh të dielën eshtë e ndaluar për të,ështe dita e Zotit,e familjes dhe miqve për të qendruar sëbashku.
Ai ishte një gjysh i përkushtuar dhe krenar deri ne ditën e fundit.Marashi pati fatin t’i shikonte nipërit e tij (shpirtrat e tates) tek rriteshin dhe që ishin shumë krenar që e kishin në jeten e tyre.Dhimbja qe ne perjetuam një vit me parë nuk ka kaluar,por ne e dimë dhe e pranojmë qe ai ështe në një vend shumë më te mire…Nëse secili nga ju do te mbyllte sytë për nje moment dhe të kujtonte tim atë,jam shumë e sigurtë që me të keni ndier dashuri,siguri,respekt,kënaqesi dhe krenari.
Ne si fëmijet e tij ndihemi të bekuar që kishim një baba model dhe një shembull shumë të mire per secilin nga ne. Ne mësonim jo vetëm nga fjalët e tij por edhe nga veprat.
Ai ishte një njeri që bëri çfare tha dhe fjala e tij ishte e pathyeshme.
Babai im na dha mesime shume të vyera per jeten qe kur ishim të vegjël:
-I pari dhe më i rendesishmi: Besimi, lutja dhe dashuria për zotin.
Ne ndjekim meshën çdo te dielë dhe themi rruzarën si familje.
‘’Respekti’’,siç thoshte ai,’’respekto veten dhe të tjerët’’.
‘’Je i dashur me të tjeret’’ nuk humbet asgjë të jesh i sjellshem.
‘’Kembengul dhe mos u dorëzo asnjëhere.Nese  do të arrish diçka ,puno shume dhe kurre mos u dorëzo.[Ai thoshte gjithmone që asgje ne kete jete nuk ështe falas, edhe nese ështe,do ta paguash dyfish ose më shumë më vone]….Dhe mësimi më i madh qe na dha në jetë ishte sesi të kemi besim dhe të mos gabojme me Zotin…Babai im Ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe fjalet nuk mjaftojnë për të folur për të. Ai ishte nje i krishterë i perkushtuar,që për të shpetuar nga një vend komunist dhe duke rrezikuar jeten e tij dhe të familjes, na bëri të besojme sesa të forte e kishte besimin.
Një bashkeshort i perkushtuar,qe thoshte shume here qe Kur të largohej një dite ,i vetmi peng i tij ishte qe po linte gruan pas.Nena ime ishte gjysma qe plotesonte tim atë.Ai ishte burri,babai,gjyshi dhe miku që nese ti kishe nevoje ai do gjendej gjithmone aty…

…Më pas mbesat kanë dalë njera pas tjetrës dhe kanë përcjellë mesazhe dashurie dhe krenarie për gjyshin e dashur.

         Pas meshës pjesmarrësit janë zhvendosur në varrezat Gate of Haeven në Westchester, ku prehet Marashi dhe pjestarët e tjerë të Mrnaçajve. Father Danieli ka përcjellë Lutjen për shpirtin e Marashit. Shumë lule e shumë dashuri për Marashin. Një portret me veshjen malsore të Kelmendit i vendosur mbi gurin e mermertë, shërbeu si sfond për të marrë fotografi dhe kujtime nga kjo ceremoni nderuse.

 Në nderim dhe për shpirtin e Marashit familja shtroi një drekë në restorantin”Zupa” në Yonkers. Për jetën e Marash Mrnaçaj foli Zef Naçi, autor i librit kushtuar vëllait të Marashit, Nikollës. Zefi, si mjeshtër i penelit, kishte sjellë dhe një portret të Marashit, të cilin, siç tha ai, kishte punuar katër muaj. Rreth portretit u mblodhën e bënë fotografi familjarë e miq, dhe çmalleshin me Marashin, sikur ta kishin të gjallë.

Familja Mrnaçaj edhe pas vdekjes të Marashit përcjell mesazhe për komunitetin shqiptar, mesazhe dashurie e respekti ….Duke përcjellë një kronikë të shkurtër për TV Albanian Culture me rastin e përvjetorit të ikjes nga jeta, thashë se nëse At Gjergj Fishta do të ishte gjallë, patjetër  Marash Mrnaçaj do të ishte personazh i “Lahutës së Malcisë” dhe se aty do të këndoheshin e hymnizoheshin bëmat e tij dhe familjes së tij. I përjetshëm kujtimi i Marash Mrnaçaj!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, edhe pas vdekjes, Marash Mrnaçaj, Mesazhe Jete

U NDA NGA JETA QËNDRESTARI DHE LUFTETARI I LIRISE, ISH DEPUTETI ESAT ÇOKU!

September 6, 2020 by dgreca

Nga Dalip Greca-

Deputetet e Lushnjes-Nga e djathta Izet Shehu, Esat Coku, Dr. Ihsan Cabej dhe Kujtim Gina.

Sot, e Diel, 6 Shtator 2020, në orën 3 pasdite, në varrezat e fshatit Muçias-Remas, Lushnje, u përcoll me nderime luftëtari i lirisë, qëndrestari i burgjeve të diktaturës, ish kryetar i Shoqatës të Përndjekurve politik të Lushnjës dhe pjesë e Kryesisë të Shoqatës Kombëtare që në krijimin e saj, ish deputeti demokrat, sekretar i Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Lushnjës, Esat Azem Çoku. Falenderoj vëllezërit e mi që ishin pjesë e ceremonisë duke ma lehtësuar dhimbjen për mikun tim dhe të familjes!Ngushëllime bashkshortes Zyhra, djalit Frenki, vëllait Bedri Çoku me familje, të gjithë të afërmëve dhe familjarëve, miqëve dhe të njohurëve të Esatit.

Ne mitingun e pare ne qytetin e Lushnjes me Dr. Sali Berishen.

Esat Çoku ndërroi jetë në moshën 76 vjeçare.

Me bashkevuajtesin e tij Fatbardh Kupi.

Sot në biseda telefonike me bashkëvuajtësit e Esatit, me Dine Dine(Nasufi), Lek Mirakaj, Eqerem Mujo, kemi shprehur ngushëllime njeri-tjetrit për humbjen e mikut tonë të dashur!

NE VATER….

***

Esat Çoku i përket atij krahu të shoqërisë shqiptare që u përball dhe u ndëshkua dhunshëm nga diktatura komuniste. Është ndër familjet myzeqare që mbart peshë të rënde të diktaturës me dënime të ashpra:

Me Poetin e bashkevuajtesin Visar Zhiti e Dine Dine(ne te majte Zef Balaj)

– Azem Çoku, babai, 11 vjet burg (Emrin e tij e mbanë rruga e fshatit)

– Caush Çoku, djali i vogël, 22 vjet burg (ndjesë pastë ndërroi jetë para një muaji)

– Bedri Çoku, djali i dytë, 23 vjet burg

– Esat Çoku, djali i madh, më 14 janar 1980, Gjykata e Rrethit të Lushnjës e deklaroi fajtor për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie.

– Esma Çoku, e internuar me dekada, bashkëshortja e Azemit, nëna e djemve të burgosur; 64 vjet dyerve të burgjeve, duke ndjekur fatin e të shoqit dhe bijve.

***

Esat Çokun e njoha në ditët e para të Lëvizjes Demokratike, kur Partia Republikane më kishte besuar postin e sekretarit të Komitetit Ekzekutiv Pluralist, edhe pse deri atëherë nuk isha anëtar i asnjë partie politike.

Partia Demokratike e Lushnjës, e cila e kishte Esatin anëtar të kryesisë së vet, e kishte caktuar si përfaqësues në Komitetin Ekzekutiv, anëtar i Kryesisë, ndërkohë, ai qe dhe kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Lushnjës dhe në kryesinë e Shoqatës Kombëtare.

Takimi i parë me Esatin ishte fare i veçantë, takim në mungesë. Nuk ishte bërë akoma prezantimi i Kryesisë së Komitetit Pluralist dhe ende s’isha takuar me Esatin, kur në zyrat e Kryeministrisë në kryeqytet, kisha shkuar me nënkryetarin demokrat z. Seit Prishta, më bëri përshtypje një burrë i gjatë, zeshkan, Këshilltar i kryeministrit, i cili kur lexoi emrat e anëtarëve të Komitetit Pluralist të Lushnjës, i ndali sytë tek emri i Esatit dhe pyeti: – Paskeni Esatin ju të PD-së?

– E njihni? – e pyeti nënkryetari demokrat.

– Kam qenë hetuesi i tij… Dhe nxitimthi shtoi: Por nuk i kam hyrë në hak. Ia thashë se ne për çka e akuzonim i kishim të provuara akuzat, kishim dëshmitarë me shumicë, kishim incizime, pastaj… (ish hetuesi pushoi pakëz) … ai ishte planifikuar prej kohësh sepse i kishte dy vëllezër në burg, ndërkohë dhe i ati i kishte vuajtur 11 vjet për politikë dhe ishte varrosur si kulak dhe “armik i popullit”!. Ky qe shpjegimi vullnetar i hetuesit B C (tash i ndjerë), që në ato momente nuk ishte më hetues, por ishte në rolin e juristit të Kryeministrit Ylli Bufi. Më vonë Esati do të ishte në të njëjtin Parlament me ish-hetuesin e tij; njëri deputet i PD-së, tjetri deputet i PS-së. Një fakt i hidhur i demokracisë shqiptare, të cilin Esati e denoncoi si fenomen shqiptar, në një artikull të botuar në Gazetën”Ora e Fjalës”!

      Kur u kthyem në Lushnjë ia thamë Esatit ndodhinë me ish-hetuesin. Ai vetëm qeshi, ndërsa më vonë, kur do të shkonte në Parlament, së bashku me të dhe ish-hetuesi i vet, deputet i PS-së, ai do të pinte kafe me të, por nuk do të rrinte pa i thënë se hetuesit para se të bëheshin deputetë në një Kuvend me viktimat e tyre duhej të kërkonin falje.Më pas do të botonte një shkrim kurajoz në gazetën lokale “Ora e Fjalës”, të cilën unë e drejtoja ato kohë, ku thoshte se nuk mund të kishte demokraci të vërtetë kur ish-hetuesit tanë, pa na kërkuar falje, vijnë të përfaqësojnë popullin në Parlament, ndërkohë që na kishin dënuar dje po në emër të popullit, natyrisht pa e pyetur popullin.

Ish-hetuesi i tij kishte heshtur. Esati nuk ishte ekstremist ndaj atyre që i shkaktuan vuajtje atij dhe familjes së tij, por ai kërkonte së paku një ndjesë publike nga aktorët dhe ingranazhet e diktaturës, gjë që nuk është bërë ende.

Me Esatin qeverisëm në një kohë të vështirë, kohën kur bashkë me ndryshimin politik u manifestuan veprime anarkiste dhe Lushnja ishte një ndër rrethet që “ishte planifikuar” t’i nënshtrohej terapisë së shokut dhe të kthehej në tokë e djegur: U dogjën furrat që prodhonin bukë për qytetarët; u shkretuan serrat model të Divjakës, që furnizonin dikur vendet e Lindjes; u prenë plantacionet e mollëve, filloi prerja dhe djegia e ullinjve, u shkulën vreshta, pa përmendur plaçkitjen e ndërmarrjeve dhe fabrikave. Në këto kushte Komiteti Pluralist (ku Esati ishte anëtar i tij, përfaqësues i PD-së dhe unë sekretar, përfaqësues i PR-së) përpiqej që të harronte përkatësitë partiake dhe t’i dilte për zot qeverisjes vendore. E ndjenim se policia e vjetër që kishim për të ruajtur rendin në të shumtën e rasteve ishte bashkëpunuese me ata që shkatërronin. Në këto kushte morëm rrugën për në Tiranë; fillimisht trokitëm tek Kryeministri, por ai s’kishte kohë që të na priste; iu afruam Presidencës që ende kishte në krye Ramiz Alinë, por para nesh atje kishte shkuar kryeprokurori dhe kryegjykatësja socialiste; kështu që nuk kishte vend për ne; përfundimisht na priti ai i Rendit, Vladimir Hysi. Ankesat tona ishin për Rendin, kërkuam ndëshkimin e shefit të policisë.

U la që ballafaqimi të bëhej në Lushnje. Esati qe ndër ata që ia numëroi të gjitha haptazi shefit të Rendit, duke kërkuar largimin e tij. Më bënte përshtypje kuraja e Esatit; ai ia thoshte copë mendimin e tij kujtdo, pavarësisht se e vërteta ishte e hidhur.

Një ndër bashkëpunimet me Esatin ishte ceremonia madhështore e rivarrimit të 67 viktimave të komunizmit, të pushkatuar nga Mehmet Shehu në fshatin Matjan. 67 burra, ndër ta dhe fëmijë, ishin pushkatuar nga Mehmet Shehu në vitet e luftës; motivi i vrasjes ishte pjesëmarrja e tyre me Ballin dhe deklarata e njërit prej fshatarëve, Kurt Xhepa prej Çerme, që i kishte deklaruar të tmerrshmit Mehmet Shehu: “Unë derr bëhem dhe komunist nuk bëhem!”. Komandanti i tmerrshëm qe bërë bishë dhe i kishte çuar të gjithëve nga një plumb.

Rivarrimi i viktimave të terrorit komunist ishte një ndër prioritetet e pushtetit të ri demokratik që sapo ngrihej në këmbë. Ceremonia që u organizua në qytetin e Lushnjës pati për realizues Esatin; së bashku shkuam në fshatin ku ishin pushkatuar viktimat e pafajshme dhe me ndihmën e fshatarëve siguruam eshtrat e tyre, ndërkohë që Sigurimi i vjetër i Shtetit u përpoq që të pengonte me çdo kusht ceremoninë. Veteranët u përpoqën që të ngrinin kundër opinionin qytetar për faktin se Komiteti ynë Pluralist mori një vendim të guximshëm; arkivolet të varroseshin në varrezat e dëshmorëve të qytetit, përbri parcelës ku ishin varrosur dëshmorët partizanë. Komiteti i veteranëve filloi të lëvizte, ankesa në Tiranë dhe në Komitetin tonë Pluralist. Esati, që kryesonte komisionin e rivarrimit, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë, mbrojti me logjikë mendimin unanim të Komitetit Pluralist: “Ju kërkoni pajtim kombëtar, pa na kërkuar falje për viktimat që keni çuar në varre pa gjyq, pa kërkuar falje për 64 vjet burg të familjes time plus dhjetëra vjet internime, pa kryer asnjë lloj krimi; dhe tani nuk pranoni që pajtimi të fillojë nga të vdekurit e pafajshëm?”. Debati u mbyll me fitoren e Esatit dhe e gjithë Lushnja doli dhe përcolli në varreza dëshmorët nacionalistë. Mijëra qytetarë morën pjesë dhe asnjë nga parashikimet kërcënuese të veteranëve nuk ndodhi. Më pas Esat Çoku kreu detyrën e sekretarit të Komitetit Pluralist, edhe pse nuk kishte asnjë mundësi zgjidhje për hallet e qytetarëve, ai u përpoq që të mirëkuptohej me qytetarët, pavarësisht se të kujt pale ishin ata, të majtë apo të djathtë; ndërsa në takimet e partisë së vet ishte i papajtueshëm për devijimet majtas.

Edhe detyra që kreu në Komisariatin e Policisë ia rriti kredibilitetin ish-të përndjekurit politik Esat Çoku, ndërkohë që si ish-kryetar i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve, ai u përpoq që të integrojë të vuajturit në shoqëri, ndërsa fëmijët e tyre t’i nisë drejt universiteteve. Koha kur përfaqësoi Partinë Demokratike në Parlament, 1992-1996, ishte një kohë prove për të, provë që e kaloi suksesshëm, ndërsa në kohën e revolucionit përmbysës të pushtetit demokratik ai u përpoq sa mundi që të ndalte hovin e shkatërrimtarëve.

***

Esati me bashkëshorten Zyhra dhe djalin Frenki jetuan rreth dekadë në SHBA(New York), thirrja e vendlindjes ishte e fuqishme dhe ai u kthye atje.E vazhduam miqësinë familjare,siç e ksihim në Lushnjë. Në veprimtaritë e Komunitetit, Esati ishte pjesmarrës aktiv. Në Vatër gjeti veten. U bë pjesë e veprimtarive të saj. Vatranët e ndjejnë dhimbjen e humbjes së tij edhe në Vatër dhe I përcjellin familjes ngushëllimet më të thella!

Lamtumirë , mik i dashur!(Dielli)

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, nderroi, nderroi jete

PRESIDENTI NDEROI BANDEN KOMBETARE “VATRA”, POR ANASHKALOI FEDERATËN “VATRA”

September 2, 2020 by dgreca

-NJË PYETJE PËR PRESIDENCËN: PËRSE NUK U THIRR NJË PËRFAQËSUES I VATRËS PËR TË QENË PREZENT NË CEREMONINË E DEKORIMIT TË BANDËS SË VATRËS?

  • PYETJA E DYTË: DERI TANI DEKORATAT QË KANË DALË NGA PRESIDENCA : NDER I KOMBIT DHE URDHËRI I FLAMURI PËR VATRËN, NDERI I KOMBIT PËR DIELLIN, APO PËR INDIVIDËT, JANË REKOMANDUAR NGA VATRA DHE U JANË DORËZUAR DREJTUESVË TË VATRËS- ATO  JANË EKSPOZUAR NË VATËR, PO KJO E BANDËS MUZIKORE”VATRA” DO TË QËNDROJË NË PRESIDENCË?…
  • Nëse Vatra do të pyetej në këtë rast, ajo do të rekomandonte edhe Dekorimin e Trupave Vullnetare, që pasi u stërvitë nga Vatra për 4 vite, u dërguan njëkohësisht me Bandën Muzikore, për të mbrojtë kufijtë e Shqipërise dhe pas stabilizimit të vendit, ata nuk u kthyen më në SHBA, por formuan Gardë e Shtetit Shqiptar.
  • Nga Dalip GRECA-
Banda e Vatres duke hyre ne Vlore-

Sic njofton Agjensia Telegrafike Shqiptare me 31 Gusht 2020, Presidenti Ilir Meta me anë të një ceremonie solemne, të organizuar në kopshtin e Institucionit të Presidencës, ka vlerësuar Bandën Kombëtare Muzikore “Vatra” dhe themeluesin e saj, dirigjentin dhe kompozitorin Thoma Nasi, me dekoratën“Nderi i Kombit”.

Kjo dekoratë u dha me motivacionin“Për sakrificat e kontributin e jashtëzakonshëm dhënë me ardhjen në Shqipëri, në pjesëmarrjen e tyre në Luftën e Vlorës në vitin 1920, për rolin që luajtën në forcimin e marrëdhënieve diplomatike e kulturore mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Ky është një lajm i mirë dhe Presidenti duhet vlerësuar për inisiativën, por anashkalimi i Vatrës nuk të lë shije të mire institucionale.

Besojmë se nuk do t’ia ulte imazhin ceremonial veprimtarisë,nëse Kryetari i Vatrës qëndronte pranë ambasadores amerikane dhe dekorata i dorëzohej Atij!

Institucionet historike të Diasporës, që i ka provuar koha për qëndrushmëri shekullore, sic është rasti i Vatrës 108 vjecare, dikton më shumë respekt institucional. Mos është kjo shenjë e mosrespektit ndaj Vatrës?

 Nëse deri tani derën e Vatrës nuk e kanë parë udhëheqësit më të lartë të së Majtës Shqiptare kurdo kur kanë qeverisur Shqipërinë, faji nuk është i Vatrës, por i atyre që nuk kanë dashtë që rruga t’u bjerë drejt Vatrës.-, edhe pse Vatra ka shkelë mbi veten dhe-kur ata nuk kanë ardhë në Vatër, ka shkuar Vatra tek ata- duke e takuar kryeministrin aktual të së majtës shtator 2013, si dhe Presidentin aktual 2019, ne hotelet ku pushonin… ata vetë nuk kanë tentuar ta gjejnë derën e Vatrës!!!!

Nëse Vatra do të pyetej në këtë rast, ajo do të rekomandonte edhe Dekorimin e Trupave Vullnetare, që pasi u stërvitë nga Vatra për 4 vite, u dërguan njëkohësisht me Bandën Muzikore, për të mbrojtë kufijtë e Shqipërise dhe pas stabilizimit të vendit, ata nuk u kthyen më në SHBA, por formuan Gardë e Shtetit Shqiptar.

Mirë që Vatrës nuk iu kërkua një mendim për Dekorimin, por në ceremoni duhej të ishte medoemos e pranishme. Deri tani vlerësimet e bëra për Vatrën si institucion Kombëtar,si dhe dekorimi i Gazetës së saj 111 vjecare-DIELLI, po ashtu dhe vlerësimi i individëve, kanë dalë nga VATRA, me ndonjë përjashtim kur propozimet i kanë hartuar vetë këshilltarët e presidencës.

Mirë do të ishte që Presidenca të gjej një shkas dhe së paku le t’na dërgojë dekoratën në VATËR, që t’u tregojmë viztorëve.

Sërish Jemi mirërnjohës!(Gazeta DIELLI)

Filed Under: Featured Tagged With: banda e vatres, dalip greca, Presidenti Meta

LAMTUMIRË ZEF PËRNDOCAJ!

August 29, 2020 by dgreca

…ZEF PËRNDOCAJ-ISH KRYETARI I VATRËS PËR SHTETIN E NEW YORK-UT, ANËTAR I BORDIT TË FEDERATËS QË PREJ VITIT 1975, U PËRCOLL ME NDERIME, LOT DHE LULE…

Vdekja e vatranit Zef Përndocaj me 24 gusht 2020 plagosi zemrat e familjarëve, miqëve dhe vatranëve. Ashtu sic e meritonte, Kisha, komuniteti dhe Vatra, e nderuan dhe e respektuan maksimalisht Njeriun e Mirë Zef Përndocaj. Masivisht komuniteti bëri homazhe për 7 orë dhe ngushëlloi Familjen Përndocaj, miqtë dhe të gjithë ata që e deshën dhe e respektuan.Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA porositi një kurorë me lule në nderim të vatranit të përkushtuar,që e nis rrugëtimin me Vatrën që me 28 nëntor 1967,- ish kryetarit të degës së Vatrës për Shtetin e New York-ut, ish anëtarin e Bordit të Vatrës që nga viti 1975. Shërbimet funerale u organizuan në Shtëpinë mortore Ballard-Durand-Funeral Home, në qytetin White Palins, NY të premten me 28 gusht 2020, nga ora 2 e pasditës deri në 9 të mbrëmjes. Federata VATRA shkoi e grupuar për të ngushëlluar familjen Përndocaj dhe miqtë- Kryetari Elmi Berisha, Presidenti i nderit Agim Rexhaj, nënkryetarët Dr. Pashko Camaj, Besim Malota, sekretarja Nazo Veliu,arkëtari Marjan Cubi me zonjën Dila, anëtarët e kryesisë,Anton Raja, Zef Balaj me zonjën Lina dhe djalin David,Ibrahim Kolari, Mark Mrnacaj dhe Aleks Mrnacaj,Asllan Bushati, Veis Belliu, Editori Dalip Greca me familjen,më pas shkuan edhe anëtari i Këshillit të Vatrës Cezar Ndreu me Desi Ndreu, të bijën e vatranit Jonuz Ndreu, e cila sapo ka zënë vendin e të atit në Vatër,dhe Shpëtim Ndreu e të tjerë. Në emër të Fedeartës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, z. Agim Rexhaj, president Nderi i Vatrës, ka ngushëlluar nipin e Zefit, Dod Luli, ardhur enkas nga Shqipëria për këtë rast, si dhe të birin e Zefit Albert Përndocaj. Z. Rexhaj, evidentoi përkushtimin, devotshmërinë dhe bujarinë e vatranit të vjetër Zef Përndocaj. Homazhe kanë kryer edhe ish Kryetari Gjon Bucaj me familjen, si dhe vatranë të tjerë.

MESHA E DRITËS, LUTJE, LOT, DHIMBJE

Të Shtunën, 29 Gusht, në orën 10 paraditë, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” famullitari Don Pjetër Popaj, ka udhëheq Meshën e Dritës. Në emër të famullisë, Këshillit të Kishës, ai ka ngushëlluar familjen Përndocaj, është lutë për shpirtin e Zefit dhe ka vlerësuar karakterin burrëror, kombëtar dhe fetar të Zefit. Don Pjetri, tha ndër të tjera, se vëllai ynë Zefi, ka përjetuar vuajtje mundime, ka provu dënime që në moshë fëminore, ka parë babën në pranga, i kanë pushkatuar axhën,ka provue jetën e malit dhe është arratisë për t’i shpëtuar vuajtjeve të diktaturës komuniste. Zefit ia kanë dënuar familjen dhe të afërmit,ai provoi vështirësi të shumta, por besimi në Zot nuk ia humbi qetësinë dhe gjykimin…Kur i shkova para pak ditësh në spital,tha don Pjetri,edhe pse në gjendje të vështirë shëndetsore ai ishte i kthjelltë dhe në paqe me veten dhe Zotin…Zefi ishte njeri i mire, që respektonte gjithkënd, nuk ofendonte askënd, ishte i dashur me të gjithë, një familjar i përkushtuar, besimtar i devotshëm, në shoqëri i respektuar.Për cështjen kombëtare nuk u kursye. Ishte bujar për fe e atdhe. I qeshur me të gjithë; të gjithë i ka dashtë dhe i ka respektuar. Prania juaj sot në masë kaq të madhe në meshë, edhe pse në kushtet e kufizimeve të Pandemisë, tregon se dhe ju e keni dashtë shumë….

Gjatë meshes don Pjetri u ndihmua nga Lek Vata dhe Mhill Velaj.

Pas lutjeve, në emër të familjes ka përcjell mesazhin e dhimbjes por dhe të krenarisë për axhën e vet, nipi i Zefit, djali i vëllait të ndjerë Bibës, Dodë Bibë Përndocaj. Duke kujtuar castet më jetësore të Zefit, Doda ka portretizuar njeriun e mirë Zef Përndocaj. Kishte dhe raste, kur rrëfimi ndërpritej nga dhimbja dhe lotët… ndërsa mbesa Elizabeth, vajza e vajzës,na bëri për të qarë. Një mesazh shpirti për gjyshin e saj të mirë që e donte aq shumë.

Kjo meshë i pat të gjitha: Lutjet, lotët, dhimbjet.

Në meshë ishin të pranishëm edhe vatranët: Agim Rexhaj me zonjën Laura, Besim Malota, Zef Balaj me zonjën Lina dhe djalin David, Marjan Cubi me zonjën,Anton Raja, Idriz Lamaj me zonjën Alma, Lek Mirakaj, Asllan Bushati, Dalip Greca e të tjerë. Ishin në meshë edhe ish kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj me familjen, Mithat Gashi dhe të tjerë. Pas meshës, kortezhi që shoqëroi arkmortin me trupin e pajetë të Zef Përndocaj udhëtoi drejt varrezave Gate of Haven në Hawthorne, New York.

LAMTUMIRA…

Pas lutjes fetare nga famullitari dom Pjetër Popaj, e ka marrë fjalën Dr. Gjon Bucaj, ish kryetar i Federatës VATRA. Z. Bucaj tregoi me detaje jetën e Zefit, që e nisi shtegtimin e jetës 80 vite më parë në fshatin Sang, të krahinës së Fanit të Mirditës,kur prindërit e tij të kujdesshëm, ia ruajtën andrrat, që të mos i prisheshin nga rrethanat jetësore, por erdhi tragjedia e komunizmit,që preku dhe Zefin e familjen e tij…Mbi ta ra persekutimin komunist,arrestime,internime, përndjekje, dhe qendresë. Zefi, tha dr. Bucaj, pa me sytë e tij djegjen e shtëpive, pa babën me pranga ndër duar, përjetoi kohën e vrasjes dhe qëndrimin legjendar të axhës së tij, që së bashku me një kumbar luftoi heroikisht dhe nuk u dorëzua… Më 1951 u detyruan të arratisen në ish Jugosllavi…(Të plotë lexoje në Diellin e printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Lamtumire, zef perndocaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT