• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Duart e Hapura”, Organizata që u vjen në ndihmë familjeve në nevojë

July 29, 2016 by dgreca

Bisedë me Z. Alexander Nilaj, president i shoqatës Duart e Hapura”(AAOHA)./

Qershori i këtij viti pati disa veprimtari në komunitetin shqiptar të Nju Jorkut, por ajo që tërhoqi vëmendje për nga qëllimi i organizimit ishte një mbrëmje humanitare, që pati si ideatore dhe udhëheqëse Organizatën Humanitare Shqiptaro-Amerikane”Duart e Hapura”(AAOHA). Tërhoqi vëmendjen kjo veprimtari sepse sillte një këndvështrim të ri në trajtimin e problemeve të vendlindjes. Veprimtaria i kushtohej familjes të një ish luftëari të UCK-së nga Klina,Veli Morina,i cili edhe pse kishte sakrifikuar gjithcka për lirinë e trojeve Kombëtare, ishte shpërblyer në mënyrën më të keqe nga pushtetarët; familja kishte mbetur keq, pa strehë e pa burime jetese, pa ushqime, dhe Veliu shiste kanoce.

Mbrëmja humanitare pati mbështetjen e një grupi artistësh dhe disa prej organizatave të komunitetit, ndër to dhe Federata Panshqiptare e Amerikës”Vatra”. E organizuar në Eastwood Manor Caterers me 3 qershor 2016, kjo mbrëmje u moderuar nga Dritan Haxhia, pronar i “TANI EUROPHOTOGRAPHY,në  NY.

Vatra u përfaqësua në veprimtari nga zv/kryetari Asllan Bushati, i cili edhe përshëndeti organizatorët, si dhe nga Zef Balaj, një nga donatorët e mbrëmejs, editori i “Diellit” Dalip Greca, dhe Lush Binaku. I pranishëm në këtë mbrëmje humanitare ishte edhe ansambleisti i Shtetit të Nju Jorkut z. Mark Gjonaj, i cili po ashtu u përcolli të pranishmëve një mesazh të vecantë. Një grup amerikanësh, ku spikaste avokati Steve Kaufman dhe të tjerë. Përshëndetën edhe Carl E. Heastie-New York Assembley Speaker, Jeffry Panish Member. Kryetari i Shoqatës “Duart e Hapura, Alexander Nilaj, ka falenderuar të gjithë ata që iu përgjigjën thirrjes së organizatës për t’i ardhë në ndihmë një familjeje në nevojë, falenderoi artistët dhe mysafirët VIP etj.

Gjatë mbrëmjes u lexua dhe një letër prekse e shkruar përmes lotëve nga e bija e Veli Morinës dhe u shfaq dokumentari rreth jetës së vështirë të familjes Morina.

Pas aktivitetit Gazeta “Dielli” zhvilloi një bisedë me kryetarin e Shoqatës AAOHA, z. Alexander Nilaj.

Dielli: – Z. Nilaj, si lindi ideja për ta ndihmuar familjen Morina në Klinë? Si u lidhet me familjen?

Alexandër Nilaj: Ideja për të ndihmuar familjen Morina në Kosovë më lindi pasi dëgjova një emision radiofonik përmes Radios Vicianes ne Gjermani. Bashkatdhetarja Vjollca Martini, me banim në Gjermani, lëshoi përmes valëve të radios një thirrje për ta ndihmuar familjen Morina në Klinë.Më ligështoi shumë fati i kësaj familjeje. Isha në punë teksa e dëgjoja emisionin e radios. Që në atë moment mora vendimin për ta ndihmuar familjen Morina.

Nuk është e drejtë që një ish komisar lufte të katandiset në një shitës kanoçesh-, thashë me vete.Kam marrë në telefon dhe ofrova ndihmën e parë me ushqime për këtë familje. Të hollat i dërguam tek Vjollca Martini, e cila mori përsipër që t’i blente ushqimet në Kosovë dhe t’ia dërgonte familjes. Me ndihmën e Vjollcës e  kontaktova vetë familjen Morina.Mora falenderimi të pafundme, por dhe lot e vajë.

Nga kontaktet dhe bisedat me familjen mësova se jetonte në një strehë të huaj dhe duhej të largohej brenda vitit. Atëherë vendosëm si organizatë që të organizonim mbrëmjen humanitare me komunitetin dhe të ardhurat e fituara, t’ia dërgonim familjes pesë anëtarësh, tre fëmijë, e zonja e sëmurë e shtëpisë si dhe kryefamilajri, që “zbuste” varfërinë duke shitë kanoçe..

Dielli: – Si ishte bashkëpunimi me organizatat dhe individët për konkretizimin e kësaj mbrëmje humanitare?

  1. Nilaj: Do të vlerësoja fillimisht këngëtarët e komunitetit: Hajro Ceka, Sammy Ceka, Agim Gerbeshi Alberie Hadergjonaj, Dj.Sammy dhe Dj.Ranti Zeneli, Lisa Bujaj, të cilët u treguan të gatshëm të bëheshin pjesë e mbrëmjes. U përpoqëm përmes telefonatave, emaileve, rrjeteve sociale, të kërkonim ndihmën e organizatave të tjera të komunitetit, një pjesë prej tyre u treguan të gatshëm.Do të përmendja; Vatrën dhe Gazetën Dielli me Kryetar z.Gjon Buçaj , Asllan Bushati, Zef Balaj , Dalip Greca , TVALB me z. Bajram Dreshaj dhe zonjën Drenusha, TV 21 me z. Halil Mula, Gazetën Malesia me Botues Vasel Gilaj, Euro Fresh Produce me z.Tonny Musaj me Familje, Bajraktari Realty me z. Harry Bajraktari , Exit Realty me z. Sonny Vataj, Alba Vip Realty me z. Pajtim Vuktilaj ,Assemblyman Mark Gjonaj , International Retail Wholesale Food Market, Rose petal Floral Designs Elsa Gjonaj ,Albanian American Society Foundation Esad A. Rizai , Classmates Forever Ardiana Maloku, Photojornalist te Gazeta Dielli Dritan Haxhia, Dukagjini Burek  me z.Marjan Kolnrekaj, Conties Bekery, Pelham Parkëay Neighborhood Association Edith Blitzer Andrea Sigal Jeffrey Panish , Plave Guci me z. Aleks Selimaj, Sons of Illyria me z Simon Gjonaj, Photonice Studio, Cakorri me z. Pjeter Boga , Euro Cot.Primal General Construction Ahmed Dilader, Pelham Parkway Vision Center, General Construction me z.Gezim Nilaj etj.

Dielli: Çfarë rezultati pati mbrëmja? Si e priti familja ndihmën tuaj

  1. Nilaj:- Në këtë mbrëmje Humanitare edhe pse pjesëmarrja nuk ishte e madhe ne e konsiderojmë një sukses , meqë të gjithë ata që morën pjesë në mbrëmbje apo dhanë kontributin e tyre kishin në zemër të tyre Humanizmin e pastër. Familja Morina, veçanërisht fëmijët, e pritën me gëzim e shpresë të madhe ndihmën. Ata thanë se komuniteti Shqiptar ua ngjallen shpresën e humbur dhe dashurinë për jetën.

Dielli- Ky nuk ishte i pari aktivitet i shoqatës tuaj, a mund të sillni për lexuesit e Diellit disa nga aktivitet  e shoqatës tuaj?

A.Nilaj: – Shoqata jonë “Albanian American Open Hand Association” e ka filluar aktivitetin që prej vitit 2014. Kemi organizuar disa aktivitet në fushën e humanizmit. Kemi dërguar ndihma me rroba në Bosnjë, kur ndodhën përmbytjet e mëdha, e pati shkatërrime. Ndihma jonë nuk u përqëndrua vetëm për shqiptarët që jetonin në ato zona, por për të gjithë komunitetin, si bashkësi.Së bashku me organizatën HOPE and PEACE me Presidente Mimoza Dajçi si dhe Pelham Parkway Neighborhood Association me President Zj. Edith Blitzer, kemi derguar në Shqipëri, disa herë ndihma, veçanërisht në Jugun e vendit, ku pati përmbytje të mëdha dhe shkatërrime të shtëpive dhe ekonimeve. Po ashtu  kemi grumbulluar ujë të pishëm me arka për të ndihmuar popullsiën pas Cunamit që ndodhi në Nepal vitin e kaluar.Ndihma në rroba kemi dërguar edhe në Republikën Domenikane. Organizata jonë ka ndihmuar edhe disa familje në Bronx, të cilat kanë pësuar dëmtime nga zjarret në banesa.Do të veçoja edhe një ndihmë të veçantë që i kemi dhënë familjes së Violeta Hysenajt në Kosovës, së cilës i kemi paguar qeranë e banesës për 7 muaj.Me aktivistët tanë ne kemi shpërndarë edhe ushqime nëpër familjet në nevojë këtu në Nju Jork. Nuk kemi bërë dallime, i kemi ndihmuar sipas mundësive të gjithë; kemi shpërndarë ushqime në festa shtetërore apo fetare, si  Vitin e Ri, Pashkët , Passover , festën e Pavarësisë të Shteteve të Bashkura të Amerikës, festave kombëtare shqiptare, por edhe atyre fetare si gjatë muajit të Shejtë të Ramazanit si dhe për Bajram etj. Përkujedsemi edhe për familje që marrin ushqime pothuaj për çdo muaj .

Dielli:- Diçka për planet e ardhshme të shoqatës?

  1. Nilaj: Mbetemi të fokusuar për të përfunduar shëtpinë e Veli Morinës në Klinë, kemi një plan dhe po punojmë për të dërguar ndihma në rroba për fëmijët e Shqipërisë, pasi kemi marrë një thirrje për ndihmë nga Motrat nga Shqipëria, do të vazhdojmë të shpërndajmë ushqime për familjet në nevojë. Shoqata jonë “Albanian American Open Hand Association”është organizatë e Çertifikuar me 501c3 dhe me licensë të Shtetit të Nju Jorkut. Për të gjithë ata që mund dhe dëshirojnë të japin kontributin e tyre për njerëzit apo familjet në nevojë duhet të lidhen me ne dhe t’i dërgojnë ndihmat tek ALBANIAN AMERICAN OPEN HAND ASSOCIATION Inc .

Adresa: Albanian American Open Hand Association

2141 Holland Avenue

Bronx,  New York 10462(Korresp i Diellit)

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: AAOHA, Aleksander Nilaj, dalip greca, duart e hapura, ne envoje, ne ndihme te njerezve

NJË HISTORI 65 VJEÇARE ME PËRMASAT E LEGJENDËS

July 28, 2016 by dgreca

FAMILJA BALAJ, 65 VJET NGA  IKJA PREJ RRETHIMIT KOMUNIST, NË BOTËN E LIRË GJATE FESTËS SË SHËN PALIT E SHËN PJETRIT ME 28-29 QERSHOR 1951/

NGA DALIP GRECA/

Të Martën e 28 Qershorit 2016, një grup vatranësh së bashku me familjet tona, ishim mysafirë të familjes së madhe  Balaj në Royal Regensy Hotel në Yonkers, NY. Ftesa na kishte ardhë prej vatranit të kahmotshëm Zef Balaj. Si për çdo vit familja kremtonte festën e Martirëve- Apostuj: Shën Pali e Shën Pjetri. Festimi i këtij viti ishte i veçantë sepse përkonte me 65 vjetorin e ikjes së familjes nga rrethimi i forcave të ndjekjes të sistemit komunist. Edhe në 28-29 Qershorin e largët të vitit 1951 familja përkujtonte në Mëzi të Pukës, në vendlindje, të njëtën festë, që është e shenjtë për Fisin Kabashi. Ndoshta mrekullia ndodhi nga që apostujt e morën në mbrojtje këtë familje fisnike për ta shpëtuar nga rrethimi komunist dhe për të realizuar ëndrrën e  lirisë amerikane.Edhe pse për dy net shtëpia u mbajt e rrethuar nga Forcat e Ndjekjes,familja Balaj, e ndihmuar nga nacionalistët e arratisur në mal, ia arriti që ta çajë rrethimin pa viktima….Të gjashtë pjestarët e familjes dolën shëndosh e mirë edhe pse ranë në pushkë…Por le të përshkruajmë fillimisht festën, për t’u kthyer më vonë tek historia që ndodhi para 65 viteve.

                                      FESTË DHE PËRKUJTIM

… Salla ku organizohet kremtimi është dekoruar si për festë.Në dekorin e saj,një banner që zotëron pamjen,  ka në qendër portretet e vëllezërve Balaj: Pjetër, Zef, Gjelosh, dhe nënës Zoja, si dhe shkrimin në dy gjuhë, shqip e anglisht, për përvjetorin e 65-të të ikjes nga rrethimi komunist.

Zef Balaj, u ka uruar mirëseardhjen mysafirëve. Ai kumton mesazhin e festës, që përbën një mrekulli për familjen Balaj dhe të gjithë fisin Kabashi, që e përkujton çdo vit. Mrekullia qëndron në faktin se familja jonë, tha ai, shpëtoi pikërisht në një natë të shenjtë tek kremton festën e Shën Palit e Shën Pjetrit, ndërsa ishte e rrethuar nga forcat komuniste. Më pas ai prezanton dom Nikolin Përgjinin për ndezjen e qirit dhe Lutjen fetare. Pas lutjes dom Nikolini bekon familjen Balaj, dhe drejton një uratë të veçantë për Pjetër Balaj, duke e uruar atë që të bëhet 100 vjeç dhe ta gëzojë ditën e emrit.

Kur u arratis Familja Balaj  kishte 6 anëtarë që kapërcyen kufirin, sot janë në SHBA 60-70 anëtarë(një pjesë e anëtarëve të familjes nuk janë në fotografinë e përbashkët të mbrëmjes festive për shkak të largësive apo dhe pushimeve). Pasardhësit, nipër e mbesa, janë edukuar me dashuri për vendlindjen, gjuhën, këngët e vallet, me nderimin për kombin Shqiptar. Tek i sheh që kërcejnë e këndojnë shqip, dhe tek mëson se sa të informuar janë për prejardhjen e tyre, sa krenarë ndjehen për origjinën, bindesh se ç’familje fisnike është.Rrugëtimi 65 vjeçar nuk e ka shpërbërë familjen, nuk e ka larguar nga traditat e të parëve, nuk ia ka zbehë ndjenjat kombëtare. Njëri ndër ta, Gjergj Balaj,(djali i vogël i Pjetrit, i lindur në SHBA) i njohur si aktivist i papërtuar i komunitetit shqiptar,i cili flet  një shqipe të pastër(të cilën e ka mësuar në familje), moderoi festën.

Gjergji përcjell shkurtazi në gjuhën angleze historinë se çfarë ndodhi me familjen Balaj, natën e 28 dhe 29 Qershorit 1951, dhe netët e ditët që pasuan, ç’ishte ajo mrekulli që i shpëtoi nga rreziku komunist, nga ai rrethim me shumë forca ushtarake. Gjergji e njeh me themel historinë e fisit Kabashi, historinë e kishës së vjetër të Shën Palit, dhe tërë historinë që mbart familja së cilës i përket.Ai ndjehet krenar për të, siç ndjehet krenar që ka gjak e gjuhë të Kombit të Gjergj Kastriotit e Nënë Terezës. Njeh historinë e Kishës dhe Kombit, flet për Kishën e Kabashit, e për Udhëtimin e tretë të Shën Palit në Iliri, duke kaluar nga Durrësi.

Asgjë nuk i mungoi festës, as këngët, as vallet, as fjalimet. Krahas humorit që përcjell Gjergji me grupin e djemëve dhe vajzave Balaj, bëhen edhe përshëndetjet e radhës. Danieli, me barcoletat plot humor me rrëfenja ndër shqiptarë e Amerikës, e bën sallën që të qeshë për një kohë të gjatë.

Lush Binaku me çiftelinë e tij ngriti në valle gati të tërë sallën, duke luajtur bukur me Gjergjin në duetin e këndshëm: ngrehu Zef na merr një valle ….!

Një festë e bukur që u mbyll pas mesit të natës….

                                   PERSHENDETJET

 Më pas Zef Balaj paraqet njeriun e afërt të familjes,  kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Buçaj për të bërë përshëndetjen e rastit.Duke iu drejtuar Pjetër Balaj, që para 65 viteve ishte djalë i ri, por me rol kyç në atë arratisje, paçka se sot është i ulur në karrige, dr.Buçaj uroi: Mirë se të kemi gjetë , o Pjetër Gjoni!

Gëzuar Festën e Shën Palit,- që po kremtojmë sonte! Gëzuar Festën e Shën Pjetrit që e festojmë nesër, – dita e emrit tënd!

Kjo është festa që e mbanë bashkë fisin e Kabashit. Është kremtim,por është dhe festë. Fati e desh që kjo familje ta çante rrethimin komunist dhe ta kapërcente kufirin pa viktima, edhe pse ra në pushkë me ndjeksit. Atë kohë unë e mësova lajmin nga Shqipëria, por dy javë më pas, familja ime së bashku me mua, e kapërcyem kufirin dhe u takuam në Kosovë. Natyrisht që emigrimin nuk e ndjemë aq shumë në Kosovë se ishim mes vëllezërve të gjakut. Ishim me fat që pasi kaluam në Itali, vazhduam rrugëtimin drejt tokës se bekume, tokës së lirisë, Amerikës. Jam pjesë e afërt e kësaj familjeje dhe ndjehem mirë për përparimin e familjes Balaj këtu në SHBA; ndjehem mirë edhe për faktin se ajo si shumë familje të tjera, ka ruejtë traditat, siç është edhe ky kremtim i Shën Palit e Shën Pjetrit, ku shumë fise i janë bashkuar fisit Kabashi, e mbylli përshëndetjen e tij kryetari i Vatrës..

Një tjetër person i afërt me familjen Balaj, është vatrani Sergio Bitiçi. Ai tregon se ka 60 vjet që njihet me Zef Balaj dhe familjen e tij. Madje kujton edhe kohën kur me Zefin studionin në një klasë në gjimnazin e  Prishtinës, në Kosovë, dhe kur atje shkonte e i takonte Pjetër Balaj, që aso kohe ishte një djalë i hijshëm, i gjatë dhe fjalëmbël. Më pas, Bitiçi kujton se Zefin me familje, UDB-ja i dërgoi në kampin famëkeq të Gerovës në Kroaci, një kamp ku kishte emigrantë politik nga Hungaria, Shqipëria, Rumania e vende të tjera të Ballkanit. Ai tregon se në atë kamp kishte kushte të vështira, dhe masat shtypse ishin represive.

Sergio sjell copëza kujtimesh nga jeta e përbashkët në Kosovë dhe këtu në SHBA, ku miqësia mes dy familjeve është e pandarë.

NACINONALISTËT PËRBËNIN YNDYRËN E KOMBIT

Simon Qafa flet plot emocion tek uron familjen Balaj, familjen Mhilli (Bëhet fjalë për familjen e Tom Kol Mhillit, djali i të cilit u martua me motrën e Kujtim dhe Simon Qafës,familjes  që u arratis së bashku me familjen Balaj), dhe familje të tjera që festojnë këtë festë. Ai thotë se ndjehet i emocionuar, por nuk mund të rrijë pa i thënë ca fjalë për ata burra që lidhën besën kundër komunizmit dhe nuk e thyen premtimin. Baba i tij, Pjetër Qafa, u arrtis dy vjet para familjes Balaj. Por ajo çfarë e ngroh zemrën time,thotë Simoni, është se këta burra vinin jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar familjet kundërshtare të komunizmit.Edhe pse ata e patën kaluar rrezikun duke i kapërcyer familjet e  tyre në Ish Jugosllavi, ktheheshin pas për të marrë grupet e familjeve të tjera të rrezikuara.Pra ata rrezikuan shumë herë jetën e tyre sepse e cmonin lirinë.

Ajo ç’ka e emocionon edhe sot Simon Qafën është fakti se të gjithë ata nacionalistë që patën lidhë besën që në Shqipëri se nuk do të thyeheshin në luftën kundër komunizmit,nuk do ta tradhëtonin kauzën e lirisë, e mbajtën atë edhe në Jugosllavi, edhe në Itali, e derisa erdhën këtu në SHBA. Burra si ata, Pjetër Gjon Balaj, Pjetër Çup Qafa, Pjetër Nua Beqiri, Mark Zogu, Çun Jakiçi Kuraj( ky i fundit ishte shpëtimtari i Genc Korçes natën e Vitit të Ri 1952) ,e dhjetëra të tjerë si këta, ishin yndyra e Kombit, komentoi Simoni.

Duke u kthyer nga Pjetër Balaj, Simon Qafa tha: Ja, shiheni atë Pjetër Gjonin që qëndron sot në karrige i pafjalë! Ai është yndyra e Kombit pse rrezikoi gjithçka, familjen, jetën e tij, dhe e mbajti premtimin për të mbetur deri në fund i papërkulur kundër komunizmit, rrezikoi duke ndihmuar familjet nacionaliste për të kapërcyer kufirin.

Më vjen keq, tha Simon Qafa, që edhe sot, këtu në demokracinë amerikane, ka shqiptarë që simpatizojnë partinë komuniste apo trashëgimtarët e saj. Historia do ta tregojë se kush ishte në rrugën e drejtë të Zotit dhe të Kombit, e kush në rrugë e shtrembër. Kurrë më komunizmi, kjo mortje, që ia bëri të zezë jetën shqiptarëve të Shqipërisë, atyre të Kosovës, të Maqedonisë dhe kudo!-e ka mbyllë fjalën e vet Simon Qafa…

                             PERSONAZHET E ASAJ NATE KUJTOJNE

…Personazhe të gjallë që i shpëtuan rrethimit të 28 -29 qershorit 1951 dhe më pas kaluan kufirin, janë sonte në sallë: Zefi me vëlla Pjetrin, motrën Mire dhe kunatën Lula, bashkëshorten e të ndjerit Gjelosh Balaj. Secili e kujton në mënyrën e vet atë ikje dhe shpëtimin prej rrethimit.Pjetri  ka më shumë për të treguar, por ai zgjedh heshtjen kur i biri, Gjergji i afron mikrofonin.

Kur Gjergji e përsërit pyetjen, Pjetri jep përgjigje të shkurtër:- Po ja, ikëm,shkuam në Kosovë, në Itali dhe…  erdhëm këtu!

– Faleminderit,që erdhët, i thotë i biri. Rrezikuat ju, por shpëtuan fëmijët.

Pjetri buzqesh…

Lula kujton gjithçka, që nga rrethimi, jeta e vështirë në mal, kapërcimi i frikshëm i kufirit, rënia në pushkë, jeta në Kosovë… Ajo e ka një peng që nuk e harron: pesë ditë para ikjes i kishte vdekë një foshnjë,djali 1 vjeç e 3 muajësh, që mbeti andej. Njërin djalë e ka lindë në kampin famkeq të Gerovës. Pjetri ka në kujtese dy foshnje, që u shuan në Kosovë nga kushtet e vështira. U varrosën atje, dhe atje mbetën….

– A të kujtohet ajo natë?-e pyet Gjergji, hallën Mire.

– Po si nuk më kujtohet, i kthehet ajo. Si të ishte dje. Më kujtohet gjithçka: Çasti më i vështirë ishte kur erdhën ata të malit e shtëpia ishte e rrethuar nga forcat e ndjekjes. Edhe në mal kemi vuajtë. Më kujtohet kur u bashkuam me famlijen Mhilli. Nuk mund të harroj kalimin e kufirit. Më kujtohet Pal Biba kur na tha se po ramë në pushkë, të mos friksoheshim por të binim barkas.Kur krisën pushkët Zefi na iku para me Pjetër Smajlin. Ne mbetëm aty. Erdhi më pas Pal Biba që na mori.

Me familjen Balaj u bashkua në Kosovë edhe familja e Nua Ademi Perpepaj. Prele  Përpepaj, kujton se familja e tyre kanë ikë në të njëjtin vit me Balajt, në vitin 1951. E kanë lënë sofrën shtruar, ashtu si Balajt, dhe kanë mbyllë derën. Kur kanë shkuar fqinjët të nesërmen, e kanë mësuar të vërtetën e arratisjes. Në Kosovë u takuan me familjen Balaj dhe prej asaj kohe nisi dhe vazhdon edhe sot kumaria. Shkojnë sikur të ishin një familje, sikur te ishin të një gjaku. Në kampin e Gerovës ishin bashkë të dyja familjet. Prel Perpeaj kujton edhe arratisjen nga Gerova në Itali. Pjetër Balaj, tregon ai, e mori Zojën(nënën) ne shpinë… Zefi kujton mëngjesine  parë pas ikjes nga Gerova. Kishte rënë vesë dhe lëndina ishte e lagur. Pjetri me nënën në shpinë…Mëngjesi i parë në Perëndim…Po preknin lirinë.

Jetë e vështirë më përmasat e legjendës….Ndiqeni historinë…

HISTORIA-LEGJENDË, ÇFARË NDODHI MË 28 QERSHOR 1951?

Në kujtesën e Zef Balaj, aso kohe një fëmijë 9 vjeçar, ngjarja ka ndodhë kështu: Familja Balaj në Mëzi të Pukës po përgatitej për të festuar Festën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Familja e madhe po mblidhej bashkë,kishin ardhur edhe vajzat e dhëndurët. Njëri djalë i familjes, Pjetri, ishte roje pyjesh aso kohe.Ndërsa kthehej për në Mëzi atij i çon fjalë dhëndri, Jak Mirakaj, që të merrte të shoqen, vajzën e Balajve në Iballë dhe do të takoheshin për festë  në Mëzi. Pjetri dhe motra udhëtojnë për më shumë se dy orë prej Iballe. I ka zënë nata në Arest-Miliska. Ecin nëpër terr. Diku në qafë  Grie,afër shtëpisë Balaj, Pjetrin e ndalin  ushtarët e Mbrojtjes. Pasi e verifikojnë se kush është e urdhërojnë: Motra të shkojë në  shtëpi, ndërsa ti na duhesh, do të qëndrosh sonte me ne për një detyrë të veçantë!

Për Pjetrin nuk ka zgjidhje tjetër, urdhëron motrën të shkojë në shtëpi dhe vetë qëndroi me ta. Komandanti, duke e konsideruar Pjetrin të sigurtë, njeri të besuar,i tregon se atë natë në Mëzi pritej të vinin diversantët për tu furnizuar me ushqime.

Madje ai ka treguar edhe planin që kanë hartuar:- Do të rrethojmë shtëpinë, bazën ku ata do të shkojnë dhe do t’i kapin në befasi ose do t’i vrasin.

Pjetrit i ther në shpirt, ndërsa komandanti flet për shtëpinë, që do të rrethojnë. Fillimisht Pjetri nuk e di se bëhet fjalë për shtëpinë e tij.Kur e mësoi,heshti.  I duhet të durojë, të duket i qetë dhe të presë momentin për ta ndihmuar familjen. Ushtarët e mbrojtjes i afrohen shtëpisë dhe qëndrojnë para saj, në distancë nga hyrja, përrreth gardhit.

-Ja kjo është shtëpia-, thotë komandanti.

Pjetri guxon dhe e pyet: A e keni verifikuar mirë se mos nuk është e saktë informata? A është kjo shtëpia ku do të vijnë diversantët?

-Po po, thotë komandanti, pse po dyshon?

Pjetri nuk e jep veten. Mirë që nuk ia shquanin fytyrën në errësirë. Një luftë e brendshme zhvillohej në shpirtin e tij duke menduar rrethimin, ardhjen e mysafirëve të malit…Situatën në të cilën do të ndodhej familja dhe ai vetë…

Po i thotë edhe një herë komandantit: -Ndoshta ata që ua kanë dhanë informatën, kanë dashtë me u çorientuar, se kjo që kemi rrethuar s’mund të jetë bazë për diversantët, ajo është shtëpia ime.

–       Kemi urdhër të rrethojmë këtë shtëpi, thotë komandanti prerazi.

Pjetri ka heshtë sërish… është ulë me komandantin nën hijen e manit dhe po mendohet. Dikur po i thotë:- Me sa shoh kemi për të qëndruar gjatë këtu. A po më lejon të hyj në shtëpi dhe të sjell ca mish ferliku që është gati për festë e ca raki?

–       Mirë i thotë komandanti,- shko, por kujdes, asnjë fjalë….

Pjetri sapo hyn i afrohet vëllait Gjelosh dhe i tregon me një frymë për rrethimin jashtë shtëpisë. Shtëpia ishte e mbushur plotë, ishin aty edhe tri vajzat e shtëpisë me burrat e tyre, dhëndurët e familjes Balaj.

–       Po po, e mora vesh, po i thotë i qetë Gjeloshi, ma tregoi motra Lusha, dhe shton: dy kaçakë do të vijnë sonte për furnizim me ushqime. Kjo dihet, jemi njoftuar.

– Po si do t’ia bëjmë?- e pyet Pjetri. Po sikur të vjnë ata të malit dhe të bien në rrethim?

Bëhej fjalë për Pashk Ademin, Nua Lush Mirakaj e të tjerë që priteshin nga çasti në çast.

-Shohim e bajmë,ata do të vijnë, është e sigurtë se kanë nevojë për ushqime, po ti shko që të mos tërheqësh vemendjen e komandantit. Shpejt e shpejt u lidh fjala: Kush të shpëtojë, takimi në Bjeshkë…

Pjetri merr mish e raki dhe kthehet tek forcat e mbrojtjes.

Ndërsa jasht hahej e pihej raki , kanë ardhë fshehtazi për furnizime njerëzit e malit,duke lëvizur barkazi përmes arës me misër dhe kanë hyrë nga dera e pasme e shtëpisë Pashk Ademi edhe Nush Lush Mirakaj.

Gjeloshi, pasi i ka furnizuar me ushqime, u thotë që të ktheheshin sa më shpejt, që të mos tërhiqnin vëmendjen e ushtrisë që e mbante të rrethuar shtëpinë. Ata lënë vendin e takimit për të nesërmen në darkë,në bjeshkë dhe  largohen pa ra në sy.

Kur ka ra drita komandanti i ka thënë Pjetrit: Shko ti Pjetër fli e shlodhu se na duhesh natën tjetër prapë. Ata nuk erdhën mbrëmë por jam i sigurtë se do të vijnë sonte natën, thotë komandanti.

Shkoi Pjetri. Natyrisht që nuk mund të flinte. E diskutuan me Gjeloshin se si do të vepronin. Patjetër duhej vepruar shpejt. I pyetën dhëndurët dhe motrat se kush ishte gati me dalë në mal e me u arratisë.Kush nuk kishte mundësi për shkak të lidhjeve familjare, gjendjes shëndetësore,  e gjendjes së familjeve, duhej të largoheshin menjëherë, pa u kompromentuar, pa ra në sy të pushtetarëve komunistë. Nue Marashi prej Fierze, që ishte martuar me njërën nga vajzat e shtëpisë Balaj, thotë se nuk mund të arratisej. Edhe Palok Marku, dhëndri tjetër, tha se nuk kishte mundësi të arratisej.

-Ju , u thotë Gjeloshi dhe Pjetri, duhet të largoheni sa më shpejt, që të mos u zërë nata këtu se, ndryshe u piu e zeza. Mos u bëni pjesë e arratisjes tonë.

Familja Balaj qëndroi atë ditë në shtëpi duke kryer secili punët e veta. Në mbrëmje sapo nisi terri, kanë lënë sofrën e festës shtruar, dhe kanë dalë e janë ngjitë në bjeshkë, pa ra në sy të askujt. Në Bjeshkën e Dardhës u takuan me kaçakët e Pukës dhe të Mirditës.

Nga ana tjetër forcat e mbrojtjes kanë mbërritë pak ma vonë, pa e lajmëruar Pjetër Balën dhe e kanë rrethuar shtëpinë njësoj si natën e mëparshme. Kanë ndarë detyrat mes ushtarëve dhe po  presin të sigurtë se atë natë nuk do të dilnin bosh. Janë të sigurtë se “mysafirët” e malit do të vinin. Komandanti kishte thënë se ndoshta informatori kishte ngatërruar natën e ardhjes së tyre. Pritën ashtu në heshtje të thellë deri në mëngjes kur ra drita. Bagëtia nisi të blegërinte. Pulat po zbisnin nga kotecët.Qetësi… Asnjë lëvizje njerëzish…Asnjë frymë e gjallë njerëzore…Komandanti vetë në krye urdhëron ushtarët dhe nisen drejt shtëpisë të shohin se çfarë po ndodh brenda saj. Kur hapën dyerët e mësuan të vërtetën. Sofra ishte shtruar, plot me ushqime. E kuptuan se familja është larguar gjatë mbrëmjes, pak më përpara se ata të vendosnin rrethimin. Menjëherë dha urdhër për zënien e shtigjeve nga mund të kalonin. Caktoi një fshatar që t’i merrte bagëtitë për t’i dërguar në qendër të lokalitetit, në Iballë. Familja, nga maja e bjeshkës,ku po qëndron e fshehur, po i sheh bagëtitë që ecin varg të shoqëruar nga bashkëfshatari i tyre Mëzias. Nxehet Pjetri dhe bën gati pushkën: – Do ta vras,- thotë.

-Jo i thotë Gjeloshi, nuk është ai fajtori. Atë e kanë detyruar….harroji bagtëitë, të shpëtojmë njerëzit…

Në zonë ishte dhënë alarmi. Forcat e Mbrojtjes kërkonin gjithandej. Masa e parë që morën ishte bllokimi i Vaut të Dardhës, ku mendohej të kalonte Drinin familja e arratisur. Për rreth tre javë familjes i duhej të qëndronte në mal e fshehur. Ushqimet u mbaruan pas dy javësh. Nuk kishin rrugë tjetër veçse të ushqeheshin me lende dushku, kujton Zefi.

Ndërsa forcat e Mbrojtjes po i kërkonin, luftëtarët e Pashk Ademit, përgatisnin mbartjen e familjes dhe shpëtimin e saj duke menduar për ta nxjerrë përtej kufirit. Pal Bib Mirakaj, Gjon Gjinaj, Marka Zef Ndreca, rreth 20 luftëtarë janë bashkuar, kanë marrë edhe familjen Mhilli dhe të dyja familjet i kanë përgatitë për të kaluar vaun e Dardhës, ndërkohë që luftëtarët e tjerë nacionalistë vazhduan rezistencën në bjeshkë me forcat e ndjekjes, duke siguruar murin mbrojtës.

Zefi, që aso kohe ishte një fëmijë 9 vjeçar, kujton se nacionalistët kanë marrë me vete edhe një viç(tek shtëpia Mhilli) dhe pasi e kaluan Drinin mbërritën në Qafë të Zogajt të Gjakovës dhe atje e prenë viçin dhe e gatuan për të shuar urinë.

-Aty, thotë Zefi, kam pa se si zihej viçi në plëncin e vet, pa pasë nevojë për enë kuzhine.

Në kujtesën e Zefit ka mbeti momenti i kalimit të kufirit. Ishte natë. Qetësi që trembte. Pal Bibë Mirakaj u ka dhënë udhëzime se si duhej të kalohej kufiri dhe ka bërë përpjekje për t’u larguar frikën të vegjëlve. Ai porosit të vegjlit që të kapeshin përdore me të rriturit dhe të mos i lëshonin.Ai i parapriu të vegjëlve për ndonjë përplasje me forcat e kufirit, duke u thënë se ne bëjmë edhe lojra e qesim pushkë… Ju, nëse dëgjonin ndonjë të shtënë, të mos frikësoheshin por shtrihuni përtokë dhe prisni.…Pikërisht në një moment të atillë, kur kanë plasë krismat, Zefi nuk është shtrirë batrkas, por ka ecë përpara me Pjetër Smajlin. Ka humbë për një moment, kur të tjerët kanë qëndruar në vend. Kthehet pas Pal Biba dhe i merr ata që kishin mbetë pas dhe i bashkon të gjithë bashkë.

… Kështu shpëtuan nga forcat e ndjekjes dhe u dorëzuan në postën më të afërt….

I çuan në Kosovë në Bobajt e Brokës, prej andej i lëvizën disa herë. Në Kosovë qëndruan 10 vjet. Familja u dërgua në kampin famkeq të Gerovës, nga ku u arratis së bashku me familjen Perpepaj. Nga Kosova në Itali(ku qëndruan dy vjet) e prej andej në Amerikë. Kur arritën në Amerikë familja Balaj përbëhej prej 11 vetash, sot janë rreth 60-70. Në Kosovë lanë një pjesë të dhimbjes, dy fëmijë të Pjetrit dhe një të Gjeloshit, të cilët vdiqën foshnje të parritura…Ja kjo ishte historia që familaj Balaj e kujton gjatë çdo feste të Shën Palit e Shën Pjetrit! Një histori për të mos u harruar, me të cilën ushqehen brezat! Një histori me përmasat e legjendës, që përcjell mesazhin se mrekullitë ekzistojnë….

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, E LEGJENDËS, FAMILJA BALAJ, ME PËRMASAT, NJË HISTORI 65 VJEÇARE

BASHKATDHETARJA ME BANIM NË ITALI NDJEHET VATRANE

July 23, 2016 by dgreca

Quhet Rozina Sheme Bernardis. Jeton në Trieste, Itali. Një vizitë tek të afërmit e saj në shtetin e Nju Jorkut i dha shkas të njihet me Vatrën dhe vatranët. Një problem i shëndetit e njohu me dr. Nexhat Kaliqi, anëtar i Kryesisë së Vatrës dhe kryetar për degën e Newbourgh, Nju Jork. Doktori jo vetëm që i dha ndihmë të kualifikuar mjeksore, por i foli edhe për Vatrën, historinë e saj 104 vjecare, për gazetën e saj që është në moshën 107 vjecar,e themeluar dhe editura nga kolosët e kulturës Kombëtare Fan S. Noli, Faik Konica e të tjerë. Takon dhe vatrane te tjere. Nje nder ta Samy Ramushaj. Rozina bëhet kurreshtare dhe kërkon të dijë më shumë për Vatrën për Fan Nolin e Faik Konicën. Ajo abonohet në Gazetën Dielli dhe kërkon që në udhëtimin tjetër të prekë historinë e Vatrës. Shkon në Itali dhe në udhëtimin e dytë që e bëri pas një muaji kërkoi nga Samy Ramushi nëse mund të realizohej vizita e saj në Vatër. Pas një telefonate editorit të Diellit, së bashku me Samy dhe nipin e saj Rudi, Rozina me 24 qershor arriti në Bronx. Një kafe’ si mirëseardhje në Princ Cafe, dhe drejt e në Vatër.

E priti Editori i Dielli dhe i foli për historinë e Vatrës ndër vite, për rolin e shqiptarëve të Amerikës në ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, për Trupat Vullnetare të Vatrës që shkuan dhe mbrojtën Shqipërinë, për Bandën muzikore të Vatrës, për për gazetën Dielli, për fushatat e Vatrës, etj. Rozina preku nga afër historinë e Vatrës, u njoh me Nolin dhe Konicën, mësoi për veprimtaritë e këtij viti kushtuar Konicës, dhe preku dokumentet e vjetra, që konfirmojnë historinë e Vatrës në rolin e shtetit të munguar shqiptar etj.
Tash Roz është pjesë e degës së Vatrës në Newubourgh, New Jork, merr cdo muaj me anë të postët disa kopje të gazetës Dielli dhe ua shpërndanë bashkatdhetarëve tanë që ka për rreth.
Ajo falenderoi Samy Ramushaj për mundësinë që i dha për ta vizituar Vatrën, dhe editorin për shpalsojen e Historisë së Vatrës. Nipi i saj, Rudi, tregoi interes të vecantë dhe tha se po ashtu edhe ai ndjehej i gëzuar që e kishte parë, prekur, dëgjuar Historinë e Vatrës.
Rozina Sheme ka lindur në Berat dhe jeton Trieste, Itali.(Dielli)

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Rozina Sheme Bernardis, viziton Vatren

DHURATA TË VEÇANTA PËR VATRËN NGA ARTISTËT YLLI KALAJA DHE RAKIPE KARAJ

July 23, 2016 by dgreca

 Kompozitori Ylli Kalaja kishte sjellë një dhuratë -surprizë, në bashkëpunim me djalin e tij Aulon Kalaja, babë e bir, kishin shkruar e kompozuar një këngë kushtuar Vatrës. Tekstin dhe notat e këngës së muzikuar u vendosën në arkivin e Vatrës. Po ashtu Ylli Kalaja dhuroi dhe CD-në e tij”PENTAGRAM” me 11 krijime origjinale të tij. Nga ana e saj, këngëtarja Rakipe Karaj dhuroi CD-në e saj më të fundit”MALL”, që përfshinë 11 këngë me muzikë të Ylli Kalaja, tekste të Aulon & Florian Kalaja, orkestruar nga Roland Guli./

Shumë nga vizitorët që vijnë në Vatër sjellin dhurata simbolike. Ka këtu simbole kombëtare, flamuj, albume me bukuri nga viset Kombëtare, albume historike, tablo piktureske, tablo pikture, CD me këngë atdhetare, ka statuja të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të Nënë Terezës, libra të rrallë etj… Kohët e fundit dhurata të veçanta janë dhuruar nga artistët Shqiptarë, kompozitori Ylli Kalaja dhe këngëtarja Rakipe Karaj.Të dy artistët ishin të ftuar nga Vatra për të kontribuar për Festivalin e katërt “Zërat e rinj 2016′ organizuar në Nju Jork nga Pranvera Çobo. Para se të largoheshin nga Nju Jorku artistët vizituan Vatrën. Kompozitori Ylli Kalaja është i njohur si fitues i çmimeve Kombëtare në Festivalet Kombëtare të  Fëmijëve për dekada, ndërsa këngëtarja e talentuar, Rakipe Karaj, e pëlqyer aq shumë për publikun shqiptar në vendlindje dhe në Diasporë, veçanërisht shumë e njohur me këgët me Pleqtë e Krujës.Ata ishin mysafirë të Kryetarit të Vatrës, dr. Gjon Buçaj, dhe zonjës së Tij, Nikoleta Buçaj. Mysafirët i shoqëronte artistja shkodrane, Pranvera Çobo, organizatore e katër Festivaleve për fëmijët e talentuar në SHBA, i njohur si Festivali “Zërat e Rinj “. Ylli Kalaja , ishte kryetar i Jurisë së Festivalit,”Zërat e Rinjë 2016” i organizuar me 13 Qershor 2016, në mjediset e  “Symphony Space” që ndodhet në Broadway, 95 street në Manhattan , Nju Jork, me të në Juri ishin edhe Rakipe Karaj , Ilir Dangëllia dhe Paulin Trieshi.

Gjatë vizitës në Vatër mysafirët u njohën me historinë 104 vjeçarë të Vatrës dhe historinë 107 vjeçare të Gazetës së saj “Dielli”. Kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj u prezantoi qëndresën e Vatrës ndër vite falë kontributit të një grupi atdhetarësh që dhanë gjithçka që ajo të mos shuhej për më shumë se një shekull. Dr. Buçaj i ka njohur mysafirët  edhe me dinamikën e rritjes së degëve të Vatrës pas festimit të 100 vjetorit të themelimit të saj me 28 dhe 29 Prill 2012. Vatra ka nisë ripërtëritjen e saj duke ngritur degë nëpër shumë shtete të Amerikës dhe në Kanada, si dhe një forum me të rinjët e Vatrës. Vatranët, tha ai, janë idelalistët e Kombit. Dr. Buçaj i informoi mysafirët artistë edhe për mbështetjen që u jep Vatra veprimtarive kulturore në Diasporë, siç është edhe festivali i Zërave të rinj, një nismë dhe realzim i artistes pasionante Pranvera Çobo, njëkohësisht Vatra, tha ai, ka dhënë mbështetje për promovime librash e autorësh, ka dhënë dhe jep mbështetje për shkollat shqipe, mbështet koncertet e artistëve shqiptar etj. Po ashtu dr. Buçaj i ka njohur ata edhe me veprimtaritë e Vatrës në “Vitin e Faik Konicës-2016″, ku përveç promovimit të librit me dy novelat e Konicës, të pvrgatitura nga studiuesi Fotaq Andrea dhe sponsorizuar nga Vatra,  do të ketë edhe ekspozitë me objekte që i përkasin shqiptarit të madh Faik Konica.

Editori i Diellit, Dalip Greca, i njohu mysafirët me kontributin e madh që ka dhënë Vatra në fushën e kulturës për gjatë një shekulli: Ai përmendi Bandën Muzikore të Vatrës, që shkoi në Shqipëri dhe u shëndrrua Bandën Kombëtare të Shtetit Shqiptar, së bashku me Trupat e Vatrës. Më 1920 Banda muzikore e drejtuar nga Thoma Nassi, shkoi në Shqipëri, dhe u bë pjesë edhe e Luftës së Vlorës, madje dhe muzika e këngës Hymn të Luftës së Vlorës”Vlora-Vlora” është kompozuar nga dirigjenti i bandës së Vatrës,Thoma Nassi. Po ashtu, tha editori, Vatra kishte Hymnin e saj me tekst të shkruar  nga intelektuali Çam Refo Çaparit dhe muzikë të kompozuar nga Ajdin Asllani, ky Hymn u ringjall gjatë 100 vjetorit të Vatrës falë artistit Zhani Ciko dhe korit të Ansamblit Kombëtar dhe iu dhuruan Vatrës me rastin e 100 vjetorit nga ish kryeminsitri Sali Berisha.Editori përmendi punën e madhe që bëri Vatra edhe për dërgimin e artistëve amerikanë në Shqipëri, që në vitet 20-30 të shekullit të shkuar organizuan ekspedita njohëse dhe eksploruan folklorin shqiptar dhe ku u kthyen këtu promovuan Shqipërinë, duke dhënë koncerte me këngë që i mblodhën gjatë këtyre ekspozitave. Në Vatër, tha editori, kanë kontribuar dhe njerëz tyë mëdhenj, sic ka qene mjeshtri botëror i fotografisë, Gjon Mili, i cili në vitet 1926-27 ishet dhe anëtar i bordit të Vatrë, duke kryer detyrën  e arkëtarit të saj.

Mysafirët thanë se ndjeheshin të privilegjuar që preknin nga afër Historinë e Vatrës dhe objektet e kësaj historie, e cila ka bërë aq shumë për Kombin shqiptar. Ata falenderuan Vatrën dhe kryetarin e saj dr. Gjon Buçaj, për përkrahjen dhe mbështetjen që u japin artistëve dhe veprimtarive muzikore, si dhe për ftesën  për këtë vizitë në SHBA.

– Vatra, për ne, është simbol i dashurisë për Kombin dhe simbol i bashkimit, tha kompozitori Ylli Kalaja. Ai shfaqi mendimin se qeveria duhet të jetë më afër diasporës shqiptare dhe ta ndihmojë atë, sidomos në fushën e mbajtjes gjallë të gjuhës shqipe dhe traditave kombëtare, duhet të investojë edhe në fushën e kulturës dhe për shkollat shqipe. Më erdhi keq, shtoi ai, që në festivalin e fëmijëve nuk kishte një përfaqësues nga Konsullatat shqiptare dhe as asaj të Kosovës. Pranvera Çobo, për mua është artiste heroinë, tha Kalaja. Të organizosh një festival vetëm, të shpenzosh me financat e tua, të udhëtosh nëpër shtete të amerikës me ta ardhurat e tua, është tepër e vështirë. Dhe ajo nuk ka organizuar një, por katër festivale, dhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar heshtin… të paktën t’u thonin:Urime…Ju lumtë…vazhdoni se nderoni Kombin!

Edhe këngëtarja Rakipe Karaj falenderoj Vatrën për ftesën dhe përgëzoi kryetarin e Vatrës për punën e shkëlqyer në shërbim të kombit.

Të dy artistët i dorëzuan kryetarit të Vatrës dhurata të veçanta; Kompozitori Ylli Kalaja kishte sjellë një dhuratë -surprizë, në bashkëpunim me djalin e tij Aulon Kalaja, babë e bir, kishin shkruar e kompozuar një këngë kushtuar Vatrës. Tekstin dhe notat e këngës së muzikuar u vendosën në arkivin e Vatrës. Po ashtu Ylli Kalaja dhuroi dhe CD-në e tij”PENTAGRAM” me 11 krijime origjinale të tij. Nga ana e saj, këngëtarja Rakipe Karaj dhuroi CD-në e saj më të fundit”MALL”, që përfshinë 11 këngë me muzikë të Ylli Kalaja, tekste të Aulon & Florian Kalaja, orkestruar nga Roland Guli.

Kryetari i Vatrës, që shoqërohej në këtë pritje nga zonja Nikoleta Buçaj, Marjan Cubi, Zef Përndocaj dhe Dalip Greca, falenderoi për dhuratat.(Gazeta Dielli)

 

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Gjon Bucaj, Rakipe Karaj, Vater, viziat, Ylli Kalaja

JA PSE DUHET TË TROKISNI NË ZYRËN E AVOKATES SË EMIGRACIONIT EGI DEROMEMAJ

July 6, 2016 by dgreca

Bashkatdhetarë, që jetoni në Nju Jork, Nju Xhersi, apo në Michigan(ku Pastor & Deromemaj; Associates, P.C ka dy zyra): Keni probleme me emigracionin? Keni të pazgjidhur statusin e qëndrimit apo keni marrë deportim, apo e keni familjen të ndarë, këtu dhe në vendlindje? Keni çeshtje azili,vizash për emigracion familijar, rikthim nga deportimet,mbrojtje nga deportimi, apelime, viza për investim biznesi ,viza martese ,viza pune,çështje kriminale lidhur me emigracionin,rregullimin e dokumentacionit për nënshtetsi amerikane dhe shumë shërbime të tjera?-Drejtojuni avokates  shqiptare Egi Deromemaj në zyrën e saj në Times Square, NY dhe në qytetin TROY dhe DEARBORN në Michigan . Pse duhet t’i drejtoheni Egit? Sepse, ajo  vjen vetë nga një familje që e ka fituar statusin e azilit përmes përballjes ligjore, por edhe pse ka arritur që bashkë me partneren e saj t’ia dalë mbanë në shumë përballje me klientët, që i ka marrë përsipër t’i mbrojë. E përgatitur në shkollat amerikane dhe duke njohur psikologjinë dhe hallet e shqiptarëve, Egi ia ka dalë mbanë. Firma e saj ligjore ia ka arritur që të zgjidhë shumë probleme të emigracionit, që nga më të thjeshtat e deri tek më të komplikuarat. Zyra e saj është e specializuar vetëm për çështje të emigracionit.

Gjatë përvojës së avokatja Deromemaj ka arritë që t’u japë zgjidhje çështjeve për kerkim azili. Shumë qytetarë prej trevave shqiptare,që kanë qenë të detyruar të largohen nga vëndi i tyre për arsye të ndryshme, kanë shkuar në zyrën e saj, pasi kanë pasur nevojë për mbështetje ligjore lidhur me rregullimin e lejeqëndrimit e deri tek marrja e nënshtetsisë, janë ndarë të kënaqur me avokaten shqiptare që flet shqip.

Ndiqeni bisedën që zhvilluam me avokaten Egi Deromemaj, që të merrni më shumë informacion:

Pyetje: – Zonja avokate a mund ta prezantoni për lëxuesit e Gazetës “Dielli” Firmën Ligjore “Pastor & Deromemaj”?

Znj. Egi Deromemaj: – Pastor & Deromemaj; Associates, P.C. është një nga firmat ligjore me të njohura  për emigracion. Firma jonë ka filuar veprimtarinë e saj që në vitin 2001 nën drejtimin e avokates Caridad Pastor Cardinale.Mbas pesë vitesh punë të përbashkët nga unë dhe Carrie vendosëm që ta vazhdojmë aktivitetin tonë si partnere të përbashkëta dhe krijuam firmën PASTOR & DEROMEMAJ. P.C..

Firma jonë ka tre zyra ,dy prej tyre gjinden në Michigan, njëra në qytetin TROY dhe tjetra në qytetin DEARBORN dhe së fundmi kemi hapur  zyrën ton te re me vendodhje në Manhattan, New York.

Zyra jonë është e specializuar vetëm për çështje të emigracionit, ku zgjidhen rastet nga më të thjeshtat e deri tek ato më të komplikuarat.

Pyetje – Ju sapo jeni vendosur edhe në Shtetin e Nju Jork-ut krahas Michigan-it, përse kjo lëvizje?

Znj. Egi Deromemaj: – Siç e përmënda më lartë ne filluam veprimtarinë me zyrën tonë në Michigan por gjatë tërë veprimtarisë sonë kemi pasur klientë edhe nga New York-u, kështu që për të funksionuar më mirë dhe për ti ofruar shërbimet tona klienteve dhe njëkohësisht, që të jemi më afër komunitetit shqiptar këtu, vendosëm që të hapim  zyrën tonë në shtetin e  New York-ut. Shkurt i jemi afruar komunitetit që jeton në Nju Jork e nju Xhersi, duke e vendosur zyrën tonë në zemër të Manhattanit,në Times Square dhe Broadway.

Pyetje – Çfarë përvoje sjell zyra Juaj avokatore në zgjidhjen e problemeve të emigracionit?

Znj. Egi Deromemaj: – Zyra jonë gjatë veprimtarisë së saj ka ofruar shërbime të panumerta siç janë azili,viza për emigracion familijar, rikthim nga deportimet,mbrojtje nga deportimi, apelime, viza për investim biznesi ,viza martese ,viza pune,çështje kriminale lidhur me emigracionin,rregullimin e dokumentacionit për nënshtetsi amerikane dhe shumë shërbime të tjera.

Gjatë karrierës sime kam hasur në raste të ndryshme të komplikuara , por më të ndjeshmet jan ato të familjeve ku njeri nga antaret e saj rezulton të jetë i deportuar dhe qëndron larg familjes ,kështu që ne si zyrë për emigracion kemi ndimuar që familjet të bashkohen duke kërkuar peticion për falje dhe nuk kemi dështuar asnjëhere në këto çështje.

 

Pyetje – Të çfarë natyre kanë qenë çështjet e emigracionit shqiptar që ka zgjidhur zyra juaj?

Znj. Egi Deromemaj: – Zyra jonë ka trajtuar çështje të shumta për komuniteti shqiptar duke filluar nga ato për kerkim azili,nga që shumë qytetarë nga trevat shqiptare kanë qenë të detyruar të largohen nga vëndi i tyre për arsye të ndryshme dhe të gjithë ata që kanë ardhur këtu kanë pasur nevojë për mbështetje ligjore lidhur me regullimin e lejeqëndrimit e deri tek marrja e nënshtetsisë, po ashtu vlen të cekim rastet ku familjet janë ndarë për arsye se njeri nga antarët e familjes ka qenë i detyruar të kthehet mbrapshtë prej nga ka ardhur për shkak të ligjeve strikte të qeverisë amerikane.

Në shumë raste ku personat jan deportuar dhe kanë tentuar disa herë me ndihmën e zyrave të tjera të kërkojnë falje për tu kthyer në Amerikë por janë refuzuar ,kanë ardhur tek zyra jonë dhe kemi arritur sukses, duke i sjellë në Amerikë dhe i kemi bashkuar me familjet e tyre në kohë relativisht të shpejtë.

Pyetje : -Përse duhet të trokasë një emigrant shqiptar në zyrën Tuaj?

Znj. Egi Deromemaj: – Jemi të vetdijshëm që egzistojnë një numër i madh zyrash ligjore në Nju Jork dhe në Michigan, ashtu si edhe në shtete të tjerë. Pse duhet të vijnë tek ne? Po sepse ne i shohim problemet mbi emigracionin për emigrantët si detyrimin absolut tonin dhe ndjehemi të afta t’u ofrojmë zgjidhje.

Këtu e kanë bazën dhe sukseset tona në përvojen tonë të gjatë në çështjet e emigracionit për të cilat jemi specializuar.

 

Pyetje : – Për lexuesit e Diellit: Kush është Egi Deromemaj?

 

Znj. Egi Deromemaj: – Unë jam e lindur në Tiranë me 1987. Ne vitin 1995 familja ime ka emigruar në Amerikë. Familja ime ka kërkuar azil me të arritur këtu dhe mbasi një periudhe të gjatë dhe shumë vështërsive arritëm që të fitojmë çështjen. Kemi përjetuar jetën e vështirë të një familje emigrantësh ashtu si shumë familje të tjera që vijnë këtu me ëndrren amerikane të lirisë. Kështu që jam e vetëdijshme çka do të thotë të vish si emigrant në Amerikë dhe përmes çfarë vështersive i duhet të kalojë çdo person apo familje deri sa te regullojë lejeqendrimin në Amerikë. Kjo më ndihmon shumë në përjetimin e çeshtjeve qe ndjek.

Pyetje : – Shkollimi juaj?

Znj. Egi Deromemaj: – Unë kam të kryer bachelors në Wayne State University në Detroit, Michigan. Pastaj studimet për juridik i kam kryer në University of Detroit Mercy School of Law ne Detroit, Michigan.

Pyetje:-  Përse zgjodhët si profesion avokatinë?

Znj. Egi Deromemaj:- E kam parë vetë çdo të thotë të lësh vendin tënd dhe të shkosh në një tokë të huaj,dhe kam parë me sytë e mi se me çfarë vështirësish ballafaqohen këta njerëz dhe që kur isha e vogël, gjithmonë e kam patur ëndërr për të arritur në një pozitë ku unë do të mbroja të drejtat e këtyre njerëzve dhe kam qënë me fat që kam patur një familje e cila më ka shtyrë të edukohem dhe një ditë të bëhem kjo që jam sot.

Pyetje – Diçka për familjen tuaj?

Znj. Egi Deromemaj: –Familaj ime? I detyrohem shumë. Pa mbështetjen dhe dashurinë e saj asnjëherë nuk do të arrija këtu ku jam sot.

Pyetje :- Një mesazh për bashkatdhetarët?

Znj. Egi Deromemaj: – Të mos harrojm kush jemi , të jemi krenarë që jemi shqiptarë….Dhe të mbështesim njëri-tjetrin.

 Pyetje:- Adresa Juaj? Si mund t’ju gjejne te interesuarit:

Firma jone ligjore  Pastor & Deromemaj, P.C. gjendet ne adresen:

1501 Broadway

12 Fl. Rm. 12107

New York, NY 10036

Phone: (646) 571-2118

Fax: (646) 304-7360

Email: egi@pdimmigrationlaw.com

pdimmigrationlaw.com

-Faleminderit për bisedën.

– Znj. Egi Deromemaj: Ishte kënaqesi!

Bisedoi:Dalip Greca

Filed Under: Interviste Tagged With: dalip greca, EGI DEROMEMAJ, JA PSE DUHET TË TROKISNI NË ZYRËN E AVOKATES TË EMIGRACIONIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT