• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Mustafa: Demarkacioni ratifikohet para se Brukseli të votojë liberalizimin e vizave

May 19, 2016 by dgreca

Intervistë me kryeministrin Isa Mustafa/

 “Kam arsye të besoj se nuk do të paraqiten komplikime në Kuvend sa i përket ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e zi për Demarkacion, sepse do të futeshim në një fazë që do ta rrezikonte liberalizimin e vizave, por edhe partneritetin tonë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Isa Mustafa. Ai fton liderët opozitar që nëse kanë dokumentacion që e dëshmon se Kosova po humb territor, ta paraqesin atë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, bazuar në deklaratat e fundit të komisionerit Johanhes Hahn, Kosova duhet të plotësojë edhe kushtin e fundit para se qytetarët e saj të mund të lëvizin lirshëm, pa viza drejt vendeve të BE-së. Më konkretisht, është fjala për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Andaj si mendoni ta finalizoni këtë çështje apo problematikë nëse mund ta quajmë tashmë?

Isa Mustafa: Mendoj se duhet t’i propozohet Kuvendit të Kosovës marrëveshja për Demarkacionin e kufirit. Ajo është nënshkruar vitin e kaluar në Vjenë, ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Malit të Zi. Paraprakisht është punuar për gati tri vjet nga komisioni shtetëror. Është bërë një punë shumë studioze, një punë mjaftë e madhe dhe e qëndrueshme, sepse jemi munduar që ta verifikojmë edhe gjatë kohës kur komisioni ka punuar për të parë se a janë shterur të gjitha dokumentacionet, të gjitha mundësitë, të gjitha hartat dhe të gjitha procedurat në mënyrë që ai propozim të vjen në qeveri.

Në fund ishte konstatuar nga ana e komisionit se ata e kanë përfunduar dhe e kanë përmbyllur tërë punën e tyre. Më vonë ka pasuar edhe një interesim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që edhe ata ta shohin hartën elektronike dhe ta japin opinionin e tyre lidhur me këtë çështje. Në bazë të deklarimit të Departamentit të Shtetit, ka dalë se është vija kufitare mbi të cilën ishte pranuar pavarësia e Kosovës.

Meqenëse kishte shumë vërejtje nga opozita, sidomos nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ish-presidentja Atifetej Jahjaga pati marrë nismën që të themelonte edhe një grup të ekspertëve ndërkombëtar që ta rishikojnë edhe njëherë dhe ta vlerësojnë nëse komisioni i ka përfillur të gjitha procedurat dhe dokumentacionin ligjor. Sërish ishte dhënë i njëjti mendim, pra se vija është caktuar aty ku ka qenë edhe kufiri i dikurshëm administrativ që ka nda ish-Krahinën e Kosovës dhe Malin e Zi (në ish Jugosllavi).

Mendoj se i kemi shterur të gjitha mundësitë. Tani kemi edhe një deklaratë të qeverisë së Malit të Zi që ata janë të gatshëm që nëse ka argumente atë ta marrin parasysh. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se tash ka kohë dhe ka argumente që edhe njëherë të hapet çështja e bisedimeve në lidhje me demarkacionin. Prandaj, mendoj se ky dokumentacion që është dhe kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend nga deputetët e Republikës së Kosovës. Mali i Zi tashmë e ka ratifikuar.

Ne nuk kemi asnjë kontest shtetëror me Malin e Zi e as kontest kufitar. Çështjet janë më tepër individuale. Mendoj se ratifikimin duhet ta bëjmë para se Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian të votojë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka shqetësime në Qeverinë e Kosovës në lidhje me sigurimin e 80 votave të nevojshme nga deputetët, për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje?

Isa Mustafa: Po ne duhet të punojmë me deputetët, me të gjitha grupet parlamentare, duhet të ulemi dhe t’i argumentojmë gjërat. Është me rëndësi që të mos mbizotëroj politika populiste nga individë dhe grupe të ndryshme, por të dominoj arsyeja, sepse askush në Kosovë nuk ka arsye që asnjë metër katror t’ia falë një vendi tjetër, pra as Malit të Zi. Fundi i fundit, Mali i Zi nuk ka kërkuar asnjë metër katror nga Kosova, mirëpo është punuar dhe vërtetuar se ajo është vija ndarëse ndërmjet të dy shteteve.

Asgjë nuk ka ndryshuar në pikëpamje të relievit. Këtu ne nuk kemi të bëjmë me caktimin e kufirit të ri, por vetëm me ri-shënimin e vijës e cila ka qenë si vijë ndarëse përpara e Republikës së Malit të Zi me Kosovën në ish-Jugosllavi, e cila atë kohë ka qenë Krahinë Autonome.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë gjasat që çështja të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit nëse paraqiten komplikime në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes?

Isa Mustafa: Tash unë do të besoja dhe kam arsye të besoj se nuk do të paraqiten komplikime në Kuvend, sepse do të futeshim në një fazë që do ta rrezikonte liberalizimin e vizave, por edhe partneritetin tonë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sa kam njohuri, Mali i Zi tashmë nënshkruan marrëveshjen për pranim në NATO. Do të thotë kemi të bëjmë me një vend me të cilin ne nuk mund të sillemi si të duam apo ta të sillen me ne si të duan me çështjen e kufirit, sepse dihet se si vihen dhe si konsiderohen kufijtë ndërmjet shteteve të NATO-s. Mendoj se nuk duhet të rrezikojmë në këtë aspekt. Duhet të sillemi në mënyrë koshiente. Duhet të respektojmë vetveten, por edhe shtetet fqinjë dhe procedurat të cilat janë zhvilluar.

Radio Evropa e Lirë: A do ta ftoni edhe opozitën në konsultime para se çështja e ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacion të procedohet për në Kuvendin e Kosovës?

Isa Mustafa: Por ne u munduam edhe në takim që e patëm me komisionarin Hahn, në tryezën e përbashkët me krerët e opozitës që të bisedojmë. Ata do të thotë këmbëngulin në qëndrimet e tyre. Kjo është e drejtë e tyre që të sillen ashtu dhe të këmbëngulin.

Por ne do të vazhdojmë t’i ftojmë të bisedojmë dhe nëse ata kanë dokumentacion konkret se ndonjë pjesë e Kosovës për të cilën qytetarët, kompanitë publike, private apo edhe ato ish-shoqërore e kanë administruar si tokë në Kosovë dhe e kanë pasur të regjistruar në librat kadastral dhe kanë paguar tatime në Kosovë dhe tash ato kalojnë në Malin e Zi dhe duhet të rregullojnë dokumentacionin në Malin e Zi.

Pra, për këto duhet të tregojnë dokumentacion. Do të thotë këto janë çështje që duket, që shihen, që preken por edhe që zgjidhen, sepse askush nuk do të lejoj që sipërfaqe të tilla dhe prona të tilla të kalojnë atje. Këtë duhet ta ketë parasysh edhe opozita. Por të thirresh vetëm në çështje historike, të kaluarës që varrezat kanë mbetur andej kufirit, për fat të keq varrezat e shqiptarëve në shumë rajone, kanë mbetur jashtë kufijve që tani i ka Kosova, qoftë me Serbinë, Malin e Zi e vende tjera. Kufijtë historik është shumë vështirë që tani ti ri-rregullojmë dhe ti hapim si çështje të tanishme.

Në dialogun me Serbinë përfshihen Kuvendi dhe zyra e Presidentit

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të kalojmë në një çështje tjetër. Ju kemi dëgjuar këto ditë të flisni për një format tjetër të vazhdimit të dialogut me Serbinë. Për çfarë formati bëhet fjalë?

Isa Mustafa: Unë konsideroj që ekziston nevoja që të kemi sa më shumë palë të interesuara, të kyçura në këtë pjesë të dialogut edhe nga Zyra e Presidentit të Kosovës edhe nga Kuvendi i Kosovës në mënyrë që gjërat të sqarohen para se të arrijnë në Kuvend apo para se të plasohen para opinionit. Por, domosdo mendoj se do të ishte shumë e dobishme që t’i kemi edhe përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërisë civile në këtë proces, sidomos në proceset përgatitore, profesionale.

Në këtë mënyrë i gjithë procesi do të lehtësohej në pikëpamjen e vendimmarrjes. Kjo do të ndihmonte edhe në pikëpamjet e procedurave dhe agjendës së dialogut me Serbinë që do ta bëjmë me ndërmjetësim të Brukselit. Do të shohim se sa do të gjejmë vullnet në këtë aspekt. Por, gjithsesi ne duhet të vazhdojmë me dialogun. Është e vetmja alternativë të cilën ne e e kemi zgjedhur dhe nuk kemi tjetër alternativë pos bashkëpunimit dhe partneritetit tonë evropian dhe amerikan në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Radio Evropa e Lirë: Nëse do t’i bënit një rezyme, të përgjithshme sipërfaqësore, ku ka mbetur çështja e Asociacionit, ku kanë mbetur çështjet tjera, të funksionalizimit të gjykatave në veri, ku i shihni ngecjet kryesore të dialogut?

Isa Mustafa: Sa i përket gjykatave mendoj se jemi në një proces dhe ai proces është në përmbyllje, edhe sa i përket gjykatave dhe prokurorisë, ndërkaq ka ngecje shumë të madhe sa i përket funksionimit të strukturave paralele të Serbisë, se këto struktura Serbia i mban edhe në komuna ku ka kryetarë të Listës Serbe, dhe shtrohet pyetja pse? Edhe ata janë në ndikimin e plotë të Beogradit, edhe në disa kompani që i konsiderojnë si kompani të tyre apo struktura të ndryshme.

Është arritur te integrimi i organeve të sigurisë që kanë vepruar në veri, mbi 400 i kemi integruar në organet e ndryshme shtetërore të Kosovës, dhe praktikisht është zhbërë Mbrojtja Civile që ka qenë në veri të vendit, por ka probleme tani sepse nuk po lëvizin gjërat mirë sa i përket rikonstruktimit të urës mbi lumin Ibër, në mënyrë që ashtu siç është parë, në fund të qershorit, të funksionalizohet dhe të ketë kalim të papenguar në mes pjesës jugore dhe veriore të Mitrovicës.

Po pengohet edhe kodi telefonik nga ana e Serbisë, ishte paraparë që të ndodhë shumë më herët, ka probleme sa i përket marrëveshjes për energjinë dhe me organizatat tjera që janë të lidhura me sistemin e energjisë.

Ndërkaq sa i përket Asociacionit ne kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ne mbesim të përkushtuar që procedurat tjera të Asociacionit të bëhen ashtu siç Gjykata Kushtetuese na ka udhëzuar me vendimin e saj. Ka interpretime të ndryshme, opozita thotë se ne e kemi shkelur Kushtetutën me marrëveshjen, mirëpo në fakt ajo ka qenë marrëveshje politike dhe gjykata në asnjë rast nuk ka konsideruar së ka shkelje të Kushtetutës, por vetëm se ka konstatuar se si mund të bëhet Asociacioni, duke ruajtur strukturën e Kushtetutës dhe parimet Kushtetuese që i kemi vënë.

Ne do të veprojmë ashtu si është udhëzuar, ndërkaq Asociacioni edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese është paraparë që duhet të themelohet sepse është bërë në formë juridike të Kosovës duke pasur parasysh se është miratuar me ratifikimin e Ligjit për marrëveshjen e parë e cila ka ndodhur në qershor të vitit 2013.

Tani procedurat janë që duhet edhe njëherë të riorganizohet ekipi menaxhues, e cila do të bënte draftin e parë të statutit të këtij Asociacioni që pastaj do të diskutohej në Bruksel. Jemi në këtë procedurë, do të shohim se kur mund të bëhet ky kompletim i ekipit menaxhues, mirëpo ne po ashtu kemi shtruar çështje që ne nuk mund të ecim me Asociacionin pa pasur siguri se do të përmbushen edhe detyrimet që i ka Serbia sa i përket kodit telefonik dhe energjisë, sa i përket urës mbi lumin Ibër, dhe veçmas, sinjaleve që duhet t’i japë Serbia për zhbërjen e këtyre strukturave paralele të cilat akoma po veprojnë dhe po na dëmtojnë.

Kosova dhe Serbia në BE, njëkohësisht, ose do të ketë probleme

Radio Evropa e Lirë: A i shihet fundi këtij dialogu në kuptimin e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja shteteve?

Isa Mustafa: Mendoj që kemi pasur efekte pozitive. Kemi arritur që të integrojmë popullatën serbe nga veriu i vendit në institucionet e Kosovës. Tani kemi deputet në Kuvendin e Kosovës nga veriu, kemi ministra në Qeverinë e Kosovës nga komunat veriore si dhe kemi funksionim të këtyre komunave sikurse edhe në komunat tjera dhe zbatim të ligjit dhe kritereve që i përcakton qeveria. Kështu që mendoj se ka të arritura të konsiderueshme dhe që duken qartë. Mirëpo, ka edhe pengesa mjaftë të mëdha sepse Serbia nuk po i përmbahet marrëveshjes së parë sidomos tek anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Përkundër asaj që në marrëveshjen dyja palët janë zotuar se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare ne kemi hasur në tentime të ashpra të pengimit të anëtarësimit të Kosovës në UEFA, në FIFA. Pastaj në është bllokuar dhe pamundësuar anëtarësimi në UNESCO vitin e kaluar, pavarësisht që Serbia nuk kishte asnjë përfitim. Ata jetojnë ende në ëndrra, sepse mundohen që futbollin, Federatën e Kosovës apo shkencën e Kosovës ta paraqesin si pjesë të tyre.

Do të thotë jetojnë në të kaluarën dhe ende nuk janë liruar nga ideologjia e Milosheviqit edhe pse do të duhet të lirohen sa më shpejt. Ne në të ardhmen ne duhet të mendojmë edhe për demarkacionin e kufirit me Serbinë, sepse duhet t’i hyjmë edhe atij procesi që ta zgjidhim. Duhet ti hyjmë procesit të dëmeve të luftës që na i ka shkaktuar Serbia që edhe ato ti vlerësojmë dhe të shohim se si do të kompensohen. Duhet ti bëjmë edhe disa marrëveshje tjera që kanë të bëjnë me transportin hekurudhor e ajror dhe mendoj se më pastaj duhet të vijmë në një fazë kur do të konstatonim një normalizim të marrëdhënieve i cili do të qonte në pranimin dhe njohjen e dyanshme.

Radio Evropa e Lirë: Sa nënkupton ky normalizim një anëtarësim i të dyja shteteve në Bashkimin Evropian, si një formë e njohjes së heshtur?

Isa Mustafa: Mendoj se do të ishte krejtësisht e padrejtë të shkojnë proceset përpara të integrimit evropian të Serbisë me sjelljet e tilla që i ka, sepse çdo hyrje e mëhershme e Serbisë në Bashkimin Evropian do të krijonte pengesa më pastaj në anëtarësimin e Kosovës në BE. Unë mendoj që duhet të jetë një proces i kushtëzuar dhe paralel sepse ne tani, kur Serbia nuk ka ndonjë fuqi të madhe po përpiqet të na pengoj të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare, si ato të sportit e shkencës, e lere më si do të vepronte për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Mendësia e tillë nuk na siguron neve që Serbia do të sillet me parimet e shteteve tjera të Bashkimit Evropian. Prandaj ne do të bëjmë përpjekje maksimale që ne t’i përmbushim të gjitha kriteret tona në mënyrë që ta zëmë hapin e integrimit evropian dhe që ky integrim të jetë i njëkohshëm me Serbinë në mënyrë që të mos mbetemi ne më pastaj peng i vullnetit të Serbisë.(Zijadin Gashi)

Filed Under: Interviste Tagged With: Brukseli, demarkacioni, Kryeministri Mustafa, ratifikimi

Demarkacion,pazare apo kontrabandim

August 26, 2015 by dgreca

Nga Gani Qarri/
Athua vallë nuk paska pushtuar mjaft toka tonat ngrehina xhuxhe malazeze dhe ende nuk qenka ngopë, duke u rritur panatyrshëm me grabitjen e hapsirave shqiptare,që nga Ulqini e Tivari,Podgorica,Tuzi e Malësia, Kollashini,Plava e Gucia deri te Rozhaja, por iu dashkan edhe 12 mijë hektar tjerë-tokë shtesë, male,bregore dhe kullosa të bjeshkëve më të bukura të Kosovës, që ti shpronësoj dhunshëm dhe poshtëroj në mënyrën më të ulët mu ata të cilët qindra vite luftuan trimërisht dhe u bënë ballë pareshtur orekseve të pashuara pushtuese sllavo-malazeze, si rugovasit trima dhe bashkëkombësit tanë tjerë,pronarët autokton dhe legjitim të këtyre trojeve!?
Një nga shprehjet më të vlerësuara të ish-presidentit amerikan, Abraham Lincoln, përkufizohet në ketë mënyrë: “Nëse doni ta njihni karakterin e një njeriu, epni atij pushtetin”
Pikërisht këtu, bënë konak e patrazuar, tash e qindra vjet, dobësia kryesore e prijësve tanë kombëtar e shtetëror, ku ata jo vetëm thjeshtë tregojnë veten, por thënë realisht, shumica e udhëheqësve shqiptar, pothuajse dështojnë plotësisht.
Tanimë, është fshehtësi e njohur botërisht për të gjithë ne, se si tradicionalisht, që nga Hamzai e këndej, një pjesë jo e vogël e udhëheqësve të hapësirave tona etnike, për vite e dekada bënë emër dhe fituan grada, pikërisht duke shitur interesat e kombit dhe pjesët më të bukura të atdheut.
Edhe pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, nga Fuqitë e Mëdha më 1878, për dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë ,Malit të Zi, ishte Populli Shqiptar ai që kundërshtoi me forcë dhe vendosmëri, çfarëdo ndryshimi kufijsh në dëm të tokave të tij.
Kjo u bë shkak, që atëbotë të caktohej një tubim i krerëve të Dukagjinit, Gjakovës dhe atyre të Malësisë, në vendin e quajtur, “fushat e Bajram Pashës” për marrjen e hapave të nevojshëm në mënyrë që të organizohet mbrojtja e këtyre trojeve.
Por Riza beg Kryeziu, babai i Cana begut të “famshëm”dhe ish prijës i Gjakovës, i dërguar nga organet pushtuese otomane si bashkëpunëtorë i tyre, për të prishur tubimin dhe përçarë shqiptarët në mes veti, që në fillim të fjalës së tij, shprehet se shqiptarët nuk munden dhe as nuk duhet ti kundërvihen pushtimit të Plavës e Gucisë nga Mali i Zi sepse Stambolli paska vendosur për dorëzimin e tyre, vetëm atëherë, kur nuk ka pasur rrugëdalje tjetër, ndaj ai me bashkëpunëtorë, janë kundër konfrontimit me malazezët dhe nxjerrjen e telasheve të reja Perandorisë.
Populli i dëshpëruar nisë të mallkojë e shajë Riza beg Kryeziun dhe kërkon që ai të zbres nga bina, e në vend të tij, e të flasë dikush tjetër. Pas kësaj ngjarjeje, në binën e improvizuar ngjitet patrioti i mirënjohur, Ali Ibër Neza, i cili,gëzon të gjithë atdhetarët e vërtetë që kishin ndarë mendjen për ti dalë zot vendit, me fjalët e thëna dhe vendosmërinë e treguar, duke u shprehur plot ideal dhe energji kombëtare:
Vëllezër- ne do ta mbrojmë Plavën dhe Gucinë!.
E sa i takon Riza begut, mos çuditeni me të, sepse vetëm gruaja e tij, i mbanë mbi “tre kilogram dukat të turkut në qafë” do të vazhdonte Ali Ibra, ndaj Rizai frikohet se po hyni në luftë pa “izën” e turkut, do ta humb të gjithë pasurinë.
Kurse ne, nuk kemi asgjë, përveç këtij trolli të begatë, e atë do ta mbrojmë deri në fund dhe kurrë nuk ia lëshojmë tokën tonë, Karadakut (Malit të zi)pa u derdh gjak për këtë vend.
Neve asnjëherë nuk na ka ndihmuar e dhënë armë- mbreti as Perandoria, por gjithmonë kemi luftuar burrnisht me gjithqka kemi mundur…
Ndaj edhe sot, secili prej nesh, ka nga diçka, asnjë nuk jemi krejt pa armë, ja unë për shembull, kam pushkë e kobure por edhe sopat e këmesë te shtëpia, ndaj vet do të luftoj me pushkë, Djalit do t`ia jap Koburen, Gruas sakicën, kurse Çikës sime këmesën dhe kështu do të luftojmë të gjithë së bashku, derisa të vdesim,por asnjë pëllëmbë të tokës sonë, nuk do t`ua lëshojmë malazezve pa gjak.
Turma e entuziazmuar nis të urojë Ali Ibër Nezën dhe mallkoj tradhtarë e beglerë, si bashkëpunëtorë të pushtetit otoman. Riza beg Kryeziu, i turpëruar,fillon të ndihet keq, dhe tani tenton ta ulë e nënvlerësoi qëllimshëm problemin e vërtetë kombëtar duke u munduar ta zhvlerësoj dhe jap kahje krejt tjetër edhe tubimit, sikur mos të ishin në pyetje pjesë të vlershme të atdheut,që duhej të kalonin dhunshëm nën sovranitetin e një shteti pushtues, si ai malazez.
Ndaj,me bindjen se edhe vet dielli ndrinte vetëm për të, ai fton bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e tij për të lëshuar këtë tubim me arsyetimin banal, se; “Opinga e Katundit, e mundi Begun e Shehrit”!.
Mjerisht, historia jonë e dhembshme, edhe në këtë shekull ,sërish po përsëritet për të keq,për faktin se edhe “beglerët” e rinj, edhe pse të ardhur rishtas në “shehër” (qytet), në vend se para BE-s, dhe Bashkësisë Ndërkombëtare të kërkojnë korrigjimin e kufijve në dobi të trojeve shqiptare të pushtuara me forcë dhe padrejtësisht nga shtetet hegjemoniste fqinje, qysh nga koha e Kongresit të Berlinit, ata u falin atyre pa asnjë ndrojtje edhe dhjetëra mijëra hektar tjerë- tokë arbërore, nga pjesa e tejrrudhur-po nga këta akter-kavaler, e atdheut tonë të gjymtuar.

Kështu, vetëm një ditë para fillimit të samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor në Vjenë të Austrisë, më 26 gusht 2015, Mali i Zi, paralajmëron se Marrëveshjen (për ne të dëmshme) kufitare, do ta nënshkruajë me Kosovën, sipas së cilës pjesë të konsiderueshme të vendit, nën Çakor në Grykën e Rugovës dhe te Kulla afër Rozhajës,për mbrojtjen e të cilave, në të kaluarën, disa herë ka shkuar gjaku përrua, tani në mënyrë të vullnetshme, “bujarisht”,dhe me vetëm një nënshkrim sa hap e mbyllë sytë, do të falen dhe futen si në një ëndërr të keqe, nën sovranitetin malazez nga vet shqiptarët.

Athua vallë nuk paska pushtuar mjaft toka tonat dhe ende nuk qenka ngopë me grabitjen e trojeve shqiptare republika malazeze,duke filluar nga Ulqini e Tivari,Podgorica,Tuzi e Malësia, Kollashini,Plava dhe Gucia,e deri te Rozhaja, por iu dashkan edhe 12 mijë hektar tjerë tokë shtesë, male e kullosa të bjeshkëve të Kosovës, që ti shpronësoj dhunshëm rugovasit trima dhe bashkëkombnsit tanë tjerë, pronar autokton dhe legjitim të këtyre trojeve!?
Madje, kjo po ndodhë para syve tanë, pa bërë asnjë kundërshtim të dukshëm, sado formal nga pala shqiptare, përkundër humbjes së gjithë këtij territori, përderisa vetëm për një të ashtuquajtur asociacion të komunave serbe, shkohet për bisedime edhe me përfaqësuesit evropianë, deri në Bruksel,ndërsa politik-bërësit e Kosovës, në mënyrë të pashembullt, falin tokat e atdheut për pesë pare dhe atë nga dhjetëra mijëra hektar për një herë,dhe me vetëm një nënshkrim.

Ç`është kjo? Demarkacion, shitje apo plaqkitje?!

Dhembja bëhet edhe më madhe kur dihet se vetëm për të jetësuar një të ashtuquajtur “asociacion komunash”, serbët në veri, ka disa vite që kanë bllokuar Urën mbi Lumin Ibër dhe sot e asaj dite ,përkundër qindra premtimeve boshe, ende nuk lejohet heqja e barrikadës së mbjellë me “hithër të Serbisë”, të cilat vazhdojnë ta “djegin” të drejtën e shqiptarëve për lëvizje të lirë në tërësinë (e “garantuar”) territoriale të Republikës së Kosovës, edhe në veri!

Sot u deklarua,sikur qenkan pajtuar për heqjen e saj,por vetëm pas arritjes së qëllimit final dhe nënshkrimit të marrveshjes nga pala shqiptare në Bruksel,për krijimin e “asociacionit të komunave serbe”.

Ndaj shqetësimi rritet edhe një herë më tepër, për faktin se vetëm para pak ditësh Josip Manoliq, një ish-funksionar i lartë kroat, deklaroi se në udhëheqjet e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, si në Kosovë , FYROM dhe Serbi, ende ka një numër të konsiderueshëm të bashkëpunëtorëve të UDB-së, të cilët edhe sot mbajnë pozita të larta institucionale në të gjitha këto shtete.

Mjerisht, kjo shqetëson pa masë, ngase ka shumë paqartësi në këto histori nënshkrimesh e marrëveshjesh të pa qarta për opinionin publik.
Një skenar i ngjashëm u luajt edhe në një rast të më hershëm,me FYROM-in, kur megjithëse administrata,ushtria dhe policia serbe ishin përzënë nga Kosova rreth dy vite më parë, sllavo-maqedonët më 2001,lidhën një marrëveshje më Serbinë për përvetësimin e një pjesë të territorit të Kosovës.

Madje, mjerisht kjo nuk ishte e gjithë e keqja, tragjedia e vërtetë ndodhi pikërisht atëherë, kur edhe liderët shqiptar, u pajtuan me një marrëveshje të tillë antishqiptare të dy shtetveve hegjemoniste fqinje dhe me dorën e tyre,nënshkruan pa asnjë hezitim, aneksimin e mbi 2500 hektarëve tokë të vlershme të Kosovës, nga shteti sllavo-maqedon.

Këto vendime të çuditshme të politik-bërësve aktual, jo vetëm se po krijojnë situata të paqarta e tejet dëshpëruese,por po lënë pa mend dhe vrasin çdo fije shprese të bashkëkombësve se këtu ende ka të ardhme për familjet dhe fëmijët e tyre!

Nënshkrime të tilla të mjegulluara, nuk janë thjeshtë vetëm akte ndëshkimi ndaj pronarëve por dhe tradhti e paskrupullt kombëtare, ndaj është koha e fundit dhe momenti vendimtar që dikush të marrë rolin e Ali Ibrës dhe përfundimisht të ngrihet e mbrojë tokat tona,pronën dhe të drejtat e shqiptarëve në këto troje.

Vende të shenjta me plot kronika të qëndresave më të përgjakshme kombëtare, që njeh historia, nuk meritojnë tu hiqen kaq lehtë nga dora shqiptarëve dhe të shiten aq lirë, falen apo dorëzohen në këtë mënyrë të turpshme malazezve

Mjerisht politik-bërësit aktual edhe një herë më tepër po dëshmojnë se me zhvendosje të tilla marramendëse të “megjëve” ndërshtetërore, në shtrirje kaq shumëkilometërshe dhe tejet të mëdha hapësinore, në brendësi të thella të atdheut tonë, duke tkurr pariparueshëm, kufijtë e Kosovës, për plotësimin e orekseve të pafund të vendeve hegjemoniste sllave, po vihen plotësisht në shërbim të ish pushtuesve të tokave tona dhe rrezikojnë drejtpërdrejtë tërësinë territoriale dhe hapësirën tonë tokësore e kombëtare.

Ata,ndoshta padrejtësisht ëndërrojnë se me kalimin e viteve, lëshimet e tyre, do të trajtohen vetëm si mashtrime të thjeshta në momente të caktuara politike, të cilat edhe si të tilla, mund të jenë mjaft tragjike, por tradhtitë historike që me, apo pavetëdije po bëjnë, mbeten gjithmonë të dënueshme, të pandreqshme dhe fatale për kombin tonë!
E shitja sado e kamufluar e pjesëve të vendit nga kushdo qoftë, falja apo tjetërsimi i hapsirës etnike të atdheut, është dhe mbetet, përgjithmonë tradhti e lartë kombëtare, dhe nuk do të mund ti shpëtoj për kohë të gjatë, gjykimit.

Historia gjithmonë ka dëshmuar se këto troje ishin tonat-shqiptare, ndaj me namin që lanë politikanët aktual, me lojëra “demarkacionesh” dhe vizatime “kufijsh” sipas dëshirës së lirë të ish vendeve pushtuese dhe hegjemoniste fqinje, lind pyetja; athua vallë deri ku do të arrijnë dhe ku do të mund ti ndalojnë shqiptarët kufijtë e Serbisë nesër, pas demarkacionit që duhet të ndodhë edhe me këtë shtet, nëse vazhdohet me falje të tilla territoresh kombëtare në stil të gjerë, siç është bërë fatkeqësisht, tanimë traditë e politikanëve aktual, kur dihet se pretendimet më të mëdha territoriale ndaj tokave tona dhe Kosovës në përgjithësi, i ka pikërisht Serbia?!
Ndaj, është koha e fundit që dikush të ngrihet, jo për të na dhënë këshilla pa-mbulesë dhe ofruar siguri false mbi kronikën e hidhur të nënshkrimeve të tilla të dyshimta , siç bëjnë sot shumë pushtetarë aktual, por të sqaroi përfundimisht se çfarë në të vërtetë po ndodhë me trojet tona, mbrojë realisht ato dhe gjithë atë që neve na takon, si dhe tu jap fund historive të pa-qarta, që vazhdimisht rrezikojnë shqiptarët, të tashmen dhe të ardhmen e tyre, shënoi mundësisht sa më drejtë , qartë dhe arsyeshëm kufijtë duke treguar kujdesin më të madh të mundshëm dhe maksimal ,sidomos tek ata me shtetet e pangopura hegjemoniste sllave.

Gani Qarri Cyrih, 26 gusht 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: demarkacioni, Gani Qarri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT