Një delegacion nga Universiteti i Birminghamit vizitoi Ballkanin nga data 4-8 dhjetor 2012. Delegacioni kryesohej nga Profesor Mark Webber, Drejtor i Studimeve të Qeverisë dhe Shoqërisë, dhe përbëhej nga Profesor Stefan Wolff, Drejtor i Kërkimeve Shkencore, Dr Graham Timmins, Drejtor i Programit Arsimor, dhe Dr Gëzim Alpion, Drejtor i Programeve të Kombinuara. Krahas roleve të tyre administrative, anëtarët e delegacionit janë studiues me reputacion ndërkombëtar, interesimi shkencor i të cilëve përfshin politikën, shoqërinë, fenë dhe mediat në Europën Jug-Lindore.
Në simpoziumin e datës 5 dhjetor në Tiranë, që u ndoq nga drejtues universitetesh, përfaqësues të mediave dhe studentë, akademikët nga Birminghami folën për rezultatet e larta të universitetit të tyre në fushën kërkimore-shkencore, programin e tyre të shkëlqyer universitar dhe pasuniversitar, mardhëniet e këtij institucioni me qytetin e Birmingamit si dhe lidhjet ndërkombëtare të universitetit të tyre, që shihen, ndër të tjera, në numrin e madh të akademikëve dhe studentëve të huaj. Pas kumtesave të tyre, anëtarët e delegacionit iu përgjigjen pyetjeve të të pranishëmve.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri delegacioni u prit nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj.
Një edicionin special i emisionit të mirënjohur ‘Tonight Ilva Tare’, i inçizuar në studio me 5 dhjetor me akademikët e Universitetit të Birminghamit, do të transmetohet së shpejti. Ndër të tjera, në këtë program anëtarët e delegacionit folën për arritjet dhe sfidat e universiteteve britanike, ringjalljen e nacionalizmit veçanërisht në Ballkan, si dhe perspektivën që vende nga rajoni kanë për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Europian.
Programi i turneut të delegacionit të Universitetit të Birminghamit në Kosovë përfshiu një takim me drejtues të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në Maqedoni me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës si dhe të Universitetit të Europës Jug-Lindore në Tetovë. Vizita e delegacionit të Universitetit të Birmingamit në Ballkan reflekton interesat shkencore që një numër akademikësh në këtë institucion me famë botërore kanë për Evropën Jug-Lindore si dhe interesimin që akademikë dhe studentë nga ky rajon tregojnë për programet e tij të shkëlqyera universitare dhe pasuniversitare. Vizitat në rajonin e Ballkanit kontribuan në forcimin e lidhjeve ndërmjet Universitetit të Birminghamit dhe universiteteve dhe institucioneve shkencore në Ballkan.