MERRY CHRISTMAS!
GËZUAR KRISHTLINDJEN!/
MERRY CHRISTMAS!
Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ku ndodheni, në trojet arbërore apo në mërgim:
Gëzuar Krishtlindjen!
MERRY CHRISTMAS!
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by dgreca
MERRY CHRISTMAS!
GËZUAR KRISHTLINDJEN!/
MERRY CHRISTMAS!
Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ku ndodheni, në trojet arbërore apo në mërgim:
Gëzuar Krishtlindjen!
MERRY CHRISTMAS!
by dgreca
Kalendari i Gazetës “DIELLI” më solli në kujtesë se 21 Dhjetori është Ditëlindja e një prej ikonave të nacionalizmit shqiptar, e Kelmendasit patriot, Marash Mrnacaj. Nuk ka rëndësi nëse është 92 vjec sa c’dëshmon Kujtesa e Tij apo e bashkëshortes Mrije, apo 97 sa c’thotë Kujtesa e Facbook-ut dhe dokumentacioni i Marashit, rëndësi ka fakti se 21 Dhjetori është Ditëlindja e Tij, prandaj nga zemra e Urojmë: GËZUAR DITLINDJEN MARASH MRNAÇAJ!
Vitet e shkuara Ditëlindja e tij është organizuar nëpër restorante të njohura, madje edhe me pjesmarrjen e artistëve kelmndas, në 21 Dhjetorin e 2016 shkuan në shtëpinë e tij për ta festuar edhe Kryetari i Vatrës Dritan Mishto me bashkëpunëtorët e tij të Vatrës, ndërsa sivjet ai ndodhet i rrethuar nga dashuria e familjarëve te tij…
Bashkë me urimin e Ditëlindjes VATRA dhe DIELLI i urojnë Marash Mrnacaj shërim të shpejtë!
Për të risjellë në kujtesë historinë e rrallë të tij, po sjellim nga arkivi i Diellit shkrimin e mëposhtëm:
***
HISTORI E RRALLË SHQIPTARO-AMERIKANE: FAMILJA KELMENDASE, MES DIKTATURËS SHQIPTARE DHE DEMOKRACISË AMERIKANE
* Familja Mrnaçaj, mes Kelmendit dhe Amerikës, përballja me Diktaturën komuniste…
* Arrestimi i Nikollë Mrnaçaj,arratisja e familjes Mrnaçaj në ish Jugosllavi me dy pleqtë 90 vjeçarë, dy fëmijët 9 muajësh e 3 vjeç, me bagëti e mushka.
* Historia e Nënë Mrikës, që mori shtetësinë amerikanë në moshën 111 vjeçare dhe arrestimi i dytë i Nikollë Mrnaçajt në Savër të Lushnjës.
* Vdekja e Nikollës me 20 Janar 1989 pas 20 vjetë burg, e 20 vjetë internim, protestat në Amerikë, vdekja misterioze me 22 Janar 1990 e Nik Mrnaçajt, nderimi i përvitshëm i Heroit në Ditën e Lirisë Shqiptare në Nju Jork.
NGA DALIP GRECA
DITELINDJA E MARASH MRNAÇAJ, SI SHKAS
Të Dielën, me 18 Dhjetor 2016, tek shtrohej me bujari “Sofra e Kelmendit” në Eastwood Manor, në Bronks,NY, organizatorët kelmendas kishin përgatitë një surprizë për të parin e familjes Mrnaçaj, Marashin: Një Tortë për 90 vjetorin e Lindjes. U emocionua Marashi, Mrija, djemtë dhe vajzat, nipërit dhe mbesat, dhe e gjithë familja e madhe Mrnaçaj,që si çdo vit ishin pjesë e Sofrës kelmendase, plotë këngë epike e valle të traditës.
Të Mërkurën e 21 dhjetorit, në Zuppa Restaurant në Yonkers, u mblodh familja e madhe dhe miqtë, të gjithë së bashku e festuan 90 vjetorin e lindjes së tij.
…Kisha kohë që mendoja për një bisedë me Marashin, për të hyrë në kujtesën e tij dhe për të rrugëtuar në historinë e familjes, simbol i demokracisë dhe e antikomunizmit, e përmendur deri edhe në Shtëpinë e Bardhë, e deri tek presidentët e Amerikës(kur presidenti Ford firmosi dhënien e shtetësisë amerikane nënës Mrikë në moshën 111 vjeçare, apo kur në Kapitol u ngrit Flamuri shqiptar në nderim të Heroit shqiptar të Demokracisë, Nik Marash Mrnaçaj)… Kur, më mirë se tani që përjeton 90 vjetorin e lindjes, më jepej rasti për ta zvilluar bisedën?! Së bashku me nipin e Marashit, Mark Mrnaçaj, të enjten me 22 dhjetor, në mesditë trokita në shtëpinë e tij në Yonkers. Pa u ulur mirë, Mrija, zonja e shtëpisë e mbushi tavolinën plot. Sa herë e kam takuar Mrijen, kam konstatuar fisnikëri e shpirtmirësi në fytyrën e saj, në sjelljen e saj, në bujarinë tipike kelmendase, por mjafton të hysh në botën shpirtërore të saj dhe do të zbulosh,se sa dhimbje dhe tragjedi, të shkaktuar nga diktatura komuniste mbart shpirti i malësores fisnike: Babën e saj, Dedë Bajraktarin, komunistët e kapën dhe tek lëngonte nga plagët e plumbave e kanë futë në shtëpi dhe e kanë djegë të gjallë, ndërsa kushërinj të saj, i kanë masakruar; njërit prej tyre,i kanë torturuar mizorisht, i kanë nxjerrë sytë, dhe e kanë mbuluar me gurë….Plaga e fundit e Mrijes, që ende rrjedh dhimbje, është Nika, që tek i jepte që nga Amerika goditjen e fundit diktaturës shqiptare, që i kishte shkaktuar aq plagë, Kelmendit dhe familjes Mrnaçaj, humbi jetën në mënyrë misterioze, me një goditja nga pas prej një traku, tek kthehej nga demonstrata antikomuniste, ku kishte shkuar me 20 shokë nga Nju Jorku në Detroit….Mrija ende ruan imazhin e buzqeshjeve dhe puthjeve, që Nika i jepte në ballë, kur shkonte apo kthehej nga puna.Edhe atë ditë të fundit… Sa i ishin lutë që të mos shkonte në atë mot të ashpër dimëror në demonstratë në Detroit! Ah, pengu i nënës dhe i babës! Shpirti dhemb….
…Marashi, sikur nuk do t’ia dijë për 90 vitet e jetës, qëndron si lis, pa u përkulur aspak nga pesha e viteve.Memorien e ka të kthjellët. I ulur përballë Flamurit kombëtar, ai nis të më tregojë për jetën e tij 90 vjeçare. Në ballë të dhomës së pritjes, përbri Flamuri Kombëtar, është vendosë një polifoto me 5 portretet e familjarëve: Në qendër është baba i tij Nue, i rrethuar nga djemtë: Nikolla, që vdiq nga vuajtjet e diktaturës, 20 vjet burgim dhe po aq internim,vdiq pak ditë pasi doli nga burgimi i dytë, Rroku, që ka ndërruar jetë në SHBA dhe më tej, të gjallët: Marashi dhe Pjetri….
Trokas në memorien e këtij burri të moçëm, që vjen nga fisi i qëndresës antikomuniste kelmendase dhe kërkoj gjurmët e jetës së tij…
Nga fëmijëria e largët ai sjell ndërmend rrëfimet e të atit për qëndresën e Kelmendit ndaj sllavëve, që e kallën në flakë dhe e mbytën në gjak Kelmendin, por që kurrë nuk e pushtuan, po ashtu dhe turqit, nuk arritën ta bënin për vete Kelmendin, as italianët e gjermanët, ndërsa nga rinia e vet sjell imazhet e luftës dhe qëndresës kundër komunistëve, që deshën ta nënshtronin me dhunë Kelmendin. Në sytë e tij u zhvillua lufta vëllavrasëse e Kelmendit, Janar 1945. Ishte i ri 18 vjeçar atë kohë. Memoria e tij është e mbushur me pamje makabre: përgjime,kurthe,arrestime, vrasje, pushkatime, dëbime….
– “Lufta e Kelmendit” e ndau përgjithmonë Kelmendin nga komunistët, thotë Marashi…
Historianët ende diskutojnë , debatojnë dhe kundërshtojnë njëri-tjetrin nëse ishte apo nuk ishte Kryengritje ajo përballje e përgjakshme e Kelmendasve me diktaturën që po instalohej dhunshëm. Ç’donin forcat e ndjekjes në Kelmend? Nga kush do ta çlironin kurorën e trimërisë shqiptare? Gjermanët kishin ikur me kohë.Por ç’mund të ishte tjetër ajo luftë, ku pati 83 të vrarë (pushkatuar), 69 të plagosur, më shumë se 30 shtëpi të djegura, dhjetëra kelmendas të arrestuar, dhjetëra të burgosur,qindra të dëbuar në kampet e internimit(kampet e vdekjes)? Që nga paslufta e Kelmendit, Kelmendasit, nisën kalvarin e vuajtjeve nëpër burgjet e diktaturës dhe kampet e internimit. Komunizmi u përpoq t’ua mposhtëte krenarinë e maleve, por ata nuk u nënshtruan.Tipik është Nikolla, vëllai i Marashit…
Pikërisht pas luftës së Kelmendit e morën ushtar Marash Mrnaçajn dhe vëllanë Rrokun. 200 djem të Kelemndit i ngritën ushtarë menjëherë pas asaj lufte. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak, plot 3 vjet,(5 vjet e bëri ushtrinë vëllai i tij,Rroku), Marashi kujton përplasjet e forcave të ndjekjes me forcat nacionaliste. Sjell ndërmend qëndresën e Muharrem Bajraktarit dhe ndjekësve të tij, rrëfen për vrasjen e Destan Rexhepit e trimave të tjerë nacionalistë.Ishte dhe ai ushtar në disa nga përndjekejt e Bajraktarit trim.
– Ishte trim me eksperiencë dhe i zgjuar Muharrem Bajraktari. Dinte të ruhej, tregon Marashi dhe kujton një moment, kur forcat e ndjekjes, kanë kapë të plagosur djalin e Bajraktarit,që e transportuan deri në Kukës të gjallë. Aty ka ndërruar jetë.
Shkuan pas gjurmëve drejt e tek vendqëndrimi i Muharremit (duket se u dekonspirua nga një zjarr i ndezur ditën për të gatuar). Një spiun kishte raportuar. Komandanti partizan urdhëronte ushtarët: Nëse ndokush kthehet mbrapsht kur ta rrethojmë, kam për ta vrarë unë me këtë kobure, dhe kishte çuar dorën në brez. Po ç’ndodhi? Muharremi nuk qëndronte në një vend me luftëtarët e tij, por pak i larguar, përgjonte, madje edhe kur flinin luftëtarët e tij, ai qëndronte zgjuar për t’iu ruajtur ndjekjësve. Dhe përdorte mjeshtrisht bombat për të çarë rrethimet. Kështu ndodhi dhe atë ditë. Plumbat e Muharrem Bajraktarit palosën për tokë të parin komandantin partizan….Thoshin, se Muharrem Bajraktari vriste vetëm oficerë nga forcat e ndjekjes, jo ushtarë… Kur kisha kaluar në perëndim, tregon Marashi, shkova dhe e takova në Bruksel Muharremin dhe biseduam gjatë. Ia tregova se si e kisha përjetuar kohën kur ai përndiqej maleve të Shqipërisë.Gjatë bisedës sollëm hollësi nga ato ngjarje. Në fund, kujton Marashi, i thashë:- A je gati të kthehemi tash e të shkojmë e të luftojmë komunistat? Unë bëhem ushtar i juaj…Ai ma ktheu: -Nuk është nevoja, bir, se ata po vrasin njëri-tjetrin. Nuk e kanë të gjatë….
ARRESTIMI I VËLLAIT, NIKOLLËS
Tregon Marashi: Në vitin 1952 arrestuan vëllanë, Nikollën, babanë e Markut. Ngjarja ndodhi kështu:Ishte i sëmurë Nikolla, qëndronte i shtrirë në shtresa. Vjen komandanti i Postës së Tamarës me pesë ushtarë.E presim. Kishte ardhë dhe herë tjetër.I uruam mirëseardhjen si zotë shtëpie. Ngrihet dhe Nikolla nga që ishte shtrirë nga sëmundja dhe i jep dorën.Ai menjëherë ia kthen:
– Kam një fjalë me ty, Nikollë!
Çohet Nikolla dhe pa u veshur, me këmishë, i shkon pas.Minutat mezi kalojnë. Ne po prisnim në ankth, pse u vonuan? Kur vjen motra e dytë nga që kishte shkuar për të mbushë ujë, dhe e zbehtë në fytyrë, duke iu marrë fryma, na pyet:- Çfarë ka bërë Nikolla, që e kanë lidhë?
– Ku?,- e pyesim ne të shqetësuar….
– E kanë lidhë tek shkambi…thotë ajo.
Marashi kujton detaje nga ngjarja: Ishte një strehëz shkëmbi, poshtë shtëpisë, atje e kishin lidhë. Pas pak vjen tek ne, në shtëpi, komandanti me dy ushtarë, dy të tjerët i kishte lënë për të ruajtë Nikollën. Na jep urdhër të gjithëve që të dilnim jashtë sepse kishte urdhër të kontrollonte shtëpinë. Mori veç nënën Mrikë dhe nisi kontrollin. Gjeti vetëm një armë gjahu,(që Marashi e kishte me leje).E morën armën. Gjetën 2-3 libra fetare në gjuhën italiane, që i mbante Nikolla dhe ato i morën, pa e ditur se ç’ishin. Shkuam atje ku ishte Nikolla, por çfarë të shihnim: Gati kishte ngrirë prej të ftohtit. Edhe teshat që i çuam nuk po i vishte dot vetë, e ndihmuam. U ndamë me lot ndër sy. E morën duarlidhur dhe shkuan…
…Po vazhdonte reprezalja komuniste. Bashkë me Nikollën kishin arrestuar dhe 12 të tjerë atë natë. Kishin arrestuar edhe një grua me katër fëmijë. Të nesërmen i pamë kur po i largonin varg.Ajo grua me katër vocrrakë ta këpuste shpirtin. Ç’faj kishin ata fëmijë, po nëna e tyre? Kishin ardhë më shumë se 50 forca policore me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, sadistin Ilmi Seiti.
– Po përse e arrestuan Nikollë Mrnaçajn, çfarë kishte bërë?- e pyes Marashin.
– Kurrgja. U akuzua se kishte bashkëpunuar me fashizmin. Si shumë të tjerë ,në kohën e pushtimit Italian, Nikollën e kishin ngritë ushtar në vitin 1939(njësoj siç ngritën komunistët Marashin dhe Rrokun më 1945-46). Më pas, Nikollën, e kishin angazhuar me Gardën Italiane së bashku me shumë shqiptarë të tjerë. Më pas e kanë çuar në Torino. Pushtimi gjerman bllokoi rrugët e kthimit dhe ai mbeti rrugëve të Italisë. Kur u hapën rrugët, u kthye si shumë të tjerë në Selcën e tij, ku pat lindë, dhe kjo ishte e gjithë veprimtaria”fashiste” e Nikollës, që as vrau e as preu kënd, por regjimit komunist i duhej armiku për të terrorizuar Kelemendin. E dënuan 15 vjet Nikollën, bëri 10 vjet. E torturuan më shumë se 6 muaj në hetuesi.Hetuesia kishte qenë tepër e rëndë. I kërkonin të pranonte faje që nuk i kishte kryer. I kishin shkulur thonjët.Gishtërinjët i ishin shtremëbruar ,përthyer nga torturat, që prodhonin hetuesit sipas shkollës bolshevike. Burgimi ishte i rëndë, punonin si skllevër, e torturoheshin gjatë punës. I kaloi vitet e burgut në kampet-burgje të Vlashukut, Semanit, Rinasit, Lushnjës, Urës Vajgurore etj.
“KURTHI” I PUSHTETIT DHE ARRATISJA E MRNAÇAJVE
Ndërkohë që po afrohej lirimi i Nikollës,i kishte mbetë 1 muaj e gjysëm, që të plotësonte dënimin, familja merr sinjale nga miqtë e vet, që ishin afër pushtetit, se po përgatitej kurthi i arrestimeve të reja për burrat e asaj shtëpije. Sinjali u dha hapur kur në një mbledhje rinie në Tamarë,e nxjerrin jasht vëllanë e Marashit, Pjetrin. Në atë mbledhje merrte pjesë edhe Kryetari i degës së Brendshme të Shkodrës Ilmi Seiti. I thonë Pjetrit:- Dil jashtë,ti Pjetër, por mos shko në shtëpi para se të dalin shokët.
Një shok i Pjetrit, kur del nga mbledhja, i thotë:- kujdes, duhet të ikësh.
Kumti është marrë. Ata kanë diskutuar për Mrnaçajt gjatë mbledhjes.Furtuna po afronte.
Pas kësaj vjen një mik tjetër i familjes,që kishte marrë pjesë në mbledhje dhe i paralajmëron:Kujdes, jeni në shenjë!
Kujton Marashi: Në prag të festës së 29 Nëntorit që bënin komunsitët, na thirrën ata të Këshillit dhe na kërkuan që t’u jepnim kontribute për festën e çlirimit. Baba më paralajmëroi që të mos kundërshtonim, por të jepnim gjithçka,që ata do të kërkonin. Kërkuan dy dhi me nga mbi 25 kg mish, 5 kg djathë, ushqime të tjera, raki etj.Ua dhamë të gjitha.
Rrëfimi i Marashit është drithërues: Pas shumë sinjalesh që na erdhën, dhe vetë po e shihnim, se po na shtërngohej konopi. Çfarë të bënim? Problem ishin prindërit e moshuar, babai Nua ishte gati 90 vjeç, nëna pak më e re, por e plakur dhe ajo…. A do të mundnin ata ta përballonin rrugëtimin e vështirë nëpër male të thepisun në mot të ashpër dimëror? Pjetri më tha me vendosmëri: Gjallë a vdekë, unë do të iki! Ma mirë i vdekun se në burg!
Bisedonim vëlla me vlla, kujton Marashi: Ç’vendim të merrim? Vëlla Rroku propozoi që të qëndronim, le të arrestoheshim ne, burgu për burra është, por shpëtonin pleqtë. Po kush na siguronte që dhe ata nuk do t’i syrgjynosnin në ndonjë kamp internimi në atë moshë? Aty nuk mund të qëndrohej sepse dera e burgut ishte hapë për të gjithë. Si t’ia thonim babës ikjen? -Unë e pata të vështirë, thotë Marashi.E mori përsipër Pjetri t’ia thoshte. E thirrëm babën dhe Pjetri ia tha copë: Babë, kemi dy rrugë; ose të presim të na çojnë tek Nikolla në burg, ose të ikim, të arratisemi.
Baba u mendua dhe na tha: Ikim, në mundshim me kalue ,mirë. Edhe nëse më gjenë gjë,mua plakun, më shtini rrëzë ndonjë gardhi matanë kufinit, dhe e keni kryer detyrën…Këtu nuk rrihet ma…
E poqëm mendimin dhe ndërtuam planin e arratisjes. E shoqja e Nikollës, Dranja me të bijën, Diellën, nuk u ndodhën në Selcë, kishin shkuar në Vermosh, tek familja e vëllait të saj. Në ato kushte nuk kishte kohë për ti marrë me vete, nga që vendimi u mor aty për aty.Pasatj, duhej folë dhe me Nikollën.Në mëngjes baba dhe vëllau nxorën bagëtitë në kullotë dhe i afruan sa më pranë pikave të lejushme të kufirit. Ushtarët ruanin dhe vështronin me dylbi gjatë të gjithë kohës duke kontrolluar lëvizjet e njerëzve dhe të bagëtive. Në mbrëmje, kur ra errësina, vëllau la babën afër kufirit me gjysmat e bagëtive dhe gjysmat i ktheu në shtëpi. Ishte alibia për ikje.E kishim menduar mire lojën: Ne dinim me saktësi kohën dhe vendin ku ndërroheshin rojet. Ndërrimi i shërbimit bëhej pranë burimit, ku mbushnim ujë. Pikërisht në këtë moment bëhemi gati me gra e fëmijë dhe marrim rrugën nëpër natë. Kishim të fshehura dhe dy pushkë. Një i ishte lënë babës tek kullota me delet, tjetrën, e mora unë, tregon Marashi. Ishte 21 Dhjetor 1959….
Po si mundët të largoheshit?, e nxis rrëfimin e bashkëbiseduesit.
-Zoti e di se si shpëtuam…dhe Marashi e sjell në kujtesë atë udhëtim që normalisht, po ta bëje ditën, nuk ishte më shumë se 1 orë larg, por atyre u kushtoi jo pak, por 22 orë…
Marashi tregon: Dolëm nëpër natë dhe me kujdes, pa u ndjerë, u kaluam pas shpine rojeve, që po ndërroheshin tek burimi. Pasi u bashkuam me babën e morëm bagëtinë përpara, ecnim ngadalë. Ishte frikë e madhe sepse kishim edhe dy fëmijë të vegjël, njërin 3 vjeç dhe tjetrin 9 muajësh. Po sikur ata të qanin? Gjithçka përfundonte aty…Ishte terr i thellë. Ecja nëpër pyll u vështirësua shumë. U hymë në hak edhe mushkave të ngarkuara, ato pengoheshin nga degët e pemëve. Asgjë nuk shihej para këmbëve. Hapat hidheshin kuturu. Vdekja përgjonte në çdo hap. Rrëzoheshim, ngriheshim me mundim dhe vazhdonim. Qëndruam pak se menduam, ndoshta do të na ndihmonte hëna që duhej të lindëte në ato çaste, por për fatin tonë të keq, terri u shtua, ia nisi shiu. Ecja u vështirësua shumë.
Marashi, kujton se kishte një elektrik të vogël, me të cilin ndriçonte para këmbëve që të vazhdonin mundimshëm ecjen. Pas shiut nisi bora.Keq e më keq. Dukej se po përjetonim një tmerr ferri. Fëmijët kishin ngrirë, duart u ishin ënjtur. Nisën të qanin. Diku, gjatë ditës së nesërme, rrëzë një shkëmbi,u përpoqëm të ndezim zjarrin, nga që fëmijët nuk pushonin së qari, por ishte e vështirë, lagështia, bora pengonin. Na ka parë në ato momente një treshian dhe na është ofruar. Duke zbërthyer fishekët, u morëm barutin dhe e ndezëm zjarrmin. Treshiani, që u përvëlua nga baruti, na tha se duhej të lëviznim sepse ushtarët shqiptar vinin deri aty për kontroll. Në ato çaste na doli dhe një problem me bagëtinë, që na u kthyen mbrapa, hynë në pjesën shqiptare. Shkoi treshiani dhe i ktheu mbrapsht. Pastaj erdhi dhe na mori e na çoi në shtëpinë e vet në Bekaj të Trieshit. Morëm frymë të lehtësuar. Ishim të lagur deri në kockë. Na veshën me rrobat e tyre, edhe pse na rrinin të mëdhaja, nga që ata ishin trupmëdhenj.Na ushqyen. Pasi e kishim marrë disi veten, mikpritësi njoftoi policinë malazeze. Na shoqëruan gati 20 trieshianë për në zyrat e policisë. Fëmijët vazhdonin e qanin nga që trupi u ishte ënjtur e fytyrat u ishin bërë plagë. Bagëtinë, s’mund ta merrnim me vete, ia lamë atij që na kishte ndihmuar. Na çuan në Titograd, ku na mori në pyetje UDB-ja. Çdo i rritur i qëndronte më vete në një dhomë, ku ballafaqoheshin përgjigjet e intervistave që na bënin. Pyetjet vazhduan për dy javë.
UDB-a dinte gjithçka për ne, tregon Marashi, dhe shton; madje më provokuan edhe për një ngjarje që kishte ndodhë 6 muaj para arratisjes.
– Çfarë mbanë mend se të ka ndodhë 6 muaj më parë?… Kishin ndodhë shumë ngjarje, ç’tu thosha më parë? Ata më orientuan. U kujtova. Ja ç ‘kishte ngjarë: Marashi me vëllanë kanë zbritë në tregun e Shkodrës me shitë disa dele,që të blenin grurë për bukë. Dikur kanë ardhë inspektorët e shtetit dhe ua kanë marrë me forcë bagëtinë,siç kanë sekuestrua dhe mallra të tjerë, edhe pse i kishin shlyer detyrimet e shtetit. Pas ankesës ua kishin kthyer sërish, por pazari nuk shkoi mirë atë ditë. Vetëm dikush iu dha një mundësi këmbimi të deleve me grurë, por pazari iu duk shumë i ulët. Më kot pritën deri në darkë. Kur po errej, menduan që të gjenin personin që u kishte dhënë pazarin e vetëm.Nuk mund të ktheheshin pa grurë. Me të pyetur e gjetën shtëpinë e personit, ishte vrakaçor. Shkuan në Vrakë, por kur e panë grurin që nga lagështia kishte marrë ngjyrën e gjelbërt, i thonë të zotit se ai grurë nuk mund të hahej, ishte i mykur. Unë këtë grurë përdor, u tha ai, lajeni dhe thajeni. S’kishin rrugë tjetër, pranuan. Atë natë bujtën tek vrakaçori. Pikërisht aty u zhvillua biseda për të cilën po pyeste intervistusi i UDB-së. E ka pyetë Marashin i zoti i shtëpisë:- Nga je, or mik?
-Nga Selca,- është përgjigjë Marashi.
-Sa larg e ke kufirin?
– Një orë,- i është përgjigj Marashi.
– Dhe ti vazhdon të rrish aty? Të isha si ti, do të ikja sa më parë, qoftë duke falë dhe dy fëmijët e mi…
– Ka hyrë dhe një tjetër në bisedë, unë do t’i falja të katër fëmijët e mi, vetëm të ikja….
Pikërisht këtë ngjarje e kishin verifikuar zyrtarët e UDB-së dhe e pyetën, e ripyetën Marashin, fill e për pe’ se si u zhvillua biseda…Pastaj kanë qeshë me të madhe, si si? Të katër fëmijët do t’i jepnin për të ikë nga ai ferr?…
Pas formaliteteve Mrnaçajt i lanë të qetë. I vendosën në Titogard. Marashi dhe vëllezërit ishin të zotë të punës. Punonin fort dhe fitonin. Digjnin gëlqere edhe pse ishte me rrezik për shëndetin, veçanërisht për mushkëritë, por s’kishte rrugë tjetër. U jepnin të zotërve të fshatit, ku merrnin lëndën, 1/3 e fitimit, por mbetej edhe për ta.Shtatë vjet qëndroi Marashi aty.Ndërtoi dhe shtëpi, sa ia patën zili vendasit, që i thoshin njëri-tjetrit: Si more, ky shqiptari i Kelmendit, tash erdhi dhe tash e ndërtoi shtëpinë?! Dhe shih sa të mirë!…
Në vitin 1966 u largua vëllau,Pjetri për në Itali.Pas një viti shkoi edhe Marashi me familjen. Në shtëpinë në Titograd la vëllanë Rrokun me dy pleqtë. Më pas baba Nue ndërroi jetë në Titograd dhe u varros në varrezat e Tuzit. Më 1967 Marashi me familjen mbërritën në Nju Njork. Deri në vitin 1978 jetuan në Bronx, më pas blenë shtëpinë në Yonkers, shtëpi që e kanë ende. Punoi në një fabrikë që prodhonte rezistenca dhe mjete ngrohëse. Më pas ka hyrë si sikjuriti në një Bankë, ku punoi 20 vjet. Sot, kanë ndërtesa, që i japin me qera dhe ndjehet i kënaqur me jetën në 90 vjetorin e lindjes, teksa shtëpinë e ka plot me 14 nipër e mbesa, vetëm nga fëmijët e tij.
HISTORIA E NËNË MRIKËS DHE BURGOSJA E DYTË E NIKOLLËS
Marashi vijon rrëfimin: Pasi baba vdiq dhe u varros në Tuz, erdhi në Amerikë dhe vëllau Rrok me nënën Mrikë. Nëna kërkoi strehim politik. Shkoi djali tek avokati dhe u këshillua. Kur avokati pa datën dhe vitin e lindjes, tha se ky ishte rast i veçantë në të gjithë Amerikën, një 111 vjeçare kërkonte shtetësinë amerikane! Lajmi u përhap shpejt, gruaja më e moshuar, që kishte zbritë në Nju Jork, kërkonte të bëhej shtetase amerikane! Ishte viti 1974 kur ajo mbërriti në Nju Jork. Lajmi mori dhenë nëpër gazeta e Televizione, kur ajo brenda një kohe të shkurtër mori shtetësinë amerikane. Deklarta e nënës Mrikë: “dua të jetoj dhe të vdes e lirë në tokën e lirë amerikane”, kishte bërë xhiron e lajmeve. Shtetësia e saj u firmos nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gerald Ford brenda në një kohe fare të shkurtër, duke e trajtuar si rast të veçantë. Ndërkohë që lajmi i 111 vjeçares bëri xhiron në mediat amerikane, Misioni Shqiptar në Nju Jork, raportonte në Tiranë: Mrika Mrnaçaj ka lënë shtetësinë shqiptare në moshën 111 vjeçare dhe është bërë shtetase e imperializmit amerikan….Makineria e diktaturës jep alarmin:Kujdes se do të ketë efekt lajmi tek të internuarit dhe të burgosurit!Merrni masa…Operativët lëvizën. Hetuesit bënë gati akuzat dhe hapën Dosjet. Përgatitet burgimi i dytë i Nikollës, djalit të Mrikës, që kishte mbetë peng i shtetit komunist, ku pas 10 viteve burg prej 20 vitesh vuante internimin në Savër të Lushnjës me gjithë familjen.Përgatisin dëshmitarët e rremë dhe procesi montohet. Nikolla dënohet me 10 vjet burg. Nis sërish kalvari i ferrit.Kur i kishte mbetur dhe një vit e nxjerrin se ishte i sëmurë rëndë. Vdes sapo del nga burgu me 20 Janar 1989. I biri, Marku,arrin përmes një aventure plot vuajtje ta dërgojë arkivolin me trupin e babës për varrim në Shkodër, por u detyrua që ta varroste natën, nga që nuk ia dhanë lejën e varrimit.
Edhe të vdekur, ia kishin frikën, pat shkruar gazetari i ndjerë Bujar Muharremi, pas përmbysjes së diktaturës.
DËSHMORI I DEMOKRACISË NIK MRNAÇAJ
Kalvari i familjes Mrnaçaj, përgjakja e saj nga diktatura,burgosja dhe riburgosja e axhës së tij Nikolla, dhe së fundmi vdekja e tij me 20 Janar 1989, pas vuajtjeve nëpër burgje e kampe internimi, e kishin mbushur shpirtin e djalit të Marashit dhe të Mrijës, Nikës plot mllef kundër komunizmit. Veçanërisht pas vdekjes së Nikollës ai u bë më aktiv kundër shtetit komunist dhe dhe merrte pjesë në tubimet antikomuniste si në Nju Jork, Uashington, Michigan dhe kudo ku tuboheshin shqiptarët. Viti 1990 ishte plot shpresa për nacionalistët shqiptarë të Amerikës. Ata iu kundërvunë me të gjitha forcat shtetit komunist, që po përpiqej të kamuflohej. Pas tubimeve të fuqishme në Nju Jork(kur erdhi Ramiz Alia), një grup shkoi edhe në Michigan ku kryediplomati i shtetit komunist shqiptar në OKB, po organizonte një manifestim në mbrojtje të qeverisë komuniste që ishte në grahmat e fundit. Nika ishte në krye, por në kthim mdodhi tragjedia.Ishte 22 Janar 1990… Po sjell në këtë shkrim dëshminë që i pata marrë në maj 2015, kur po organizohej Dita e Lirsë shqiptare, për të 25-tin vit radhazi në White Plains, NY, bashkëudhëtarit të Nikës, Mark Tinaj, që e pa vdekjen me sy.
Rrefimi i Markut: “Në Detroit kishte shkuar ambasadori i atëhershëm shqiptar, Bashkim Pitarka.Nika e mësoi lajmin dhe na ftoi që t’i bashkoheshim dhe të shkonim atje për të protestuar në mënyrë paqësore. Kemi shkuar në Detroit dhe konstatuam se situata ishte shumë e acaruar. Ne të Nju Jork-ut nuk morëm armë me vete se menduam të shmangnim ndonjë tragjedi,por kur shkuam atje pati provokime dhe shkrepje armësh në ajër. Kishte nga ata që na qëlluan me gurë të mbështjellë me borë. Gjithësesi ne ruajtëm gjakftohtësinë. Shmangëm sa mundëm përplasjen vëlla me vlla.Ambasadori Pitarka dështoi në misionin e tij falë qëndrimit burrëror të Nikës dhe të tjerëve. Kthimi ynë për në Nju Jork ishte tejet i vështirë.Bënte mot i keq. Rrugët ishin vështirësuar nga bora dhe ngrica. Aksidenti ndodhi diku në Pensilvani. Mbaj mend një shpërthim të fuqishëm,një goditje e rëndë që erdhi nga pas prej një traku të rëndë, ishte një zhurmë e frikshme, që ngjasoi me një shpërthim të fuqishëm ekspolozivi.Traku nuk qëndroi, iku. Erdhi policia dhe më nxori nga makina.Unë po thërrisja për Nikën. Policia kërkoi gjatë. Trupi i Nikës nuk po gjendej. Nga forca e shpërthimit ai kishte dalë jashtë makinës dhe kishte hyrë mes gomave të mëdha të trakut. E kishte tërheqë zvarrë…Ishte e tmerrshme….”.
Tregimi i Markut është tronditës, ende dridhej nga përjetimi i atij aksidenti që i mori shokun e tij. Ai përmend detaje që ta bëjnë shpirtin copë.Tregon se si e shpërndau lajmin përmes telefonit dhe si e përjetoi ngjarjen tragjike…
Nika u përcoll si hero. Ishte vetëm 31 vjeç. Ceremonia qe madhështore, e përvajshme, solemne. Në respekt të Nikës-hero, në maj të vitit 1990,u ngrit Flamuri kuq e zi, para zyrave të Bashkisë në White Plains të Nju Jork-ut. Ceremonia organizohet çdo vit në Parkun“Kensico Dam Plaza”, në Valhalla, Westchester, Nju Jork, duke ngritë Flamurin shqiptar përbri atij amerikan dhe familjes Mrnaçaj i dorëzohet proklamata e bashkisë.
Emrin e dëshmorit të lirisë e mbanë edhe Shkolla e Mesme ne Tamarë, Kelmend, nga ku Nika qe larguar foshnjë 9 muajësh.
Pas rënies së diktaturës, presidenti i Qeverisë Demokratike shqiptare, dr.Sali Berisha i akordoi më 1993, medaljen “Martiri i Demokracise” me motivacionin. :” Luftoi gjithë jetën në mërgim kundër ideologjisë komuniste me flamurin e luftës për liri e demokraci”….
by dgreca
DOLI NGA SHTYPI LIBRI MË I RI I ANTON ÇEFËS/
Anton Çefa vjen me librin e tij më të ri me titull “Fjala shqipe si zjarri i shejtë” nën siglën”Botimet FISHTA”. Ky është libri i 19-të i Çefës. Po sjellim për lexuesit parathënien e librit.
***
Testament poetik i Anton Çefës/
Libri”Fjala shqipe si zjarr i shejtë” dëshmon pjekurinë artistike të shkrimtarit Anton Çefa dhe konsolidim të stilit të tij krijues!/
Nga Dalip GRECA/
Libri i ri shkrimtarit Anton Çefa “Fjala shqipe si zjarr i shejtë” përgjatë leximit të përcjell ndjesinë e një testamenti shpirtëror e poetik njëherazi, sa artistik aq edhe atdhetar. Të krijohet kjo ndjesi sapo troket në libër, në esenë-prozë poetike, ATDHEU YNË SHQIPERIA, apo tek mbush fort mushkëritë me ajër për të lexuar me një frymë dhe deri në fund vargjet e mrekullueshme tek “Filli i Fjalës” apo “Atdheu”,- të bashkuara me thënien brilante të Apostullit të Shqiptarizmit, Mithat bej Frashërit, që përcjell aksiomën e dashurisë për Atdheun: “Kriter për veprimet tona kemi dashurinë për Atdheun, dashurinë pa kufi, pa kushte, dashurinë si ajo e mëmës për fëminë e saj . . . Kundrejt Atdheut kemi vetëm detyrë, asnjë të drejtë, përveç të drejtës që ta adhurojmë.”…
Edhe Anton Çefa e adhuron Atdheun, herë me dashuri e herë me dhimbje që të këput shpirtin e ta drithëron zemrën. Tek proza poetike, autori ndërsa zbërthen kuptimin leksikor të emërtesave”Atdhe”-“Mëmëdhe”,duke i pagëzuar në gjuhën shqipe me emrat e prindërve, përcjell lidhjen e fortë dhe të pandashme me Atdheun, ashtu si fëmijët kanë me prindërit. Përmes një gjuhe të lëmuar, si mjeshtër i shqipes, Çefën e ndihmon dhe stili i tij i veçantë i të shkruarit, kur herë-herë përsëritet fjala bazë që përmbanë mesazhin, ndërkohë që fjalia ka një ritëm të brendshëm që të mrekullon: “Atdheu është toka jonë, trojet tona, trojet e dheut, trojet e shpirtit, trojet e gjakut, trojet e frymës, trojet e gëzimit, trojet e dhimbjes; të dhimbjes nga dashuria, të dhimbjes nga vuajtja, të dhimbjes nga dhimbja.”…Bukur! Komenti është i pavend.
Autori ndjehet krenar për historinë e Atdheut të vet dhe ka mall për të. Edhe pse të duket sikur një tis patetizmi është hedhur mbi Atdheun, ai është origjinal, është i besueshëm, është njerëzor: “Kur jemi afër, të shohim me sy, të prekim me dorë, të puthim me buzë; kur jemi larg, të shohim me mall, të prekim me afsh, të ndjejmë me dhimbje…” Është krejtësisht e vërtetë. Kush nuk i ka përjetuar këto ndjesi?!
Edhe në poezinë “Filli i Fjalës” poeti vrapon prej fëmijërie në dashuri të pafund për Atdheun: Përtej dashurisë, nana./ Përtej flijimit, Atdheu….
Ndërsa në poezinë “Atdheu” ka një bashkëbisedim poetik të tij me Atdheun të ngjajshëm me atë të një djaloshi të dashuruar me vashën e tij të zemrës: Nemitem para bukurisë…. Lule të trëndafilta elbaroze/ Bien mbi ballin tand, / Kundërmim gjethesh e bari të blerë. /Në folenë e buzëqeshjes tande, /Gugatë nji jetë n’shperthim./ Dhimbje që grafullon në shpirt./ Dhe para gjithkohësisë sate…/
Poezia ëshët e ndërtuar mbi dy linja, atë të dashurisë së pakufi ndaj atdheut dhe mesazhin e mos harresës. Poeti nuk shan, nuk bërtet, nuk inatoset me Shqipërinë e vet, por e porosit atë që të mos i harrojë; ulurimat, britmat, krimin, rënkimet e ajrit, shiun që pikonte gjak, derisa shpërthen:
Shqiperi, ti dhimbje e thekshme, /Shqiperi, ti dashuri e përjetshme,/ Shqiperi, ti mall i pamatun,/ A ndigjon, ti, zanin e erës / Si dikur, Ulurimat, britmat ? /Mos harro ! / Kurr mos harro/ Krimin që nuk njihte vllanë,/ Rrënkimet e ajrit, /Shiun që pikonte gjak prej qielli,/ Mos harro natën e gjatë /Me putrat e randa të errësinës ! Fal, Po mos harro!/
Anton Çefa në përshkrimin poetik të 100 viteve të Shqipërisë në “Kryqzimin e kohëve”, ndalet krenarisht tek 28 Nëntori i Pavarësisë(1912)-kur Atdheu u nis në rrugën e tij/ Të dritës,/ Të Flamurit,/ U dridh nga gëzimi dora e shejtë e Plakut/ Dhe i dha fluturimin valëvitës shqiponjës/ Dhe shtizës dridhjen….Por, ah, : Shtizë që nuk qëndron si duhet/ Në kryqëzim të ernave e kohëve./
Në pak vargje poeti thotë shumë, aq sa historianit do t’i duheshin vëllime.
Më pas ai ndalet tek viti ters-1913, kur: U çanë qielli e malet / Mbi teh të ndarjes, / U nis lumi e bjeshka,/ Kullat, kasollet e zemrat u nisën./ Loti i bigëzuem i Shqiponjës/ Kulloi dhimbje,/ Prizreni mbeti diku/ Dhe Vlona në emnat e fëmijëve.
Metaforikisht poeti i ka thënë të gjitha, sërish në pak rreshta. Ai vetëm denocon dhe vuan vendimin e Europës, që në nxori në treg 2/3 e territoreve shqiptare, ndau Prizrenin me Vlorën…dhe Vlora, Berati, Saranda, Shkumbini, mbetën në emrat e vajzave dhe djemëve kosvarë!
Por tragjeditë s’kishin të sosur për shqiptarët. Vjen 1944-ra, kur : Në skenë të kohës/ Shkëlqen kamë e Makbetit/ Dhe ne / Autorë dhe aktorë të nji tragjedije/ Të turpshme…
Shiheni, autori përdor shumësin: “Ne”…në fakt ishin “Ata”! Paçka pse autori qe dënuar dhe vetë me heshtje…
Në pak vargje, poeti përcjell 45 vite dhimbje, gremisje në greminën e kohës absurde(1945-1990), kur shqiptarët të vetëizoluar përjetuan të tjera tragjedi: Natë me shti gishtat ndër sy, /Por duhet me i thanë mëngjes, /Mëngjes me diell, bile. /Oh sa t’i merrka dielli sytë…/ Ecim përpara , me hapin lart, marshojmë,/ Me kangë në gojë, në buzë!/ S’e dijmë ku shkojmë, /Por të gjitha rrugët të çojnë atje . . . . . / n’greminë…/
Poeti së bashku me të gjithë popullin e vet përjeton andrrën e zgjimit më 1991, kur: Shpirtnat/ Të humbun prej kohësh / Zgjohen në kërkim t’vetvetes…Por, medet, se një natë e erërt, e kobshme, po vinte…Viti i mbrapshtë- ’97-ta, kur: Me duer mizore/ Nekrologjinë i ban/ Flamurit Vlona./ Shpirti i Shqiponjës dihat/ Në buzë të honit….
Po sot, ku është Shqipëria? Poeti nuk flet, veç sjell dy citate. Lexuesi e nxjerr vetë përfundimin:
Shqiperia sot
“Pa demokratë nuk ka demokraci”- Fukuyama
“Ma të zi se komunistat janë vetëm komunistat antikomunista” – Vaclav Havel
Edhe pse libri”Fjala shqipe si zjarri i shejtë” ka një ndërthurje të gjinive të krijimit, poezi dhe prozë,ai ka të përbashkët stilin poetik dhe mesazhin qytetar dhe artistik që përcjell.
Do të veçoja për realizim artistik: NË KËRKIM TË FJALËS SË URTË; NËN KUPOLA SHPELLASH (Atë Pjeter Bogdanit); “MË KA ZËNË SHQIPJA” (FAN NOLIT); KU TA VE EPITAFIN ? (P. Gjergj Fishtës); ZBARDHUN NGA BRENGË E FJALËS (Prof. Eqrem Çabejt), JU S’KENI EMNA( MARTIRËVE TË DIKTATURËS), IKE MBAS DYERSH MERMERI (FREDERIK RRESHPES); etj…
Ndërsa për poezitë erotike do të thoja se ato janë perla të rralla, që do t’i krahasoja me ata stolat e rrallë të vendosur në një park për t’u shlodhur vizitorët. Kështu dhe në këtë libër, lexuesi pasi përjeton dhimbshëm shqetësimet, dhimbjet dhe dashuritë e poetit, e gjenë qetësinë tek poezitë erotike….Janë të mrekullueshme, pak lasgushiane, por të Antonit.
Libri dëshmon pjekurinë artistike të shkrimtarit Anton Çefa dhe konsolidim të stilit të tij krijues!
* Parathënia e librit
by dgreca
Në mbrëmjen e së Enjtes, 13 Dhjetor 2018, në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës u organizua ceremonia festive, në një veprimtari, që Konsullja e Përgjithshme, Teuta Sahatçija, e cilësoi si mbrëmja e Falenderimeve. Mbrëmja nisi me koncertin e dy artisteve shqiptare: Klodina Kabashi-Morina në Flaut dhe Elona Muça në piano. Pjesmarrësit me nga një gotë verë kanë ndjekur programin dhe kanë duartrokitur koncertin e ndërtuar me: Këngë dhe melodi të T. Harapit, I.Spahiut, L.Drizarit, Ç. Zadesë. Znj. Klodina Morina është profesoreshë e Flautit, jeton dhe punon ne Baltimore, ka kryer fakultetin ne Prishtine, ndërsa Magjistraturen e ka kryer në Shkup. Znj. Elona Muça është profesoreshe e pianos, jeton ne New Jersy dhe jep mësim në universitetin e Mon Clair dhe Konservatorin e Moskes.
Pas pjesës së parë të koncertit, ka përshëndetë Ambasadorja Teuta Sahatçija, e cila u uroi mirëseardhjen të pranishmëve në zyrën e Misionit të RKS në New York .
Një falenderim të veçantë ajo ua drejtoi artisteve; falutistes Klodina Kabashi-Morina dhe pianistes Elona Muça, për interpretimin e shkëlqyer, dhe siç tha ajo:” Me këto pjesë të bukura të muzikës Shqipe, ju i keni dhënë një dritë të bukur eventit”…
Më pas Konsullja e Përgjithshme tha se” Në fund të vitit bëhet përmbledhja e ngjarjeve të vitit që po e lëmë, gezimeve që i kemi përjetuar, sukseseve, kujtojmë përjetimet e kaluara, sfidat dhe mësimet e nxjerra. Kosova sot i ka mundësite që të garojë në sport e muzike, të bëhet pjesë e tregut global dhe të korrë suksese në teknologjinë informative, ekonomi dhe të jep vlerën e shtuar në të gjitha fushat.
Të pranishmit kanë duartrokitur, kur Konsullja e Përgjithshme tha: “Nesër, Parlamenti i Republikës e voton pakon e ligjeve për transformimin e Forcave të sigurisë në Ushtri të Kosovës, me të cilën e forcon sovranitetin shtetëror.”Sipas Konsulles së Përgjithshme Sahatçija, kjo nuk u arrit me shume mundime e sakrifica, me shume vuajtje e lot.
Një falenderim të veçantë folësja i drejtoi Diasporës për mbajtjen gjallë të shpresës për liri, në kohët e pashpresa. Ju falenderojmë, tha ajo, që mbanit familjet, shkollimin, shtetin paralel, kur shteti okupator na shtypte e angazhohej që Kosova të mos fliste shqip. Ju falemnderit që ishit zëri ynë kur ne nuk kishim zë. I jemi falenderues Diasporës që vazhdon pa u ndalur të mbështesë:Ajo falenderoi median e diapsorës për përcjelljen e fjalës së dhe informimin duke luftuar largësinë gjeografike dhe duke i lidhur shqiptarët anë e mbanë botës
Sahatçija falenderoi edhe për kontributin e diasporës për ekonominë përmes profesionistëve, që Kosova të mos e shtrijmë dorën më askujt por të jemi zot të vetvehtes,
Një falenderim të veçantë ajo përcolli: Për mbështetjen e shkollimit suprem si armë e fuqishme që e mbron dhe e avancon një komb, Si dhe për fuqizimin e gruas duke e angazhuar gjysmën e munguar të shoqërisë.
Më pas Konsullja e Përgjithshme ndau çmimet në gazetari.
Zëri i Amerikës, Edicionin shqip
Po sjellim motivacionet e Mirënjohjeve , ashtu siç i përcolli zonja Sahatçija: A është dikush në Kosovë që nuk e din për Zërin e Amerikës? A është dikush që nuk e mbanë në mend me sa ankth e gëzim pritnim të dëgjonim lajmet dhe të sigurohemi se dikush po dëgjon se çka po ndodhë në Kosovën e okupuar? Zëri i Amerikës, sot vazhdon me të njejtin profesionalizëm të jetë burim i lajmeve dhe të jetë zëri i respektuar dhe shumë kredibil nga toka e Amerikës, mikut tonë më të madh.
Duke pasur respektin maksimal për punën e të gjithë gazetarëve të Zerit të Amerikës, Edicioni shqip, ne deshtëm që sot me një symbol të vogël të tregojmë Falenderimin e madh dhe respektin për punën tuaj shumëvjeçare dhe kontributin për gazetarinë shqipe nëpër botë.
Zonja Laura Konda kam nderin e posaçëm të ju ftoj ta pranoni Falenderimin tone.
Halil Mula, RTV21
Halil Mula nuk ka nevojë për prezantim të veçantë. Ai konsiderohet si anëtarë i Misionit tone, pjesë e familjes. Lilo siq e quajmë ne që e quajmë vehten miq të tij, është çdo here aty ku është lajmi, ku ndodhin gjërat. Gjithmonë i qetë, i buzëqeshur, shume dashamirës dhe shumë punëtor. Halili me raportimet e tij i ka anuluar barierat gjeografike dhe përmes reportazheve të Halil Mulës, publiku Kosovar është i njohtuar me çdo gjë që ndodhë në Amerikë, në komunitetin shqiptar. Përmes RTV21 çdo reportazh i Halilit ka audience maksimale dhe përcillet nga numër shumë i madhë i shiquesëve.
Halili si korrespondent i akredituar pranë KB, shumë shpesh luan rolin edhe të mikpritësit në hapsirat e KB për ne, diplomatët e RKS në Neë York, për delegacione që vijnë, student etj. Në pamundësinë tone për ti kryer këto veprime, Halili luan rolin e Misionit të Kosovës pranë KB.
Me një simbolikë të vogël por mirënjohje të madhe e falenderojmë Z. Halil Mula për kontributin për gazetari, për përkrahjen në kuadër të KB dhe për vlerat e tij tëjashëzakonshme njerëzore.-Halil Mula ju lutem ta pranoni Falenderimin tone:
Beqir Sina- Beqir Sina edhe nje “anëtar” i familjes tonë. Aty ku ndodhë diçka, Beqiri është aty me aparatin e tij për të kapur momentet që shenojnë më së miri ngjarjen. Me intervista të shumta dhe panumër fotografi, Beqiri nuk e harron askë dhe me shpejtësi lajmi e fotot përmes postimeve të tij marrin dhenë. Bile më shpejtë se që jemi ne vetë në gjendje të mbledhim e ti postojmë.
Mediat dhe qytetarët në Kosovë janë detajisht të informuar për çdo ngjarje, organizim, përgaditje duke i falenderuar përcjelljes së zellshme të Z. Beqir Sina.- Beqir, kam nderin që të ju ftoj të merrni Falenderimin për kontributin tuaj në gazetari.
Adem Belliu- Belliu përmes kamerës së tij jo vetëm që regjistron eventet Brenda komunitetit shqiptar në New Yorke gjetiu, por ndërton ura lidhëse mes shqiptarëve. Permes syrit të tij komuniteti, e besa edhe ne tashme si pjese e komunitetit, jemi dëshmitar të sukseseve të anëtarëve, të organizimeve, të lajmeve.
Për ketë Z. Belliu ju lutem te pranoni Felenderimin tone për kontributin për gazetari dhe përhapjen dhe ruajtjen e gjuhes dhekulturës shqipe në diasporë.
Dalip Greca:- Dalip Greca unë nuk e quaj vetëm Gazetar, por edhe historian, e guardian të traditës së ndritshme shekullore. Personi që përmes Gazetës Dielli ndërton historinë e re të Vatrës dhe të popullit shqiptar në SHBA dhe kudo nëpër trojet shqiptare, histori kjo e bazuar në punën madhore të parardhësve të tij. Ai regjistron për librat ngjarjet nga të gjithandej që shenojnë të sotmen tone dhe ndertojnë librin e bukur të histories shqipe. Prandaj Z.Greca ju lutem ta pranoni Falenderimin tone për kontributin tuaj për gazetari.
Vehbi Bajrami-Gazeta Illyria u themelua në 1991 si nevojë për të artikuluar gjendjen e rrëndë nëpër të cilën po kalonte polulli shqiptar npn okupacionin mizor të Millosheviqit. Roli i saj është i pamohueshëm në fazat e ndryshme të histories tone të re.Vehbi Bajrami, duke pasur respekt për kontributin tuaj për gazetari, ju lutem ta pranoni Felenderimin tone:
Çmimet për Edukim:
Më 1989 kur u suprimua Autonomia e Kosovës, filloi Apartheid i formes së rëndë mu në zemër të Europës. Millosheviçi si veprim të pare pas shpërndarjes së Parlamentit të Kosovës, mori veprimin për mbylljen e Universitetit të Prishtinës në gjuhën shqipe. Vazhdoi mbyllja e shkollave të mesme në gjuhën shqipe dhe u lejuan vetëm shkollat fillore.
Ky plan mizor ka planifikuar që shqiptarët e Kosovës të nisnin shekullin e 21të, si njerëz të pashkollë e shërbëtor të tyre.Kjo nuk ndodhi pasi rezistenca paqësorë në krye me Ibrahim RUgovën organizuan sistemin parallel të arsimit. Atë kohë shtepitë u shëndëruan në shkolla dhe mbajtën gjallë edukimin, duke mos lejuar degradimin e gjithë kombit.
Edukimi kualitativ është arma më e fuqishme e mbrojtjes së një populli që siguron të ardhme të ndritshme.
Richard Lukaj
Prandaj Hapja e Universitetit Amerikan ne Prishtinë në fakt ka shenuar pikërisht atë çka i duhet Kosovës. Shkollën me system amerikan, lidhjen me kulturën, edukimin, mënyrën e mendimit perëndimor dhe Diplomën amerikane që hapë rrugë për avancim për të rinjtë. Ky universitet ka vendosur kriteret e larta për të gjitha shkollat.
Richard Lukaj, si vizionar e ka ditë këtë dhe është angazhuar për hapjen e AUK. Ishte ky një veprim vizionar, largpamës dhe shumë dashamirës për krijimin e një gjenerate të rinjëve që janë të shkolluar në Universitet Amerikan në Prishtinë dhe kanë vazhduar shkollimet Master e PhD në Amerikë. Keta të rinj kanë mesuar të kenë mendim kritik dhe aftësi për marrjen e vendimeve të pavarura, duke shtuar këtu dashurinë e madhe për mikun tonë Amerikën.
Për këtë largpamësi, Z. Richard Lukaj, na lejoni që me një simbolikë të vogël të shprehim falenderimin e madh në fushën vizionare të edukimit.
Ed Hammel
Mr Hammel is our dear friend that ëorked hard to establish KAEF, Kosovo American Education Fund. Every year he and his friends are working hard to obtain enough funds to support scholarships for Graduate Studies at prestigious American Universities for the exceptional young people
This year KAEF celebrates 100th student recipient of this prestigious scholarship.
Mr. Hammel, please accept this small symbol of appreciation as the token of our gratitude for your outstanding work.
Kontributi për fuqizimin e grave
AAWO Motrat Qiriazi sivjet kanë festuar 25 vjetorin e ekzistencës dhe punës së palodhshme për fuqizimin e gruas shqiptare në SHBA dhe ndihmën e pakursyer për vendlindje. Këto gra të vyeshme kanë ndihmuar në Kosovën në kohra shumë të vështira me të gjitha mënyrat e mundshme. Sot Motrat Qiriazi ndihmojnë me bursa vajzat nga trojet shqiptare, kanë ndihmuar shërimin e femijëve, mbajtur trajnime për përgaditjen e vajzave të reja në kërkim të punës duke përmirësuar CV dhe duke i mentoruar ato.Per kontributin e Organizatës Motrat Qiriazi për fuqizimin e grave dhe vajzave, sot duam të ndajmë Falenderimin si shenjë respekti për punën tuaj. Znj Beti Beno ju lutem të pranoni Falenderimin.
Hope and Peace
Znj Mimoza Dajqi për shumë vite punon dhe angazhohet për fuqizimin e gruas, zbardhjen e krimeve gjatë kohës së komunizmit sidomos ndaj gruas dhe përfaqëson gruan shqiptaro amerikane në forume të ndryshme. Zonja Dajqi ju lutem ta pranoni Falenderimin për punën tuaj
Kontributi për fuqizimin e të rinjëve profesionist
APEN
Gjeneratat e reja në diasporë në njerën anë falë shkollimit dhe rrjetëzimit kanë mundësi të hapin fusha të reja në profesionet e tyre. Por në anën tjetër, të ndikuar nga ambient asimilues, kanë rrezikun e zbehjes së përkatësisë kombëtare dhe lidhjeve me vendlindjen. APEN- Rrjeti i profesionistëve shqiptar në SHBA mbledhë në gjirin e saj profesionistët shqiptar të fushave të ndryshme dhe kultivon dashurinë për gjuhën, vendlindjen. Një numër i këtyre profesionistëve të rinj tashmë janë duke bashkëpunuar me kompanitë në Kosovë e Shqipëri duke forcuar lidhjen me vendlindje të prindërve të tyre dhe duke kontribuar në fuqizimin e ekonomik, që sot paraqet Partiotizmin modern. – Leonard Gega, Ju lutem që të pranoniFelnderimin si shenjë e respektit për punën e organizatës në fuqizimin e rinisë profesioniste shqiptare në SHBA.Seicili prej të nderuarëve falenderoi Konsullatën për vlerësimin.
Programi ka vazhduar me pjesën e dytë të koncertit të artisteve Klodina Kabashi Morina dhe Elona Muça. Koncerti ishte ndërtuar me:
– Fjalët e Qiririt-Limos Dizdari, Baladë-nga Kujtim Lara, Variacion mbi një temë popullore nga Fehmi Ibrahimi.(Dielli)
by dgreca
KATEDRALJA E SHËN GJERGJIT DHE BIBLIOTEKA NOLIANENDERUAN GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU DHE FAN S NOLI-/
– Vatra u përfaqësua me nënkryetarin e saj z. Agim Rexhaj, i cili krahas përshëndetjes përcolli edhe Kumtesën e përgatitë nga Editori i Diellit për kontributin e Editorëve të gazetës Diellit me studimet historike rreth figurës së Heroi Kombëtar: Fan S. Noli, Athanas Gegaj, Andon Frashëri, Nelo Drizari,Bilal Xhaferri, Edward Lico dhe Xhevat Kallajxhiu-
– Vatrës iu dorëzua Certifikata e Mirënjohjes nga Kryekancelari Atë Arthur Liolin-
Me 8 Dhjetor në Katedralen e Shëngjergjit në Boston u organizuan veprimtari nderuse dhe historike për 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu si dhe u nderua Kujtimi i Imzot Nolit në 110 vjetorin e Meshës së parë në Gjuhën shqipe. Ashtu sic kishte njoftuar Gazeta Dielli në disa numra radhazi dhe në publikimin online Kisha Orthodokse dhe Biblioteka Noliane i kishin bashkuar të dy përvjetorët, duke nderuar dhe Nolin si studues i Heroit Kombëtar, por dhe Misionin e Tij për Kishën Autoqefale dhe Meshën e Parë ën Gjuhën Shqipe në SHBA.
Studues të njohur si Prof. Nikolla Pano, Grant Harris nga Biblioteka e Kongresit, Agron Alibali, Neka Doko, përcollën të dhëna e interpretime interesante me kumtesat e tyre rreth Heroit Kombëtar.
Në përshëndetjen e tij z. Agim Rexhaj tha:
I dashur At’ Arthur Liolin
Të nderuar miq
Ndjehem shumë i privilegjuar që t’ju përshëndes sot nga kjo Foltore në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, në emër të Kryetarit të saj z. Dritan Mishto, Kryesisë, Këshillit të Vatrës, dhe degëve të saj në SHBA e Kanada, që ma deleguan mua përfaqësimin sot këtu, ngase një tjetër veprimtari zhvillohet po sot në Vatër me Kryeparlamentarin e Kosovës z. Kadri Veseli!
Po ashtu nuk mundi të vinte edhe Dalip Greca, Editori i Gazetës Dielli, gazetës më të vjetër të Botës shqiptare, që pas ca muajësh, me 15 shkurt 2019, feston 110 vjetorin e themelimit të saj me Editor të parë Imzot Nolin, ashtu si Kryekisha e Shëngjergjit dhe Biblioteka Noliane kujtojnë sot 110 vjetorin e Meshës në gjuhën shqipe të udhëhequr nga Imzot Nolit.
Kisha Orthodokse Shqiptare në Amerikë dhe VATRA, ishin dy shtyllat që mbajtën në këmbë çështjen Kombëtare Shqiptare në SHBA dhe i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë.
Emri i Imzot Nolit është gurë- themeli në Kështjellën e Shqiptarizmit në Amerikë; Noli është edhe tek Kisha, edhe tek Dielli, edhe tek vetë VATRA. Ndërsa e kujtojmë këtë përvjetor të 110 të Meshës në Gjuhën shqipe ne nderojmë Imzot Nolin dhe të gjithë ata që i shërbyen dhe i shërbejnë me devocion Kishës Orthodokse Shqiptare në ShBA duke ruajtur të shenjtë Autoqefalizmin.
Kjo veprimtari Juaja, shënon epilogun e të gjitha veprimtarive që u organizuan në Kujtesë të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta e saj Dielli i kanë paraprirë dhe e kanë mbajtu në qendër të veprimtarive figurën e heroit Kombëtar. Gazeta Dielli, përveç numrit special Kushtuar këtij përvjetori, që nxori në Ditën e Flamurit, në çdo numër të saj ka evokuar historinë që lidhet me emrin e heroit, ndërkohë që Vatra në bashkëpunim me institucionet fetare dhe organizatat e tjera të diasporës ka qenë bashkëorganizatore e simpoziumeve dhe konferencave shkencore kushtuar Heroit Kombëtar. Kështu së bashku me Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, Vatra realizoi një Konferencë me nivel shkencor me rastin e 550 vjetorit të Vdekjes të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Po ashtu Vatra ishte pjesë e një akademie shkencore, që u organizua në Michigan, ku ligjëruan studiues dhe akademikë të njohur nga trevat shqiptare.
Figura e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka shërbyer si një Ikonë e shenjtë për Diasporën shqiptare në Amerikë dhe Europë. Në mënyrë të veçantë për Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA, figura e heroit Kombëtar, ka mbajtur ndezur shpirtin e atdhetarizmit.Rexhaj përcolli pjesë nga Kumtesa e përgatitë me këtë rast nga Editori i Diellit, Dalip Greca, kumtesë që fokusohej në kontributin e Editorëve të gazetës Diellit me studimet historike dhe librat e botuar prej tyre rreth figurës së Heroi Kombëtar.Ndër ta përmendim: Fan S. Noli, Athanas Gegaj, Andon Frashëri, Nelo Drizari, Bilal Xhaferri, Edward Lico dhe Xhevat Kallajxhiu.(Për më shumë lexoni në Gazetën Dielli në print)