• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ERIKA DEMIRAJ, PËRSE NUK U PRANUA NË SHËRBIMIN INTELIGJENT VAJZA SHQIPTARO-AMERIKANE?

May 6, 2015 by dgreca

*RRËFIM ME SHKAS: NGJARJE TRAGJIKE SHQIPTARE TË RRËFYERA NË AMERIKË/
* HISTORIA E VAJZËS SË PARË SHQIPTARO-AMERIKANE QË SHËRBEU NË USHTRINË AMERIKANE, POR U SHUA NE MOSHEN 29 VJEÇARE./
* PIKËLLIMI DHE KRENARIA E PRINDËRVE, VATRANËVE TË KAHERSHËM RUSTEM & SOPHIE DEMIRAJ./
* ERIKA U LIND ME 7 MAJ…./
Nga Dalip GRECA/
Historia e vajzës së parë shqiptaro-amerikane që shërbeu në ushtrinë amerikane, nuk është e panjohur për lexuesin shqiptar, as për mua si gazetar. Emrin e saj e kam ndeshë për të parën herë tek redaktoja librin e Vehbi Bajramit “Shqiptarët e Amerikës”, botuar në SHBA më 2003. Një ngjarje rëqethëse: Historia e vdekjes, sa tragjike aq dhe të msitershme, më pat mbetë në mendje. E përjetova sërish ngjarjen këto ditë kur në Vatër arriti një letër nga prindërit e Erikës, nga Rustemi dhe Sophia Demiraj, ku ata kujtonin 7 majin ditën e lindjes së vajzës së tyre, shqiptaro-amerikanes, që shërbeu me devocion në radhët e ushtrisë amerikane dhe vdiq duke qenë ende në shërbim ushtarak. Në kohën e tragjedisë u shkrua për një vetëvrasje, por që mbeti e dyshuar.
Po cila është Erika Demiraj? Lindi më 7 maj 1963 në Naugatuch- Connecticut nga prindërit Rustem dhe Sophie Demiraj.
Erika Demiraj ishte vajza e tretë nga katër vajzat, e prindërve Rustem dhe Sophie Demiraj. Ishte ndër femrat e vetme me origjinë shqiptare që shërbeu në ushtrinë amerikane. Vajza u shkollua në Naugatuch, dhe që në fillim kishte dëshirë të shërbente në forcat ushtarake amerikane. Këtë ndjenjë ia kishte forcuar edhe babai i saj, Rustemi, i cili e inkurajoi. Ndoshta ishte vetë shembulli i babait të sajë që e nxiti drejt ëndrrës. Rrustemi shërbeu katër vite në “ US Marine Corp” në Europë.
Erika mbasi mbaroi shkollën e mesme u fut në Forcat Ajrore. Rekrutimin për katër javë e bëri në “ Locland Air Force” në St. Antonio, Texas, e më pas e dërguan në një bazë tjetër në Ilinois. Vajza tregoi vullnet, dëshirë për të shërbyer dhe karakter të fortë për të përballuar ngarkesën e madhe të stërvitjes. Erika së pari kishte shfqur dëshirë të shërbente për intelegjencë,- D.I.A- Intelegjenca e Ministrisë së Mbrojtjes. Vajza ishte prekë në shpirt që nuk ia plotësuan dëshirën. Erikën e kishin refuzuar të futej në intelegjencë, jo për shkak të aftësive, por për shkak të “pengjeve” në Shqipëri.

REFUZIMI PËR D, I, A

Tregon i ati, Rustemi: Që kur ishte 10 vjeçe Erika thoshte: Kur të arrijë në moshë ligjore do të futem në shërbim ushtarak pse e ndjejë për detyrë t’i shërbej Kombit ku u linda. Dhe ashtu veproi, mbasi mbaroi shkollën e lartë në moshën 18 vejçare u fut në degën ajrore. Stërvitjen e kreu në Locland Air Force Base, në St. Antonio Texas, dhe më vonë kreu një kurs 6 mujor në një prej bazave ushatarke në Illinois.
Duket se Rustemi, i ati, e ndjenë ende pengun e së bijës, që nuk e kualifikuan për t’u stërvitë për Inteligjencë D, I, A (Inteligjenca e Minsitrisë së Mbrojtjes”. Dëshira e saj për t’u stërvitë për Inteligjencë të ushtrisë e kishte zanafillën tek shembulli i babai të saj, Rustemit, i cili kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret ushatark amerikan prej vitit 1950 deri në vitin 1956, kohë kur Rustemi ishte ende në Europë.
Po përse e refuzuan Erikën në shërbimin sekret, kur ajo kishte lindur këtu dhe ati i saj kishte bashkëpunuar me shërbimet sekrete amerikane dhe kishte dhënë prova besnikërie?
Përgjigaj e Rustemit e shpërndanë mjegullnajën: Erikën e refuzuan të futej në shërbimin sekret prej prejardhjes politike të paraardhësve të saj në Shqipëri, dhe presionin që mund të vinte prej andej. Gjyshi i saj, Rapo Demiraj ishte kundërshtar i sistemit diktatorial në Shqipëri. Ai ishte arrestuar dhe burgosur në vitin 1945 dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Në vitin 1946, xhaxhain e madh, Eshrefin e kishin marrë ushtar. Pas një muaji familja mori një letër prej tij nga Librazhdi, ku thuhej se kryente shërbimin ushtarak. Ishte e para dhe e fundit letër për familjen. Pasi letrat u ndërprenë, familja nisi të shqetësohej. Nëna plakë nuk mundi të duronte më dhe mori rrugën e panjohur drejt djalit. Po ku të shkonte? Si ta gjente? Eci sipas adresës nga ishte nisë letra. Kishte pritë gjatë para postbllokut të repartit ushtarak, por askush nuk i jepte të dhëna për djalin e saj. I tregoi letrën një oficeri, por ai mblodhi supet dhe i kishte thënë se reparti nga ishte nisë letra qenkish i përkohshëm dhe se ushtarët pasi grumbulloheshin aty, më pas trasferoheshin. Ai i kishte spjeguar se nuk e dinte se ku mund të kishte qëndruar djali i saj por e këshilloi që të merrte rrugën për në Tiranë tek Ministria e Mbrojtjes, atje me siguri e dinin se ku e kishin dërguar ushtarin që ajo kërkonte. E lodhur, e merakosur,nëna kishte marrë rrugën drejt Tiranës. Udhëtoi për ditë të tëra nëna e gjorë dhe arriti në Ministrinë e Mbrojtjes. Iu desh që të priste gjithë ditën para derës së Ministrisë pasi oficeri që e priti e këshilloi të kishte durim se sapo të lirohej oficeri që e mbulonte atë sektor do ta priste në zyrë. Zemra e nënës e di se çfarë hoqi gjatë asaj pritje të ankthshme me mendje tek i biri. Pas shumë orësh oficeri kishte dalë dhe i kishte dhënë lajmin e pakëndshëm: Duhej të shkonte të nesërmen sepse zyrtari ishte shumë i zënë dhe nuk mund ta priste. Drita e mëngjesit e gjeti sërish në Ministri. E pagjumë, e lodhur, me zemër copë nga ankthi për djalin. Por edhe atë ditë pas shumë orësh pritje i kishin thënë: Ejani nesër, ndoshta mbaroni punë! Ky refren u përsërit për pesë ditë radhazi. E shkreta nënë u mbyt në dëshprim të thellë! Sa nuk i plasi shpirti nga dhimbja. Imagjinojeni një nënë që endet e vetme në kryeqytet në kërkim të të birit dhe jo vetëm që nuk merr dot një përgjigje, por ndjen indiferentizmin dhe armiqësinë e zyratrëve. Në ditën e pestë, zhgënjimi ishte tronditës:- Rregullorja ushtarake nuk na lejon të tregojmë se ku janë ushtarët!- i thotë oficeri që e pret pas pesë ditësh. Nëna e gjorë, pase një jave rrugëtimesh merr rrugën e kthimit pa e qetësuar shpirtin për të birin. Zemrën e ka copë, shpirtin-helm e vrerë. Vajtonte për djalin me ankthin në gji. Ku të ishte i biri? Kaluan gjashtë muaj ankthi, por asnjë lajm nuk mbërrinë. Ç’u bë me fatin e djalit?

POSTA E SHPRESES

Kur kishte nisë muaji i shtatë mbërrin posta e shpresës. Një letër që erdhi në shtëpi njoftonte se Eshrefi ishte në spitalin e Korçës. Nëna e malluar vrapoi sa kishte fuqi; drejt e në spital. Por kur hyri në dhomën që i treguan, tronditja sa nuk i çau gjoksin. Zemra i rrihte shpejt. Sytë iu mjegulluan. Nëna e mjerë bën që t’i fshijë sytë, por mjegullnaja është prapë aty. Asgjë nuk sheh. Ku është djali? E lexon dhe një herë kartelën që ndodhet ballin e krevatit, ku i thanë se ishte i biri. E lexon ngadalë shkronjë për shkronjë kartelën: Eshref Demiraj. Para syve të mjegulluar i shfaqet një masë mishi fashuar në kokë, fytyrë. Edhe goja është e fashuar. Ka vetëm një sy të zbuluar. Drita e syrit të nënës që nuk e mbanë vajitimin. Ohhhh biiiiir! Ofshanë nëna zemërplasur. Ç’të kanë bërë, o bir? E gjora nënë, prek trupin e shformuar dhe sheh gjithandej fasho të gjakosura. Kur i pa shpinën të nxirë blozë, dy anët e kryqeve ngjyrë mavi, trupi ishte sterrosur nga palgët. I nxirë biri i sajë në të gjithë trupin. O Zot, çfarë ka ndodhë? Pyetja rokullisej honeve të shpirtit dhe s’merrte përgjigje.
Nëna pyeste, djali heshtëte dhe vetëm qante me dënesë. Syri i vetëm i zbuluar rridhte lot pa pushim. Nëna pyet, i biri hesht! Ç’të bënte? Pyeti se çfarë kishte ndodhë me të birin, por edhe këtu heshtje e plotë, mjekët ishin të okupuar, nuk kishin kohë t’i jepnin përgjigje, infermieret heshtnin. I ndodhi tamam si në Ministrinë e Mbrojtjes. Heshtje, vetëm heshtje e shurdhët. Pas disa ditësh një mjek iu afrua dhe foli me të: Nuk di ç’t’ju them. Pacienti erdhi në spital në këtë gjendje që e shihni. Ne jemi duke i bërë shërbimet e nevojshme. Nu ka kam ç’t’ju them tjetër. Kaluan edhe disa ditë të tjera. Asnjë spjegim. Eshrefi nuk po shfaqte shenja përmirësimi, përkundrazi, ligështohej. Çudia ndodhi kur e nxorën të pashëruar nga spitali. E mblodhën me një batanije të vjetër dhe e shkarkuan tek këmbët e nënës. Çfarë të bënte nëna e gjorë? Si ta shëronte? Ku t’i gjente mjekimet? Pas pak ditësh ai ndërroi jetë duke marrë me vete enigmën e madhe të torturave. Ishte vetëm 26 vjeç kur ndërroi jetë.

DRAMA VAZHDON

Xhaxhai i dytë, Rushani, punonte larg vendlindjes në Shkodër. Edhe ai ishte piketuar në regjstrin e armiqëve të komunizmit. Dosja i ishte hapur prej kohësh.Pritej rasti. Dhe rasti, kur nuk vinte vetë, sajohej.E arrestojnë me akuzën se ka ndihmuar diversantët. Me akuzën e punës armiqësore dhe ndihmës së diversantëve e kaloi dhe ai një dekadë në burg. Tortura çnjerëzore provoi mbi trup, por shpirtin nuk e shiti.
Edhe xhaxhai i tretë, Halimi, u piketua për t’u arrestuar, por e mësoi para kohe lajmin dhe u arratis në Jugosllavi më 1949.
Rrëfimi i babait të Erikës, Rustemit, vazhdon: Jeta jonë po bëhej e padurushme. Ishim në sytë e përndjekjes natë e ditë. Vendosëm së bashku më babanë të arratiseshim që të shpëtonim. Kaluam kufirin në Jugosllavi. Pas arratisjes, vuajtjet ranë mbi nënën, të cilën e internuan për vite të tëra. Fate të përndjekur kishin dhe njerëzit e tjerë të familjes. Motra ime, hallua e Erikës, tentoi t’u shpëtonte vuajtjeve dhe provoi të kalonte kufirin me Greqinë, por e kapën në çastet e fundit. Edhe ajo përfundoi në burgun e komunistëve. Kur doli ishte kockë e lëkurë. E vrarë shpirtërisht. Ndërroi jetë në moshën 28 Vjeçare.
Dhe sërish pyetja: Po përse nuk e pranuan Erikën në shërbimet inteligjente, ku familja ishte një shembull i gjallë i vuajtjeve në komunizëm? Arsyeja gjendet tek tërësia e këtyre ngjarjeve që lidhen me familjen nga vinte Erika dhe prindërit e saj. Kaq shumë njerëz të torturuar a të vdekur përbënin shtysa të mjaftueshme, që Agjensia Sekrete ta refuzonte kërkesën e vajzës shqiptaro-amerikane. Ata i thanë Erikës se egzistonte mundësia që autoritetet komuniste mund të ndërhynin pranë Gjyshes plakë dhe mund ta detyronin ose mund t’i bënin oferta, për t’ia liruar njerëzit që kishte burgjeve, po qe se Gjyshja ndërhynte pranë babait të Erikës, që ai të marrë informata sekrete ushtarake prej Amerikës dhe t’ia dërgojë Qeverisë Komuniste Shqiptare, aq më shumë që babai i saj kishte qenë pjesë e shërbimeve sekrete. Babai, Rustemi, thotë se:”Së paku kështu i kishin thënë Erikës. Kjo ishte arsyeja përse nuk u pranua në shërbimet sekrete të ushtrisë”.

KARRIERA E “ËNGJËLLIT TË FORCAVE AJRORE”

Erika Demiraj ishte specialiste e inspektimeve jo shkatërruese me skuadronin e mirëmbajtjes së pajisjeve në bazën Ajrore në Moddy Georgia, ku shërbeu si instruktore për të gjithë automjetet e terrenit të skuadronit dhe të krahut ushatarak. Ajo arriti një profesionalizëm të shkallës sipërore. E dëshmojnë këtë gjurmët që ajo la pas dhe vlerësimet maksimale nga eprorët. Puna e saj ka marrë vlerësimet e merituara.
Erika është nderuar me Medalje e Urdhëra trimërie e profesionalizmi. Ndër të tjera ajo është vlerësuar edhe me Çmimin e prestigjioz”Ëngjëllit të Forcave Ajrore “për aktivitetin që pat kryer në”Stuhinë e Shkretëtirës” Fondin e Ndihmës së Forcave Ajrore. Çmimet i janë dhënë për profesionalizëm dhe besnikëri Shërbimi.
Erika Demiraj shërbeu në disa shtete, ku Amerika kishte bazat e saj ushtarake si në Spanjë, Turqi, Angli, Gjermani dhe Korenë e Jugut. Pas dhjetë vitesh shërbimi me besniëkri e profesionalizëm Erika po mendonte që ta linte jetën ushtarake dhe të kalonte në shërbim civil. Disa kompani i kishin ofruar asaj punë. Madje një ofertë i kishte mbërritur nga Singapori, ndërsa një tjetër nga Arabia Saudite, por fati ishte shkruar ndryshe. Një mëngjes trupi i saj u gjet i pajetë dhe i përgjakur në shtëpi.
Tregon babai i Erikës, Rustemi: Fatkeqsisht ato plane nuk u realizuan sepse ajo u vra në moshën 29 vjeçare, duke lënë pas bashkëshortin dhe djalin 4 vjeçar. Na la në dhimbje të thellë ne prindërit, na la me zemra të coptuara, la në dhimbje e pikëllim tri motrat dhe vëllanë e vetëm. Të gjithëve do të na mungojë, Erika jonë e dashur!

VARIMI CEREMONIAL, DY SKUADRA USHTARËSH

Babai, Rustem Demiraj, ndjehet mirë që kërkesën e familjes për ta sjellë pranë trupin e vdekur të së bijës, ua realizuan. Erika pat ndërruar jetë në Georgia, por ata si familje këmbëngulën që trupi të sillej pranë familjes. Ashtu u bë. Shërbimet funerale ishin ceremoniale. Komuniteti shqiptar, mori pjesë masivisht në ngushëllime dhe në varrim. Ministria e Mbrojtjes , dega Ajrore, u përfaqësua nga dy skuadra me ushtarë, që sipas rregullores nderuan me shërbimin e tyre, ku arkivoli me trupin e Erikës u mbulua me Flamurin Amerikan, të cilit ajo i shërbeu me besnikëri, dhe e mbrojti me dashuri e respekt.
Rustemi tregon se Erika nuk ishte e vetmja fëmijë e tyre që shërbeu me devocion e besnikëri në ushtrinë amerikane. Edhe djali i Rustemit dhe Sophies, Rustemi Jr. shërbeu për 6 vite në UNITED STATES MARINE. Shërbimi i tij rrok shumë shtete si: Bosnjë, Somali, Nigeri, Siera Leone, etj. Edhe nipi i Rustemit, djali i vajzës tjetër, shërbeu po në degën e UNITED STATES MARINE me detyrë në Irak dhe dy herë në Afganistan. Prindërit ndjehen krenarë që fëmijët dhe nipi janë të përkushtuar ndaj Shtetit, që u dha lirinë e munguar në Shqipëri.

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Erika Demiraj, lindi me 7 Maj

NJOFTIM NGA EDITORI PER KOMENTUESIT NE GAZETEN DIELLI

April 30, 2015 by dgreca

Duke filluar nga ky moment, Gazeta Dielli nuk do te pranoje komente qe nuk jene etike dhe nuk jane me emer te identifikueshem, por me pseudonim> Nje koment qe permban fyerje,dhe fjale te papershtatshme, nuk do te moderohet nga stafi i Diellit.
Ju bejme thirrje lexueseve te mos denigrojne askend, te mos akuzojne kend, te mos paragjykojne.
Te nderuar lexues
Mendojeni veten se si do te ndjeheshit nese dikush ju fyen me pa drejte, ju akuzon, ju perbalt punen tuaj?
Te nderuar lexues te Diellit; ne perpiqemi qe t’ju informojme falas, te sjellim opinione, histori, ngjarje, qe ndodhin ne Amerike dhe ne Europe, ne vendlindje dhe kudo dhe nuk meritojme qe te na ofendoni ne dhe bashkepunetoret tane. Ne ju informojme falas, ju zbrazni mllefet me akuza qe prekin karaktere njerzore!? Ky nuk eshte vleresim!
N ei falenderojme bashkepunetoret tane nga Shqiperia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Europa, Amerika , Kanadaja, qe jane bere pjese vullnetare e redaksise se Diellit dhe ndajne me lexuesit tane informacione, ngjarje, opinione, por nuk do te lejojme qe puan e tyre te perbaltet.
Te nderuar komentues: Ju lutemi per here te fundit mos shkruani më me pseudonime, mos ofendoni, dhe mos beni akuza prapa gardhit duke mos shenuar identititetin tuaj. Keto akuza dhe komente vihen ne dyshim sapo ju fshiheni pas pseudonimeve. Perse nuk e keni kuarjon qe kritikat t’i beni me emer e mbiemer? Vetem keshtu ato do te kene efekt dhe do te nxjerrin ne drite te Diellit te verteten. Gazeta Dielli nuk do te moderoje komente me pseudonime, qofshin keto edhe te sakta.
Faleminderit per mirekuptimin!
Editori
Dalip Greca

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, i editorit, komentet, Njoftim

LIBRI” PER VATRËN DHE VATRANËT” I IDRIZ LAMATJ, HISTORIA REALE E VATRES PER TRI DEKADA

April 29, 2015 by dgreca

Në takimin përkujtimor që mbajti Vatra me rastin e 103 Vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës dhe nderimi i martirëve të Vatrës, me shkas 6 vjetorine shuarjes së bashkëthemeluesit Kristo Kirka në burgun famkeq të Burrelit, u promovua dhe Libri i studiuesit Idriz Lamaj, ish gazetar i Zërit të Amerikës”, anëtar i këshillit të VATRES, “Për Vatrën dhe Vatranët.
Editori i Diellit, Dalip Greca, në paraqitjen e librit tha: Sot, në 103 vjetorin e ditëlindjes së Federatës Pan-Shqiptare Të Amerikës VATRA, promvojmë edhe librin e gazetarit, studiuesit, Kujtesës së Diasporës Shqiptare në Amerikë, anëtarit Të Këshillit të Vatrës, z. Idriz Lamaj” PER VATREN DHE VATRANET”. Ashtu sic urojmë për cdo ditëlindje, urojmë edhe për lindjen e një libri. Këtë promovim në fakt po e bëjmë pa shumë dëshirë nga autori, studiuesi Idriz Lamaj. Arsyeja mosdakordësisë së autorit qëndron në faktin se ai ka një tjetër projekt për ta ribotuar librin në një formë më të kompletuar. Por fundja ne këtu jemi, e promovojmë sërish kur autori ta botojë librin e ri.
Libri me titullin simbolik”Për Vatrën dhe Vatranët” merr përsipër të hedhë në shinat e Historisë së munguar të Vatrës, një historik të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA për tri dekada, nga vitet 1925 deri në vitet 1955. Janë vite interesante të historisë së Vatrës, kur kanë ndodhë shumë ngjarje. Natyrisht kanë shkuar vitet më të mira të Vatrës, sic ishin ato të Fushatave të mëdha Kombëtare si:”Për Shpëtimin e Shqipërisë”, ka mbetur pas roli i madh i Vatrës në Ruajtjen e Pavarësisë së Shqipërisë, Konferenca e Paqes, Kongresi i Lushnjës, Huaja Kombëtare,ka mbetur pas Carja e parë serioze ajo që udhëhoqi ish Kryetari i Vatrës Kristo Dako, lindja e Partisë Politike, madje edhe prova e Qeverisjes përmes Nolit, c’ka qe qe një zhgënjim edhe nga vetë Kryeminsitri Noli, gjë që ka sjellë një tërmet tjetër në radhët e Vatrës, përballjen e dy miqëve, dy arkitektëve themelues të VATRËS, Fan S. Nolit dhe Faik Konicës. Pikërisht aty e merr fillesën Libri historik i studiuesit Idriz Lamaj”Për Vatrën dhe Vatranët”.
Në fakt e tërë lënda e librit përbëhet nga trajtesa historike që gazetari dhe studiuesi Lamaj i ka përgatitur në konferencat dhe veprimtaritë e ndryshme të Vatrës apo enkas për Gazetën Dielli. Referncat e shumta që ai përdor, mënyra se si e shtron lëndën historike, pa marrë anë, por vetëm informim i lexuesit, është një shembull që ia vlen si referencë në këto kohë të tejzgjatura të tranzicionit shqiptar për rishkrimin e Historisë sonë Kombëtare të deformuar dhe keqshkruar nga historianët e politizuar apo të zënë peng nga politika e djeshme dhe e sotme.
Sic thotë kolegu i tij, z. Frank Shkreli: Lamaj kryesisht ka përdorur gazetën Dielli si burim kryesor por edhe gazeta dhe botime të tjera, si “Albania” e Konicës, “Emigranti” për të dokumentuar historikun e Vatrës për periudhën që mbulon. Z. Lamaj përshkruan një periudhë të vështirë për Vatrën, sidomos për periudhën e para Luftës së Dytë botërore, kjo sipas autorit, për arsye të krizës ekonomike në Shtetet e Bashkuara por edhe më tepër për arsye të konflikteve dhe ngatrresave të brendshme të organizatës Vatra, përfshirë sidomos grindjet midis Faik Konicës dhe Fan Nolit, por edhe si rrjedhojë e të rolit përçarës që luante Konsullata e Shqipërisë në Boston. Megjithëse dy protagonistët kryesorë të asaj që autori cilëson si “lufta klasike e mendimit të lirë të vatranëve” të asaj periudhe, ishin natyrisht Noli e Konica, autori i librit “Vatra dhe Vatranët” thotë se duhet të merret parasyshë gjithashtu edhe roli që kanë luajtur, ndër të tjerë, Refat Gurrazezi, dishepull i Konicës, Qerim Panariti, dishepull i Nolit, Peter Kolonja e shumë të tjerë. Por, autori thotë se ndonëse “fërkimet politike” midis tyre ishin mjaft serioze, Lamaj nënvijon se dokumentat provojnë se megjith kundërshtimet politike midis tyre, ata në të vërtetë e ruajtën miqësinë dhe respektin për njëri tjetrin në çdo kohë dhe deri në vdekje.
Për ta vërtetuar këtë përfundim, Z. Lamaj sjellë një pjesë të fjalimit të Nolit me rastin e varrimit të Faik Konicës në dhjetor 1942, ku ai shpreh respektin e tij të madh duke thënë se vdekja e Konicës, ishte sipas Nolit, “….Humbje me të vërtet’ e tmerruar, se sot po bëjmë nderimet e funtme dhe i themi lamtumirë njërit prej bijve më të shkëlqyer të Shqipërisë. Se Faik Konica, sikundër e dini, ka qenë nga çampionët më të mëdhënj të indipendencës kombëtare; pa dyshim, ka qenë ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë dhe veç këtyre, është njeriu që na ka zbuluar flamurin e Skëndërbeut. Ja tre tituj, që nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët më të egër….”, ka thënë Fan Noli për Faik Konicën, me rastin e varrimit të tij.
Në të vërtetë, megjithë grindjet e këtyre kolosëve, mosmarrveshje që autori i cilëson si “fërkime politike”, ndonëse nga njëherë të ashpëra, ajo që vihet re në dokumetacionin e këtij libri është se këta kolosa më në fund, kur vinte puna tek interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve ata prap se prap, punuan së bashku për të mirën e Atdheut. Është ky një mësim dhe shembëll i mirë për politikanët e të gjitha kohërave, ka shkruar gazetari i njohur, ish drejtor per Europen dhe Azine ne Zerin e Amerikes, Frank Shkreli.
Shkreli arrinë në përfundimin se në librin e Idriz Lamajt, është provuar se Faik Konica nuk ishte shërbëtor i Ahmet Zogut dhe as Fan Noli nuk ishte shërbëtor i Enver Hoxhës, duke hedhur poshtë pretendimet e tilla gjysëm shekullore të regjimit komuniste.
Duke iu drejtuar vatarnëve pjesmarrës në veprimtari Editori i Diellit ka apeluar: Unë do t’ua rekomandoja ju miq vatranë që ta lexoni librin e z. Lamaj”Për Vatrën dhe vatranët”, për shumë arsye.
Së pari të shuani kuriozitetin tuaj historik
Së dyti, të merrni një informacion të paanshëm për historinë e Vatrës dhe përballjen e Kolosëve Konica-Noli.
– Së treti të krenoheni për luftën pa kompromis për ceshtjen Kombëtare që kanë bërë paraardhësit tanë vatranë.
Së katërti rikthehem tek përfundimi i z. Shkreli, që të merrni mesazhet e qarta rreth përfoljeve të argumentuara për shërbesën e Nolit ndaj Enver Hoxhës dhe pavarësisë së shërbesës së Konicës ndaj Mbretit. Të dy kishin për Kuran e Bibël: Cështjen Kombëtare. Kjo është e argumentuar në dritën e fakteve në librin e z. Lamaj.
Për kurreshtarët që nuk e kanë kalaur nëpër duar librin, po bëj nëj shfletim ët shpejtë:
Libri sjell para lexuesit historinë interesantë rreth Vatrës dhe diellit në gati tri dekada.
Në mënyrë telegrafike, editori bëri një kalim të përmbajtjes së librit duke u ndalur në:
– Tablonë e qartë të trajtimeve të Historisë së Vatrës, vecanërisht në vitet ’30, por edhe më pas deri në 1955.
– Pasqyrimi në libër i një historie të detajuar për atë cfarë ndodhi në gjirin e Vatrës, rreth Kuvendit XXI të Vatrës dhe Nadrjen e saj më dyshë.
– Kuvendi i Bashkimit sjell një tjetër faqe interesante në Historinë e Vatrës, kur cështja Kombëtare dominon mbi ndarjet e egot individuale.
– Për qëndrimet e Vatrës gjatë luftës së II Botërore, trajtesa është interesante.
– Sic dihet Vatra ka kryer shërbim diplomatik për Shqipërinë edhe kur nuk kishim shtetet. Libri i z. Lamaj sjell shembullin e vecantë të një patrioti të madh, familja e të cilit ishte përgjakur nag shovinsitët Grekë. Ky është Petro Kolonja.
Petro Kolonja, vijoji ta kryejë detyrën e përfaqësuesit diplomatik i emëruar nga Mbreti Zog me 15 Janar 1943. Historia, që paraqet studiuesi Lamaj, është vërtetë interesante dhe plot episode. Lexojeni informacionin që sjell z. Lamaj në librin e tij rreth”Veprimtarisë Diplomatike të “Një ambasadori pa kredenciale” dhe do të bindeni më shumë për serizozotetin dhe përkushtimin me të ciliin e kreu detyrën Petro Kolonja.
– Libri pasqyron edhe faqe të ndritshme të Historisë së Vatrës për cështjen Kombëtare:- Fedearta Vatra, ka bërë luftë të vazhdueshme për cështjen Kombëtare, vecanërisht kundër fqinjëve Jugorë që nuk i kanë rreshtur pretendimet për Shqipërinë e Jugut. Trajtesa e z. Lamaj sjell informacione të detajuara përmes trajtesës: “Vatra përballë Pretendimeve Territoriale Greke ndaj Shqipërisë në Përfundimtë Luftës së Dytë Botërore”, apo trajtesa tjetër”Vatra në ankthin e pretendimeve Greke”.
– Një kapitull më vete përbën” qëndrimi i gazetës Dielli ndaj Qeverisë Komunsite të Shqipërisë dhe Qeverisë Amerikane gjaët viteve 1945-1955.
Editori Greca tha se në librin e Lamjat, të rëndësishme janë edhe trajtesat për:- Charls Ericson dhe Vatra në vitin 1945.
– Panariti dhe Noli 1945-55
– Manipulimi ideologjik Marksist me veprimatrinë Letrare dhe Politike të Nolit.
– Faik Konica në Interpretimin e Historisë Marksiste Leniniste.
– Për Konicën do të gjeni shumë materiale që kanë të bëjnë me veprimtarinë e tij publicistike, gjuhësor, letrare rreth revistës së Tij Albania, merita në përcaktimine Alfabetit ët përbashkët, , letra…etj.
Editori vecojë edhe portretet e vecanta që sjell Libri i Lamajt për disa nga figurate Vatrës si: Petro Kolonja, Refat Gurrazezi, Qerim Panariti, Kostë Cekrezi, Nelo Drizari etj….
Editori do ta përfundonte paraqitjen e librit të Idiz Lamajt me thirrjen: “Miq, lexojeni librin”Për Vatrën dhe Vatranët” dhe do të më jepni të drejtë se ai është një libër që na duhet shumë ne vatranëve.

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Idriz Lamaj, Per Vatren dhe Vatranet

KUSH ËSHTË RRUSTEM GECAJ-“NDER I KOMBIT”?

April 29, 2015 by dgreca

Rrustem Arif Gecaj ka lindur më 23 nëntor 1948 në Llukën e Ulët të Deçanit të Kosovës në një familje atdhetare që i qëndroi me stoicizëm represionit serb. Rreziku i jetës prej rritjes së dhunës dhe genocidit serb e bëri që të merrte rrugët e kurbetit dhe më 1972 arriti në tokën e Lirisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mërgimtari arriti që të përshtatej shpejt me jetën mërgimtare dhe në bashkëpunim me Harry Bajraktarin krijuan e fuqizuan bizneset në SHBA. Këtë biznes ata e vunë në shërbim të çështjes Kombëtare, veçanërisht të sensibilizimit të politikës dhe shtetit amerikan për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Rrustem Gecaj në bashkëpunim me nipin, Harry Bajraktarin themeluan Gazetën Shqiptaro-Amerikane “ILLYRIA” në Nju Jork, në qershor 1991, duke e kthyer në një zë të fuqishëm të informimit të Kongresit dhe Senatit Amerikan, duke e dërguar gazetën falas tek shumë kongresmenë e senatorë, përkrahës të Kosovës, ata informuan mbi genocidin që ushtrohej ndër shqiptarët.
Rrustem Gecaj ka qenë pjesë e të gjitha organizimeve dhe shoqatave që u ngritën në SHBA për të fuqizuar luftën e përbashkët për sensibilizimin amerikan për Kosovën dhe ngritjen e zërit për demokratizimin e Shqipërisë.
Së bashku me Harry Bajraktarin, Rrustem Gecaj kanë kontribuar edhe në Kosovën e okupuar. Është e dokumentuar që ndihma ndaj Kosovës ka nisë herët, që nga fillimi i viteve ‘80. Është e dëshmuar se ata nisën të ndihmonin familjet e minatorëve në grevën e urisë së Stari Tergut dhe e kanë vazhduar për vite ndihmën. Ishin 20 familje me 186 persona që mbaheshin nga Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj. Po ashtu ndihmuan Televizionin e Prishtinës kur Serbia ia ndërpreu fonde.
Rrustemi ishte pjesë aktive e LDK-së, siç u bë edhe pjesë e Këshillit Shqiptaro-Amerikan, dy nga organizimet rezultative të shqiptarëve që ndikuan shumë në politikën amerikane në favor të Kosovës. Ai ishte një nga shtyllat e organizimit për mbledhjen e 3 përqindshit për shqiptarët e Amerikës në ndihmë të popullatës shqiptare të Kosovës.
Rrustem Gecaj nuk e ka kursyer pasuriën e tij për t’u bërë pjesë e mbledhjes së fondeve për presidentët, senatorët, kongresistët, e SHBA-ve, të cilët janë bërë mbështetës të zgjidhjes së cështjes së Kosovës.
Pas çlirimit, kur në Mitrovicë serbët i kishin vënë përpara shqiptarët dhe nuk po i lejonin të ktheheshin në shtëpitë e tyre, Rrustemi konstatoi se Ali Kadriu po i sfidonte serbët dhe UNMIK-un, përkundër kërcënimeve; ai po përpiqej që ta ndërtonte shtëpinë e tij të rrënuar. Aliu duhej ndihmuar për t’u dhënë zemër shqiptarëve të tjerë në Mitrovicën e lakmuar nga Beogradi, kishte menduar biznesmeni në Neë York. Ishte nëntori i vitit 2008. Rrustem Gecaj nisi një aksion dhe u tha miqëve të tij: Duhet t’i ndihmojmë bashkatdhetarët tanë të Mitrovicës, o sot o kurrë. Dhe i pari nxori çekun me mijera dollare. Nën shembullin e tij vepruan kushërinjët dhe miqtë përkrahës.
Atdhetar nuk bëhesh me fjalë, por me vepra. Këtë e tregon shembulli i Rrustem Gecajt për të sposorizuar qytetarë të Kosovës për mjekim në SHBA.
Ai ka sponsorizuar edhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Dajë e nip kanë mbështetur zgjedhjen dy herë të presidentit Bill Clinton, të senatores Hillari Klinton, të senatorit Bob Dole, Joe Liberman, kongresistit Eliot Engel, Sue Kelly, McCain, D’Amato, e shumë mbështetës të tjerë të Kosovës dhe çështjes shqiptare.
Në Konferencën që përcaktoi të ardhmene Kosovës, në Rambuje, Rrustem Gecaj dhe Harry Bajraktari, ishin shoqërues të kongresmeneve Sue Kellit dhe Eliot Engel. Ata e nisën shpejt punën për ta bërë të njohur Kosovën në SHBA.
Dajë e nip, krahas suksesit të biznesit, nisën herët që të mendojnë edhe për lirinë e Kosovës dhe më pas iu bashkëngjitën Dr. Rugovës në doktrinën e tij për të sjellë lirinë përmes rrugës paqësore. Kjo i përshtatej mentalitetit amerikan, ku dyshja e biznesit, gjeti mirëkuptim dhe terren për ta bërë të njohur Kosovën. Rrethi i miqësisë së tyre ishte një mbështetje e fuqishme për të siguruar mbështetjen e Washingtonit për Kosovën e lirë.Nisja e botimit të gazetës Illyria në Neë York në qershor 1991 ishte një barrë e rëndë që ata morën përsipër dhe u kushtoi qindra mijera dollare.
Rrustem Gecaj mendon se shqiptarët e Amerikës duhet të bashkohen. Ka ikur koha e partive politike. Tani të gjithë duhet të bashkohemi në Vatër sepse kështu i shërbejmë më mirë Kombit. Vetë ai së bashku me miq të vet është anëtarësuar në Vatër dhe është i zgjedhur në Këshillin e Vatrës. Ai vuri në dispozicion me mijëra dollare për ta renovuar Shtëpinë trikatëshe të VATRËS.
Rrustem Gecaj ka qenë një ndër mbështetësit e fuqishëm për demokratizimin e Shqipërisë. Ai i ka dhënë përkrahje forcave demokratike dhe po rrit investimet atje.
Pas çlirimit të Kosovës rrustem Gecaj është ndër investitorët më të fuqishëm në Kosovë.
Z. Rrustem Gecaj ka mbështetë fuqishëm të ndjerin president të Kosovës dr. Ibrahim Rugovën, presidenten e tanishme të Kosovës Atifete Jahjaga, Kryeministrin Thaci dhe Haradinaj, ish presidentin dhe Kryeministtrin Sali Berisha.
Ai do t’i rrisë më shumë investimet jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri.(Dalip Greca)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, KUSH ËSHTË RRUSTEM GECAJ-, nder I Kombit

DARKË MADHËSHTORE E VATRËS NË MICHIGAN PAS KUVENDIT

April 22, 2015 by dgreca

Nga Dalip GRECA/*
Pas Kuvendit, dega e Vatrës organizoi një darkë madhështore në Kishën e Shën Palit në Detroit. Në një mjedis festiv, darkën e ka drejtur vatrani Novruz Nazarko.
Këngëtari Frederik Ndoci, me zërin e mrekullueshëm dhe me humorin karakteristik shkodran i ka dhënë gjallëri darkës. Në argëtimin e pjesmarrësve kontribuan edhe këngëtarët Mark Margega, Valentino Mitaj dhe Përparim Mefaja.
Pas një kuvendi të suksesshëm në darkë u vu re një përkrahje e madhe nga komuniteti i degës së Vatrës në Michigan. Shumë shoqata ishin të pranishme dhe përshëndetën Vatrën, c’ka tregon vlerësimin që i bëri komuniteti shqiptar vatranëve të Michiganit, vazhdues të Vatrës historike, që ka vepruar atje, dega 33, që ka shënuar rekorde në historinë e Federatës, e cila me 28 prill mbush 103 vite.
Në darkë ka përshëndetë konsulli i nderit i Republikës së Shqipërisë z. Ekrem Bardha, i cili i dha mbështetje degës dhe e përgëzoi atë për veprimtarinë e saj kombëtare. Z, Bardha vlerësoi kontributin historik të Vatrës 103 vjecare dhe garantoi përkrahje të mëtejshme. Konsulli i Nderit përcolli urime edhe për gazetën Dielli, gazeta më e vjetër të shqiptarëve, e cila ka 106 vite që vazhdon të ndricojë mendjet e shqiptarëve të Amerikës. Ai premtoi 5 mijë dollar për Diellin.
Z. Agim Rexhaj, zv/kryetari i Vatrës, në përshëndetjen e tij, falenderoi pjesmarrësit për mbështetjen që i japin Vatrës, për praninë e tyre në darkë, falenderoi z. Bardha, dy meshtarët e pranishëm dom Fran Kolën dhe dom Ndue Gjergjin, të gjithë përfaqësuesit e shoqatave të pranishëm, degën e Vatrës në Michigan me kryetarin Alfons Grishaj për punën e mirë dhe Kuvendin e suksesshëm.
Duke folur për Vatrën, historinë e saj të pasur Kombëtare, z. Rexhaj tha se është krenari që të bëhesh pjesë e Vatrës, prandaj, tha ai, ju ftoj që t’i bashkohen vatranëve. Zv/kryetari i vatrës foli edhe për Kuvendin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, që do të zhvilojë punimet me 2 Maj në Jacksonville në Florida.
Me duartrokitje u prit dorëzimi nga zv/kryetari i Vatrës i dekorimit me medalionin dhe Hartën e Kosovës akorduar Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Michigan z. Ekrem Bardha nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kryetari Haradinaj ka vlerësuar kontributin e jashtzakonshëm që Konsulli i Nderit Bardha ka dhënë për cështjen Kombëtare në përgjithësi dhe vecanërisht për Kosovën.
Duke ia doërzuar dekoratën, zv/kryetari i Vatrës, z. Rexhaj, tha se z. Bardha, ka më shumë se 50 vite që punon për Kosovën dhe cështjen kombëtare në tërësi.
Dom Fran Kolaj, famullitari i Kishës së Shën Pjetrit , ka përshëndetur pjesmarrësit, ka përgëzuar degën e Vatrës për Kuvendin e suksesshëm dhe punën e palodhur për cështjen kombëtare.
Darkën e ka bekuar dom Ndue Gjergji, famullitar i Kishës Zoja Pajtore.
Në emër të dëgës së Vatrës, të pranishmit i ka përshëndetur sekretarja e sapo zgjedhur zonja Enita Hajdari. Në fjalën e saj, pasi falenderoi pjesmarrësit dhe mysafirët, sekretarja e Vatrës u përqëndrua në rritjen e rolit të grave në Vatër. Ndër të tjera ajo tha se Vatra ka luajtur një rol të rendësishem në historinë e Shqipërisë dhe diasporë. Vatra është pjesë e shpirtit dhe mëndjes shqiptare e cila la atdheun në kushtet dhe rrethanat të veshtira por pa e harruar kurrë atë. Në fakt kjo ndarje e dhimbshme e atyre që e frymëzuan dhe e ndërtuan Vatrën vazhdon të coptojë zemrën e shumë të tjerëve ,të cilët edhe sot e kesaj dite vazhdojnë ta lëshojnë atdheun, në një eksod të dhimbshëm, jo sepse nuk e duan atë por sepse kushtet dhe rrethanat ua diktojnë .
Pra, kjo organizate atdhetare inkurajon bashkimin e të gjithë shqipetareve kudo qofshin dhe ngado qofshin, atyre të Maqedonise, Malit të Zi, Kosoves dhe Shqiperisë. Sepse, sikurse te gjithë jemi bijtë e një nëne ateherë të gjithë bashkë duhet të ulemi në një sofer, dhe të jemi një krah i ngrohtë dhe inkurajus për njëri-tjetrin. Ti lëmë mbrapa inatet e vjetra, shpifjet, përcmimet, intrigat dhe t’i bashkohemi një ideali, atij më të shtrenjtit: “Të përkrahim dhe duajme njeri-tjetrin në tokë të huaj”, qe është imperative për mbijetesen e zakoneve dhe traditave në diaspore, që është jetike për të siguruar trashegimine e shqiptarizmit nga një brez ne tjetrin. Mendoni që të njëjtat shqetësime dhe dëshira kanë patur parardhesit tanë, të cilat në ketë moment të jetës tonë po i pranojmë edhe nderojmë. Tani është detyra jonë të kultivojmë edhe dorëzojmë virtytet e gjuhes tonë të bukur shqipe, zakonet dhe traditat tona shekullore brezave të ardhshëm, shqipeve të vogla.
Në ketë kontekst, nuk mund të mos njohim dhe shtyjmë më përpara rolin e familjes shqiptare , në marëdheniet e saj brenda komunitetit dhe rolin e këtij komuniteti në shtetin e Michiganit. Kush mund ta mohoj rolin jetik të gruas dhe nënes në familje? E pra është kjo, familja jonë e madhe shqipetare që ka më shumë se kurrë nevoje për pjesemarjen aktive të gruas në vater dhe komunitet. Mendoni se pa rolin e gruas, komuniteti jonë do jetonte dhe zhvillohej perkrah komuniteteve të tjera pa patur balance përfekte ndermjet asimilimit dhe intergrimit? Mendoni se ka ardhur koha për një përfshirje të gruas në vater?
Mendoni se Vatra ka nevojë për largpamesin, intelektin dhe zhvilimin qe gruaja shqiptare implementon në familjes e saj? Kush mund të dalloje dhe krenohet me rolin e grave shqiptare dhe mijera historive të sukseshme të tyre qe nga busineset e vogla familjare deri tek korporatat. Ka ardhur koha qe gratë të dalin nga hija e familjes edhe e punes dhe të mbeshtesin njera-tjetren. Nena, vajza dhe motra, perfytyroni shkembime experiencash, iderash, aktivitetesh dhe mbi të gjitha ndarje shqetesimesh, mbeshtetje emocionale dhe inkurajim ndaj njera-tjetres? A nuk do behej jeta jonë më e lehtë, komuniteti ynë me i zhvilluar nga aktivitetet tona në Vater?
Ju bejmë thirrje, burrave, baballarëve dhe vëllezërve tanë të pranojnë dhe suportojnë rolin tonë të pashmangshem në shoqeri, familje dhe komunitet. Ashtu si ata burra në familje kanë nevojë për kujdesje, ushqim, frymëzim dhe mëshirim, ashtu edhe komuniteti ka nevojë për të njëjten forcë dhe vetmmohim që gruaja e ka në deje dhe sidomos gruaja shqipetare.
Ju falenderoj dhe shpresoj që në takimin e vitit të ardhshem të festojmë 10-fishin e anëtareve në organizaten e re: “Gruaja e Vatres Shqipetare”.
Më pas kanë përshëndetur z. Lekë Gjonaj-kryetar i Shoqatës “Malësia e Madhe”, drejtoresha e financave pranë zyrës së senatorit Gary Piters- Elisa Malile, drejtori i Qendrës Ballkanike, Taulant Kadiu, Kryetari i Shoqatës “Kastrati’ Petrit Doda, Sekretari i shoqatës Luvigj Stërbyci, Ish zv/ Kryetari i Shoqatës të ish të burgosurve politikë Gjon Kacaj, Sotir Laco, i biri i vatranit të mocëm Vangjel Laco, kampioni i Kickboxing për Michiganin vatrani Adrian Hadriberajther dhe të tjerë.
Për më shumë se 5 orë vatarnët dhe komuniteti kanë festuar së bashku.
*Fotografite shihini ne facebook

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, Darke madheshtore, Michigan, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT