• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ligjerata të At Anton Harapit

December 15, 2020 by dgreca

Pater Anton Harapi para gjykatores komuniste/

Fragmente/

Shënim nga Prof. D. Gazulli/

Kam vërejtë ndër komentues paqartësi e mosnjohje të jetës dhe veprës së At Anton Harapit.

Tue qenë këto ligjërata të botueme gjatë Luftës Botënore, janë dëshmi mbi të cilat vetëm mund të thellohemi; ato nuk mund të ndryshojnë ma simbas dëshirës apo pikëpamjeve të njenit apo tjetrit.

Secili le të nxjerrë përfundimet e veta.

Nënvizimet janë të mijat.

FANATIZMI – nji turp për personin dhe për shoqninë

Zotni të ndershëm,

Më falni për guximin: due ta përballoj çashtjen ma delikate në jetën shqiptare.

Kush e kishte zanë besë?… Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe, ndër ateistat e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmnisë shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristianë, janë fakte qi nuk lanë me luejtë, por janë edhe prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare. 

Për sa dij unë deri më sod, kjo çashtje kurrë nuk qe përballue kjartë e mirë; sa herë qe kallë, menjiherë edhe qe mbulue porsi gaca nën hi.

T’i mbetet hatri kujt të duen, unë due ta thom mendimin tem haptas: Marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik e këta jo për besim, sa për inat e për parti. Ndër çasat ma të vështirë të jetës sonë kombtare, njimend se shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti nji tharm, nji gond rryme e partie, sa me të trembë e me të demoralizue. 

Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër ne? 

Ateistat me të gjithë skeptikët, indiferentat, natyralistat, aventurierët e oportunistat, thonë se jo: Na shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiparizma! Këta shpresoj t’i përballoj njiherë tjetër; këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnia nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë t’patënzonë. Fjalën këtë herë e kam me besimtarët e tre elementave.

Pa kontenstim ne jemi nji komb, nji shtet e nji popull me nji shpirt, me nji gjuhë e me nji histori, e po t’ishim edhe të nji besimi, patëm me qenë edhe ma te bashkuem, ma homogjenë, dhe nuk patëm me bjerrë mund’ e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky se na jemi pra myslimanë, ortodoksë e katolikë e si të tillë duem të rrojmë në nji harmoni vëllaznore. Unë thom se për këtë punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vëllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.
Pra, tezin tem e ve kësodore: Shqiptarët, po qenë vërtet të qytetnuem e nacionalista të sinqertë, besues edhe përnjimend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos rrojnë vëllaznisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën njerëzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombtare, e derisa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me qenë të damë e të përçamë, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare.


PENGIMI I MADH: FANATIZMI


Pengimi i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vëllaznimit tonë asht fanatizmi, i cili asht nji turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi, nji turp për jetën shqiptare. Besimi qi mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton. Besimi në nji Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njerinë ndër ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instinktit, ndër të cilat asht dhe egoizmi qi don të justifikohet me shkakun e besimit. Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: Të dy ngulin kambë për nji bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullndesës deri në kulm.., 

por me këtë ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për nji parim t’arsyeshëm, ndërsa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye; njeriu me karakter tregon nji zotësi morale, ndërsa fanatiku dishmon nji dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin e egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerëzisht asht i ligësht; karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në ves e n’egërsi. Fanatizmi asht antinjerzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor. Pra, për të rrojtë vllaznisht, nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim. Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturen vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, d.m.th. nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme, mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjimend në vete ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vëllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi. Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha qi ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për nji çdo tjetër arsye të jashtme; sod duhet të dijmë shka besojmë dhe pse të besojmë; lypet ta justifikojmë, nëmose para vetes, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për nji gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndiesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtues në nji sistem jete. Kjo don me thanë kulturë fetare.


TË RROJMË SHOQNISHT E VLLAZNISHT


Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristianë e myslimanë të jenë të gjithë Shenjtën a Peigambera, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vëllaznisht. 

Pa kulturën njerëzore, nuk jemi të pjekun të rrojmë si njerëz  e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.

Kam pa myslimanë edhe kristianë qi me vetëmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër sado heroike, nuk shfaqin nji madhni shpirtnore, të cilën nuk e kanë, pse qindresa e tyne të shumtën e herës bazohet thjesht në nji zakon, në nji traditë e në nji moskuptim të jetës fetare qi e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.

Nji kusht tjetër qi rrjedh prej kulturës së shpirtit asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë diagnozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këtë fenomen të çuditshëm: kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari em. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamëm fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore. Më ka ra rasa për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çashtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush nji mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenj antagonizmi e luftimi.

Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prapë e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e nji tjetri asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këtë përbindsh të individualizmit egoistik. Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me nji kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, po n’atë mënyrë si kërkojmë qi të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dimë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë nji rrugë a nji parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem të na përbuzë kush ne edhe po të jemi në gabim, ashtu as na mos të përbuzim askend. 

Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshin edhe besimesh të ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kuj shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. 

As në këtë pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.


SHKAQET E DASISË


Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime; E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndërrojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin. 

E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht. Kështu arsyetojnë ata qi besimet i kanë ferrë në sy.

Problemi i vërtetë asht i vështirë, por zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet qi janë:

1. Intoleranca dogmatike, 2.Toleranca shoqnore qytetare, dhe 3. Toleranca shoqnore politike. Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë por i afrohet kuptimit, me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijët, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk bartim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme, na merr nderin.

Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë qi në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë qi ndërgjegjja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë nji parimi, qi e ka për ideal të parë.

Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë qi nuk bartet as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zit e thonit. Fjalë qi me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim në kurrnji mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë, e arsyeshme, e drejtë: e vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar. Ja edhe arsyeja e thanies seme: Nji besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt nji çfarëdo kredoje tjetër, do të përgjigjet me nji “jo” kategorike të preme.

Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnji besim pëmjimend, thotë se besimet janë njinji të vërteta, si t’ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njinji për ta plotsue nji nevojë të jetës. Po qe si njena dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëhere asht njinji si e vërteta si e kundërta, e po qe se Zoti i dha e i dau besimet e kundërta, atëhere Zoti asht hartuesi i gabimit, i rrenës dhe i përçamjes.

Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në nji shtet, në nji popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatike. Për njiherë ashtu po e zamë, edhe po e vejmë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këtë themel, bie fjala, Krishti qe a s’qe Zot, Muhamedi qe a s’qe Profeti i Zotit, në këtë rasë për mue do t’ishte njipërnji; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: si Krishti e Muhamedi të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë qenë hipokritë e mashtruesa, si të kenë qenë të ndershëm e të drejtë.

Kush nuk e sheh këtë dobësi mendore e morale? Njeriu të cilit i vjen era njeri, mosbindjen kurrë nuk e tregon për bindje, dhe atë për shka asht i bindun se asht gabim, kurr nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm nji detyrë e fetarit, por nji detyrë e secilit njeri të ndershëm e t’arsyeshëm.

N’emën të së vërtetës, pra e për hir të sinqeritetit, luftë çdo gabimi, kudo qi ta gjejmë, edhe ndër kërkimet shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave. Për këtë intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike, jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndërsa këtë intolerancë e gjejmë edhe ndër njerëzit e ditunisë, t’artit e të politikës, për shka u përket parimeve të tyne.,. Këtë, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë. Këtë po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, si për besimtarë.


NJI FORMË E INTOLERANCËS: POLEMIKA


Nji formë e intolerancës asht polemika, e cila po qe serioze, ditunore, e paanshme, e bashme ndër sfera të nalta, vërtet ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerëzore e fetare qi kemi, thom se polemika nuk asht për ne. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çashtje, kurrë nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrenen, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive t’ulta, të polemizojmë me pasion.

Tjetër mandej asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këtë parim, na e dallojmë kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht personi e tjetër asht vepra; personin e falim, veprën e gabueshme e dënojmë; atë e duem, këtë e mënijmë; atë e bartim, këtë nuk e durojmë. Ky asht parimi bazë qi na shoqnon: me kurrnji gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët, edhe të jenë të gabuem, afrim, dashuni, vllaznim. Natyra na mëson këtë parim: ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme mban nji harmoni të çuditshme; jeta njerzore na imponon; si, bie fjala, ndër ne të marrunit me ndore, besa, mikpritja, qe se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin. Këtë shoqni qi na mëson natyra, na e imponon jeta; po njikëtë na urdhnon besimi, cilido të jetë. 

Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se nji i njejti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në sajë të nji Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, Na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijt e nji Zoti qi na ka falë. Pra Zoti i të gjithë neve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi nji.

Ja, pra, se kurrgja nuk na vllaznon ma fort se Zoti. Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë shqiptarëve pa ndryshim. 

Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: muhamedani i biri i Zotit, krisatiani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta: porsi vllau për vllanë të ndiejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjen fetare të shoqi-shoqit: për kurrnji arsye nuk kemi te drejtë të përbuzim kend; porsi me të drejtë kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët. Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë. 

Kush e ushtron këte asht me të vërtetë i madh.

Toleranca qytetare- shoqnore e gjen plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore- politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njipërnji të tria besimet në Shqipni; shteti njimend asht afetar, d.m.th. as-njanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnji besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit; ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka as ndryshim, as pengim ndër të drejta të kurrnji elementi; të gjitha ligjet, masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetet ndër zyrtarë, me sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi. Shteti, pra, jep liri të plotë, edhe të tre elementave ua siguron të drejtat qytetare e politike; parimi i tij mbështetet në drejtësi e jo në dashuni; shteti nuk ka miqësi as anmiqësi me kurrnjenin element. 

Pra, për me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë:

  1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. 

E vërteta nuk luen (intoleranca teorike- dogmatike);

  1. Duhet të kemi dashuninë e siqertë midis personave (toleranca shoqnore-qytetare);
  2.  Duhet të mbahet drejtësia me ndërgjegje ndër ligje, e ndër zyrtarë (toleranca shtetnore- politike). 

Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht kjo: Na duhet të rrojmë sëbashku jo si përdhuni, por me vetëdashje; këtë punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullnesa, do ta ndiejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullnesën do ta vendosë e drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht nji virtyt, për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore, do të jetë i prekun e i tërhjekun. 

E tanë puna asht këtu: me dijtë e me qenë të zotët ta bartim shqiptarin, jo si të huej, por si vlla. Kështu, pra, nuk janë besimet ato qi e shqetësojnë jetën vllaznore në Shqipni, por gabimet pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato qi e krijojnë çashtjen fetare në vendin tonë.


PENGIME Q’I DUHEN KAPËRCYE

E mjaft me teori. Kush don, ja ka marrë vesht me kaq, ja nuk ka marrë vesht kurrë. Tash të vijmë te praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofila. Kështu qi nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali, as Bajram Curri pse muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse ortodoksë, as Gurakuqi as Dedë Gjo’ Luli pse katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare! Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengime.

Pengimi i parë, per shërimin e kësaj plage të kobshme qi e shqetëson jetën ndër shqiptarë, asht gabimi i madh i disa udhëhjeksave të cilët duen ta mbulojnë a edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, asht edhe do të shkojë në gangrenë, po nuk u shërue, me dorën e nji kirurgu t’aftë e të ndërgjegjshëm. Shka asht gabim e kalbsinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, le të qitet në shesh, le të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt. Pse ta mo-hojmë? Nji pjesë e mirë, muhamedanë e kristianë, ortodoksë e katolikë nuk shikohen me sy të mirë; nji antagonizëm shoqnor qindron në mes të tyne; ata nuk kanë mbërrijtë ende t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile qi do të kenë. Duhet ta pohojmë botënisht se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: ta njohim e ta ndiejmë sa duhet ketë plagë shqiptare.

Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristianë, nuk janë parimet dogmatike; ato populli as nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit, sot nuk ban kush parti as nuk ngrehë ngatërresa.

Shaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicjone mënie midis elementave; na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemrime kundrejt shoqi-shoqit; me këto lejmë, me këto rritemi, me këto formohemi, e për rrezik tonin me këto edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na i shrranjosë. Do të kalojë edhe ndonji brezni, qi muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhduki krejt idenë “kaurr”, ashtu për nji predispozicion të bam petk, si kristiani i sotëm edhe i nesërmi, qenë e pa qenë, për çdo punë qi nuk i bjen për shtat, ka me kujtue e me ankue: po më bahet e padrejtë, pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë qi të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto re të helmueme.
3. Faktori psikologjik 

Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me ketë dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instinktive, qi kohën e kalueme ndihmoi shumë për të shpëtue shpirt, gjuhë, zakone e tradita tonat; në se qe fat i madh asohere, sot për jetën tonë shoqnore e kombtare mund të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh për ditë shqiptarë edhe me kulturë, të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetes së vet: ata e dijnë fare mirë shka don me thanë jetë e përbashkët, e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet e sakrificat qi lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithkëtë, hir e pa hir, duen të bajnë atë të vetën; duen, vetëm ata të jenë të mendshëm, ata gjela qi këndojnë. E po gjetën injoranta, trashamana, hypokritë, servila, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbë, pa shpirt, edhe të ngrehen kapadaij, udhëhjeksa, pionierë, a shka po dij unë. E ja klanet, partitë, prej nga rrjedhin dasitë e, kontrastet shoqnore: hallet shqiptare. Këta njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba nji grimë pozicion me taktikë vërtet djallore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin, a por sa ta çekin sustën e besimit, se ja, gati nji turmë për t’i ndjekë; e ja, se me nji herë qiti krye çashtja e besimit në shqiptarë, me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime. Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristianit pse asht fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi; këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe fetare, sa me u dalë për vete dhe me u dhanë të tjerëve – u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, i cili, me sa mica e qeni, nuk beson as në Krishtin as në Muhamedin, por formon klane për Dinin ase për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjekë për me qenë ai krye. 

Deri qi të mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm, nuk ka qetësi në Shqipni…

Vazhdon: Ligjërata të At Anton Harapit Pjesa e II

(Fragmente)

Melbourne, 14 Dhjetor 2020.

Filed Under: Analiza Tagged With: Daniel Gazulli, Ligjerata e Anton Harapit

E dini ku asht le Nana Jonë Fisnike?

August 28, 2018 by dgreca

Nga  Daniel GAZULLI dhe Fritz RADOVANI-Arkiv/

100 VJETORI  I  NANËS SONË  SHQIPTARE !/

            “Nuk mund të jetë popull i vogël ai që ka dhanë një Nanë kaq të Madhe.”- Kardinali Paskal/

3-Nene-Tereza-300x168

E shihni këte Portret të qeshun e të lumnueshëm?

                     E dini ku asht le Nana JonëFisnike?

– Këtu, zotni mësues! Këtu! – nxitohet Kelmendi i vogël tue ndalë gishtin e njomë në hartë, diku në Veri të Shqipnisë.

– Pak ma andej…edhe pak ma andej…edhe pak, se edhe aty asht Toka jonë Shqiptare. E shikon aty ku  lexohet Shkupi? Aty asht le Nanë Tereza!

Mandej mësuesi, si tretet për një çast në mendime, u drejtohet rishtas vocrrakëve:

– Aty asht Toka jonë. Pikërisht aty u le dhe luftoi për Atdhe Leka i Madh, Aleksandri i Maqedonisë. Ishte i biri i mbretit Iliro – Shqiptar, Filipi II dhe i Olimbisë, një princeshës Ilire, e bija e mbretit të Epirit – Neoptolemi I. Leka i Madh asht Ilir, si Kastrioti, Fishta, si Nana, si ti dhe unë.

Ajo tokë Shqiptare, që sot thirret Maqedoni, në veri kufizohet prap me një tjetër tokë shqiptare, Dardania,që edhe ajo mbas pushtimit nga sllavët u quejt Kosova. Aty gjendet Prizreni prej nga shkuen në Shkup familja Bojaxhiu. Gonxhja e vogel, asht lé me 26 Gusht 1910në Shkup, prej prindëve Kolë e Drande Bojaxhiu, nga Prizreni. Kur ishte vajzë shumë e re shpëton përmrekulli nga sëmundja e tuberkulozit, që aso kohe fshinte njerëzimin nga faqja e dheut.

Për Gonxhen e re ai asht momenti vendimtar i gjithë jetës së Saj, kur Ajo i përkushtohet “mjerimit” material të njerzimit, skamjes, vuejtjes, sëmundjeve shfarosëse, dhe asaj ma të randës nga të gjitha këto e në mbarë botën: Përbuzjes së këtyne miljona viktimave njerëzore nga njeriu!

Nga Shkupi i Shqipnisë, me 13 Tetor 1928, Ajo shkëputët si meteor, kalon nëpër Kroaci, Austri, Zvicërr, Francë e përfundon në një kuvend Motrash në Dublin të Irlandës. Por “Tereza e Krishtit fëmijë” nuk ndalohet ma, Ajo vazhdon udhtimin e Saj rreth planetit  tue u ndalë në  një prej “mbretnive të vorfnisë”, pranë botës së panjohun të Indisë ku, shpati i Himalajave bie poshtë e pushon i zhytun në një skamje të dhimbëshme e gropë sëmundjesh të mënershme ngjitëse për njerëzimin. Në atë humnerë të shfarosjes së njeriut  ndalet Ajo!

Nana e njihte përbuzjen, shtypjen dhe dëbimin nga njeriu i pashpirtë qysh fëmijë, kur populli i Saj ishte nën sundim të shkajut aqsa, tue folë për ato mizori sllave mbi shqiptarë, At Gjergj Fishta thonte se; “ …. edhe vetë historia ka t’keq e turp me i përmendë e me i rreshtue ndër fletët e veta”. (Kanibalizmi sllav, HD, 1, 1913.). Po përbuzja nuk e kishte prekë zemren e saj, përkundrazi, në te Ajo kishte mbjellë një dashuni që do të rrezatone në mbarë botën.

Bengal e Kalkuta janë qendrat e Misjonarës së panjohun. Në vitin 1948 arrin me bindë Papën Piu XII, se Motra e Loretos, ka zgjedhe një rrugë shumë ma të vështirë se ajo që njihej ndër kuvendet e Europës dhe të shumë shtetëve të zhvillueme. Kështu, Ajo, në vitin 1949 bahet shtetase Indjane dhe formon Kongregatën “Misioni i Dashnisë”, që u miratue edhe nga Vatikani, tue fillue rrugën e vështirë, të panjohun e plot të paprituna, por me bindje të patundun në qellimin e madh për të cilin gati askush nuk i besonte!

Ajo deklaron: “Vorfnia për né asht Liri, nuk asht turp as ndëshkim…!”

Piksynimi i Saj asht pikërisht ai, që At Mëshkalla shkruen në vitin 1942: “Kisha kërkon vetëm të drejtën me shpallë lirisht mësimet e Ungjillit dhe me theksue detyrën e ndërgjegjes me rrokë Fenë e Krishtit”. Poaty, vazhdon: “ … zelli për Fé, si çdo gja tjetër e mirë, mundët me u largue prej qellimit të shénjtë, tue u teprue. Atëherë bahet fanatizëm”. Thotë apo e ka thanë? Jo më kot përdora të tashmen “thotë”. Se ai e “thotë” për dje, për sot e për nesër. Ta marrin mirë vesht shqiptarët, pavarësisht të ç’besimi janë! Pse kemi shumë nevojë ta kuptojmë këte. Kemi shumë nevojë. Po Ajo, e Madhja Nanë, e kishte kuptue qysh para se të merrte “udhën e Indit”. Prandaj edhe  “muslimanve u lexonte Kuranin, Induve u jepte uji nga Gange, e katolikët i kungonte”. Ja edhe fjalët e Saj të vlefëshme si kurrë për sot, por edhe për gjithmonë:“E kam thanë gjithmonë se duhet të ndihmojmë një indù të bahet një indù ma i mirë, një musliman të bahet një musliman ma i mirë dhe një katolik të bahet një katolik ma i mirë”.

Ma të vorfënit e ma të vorfënve, që Ajo i mori nën mbrojtje, nuk ishin katolikë, siç thonë disa mendjeshkurtë, po indù, muslimanë, protestanë e gjithëfarë besimesh e kombësishë, që mblodhi streha e Saj, se i tillë ishte brumi me të cilin Ajo arriti me gatue dashuninë për njeriun, pa kurrëfarë dallimi mjeran apo rracor.

A nuk kishte ndodhë po kështu gjysë shekulli para saj me të madhin At Fishta, që nëshkollat e tij kishte nxanës nga të gjitha besimet dhe krahinat e Shqipnisë së zhytun në errësinën e padijes otomane?

Shumëkujt, pikërisht ndër ne, vllaznit e bijtë e Saj, shpirti edhe i birret tue nda në parcela ata që vetë Zoti i fali një: SHQIPTARË.

Ajo asht shumë e sigurtë se do të mërrijë me u kuptue një ditë nga gjithë bota për këte vëpër që ka ndërmarrë për të mirën e njeriut, dhe koha provoi se vëndosmenia e Saj lidhej me diçka ma shumë se “pasunia” materiale e njeriut. Ndër të parët njerëz që arrijtën me kuptue Nanë Terezën ishte Xhon Kenedy, të cilit Ajo i kërkoi me e ndihmue me ardhë në Shqipni, për me takue Nanën e motrën e vet, mbasi rregjimi komunist nuk e lejonte me shkelë në Atdhe. Presidenti Kenedi i siguron Nanë Terezës se mbrenda 24 orëve mund të urdhënohet Tirana për me hy Ajo, por, “për Ju unë, nuk e këshilloj këtë veprim…” dhe, Nanë Tereza tërhiqet dhe nuk vjen në Atdhe.

Ata e mohuen dhe ka që vazhdojnë edhe sot rrugën e tyne, pse Ajo, siç ka me u ngja brezave të ardhëshme do t’i duket porsi legjendë, Ajo imcakja dhe e Madhja si askush në shekull të Saj, se kishte arrijtë me dashuninë dhe fjalën e Zotit të bahej Mësuese e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjeke e 960 000 të sëmuetëve në 213 dispanseri, shërbëtore e 47 000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, kujdestare e 400 pleqëve të braktisun, Nanë e Vertetë e 160 fëmijëve jetimë a të mohuem nga të katër anët.

Asht ajo kohë kur India e largët e vlerëson Nanë Terezën ma shumë se Shqipnia. Vetë Nehru, i jep shpërblimin “Padna Shri”,në emen të qeverisë.

Mahatma Gandiu thotë gazetarëve për Nanë Terezen:

“Trendafili nuk ka nëvojë të predikojë, aroma asht predikimi i tij..”

Dhe, njenimbastjetrit, vazhdojnë vlersimet: Po në 1962, Filipinet, Tanzania, dhe pason Australia me Melbourne, Angli, Amerikë, Romë, prap New York, hapën institucionet e reja në Bangladesh, Los Anxheles, e deri në Vietnam në vitin 1975.

Në vitin 1976 në Indi, ka 66 shtëpi që administrohen nga Nanë Tereza, dhe 34 tjera jashta Indisë, ku Motrat dhe gjithë personeli i sherbimit kalon shifren 1350 vetë. Spitalet, shkollat dhe qendrat e mjekimit ku janë përfshi edhe strehimoret, arrijnë në 729. Ndërsa shifra e njerëzve që mjekohet ndër ato qendra apo strehohet ndër jetimore, të sëmutë me gërbulë etj…kalojnë shifrën 6 miljon vetë.

Me datën 22 Gusht 1968 u hap Kuvendi i Parë i Misionarëve të Bamirësisë edhe në Evropë. Shtëpia ishte një kësollë me çati llamarine…shkruen, Franca Zambonini.

Në vitin 1979, me datën 10 Dhjetor, Nanë Tereza asht e pranishme në Oslo, ku, merr çmimin “Nobel”për Paqë…

Aty, Ajo, kërkon korrigjimin e dokumentit, tue deklarue: “Nga gjaku dhe prejardhja jam Shqiptare, kam shtetësi Indjane, jam murgeshë Katolike. Nga primja i përkas gjithë Botës. Në zemër i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit!”.

Në sallë i drejtohet Mbretit Olaf V: “Po përsëris, Madhni, aborti asht një vrasje!”

Dhe pak ditë ma vonë deklaron: “I mora paret nga duert e lypsit dhe ndjeva në zemër që prej tij kishe marrë ma shumë se çmimin ‘Nobel’…”

Akademia që i dha Çmimin Nobel jo gjithmonë asht dallue për zgjedhje të paqortueshme. A nuk e moren atë çmim edhe nga ata që kishin derdhë gjak të pafajshmish? Vetë themeluesi i këtij çmimi, a nuk ishte pak “nobel” (fisnik) e se pasuninë e pamatë e kishte sigurue me barut për me ndezë luftnat e jo për paqë? Si po ndodh edhe sot ndër ne, kur çmimi “Nderi i Kombit” po u jepet edhe atyne që, si e thamë në fillim, historia “do të ketë keq e turp edhe me i përmendë”. Por, kur iu dha Asaj Çmimi Nobel, Akademia, pa ma të voglin dyshim, pat një ndriçim hyjnor. Mjaft të lexojsh motivaciononi:“per veprën e kryeme në luftën për të mundë vorfninë e mjerimin, që përbajnë edhe një kërcënim për paqën”.

Vorfëninë dhe mjerimin. Jo “edhe një kërcënim për paqen”, por “një kërcënim për paqen”, pa ate “edhe” të panevojshme. E një fyemje për denjitetin njerëzor. Pse i vorfëni, bashkë me mungesën e kafshatës së gojës, mungesën e sherbimit mjeksor, të shkollës për fëmijtë, humb, s’do mend, edhe denjitetin.

Ajo, imcakja, e Madhja, Nana jonë, e desht Njeriun NJERI ME DENJITET, të barabartë para Zotit e në mes gjithë anëtarëve të tjerë që formojnë atë që na e quejmë “Shoqni Njerëzore”. Po a asht ajo vërtetë “njerëzore” nëse nuk mposhtim, ma së pari, vorfëninë e mjerimin?

Janë shtetet që tashti kërkojnë praninë e Motrave të Saja, me “Sarin e Bardhë me vija ngjyrë qielli dhe të ngjeshun për parzëm Kryqin”, tue fillue nga Gjermania, Spanja, Kili, Belgjika, Etiopia, Argjentina, Guinea, Franca, Kolumbia, Japonia, Korea Jugut, Bolivi dhe Gjermania Lindore. Nëatë muej që ishtePapë Pali II, në vitin 1980, Ai takohet me Nanë Terezen, dhe Motrat e Saja, ndërsa, “Misionarët e Dashnisë”, janë në Milano, Primavalle të Romës, Napoli, Bari, Raguzë, Kalabri etj.

Papa Gjon Pali II, me plot gojë mund të quhet se asht ndër Ata pak njerëz që arrijtën me kuptue Shejtninë e Nanë Terezes, qysh ku Ajo ishte në mes njerëzve në këte Botë, pikërisht kur, Ajo me duert e Saja, mjekon lebrozët, të gerbulunit, të sëmutët me SIDA në qendrat “Gift of Love”, ku, “Dashnia asht me të vërtetë një dhuratë”,pikërisht aty ku, tue dhanë Shpirt, mes atyne vuejtjeve dhe dhimbjeve të papërshkrueshme, ku nuk ndigjohet asgja tjetër veç ofshamjes, Papa Gjon Pali II, kur vizitoi Shtëpinë Nirmal Hriday në Kalkuta, tha:

“Kjo ishte dita ma e gëzueshme e gjithë jetës seme!…”(4 Shkurt 1986).

 

Një gazetar pyeti Papën Gjon Pali II: “Si mund të flasë Kisha, në gjuhën kristjane evangjelike në Liban…?”…Ishte ajo kohë kur armët aty nuk pushonin për asnjë çast…

Papa përgjegjet: “E di Nanë Tereza, që shkon në Liban për atë punë, e di edhe pa studjue shumë libra. E di pse kjo, i përket Shpirtit të saj, gjenisë së saj, Zemrës së saj…”

 

Për 24 orë, porsa Nanë Tereza ven kambën në Liban, shpallët armëpushim...

Në vitin 1980 asht “Qytetare Nderi” e Shkupit…

Në vitin 1988, Ajo hapë një Shtëpi edhe mbrenda rrethimit të Vatikanit.

Depërton në Moskë në 1987, në Çeki, Kamboxhia dhe Emni i Saj, tashma, ka pushtue pothuej gjithë skutat e globit njerëzor…

Në vitin 1989, ma në fund, vjen edhe në Shqipni…ku, Ajo zbaton porosinë e Krishtit: “Duejni anmikun tuej…!” Nanë Tereza ndezi edhe një qiri mbi vorrin e diktatorit ateist…

Mbas vitit 1989 Nanë Tereza ka disa probleme të randa shëndetsore, por dëshira e Saj për të çue deri në fund Misionin e Madh, nuk e len me u terhjekë nga vështirsitë që i janë krijue nga shëndeti dhe, sigurisht, edhe nga mosha. Në vitin 1991 Ajo vjen prap në Atdhe, por këte herë me pikësynime të tjera…Shqipnia, ndër të fundit shtete socialiste, asht e detyrueme me e pritë në “Pallatin e Sportit” në Shkoder, i cili, posa fillon me u rikthye në thëmelet e para të Katedrales së dhunueme më 1967…Shqipnia asht vendi ku “Muri i Berlinit” s’ kishte ra ende!

Ardhja e Nanë Terezes në Atë Kishë të shkatrrueme dukej sikur një prej veprave të artit, kur Jezu Krishti, me kamxhik në dorë, po dëbonte tregtarët nga Tempulli i këthyem në treg…Por jo, Nanë Tereza vjen me Rruzaret e Zojës në duert e Saja të Bekueme dhe asht Ajo që dëboi njëherë e përgjithmonë nga zemra e Popullit Shqiptar ateistët e mallkuem të doktrinës rrënuese të Shekullit XX, jo vetëm në Shqipni, po në gjithë Evropën Lindore… E, deri larg në brigjet e tokave të akullta siberiane… Marksizëm – Lenizmi dështoi në gjithë Botën…Feja filloi shpejtë ripërtrimjen e Saj në gjithë shtetet komuniste, tashti të lira e demokratike.

Data e paharrueshme historike e pranverës së shumëpritun nga gjithë Shqiptarët, me 25 Maji 1993, shënon në kujtesën tonë historike ato çaste të paharrueshme, kur në Katedralën e Shkodres, tashma të rindërtueme, erdhi Papa Gjon Pali II, dhe bashkë me Té asht edhe Ajo, që tashma gjithë Bota e quen “Shqiptaria e Madhe, Nanë Tereza”, për të cilën, Papa tha:

“Ju falnderoj sot në emnin e Kishës Katolike, për këte Bijë të Tokës Suej dhe të Popullit Tuej…”...

E, shka mundesh me i shtue kësaj frazë..?

Ja, pra, në pak rreshta kush ishte Nanë Tereza e Kalkutës…

Edhe pse, Shqipnia u rikëthehët trazimeve më 1997, Ajo me ngulm kërkon Paqë… Me forcë thërret ndalimin e armëve dhe shkrepjet e tyne barbare… “…Ju lus, mos i shkaktoni njenitjetrit ma shumë vuejtje…!”Sa domethanëse asht kjo fjali…sikur do me na kujtue: “A nuk ju dalin boll ato vuejtje që keni kalue…po kërkoni edhe ma shumë…?”. Megjithate, Shqipnia vazhdon rrugën e saj drejtë pushkës e vrasjeve, drejt armëve e djegëjes së njeriut në zjarr, në rrugët e zharrituna të Vlonës…sepse, komunistët nuk njohin demokraci…Janë ata që ishin edhe para vitëve 1989 – 90, janë ata që drejtonte Ramiz Alia nga Presidenca me datë 2 Prill 1991, po nuk duhet të harrojmë kurrë, se janë edhe bijtë e atyne, që kështu kanë veprue edhe në 1944, kur erdhën në pushtet, tue brohoritë: “Me gjak…me gjak…!” dhe me të vertetë “me gjak…e me plumba … kërkojnë me mbajtë pushtetin…!”

Dikush sot (tue kenë shqiptarë) thotë, se shtatoren e Nanës të mos e vendosim këtu apo aty, jo jo, diku ma andej, ma në anë, ma … e, dikush thotë: “Për turpin e tyne..!” – Jo, jo pra, kjo asht edhe për “turpin tonë”. Po Nana e Madhe vazhdon të lutët: “O Zot, hiqja mallkimin Tand Shqipnisë!..”

Mjeku thonte për Nanë Terezen:

“Mendoj se zemren ia kanë damtue dhimbjet dhe shqetësimet  që Ajo ndien për tjerët…”...E, kush janë “të tjerët..”? Një pjesë janë bashatdhetarët e Saj… Ndërsa, shumica, – janë pikërisht, Ata që, tue kenë në mjerim, vuejtje, dhimbje…por tue ndje veten në duert e Nanë Terezes, janë“të lumtun”…kur shohin vetën nën Sarin me vija ngjyrë qielli…Po, nën Sarin që sot valvitët rretherrotull globit tokësor…

Vepra e Nanë Terezes asht e pavdekshme e këte e tregon vazhdimsia e saj.

Sot janë 759 shtëpi të hapuna për ma të vorfnit e të vorfënve, ku shërbejnë mbi 5000 motra, tue mos harrue se edhe afro 1000 të tjera janë në prëgatitje për këte mision. E nuk janë aq pak sa kujtojmë na, Ata që besojnë tek Mbrekullia e Nanë Terezes, …po janë miljona njerëz të mjeruem, që kanë provue dhe provojnë çdo ditë lumninë e lutjes së Saj!…

Po cili në botë nuk u mrekullue prej mrekullive që Nana i bani në të gjallë: kur ndali luftën me tërheqë të plagosunit, kur iu përkulen e i puthen dorën ma të fuqishmit e botës – të të gjitha besimeve e të të gjithë sistemeve?

Pse ajo ISHTE. Pse ajo ASHT e DO TË JETË.

Papa Gjon Pali II ka thanë: “Nanë Tereza asht grueja që i dha trajtë Shekullit XX.

Ronald Regan: “Kishte fjalët në përputhje të plotë me jetën, diçka vërtetë e rrallë në botën e sotme.”

Mark Krasniqi: “Simbol i traditës sonë”.

            Helmut Kohl: “Shembull i mirësisë së humanizmit njerzor.”

            Indira Gandi: “Me u takue me Te, domethanë me ndje pushtetin e butsisë, forcën e dashnisë.”

Bill Klinton: “Nanë Tereza, ishte e para Ajo që më bani me e dashtë kombin shqiptar. Dhe tashti ndjehem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj Saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Toni Bler: “Shpirti i Saj do të rrojë si frymzim për të gjithë ne!”

Martin Camaj: “Legjendë e gjallë. Luftare kundër mjerimit njerëzor”

Shqiptarët, po të çelin sytë e shpirtit, kanë kah me shtegtue: Udhën tonë e ka ndriçue përjetësisht AJO me dritë prej bebëzes së një Zemre të Madhe, që ka vend për Shqiptarë sa janë në mbarë njerëzimin pse, Ajo ishte, asht e do të mbesë në shekuj të shekujve NANA JONË E LUMNUESHME. Ajo ndërroi vërtetë jetë një ditë të largtë gushti, por nuk vdiq. Nana rron e do të rrojë në qenjen e në veprën e saj hyjnore.

Nana së shpejti mbush 100 vjet.

Mandej do të mbush dyqindë, njëmijë, dymijë …. Pafundësisht !

 

Gusht, 2010.

Shenim F.R. Materialit nuk i asht ba asnjë ndryshim. (Gusht 2018)

Filed Under: Opinion Tagged With: Daniel Gazulli, Fritz Radovani. Nane Tereza

DANIEL GAZULLI DHE “SOFRA E MADHE” E ADRIATIKUT

November 10, 2017 by dgreca

12 NANDOR 2012… 5 VJET…/

1 deti adriatik

DETI ADRIATIK/

Nga Fritz RADOVANI/

Shumë vite perpara kishe ndigjue nga pleqtë per këte “sofer”. As nuk e kishe idenë e madhsisë së saj e, sa per thellësi, as që më shkonte mendja, veç me dashtë me rrejtë!E se, do të vij dita me shkrue per Te, as kjo nuk me ka trokllue kurrë nder tru!Rrezet e prarueme të diellit mbi siperfaqen e Adriatikut i kam adhurue gjithmonë… Po, asnjëherë nuk kam mendue se ku mund të depertojnë ato rreze që vezullojnë si ari. Në dukje të rrenë mendja se jemi para një misteri ! – Jo, jo… Sa ma shumë të mendojnë njeriu per Jeten e Pasosun, aq ma pranë je afrue nder misteret e fundit të “Detit”… Një “sofer” gjithmonë e shtrueme me sofrabeza ku janë ma të bukrit! Lulet e freskëta të joshin me ngjyrat e veta dhe aromen që shperthen pa da… Sejcili asht në vendin e vet. Në vitet e para mbas Luftës së Dytë Botnore, kryet e vendit e zune kolosët e letrave të Gjuhës Shqipe, ngjitë me At Gjergj Fishten, Don Ndre Mjedjen, Imzot Luigj Bumçin, dhe Don Gjon Gazullin, Burra të njohun per kah dija si: Don Ndre Zadeja, Don Lazer Shantoja e Don Nikoll Gazulli… Nuk mungonin dijetarët tjerë që u vranë per kulturen e Tyne Perëndimore Europjane në drejtësi, ekonomi e ku nuk të shkon mendja…

Fisi i njohun i Gazullorëve asht nder Ato sofra njëherit me Gjergj Kastriotin… Asnjëherë nuk asht shkëputë prej “Beslidhjes së Tij”, po vetem, shka i ka shtue Burra Asaj sofer. Nder vitet e fundit ishte Prof. Arshi Pipa që u rreshtue me Ata dijetarë të nderuem. Ai kishte një peng të madh në zemer, derisa shkoi me takue vllaun e vet Muzaferin. Ndoshta, shkuemja e Prof. Arshiut në sofren e Adriatikut, kje një kujtesë edhe per një nga Miqtë ma të mirë dhe të dijtun që pata fatin me u lidhë nder vitet e fundit… Ky ishte Daniel Gazulli (4 Tetor 1943 – 12 Nandor 2012). Ata që e kanë njoh besoj e kujtojnë menjëherë sa ta shohin të rreshtuem me Gazullorë! Shkuemja e parakohshme e Danielit në sofren e madhe të Adriatikut, edhe pse Ai atje po ban pesë vjetë që na la, prap sot më duket e pabesueshme! Në një artikull perkujtimor ndoshta, nder të fundit, Danieli pyet: “Po Atyne, kush do t’u vejë kunorë?”…  A mos i ndjente zemra Danielit, se mbas pak ditësh do t’ ishte edhe Ky pranë Tyne ?! As atëherë, as sot, nuk due me e besue këte fatkeqsi per zonjen e Tij dhe kulturen tonë. Danieli  nuk e kishte vendin atje, edhe pse në Shqipni sot nuk e gjenë një sofer per Te!Danieli vertetë trashigonte edukatë dhe kulturë, po përgatitja e Tij ishte një model i pashoq i kulturës Europjane Perëndimore, gja që sot mund të faktohet me paaftësinë e kundershtimit të studimeve të Tija, edhe pse kanë kalue pesë vjetë që Ai nuk asht…

1 daniel Gazuli

DANIEL GAZULLI/Danieli shkruente, punonte, perkthente, mësonte, studjonte, nuk pushonte një minut, po me një vullnet të pathyeshem Ai ju perkushtue “Kodifikimit të Gjuhës Gegënishte”. Gegënishtja ynë letrare ishte fryma, jeta, mendja dhe shpresa e Tij e perjetshme! Më njoftoi se porsa të kthehet nga mjekimi në Itali, do të lidhej me Akademikun Kolec Topalli dhe me Prof. Primo Shllakun, me të cilët Danili kishte lidhje per Kodifikimin. Kapitulli i mbylljes së jetës la një brengë të hapun, per të cilen Ai punoi gjithë jeten. Kujtoj nder bisedat e fundit telefonike një kujtim që i kishte mbetë në kujtesë nga një dijetar i madh i Historisë së Shqipnisë, At Marin Sirdani, i cili i kishte thanë një ditë: “Daniel, kur kishim mundësi me lanë vepra të shkrueme, nuk na lane këta me shkrue… Tashti, nuk dij a po na len Zoti, me lanë të shkrueme ate qi duem na…!”

Dhe, me të vertetë thonte Danieli, nuk shkoi gjatë e At Marini vdiq… Kur pat vdekë Imz. Luigj Bumçi në vitin 1945 në Tiranë, në Meshen e Tij ka predikue i  madhi At Pjeter Mëshkalla, dhe aty i ka thanë: “Imzot Bumçi, Ti nuk vdiqe po, plase!” Ndoshta, kjo thanje i pershtatet shumë Burrave që sot janë në Jeten e Pasosun…Pikrisht:  Në “Sofren” e Madhe të Adriatikut… Aty ku pushon pergjithmonë edhe Daniel Gazulli! Po, kujtimi i Tyne në themelet e Gegënishtes letrare asht i pavdekshem nder shekuj! Gjuha dhe Flamuri i Gjergj Kastriotit, At Gjergj Fishtës e Dedë Gjo, Lulit, do të ushtojnë dhe, bashkë me Atë Flamur, do të valviten perjetsisht në Alpet e Shqipnisë Europjane!..

Melbourne, 10 Nandor 2017.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Daniel Gazulli, Fritz radovani, Sofra e Adriatikut

TRI VJETË DREJTË PAFUNDSISË !

November 10, 2015 by dgreca

DANIEL GAZULLI (1942 – 2012)/
Nga Fritz RADOVANI/
Kështu të njoha!/
Nuk dij se ke ndryshue!/
Gjithnjë kur të kujtoj…/
Më duket se më thue: /
“Jam në udhëtim!..”/
Poezia Yte më ban me t’ “Besue”…/
O Miku im…/

NGA DANIEL GAZULLI:/
NË UDHËTIM/
Në udhëtimin tim,/
sovran i një shpirti të çliruem nga prangat,/
që shpesh të venë urrejtja dhe smira,/
u përpoqa t’i jepja kuptim jetës,/
ndërsa lodhesha në shkronja të pjerrta librash të vjetër,
apo përpiqesha të deshifroja vështrimin shpërfillës të yjeve
në shoqninë e një heshtjes që gdhente dhimbjen mbrenda meje;
mendimet treteshin deri atje përtej ku nuk arrijti kurrë
syni i njeriut; rrezatimi i tyne depërtonte
tej çdo rontegeni në galaktika mjegullore
dhe gjithë bota që më rrethonte tashma ishte mbrenda meje:
drita përshkonte çdo skutë të errtë
e më davariste trishtimin.

Udhëtoja në detin e jetës mes dallgëve të Fatit,
që përditë më ngushtonte horizontet
e më burgoste andërrat e shkronjat m’i ndryshkte,
përkrah udhëtarësh të tjerë me frikën e së nesërmes në bebëze,
me andërrën e Lirisë në qerpik, kthye tashma në një mirazh,
që zhdukej porsa binte mbramja
dhe mbylleshim në një dhimbje memece.

Po kurrë nuk e humba Zotin e Shpresës e të Qetësisë
dhe vazhdova udhëtimin drejt Tij pa lutje të më dhuronte
ma shumë se orët, ditët, vitet e jetës, që bujarisht më kishte dhanë,
ndërsa i gëzohesha edhe një luleje të egër
çelë në mes rrenojave të faltores së shembun nga dora e padijes;
nuk prita si ata që çdo mëngjes
presin vejushat të dalin nga shtëpia
e pastaj përhumben në ekstazë para një gote rakie pa meze
në ajrin e ndotun nga tymi i duhanit;
udhëtimin vazhdova shtegut në mes pyllit të zhytun në mjegull,
sepse e largët nuk do të ishte drita jetëdhanëse e diellit,
që ban të drejtohet e të gjelbrojë edhe atë bimëzën që nën gur
ka kalue e mardhun dhe e zbehtë dimnin.

Udhëtova bashkë me shpirtin e dhimbjes e të mundimeve
në kërkim të Zotit të Shpresës e të Dritës,
që ndriçon në thellësi të qenies së secilit.
***
Shenim nga FR: Me 12 Nandor 2012, na la një nga Figurat e Nderueme të Gazullorëve, që vetem koha, do të sjellin Vlerat e Përjetëshme të Danielit Gazullit tek brezat e rij.
Melbourne, Nandor 2015.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Daniel Gazulli, drejt pafundesise, Fritz radovani, Tri vjet

Fritz RADOVANI- PARANDJENJË E MIKUT TIM, DANIEL GAZULLI

November 12, 2014 by dgreca

Ne foto:Daniel Gazulli (1943 – 2012)/
PAK DHÉ TË SHKRIFTË/
…Nesër,/
mbi rrasën e varrit tim/
me shkronja të derdhuna lè të shënojnë/
emën e mbiemën,/
asgja ma shumë./
Datëlindja? Kush e di, asht tepër e largët,/
dhe nëse ndonjeni do të pysë:/
Rron apo ka vdekë?/
Mos u nxitoni të përgjigjeni./

Përse të mundoheni më kot/
të shkrueni ma shumë?/
Përse të shprehni dhimbshuni?
A nuk kisha unë edhe me vdekjen feeling?
(Ndoshta ndonjë kalimtar
për tek varret e të tijëve
do të lëshojë edhe fjalë të jargëta, ani.
Do të thotë se isha pijanik, bie fjala,
po askush s’ do ta besojë po të thotë
se edhe për atë
nuk ndjeja dashuni).

Unë as që e kërkova atë rrasë të lëmuet.
Do të kisha preferue
mbi varr të kisha dhé të shkriftë
ku të harbonin lulet.

Rrasë të lëmuet lè të kenë
ishdrejtori i Bankës,
kryebashkiaku im,
gjyqtarët, të gjithë;
ata do të kenë lanë patjetër diçka
që të afërmit t’i shpenzojnë pa kursim;
çfarë lashë unë,
veç katër-pesë librave,
të papaguem endè plotësisht?

Lè të kalojnë atypranë fjalëjargëtit
dhe gazetarët e kërrusun, gjithë mundim,
e të thonë se në jetë
paskam pasë shoqni me endacakët;
lè të thonë,
por askush nuk mund të thotë se
kur kalon pranë varrit tim
ndjehet erë e keqe
si tek varri i doktorit përbri,
që para se të operonte pacientin,
“operonte” pa mëshirë xhepat e të afërmëve të tij.

Kryqi le të jetë i madh dhe i pagdhendun.
Edhe ma i madh ishte ai që mbajta në jetë
në udhëtimin mbrenda vehtes.
Por lè të jetë Kryq i thjeshtë,
jo Kryq i shtrejtë,
si tek varri i fqinjit,
anëtar i shtatë partive (dikush thotë tetë),
dhe pronar i shtatë hoteleve në plazh
dhe i një të teti në qytet, ku, thonë,
e shoqja pret e përcjell lesbiket.
Ata, kryetari, doktori, gjykatësi, të gjithë,
lulet do t’i kenë të gdhenduna në mermer,
lulet mbi varrin tim lè të vyshken:
të paktën ato dikur
mbanin aromë dehëse për Shpirtin
dhe ditën flutura prisnin e përcillnin,
kurse natën u shkelnin synin yjeve në qiell
dhe lanin petalet me vesën e mëngjesit.

Vetëm pak dhé të shkriftë dhe lule do të kisha dashtë,
të ndjehesha i lirë.
O, sa me dhimsen ata mbi varret e të cilëve
randojnë shtatoret!
Janar 2012.
Shenim F.R.: Plot dy vjetë u bane pa Danielin! As unë nuk dij se, kur… Ikën… Si t’ishte dje!..
Melbourne, Nandor 2014.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Daniel Gazulli, e mikut tim, Fritz radovani, parandjenje

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT