• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demarkacioni ende me pikëpyetje

April 4, 2017 by dgreca

Nga Besim Bislimi/

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi ende nuk ka arritur në Kuvendin e Kosovës, konfirmojnë deputetët nga partitë në pushtet dhe opozitë. Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar e ratifikimi i kësaj marrëveshje duhet të ndodhë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, pas raportimit në Komisionin për Stabilizim Asociim, ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi është kusht obligues ligjor, i cili duhet të përmbushet nga legjislativi i vendit.

“Sa më herët që mund ta ratifikojmë, është në interes të Kosovës. Përndryshe, Kosova do ta ketë temë edhe në 2017, edhe në 2018, edhe në 2019 edhe në 2020… Gabohet dikush nëse mendon se ky kusht mund të largohet”, theksoi ministri Hoxha.

Marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, tash e sa kohë ka nxitur kundërshtimin e partive opozitare, por edhe të disa deputetëve të partive në pushtet, duke pamundësuar arritjen e votave të nevojshme, për ta ratifikuar marrëveshjen.

Por, a kanë arritur partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që t’i bindin deputetët?

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur besimin se partitë në pushtet janë duke punuar për t’i bindur me fakte dhe argumente disa nga deputetët e partive të tyre, të cilët deri më tani kanë kundërshtuar marrëveshjen.

“Po besoj që është duke u punuar dhe nëse vjen në Kuvend, atëherë me siguri se është arritur pajtimi për t’i fituar votat e duhura. Deri më tani akoma nuk ka ardhur. Qëndrimi, tani, i prerë i bashkësisë ndërkombëtare, si dhe kthimi edhe i deputetëve, të cilët nuk kanë qenë në parlament, po besoj që do të ndikojë që të ndryshojë çështja dhe të votohet demarkacioni. Po shpresoj që pushteti ka arritur që t’i bëjë votat”, tha Haliti.

Por, Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka informacione se qëndrimet e deputetëve të partive opozitare, por edhe të deputetëve të partive në pushet që kanë kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes, të kenë ndryshuar.

“Unë nuk kam ndonjë informacion se kjo çështje është proceduar apo që ka ndryshuar qëndrimi i partive politike apo individëve të caktuar për këtë temë. Me sa di unë, pozicionet janë të njëjta dhe qëndrimet politike janë të njëjta”, theksoi Gashi.

Deputetja Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se partitë opozitare mbesin të betonuara në qëndrimin e tyre kundër Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndërkohë që shprehet skeptike se deputetët e partive në pushtet, që kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, do të mund ta ruajnë këtë qëndrim kur kjo çështje të rikthehet në Kuvend.

“Ne, sa kemi pasur kontakte me deputetët e Kuvendit, shihet njëfarë hezitimi për të folur në lidhje me votën e tyre për këtë marrëveshje. Duke e marrë parasysh të kaluarën, ku shpeshherë, për shkak të presioneve, shantazheve dhe trysnive të ndryshme, deputetët edhe e kanë ‘shitur’ votën e tyre. Ne nuk kemi shumë besim që ata deputetë, të cilët tashmë kanë thënë se nuk do ta përkrahin ose të tjerë, të cilët kanë heshtur gjatë gjithë kohës, që këta nuk do ta përkrahin një marrëveshje të tillë”, u shpreh Haxhiu.

Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, ende nuk kanë precizuar se kur projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi mund të procedohet në Kuvendin e Kosovës

Filed Under: Analiza Tagged With: Besim Bislimi, demarkacioni, kosova

Dy matje të territorit të Kosovës – dy rezultate të kundërta

February 24, 2017 by dgreca

Komisioni shtetëror për matjen e territorit u ka dhënë garancitë e veta qytetarëve se Kosova nuk ka humbur territor më Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.1 Kufiri

Ndërkohë që një komision tjetër, i pavarur, ka konstatuar se me ratifikimin e demarkacionit aktual, Kosova do t’i falte Malit të Zi territor në sipërfaqe prej 70.44 km2.

Por, zëdhënësi i Komisionit shtetëror për matjen e territorit, Tomor Çela, ka thënë se territori i Kosovës mbetet i njëjtë, dhe se disa humbje kanë ndodhur vetëm me rastin e demarkacionit të kufirit me Maqedoninë, vite më parë, por jo edhe me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Këto komente, Tomor Çela i ka bërë pas përmbylljes së debatit rreth gjetjeve të prezantuara nga Komisioni shtetëror për matjen e territorit të Kosovës.

“Ne i sigurojmë të gjithë qytetarët e Kosovës se sipërfaqja e territorit të Kosovës do të vazhdojë të mbetet kjo që ka qenë nga viti 1974 deri më sot, me përjashtim të atyre zonave kadastrale (në vijën kufitare me Maqedoninë) të cilat ju kemi informuar mbi bazën e gjetjeve që ne i kemi pasur gjatë punës sonë”, ka thënë Çela.

“Në bazë të gjithë këtyre gjetjeve është vërtetuar se territori i Republikës së Kosovës është 10.905.25 km2”, ka theksuar ai.

Profesori Çela i ka ftuar ekspertët e pavarur dhe deputetët që po i kundërshtojnë gjetjet e Komisionit shtetëror që t’i prezantojnë faktet e tyre dhe të mos krijojnë huti në opinion.

Ai i ka kundërshtuar tezat, sipas të cilave, ky Komision është formuar vetëm për të bindur deputetët që të ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend, duke thënë se puna e Komisionit ishte profesionale dhe e paanshme.

Mirëpo, në anën tjetër, një komision i pavarur i prirë nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi ka prezantuar fakte të kundërta me Komisionin shtetëror.

Bulliqi ka thënë se puna e këtij komisioni të pavarur sjell si përfundim që me shënjimin e vijës kufitare, Kosova humb territor, kurse Mali i Zi, fiton sipërfaqe prej 70.44 km2.

“Në rast të ratifikimit të kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, Mali i Zi do të rris sipërfaqen e tij. Nga viti 1945 deri më 2015, Mali i Zi kishte më pak sipërfaqe sesa pas këtij demaskimi”, ka deklaruar Bulliqi.

Tutje, Bulliqi ka thënë po ashtu se Mali i Zi gjatë aplikimit dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare është pranuar me sipërfaqe prej 13. 812 km2 dhe jo me 13 882 44 km2, siç rezulton pas Marrëveshjes së arritur me Kosovën.

Kundër marrëveshjes aktuale me Malin e Zi është paraqitur edhe profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Zejnullah Gruda. Ai tha se kushtëzimi i liberalizimit të vizave me demarkacionin është i padrejtë.

“Neve tash na thonë, doni liberalizimin, edhe atë me një pafytyrësi të cilën unë në literaturë vetëm dy herë gjatë historisë e kam hasur, pra hiqni dorë prej territorit. E doni territorin, nuk e keni liberalizimin”,është shprehur Gruda.

Sidoqoftë, debatet për dhe kundër marrëveshjes aktuale me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare po vazhdojnë dhe pritet që një frymë e tillë të përcillet edhe në seancën e kuvendit, kur qeveria ta riprocedojë demarkacionin për ratifikim.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, është vënë si kusht i pashmangshëm për liberalizimin e vizave nga ana e Komisionit Evropian. (Zijadin Gashi-REL) 

Filed Under: Analiza Tagged With: demarkacioni, dy matje, dy rezultate, Kosove

“Bytyçi”, THIRRJE KUVENDIT TE KOSOVES KUNDER DEMARKACIONIT

August 28, 2016 by dgreca

THIRRJE,
KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS 
PËR MOS VOTIMIN E MARRËVESHJES SË DEMARKACIONIT ME MALIN E ZI/  Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” në Tiranë e Prizren  e ka në program e veprimtarinë e saj Çështjen Kombëtare Shqiptare, ndaj e ngrejmë sot zërin tonë botërisht për Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi.
Kjo Marrëveshje e gushtit 2015  shkelë rëndë kritere ndërkombëtare në caktimin e vijës së shenjtë kufitare si ato gjeo-strategjike, natyrore, hidrologjike, historike, etnike, ekonomike, morale, etj.
Shenjimi arbitrar i kufirit, jo në qafa të maleve Çakorr, Kulla, etj., por në thellësi të shpateve të tyre, në anën e Kosovës, pa asnjë orientues fizik natyror, si i prerë me thikë, të kujton kufijtë e vizatuar nga kolonizatorët në shkretëtirat e Afrikës. Kjo i siguron Malit të Zi të ketë kontroll mbi qafat e maleve shqiptare dhe siguron avantazh të qartë ndaj Kosovës.
Me Marrëveshjen e Demarkacionit shteti i Kosovës i humbë mbi 82 km2 nga territori i saj, që i takon sa komuna e Hanit të Elezit (83 km2); pothuaj sa komuna e Junikut (86.2 km2); rreth 15 herë ma shumë se ishulli i Sazani në Vlorë; 40 herë ma shumë se Principata e Monakos; 21 km2 ma shumë se Republika e San Marinos, sa gjysma e shtetit të Lihtenshtajnit.
Ndërkohë, sipërfaqja e Malit të Zi rritet dhe në shek. XXI me territore shqiptare në 79 km vijë kufitare me Kosovën nëpër Çakorr, Kullë, Hajlë, Kuqisht, Leqinat, etj. Historia dekumenton se Mali i Zi me katër krahina të vogla: Rijeka, Katundi, Cermnica e Leshani të shtrira në 1.500 km2 sipërfaqe arriti të pushtonte e aneksonte në shekujt XVIII-XX toka shqiptare nga Bregdeti Adriatik në Alpe, sa është sipërfaqja e sotme e Kosovës dardane. Sot, Kosova (10.887 km2) për nga sipërfaqja është ma e vogël se Mali i Zi (13.812 km2).
Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” në Tiranë e Prizren, nga Manifestimi ynë Tradicional Kombëtar “Festa e Plisit të Bardhë”, organizuar në Parkun Kombëtar të malit të Dajtit, i bëjmë Thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputeteve e deputetëve të tij të nderuar, që të mos votoni në seancë plenare të 1 shtatorit 2016  tjetërsimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, sipas Marrëveshjes së gabuar të Demarkacionit, sepse ende ka vend për rishikime faktesh në terren e me ligjshmëri dhe duhet të gjenden zgjidhje me mirëkuptim të dyanshëm, të përbashkët, që t’iu shërbëjnë miqësisë e bashkëpunimit në mes dy vendeve tona fqinjë drejt të ardhmes tonë euro-atlantike.
Sot, ka ardhë Dita e Kombit, ka ardhë Ora e Historisë, që Shqiptarët në Ballkan, së bashku, të themi: Mjaft! Nuk kemi toka etnike për t’i falur askujt, sepse i kena me kufinj gjaku, i kena amanet të Oso Kukës, Zhuj Selmanit e Prekë Calit, të breznive shqiptare.
Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”
Tiranë – Prizren
Tiranë, 28 gusht 2016

Filed Under: Politike Tagged With: demarkacioni, Kuvendi, me Malin e Zi, Shoqata “Bytyçi”

Klubi i Intelektualëve i Rugovës për Demarkacionin

August 25, 2016 by dgreca

Dërguar institucioneve të Republikës së Kosovës:presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve të Kuvendit, kryetarit të Qeverisë, ministrit të Jashtëm, ministrit të Brendshëm dhe mediave/

Me nismën e Këshillit Drejtues të Klubit të Intelektualëve të Rugovës: prof. dr. Riza Smaka, prof. dr. Mujë Rugova, prof. dr. Zymer Neziri, prof. dr. Ali Muriqi, si dhe me pjesëmarrjen e prof. dr. Salih Kelmendit e të dr. Jeton Kelmendit nga Akademia Shqiptare-Amerikane në Nju-Jork; të Fo­rumit të Intelektualëve të Rugovës: Idriz Muriqi, kryetar, dhe Ali Lajçi, kryetar i KD-së; të përfaqësuesit të Degës së PDK-së Pejë, Sa­lih Lajçi, nënkryetar; të Lëvizjes Vetë­ve­ndosje, Dega në Pejë, prof. ass. dr. Bash­kim Lajçi, kryetar; të AAK-së, Dega në Pejë, Salih Lu­kaj; të shumë intelektualëve të tjerë dhe të pjesëtarëve të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; të për­faqë­suesve të pu­sh­teti lo­kal në Ru­go­vë; Agron Nikçi, BT I, dhe Rexhep Kurtbogaj, BT II; të përfa­qësuesve të LDK-së në Rugovë: Mu­stafë Xh. Lajçi, Nëndega I, dhe Blerim Rexhë­bogaj, Nën­dega II; të për­faqë­su­esve të rrethinës së Pejës: mu­lla Sadri Zekaj (Podgur) dhe Rasim Mulaj (Llukë e Epër­me); të përfaqësuesit të Shoqatës së Avo­katëve të Kosovës dhe të Shoqatës së Juristëve të Ko­so­vës, Bekë Lajçi; të LDK-së, Rro­ka­qielli, Pejë (2500 banorë), Agim Nikçi, si dhe të shumë qy­te­tarëve, në takimin e mbajtur në Pejë, më 22.8.2016, lidhur me çështjen e de­ma­r­­kacionit të kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, njëzëri u miratua kjo

REZOLUTË

Jemi kundër ratifikimit, më 1 shator 2016, të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit të Re­pu­blikës së Kosovës me Malin e Zi, nga deputetët e Kuvendit të Rep­ublikës së Kosovës, të cilën, më 25 gusht 2015, në Vjenë, e kanë nënshkruar zëven­dëskryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, si dhe nga pala ma­­lazeze e kanë nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Lluk­shiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq, sepse territori i Republikës së Kosovës dëm­tohet për mbi tetë mijë hektarë, rrezikohet sisitemi i mbro­jtjes së saj, kurse ujërave të pellgjeve Bjelluha dhe Mokna-Vaganicë, të cilat janë furnizues të mëdh­enj të Drinit të Bardhë, mund t’u ndërrohet drejtimi dhe, si pasojë e këtij veprimi, Rrrafshi i Dukagjinit do të rrezikohej për fur­nizim me ujë bashkë me Fierzën, Komanin dhe Vaun e Dejës, prandaj

– Komisioni Shtetëror ka bërë gabim të papranueshëm, duke mos e përfillur kufirin inicial ekzistues të vitit 1945, që është bazë juridike kushtetuese,

-në bazë të hartave zyrtare të Jugosllavisë II, të Malit të Zi, të Serbisë, dhe të Kosovës,

-të zgjidhjeve kushtetuese e ligjore (të Jugosllavisë II, të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Kosovës),

-të së drejtës historike të fituar (1946-2016),

-të leksikoneve gjeografike dhe të enciklopedive,

-të teksteve shkencore,

-të analizave kritike,

-të opinioneve akademike,

-të opinioneve kundërshtuese të opozitës paralmentare,

-të dëshmive kundërshtuese të ekspertëve në Kuvendin e Kosovës, më 3 gusht 2016,

-të protestave kundërshtuese të qytetarëve,

-të mbi 200 mijë nënshkrimeve kundërshtuese të qytetarëve të Kosovës,

-të qëndrimeve kundërshtuese të qytetarëve të Rugovës, të Podgurit (Komuna e Burimit), të katundeve të anës së Pejës deri në Rekë (Komuna e Deçanit),

-e, para së gjithash, duke u mbështetur në ndërgjegjen kombëtare e shtetërore,

APELON

-te deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të votojnë kundër ratifikimit të versionit të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit të Re­pu­blikës së Kosovës me Malin e Zi, të Komi­sio­nit Shtetëror për Demarkacion, në krye me Murat Mehën;

-Qeverisë së Kosovës i kërkon të mos ushtrojë presion në deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që, në kundërshtim me përcaktimet e drejta, të votojë, më 1 shtator 2016, Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, e nënshkruar në Vjenë, më 25 gusht 2015, nga zëvendëskryeministri i Qeverisë Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni;

– Kërkon të mos ushtrojë presion mbi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, veça­nër­isht mbi deputetët e pozitës, që me indinjatë po e kundërshtojnë ratifikimin e Marrë­veshjes së Demarkacionit të Kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, e nënshkruar në Vjenë, më 25 gusht 2015, nga zëvendëskryeministri i Qeverisë Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, sepse ky problem është çështje shtetërore dhe nuk ka lidhje me këtë koalicion qeverisës apo cilindo qoftë nesër dhe bëhet fjalë për një çështje madhore të territorit të vendit;

-Autoriteteve të Malit të Zi u bëjmë apel, që, me mirëkuptim, deri në demarkacionin përfundimtar të kufirit Kosovë-Mal i Zi, të pranueshëm dyanshëm, që të përfillin linjën kufitare Çakorr-Mokna-Gllo­xhi-Murgash-Smilevicë-Hajlë-Zhleb, që është parakusht për kultivimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Këshilli Drejtues i Klubit të Intelektualëve të Rugovës

Prof. Dr. Riza Smaka, Prof. Dr. Mujë Rugova, Prof. Dr. Zymer U. Neziri,

Prof. Dr. Ali Muriqi, Prof. Dr. Shemsedin Dreshaj

Kontakti: Zymer U. Neziri, +377 44 149 256, zneziri@hotmail.com

Prishtinë, më 24.8.2016/

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: demarkacioni, Klubi i Intelektualëve i Rugovës, Zymer U. Neziri

Demarkacioni -Territori i Kosovës edhe mund të matet

July 15, 2016 by dgreca

-Sot ishte mbledhja e 100-të e qeverisë së Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, i cili mes tjersh tha: Në qoftë se opozita dhe qytetarët kërkojnë, ne mund të kërkojmë që ta bëjmë matjen e territorit të Republikës së Kosovës, sepse kjo matje mund të bëhet në mënyrë kompjuterike, mund të bëhet në mënyrë satelitore dhe mund të vërtetojmë para qytetarëve tanë sa është territori i Republikës së Kosovës mbi bazën e vendimit të Komisionit Shtetëror lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi/

-Kuvendi, seancë plenare në 4 gusht, pas tryezës për demarkacionin në 3 gusht/

-Kosova e SHBA Memorandum për programin Fulbright, qeveria miraton Projektligj/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  15 Korrik  2016/ Në Prishtinë sot u mbajt mbledhja e 100-të, e 32-ta në vitin 2016, e qeverisë së Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të mëdha PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, e cila vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Kryeministri Mustafa bëri të ditur se për këtë mbledhje ishte planifikuar që të trajtohet edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, i cili është përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme.

“Ndërkohë, së bashku me partnerin e koalicionit kemi vlerësuar se ka mundësi që ende të shfrytëzojmë këtë hapësirë dhe të studiojmë të gjitha mundësitë që me ligj të shohim hapjen e mundësive që ligji mund të përfshijë argumentimin e fakteve që do të mundësonin që në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të krijohen situata, në të cilat ne do të mund të bisedonim dhe të rishikonim pjesë të caktuara të marrëveshjes në bazë të interesit dypalësh”, tha ai.

Po ashtu, vijoi Mustafa,  kemi vlerësuar se ratifikimi i shënimit të vijës kufitare është proces i ndarë, është proces i pavarur, i cili do të bëhet me një informim të plotë të qytetarëve dhe sidomos të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të marrin vendimin lidhur me këtë.

“Qeveria do të punojë që akuzat e opozitës dhe bashkëngjitur këtyre akuzave të disa gjeografëve, që Kosova ka humb territor në shënimin e kufirit me Malin e Zi, duhet zbardhur dhe duhet të vërtetohen, ngase të gjitha tekstet edhe të gjeografisë, të gjitha hartat e Kosovës, jo vetëm të periudhës ’74-’88 kur është përcaktuar si afati i fundit me Pakon e Ahtisaarit për mbyllje të territorit të Kosovës, si dhe në të gjithë vjetarët statistikorë që Kosova i ka pas nga viti ’74 e tutje, territori i Republikës së Kosovës ka qenë 10.887 kilometra katrorë, do të thotë se ky është territori zyrtar që Kosova ka pasë në atë periudhë, por këtu nuk është përfshirë edhe periudha në të cilën Kosova është si cilësuar si ‘Kosovë dhe Metohi’, do të thotë para vitit ’74”, u shpreh kryeministri.

Evidencat e tanishme sipas Komisionit shtetëror, vijoi ai, flasin se Kosova ka 10.906 kilometra katrorë në bazë të saktësimit të matjeve që nuk është më pak seç ka qenë përpara, por është pak më shumë se sa që ka qenë territori i mëparmë dhe është rezultat i shënimit të vijës kufitare të Kosovës me Maqedoninë dhe vijës kufitare me Malin e Zi.

“Prandaj, që të mos manipulohet me ndjenjat e qytetarëve, edhe si kryeministër, por edhe si qeveri, ne duhet të kërkojmë nga opozita që të tregojë lidhur me territorin, dhe të tregojë se sa është territori sipas tyre, a është ky territor që Kosova ka trashëguar prej 10.887 km2, përkatësisht 10.906 km2, sa është territori i Pejës, për çfarë Komuna e Pejës vërteton se është territor jo vetëm prej vitit ’45 e këndej, por edhe para vitit ’45 i paprekur dhe i pa luajtur. Dhe po ashtu konsideroj se në qoftë se opozita dhe qytetarët kërkojnë, ne mund të kërkojmë që ta bëjmë matjen e territorit të Republikës së Kosovës, sepse kjo matje mund të bëhet në mënyrë kompjuterike, mund të bëhet në mënyrë satelitore dhe mund të vërtetojmë para qytetarëve tanë sa është territori i Republikës së Kosovës mbi bazën e vendimit të Komisionit Shtetëror lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, në mënyrë që të binden qytetarët e Republikës së Kosovës rreth saktësisë së territorit të Republikës, dhe rreth asaj se a është humbur territor apo nuk është humbur territor. Ne jemi të gatshëm si qeveri e Republikës së Kosovës që në çdo moment të procedojmë me Ligj në Kuvend, mirëpo dëshirojmë që procedimi të përcillet me një unitet sa më të gjerë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, me informim sa më të madh të qytetarëve dhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës  lidhur me atë se çfarë vendimi ata po marrin, dhe po ashtu edhe me relaksimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Malin e Zi, në mënyrë që çdo moment që ne do të kishim nevojë të ulemi me Malin e Zi dhe të diskutojmë këto tema, të kemi derën e hapur dhe gatishmërinë e Malin e Zi që së bashku të diskutojmë. Unë konsideroj se një gjë të tillë duhet ta pranoj edhe opozita, duhet ta pranojnë të gjithë, sepse unë jam për atë që të kemi biseda të hapura. Unë e kam mirëpritur edhe kërkesën e disa deputetëve që ata të ulen dhe të sqarojnë, të marrin informata për atë se si është përcaktuar vija kufitare me Malin e Zi, mirëpo gjithsesi këtë duhet ta faktojmë me të dhëna. Duhet ta faktojmë se sa është territori i Republikës së Kosovës dhe t’iu thuhet qartë qytetarëve se a humb Kosova territor në krahasim me atë që ne në bazë të Pakos së Ahtisaarit, të aneksit 8, pika 3, që përcakton territorin, e kemi pas me 31 dhjetor të vitit 1988, sepse me Deklaratën e Republikës së Kosovës kur është pranuar Pakoja e Ahtisaarit, dhe pastaj edhe Kushtetuta edhe shpallja e pavarësisë është bërë mbi këtë Pako. Kjo ka qenë arsyeja pse ne kemi shqyrtuar bashkërisht me partnerët e koalicionit dhe me disa prej anëtareve të kësaj qeverie, dhe kemi vlerësuar se ne mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të krijuar një ambient i cili do të mundësonte që qytetarët të jenë të informuar, dhe do të mundësonte që në asnjë rast Kosova dhe për asnjë arsye, as një shkak mos të humb asnjë kilometër katror të territorit të saj dhe ky do të jetë përkushtimi përfundimtar i qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa sot në mbledhjen e kabinetit qeveritar.

Ndërkohë, në mbledhjen e sotme, Kryesia e Kuvendit të Kosovës shqyrtoi dhe pas diskutimeve, miratoi kërkesën e Grupit të deputetëve të Kuvendit për organizimin e një debati profesional-shkencor mes komisionit shtetëror për Demarkacion dhe grupit të njohësve profesionist për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e Demarkacionit Kosovë-Mali i Zi. Kjo tryezë do të mbahet më 3 gusht, në mjediset e Kuvendit të Kosovës.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën përcaktoi rendin e ditës për seancën plenare të Kuvendit, e cila do të mbahet në 4 gusht.

 

MEMORANDUMI SHBA-KOSOVË PËR PROGRAMIN FULLBRIGHT DREJT RATIFIKIMIT

 

Qeveria kosovare në mbledhjen e sotme miratoi Projektligjin për ratifikimin e Memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës për Programin Fullbright për shkëmbimet akademike. Ky Memorandum ka për qëllim të forcojë dhe zhvillojë lidhjet përmes arsimit, kulturës dhe kërkimeve të bazuar në rrethana që konsiderohen reciprokisht fitimprurëse, përcakton edhe mbështetjen vjetore financiare në shumë prej 300 mijë eurosh nga pala kosovare dhe ky kontribut do të fillojë nga viti akademik 2016-2017 dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit akademik 2020-2021.

Në 8 Korrik  2016 Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë nënshkruajti  Memorandumin e Mirëkuptimit me qeverinë e Kosovës për programin Fulbright, në një ceremoni në Bibliotekën Kombëtare, ku morënë pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa e kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie dhe Ministrisë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në qeverinë kosovare, Arsim Bajrami, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit në mbështetje të programit Fulbright për shkëmbim akademik.

Ky Memorandum i Mirëkuptimit po vijon mbi bazat e një programi të vazhdueshëm dhe të suksesshëm të shkëmbimit akademik që ka përfshirë mbi 80 studentë dhe studiuesë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kosova prej vitit 2008.

Qeveria e Kosovës zotoi 1.5 milionë euro përgjatë pesë viteve të ardhshme në mbështetje të programit Fulbright – kontribut ky që pritet të fillojë gjatë vitit akademik 2016-2017 dhe të vazhdojë deri në vitin akademik 2020-2021.

Njoftimi dërguar nga Ambasada e SHBA në Prishtinë theksonte se, e mirëpresim këtë nismë për zgjerimin domethënës të numrit në dispozicion të bursave studimore dhe besojmë se ky zotim do të ndihmojë në zhvillimin e prijësve të ardhshëm të Kosovës.

Programi Fulbright është program i çmuar ndërkombëtar i shkëmbimit akademik, i sponzorizuar nga qeveria amerikane dhe i përpiluar për të rritur mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popujve të vendeve tjera.

 

LINJA HEKURUDHORE E KOSOVËS NGA HANI I ELEZIT, KUFIRI JUGOR ME MAQEDONINË, DERI NË LESHAK, KUFIRI VERIOR ME SERBINË

 

Në mbledhjen e sotme qeveria kosovare aprovoi edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10.

Kryeministri Mustafa tha se me këto burime financiare që po i sigurohen për infrastrukturë që lidhet drejtpërdrejtë me gjenerimin e zhvillimit ekonomik qeveria po e ndjek programin e vet ekonomik dhe po siguron kushte. “Kemi po ashtu marrëveshjen me Bankën Investive, me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim dhe mendoj se është një kontribut i qartë i qeverisë së Republikës së Kosovës” , tha kryeministri.

Linja Hekurudhore 10 është 148 kilometërshe nga Hani i Elezit, kufiri jugor me Maqedoninë, deri në Leshak, kufiri verior me Serbinë, duke kaluar nëpër Fushë Kosovë e Mitrovicë, ndërsa është e rëndësishme edhe për rajonin.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Mustafa i ka dëshiruar mirëseardhje dhe suksese ministres së re të Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe ka shprehur falënderimin për angazhimin e deritashëm në këtë ministri të ish ministrit Hajredin Kuçi.

Raporti vjetor i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2015, është aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme. Është aprovuar gjithashtu edhe Plani vjetor i statistikave zyrtare për vitin 2017.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e Komisionit për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë.

Gjithashtu është miratuar vendimi për themelimin e Komisionit të Ankesave lidhur me Komisionin për njohjen e statusit dhe të drejtën në kompensim të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë.

Edhe vendimi për hartimin e Programit për Reforma në Ekonomi për vitet 2017-2019 e ka marr miratimin e kabinetit qeveritar, që është edhe pjesë e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për qeverisjen ekonomike.

Ministri pa portofol Rasim Demiri ka ngritur çështjen e akreditimit të programeve të studimit në gjuhën boshnjake dhe turke në universitetet e Prizrenit dhe të Pejës. Në këtë çështje ka informuar ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për punën e përbashkët që është duke u bërë me Agjencinë e Akreditimit për gjetjen e një zgjedhje të pranueshme për këtë çështje.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcillar ka njoftuar kabinetin për punën që është bërë për akomodimin e Avokatit të Popullit në ish Ndërtesën e Bakës së Lubjanës.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, mund te matet, Territori i Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT