FAMILJA BALAJ, 65 VJET NGA IKJA PREJ RRETHIMIT KOMUNIST, NË BOTËN E LIRË GJATE FESTËS SË SHËN PALIT E SHËN PJETRIT ME 28-29 QERSHOR 1951/
NGA DALIP GRECA/
Të Martën e 28 Qershorit 2016, një grup vatranësh së bashku me familjet tona, ishim mysafirë të familjes së madhe Balaj në Royal Regensy Hotel në Yonkers, NY. Ftesa na kishte ardhë prej vatranit të kahmotshëm Zef Balaj. Si për çdo vit familja kremtonte festën e Martirëve- Apostuj: Shën Pali e Shën Pjetri. Festimi i këtij viti ishte i veçantë sepse përkonte me 65 vjetorin e ikjes së familjes nga rrethimi i forcave të ndjekjes të sistemit komunist. Edhe në 28-29 Qershorin e largët të vitit 1951 familja përkujtonte në Mëzi të Pukës, në vendlindje, të njëtën festë, që është e shenjtë për Fisin Kabashi. Ndoshta mrekullia ndodhi nga që apostujt e morën në mbrojtje këtë familje fisnike për ta shpëtuar nga rrethimi komunist dhe për të realizuar ëndrrën e lirisë amerikane.Edhe pse për dy net shtëpia u mbajt e rrethuar nga Forcat e Ndjekjes,familja Balaj, e ndihmuar nga nacionalistët e arratisur në mal, ia arriti që ta çajë rrethimin pa viktima….Të gjashtë pjestarët e familjes dolën shëndosh e mirë edhe pse ranë në pushkë…Por le të përshkruajmë fillimisht festën, për t’u kthyer më vonë tek historia që ndodhi para 65 viteve.
FESTË DHE PËRKUJTIM
… Salla ku organizohet kremtimi është dekoruar si për festë.Në dekorin e saj,një banner që zotëron pamjen, ka në qendër portretet e vëllezërve Balaj: Pjetër, Zef, Gjelosh, dhe nënës Zoja, si dhe shkrimin në dy gjuhë, shqip e anglisht, për përvjetorin e 65-të të ikjes nga rrethimi komunist.
Zef Balaj, u ka uruar mirëseardhjen mysafirëve. Ai kumton mesazhin e festës, që përbën një mrekulli për familjen Balaj dhe të gjithë fisin Kabashi, që e përkujton çdo vit. Mrekullia qëndron në faktin se familja jonë, tha ai, shpëtoi pikërisht në një natë të shenjtë tek kremton festën e Shën Palit e Shën Pjetrit, ndërsa ishte e rrethuar nga forcat komuniste. Më pas ai prezanton dom Nikolin Përgjinin për ndezjen e qirit dhe Lutjen fetare. Pas lutjes dom Nikolini bekon familjen Balaj, dhe drejton një uratë të veçantë për Pjetër Balaj, duke e uruar atë që të bëhet 100 vjeç dhe ta gëzojë ditën e emrit.
Kur u arratis Familja Balaj kishte 6 anëtarë që kapërcyen kufirin, sot janë në SHBA 60-70 anëtarë(një pjesë e anëtarëve të familjes nuk janë në fotografinë e përbashkët të mbrëmjes festive për shkak të largësive apo dhe pushimeve). Pasardhësit, nipër e mbesa, janë edukuar me dashuri për vendlindjen, gjuhën, këngët e vallet, me nderimin për kombin Shqiptar. Tek i sheh që kërcejnë e këndojnë shqip, dhe tek mëson se sa të informuar janë për prejardhjen e tyre, sa krenarë ndjehen për origjinën, bindesh se ç’familje fisnike është.Rrugëtimi 65 vjeçar nuk e ka shpërbërë familjen, nuk e ka larguar nga traditat e të parëve, nuk ia ka zbehë ndjenjat kombëtare. Njëri ndër ta, Gjergj Balaj,(djali i vogël i Pjetrit, i lindur në SHBA) i njohur si aktivist i papërtuar i komunitetit shqiptar,i cili flet një shqipe të pastër(të cilën e ka mësuar në familje), moderoi festën.
Gjergji përcjell shkurtazi në gjuhën angleze historinë se çfarë ndodhi me familjen Balaj, natën e 28 dhe 29 Qershorit 1951, dhe netët e ditët që pasuan, ç’ishte ajo mrekulli që i shpëtoi nga rreziku komunist, nga ai rrethim me shumë forca ushtarake. Gjergji e njeh me themel historinë e fisit Kabashi, historinë e kishës së vjetër të Shën Palit, dhe tërë historinë që mbart familja së cilës i përket.Ai ndjehet krenar për të, siç ndjehet krenar që ka gjak e gjuhë të Kombit të Gjergj Kastriotit e Nënë Terezës. Njeh historinë e Kishës dhe Kombit, flet për Kishën e Kabashit, e për Udhëtimin e tretë të Shën Palit në Iliri, duke kaluar nga Durrësi.
Asgjë nuk i mungoi festës, as këngët, as vallet, as fjalimet. Krahas humorit që përcjell Gjergji me grupin e djemëve dhe vajzave Balaj, bëhen edhe përshëndetjet e radhës. Danieli, me barcoletat plot humor me rrëfenja ndër shqiptarë e Amerikës, e bën sallën që të qeshë për një kohë të gjatë.
Lush Binaku me çiftelinë e tij ngriti në valle gati të tërë sallën, duke luajtur bukur me Gjergjin në duetin e këndshëm: ngrehu Zef na merr një valle ….!
Një festë e bukur që u mbyll pas mesit të natës….
PERSHENDETJET
Më pas Zef Balaj paraqet njeriun e afërt të familjes, kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Buçaj për të bërë përshëndetjen e rastit.Duke iu drejtuar Pjetër Balaj, që para 65 viteve ishte djalë i ri, por me rol kyç në atë arratisje, paçka se sot është i ulur në karrige, dr.Buçaj uroi: Mirë se të kemi gjetë , o Pjetër Gjoni!
Gëzuar Festën e Shën Palit,- që po kremtojmë sonte! Gëzuar Festën e Shën Pjetrit që e festojmë nesër, – dita e emrit tënd!
Kjo është festa që e mbanë bashkë fisin e Kabashit. Është kremtim,por është dhe festë. Fati e desh që kjo familje ta çante rrethimin komunist dhe ta kapërcente kufirin pa viktima, edhe pse ra në pushkë me ndjeksit. Atë kohë unë e mësova lajmin nga Shqipëria, por dy javë më pas, familja ime së bashku me mua, e kapërcyem kufirin dhe u takuam në Kosovë. Natyrisht që emigrimin nuk e ndjemë aq shumë në Kosovë se ishim mes vëllezërve të gjakut. Ishim me fat që pasi kaluam në Itali, vazhduam rrugëtimin drejt tokës se bekume, tokës së lirisë, Amerikës. Jam pjesë e afërt e kësaj familjeje dhe ndjehem mirë për përparimin e familjes Balaj këtu në SHBA; ndjehem mirë edhe për faktin se ajo si shumë familje të tjera, ka ruejtë traditat, siç është edhe ky kremtim i Shën Palit e Shën Pjetrit, ku shumë fise i janë bashkuar fisit Kabashi, e mbylli përshëndetjen e tij kryetari i Vatrës..
Një tjetër person i afërt me familjen Balaj, është vatrani Sergio Bitiçi. Ai tregon se ka 60 vjet që njihet me Zef Balaj dhe familjen e tij. Madje kujton edhe kohën kur me Zefin studionin në një klasë në gjimnazin e Prishtinës, në Kosovë, dhe kur atje shkonte e i takonte Pjetër Balaj, që aso kohe ishte një djalë i hijshëm, i gjatë dhe fjalëmbël. Më pas, Bitiçi kujton se Zefin me familje, UDB-ja i dërgoi në kampin famëkeq të Gerovës në Kroaci, një kamp ku kishte emigrantë politik nga Hungaria, Shqipëria, Rumania e vende të tjera të Ballkanit. Ai tregon se në atë kamp kishte kushte të vështira, dhe masat shtypse ishin represive.
Sergio sjell copëza kujtimesh nga jeta e përbashkët në Kosovë dhe këtu në SHBA, ku miqësia mes dy familjeve është e pandarë.
NACINONALISTËT PËRBËNIN YNDYRËN E KOMBIT
Simon Qafa flet plot emocion tek uron familjen Balaj, familjen Mhilli (Bëhet fjalë për familjen e Tom Kol Mhillit, djali i të cilit u martua me motrën e Kujtim dhe Simon Qafës,familjes që u arratis së bashku me familjen Balaj), dhe familje të tjera që festojnë këtë festë. Ai thotë se ndjehet i emocionuar, por nuk mund të rrijë pa i thënë ca fjalë për ata burra që lidhën besën kundër komunizmit dhe nuk e thyen premtimin. Baba i tij, Pjetër Qafa, u arrtis dy vjet para familjes Balaj. Por ajo çfarë e ngroh zemrën time,thotë Simoni, është se këta burra vinin jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar familjet kundërshtare të komunizmit.Edhe pse ata e patën kaluar rrezikun duke i kapërcyer familjet e tyre në Ish Jugosllavi, ktheheshin pas për të marrë grupet e familjeve të tjera të rrezikuara.Pra ata rrezikuan shumë herë jetën e tyre sepse e cmonin lirinë.
Ajo ç’ka e emocionon edhe sot Simon Qafën është fakti se të gjithë ata nacionalistë që patën lidhë besën që në Shqipëri se nuk do të thyeheshin në luftën kundër komunizmit,nuk do ta tradhëtonin kauzën e lirisë, e mbajtën atë edhe në Jugosllavi, edhe në Itali, e derisa erdhën këtu në SHBA. Burra si ata, Pjetër Gjon Balaj, Pjetër Çup Qafa, Pjetër Nua Beqiri, Mark Zogu, Çun Jakiçi Kuraj( ky i fundit ishte shpëtimtari i Genc Korçes natën e Vitit të Ri 1952) ,e dhjetëra të tjerë si këta, ishin yndyra e Kombit, komentoi Simoni.
Duke u kthyer nga Pjetër Balaj, Simon Qafa tha: Ja, shiheni atë Pjetër Gjonin që qëndron sot në karrige i pafjalë! Ai është yndyra e Kombit pse rrezikoi gjithçka, familjen, jetën e tij, dhe e mbajti premtimin për të mbetur deri në fund i papërkulur kundër komunizmit, rrezikoi duke ndihmuar familjet nacionaliste për të kapërcyer kufirin.
Më vjen keq, tha Simon Qafa, që edhe sot, këtu në demokracinë amerikane, ka shqiptarë që simpatizojnë partinë komuniste apo trashëgimtarët e saj. Historia do ta tregojë se kush ishte në rrugën e drejtë të Zotit dhe të Kombit, e kush në rrugë e shtrembër. Kurrë më komunizmi, kjo mortje, që ia bëri të zezë jetën shqiptarëve të Shqipërisë, atyre të Kosovës, të Maqedonisë dhe kudo!-e ka mbyllë fjalën e vet Simon Qafa…
PERSONAZHET E ASAJ NATE KUJTOJNE
…Personazhe të gjallë që i shpëtuan rrethimit të 28 -29 qershorit 1951 dhe më pas kaluan kufirin, janë sonte në sallë: Zefi me vëlla Pjetrin, motrën Mire dhe kunatën Lula, bashkëshorten e të ndjerit Gjelosh Balaj. Secili e kujton në mënyrën e vet atë ikje dhe shpëtimin prej rrethimit.Pjetri ka më shumë për të treguar, por ai zgjedh heshtjen kur i biri, Gjergji i afron mikrofonin.
Kur Gjergji e përsërit pyetjen, Pjetri jep përgjigje të shkurtër:- Po ja, ikëm,shkuam në Kosovë, në Itali dhe… erdhëm këtu!
– Faleminderit,që erdhët, i thotë i biri. Rrezikuat ju, por shpëtuan fëmijët.
Pjetri buzqesh…
Lula kujton gjithçka, që nga rrethimi, jeta e vështirë në mal, kapërcimi i frikshëm i kufirit, rënia në pushkë, jeta në Kosovë… Ajo e ka një peng që nuk e harron: pesë ditë para ikjes i kishte vdekë një foshnjë,djali 1 vjeç e 3 muajësh, që mbeti andej. Njërin djalë e ka lindë në kampin famkeq të Gerovës. Pjetri ka në kujtese dy foshnje, që u shuan në Kosovë nga kushtet e vështira. U varrosën atje, dhe atje mbetën….
– A të kujtohet ajo natë?-e pyet Gjergji, hallën Mire.
– Po si nuk më kujtohet, i kthehet ajo. Si të ishte dje. Më kujtohet gjithçka: Çasti më i vështirë ishte kur erdhën ata të malit e shtëpia ishte e rrethuar nga forcat e ndjekjes. Edhe në mal kemi vuajtë. Më kujtohet kur u bashkuam me famlijen Mhilli. Nuk mund të harroj kalimin e kufirit. Më kujtohet Pal Biba kur na tha se po ramë në pushkë, të mos friksoheshim por të binim barkas.Kur krisën pushkët Zefi na iku para me Pjetër Smajlin. Ne mbetëm aty. Erdhi më pas Pal Biba që na mori.
Me familjen Balaj u bashkua në Kosovë edhe familja e Nua Ademi Perpepaj. Prele Përpepaj, kujton se familja e tyre kanë ikë në të njëjtin vit me Balajt, në vitin 1951. E kanë lënë sofrën shtruar, ashtu si Balajt, dhe kanë mbyllë derën. Kur kanë shkuar fqinjët të nesërmen, e kanë mësuar të vërtetën e arratisjes. Në Kosovë u takuan me familjen Balaj dhe prej asaj kohe nisi dhe vazhdon edhe sot kumaria. Shkojnë sikur të ishin një familje, sikur te ishin të një gjaku. Në kampin e Gerovës ishin bashkë të dyja familjet. Prel Perpeaj kujton edhe arratisjen nga Gerova në Itali. Pjetër Balaj, tregon ai, e mori Zojën(nënën) ne shpinë… Zefi kujton mëngjesine parë pas ikjes nga Gerova. Kishte rënë vesë dhe lëndina ishte e lagur. Pjetri me nënën në shpinë…Mëngjesi i parë në Perëndim…Po preknin lirinë.
Jetë e vështirë më përmasat e legjendës….Ndiqeni historinë…
HISTORIA-LEGJENDË, ÇFARË NDODHI MË 28 QERSHOR 1951?
Në kujtesën e Zef Balaj, aso kohe një fëmijë 9 vjeçar, ngjarja ka ndodhë kështu: Familja Balaj në Mëzi të Pukës po përgatitej për të festuar Festën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Familja e madhe po mblidhej bashkë,kishin ardhur edhe vajzat e dhëndurët. Njëri djalë i familjes, Pjetri, ishte roje pyjesh aso kohe.Ndërsa kthehej për në Mëzi atij i çon fjalë dhëndri, Jak Mirakaj, që të merrte të shoqen, vajzën e Balajve në Iballë dhe do të takoheshin për festë në Mëzi. Pjetri dhe motra udhëtojnë për më shumë se dy orë prej Iballe. I ka zënë nata në Arest-Miliska. Ecin nëpër terr. Diku në qafë Grie,afër shtëpisë Balaj, Pjetrin e ndalin ushtarët e Mbrojtjes. Pasi e verifikojnë se kush është e urdhërojnë: Motra të shkojë në shtëpi, ndërsa ti na duhesh, do të qëndrosh sonte me ne për një detyrë të veçantë!
Për Pjetrin nuk ka zgjidhje tjetër, urdhëron motrën të shkojë në shtëpi dhe vetë qëndroi me ta. Komandanti, duke e konsideruar Pjetrin të sigurtë, njeri të besuar,i tregon se atë natë në Mëzi pritej të vinin diversantët për tu furnizuar me ushqime.
Madje ai ka treguar edhe planin që kanë hartuar:- Do të rrethojmë shtëpinë, bazën ku ata do të shkojnë dhe do t’i kapin në befasi ose do t’i vrasin.
Pjetrit i ther në shpirt, ndërsa komandanti flet për shtëpinë, që do të rrethojnë. Fillimisht Pjetri nuk e di se bëhet fjalë për shtëpinë e tij.Kur e mësoi,heshti. I duhet të durojë, të duket i qetë dhe të presë momentin për ta ndihmuar familjen. Ushtarët e mbrojtjes i afrohen shtëpisë dhe qëndrojnë para saj, në distancë nga hyrja, përrreth gardhit.
-Ja kjo është shtëpia-, thotë komandanti.
Pjetri guxon dhe e pyet: A e keni verifikuar mirë se mos nuk është e saktë informata? A është kjo shtëpia ku do të vijnë diversantët?
-Po po, thotë komandanti, pse po dyshon?
Pjetri nuk e jep veten. Mirë që nuk ia shquanin fytyrën në errësirë. Një luftë e brendshme zhvillohej në shpirtin e tij duke menduar rrethimin, ardhjen e mysafirëve të malit…Situatën në të cilën do të ndodhej familja dhe ai vetë…
Po i thotë edhe një herë komandantit: -Ndoshta ata që ua kanë dhanë informatën, kanë dashtë me u çorientuar, se kjo që kemi rrethuar s’mund të jetë bazë për diversantët, ajo është shtëpia ime.
– Kemi urdhër të rrethojmë këtë shtëpi, thotë komandanti prerazi.
Pjetri ka heshtë sërish… është ulë me komandantin nën hijen e manit dhe po mendohet. Dikur po i thotë:- Me sa shoh kemi për të qëndruar gjatë këtu. A po më lejon të hyj në shtëpi dhe të sjell ca mish ferliku që është gati për festë e ca raki?
– Mirë i thotë komandanti,- shko, por kujdes, asnjë fjalë….
Pjetri sapo hyn i afrohet vëllait Gjelosh dhe i tregon me një frymë për rrethimin jashtë shtëpisë. Shtëpia ishte e mbushur plotë, ishin aty edhe tri vajzat e shtëpisë me burrat e tyre, dhëndurët e familjes Balaj.
– Po po, e mora vesh, po i thotë i qetë Gjeloshi, ma tregoi motra Lusha, dhe shton: dy kaçakë do të vijnë sonte për furnizim me ushqime. Kjo dihet, jemi njoftuar.
– Po si do t’ia bëjmë?- e pyet Pjetri. Po sikur të vjnë ata të malit dhe të bien në rrethim?
Bëhej fjalë për Pashk Ademin, Nua Lush Mirakaj e të tjerë që priteshin nga çasti në çast.
-Shohim e bajmë,ata do të vijnë, është e sigurtë se kanë nevojë për ushqime, po ti shko që të mos tërheqësh vemendjen e komandantit. Shpejt e shpejt u lidh fjala: Kush të shpëtojë, takimi në Bjeshkë…
Pjetri merr mish e raki dhe kthehet tek forcat e mbrojtjes.
Ndërsa jasht hahej e pihej raki , kanë ardhë fshehtazi për furnizime njerëzit e malit,duke lëvizur barkazi përmes arës me misër dhe kanë hyrë nga dera e pasme e shtëpisë Pashk Ademi edhe Nush Lush Mirakaj.
Gjeloshi, pasi i ka furnizuar me ushqime, u thotë që të ktheheshin sa më shpejt, që të mos tërhiqnin vëmendjen e ushtrisë që e mbante të rrethuar shtëpinë. Ata lënë vendin e takimit për të nesërmen në darkë,në bjeshkë dhe largohen pa ra në sy.
Kur ka ra drita komandanti i ka thënë Pjetrit: Shko ti Pjetër fli e shlodhu se na duhesh natën tjetër prapë. Ata nuk erdhën mbrëmë por jam i sigurtë se do të vijnë sonte natën, thotë komandanti.
Shkoi Pjetri. Natyrisht që nuk mund të flinte. E diskutuan me Gjeloshin se si do të vepronin. Patjetër duhej vepruar shpejt. I pyetën dhëndurët dhe motrat se kush ishte gati me dalë në mal e me u arratisë.Kush nuk kishte mundësi për shkak të lidhjeve familjare, gjendjes shëndetësore, e gjendjes së familjeve, duhej të largoheshin menjëherë, pa u kompromentuar, pa ra në sy të pushtetarëve komunistë. Nue Marashi prej Fierze, që ishte martuar me njërën nga vajzat e shtëpisë Balaj, thotë se nuk mund të arratisej. Edhe Palok Marku, dhëndri tjetër, tha se nuk kishte mundësi të arratisej.
-Ju , u thotë Gjeloshi dhe Pjetri, duhet të largoheni sa më shpejt, që të mos u zërë nata këtu se, ndryshe u piu e zeza. Mos u bëni pjesë e arratisjes tonë.
Familja Balaj qëndroi atë ditë në shtëpi duke kryer secili punët e veta. Në mbrëmje sapo nisi terri, kanë lënë sofrën e festës shtruar, dhe kanë dalë e janë ngjitë në bjeshkë, pa ra në sy të askujt. Në Bjeshkën e Dardhës u takuan me kaçakët e Pukës dhe të Mirditës.
Nga ana tjetër forcat e mbrojtjes kanë mbërritë pak ma vonë, pa e lajmëruar Pjetër Balën dhe e kanë rrethuar shtëpinë njësoj si natën e mëparshme. Kanë ndarë detyrat mes ushtarëve dhe po presin të sigurtë se atë natë nuk do të dilnin bosh. Janë të sigurtë se “mysafirët” e malit do të vinin. Komandanti kishte thënë se ndoshta informatori kishte ngatërruar natën e ardhjes së tyre. Pritën ashtu në heshtje të thellë deri në mëngjes kur ra drita. Bagëtia nisi të blegërinte. Pulat po zbisnin nga kotecët.Qetësi… Asnjë lëvizje njerëzish…Asnjë frymë e gjallë njerëzore…Komandanti vetë në krye urdhëron ushtarët dhe nisen drejt shtëpisë të shohin se çfarë po ndodh brenda saj. Kur hapën dyerët e mësuan të vërtetën. Sofra ishte shtruar, plot me ushqime. E kuptuan se familja është larguar gjatë mbrëmjes, pak më përpara se ata të vendosnin rrethimin. Menjëherë dha urdhër për zënien e shtigjeve nga mund të kalonin. Caktoi një fshatar që t’i merrte bagëtitë për t’i dërguar në qendër të lokalitetit, në Iballë. Familja, nga maja e bjeshkës,ku po qëndron e fshehur, po i sheh bagëtitë që ecin varg të shoqëruar nga bashkëfshatari i tyre Mëzias. Nxehet Pjetri dhe bën gati pushkën: – Do ta vras,- thotë.
-Jo i thotë Gjeloshi, nuk është ai fajtori. Atë e kanë detyruar….harroji bagtëitë, të shpëtojmë njerëzit…
Në zonë ishte dhënë alarmi. Forcat e Mbrojtjes kërkonin gjithandej. Masa e parë që morën ishte bllokimi i Vaut të Dardhës, ku mendohej të kalonte Drinin familja e arratisur. Për rreth tre javë familjes i duhej të qëndronte në mal e fshehur. Ushqimet u mbaruan pas dy javësh. Nuk kishin rrugë tjetër veçse të ushqeheshin me lende dushku, kujton Zefi.
Ndërsa forcat e Mbrojtjes po i kërkonin, luftëtarët e Pashk Ademit, përgatisnin mbartjen e familjes dhe shpëtimin e saj duke menduar për ta nxjerrë përtej kufirit. Pal Bib Mirakaj, Gjon Gjinaj, Marka Zef Ndreca, rreth 20 luftëtarë janë bashkuar, kanë marrë edhe familjen Mhilli dhe të dyja familjet i kanë përgatitë për të kaluar vaun e Dardhës, ndërkohë që luftëtarët e tjerë nacionalistë vazhduan rezistencën në bjeshkë me forcat e ndjekjes, duke siguruar murin mbrojtës.
Zefi, që aso kohe ishte një fëmijë 9 vjeçar, kujton se nacionalistët kanë marrë me vete edhe një viç(tek shtëpia Mhilli) dhe pasi e kaluan Drinin mbërritën në Qafë të Zogajt të Gjakovës dhe atje e prenë viçin dhe e gatuan për të shuar urinë.
-Aty, thotë Zefi, kam pa se si zihej viçi në plëncin e vet, pa pasë nevojë për enë kuzhine.
Në kujtesën e Zefit ka mbeti momenti i kalimit të kufirit. Ishte natë. Qetësi që trembte. Pal Bibë Mirakaj u ka dhënë udhëzime se si duhej të kalohej kufiri dhe ka bërë përpjekje për t’u larguar frikën të vegjëlve. Ai porosit të vegjlit që të kapeshin përdore me të rriturit dhe të mos i lëshonin.Ai i parapriu të vegjëlve për ndonjë përplasje me forcat e kufirit, duke u thënë se ne bëjmë edhe lojra e qesim pushkë… Ju, nëse dëgjonin ndonjë të shtënë, të mos frikësoheshin por shtrihuni përtokë dhe prisni.…Pikërisht në një moment të atillë, kur kanë plasë krismat, Zefi nuk është shtrirë batrkas, por ka ecë përpara me Pjetër Smajlin. Ka humbë për një moment, kur të tjerët kanë qëndruar në vend. Kthehet pas Pal Biba dhe i merr ata që kishin mbetë pas dhe i bashkon të gjithë bashkë.
… Kështu shpëtuan nga forcat e ndjekjes dhe u dorëzuan në postën më të afërt….
I çuan në Kosovë në Bobajt e Brokës, prej andej i lëvizën disa herë. Në Kosovë qëndruan 10 vjet. Familja u dërgua në kampin famkeq të Gerovës, nga ku u arratis së bashku me familjen Perpepaj. Nga Kosova në Itali(ku qëndruan dy vjet) e prej andej në Amerikë. Kur arritën në Amerikë familja Balaj përbëhej prej 11 vetash, sot janë rreth 60-70. Në Kosovë lanë një pjesë të dhimbjes, dy fëmijë të Pjetrit dhe një të Gjeloshit, të cilët vdiqën foshnje të parritura…Ja kjo ishte historia që familaj Balaj e kujton gjatë çdo feste të Shën Palit e Shën Pjetrit! Një histori për të mos u harruar, me të cilën ushqehen brezat! Një histori me përmasat e legjendës, që përcjell mesazhin se mrekullitë ekzistojnë….
faiku says
Histori shume prekse dhe po aq edukative.
Pergezojm familjen Balaj qe mbart nji histori te tille dhe ruan traditen e shqiptarit.
Me shume respekt per ata qe kane vuejt prej sistemit te kryekriminelit te shqipnis Enver Hoxha.
Asllan Bushati says
Familja Bala eshte vlere kombetare si ne luften kunder komunizmit dhe ne perpjekjet per tu akaparuar ne jeten e lire e te vrulleshme amerikane. Ata me mund e djerse formuan “korpusin ekonomik Balaj” me te cilen i dhane ndihmese komunitetit shqiptaro-amerikan, dhe investuan per Vatren, Ligen shqiptaro-amerikane per atdhe e fe. Editori i “Diellit”,Dalip Greca duke shkruajtur per familjen Balaj,i ben mire te sotmes dhe i len se ardhmes nje deshmi te madhe historike.
Edhe une isha i pranishem ne kete evendiment te rendesishem te familjes Balaj.Nuk kam per ta harruar kurre.
Marjan Alia says
Zoti i rujt te gjithe pjestaret e familjes Balaj
Vecanerisht Pjeter Gjonin edhe 100 vjet prane familjes.