• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë: Koalicioni me dy qendrime për demarkacionin me Malin e Zi

December 8, 2017 by dgreca

Kalimi në kuvend i marrëveshjes së demarkacionit ka nxjerrë në pah dallimet brenda koalicionit. Partnerët ndërkombëtarë: kuvendi duhet ta ratifikojë marrëveshjen. Analistët: mosratifikimi vë në pikëpyetje qeverinë.

Karte Webvideo ENG

Kuvendi i Kosovës ende nuk ka bërë të ditur, se kur marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi mund të vihet në rendin e ditës për votim, për të parë nëse kjo marrëveshje ratifikohet nga deputetët apo jo. Për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit nevojiten 81 vota nga 120 deputetë që ka kuvendi i Kosovës. Qeveria dy ditë më parë e procedoi në kuvend për votim marrëveshjen së bashku me konstatimet e komisionit të ri për shënjimin e vijës kufitare i themeluar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Por procedimi në kuvend i marrëveshjes ka njxerrë në pah dallimet e thella brenda koalicionit qeveritar, që përbëhet nga Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Nisma për Kosovën dhe lista Srpska. Vet kryeministri Ramush Haradinaj dhe partia e tij është kundër versionit aktual të demarkacionit dhe marrëveshja që ai e dërgoi për votim në kuvend është e qeverisë së kaluar të kryesuar nga ish-kryeministri Isa Mustafa.

Kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje është edhe Nisma për Kosovën, por edhe partia opozitare Vetëvendosje, e cila ka 32 deputet.

Partneri më i madh i koalicionit aktual qeverisës, Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, thotë se partia e tij do të votojë pro ratifikimit të marrëveshjes, sepse sipas tij, në këtë mënyrë forcohet sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe kjo i hap rrugë liberalizimit të vizave.

“Qëndrimi im, por edhe i subjektit tim që përfaqësoj është i qartë. Marrëveshja me Malin e Zi duhet të ratifikohet. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është ‘pro’, siç e kemi thënë në vazhdimësi. Gjithësesi, unë besoj se duhet të ketë një konsensus të plotë për këtë marrëveshje”, shprehet Kadri Veseli, duke ritheksuar se Bashkimi Evropian duhet të veprojë shpejt dhe qartë sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Është Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesja e këtij mekanizmi në Kosovë, Natalya Apostolova, e cila u rikujton deputetëve të kuvendit të Kosovës, se çështja e shënjimit të kufirit me Malin e Zi duhet përfunduar, sepse është kusht për liberalizimin e vizave. Ajo thotë se “politikanët nuk duhet t’i mbajnë peng të rinjtë e Kosovës”.

“Dua t’u kujtoj edhe njëherë politikanëve që demarkacioni i kufirit me të vërtetë është thelbësor për t’u zgjidhur. Nuk dua që politikanët të mbajnë peng të rinjtë e Kosovës, një rini fantastike që meriton lëvizje të lirë, që ndoshta nuk iu kujtohet konflikti dhe duan të jenë pjesë e Evropës. Kërkoj nga të gjithë ata që do ta kenë rastin të votojnë të kenë këtë në mendje”, thotë Natalya Apostolova në një konferencë, ku u fol për integrimet e Kosovës.

Pro ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit është shprehur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila madje akuzon qeverinë Haradinaj për izolim të qytetarëve të Kosovës duke bllokuar demarkacionin me Malin e Zi.

Komisioni për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi i themeluar nga kryeministri Ramush Haradinaj, dy ditë më parë prezantoi raportin me konstatimet e tij për kufirin. Ata thanë se komisioni i kaluar ka gabuar në shënjimin e kësaj vije dhe vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se Kosova me marrëveshjen e vitit 2015 me Malin e Zi humbet territor. Por, është ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili raportin e komisionit të qeverisë Haradinaj për kufirin e quajti “një grumbull broçkullash të tyre”. Ai rikujtoi që ishin edhe ekspertët amerikanë nga State Departamenti, që  në vitin 2016 e verifikuan marrëveshjen e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi dhe konstatuan, se me këtë marrëveshje Kosova nuk humbet territor.

Sidoqoftë, analistët politikë thonë, se qeveria Haradinaj e ka të vështirë të vazhdojë qeverisjen me këtë ndarje që ka brenda koalicionit rreth çështjes së demarkacionit.

“Çështja e Demarkacionit nuk mund të mbetet pezull, duhet të ketë zgjidhje apo alternativa. Qeveria Haradinaj nuk guxon të thotë ne jemi kundër këtij formati të demarkacionit dhe në të njëjtën kohë ta dërgojë atë për miratim në kuvend”. Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj do të ketë probleme të mëdha edhe brenda koalicionit qeverisës, por edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë, që ta arsyetojë vazhdimësinë e qeverisjes, nëse nuk ka ide se si të ballafaqohet me problemin e demarkacionit”, shprehet në një shkrim të tij, analisti Artan Muhaxheri.

Deputetët e kuvendit të Kosovës tashmë e kanë në dorë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar në vitin 2015 nga qeveria e Isa Mustafës dhe po ashtu bashkangjitur edhe raportin e komisionit për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi të kryeministrit Haradinaj, me të gjeturat që e kundërshtojnë marrëveshjen e parë. Kryesia e kuvendit ende nuk ka rënë dakord, se kur do ta verë në votim marrëveshjen e demarkacionit, mirëpo, siç u tha kjo do të ndodhë shumë shpejtë.

Filed Under: Politike Tagged With: : Koalicioni, DEMARKACIONI ME MALIN E ZI, dy qendrime

Prapë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi

August 15, 2016 by dgreca

Reagim ndaj kumtesës së, Komisioni Shtetëror për Shënimin e Kufirit mes Kosovës e Malit të Zi me titull: “Kufiri i Pejës me Malin e Zi në përputhje me planet zhvillimore ”të datës 12 gusht 2016)/

Shkruan: arch. Ylber Vokshi-Ylli/

Së pari ekziston vetëm një Plan Zhvillimor Komunal (PZhK)  i Pejës,sipas ligjit për Planifikim Hapësinor të vitit 2003 dhe ati aktual sot,pra nuk kemi të bëjmë me “plane zhvillimore” ashtu si theksohet në titull të kumtesës. Kjo tregon qasje sipërfaqësore ndaj problematikës së demarkacionit,ose mos njohje elementare të fushës së planifikimit hapësinor të një pjese të territorit të shtetit. Nuk do të kisha dëshirë të jetë e vërtetë kjo qasje,aq ma shumë kur vjen nga një ekip profesionistësh të dëshmuar, të cilët si duket i ka verbëruar politika aktuale e Kosovës,duke i “detyruar” të bëjnë kumtesa të tilla, tërësisht jo profesionale duke na servuar një”dokument” tërësisht të pa qëndrueshëm nga aspekti profesional.

Më duhet të shpjegoi ecurinë e përpilimit të këti dokumenti hapësinor për komunën e Pejës të filluar aty ka fundi i vitit 2005, me dëshirë dhe shpresa që Komuna e Pejës të jetë model dhe shembull pozitiv,për ecurinë e përpilimit të dokumenteve hapësinore për komunat tjera në Kosovë. Për përpilimin e PZhK dhe PZhU ekzistonte përkrahja e strukturave të atëhershme komunale si dhe të donatorve të tjerë, që ishte përshëndetur nga ana e MMPH-së. Për këtë qellim u angazhua kompania e njohur ndërkombëtare,nga Roterdami i Holandës, “DHV Consult”. Ishte ky një veprim i qëlluar që ma vonë degradoi tërësisht,kryesisht me fajin tonë.

Nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë (MMPH)),gjegjësisht nga Departamenti i Planifikimit Hapësinorë, ku isha i punësuar,u caktova si udhëheqës i ekipit  që do të bënte MONITORIMIN e tërë procesit për përpilimin e këtyre dokumenteve, të rëndësishme për Pejën dhe tërë Kosovën. Është një histori e gjatë me peripeci të shumta se si u punua në atë kohë,e cila u përthekua me një dokument të miratuar kundërligjshëm nga Asambleja Komunale  e Pejës. Më pastaj përfundoi me dhënien e pëlqimit nga ana e MMPH-së edhe se kishte vërejtje substanciale dhe mangësi qenësore ligjore. Atë kohë ishte Ardian Gjini Ministër  i MMPH, ekspertëve të Ministrisë nuk iu murrën më konsideratë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre konstruktive. Veprimet e tilla i kamë kritikuar publikisht në kohë reale,për atë e kemi situatën hapësinore dhe urbane në Pejë dhe vendbanimet tjera në Kosovë në gjendje kaotike.

Para fillimit të përpilimit të dokumentit në Pejë,kishte shumë dilema se si me iu qasur kësaj problematike, pasi kishte shumë mangësi esenciale që ishin  rrjedhojë e luftës dhe krijimit të një shteti të ri, Kosovës si protektorat ndërkombëtar nën administrimin e UNMIK-ut dhe mbrojtjen e NATO-s. Dy ishin sfidat kryesore për komunën e Pejës, përkufizimi i kufijve administrativo – komunal dhe regjistrimi i popullsisë, si dy elemente të cilat nuk ishin të definuar,aq ma shumë kur Peja ishte komunë kufitare si shumë komuna tjera në Kosovë.

Pas konsultimeve të shumta me strukturat e niveli lokal dhe qendror,me njohësit e fushës,njoftimin me praktikat e ngjashme në botë,me teoritë dhe të arriturat në botë në fushën e planifikim hapësinorë si dhe me përkrahjen e domosdoshme të faktorit ndërkombëtar që ishte prezent në atë kohë në Kosovë,e kishim të qartë si të vepronim. U vendos si ti qasemi përpilimit të atyre dokumenteve në Pejë dhe në komunat tjera kufitare duke përdorur të dhënat që i dispononim dhe duke përdorur metodat krahasuese,orientuese dhe progresive që lejohen në Planifikimin Hapësinor Strategjik në tërë botën. Me mundësin e inkorporimit  të dhënave apo elementeve në momentin kur të definohen apo ratifikohen. I njëjti princip ma vonë është përdorur edhe gjatë përpilimit të Planit Hapësinor të parkut kombëtar  “Bjeshkët e Nemuna”, i punuar nga Instituti i Planifikimit Hapësinor, i cili vepron në kuadër të MMPH-së.

Edhe sot mendoi se është veprua korrekt në atë kohë, pasi pritja për ratifikimin e vijës kufitare do të lente Pejën,dhe komunat tjera kufitare pa dokumente të planifikimit hapësinor, pasi kufijtë e Kosovës ende nuk janë të definuar, pos ati me Maqedoninë.

E tregova këtë histori të shkurtë pasi isha pjesëmarrës aktiv në atë proces, për me iu treguar anëtarëve të komisioni shtetëror sa të pa bazuara janë argumentet e tyre, duke u thirrur në ato harta me të cilat është punuar. Ato iu janë ofruar përpiluesve të dokumentit hapësinor (PZhK) dhe kanë shërbye vetëm për çështje hapësinore, e jo për caktimin e vijës kufitare pasi nuk ishin kompetent apo të autorizuar nga Qeveria e Kosovës. Ato harta kurrsesi nuk munden me qenë përcaktuese apo  definuese të kufijve ndërshtetëror në asnjë gjykatë relevante apo arbitrazh ndërkombëtar. Ato duhet të azhurnohen në momentin kur ratifikohet vija kufitare në mes të dy shteteve, Këtë procedurë i kërkon edhe Planifikimi Strategjik Hapësinor, që aplikohet në tërë rruzullin tokësor në shekullin e ri,nuk është mirë të manipuloni me kompetenca të cilat ligjërisht janë mirë të definuar.

Paskam pasur të drejtë që në vitin e kaluar ( dhjetor 2015) me një shkrim kritik të botuar në media shqiptare,kisha analizuar në mënyrë kritike rrjedhat e tërë procesit të demarkacionit me Malin e Zi,arsyet,shkaqet dhe pasojat e mundshme që rrjedhin nga puna jo serioze e faktorit njeri në Kosovë,e ndërlidhur me inate të partive politike në pozitë dhe opozitë. Aty kisha apostrofuar edhe “adutin” e pa qëndrueshëm të Komisionit që thirrej në Dokumentet Hapësinore të Komunës së Pejës.

U vërtetua mungesa e bashkëpunimit e gjithë spektrit të profesionistëve të demarkacionit që u pa se në Kosovë nuk mungojnë, që në këso raste specifike është domosdoshmëri. Në fund të fundit edhe gabimet eventuale të bëra gjatë punës së mundimshme disa vjeçare munden të korrigjohen,ato janë pjesë e punës komplekse e jo me kryeneçësi të mbrohet ajo që nuk mbrohet, si në rastin konkret.

Me këso veprime të pa përgjegjshme vetëm e keni irrituar dhe detyruar faktorin ndërkombëtar të ndërhyjë  në një pune e cila ka mundur të zgjidhej me kohë. Ky nuk është rasti i vetëm për të fshehur mos punën dhe mos dijen tonë,duke i stërzgjatur afatet kohore të përcaktuara.

Thirrja e Komisionit Shtetëror vetëm në të dhënat kadastrale, duke anashkaluar faktin se çka është Kufiri Kadastral i Komunës së Pejës dhe Kufiri Shtetëror,i cili shumë herë është shpjeguar nga ekspertët e ndryshëm,tregon cinizëm të pa tolerueshëm. Çështja e caktimit të vijës së demarkacionit është shumë ma komplekse,është dashur të përfshihen të gjitha elementet e duhura, për të pasur rezultate sa ma precize në këtë proces të ndërlikuar .

Dëmet që janë duke iu shkaktuar shtetit të Kosovës me situatën e krijuar janë me pasoja afatgjate. Vendimmarrësit kosovar duhet ta kenë të qartë njëherë e përgjithmonë se për çështje madhore,si është shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi,duhet domosdo të ketë “koncenzus” në mes pozitës dhe opozitës në Parlament, pasi Kosova na takon të gjithë neve e jo vetëm një grupi të caktuar njerëzish.

Prishtinë                                                                                      arch. Ylber Vokshi-Ylli

15.08.2016      .                                                                                   arkitekt i pavarur

ylberv@yahoo.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, DEMARKACIONI ME MALIN E ZI

DEMARKACIONI ME MALIN E ZI

April 2, 2014 by dgreca

NGA RAMIZ LUSHAJ/

1.Ministri i Brendshëm i Republikës të Kosovës, Bajram Rexhepi, lidhur me vijën kufitare shtetërore me Malin e Zi në shtator 2010 në Pejë iu deklaroi masmediave për demarkacionin se “kufiri mund të luhet 200 ose 300 metra”(!) Kjo një problematikë (ndër)kombëtare përtej aktuales. Bisedimet e fundit Kosovë-Mali i Zi, mes ministrave të Jashtëm në shkurt 2014 dhe atyre të Brendshëm në mars 2014 ( shoqërue edhe me disa marrëveshje për kufirin) pohojnë se demarkacioni do të vendoset pas disa muajsh, kësaj vere. Ky është i katërti vit kalendarik i çështjes së hapur të kthimit të kufirit nga një kufi administrativ i ish-Jugosllavisë në kufi shtetëror në mes dy shteteve të reja Kosovë-Mali i Zi. Në takimin e parë zyrtar publik dypalësh dakordues më 21 qershorit 2010 në Podgoricë mes ministrave të Brendshëm Rexhepi-Brajoviç, u deklarua se demarkacioni do të përmbyllet ma së largëti kah fillimviti 2011. Gjenerali Erhard Bühler, komandant i KFOR-it në Kosovë deklaroi botënisht se kjo çështje do të përfundojë në verë 2011.  Edhe zv/kryeministri i Kosovës H. Kuçi lajmnoi vitin 2011. E, këso afatesh të njipasnjishme janë prit e përcjell në kalendarin e çdo viti. Edhe më 2011, më 2012, më 2013. Edhe tani më 2014. Këto tejzgjatje tregojnë se ka probleme të forta e të mëdha të vijës kufitare mes dy shteteve fqinjë. Përndryshe, ekspertë të kufirit, të cilët ishin edhe në“demarkacionin” tepër problematik e jo pak konfliktual Kosovë-Maqedoni, e përcaktojnë si ma të vështirë kufirin Kosovë-Mali i Zi.

2.Në kohën e Ish-Jugosllavisë të Titos, në vitin 1974, kufiri ndërmjet Republikës së Malit të Zi e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) u vendos në dam të shqiptarëve të Pejës me rrethina. Kjo edhe për faktin se asokohe Pejën e drejtonte një malazez. Tani tri komunat kufitare: e Pejës, e Deçanit e Istogut (Burimit) drejtohen nga liderë shqiptarë të partive kryesore parlamentare të Kosovës, të cilët po ndikojnë në tejzgjatje po jo në këputje drejtësisht e përfundimisht të demarkacionit.

Shqiptarë, e jo vetëm ata, në të dy anët e kufirit Kosovë-Mali i Zi kanë mbetë duke i tund tapitë e pronave të tyre në erën e kohës e të premtimeve gjithfarësh. Aq ma keq kur kemi të bëjmë me raste të tilla: forcat policore të Malit të Zi hyjnë deri në 6 km në thellësi të territorit të Kosovës tue i pengue edhe shqiptarët e Deçanit, Pejës e Istogut të shfrytëzojnë bjeshkët e tyre, të dalin në stanet e tyre, të zotërojnë kullotat e pyjet e tyre. Nga zona e Rugovës, banorët e Shtankajve e Bogajve pse kanë deshtë të shfrytëzojnë tokat e tyre kanë pasë 5-6 arrestime nga forcat policore kufitare malazeze. Fatmirësisht, në mes policisë së dy shteteve e popullsisë së tyre, nuk ka pasë përplasje të përgjakshme, përveçse apelimeve e protestave jo të pakta.

Shteti i ri i Kosovës ndaj këtij problemi të vjetër të demarkacionit ka alternativë të njëjtë prej se nga viti 2010: “Nuk do të jetë problem për banorët që kanë tokat në ato pjesë. Ata do të pajisen me leje të veçanta për t’iu mundësuar lëvizja pa ndonjë problem dhe do të punojnë tokat pa pengesa”(!) Mirëpo në shekuj historia iu ka dhanë leksione banorëve të këtyre zonave kufitare pwr pronat e tyre me lëvizjet e shpeshta të kufinit (“granicës”). Në ma pak se njëqind vjet disa herë janë ndarë-bashkuar-ndarë ndërveti Mali i Zi me Serbinë.

3.Deklarata e ministrit Rexhepi është alarmante në se kryejmë përllogaritje: Vija kufitare me Malin e Zi është 78.6 km. Në koft se “kufiri luhet 300 m.” atëherë një e rënë e lapsit fjalathotë se Malit të Zi i duhen “falur” rreth 24 km2 sipërfaqe nga territori i Kosovës (!) Në koft se “kufiri luhet 200 m.” atëherë “dhurata” prapë është e jashtëzakonshme: mbi 15 km2 (!)

Në historinë botërore për 15-24 km2 sipërfaqe kufitare ka pasë raste të shpërthimit të një lufte lokale apo rajonale ndërmjet shteteve.Liderët në dy anët e kufirit kanë lëshue deklarata për “demarkacionin” qyshse në fillim vitin 2010, kur kryeministri malazez Milo Gjukanoviç deklaronte se “nuk ka kurrfarë probleme në kufizimin e Malit të Zi me Kosovën”, “Ekziston kontest i vjetër për përdorimin e kullosave nga njëra dhe ana tjetër e kufirit, por kjo nuk është problem i kufizimit”, “dikush dëshiron të krijojë disa probleme kufitare të Malit të Zi, në mënyrë që ta ngadalësojë integrimin e tij evropian”, etj. Njwherash edhe ministri i Brendshëm Rexhepi deklaronte para mediave në Podgoricë se liderët malazezë “me qëllim i mbyllin sytë” para problemeve lidhur me kufirin,  se qytetarë të Malit të Zi, “kanë zhvendosur njërën nga shenjat kryesore kufitare në dëm të territorit të Kosovës”, etj.

Edhe nga ana e Kosovës dhe e Shqipërisë ka pasë ndërhyrje në territore të sotme të Malit të Zi, si mw 8 qershor 2011 kur shqiptarët e Shqipërisë përgjatë një km hynë dhe e zhvendosën  50 m. kufirin në lumin Gërçar të Gucisë (mesi i rrjedhës së tij është kufi mes dy vende fqinjë), etj. Predrag Bulatoviç, deputet i Partisë Popullore Socialiste, parti opozitare serbe, kërkon nga foltore e Parlamentit Malazez, që, sipas tij,“duke pasur parasysh aspiratat shqiptaromadhe” të fqinjëve të lidhen me ta (Shqipërinë e Kosovën) të atilla marrëveshje që të garantojnë që çështja e kufirit me Malin e Zi të jetë zgjidhje e përjetshme.

 

Japonezët kanë një shprehje të madhërishme: “Tokë më fal që të shkel me kambë”!, ndaj nis edhe nga ky shembull aziatik duhet të shqetësohemi shqiptarisht e botënisht për demarkacionin sikur të kishim edhe një rast të vetmuar si ai i familjes Balaj nga Strellci i Deçanit për pronat  e saj në bjeshkën e Zhlebit.

 Këto prona, kryesisht alpine, nuk janë çështje të një individi, të një fshati apo komune, po janë probleme në 36 fshatra të komunave Deçan, Pejë e Istog (Burimi) përgjatë vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi.

Zvarritja në katër vite kalendarike të përcaktimit të vijës së kufirit mes Malit të Zi e Kosovës ka të bajnë pikërisht me zbutjen e shpërthimit të ndonjë revolte të paparashikuar e të padëshiruar. Ndoshta kjo është arsyeja që nuk paraqiten shifra kaq ballas, kaq shkoqur, sa ma reale. Nganjëherë “demarkacioni” nuk pyet aq fort për “demokraci”!  Dy anët e kufirit nuk kanë nevojë as t’ua zvarritin e as t’ua shafitin problemet e pronave të tyre, po t’ua zgjidhin drejtësisht e shpejt ato.

3.Fakti që mbi 15 apo rreth 24 km2 tokë etnike shqiptare është në lartësi alpine, në reliev të thyer alpin, në bjeshkë me stane për verime bjeshktare, në pyje, në kullota verore, etj. nuk do të thotë që të jenë jashtë vëmendjes të banorëve në dy anët e kufirit, as të ketë shtyrje,heshtje, mbulim e mos zgjidhje të problemeve nga dy qeveritë e Kosovës e Malit të Zi, as të ndonjë kompromisi të mundshëm me EULEX e KFOR në Prishtinë, etj. Aq ma keq t’i falim pronat kësodore, kësokohe, kësisoj!

Nuk janë pak as mbi 15 km2 apo 24 km2, pasi ishulli strategjik i Sazanit – ma i madhi i Shqipërisë Londineze është vetëm 5.5 km2 dhe dihet nga historia mesdhetare se sa lufta janë krye nëpër shekuj në mbrojtje të tij. Pra, shtetit të ri të Kosovës i merren nga shteti i Malit të Zi, në secilin nga dy rastet e masipërme, rreth “tre Sazan” apo mbi “katër Sazan”(!) Nuk janë pak sikur të kishim qoftë edhe “një Sazan” të tillë.

Të mos harrojmë historinë: principata e mbretëria e Malit të Zi, dinastia çetinase e saj, me pushtime e aneksime dhe dekrete të Fuqive të Mëdha i ka marrë Shqipërisë Etnike qyshse nga luftërat e Ostrogut (1853) e Grahovës (1858) dhe në dy luftërat ballkanike 1912-1913 mbi 9.000 km2. E ka trefishue sipërfaqën e saj në dam të shqiptarëve etnik. Prapë do të vazhdojnë të marrin shteti i Malit të Zi toka shqiptare sa një, tre apo mbi katër “ishuj Sazan” në kufij të Pejës, Deçanit, Istogut (Burimit)?!!

4.Demarkacioni e ka lidhjen e vet të shumëfishtë (i)direkte edhe me krijimin e parqeve (ndër)nacionale si Parku Ballkanik i Paqes ndërmjet Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi (Plavë-Gucisë) si dhe Parku Nacional i Rozhajës (Mali i Zi), etj. Prej kohësh po punohet e financohet në këto projekte për me i kthye pronat e shqiptarëve etnik në “prona shtetërore” për me e vendos krejt lehtësisht vijën e kufirit shtetëror, sepse kësisoj banorët autoktonë shqiptarë nuk i kanë ma bjeshkë, pyje e kullota të tyre. Krijimi i këtyre parqeve edhe në Plavë-Guci e në Rozhajë synon me i detyrue shqiptarët etnik me u shpërngulë në vise, shtete e kontinente të tjera, me i spastrue etnikisht trevat shqiptare nga shqiptarët trojenik e me i mbush ato me kolonë malazezë, boshnjakë e serbë.

Demarkacioni në mes Kosovës e Malit të Zi paraqet një tjetër rrezik sa të fshehtë e të hapur, keqpërdorimi politik. Në zbatim të procesit të paraparë në nenin 3 të aneksit VIII të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të datës 26 mars 2007, u vendos kufiri Kosovë-Maqedoni dhe tani në prag të fushatës elektorale për Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë duan ta kryejnë “de facto” edhe kufirin shtetëror me Malin e Zi për ta propoganduar si arritje para shqiptarëve e ndërkombëtare, për të vjelë vota, etj.

Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Rashko Konjeviç, pas nënshkrimit në Prishtinë të marrëveshjes për bashkëpunimin policor  Kosovë-Mali i Zi, para masmediave deklaroi qëllimin tjetër të përcaktimit të sivjetëm të vijës kufitare shtetërore në mes dy shteteve teksa pohoi: “ekspertët malazez dhe ata kosovar së shpejti duhet të finalizojnë demarkacionin e kufirit në mënyrë që t’i dërgohet një mesazh i përbashkët Komisionit Evropian drejt perspektivës evropiane”.

 5.Në fundvitin 1975, asokohe 20 vjeçar, isha vet i treti në një seminar të ATSH-së në Lezhë sëbashku me gazetarët e vendlindjes time, Gani Qerimi e Ibrahim Hajdarmataj e, rastisi të shkonim zyrtarisht tek anija e peshkimit “Islam Mustafa” në Shëngjin ku kapiteni i saj Fran Ivanaj para disa ditësh kishte ra heroikisht nga plumbat e një anije ushtarake jugosllave e futur në brendësi të territorit ujor shqiptar. Aty, në anije, na folën për “dy kufij detarë shqiptar”, njëri në ruajte të Ministrisë së Brendshme e tjetri, ma andejna, në ruajtje të Ministrisë së Mbrojtjes. Nuk po e çprushi këtë “enigmë” në mes Shqipërisë e OKB-së, etj., e hapur dhe e mbyllur nga E.Hoxha e M.Shehu, etj. Kjo m’u ka kujtue shpesh gjatë debateve e praktikave politike, diplomatike e juridike të viteve të fundit për të ashtuquajturen “Marrëveshje e Detit”, përndryshe “Pakti detar Shqipëri-Greqi”. Kjo m’u kujtua edhe në prillin 2012 kur tek “Syni i Sheganit” në kufi mes Hanit të Hotit dhe doganës malazeze, policia ujore kufitare malazeze arrestoi tetë peshkatarë të Malësisë së Madhe teksa peshkonin me katër varka në ujërat e shtetit fqinjë, pasi kishte mangësi edhe sinjalistika të kufirit ujor në liqenin e Shkodrës.

            Dikur, në kohën e monizmit, iu dha Jugosllavisë (sot pjesë e shtetit të Malit të Zi) një hapësirë detare pothuaj sa sipërfaqja e rrethit të Mallakastrës (580 km2) apo ma  e madhe se ajo e Paktit Detar Shqipëri-Greqi (354 km2). Kjo për arsyena të kohës. Në se këtë fakt nuk do ta quajmë “skandal”, atëherë duhet të përgaditemi që të mos ndodhemi përballë ndonjë “skandali” tjetër në përcaktimin e kufirit të pritshëm detar me Malin e Zi (tue nistue tek ishulli-tokë “Franc Jozef” në deltën e Bunës; përcaktimi i pikës treshe detare kufitare mes Shqipërisë-Malit të Zi-Italisë (sipas barazlargësisë dhe zgjidhjes së barabartë, që do të kënaqte kërkesat e tre shteteve), etj.

            Në fakt prej kohësh, gjatë denoncimit atdhetar e juridik dhe përdorimit politik elektoral të “Paktit Detar me Greqinë”, përfaqësues të lartë të së majtës në pushtet kanë deklarua se “do të kemi një të tillë Marrëveshje Detare edhe me Malin e Zi”,  ku “nuk do të lëshojmë asnjë milimitër”, “vetëm në dy palësh fqinjësi të mirë do ta ndajmë detin”, etj.

            Realisht, sikurse me Greqinë, pavarësisht nga Marrëveshja (të paplota) Shqipëri-Itali-Jugosllavi (1968), Shqipëri-Itali (1992), lind nevoja për përcaktimin e kufijëve detarë edhe me Italinë e Malin e Zi. Ne nuk po duam e as nuk mundemi të futemi si ekspertë në thelluta të së Drejtës Ndërkombëtare, të Konventës Montego Bay–1982 (Ligji për Detin), etj. Veçse theksojmë faktin se duhet patur kujdes në grykderdhjen e Bunës në det të hapur – tek delta e saj, tek dy ishujt e formësuar prej prurjeve lumore të saj në fundshek. XIX, si ishulli disa hektarësh “Franz Jozef” i bashkuar tashma me tokën (si gadishull) dhe tjetri, ishulli strategjik e turistik Ada në Ulqinin nën Malin e Zi. Pikërisht ndërmjet tyre, në deltën e Bunës, duhet të jetë pika me koordinata të përbashkëta dhe të njëjta për të dy shtetet: Shqipërinë dhe Malin e Zi, që të ketë në konsideratë edhe Kepin e Rodonit (ndryshe nga mangësi në Marrëveshjen me Italinë), etj.. Për ma tepër Mali i Zi ka një stacion matës në deltën e Bunës me ndryshime në shtratin e vet prej prurje të saj e l.m.d. të njëjtë me detin, etj.

            Ndryshe nga çdo vend tjetër në hartën e botës, në kufirin mes Shqipërisë e Malit të Zi i gjen kaq të lidhun në afri ndërveti kufirin detar, lumor e liqenor, çka kërkon studime e kujdes të veçantë, që të mos plasin një “skandal” tjetër i mundshëm, i radhës.  Nuk ka nevojë për ngutje, pasi Komisioni Ndërkombëtar i Kufinjve zgjati 12 vjet (1913-1925) për ndarjen e kufirit të Shqipërisë Londineze me Malin e Zi (mbretëri e republikë e ish Jugosllavisë Monarkiste). As kufini i sotëm Kosovë-Mali i Zi nuk ka nevojë për përngutje, pavarësisht se e kërkojnë ndërkombëtarët si kusht për integrimin e Malit të Zi e të Kosovës në BE e NATO, pavarësisht se opozita e sotme (sikurse Serbia) ngrihet kundra ngritjes së këtij kufiri nga administrativ në shtetëror, sepse njohja e kufijve ndikon në njohjen e Kosovës nga OKB si shtet i pavarur e sovran.

 6.Ende nuk jemi ulë me kambë në tokë e me duar në tavolinë e të bajmë llogari: sa kilometra katërore është Kosova sot në vitin 2014?! Pak kush e di. Askush nuk e thotë hapur. Sa km2 i kanë marrë Kosovës dardane Patriakana e Pejës, Manastiri i Deçanit, etj. të cilat kanë status të veçantë?  Fjala vjen: Manastiri i Deçanit nuk lejon të kalojë as autorruga për Plavë nëpër territorin e saj, jo le më pasandej të pretendojnë shqiptarët për pronat e saj!  Ky manastir i ngritur mbi toka të shqiptarëve si Hasi Kuçit, mbi themele të Kishës së Gashit të Xërxës, me projekt arkitekturor të priftit shqiptar Vita i Kotorrit, etj. sot ka 2.3 km2 territor të saj me status të veçantë e të mbrojtur nga KFOR! Kjo nuk është sipërfaqe e pakët: më pak se gjysma e ishullit Sazan të Vlorës dhe ma shumë se gjysma e ishullit Ada të Ulqinit shqiptar.Në koft se ia falim Malit të Zi mbi 15 apo 24 km2 nga territori i Kosovës, në koft se Mali i Zi merr prapë territore tokë-lumë-det të Shqipërisë nga delta e Bunës deri në thellësi të ujërave ndërkombëtare të Adriatikut (ndoshta dhjetra apo qindra km2 sipërfaqe), sepse çdo ndryshim i pikës fillestare në Tokë është tregues i ndryshimit të vijës ndarëse në hapësirën ujore detare.

            Në rast se Kosova e Shqipëria ecin me logjikën e lëshimit të territoreve të veta atëherë duhet të ndryshojë edhe sipërfaqja e tyre në hartën e botës dhe në libra shkollor e popullor. Mos vallë prapë duhet të rrudhemi etnikisht në territore si komb para oreksit shoven të fqinjëve malazezë, serbë, maqedonas e grekë?! A thue na e jep pa luftë Gjukanoviçi ishullin Ada? Jo. Atëherë pse ne u dashka t’i falim atij e shtetit të tij multietnik qoftë edhe një metër katëror nga territore të Shqipërisë Londineze e të Kosovës Euro-Atlantike?! Po nuk vepruam drejt, kombëtarisht, do na gjykoj e nuk do na e falin historia shqiptare.

           

 

                                                                                                                   

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: DEMARKACIONI ME MALIN E ZI, Ramiz Lushaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT