• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJU JORKU, 7100 TË INFEKTUAR 35 TË VDEKUR

March 20, 2020 by dgreca

– Guvernatori: Nga e Diela qytetarët do të dalin nga shtëpitë vetëm për raste urgjente.

-Virusi nuk po kursen moshat e reja…/

New York, e premte, 20 Mars 2020- Pak kohë më parë, në një konferencë shtypi me gazetarët, Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo këshilloi mbylljen e qytetarëve në shtëpitë e tyre, duke filluar nga e Diela. Ai paralajmëroi dhe urdhëroi se nga e Diela qytetarët duhet të dalin nga shtëpitë vetëm për raste urgjente. Situata , tha ai, po përkeqsohet pasi deri në mesditën e së premtes numëroheshin 7100 raste të infektuarish dhe 35 persona kanë humbë jetën.
Cuomo urdhëroi të gjithë punëtorët jo-thelbësorë të qëndrojnë në shtëpi, pasi siç tha ai kjo nuk është jetë e zakonshme për njujorkezët, duhen kufizime. Guvernatori paralajmëroi masa drastike, të cilat i dikton mbrojtja ndaj koronvirusit.
Ai tha se transporti publik do të qëndrojë i hapur dhe njoftoi planet për të rritur në mënyrë të shpejtë kapacitetin e sistemit të kujdesit shëndetësor.
Mbyllja në shtëpi shënon një ndryshim qëndrimi për guvernatorin Cuomo.Ky qëndrim i ri i guvernatorit reflekton një lloj tërheqje të tij nga qëndrimi i një dite më parë, të Enjten, kur i qëndronte mendimit për mos marrje të masave dratsike të kufizimit dhe mbylljes së qytetarëve në shtëpi.
Ai paralajmëroi para gazetareve se shteti do të zbatojë urdhrat në fuqi duke u nisur nga nata e së dielës.Si për ta bërë më të kuptushëm dhe më ekzekutiv urdhërin e tij guvernatori tha: Këto nuk janë sugjerime, por urdhëra dhe unë nuk po bëj shaka.
“Këto dispozita do të zbatohen,” përsëriti Cuomo.
Nju Yorku po e rrezon teorine e sulmit te virusit vetem ne Moshe te thyer.Edhe te rinje 18 -23 vjecare kane rene preh e tij.(d Greca)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, Koronavirusi, Nju Jorku

A PO I DËGJON PRISHTINA KËMBANAT E WASHINGTONIT?

March 18, 2020 by dgreca

-Kryeministri Albin Kurti nëse do të ruajë miqësinë dhe marrdhëniet e Kosovës me SHBA-në si dhe të shpëtojë varkën e qeverisë së tij që po i mbytet pa nis lundrimin, duhet të ftillohet dhe të dëgjojë zërat që vijnë nga Washingtoni dhe ambasada Amerikane në Prishtinë…

            NGA DALIP GRECA/

Kur e gjithë bota është e alarmuar nga epidemia e Koronavirusit, në Prishtinë, qeveria e kryeministrit Albin Kurtit, provokon krizë qeveritare për shkaqe egoiste(sepse ministri përkrahu presidentin për shpalljen e gjendjes së emergjencës për frenimin e koronavirusit!).Shkarkimi i ministrit të LDK-së, pa u konsultuar me partnerin e koalicionit, ndërkohë që në marrveshjen bashkëqeverisëse është e shkruar se nuk mund të shkarkohet ministri pa bisedime paraprake, duket se i ka dhënë goditje kolacionit qeverisës. Kryetari i LDK Isa Mustafa deklaroi se po inicion mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, ku dhe partia e tij është pjesë. Duket absurde për faktin se kërkesa të tilla në fakt i paraqet opozita. Në deklaratën e tij Mustafa tha: “Kemi vendosë që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Kurti, sepse ne nuk dëshirojmë të jemi pjesë e një qeverisje të tillë dhe po ashtu jemi të bindur se një qeveri e tillë rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të dhe prezencën ushtarake dhe paqësore amerikane këtu, prezencën e saj ekonomike dhe po ashtu përkrahjen politike që kemi pasur dhe duhet ta kemi në të ardhmen për njohje të reja, jo për çnjohje dhe për rrugën euroatlantike të vendeve tona sepse ne presim dhe synojmë të jemi pjesë e aleancës së NATO me FSK-në tonë dhe assesi që amerikanët të tërhiqen nga FSK dhe të mos kemi perspektivë ekonomike, as sociale as ushtarake”.

          Në këtë situatë konfliktuale partnerësh, Kryeparlamentarja e Kosovës, që i përket LDK, Vjosa Osmani, ka takuar sot ambasadorin amerikan Philip Kosnett. Ambasadori ka shkuar në zyrën e kryeparlamentares. Deklarata zyrtare është e koduar:” Osmani dhe Kosnett biseduan për zhvilimet politike dhe masat anti Covid-19 “. Kaq!

Në fakt dhe tërmetin e koalicionit qeverisës e ka shkaktuar Covid-19, por shkaqet janë më të thella:

Dy të parët e Kosovës, nuk po merren vesh me njeri-tjetrin. Presidenti Hashim Thaci deklaroi se do të dërgonte në Kuvend dekretin për të shpallë gjendjen e jashtzakonshme për shkak të Koronavirusit pasi mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare me 17 mars. Mirëpo Kryeministrit Kurti nuk i pëlqeu vendimi i presidentit dhe nxori në media zv/kryeministrin Abazi, që të deklarojë se”Kosova nuk ka pse nxitohet, nuk jemi ende në emrgjencë”! 

… Nga ana tjetër, ministri i LDK Agim Veliu, doli dhe deklaroi në media se ishte kundër Kryeministrit dhe përkrahte Presidentin. Ky karshillëk nuk i erdhi për shtat Kryeministrit, i cili deklaroi se do ta shkarkonte ministrin.

     Të duket si lojë fëmijësh grindja mes kryeministrit dhe presidentit dhe pa logjikë argumentuse, por kriza qeveritare tashmë është fakt. 

          Grindja President –Kryeministër, është një imitim i keq i dualitetit kryeministër-president në Shqipëri. Është parë që në fillim se Thaci dhe Kurti bisedonin me njeri tjetrin duke pasë një mur në mes. Po si mund të merren vesh në këtë mënyrë? Dualiteti po reflekton pasoja negative dhe duhet mënjanuar një orë e më parë. Kosova nuk ka shpatulla që të mbajë mbi vete konflikte të tilla, ndërkohë që ka probleme më të rëndësishme për të zgjidhur si për anëtarësimin në organizmat ndërkombëtare ashtu edhe për njohjet që në vend të rriten po zvoglohen.Duke analizuar faktet duket se problemi është më i thellë se sa një grindje mes kryeministrit dhe presidentit. Kryeministri Albin Kurti duhet të jetë më i vëmendshëm ndaj zërave që vijnë nga Washingtoni. Presidenti duket se është më I ftilluar kur deklaron se “deri në vdekje me Amerikën”, ndërsa Kurti po duket se tenton të sfidojë Washingtonin, duke mos iu përgjigjur thirrjeve për heqjen e taksave me Serbinë dhe duke tentuar që të bëjë tifo me Evropën për inat të Thaçit. Një këmbëngulje e tillë nuk është në favor të Kosovës. Deri kur do të vazhdojë Kryeministri të neglizhojë thirrjet e Washingtonit? A i merr kryeministri sinjalet e Washingtonit apo nuk dëgjon nga ai vesh? Duket se atë nuk e lënë zilet e tij të dëgjojë këmbanat e Washingtonit, por vonesa mund të ketë kosto të lartë.Jo më larg se sot, e mërkurë 18 mars,  ambasada amerikane në Prishtinë, ia përsëriti thirrjen qeverisë së Kosovës që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe.

Në komunikatën e ambasadës shkruhej: “në kohëra si këto, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor. Është koha për Kosovën dhe fqinjët të mënjanojnë pengesat për lëvizjen e lirë të mallrave. Sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës të hedhë hapin e parë të guximshëm dhe ti heqë tarifat tani”!

        Kurti ende nuk e ka parë të arsyeshme të përgjigjet dhe duket se nuk është i vëmendshëm dhe i pa predispozuar për t’i dëgjuar thirrjet dhe për t’i kapë sinalet e Washingtonit, të cilët besoj se janë të mjaftushëm.

Ka tre sinjale të forta që Washingtoni i ka dhënë me kohë për Prishtinën:

Sinjali i parë: u përcoll lajmi se Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA (MCC) ka  pezulluar programet të cilat kanë qenë në zbatim në Kosovë, si pasojë e mosbindjes së kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës me Serbinë. Vlera e programit kapte shumën prej 50 milionë dollarë amerikan. Ky program i pezulluar ishte fokusuar në reformat e dy fushave më kritike të identifikuara si pengesa për zhvillim në Kosovë, siç janë: mungesa e qëndrueshmërisë së energjisë elektrike si dhe dobësitë dhe mangësitë reale në sundimin e ligjit. Specialistët dhe analistët e kanë interpretuar këtë tërheqje si shenjë negative në marrdhëniet mes Prishtinës dhe Washingtonit.

Sinjali i dytë: Kompania Contour Global deklaroi se tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re. Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen  me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Opozita më e madhe e Kosovës, PDK-ja e ka vlerësuar si humbje të madhe tërheqjen e kompanisë amerikane nga Kosova. Ajo deklaroi: “Kjo është një goditje e madhe për ekonominë, fuqinë e ardhshme energjetike të Kosovës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë në stadin më të keq të tyre. Sjellja e Qeverisë Kurti në raport me njërin prej investimeve më të mëdha amerikane në vendin tonë është e papranueshme dhe po tregon që në javët e para për drejtimin e mbrapshtë që ka marrë”.

  Sinjali i Tretë, që nga radha duhej renditë i pari:- Tërheqja e Trupave amerikane nga Kosova. Me 9 Mars 2020,duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe mungesën e një vendimi nga Qeveria kosovare për heqjen e taksës, senatori amerikan David Perdue, shkroi në Twitter se në rast se Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk tregohet e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.

U duk si shaka kur Donald Trump Junior, djali i presidentit amerikan, Donald Trump, e mbështeti këtë deklaratë të senatorit dhe shkroi në Twitter se “është koha që t’i kthejmë trupat në shtëpi”.

Korit të zërave të tërheqjes së trupave amerikane iu shtua si për t’i vënë vulën edhe i dërguari i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, i cili shkroi në Twitter se e mbështeste deklaratën e senatorit Perdue. Në fakt Grenell ka kërkuar fort që Qeveria Kurti t’i shfuqizojë në tërësi masat tarifore dhe të mundësojë vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Deklarata e senatorit Perdue u mbështet edhe nga llogaria zyrtare në Twitter e Këshillit për Siguri Kombëtare në SHBA. 

 A i ka kapur Prishtina zyrtare këto sinjale të forta? Presidenti Thaçi është deklaruar publikisht se mbështet Washingtonin. Po ashtu edhe partneri i Albin Kurtit, Isa Mustafa me LDK-në.Edhe Opozita është me Washingtonin. Vetë Albini luan rolin e të pabindurit dhe të mosbesuesit: “Unë nuk mendoj se KFOR-i amerikan duhet të tërhiqet nga Kosova, përkundrazi dhe besoj se nuk do të tërhiqet nga Kosova. Kemi parë një dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën100 për qind, ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA-ja e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri”, tha Kurti për mediat, duke shtuar se beson që SHBA-ja do të qëndrojë në Kosovë në të gjitha format e saj shtetërore.”

      Albini nuk duhet të luajë me fjalët, beson apo jo, është punë e tij, por Amerika nuk ka kohë të merret gjatë me Kosovën sepse bota është e madhe, dhe Kosova e vogël. Shqiptarëve të Kosovës iu tha një herë në Rambuje kjo e vërtetë nga ish sekretarja Madeleine Albright.

Në këto konflikte: Qeveri-Amerikë, Kryeministër-President dhe Vetëvendosje-LDK, duket e vështirë mbijetsa e Qeverisë Kurti 1. Kryeminisitri Albin Kurti nëse do ta shpëtojë miqësinë dhe marrdhëniet me SHBA-në si dhe të shpëtojë varkën e qeverisë së tij që po i mbytet pa nis lundrimin, duhet të ftillohet dhe të dëgjojë zërat që vijnë nga Washingtoni dhe ambasada Amerikane në Prishtinë.

Ai duhet të dëgjojë edhe zërin e shqiptarëve të Amerikës që po i kërkojnë me këmbëngulje ,që ta dëgjojë me kujdes  dhe respekt Washingtonin. Marrdhëniet e Kosovës me Amerikën kanë për kumbar Shqiptarët e Amerikës dhe Albini nuk mund ta minojë miqsinë shqiptaro-amerikane.

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Kembanat

DITELINDJA E MARASH MRNAÇAJ, SI SHKAS…

December 21, 2019 by dgreca

HISTORI E RRALLË SHQIPTARO-AMERIKANE: FAMILJA KELMENDASE, MES DIKTATURËS SHQIPTARE DHE DEMOKRACISË AMERIKANE/

NGA DALIP GRECA/*

21 Dhjetori është ditëlindja  e Marash Mrnacaj, malsorit fisnik, simbol i qëndresës antikomuniste, që arriti të realizojë arratisjen-legjendë, të familjes, me fëmijë e bagëti. Është e para ditëlindje që kujtohet pas ikjes së tij me 10 tetor 2019 dhe në raste të tilla urimi është i tjetër formati: Pusho në Paqë Marash Mrnaçaj, shpirt i vuajtur dhe qëndrestar i paepur!

            Pushoftë në Paqë shpirti i Tij. Natyrisht që ditëlindja do të kujtohet në forma të tjera, jo si dikur në të gjallje të tij, kur familja dhe miqtë festonin në shtëpi, a mblidheshin në “Zuppa” apo  në Eastwood Manor, ku shtrohej “Sofra Kelmendase” dhe festonin së bashku. Në kujtim të Marash Mrnacajt unë po sjell një intervistë të vitit 2016, me shkas Ditëlindjen e tij, realizuar në shtëpinë e Marashit, në Seneca Ave, Yonkers.

        ***

        …Kisha kohë që mendoja për një bisedë me Marashin, për të hyrë në kujtesën e tij dhe për të rrugëtuar në historinë e familjes, simbol i demokracisë dhe e antikomunizmit, e përmendur deri edhe në Shtëpinë e Bardhë, e deri tek presidentët e Amerikës(kur presidenti Ford firmosi dhënien e shtetësisë amerikane nënës Mrikë në moshën 111 vjeçare, apo kur në Kapitol u ngrit Flamuri shqiptar në nderim të Heroit shqiptar të Demokracisë, Nik Marash Mrnaçaj)… Kur, më mirë se tani që përjeton përvjetorin e Lindjes, më jepej rasti për ta zvilluar bisedën?! Së bashku me nipin e Marashit, Mark Mrnaçaj, të enjten me 22 dhjetor, në mesditë trokita në shtëpinë e tij në Yonkers.

Pa u ulur mirë, Mrija, zonja e shtëpisë e mbushi tavolinën plot. Sa herë e kam takuar Mrijen, kam konstatuar fisnikëri e shpirtmirësi në fytyrën e saj, në sjelljen e saj, në bujarinë tipike kelmendase, por mjafton të hysh në botën shpirtërore të saj dhe do të zbulosh,se sa dhimbje dhe tragjedi, të shkaktuar nga diktatura komuniste mbart shpirti i malësores fisnike: Babën e saj, Dedë Bajraktarin, komunistët e kapën dhe tek lëngonte nga plagët e plumbave e kanë futë në shtëpi dhe e kanë djegë të gjallë, ndërsa kushërinj të saj, i kanë masakruar; njërit prej tyre,i kanë torturuar mizorisht, i kanë nxjerrë sytë, dhe e kanë mbuluar me gurë….Plaga e fundit e Mrijes, që ende rrjedh dhimbje, është Nika, që tek i jepte që nga Amerika goditjen e fundit diktaturës shqiptare, që i kishte shkaktuar aq plagë, Kelmendit dhe familjes Mrnaçaj, humbi jetën në mënyrë misterioze, me një goditja nga pas prej një traku, tek kthehej nga demonstrata antikomuniste, ku kishte shkuar me 20 shokë nga Nju Jorku në Detroit….Mrija ende ruan imazhin e buzqeshjeve dhe puthjeve, që Nika i jepte në ballë, kur shkonte apo kthehej nga puna.Edhe atë ditë të fundit… Sa i ishin lutë që të mos shkonte në atë mot të ashpër dimëror në demonstratë në Detroit! Ah, pengu i nënës dhe i babës! Shpirti dhemb….

        …Marashi, sikur nuk do t’ia dijë për 90 vitet e jetës, qëndron si lis, pa u përkulur aspak nga pesha e viteve.Memorien e ka  të kthjellët. I ulur përballë Flamurit kombëtar, ai nis të më tregojë për jetën e tij 90 vjeçare. Në ballë të dhomës së pritjes, përbri Flamuri Kombëtar, është vendosë një polifoto me 5 portretet e familjarëve: Në qendër është baba i tij Nue, i rrethuar nga djemtë: Nikolla, që vdiq nga vuajtjet e diktaturës, 20 vjet burgim dhe po aq internim,vdiq pak ditë pasi doli nga burgimi i dytë, Rroku, që ka ndërruar jetë në SHBA dhe më tej, të gjallët: Marashi dhe Pjetri….

 Trokas në memorien e  këtij burri të moçëm, që vjen nga fisi i qëndresës antikomuniste kelmendase dhe kërkoj gjurmët e  jetës së tij…

    Nga fëmijëria e largët ai sjell ndërmend rrëfimet e të atit për qëndresën e Kelmendit ndaj sllavëve, që e kallën në flakë dhe e mbytën në gjak Kelmendin, por që kurrë nuk e pushtuan, po ashtu dhe turqit, nuk arritën ta bënin për vete Kelmendin, as italianët e gjermanët, ndërsa nga rinia e vet sjell imazhet e luftës dhe qëndresës kundër komunistëve, që deshën ta nënshtronin me dhunë Kelmendin. Në sytë e tij u zhvillua lufta vëllavrasëse e Kelmendit, Janar 1945. Ishte i ri 18 vjeçar atë kohë. Memoria e tij është e mbushur me pamje makabre: përgjime,kurthe,arrestime, vrasje, pushkatime, dëbime….

– “Lufta e Kelmendit” e ndau përgjithmonë Kelmendin nga komunistët, thotë Marashi…

     Historianët ende diskutojnë , debatojnë dhe kundërshtojnë njëri-tjetrin nëse ishte apo nuk ishte Kryengritje ajo përballje e përgjakshme e Kelmendasve me diktaturën që po instalohej dhunshëm. Ç’donin forcat e  ndjekjes në Kelmend? Nga kush do ta çlironin kurorën e trimërisë shqiptare? Gjermanët kishin ikur me kohë.Por ç’mund të ishte tjetër ajo luftë, ku pati 83 të vrarë (pushkatuar), 69 të plagosur, më shumë se 30 shtëpi të djegura, dhjetëra kelmendas të arrestuar, dhjetëra të burgosur,qindra të dëbuar në kampet e internimit(kampet e vdekjes)? Që nga paslufta e Kelmendit, Kelmendasit, nisën kalvarin e vuajtjeve nëpër burgjet e diktaturës dhe kampet e internimit. Komunizmi u përpoq t’ua mposhtëte krenarinë e maleve, por ata nuk u nënshtruan.Tipik është Nikolla, vëllai i Marashit…

    Pikërisht pas luftës së Kelmendit e morën ushtar Marash Mrnaçajn dhe vëllanë Rrokun. 200 djem të Kelemndit i ngritën ushtarë menjëherë pas asaj lufte. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak, plot 3 vjet,(5 vjet e bëri ushtrinë vëllai i tij,Rroku), Marashi kujton përplasjet e  forcave të ndjekjes me forcat nacionaliste. Sjell ndërmend qëndresën e Muharrem Bajraktarit dhe ndjekësve të tij, rrëfen për vrasjen e Destan Rexhepit e trimave të tjerë nacionalistë.Ishte dhe ai ushtar në disa nga përndjekejt e Bajraktarit trim.

–   Ishte trim me eksperiencë dhe i zgjuar Muharrem Bajraktari. Dinte të ruhej, tregon Marashi dhe kujton një moment, kur  forcat e ndjekjes, kanë kapë të plagosur djalin e Bajraktarit,që e transportuan deri në Kukës të gjallë. Aty ka ndërruar jetë.

 Shkuan pas gjurmëve drejt e tek vendqëndrimi i Muharremit (duket se u dekonspirua nga një zjarr i ndezur ditën për të gatuar). Një spiun kishte raportuar. Komandanti partizan urdhëronte ushtarët: Nëse ndokush kthehet mbrapsht kur ta rrethojmë, kam për ta vrarë unë me këtë kobure, dhe kishte çuar dorën në brez. Po ç’ndodhi? Muharremi nuk qëndronte në një vend me luftëtarët e tij, por pak i larguar, përgjonte, madje edhe kur flinin luftëtarët e tij, ai qëndronte zgjuar për t’iu ruajtur ndjekjësve. Dhe përdorte mjeshtrisht bombat për të çarë rrethimet. Kështu ndodhi dhe atë ditë. Plumbat e Muharrem Bajraktarit palosën për tokë të parin komandantin partizan….Thoshin, se Muharrem Bajraktari vriste vetëm oficerë nga forcat e ndjekjes, jo ushtarë… Kur kisha kaluar në perëndim, tregon Marashi, shkova dhe e takova në Bruksel Muharremin dhe biseduam gjatë. Ia tregova se si e kisha përjetuar kohën kur ai përndiqej maleve të Shqipërisë.Gjatë bisedës sollëm hollësi nga ato ngjarje. Në fund, kujton Marashi, i thashë:- A je gati të kthehemi tash e të shkojmë e të luftojmë komunistat? Unë bëhem ushtar i juaj…Ai ma ktheu: -Nuk është nevoja, bir, se ata po vrasin njëri-tjetrin. Nuk e kanë të gjatë…. 

ARRESTIMI I VËLLAIT, NIKOLLËS

Tregon Marashi: Në vitin 1952 arrestuan vëllanë, Nikollën, babanë e Markut. Ngjarja ndodhi kështu:Ishte i sëmurë Nikolla, qëndronte i shtrirë në shtresa. Vjen komandanti i Postës së Tamarës me pesë ushtarë.E presim. Kishte ardhë dhe herë tjetër.I uruam mirëseardhjen si zotë shtëpie. Ngrihet dhe Nikolla nga që ishte shtrirë nga sëmundja dhe i jep dorën.Ai menjëherë ia kthen:

– Kam një fjalë me ty, Nikollë!

 Çohet Nikolla dhe pa u veshur, me këmishë, i shkon pas.Minutat mezi kalojnë. Ne po prisnim në ankth, pse u vonuan? Kur vjen motra e dytë nga që kishte shkuar për të mbushë ujë, dhe e zbehtë në fytyrë, duke iu marrë fryma, na pyet:- Çfarë ka bërë Nikolla, që e kanë lidhë?

– Ku?,- e pyesim ne të shqetësuar….

– E kanë lidhë tek shkambi…thotë ajo.

Marashi kujton detaje nga ngjarja: Ishte një strehëz shkëmbi, poshtë shtëpisë, atje e kishin lidhë. Pas pak vjen tek ne, në shtëpi, komandanti me dy ushtarë, dy të tjerët i kishte lënë për të ruajtë Nikollën. Na jep urdhër të gjithëve që të dilnim jashtë sepse kishte urdhër të kontrollonte shtëpinë. Mori veç nënën Mrikë dhe nisi kontrollin. Gjeti vetëm një armë gjahu,(që Marashi e kishte me leje).E morën armën. Gjetën 2-3 libra fetare në gjuhën italiane, që i mbante Nikolla dhe ato i morën, pa e ditur se ç’ishin. Shkuam atje ku ishte Nikolla, por çfarë të shihnim: Gati kishte ngrirë prej të ftohtit. Edhe teshat që i çuam nuk po i vishte dot vetë, e ndihmuam. U ndamë me lot ndër sy. E morën duarlidhur dhe shkuan…

        …Po vazhdonte reprezalja komuniste. Bashkë me Nikollën kishin arrestuar dhe 12 të tjerë atë natë. Kishin arrestuar edhe një grua me katër fëmijë. Të nesërmen i pamë kur po i largonin varg.Ajo grua me katër vocrrakë ta këpuste shpirtin. Ç’faj kishin ata fëmijë, po nëna e tyre? Kishin ardhë më shumë se 50 forca policore me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, sadistin Ilmi Seiti.

– Po përse e arrestuan Nikollë Mrnaçajn, çfarë kishte bërë?- e pyes Marashin.

– Kurrgja. U akuzua se kishte bashkëpunuar me fashizmin. Si shumë të tjerë ,në kohën e pushtimit Italian, Nikollën e kishin ngritë ushtar në vitin 1939(njësoj siç ngritën komunistët Marashin dhe Rrokun më 1945-46). Më pas, Nikollën, e kishin angazhuar me Gardën Italiane së bashku me shumë shqiptarë të tjerë. Më pas e kanë çuar në Torino. Pushtimi gjerman bllokoi rrugët e kthimit dhe ai mbeti rrugëve të Italisë. Kur u hapën rrugët, u kthye si shumë të tjerë në Selcën e tij, ku pat lindë, dhe kjo ishte e gjithë veprimtaria”fashiste” e Nikollës, që as vrau e as preu kënd, por regjimit komunist i duhej armiku për të terrorizuar Kelemendin. E dënuan 15 vjet Nikollën, bëri 10 vjet. E torturuan më shumë se 6 muaj në hetuesi.Hetuesia kishte qenë tepër e rëndë. I kërkonin të pranonte faje që nuk i kishte kryer. I kishin shkulur thonjët.Gishtërinjët i ishin shtremëbruar ,përthyer nga torturat, që prodhonin hetuesit sipas shkollës bolshevike. Burgimi ishte i rëndë, punonin si skllevër, e torturoheshin gjatë punës. I kaloi vitet e burgut në kampet-burgje të Vlashukut, Semanit, Rinasit, Lushnjës, Urës Vajgurore etj.

“KURTHI” I PUSHTETIT DHE ARRATISJA E MRNAÇAJVE

Ndërkohë që po afrohej lirimi i Nikollës,i kishte mbetë 1 muaj e gjysëm, që të plotësonte dënimin, familja merr sinjale nga miqtë e vet, që ishin afër pushtetit, se po përgatitej kurthi i arrestimeve të reja për burrat e asaj shtëpije. Sinjali u dha hapur kur në një mbledhje rinie në Tamarë,e nxjerrin jasht vëllanë e Marashit, Pjetrin. Në atë mbledhje merrte pjesë edhe Kryetari i degës së Brendshme të Shkodrës Ilmi Seiti. I thonë Pjetrit:- Dil jashtë,ti Pjetër, por mos shko në shtëpi para se të dalin shokët.

Një shok i Pjetrit, kur del nga mbledhja, i thotë:- kujdes, duhet të ikësh.

Kumti është marrë. Ata kanë diskutuar për Mrnaçajt gjatë mbledhjes.Furtuna po afronte.

Pas kësaj vjen një mik tjetër i familjes,që kishte marrë pjesë në mbledhje dhe i paralajmëron:Kujdes, jeni në shenjë!

      Kujton Marashi: Në prag të festës së 29 Nëntorit që bënin komunsitët, na thirrën ata të Këshillit dhe na kërkuan që t’u jepnim kontribute për festën e çlirimit. Baba më paralajmëroi që të mos kundërshtonim, por të jepnim gjithçka,që ata do të kërkonin. Kërkuan dy dhi me nga mbi 25 kg mish, 5 kg djathë, ushqime të tjera, raki etj.Ua dhamë të gjitha.

      Rrëfimi i Marashit është drithërues: Pas shumë sinjalesh që na erdhën, dhe vetë po e shihnim, se po na shtërngohej konopi. Çfarë të bënim? Problem ishin prindërit e moshuar, babai Nua ishte gati  90 vjeç, nëna pak më e re, por e plakur dhe ajo…. A do të mundnin ata ta përballonin rrugëtimin e vështirë nëpër male të thepisun në mot të ashpër dimëror? Pjetri më tha me vendosmëri: Gjallë a vdekë, unë do të iki! Ma mirë i vdekun se në burg!

 Bisedonim vëlla me vlla, kujton Marashi: Ç’vendim të merrim? Vëlla Rroku propozoi që të qëndronim, le të arrestoheshim ne, burgu për burra është, por shpëtonin pleqtë. Po kush na siguronte që dhe ata nuk do t’i syrgjynosnin në ndonjë kamp internimi në atë moshë? Aty nuk mund të qëndrohej sepse dera e burgut ishte hapë për të gjithë. Si t’ia thonim babës ikjen? -Unë e pata të vështirë, thotë Marashi.E mori përsipër Pjetri t’ia thoshte. E thirrëm babën dhe Pjetri ia tha copë: Babë, kemi dy rrugë; ose të presim të na çojnë tek Nikolla në burg, ose të ikim, të arratisemi. 

Baba u mendua dhe na tha: Ikim, në mundshim me kalue ,mirë. Edhe nëse më gjenë gjë,mua plakun, më shtini rrëzë ndonjë gardhi matanë kufinit, dhe e keni kryer detyrën…Këtu nuk rrihet ma…

    E poqëm mendimin dhe ndërtuam planin e arratisjes. E shoqja e Nikollës, Dranja me të bijën, Diellën, nuk u ndodhën në Selcë, kishin shkuar në Vermosh, tek familja e vëllait të saj. Në ato kushte nuk kishte kohë për ti marrë me vete, nga që vendimi u mor aty për aty.Pasatj, duhej folë dhe me Nikollën.Në mëngjes baba dhe vëllau nxorën bagëtitë në kullotë dhe i afruan sa më pranë pikave të lejushme të kufirit. Ushtarët ruanin dhe vështronin me dylbi gjatë të gjithë kohës duke kontrolluar lëvizjet e njerëzve dhe të bagëtive. Në mbrëmje, kur ra errësina, vëllau la babën afër kufirit me gjysmat e bagëtive dhe gjysmat i ktheu në shtëpi. Ishte alibia për ikje.E kishim menduar mire lojën: Ne dinim me saktësi kohën dhe vendin ku ndërroheshin rojet. Ndërrimi i shërbimit bëhej pranë burimit, ku mbushnim ujë. Pikërisht në këtë moment bëhemi gati me gra e fëmijë dhe marrim rrugën nëpër natë. Kishim të fshehura dhe dy pushkë. Një i ishte lënë babës tek kullota me delet, tjetrën, e mora unë, tregon Marashi. Ishte 21 Dhjetor 1959….

Po si mundët të largoheshit?, e nxis rrëfimin e bashkëbiseduesit.

-Zoti e di se si shpëtuam…dhe Marashi e sjell në kujtesë atë udhëtim që normalisht, po ta bëje ditën, nuk ishte më shumë se 1 orë larg, por atyre u kushtoi jo pak, por 22 orë…

Marashi tregon: Dolëm nëpër natë dhe me kujdes, pa u ndjerë, u kaluam pas shpine rojeve, që po ndërroheshin tek burimi. Pasi u bashkuam me babën e morëm bagëtinë përpara, ecnim ngadalë. Ishte frikë e madhe sepse kishim edhe dy fëmijë të vegjël, njërin 3 vjeç dhe tjetrin 9 muajësh. Po sikur ata të qanin? Gjithçka përfundonte aty…Ishte terr i thellë. Ecja nëpër pyll u vështirësua shumë. U hymë në hak edhe mushkave të ngarkuara, ato pengoheshin nga degët e pemëve. Asgjë nuk shihej para këmbëve. Hapat hidheshin kuturu. Vdekja përgjonte në çdo hap. Rrëzoheshim, ngriheshim me mundim dhe vazhdonim.  Qëndruam pak se menduam, ndoshta do të na ndihmonte hëna që duhej të lindëte në ato çaste, por për fatin tonë të keq, terri u shtua, ia nisi shiu. Ecja u vështirësua shumë.

    Marashi, kujton se kishte një elektrik të vogël, me të cilin ndriçonte para këmbëve që të vazhdonin mundimshëm ecjen. Pas shiut nisi bora.Keq e më keq. Dukej se po përjetonim një tmerr ferri. Fëmijët kishin ngrirë, duart u ishin ënjtur. Nisën të qanin. Diku, gjatë ditës së nesërme, rrëzë një shkëmbi,u përpoqëm të ndezim zjarrin, nga që fëmijët nuk pushonin së qari, por ishte e vështirë, lagështia, bora pengonin. Na ka parë në ato momente një treshian dhe na është ofruar. Duke zbërthyer fishekët, u morëm barutin dhe e ndezëm zjarrmin. Treshiani, që u përvëlua nga baruti, na tha se duhej të lëviznim sepse ushtarët shqiptar vinin deri aty për kontroll. Në ato çaste na doli dhe një problem me bagëtinë, që na u kthyen mbrapa, hynë në pjesën shqiptare. Shkoi treshiani dhe i ktheu mbrapsht. Pastaj erdhi dhe na mori e na çoi në shtëpinë e vet në Bekaj të Trieshit. Morëm frymë të lehtësuar. Ishim të lagur deri në kockë. Na veshën me rrobat e tyre, edhe pse na rrinin të mëdhaja, nga që ata ishin trupmëdhenj.Na ushqyen. Pasi e kishim marrë disi veten, mikpritësi njoftoi policinë malazeze. Na shoqëruan gati 20 trieshianë për në zyrat e policisë. Fëmijët vazhdonin e qanin nga që trupi u ishte ënjtur e fytyrat u ishin bërë plagë. Bagëtinë, s’mund ta merrnim me vete, ia lamë atij që na kishte ndihmuar. Na çuan në Titograd, ku na mori në pyetje UDB-ja. Çdo i rritur i qëndronte më vete në një dhomë, ku ballafaqoheshin përgjigjet e intervistave që na bënin. Pyetjet vazhduan për dy javë.

UDB-a dinte gjithçka për ne, tregon Marashi, dhe shton; madje më provokuan edhe për një ngjarje që kishte ndodhë 6 muaj para arratisjes.

– Çfarë mbanë mend se të ka ndodhë 6 muaj më parë?… Kishin ndodhë shumë ngjarje, ç’tu thosha më parë? Ata më orientuan. U kujtova. Ja ç ‘kishte ngjarë: Marashi me vëllanë kanë zbritë në tregun e Shkodrës me shitë disa dele,që të blenin grurë për bukë. Dikur kanë ardhë inspektorët e shtetit dhe ua kanë marrë me forcë bagëtinë,siç kanë sekuestrua dhe mallra të tjerë, edhe pse i kishin shlyer detyrimet e shtetit. Pas ankesës ua kishin kthyer sërish, por pazari nuk shkoi mirë atë ditë. Vetëm dikush iu dha një mundësi këmbimi të deleve me grurë, por pazari iu duk shumë i ulët. Më kot pritën deri në darkë. Kur po errej, menduan që të gjenin personin që u kishte dhënë pazarin e vetëm.Nuk mund të ktheheshin pa grurë. Me të pyetur e gjetën shtëpinë e personit, ishte vrakaçor. Shkuan në Vrakë, por kur e panë grurin që nga lagështia kishte marrë ngjyrën e gjelbërt, i thonë të zotit se ai grurë nuk mund të hahej, ishte i mykur. Unë këtë  grurë përdor, u tha ai, lajeni dhe thajeni. S’kishin rrugë tjetër, pranuan. Atë natë bujtën tek vrakaçori. Pikërisht aty u zhvillua  biseda për të cilën po pyeste intervistusi i UDB-së. E ka pyetë Marashin i zoti i shtëpisë:- Nga je, or mik?

-Nga Selca,- është përgjigjë Marashi.

-Sa larg e ke kufirin?

– Një orë,- i është përgjigj Marashi.

– Dhe ti vazhdon të rrish aty? Të isha si ti, do të ikja sa më parë, qoftë duke falë dhe dy fëmijët e mi…

– Ka hyrë dhe një tjetër në bisedë, unë do t’i falja të katër fëmijët e mi, vetëm të ikja….

Pikërisht këtë ngjarje e kishin verifikuar zyrtarët e UDB-së dhe e pyetën, e ripyetën Marashin, fill e për pe’ se si u zhvillua biseda…Pastaj kanë qeshë me të madhe, si si? Të katër fëmijët do t’i jepnin për të ikë nga ai ferr?…

      Pas formaliteteve Mrnaçajt i lanë të qetë. I vendosën në Titogard. Marashi dhe vëllezërit ishin të zotë të punës. Punonin fort dhe fitonin. Digjnin gëlqere edhe pse ishte me rrezik për shëndetin, veçanërisht për mushkëritë, por s’kishte rrugë tjetër. U jepnin të zotërve të fshatit, ku merrnin lëndën, 1/3 e fitimit, por mbetej edhe për ta.Shtatë vjet qëndroi Marashi aty.Ndërtoi dhe shtëpi, sa ia patën zili vendasit, që i thoshin njëri-tjetrit: Si more, ky shqiptari i Kelmendit, tash erdhi dhe tash e ndërtoi shtëpinë?! Dhe shih sa të mirë!…

 Në vitin 1966 u largua vëllau,Pjetri për në Itali.Pas një viti shkoi edhe Marashi me familjen. Në shtëpinë në Titograd la vëllanë Rrokun me dy pleqtë. Më pas baba Nue ndërroi jetë në Titograd dhe u varros në varrezat e Tuzit. Më 1967 Marashi me familjen mbërritën në Nju Njork. Deri në vitin 1978 jetuan në Bronx, më pas blenë shtëpinë në Yonkers, shtëpi që e kanë ende. Punoi në një fabrikë që prodhonte rezistenca dhe mjete ngrohëse. Më pas ka hyrë si sikjuriti në një Bankë, ku punoi 20 vjet. Sot, kanë ndërtesa, që i japin me qera dhe ndjehet i kënaqur me jetën në 90 vjetorin e lindjes, teksa shtëpinë e ka plot me 14 nipër e mbesa, vetëm nga fëmijët e tij.

HISTORIA E NËNË MRIKËS DHE BURGOSJA E DYTË E NIKOLLËS

Marashi vijon rrëfimin: Pasi baba vdiq dhe u varros në Tuz, erdhi në Amerikë dhe vëllau Rrok me nënën Mrikë. Nëna kërkoi strehim politik. Shkoi djali tek avokati dhe u këshillua. Kur avokati pa datën dhe vitin e lindjes, tha se ky ishte rast i veçantë në të gjithë Amerikën, një 111 vjeçare kërkonte shtetësinë amerikane! Lajmi u përhap shpejt, gruaja më e moshuar, që kishte zbritë në Nju Jork, kërkonte të bëhej shtetase amerikane! Ishte viti 1974 kur ajo mbërriti në Nju Jork. Lajmi mori dhenë nëpër gazeta e Televizione, kur ajo brenda një kohe të shkurtër mori shtetësinë amerikane. Deklarta e nënës Mrikë: “dua të jetoj dhe të vdes e lirë në tokën e lirë amerikane”, kishte bërë xhiron e lajmeve. Shtetësia e saj u firmos nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gerald Ford brenda në një kohe fare të shkurtër, duke e trajtuar si rast të veçantë. Ndërkohë që lajmi i 111 vjeçares bëri xhiron në mediat amerikane, Misioni Shqiptar në Nju Jork, raportonte në Tiranë: Mrika Mrnaçaj ka lënë shtetësinë shqiptare në moshën 111 vjeçare dhe është bërë shtetase e imperializmit amerikan….Makineria e diktaturës jep alarmin:Kujdes se do të ketë efekt lajmi tek të internuarit dhe të burgosurit!Merrni masa…Operativët lëvizën. Hetuesit bënë gati akuzat dhe hapën Dosjet. Përgatitet burgimi i dytë i Nikollës, djalit të Mrikës, që kishte mbetë peng i shtetit komunist, ku pas 10 viteve burg  prej 20 vitesh vuante internimin në Savër të Lushnjës me gjithë familjen.Përgatisin dëshmitarët e rremë dhe procesi montohet. Nikolla dënohet me 10 vjet burg. Nis sërish kalvari i ferrit.Kur i kishte mbetur dhe një vit e nxjerrin se ishte i sëmurë rëndë. Vdes sapo del nga burgu me 20 Janar 1989. I biri, Marku,arrin përmes një aventure plot vuajtje ta dërgojë arkivolin me trupin e babës për varrim në Shkodër, por u detyrua që ta varroste natën, nga që nuk ia dhanë lejën e varrimit.

Edhe të vdekur, ia kishin frikën, pat shkruar gazetari i ndjerë Bujar Muharremi, pas përmbysjes së diktaturës.

DËSHMORI I DEMOKRACISË NIK MRNAÇAJ

Kalvari i familjes Mrnaçaj, përgjakja e saj nga diktatura,burgosja dhe riburgosja e axhës së tij Nikolla, dhe së fundmi vdekja e tij me 20 Janar 1989, pas vuajtjeve nëpër burgje e kampe internimi, e kishin mbushur shpirtin e djalit të Marashit dhe të Mrijës, Nikës plot mllef kundër komunizmit. Veçanërisht pas vdekjes së Nikollës ai u bë më aktiv kundër shtetit komunist dhe dhe merrte pjesë në tubimet antikomuniste si në Nju Jork, Uashington, Michigan dhe kudo ku tuboheshin shqiptarët. Viti 1990 ishte plot shpresa për nacionalistët shqiptarë të Amerikës. Ata iu kundërvunë me të gjitha forcat shtetit komunist, që po përpiqej të kamuflohej. Pas tubimeve të fuqishme në Nju Jork(kur erdhi Ramiz Alia), një grup shkoi edhe në Michigan ku kryediplomati i shtetit komunist shqiptar në OKB, po organizonte një manifestim në mbrojtje të qeverisë komuniste që ishte në grahmat e fundit. Nika ishte në krye, por në kthim mdodhi tragjedia.Ishte 22 Janar 1990… Po sjell në këtë shkrim dëshminë që i pata marrë në maj 2015, kur po organizohej Dita e Lirsë shqiptare, për të 25-tin vit radhazi në White Plains, NY, bashkudhëtarit të Nikës, Mark Tinaj, që e pa vdekjen me sy.

    Rrefimi i Markut: “Në Detroit kishte shkuar ambasadori i atëhershëm shqiptar, Bashkim Pitarka.Nika e mësoi lajmin dhe na ftoi që t’i bashkoheshim dhe të shkonim atje për të protestuar në mënyrë paqësore. Kemi shkuar në Detroit dhe konstatuam se situata ishte shumë e acaruar. Ne të Nju Jork-ut nuk morëm armë me vete se menduam të shmangnim ndonjë tragjedi,por kur shkuam atje pati provokime dhe shkrepje armësh në ajër. Kishte nga ata që na qëlluan me gurë të mbështjellë me borë. Gjithësesi ne ruajtëm gjakftohtësinë. Shmangëm sa mundëm përplasjen vëlla me vlla.Ambasadori Pitarka dështoi në misionin e tij falë qëndrimit burrëror të Nikës dhe të tjerëve. Kthimi ynë për në Nju Jork ishte tejet i vështirë.Bënte mot i keq. Rrugët ishin vështirësuar nga bora dhe ngrica. Aksidenti ndodhi diku në Pensilvani. Mbaj mend një shpërthim të fuqishëm,një goditje e rëndë që erdhi nga pas prej një traku të rëndë, ishte një zhurmë e frikshme, që ngjasoi me një shpërthim të fuqishëm ekspolozivi.Traku nuk qëndroi, iku. Erdhi policia dhe më nxori nga makina.Unë po thërrisja për Nikën. Policia kërkoi gjatë. Trupi i Nikës nuk po gjendej. Nga forca e shpërthimit ai kishte dalë jashtë makinës dhe kishte hyrë mes gomave të mëdha të trakut. E kishte tërheqë zvarrë…Ishte e tmerrshme….”.

Tregimi i Markut është tronditës, ende dridhej nga përjetimi i atij aksidenti që i mori shokun e tij. Ai përmend detaje që ta bëjnë shpirtin copë.Tregon se si e shpërndau lajmin përmes telefonit dhe si e përjetoi ngjarjen tragjike…

Nika u përcoll si hero. Ishte vetëm 31 vjeç. Ceremonia qe madhështore, e përvajshme, solemne. Në respekt të Nikës-hero, në maj të vitit 1990,u ngrit Flamuri kuq e zi, para zyrave të Bashkisë në White Plains të Nju Jork-ut. Ceremonia organizohet çdo vit në Parkun“Kensico Dam Plaza”, në Valhalla, Westchester, Nju Jork, duke ngritë Flamurin shqiptar përbri atij amerikan dhe familjes Mrnaçaj i dorëzohet proklamata e bashkisë.

    Emrin e dëshmorit të lirisë e mbanë edhe Shkolla e Mesme ne Tamarë, Kelmend, nga ku Nika qe larguar foshnjë 9 muajësh.

Pas rënies së diktaturës, presidenti i Qeverisë Demokratike shqiptare, dr.Sali Berisha  i akordoi më 1993, medaljen “Martiri i Demokracise” me motivacionin. :” Luftoi gjithë jetën në mërgim kundër ideologjisë komuniste me flamurin e luftës për liri e demokraci”….

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, DITËLINDJA SI SHKAS ...

TEKI I DASHUR, SHPIRTI YT DO TË ENDET NË PËRJETËSI MES AMERIKËS DHE SHQIPËRISË 

April 14, 2019 by dgreca

Nga Dalip GRECA/

Dje, e Shtunë 13 Prill 2019, i dhamë lamtumirën e fundit njeriut tonë të dashur, ish të përndjekurit politik Teki Gjonzeneli. Shpirtvrarë, me zemra të coptuara nga dhimbja; bashkshortja Filanda(Didi), djali (Fatmiri), vajza(Monika) mbesat dhe nipat, të afërmit, vëllezërit Murat dhe Memishau, ne miqtë e Tekiut, përmes lotëve tek hidhnim dheun në gropën e hapur, gëlltisnim dhimbjen.
Murati, që ka ardhë nga Arizona, tek i jep lamtumirën vëllait për të cilin ndjehet krenar, përpiqet të artikulojë fjalë zemre, por zeri sikur nuk i bindet; në vend të fjalëve dalin psherëtima dhimbjeje: “Me torba në krah nga kampi në kamp, nga burgu në burg, duke u endur pas meje…Kështu do të mbetesh për jetë në kujtesën time, edhe po qe se rrugët e jetës nuk do të na takojnë përsëri, i dashur vëlla.”… është bashkëbisedimi i dhimbshëm me pasvdekjen e vëllait.
E ka të vështirë Murati t’i lexojë ato pak rreshta që ka shkruar. Tekiu nuk ishte vetëm vëlla për atë dhe Memishaun, pasi ka qenë edhe prind, edhe mentor.
Në kalvarin e jetës së Muratit, Tekiu ka mbajtur familjen Gjonzeneli, që kur ishte 15 vjeçar: “Ngarkonte makina me gur dhe zhavor dhe motra e madhe i mjekonte duart e tij të brishta që kullonin gjak…”
I dridhet zeri dhe trupi, duart nuk i binden të mbajë fletët, por Murati gjenë forcë të shpreh ç’ka i thotë shpirti: Gjatë të gjithë jetës im vëlla, Tekiu, ka luftuar dhe ka fituar. Është rrëzuar por është ringritur përsëri më me forcë, më me kurajo, më me guxim.
Tekiu kishte shpirt njerëzor: I dashur me këdo. Në shpirtin e tij s’kishte kurrë urrejtje, ishte altruist, përherë i gatshëm për të dhënë gjithçka për këdo që ia kërkonte ndihmën. Shtëpia e tij në Nju Xhersi ishte përherë e hapur. Kush erdhi aty dhe nuk iu hap dera? Dhe Tekiu i priste me zemër të hapur e buajri. ..
Për t’i dhënë lamtumirën kanë ardhur edhe përfaqësues nga Federata VATRA, Zef Balaj dhe Asllan Bushati, që përcolli ngushëllimet në emër të Vatranëve. Bushati kujtoi lidhjet shpirtërore të Tekiut me Vatrën dhe Diellin, pjesë e të cilëve ishte që prej më shumë se 10 vitesh. Dhurimi i bibliotekës familjare , tregon respektin e tij për Federatën VATRA dhe vatranët, tha ndër të tjera Bushati.
Mbesa e Tekiut, vajza e Monikes, ndjehet krenare për gjyshin dhe shpreh dhimbjen që do t’i mungojë pas kësaj ndarjeje, por kurrë nuk do ta harrojë gjyshin e dashur. Monika, vajza e Tekiut, shtërngon pranë vetes nënën e dashur dhe qanë në heshtje dramën e saj. Didi, ëshët mpirë nga dhimbja, por qëndron me stoicizëm.
Djali i Tekiut, Fatmiri, arrin ta mposht ngërçin që i është mbledhur në grykë dhe përcjell krenarinë për babain e tij;Natyrisht e ka të vështirë të përcjellë në pak fjali ato çfarë ndjenë për të Atin dhe çfarë ishte jeta e pasur e plot ngjarje e babait të tij. Për të birin, Fatmirin, jeta e të Atit dhe e gjithë familjes Gjonzeneli, ishte e ngjajshme me personazhet e novelave të Dikensit, madje shkrimtari i madh as nuk mund ta imagjononte një jetë të atillë, që kaloi familja Gjonzeneli, ku shtylla e shtëpisë Muhameti, babai u burgos, ndërsa nëna Zonja, u rropat në punë të vështira për t’i mbajtë gjallë fëmijët. Tekiu ishte një nga shtatë fëmijët e mbijetuar në kushte tejet të tmerrshme të diktaturës komuniste të familjes Gjonzeneli dhe iu desh të punonte që në moshën 15 vjeçare. 
Fatmiri edhe pse erdhi fëmijë në SHBA, e ka brenda vetes dramën, që ka përjetuar familja e tij në Shqipërinë komuniste, por ai ndjehet krenar për të Atin, që e fitoi betejën me diktaturën. Jeta e të atit u bë më me kuptim pasi një ditë pati fat; u takua me një grua të bukur(nënën e Fatmirit dhe të Monikës), jeta e së cilës, ishte një paralele e jetës së Tekiut, por ndërsa babai i Tekiut kishte përfunduar në burg, babai i shoqes së jetës, Filandës, ishte pushkatuar! Por të dy ata e përballuan jetën duke sfiduar kushtet e ashpra.
Tekiu dhe Filanda e panë se jeta në Shqipërinë posdiktaturë nuk u garantonte të ardhmen fëmijëve të tyre, ndaj e zhvendosën familjen në emigracion. Dhe ata punuan fort dhe ndihmuan këdo që mundën. Për fat të keq, historia e babait të Fatmirit nuk pati fund të lumtur. Kanceri, që e sulmoi organizmin e tij, ia mori jetën pak nga pak, diët për ditë.
Fatmiri e ndjen dhe e shpreh se babai do t’i mungojë çdo çast, çdo ditë, por ai përherë do ta kujtojë atë si një baba të mrekullueshëm.
***
I vëllai i Tekiut, Murat Gjonzeneli, gjatë fjalës së tij përcjellëse kujtoi: Kur ndërroi jetë nëna jonë iu ndodhën pranë vetëm 8 vetë, dy prej të cilëve ishin varrmihësit, por Tekiu e kishte funeralin plot të Enjten, me 11 prill, tek i dha lamtumirën familja dhe komuniteti. Atë natë ishin aty edhe bashkvuajtësit e tij,edhe pse fizikisht nuk mundën të kapërcenin Oqeanin. Ishte aty edhe ish Kryeminstri demokrat Aleksandër Meksi që gjeti mënyrën për t’i sjellë një buqetë me lule dhe një mesazh zemre në ndarjen me Tekiun që e pat mik; ishin aty me mesazhet dhe homazhet e tyre edhe ish të përndjekurit politikë. I sollën aty edhe kujtimet e Muratit dhe Memishaut: U kujtuan Reshat Kripa, vëllezërit Çoku, edhe Enver Memishaj, edhe Profesor Sami Repishti…Homazhet për Tekiun u kryen nga bashkatdhetarët në Shqipëri dhe në SHBA. Mjafton të shohësh shkrimet-homazhe të Reshat Kripës, Enver Memishaj, dr. Prenjo Imeraj, Prof. Sami Repishti, shkrimet e gazetes”Dielli”, mjafton të shohësh qindra mesazhe e komente ngushëlluse në rrjetet sociale dhe bindesh se ç’njeri i mirë ishte Teki Gjonzeneli.

***
Lamtumirë i dashur Teki, do ta ndjej mungesën tënde!
Unë nuk arrita të mbaja fjalën time në përcjelljen tënde, edhe pse yt bir Fatmiri dhe vëllezërit e tu, Murati e Memishau, ma kërkuan këtë. Arsyen ti e merr me mend, nuk mund ta përballoja ngarkesën emocionale për shkak të problemeve kardiake, por ti e di, miku im se sa të doja e të respektoja. Isha me fat që një javë para se të ikje nga kjo botë, së bashku me Latifin, ne biseduam gjatë. 
Unë ish me fat që u njoha me ty dhe familjen tënde, i dashur Teki. Ne u bëmë miq që me takimin e parë, kur unë punoja tek Illyria dhe ti erdhe në New Yorker Hotel , ku ishin zyrat e gazetës dhe së bashku me Filandën më besove ditarin “sekret” të xhaxhait të Filandës, Reshat Agaj dhe unë e pranova pa kushte dhe pa shpërblim. Ato fletë të zverdhura, të lëna amanet nga “Vëllai i pengut” përmbanin të gjithë tragjedinë e Gjonzenelëve. Dhe ne arritëm që ditarin të kthenim në libër pasi ia prezantuam më parë lexuesit shqiptaro-amerikan në SHBA, duke e botuar në disa numra si Dossier. Libri u botua dhe ribotua disa herë. Ky libër- ditar na bëri miq. Shkuam në shtëpitë e njer-tjetrit. Po ti nuk u mjaftove me kaq, gjete dhe shtëpinë e prindërve të mi në Lushnje dhe çdo verë kur vizitoje Shqipërinë shkoje dhe i shihje dhe ata, nënën time të paralizuar dhe babanë e sëmur. Gjithmonë më sillje nga Shqipëria lajme nga familja dhe librat e rinj që botoheshin në Tiranë, i bleje në dy kopje. Ti miku im u bëre dhe pjesë e Vatrës dhe e gazetës DIELLI, ku denoncoje plot kurajo neokomunizmin shqiptar dhe mosndëshkimin e fajtorëve të diktaturës, që të dënuan pa faj familjen dhe veten tënde.
Ti miku im, do të jesh i pranishëm brenda qenies time si njeri i dashur dhe i respektuar. Unë do të jetoj me kujtimet e përbashkëta. Këtu, në zyrën e Vatrës, mbi kompjuterin e punës, kam vendosur një Flamur Vlore;punuar në tezgjah nga duar vlonjate, është dhurata që më ke sjellë ti. Sa herë që do të dua të bisedoj me ty do të zbres në bibliotekën e Vatrës, ku është këndi me librat e tua dhuruar Vatrës dhe do të diskutojmë për librat dhe për Shqipërinë. Do të shoh edhe Fotografinë e madhe të Ujit të Ftohtë. Është kujtimi yt!
Lamtumirë! Shpirti yt do të endet mes Amerikës dhe Shqipërisë. I doje të dyja, edhe pse, e dyta ishte treguar NJERKË me Ty!
Lamtumirë, vëlla TEKI!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Teki Gjonzeneli

DEGA E VATRËS NË QUEENS PËRKUJTOI IMZOT NOLIN DHE KRIJOI AKADEMINE STUDENTORE

March 18, 2019 by dgreca

– Dega e Vatrës në Queens deklaroi publikisht se nisi nga funksionimi Akademia e studenteve Shqiptaro Amerikanë. Akti i themelimit është firmosur nga 21 studentët e parë. Kjo Akademi studentësh nuk ka lidhje me Fondin e Studentëve që drejtohet nga Profesori Mithat Gashi, -fond që përkrah dhe stimulon studentët e ekselencës shqiptaro-amerikane dhe që funksionon pranë Vatrës që prej vitit 1959 –

Nga Dalip Greca*

Të shtunën me 16 mars 2019 në mbrëmje dega e Vatrës në Queens me kryetar dr.Skënder Murtezani organizoi një veprimtari përkujtimore kushtuar 54 vjetorit të ndarjes nga jeta të themeluesit të Vatrës, editorit të parë të Diellit,  dhe Atit të Kishës Autoqefale Orthodokse shqiptare, Fan S. Noli, si dhe përkujtimit të demonstratave të Marsit të vitit 1981 në Prishtinë.

Dega u deklarua se kjo darkë do t’i shërbente edhe gazetës DIELLI për rivitalizimin e saj në prag të 110 vjetorit të të botimit të numrit të parë.

Darka u organizua në një nga sallat e qendrës së Dioqezës Katolike në Douglaston në Queens, NY, e cila është e njohur në zonë për mjediset e bollshme për të organizuar veprimtari të komunitetit. Salla,ku u organizua darka, ishte e  stolisur me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, kuq e zi, ndërsa në front të sallës përvec dy flamujëve kombëtar, atij amerikan dhe flamurit kombëtar shqiptar, ishin vendosë portrete të figurave tona Kombëtare, Heroi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Atit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail bej Qemali, themeluesëve të  Vatrës-Fan S. Noli dhe Faik Bej Konica,si dhe Logo e Vatrës etj.

  Darkën e ka bekuar Father Daniel Keohane.

Dr. Skënder Murtezani i ka falenderuar pjesmarrësit që  janë përgjigjur thirrjes së grupit organizator të darkës. Ai ka shpalosur programin e darkës dhe qëllimin e kësaj veprimtarie sa përkujtimore aq edhe argëtuese për anëtarët e degës dhe familjet e tyre.

Dr. Murtezani deklaroi se pranë degës funksionon tashmë edhe Akademia e studenteve Shqiptaro Amerikan. Akti i themelimit është firmosur nga 21 studentët e parë. Kjo Akademi studentësh nuk ka lidhje me Fondin e Studentëve që drejtohet nga Profesori Mithat Gashi, -fond që përkrah dhe stimulon studentët e ekselencës shqiptaro-amerikane dhe që funksionon pranë Vatrës që prej vitit 1959 –

Për qëllimin dhe funksionimin e kësaj akademie studentore i njohu të pranishmit njëri nga nismëtarët e krjimit të këtij forumi studentor Stiv Manoku, Anëtar i Akademisë, student i mjeksisë në vitin e katërt.

  Kontributi i studentëve u pa edhe gjatë kësaj darke. Kristi Sokoli, nismëtar i krijimit të Akademisë studentore, solli para pjesmarrësve jetën e Imzot Nolit që nga lindja e derisa mbylli sytë me 13 mars 1965 në Fort Lauderdale

, Florida.

Dr. Skënder Murtezani solli copëza historie nga demonstratat e marsit 1981 në Prishtinë, të cilat paralajmëruan shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

       Në veprimtarinë e degës së Vatrës në Queens mori pjesë nga kryesia e Vatrës z. Zef Balaj, anëtari i Këshillit të Vatrës Lek Mirakaj si dhe editori i Diellit me bashkëshorten.

Gjthcka shkoi mirë. Pjesmarrësit u kënaqën. Ushqimet cilësore dhe të bollshme, pijet po ashtu. Parkingu i lirë. Një vend ideal për veprimtari të tilla.

 Mbrëmjes i dha ritëm Radio Emigranti, që argëtoi pjesmarrësit me këngë e valle nga të gjitha trojet tona kombëtare. Ishte një mbrëmje me pjesmarrje të të gjitha moshave, ku ra në sy edhe numri i konsiderueshëm i fëmijëve, të cilët të mbledhur rreth DJ të Radio Emigranti kënduan në kor këngë patriotike. Veprimtari të tilla i afrojnë më shumë me njeri-tjetrin vatranët dhe familjet e tyre.

Dega e Queensit është një ndër degët që në vijëmësi organizon veprimtari kulturore, historike dhe argëtuse. Një shembull që duhet të ndiqet nga degët e tjera.

I pyetur nga gazeta DIELLI se si u arrit që për një kohë të shkurtër dega të organizonte një veprimtari të tillë që kishte më shumë se 100 pjesmarrës, Kryetari Dr. Skënder Murtezani, anëtar i Kryesisë së Federatës, tha: Nuk është e para herë që vatranët e Queensit i përgjigjen thirrjes së kryesisë së degës për veprimtari të tilla.

Në suksesin e kësaj veprimtarie kanë meritë shumë veprimtarë të degës, por do të vecoja :Viktor Gjeta, Panajot Përmeti, Saime Serri, Victor Xamo, Eduart Haxhillari, studentët Stiv Manoku dhe Kristi Sokoli e shumë të tjerë. Natyrisht në qendër të organizimit ishte vetë dr. Skënder Murtezani. Në fund dr. Murtezani preu tortën me emrin dhe vulën e Vatrës.

*Per me shume fotografi shkoni ne FB Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT