Dega e Queensit e Federatës Panshqiptare të Amerikëse”VATRA”me Kryetar Dr. Skënder Murtezani,me rastin e 3 tetorit(3 tetor 1949-2018) -ditëvdekjes të Apostullit të Shqiptarizmit, Mithat Bej Frashërit, e nderoi atë me një veprimtari përkujtimore dy orëshe në Roger Smith Hotel, në Manhattan(501 Lexinton dhe 47 Street) .
Veprimtaritë e deritanishme të kësaj dege ishin organizuar në Lexinton Hotel, që ndodhet jo shumë larg që aty (511 Lexington Ave, New York, NY 10017- në 51 Street), pasi media kishte aluduar më herët se ky ishte hoteli ku pat gjetë vdekjen atdhetari, Intelektuali i shquar, ajka e patriotizmit shqiptar, shkrimtari, diplomati politikani, që u shua në rrethana enigmatike me 3 tetor 1949 në Nju Jork, ndërkohë që udhëhiqte Komitetin Shqipëria e Lirë-Qeveria në mërgim e shqiptarëve. Duke bërë hulumtime arkivore, dhe pas takimit me administratën e Hotelit, Dr. Skënder Murtezani, konstatoi se Hoteli i dikurshëm- Winthrop, ku u shua Mithat Frashëri nuk ishte Lexinton, por Roger Smith. Madje në këtë hotel ruhet dhe emri i vjetër, ku pronarët e rinj, kanë përjetësuar emrin e hotelit të dikurshëm duke ruajtur dhomën me këtë emër”Winthrop Room”.
Në takimin përkujtimor përvec anëtarëve të degës së Vatrës Queens, morën pjesë edhe Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Dritan Mishto, nënkryetari Agim Rexhaj, sekretarja Nazo Veliu,anëtari i Kryesisë së Vatrës Zef Balaj, kryetari i Këshillit Shqiptaro-Amerikan Haxhi Dauti, editori i Diellit Dalip Greca, editorja per sec e gjuhës angleze të gazetës Dielli Rafaela Prifti, e të tjerë.
Takimin e ka hapur kryetari i degës dr. Skënder Murtezani, i cili edhe përmes monitorit ka përshkruar jetën e Mithat Frashërit, që nga lindja e derisa mbylli sytë, duke siguruuar edhe një material të pasur arkivor dhe fotografik. Dr. Murtezani ka meritën jo vetëm pse e perkujton me degën që drejton Mithat Frashërin, por ai ka siguruar dhe disa materiale rreth tij, përfshi bileten e udhetimit te tij në SHBAQ, certifikatën e vdekjes, kronikat në shtypin amerikan rreth vdekejs së tij enigmatike etj.
Editori i Diellit ka përshkruar pikëtakimet e Mithat Frashërit me Federatën Vatra, dhe ka paraqitë variantet e deritanishme të vdekjes enigmatike të Mithat Frashërit.
Veprimtarinë e ka përshëndetur Kryetari i Vatrës, Dritan Mishto. Ai përgëzoi kryetarin e degës Dr.Skënder Murtezani, për pasionin dhe përkushtimin në punët e Vatrës, duke vecuar veprimtaritë kushtuar Mithat Frashërit.
Kryetari i Vatrës kujtoi edhe veprimtarinë tjetër që u organizua nga z. Pëllumb Lamaj pranë varrit të Mithat Frashërit me 30 shtator 2018, ku u diskutua edhe për heshtjen që është mbajtë nga qeveria për zhvendosjen e eshtrave të Mithat Frashërit në Shqipëri rreth datës 22 nëntor 2018.
Nuk kanë mbetur më shumë se 6 javë nga lëvizja e eshtrave drejt Tiranës dhe komuniteti nuk ka ende asnjë njoftim nga ata që janë ngarkuar sipas qeverisë për lëvizjen e eshtrave. Vatra nuk do të lejojë që Mithat Frashëri të ikë në heshtje nga toka e Lirisë. Ne vatranët dhe komuniteti do t’ia bëjmë të gjitha nderet.(Dielli)-Specialen e pergatitur me kete rast do ta lexoni te plote ne Gazeten Dielli te printuar.Per me shume fotografi shkoni ne Facebook (dielli vatra))