• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi drejt ratifikimit

February 16, 2018 by dgreca

-Nënshkruhet deklarata e përbashkët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç/

Thaci-Vujanovc

-Presidenti Thaçi: Siç është specifikuar në këtë deklaratë, jemi pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi/

  • Kuvendi i Kosovës të dielën seancë plenare për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 16 SHKURT 2018/ Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi shkon drejt ratifikimit edhe në Kuvendin e Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për shtypi ka njoftuar se bashkërisht dhe në të njëjtën kohë me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, kanë dalë me një Deklaratë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Në deklaratë dy presidentët u kanë bërë thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy vendeve në verën e vitit 2015.Presidenti Thaçi pas konferencës për shtyp shkruan: “Sapo prezantova deklaratën e përbashkët, që kam nënshkruar me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic.

E falënderoj Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic, për mirëkuptimin që ka treguar për marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.Falë vullnetit të mirë të palës malazeze dhe përkushtimit të lidershipit të Kosovës, ne kemi nënshkruar deklaratën e përbashkët, e cila adreson të gjitha shqetësimet e partive politike dhe të opinionit publik lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Siç është specifikuar në këtë deklaratë, jemi pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Tani ka hapësirë të mjaftueshme për të proceduar me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duke i hapur rrugë kështu liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Liberalizmi i vizave është dhurata më e mirë që mund të ndodh në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë. Prandaj, jam i sigurt se partitë politike parlamentare do të kenë vullnet politik që pa humbur kohë ta ratifikojnë marrëveshjen. Urime”, shkruan Thaçi.

Deklarata e përbashkët e presidentëve njoftohet ndërkohë që gjatë dy ditëve të kaluara në Kosovë qëndroi kryeministri i Malit të Zi,  Dushko Markoviç.

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj tha se deklarata e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në formën e aneks-marrëveshjes si instrument ligjor obligativ ndërkombëtar, i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë.

“Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tone”, theksoi ai.

Ndërkohë që Marrveshja për demarkacionin pritet të jetë në axhendë të një seance të Kuvendit, disa nga partitë parlamentare kanë ftuar sot konferenca për shtyp.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban konferencë për media me rastin e arritjes së marrëveshjes për demarkacionin”, thekson njoftimi dërguar nga partia që edhe në opozitë e edhe në pushtet kundërshtonte marrëveshjen për shënimin e kufirit ashtu si ishte.

Në 26 gusht 2015 në Vjenë është nënshkruar Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi. Marrëveshjen e kanë nënshkruar për palën kosovare atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

 Në 4 gusht 2016 qeveria e  Kosovës, e udhëhequr atëherë nga kryeministri Mustafa, në mbledhjen e 103-të, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjespër Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

 Në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

 “Si kryeministër i Kosovës konsideroj se sot nuk janë rrethanat dhe nuk është situatë ku duhet të votojmë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Qeveria e tërheq sot këtë projektligj nga procedura kuvendore. Me bashkëbisedim do të provojmë të gjejmë një marrëveshje në lidhje me ligjin. Nuk është mënyra e duhur që të procedojmë me këtë ligj kur kemi presione mbi deputetët. Tërheqja e këtij ligji nuk do të thotë se do të ndryshojmë marrëveshjen, mirëpo do ta procedojmë në Kuvend kur qeveria e vlerëson se është gati”, tha kreu i atëhershëm i qeverisë, Mustafa.

 Më pas, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Mustafa u rrëzua në 10 maj 2017 në seancën e Kuvendit me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh. Ky votim në Kuvend u pasua me shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare për datën 11 qershor 2017.

Plot tre muaj pas zgjedhjeve, në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej se kryeministri Ramush Haradinaj i ka propozuar qeverisë shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqi, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion.

 Në 22 shtator, qeveria e Kosovës, në mbledhjen e katërt, mori vendim për emërimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. “Komisioni do të kryejë detyrat në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimindhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente që ta ndihmojnë Komisionin në kryerjen e detyrave të tij”, u theksua në mbledhje.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike rinisi të shqyrtohet në 26 dhjetor  2017  në një mbledhje  ku përfaqësues të Komisionit shtetëror për kufirin prezantuan raportin e  prezantuar më parë para qeverisë në 4 dhjetor 2017.

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike u mblodh edhe pse më parë ishte njofuar se  Kuvendi i Kosovës ishte në pushim dimëror.

“Konform përfundimit të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratimi në shqyrtim të dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 ka shënuar edhe përfundimin e sesionit vjeshtor të punimeve të Kuvendit.
Nga data 23 dhjetor 2017 deri në 15 janar 2018, Kuvendi është në pushim dimëror”, theksohej në njofimin zyrtar në 25 dhjetor.Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për  Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/ Raporti i Vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për  Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit  Shtetëror Kosovë-Mali i Zi (2012-2015) ishte pikë e parë e axhendës  në mbledhjen e qeverisë së Kosovës në 4 dhjetor 2017.

Qeveria miratoi Raportin e vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Kosovë-Mali i Zi (2012-2015). “Raporti ka vlerësuar dokumentacionin dhe të gjeturat nga puna e komisionit të kaluar dhe ka vlerësuar shumë mangësi dhe lëshime faktografike dhe shkencore”, u theksua në mbledhje.

 Qeveria vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhjen e qeverisë mori  pjesë edhe Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, kryesuesi i të cilit, Shpejtim Bulliqi, tha se kufiri mes Kosovës e Malit të Zi sipas marrëveshjes së nënshkruar nuk është plotësisht në përputhme me vijën kufitare të Kosovës në kohën e autonomisë së vitit 1974, kur ishte element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëherëshme.

Qeveria e Kosovës, e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.

DEKLARATA E PRESIDENTËVE THAÇI DHE VUJANOVIÇ:

 Deklaratë e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç

1- Duke filluar nga përkushtimi për të ndërtuar dhe promovuar marrëdhënie të mira miqësore dhe fqinjësore.
2 – Duke konfirmuar përkushtimin e përbashkët për të kontribuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore , sigurinë dhe stabilitetin në rajon e më gjerë
3- Të udhëhequr nga dëshira që në mirëbesim të përmbushen obligimet që rrjedhin nga Karta e Kombeve të Bashkuara , në veçanti duke pasur parasysh respektimin e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësinë dhe zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve me mjete paqësore pa kërcënime ose përdorim të forcës, në përputhje me Strategjinë e Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor;
4- Republika e Kosovës dhe Malit të Zi kanë nënshkruar në Vienë më 26 gusht 2015 Marrëveshjen e Kufirit Shtetëror (tani e tutje duke ju referuar si “Marrëveshja”);
5 – Duke konfirmuar së në nenin 12 të Marrëveshjes ceket shprehimisht se Marrëveshja i nënshtrohet ratifikimit dhe hynb në fuqi ditën e pranimit të njoftimit të fundit dërguar nëpërmjet kanaleve diplomatike, me të cilën Palët njoftojnë njëra tjetrën që kanë pëmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore , të domosdoshme për hyrjen e saj në fuqi;
6 – Duke rikonfirmuar vullnetin e shprehur në nenin 9 të Marrëveshjes së nënshkruar nga të dy shtetet se mosmarrëveshjet eventuale lidhur me zbatimin e Marrëveshjes zgjidhen nga Qeveritë e të dy palëve nëpërmjet kanaleve diplomatike;

Republika e Kosovës dhe Malit të Zi me vullnet të mirë duke respektuar fqinjësinë e mirë, sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e të dy shteteve , me respektimin e parimit pacta sunt servanda pajtohen si në vijim:
* Republika e Kosovës do të procedojë në Kuvendin e Kosovës dhe do të ofrojë të gjitha përpjekjet për të ratifikuar marrëeshjen sipas Nenit 12 të Marrëveshjes

* Republika e Kosovës dhe Mal i Zi pas ratifikimit njoftojnë njëra tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore përmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se Marrëveshja që ka hyr në fuqi do të formojë një Trup të Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare.

* Palët pajtohen gjatë këtij procesi ,Trupi i Përbashkët Punues do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale gjatë shënjimit të kufirit sipas marrëveshje.

* Trupi i Përbashkët Punues në mënyrë specifike do të rishikoj dhe korrigjoj sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhelepit.

* Kjo deklaratë është përpiluar në gjuhën Shqipe,Serbe dhe Angleze.Në rast të ndonjë mospërputhjeje në interpretim, Marrëveshja e përgatitur në gjuhën Angleze do të mbizotërojë.

***

Kuvendi i Kosovës të dielën seancë plenare për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi

PRISHTINË, 16 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI/ Është ftuar për sot në mbrëmje, në orën 18:00, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas së cilës u bë e ditur se seanca plenare për demarkacionin me Malin e Zi do mbahet të dielën në orën 18:00.“Shqyrtimi i kërkesës për mbajtje të seancës së jashtëzaknshme, me këtë rend dite: Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, ishte pika e vetme e axhendës së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit drejtuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

NJOFTIMI ZYRTAR DËRGUAR NGA KUVENDI I KOSOVËS:

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, në mbledhjen e sotme, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar kërkesën e presidentit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.Konform kërkesës, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet të dielën, më 18 shkurt 2018, në orën 18:00.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, Kosove-Mali i Zi, Thaci-Vujanovic

DEMARKACIONI: EDHE UJKU I NGOPUR, EDHE TUFA E DHENVE E PAPREKUR?

February 3, 2018 by dgreca

Dr.Islam Lauka

Nga Dr. Islam LAUKA/

 Kёto ditё, janё shtuar pёrpjekjet pёr zbulimin e ideve “tё reja”, “krijuese” pёr zgjidhjen e çёshtjes sё Demarkacionit me Malin e Zi. Analistё, ekspertё dhe drejtues partish politike, janё vёnё nё garё, kush e kush tё paraqitet me ide sa mё “origjinale”, nё mёnyrё qё tё mbetet nё histori si njeriu qё u hapi rrugёn e lёvizjes sё lirё shqiptarёve tё Kosovёs dhe qё arriti tё ruajё tё paprekur miqёsinё e Kosovёs me aleatёt e saj strategjikё.

Midis kёtyre ideve, spikat ajo pёr ratifikimin e Marrёveshjes sё Demarkacionit, duke i shtuar asaj njё letёr zotimi, nё bazё tё sё cilёs, Kosova dhe Mali i Zi bien dakord qё, gjatё shёnjimit tё kufirit, tё bёjnё korrigjimet pёrkatёse, mbi bazёn e dokumenteve dhe fakteve tё reja, tё panjohura mё parё. Sipas mbёshtetёsve tё kёsaj ideje, ky proçes duhet tё kryhet, brenda njё afati prej 2 vitesh, nga momenti i ratifikimit. Ata pretendojnё se kanё zbuluar formulёn magjike tё njё kompromisi, tё pranueshёm si pёr Prishtinёn, ashtu dhe pёr Podgoricёn, pra njё zgjidhje qё i nxjerr tё dy palёt fituese. Me kёtё formulё magjike tё alkimistёve tё rinj tё Prishtiёs, edhe ujku ngopet, edhe tufa e deleve mbetet e paprekur.

Duket paradoksale, por e njёjta formulё magjike po ofrohet, kёto ditё, nga Athina pёr Marrёveshjen Detare me Shqipёrinё, pra tё ratifikohet ajo, pastaj, gjatё zbatimit nё terren, tё merren parasysh pretendimet e Tiranёs. Po si nuk ndodhi, qoftё edhe njё herё tё vetme, qё fqinjёt e shqiptarëve, t’i ratifikojnё marrёveshjet sipas variantit tonё, pastaj, gjatё zbatimit nё terren, ne t’i marrim nё konsideratё pretendimet e tyre? Pёrse u dashkёrka qё gjithmonё, shqiptarёt t’i ratifikojnё marrёveshjet nё bazё tё kushteve qё ua imponojnё fqinjёt?

Ne duhet tё vetёdijёsohemi qё jetojmё nё shekullin e 21-tё dhe jo nё epokёn e Mesjetёs qё njihet si koha e alkimistёve. Edhe kёta tё fundit duhet tё vetёdijёsohen pёr kёtё fakt, sepse “zbulimet” e tyre nuk mund tё shiten mё, si dikur.

Duke iu rikthyer Marrёveshjes sё Demarkacionit me Malin e Zi, duket se, mё shumё se zgjidhje e problemit, “formula e re” pёrbёn mashtrimin e radhёs pёr popullin e Kosovёs.

Sё pari, deri tani, autoritetet zyrtare tё Malit tё Zi janё shprehur se e konsiderojnё tё mbyllur, pёrfundimisht, çёshtjen e Demarkacionit tё kufirit me Kosovёn. Nё pёrgjigje tё pyetjes, nёse po kёrkohet ndonjё zgjidhje tjetёr, pёrfshirё atё pёr njё letёr zotimi, a deklaratё tё pёrbashkёt, Kёshilltari i Kryeministrit tё Malit tё Zi, Srdjan Kusoviç, deklaroi se qёndrimi i vendit tё tij nuk ka ndryshuar as nuk do tё ndryshojё.

Sё dyti, ta zёmё, nё mёnyrё hipotetike, se Mali i Zi bie dakord me formulёn magjike tё alkimistёve tanё. Çfarё do tё thotё zbatimi i saj nё praktikё? Asgjё mё pak se pёrjetёsimi i kufirit midis dy vendeve tona nё vijёn Qafё Çakorr-Kullё. Ajo qё alkimistёt duan tё na e shesin si “formulё tё re” ёshtё po aq e vjetёr sa historia e marrёdhёnieve ndёrkombёtare. Nё çdo marrёveshje demarkacioni ekziston njё klauzolё pёr korrigjime qё diktohen nga terreni, gjatё proçesit tё shёnjimit tё kufirit. Mundet, qё nё vende te caktuara, kufiri tё shmanget pak nga ai qё ёshtё fiksuar nё letёr, pra tё mos vendoset nё kёtё shkёmb, por nё atё tjetrin, jo nё kёtё pёrrockё, por nё atё tjetrёn, jo nё perlinё, por nё rudinё, etj. Kёto janё shmangie tё domosdoshme pёr shёnjimin e kufirit nё terren qё, nё aspektin e pёrfitimit tё sipёrfaqёs, nuk kanё asnjё vlerё pёr palёt. Nё fund tё kёtij proçesi hartohet protokolli qё fikson kufirin e shёnjuar midis dy vendeve. Nuk ka asnjё dyshim qё ratifikimi i Marrёveshjes sё Demarkacionit, do tё çonte, pashmangshёm, nё nёnshkrimin e protokollit qё do tё fiksonte, pёrfundimisht, mbetjen e Qafёs sё Çakorrit dhe Kullёs nё Mal tё Zi. Ky ёshtё shqetёsimi themelor qё lidhet me zbatimin e Marrёveshjes sё Demarkacionit, jo “korrigjimet” qё kanё tё bёjnё me vendosjen e kufirit nё kёtё apo atё gur, pёr tё cilat shqetёsohen alkimistёt.

Nga ana tjetёr, disa politikanё tё lartё, pёrfshirё Presidentin e vendit, Hashim Thaçi, po kёrkojnё me ngulm ratifikimin e kёsaj marrёveshjeje. Sipas tyre, Kosova i ka plotёsuar tё gjitha kriteret pёr liberalizimin e vizave, me përjashtim tё Demarkacionit. Ata theksojnё se ratifikimi i kёsaj marrёveshjeje, automatikisht, do tё çonte nё liberalizimin e vizave dhe nё pёrshpejtimin e proçeseve integruese euroatlantike.

Kёta politikanё harrojnё njё fakt tё thjeshtё: nuk janё ata qё përcaktojnё, nёse Kosova i ka plotёsuar apo jo kriteret pёr liberalizimin e vizave, por ёshtё Brukseli ai qё vendosё pёr kёtё çёshtje. Nёpёrmjet pёrfaqёsuesve tё vet tё lartё, komisionerёve, apo titullarёve tё zyrёs sё BE-sё nё Prishtinё, ai e ka bёrё tё qartё se: nga 95 kritere, Kosova ende nuk i ka plotёsuar dy- demarkacionin dhe luftёn kundёr korrupsionit; se tё dyja ato janё njёlloj tё rёndёsishme, pra nuk ёshtё demarkacioni kriter i dorёs sё parё dhe lufta kundёr korrupsionit, i dorёs sё dytё; se po nuk u plotёsuan kёto dy kritere, Kosova duhet ta harrojnё liberalizimin.

Qёndrimi im rreth Marrёveshjes sё Demarkacionit me Malin e Zi ka qenё dhe mbetet i qartё dhe i prerё:

Marrёveshja e nёnshkruar mes Kosovёs dhe Malit tё Zi, me 26 gusht 2015, “Mbi Kufirin Shtetёror” ёshtё e gabuar dhe nё dёm tё interesave tona kombёtare e shtetёrore. Si e tillё, Marrёveshja e Demarkacionit duhet tё futet sa mё shpejt nё rendin e ditёs tё Kuvendit tё Kosovёs dhe tё votohet kundёr ratifikimit tё saj. Do tё kishte qenё nё nderin e qeverisё, sikur ajo ta kishte pёrcjellё atё nё Parlament me mendimin qё tё mos ratifikohet. Paanshmёria e qeverisё Haradinaj, nё kёtё rast, nё thelb, ёshtё ikje nga pёrgjegjёsia pёr njё çёshtje madhore si ajo e territorit shtetёror. Kufiri ёshtё i shenjtё dhe mbrojtja e tij, njё kauzё e drejtё.

Çdo pёrpjekje pёr ta shitur ratifikimin e Marrёveshjes sё Demarkacionit nёpёrmjet formulave me “letra zotimi” dhe “deklarata tё pёrbashkёta”pёr korrigjimin, nё tё ardhmen, tё kufirit me Malin e Zi, nuk ёshtё gjё tjetёr, veç mashtrim pёr tё fshehur humbjen pёrfundimtare, nga ana e Kosovёs, tё territorit nga Qafa e Çakorrit deri nё Kullё. Kjo humbje do tё rёndonte, jo vetёm nё ndёrgjegjen e brezit tonё, por do tё ishte njё minё me sahat pёr tё ardhmen e marrёdhёnieve tё Kosovёs me Malin e Zi.

Dr. Islam LAUKA

 

Prishtinë, 2 shkurt 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: demarkacioni, Dr. Islam Lauka, Ujku dhe delet

Haradinaj: Për Demarkacionin vendosim pasi ta gjejmë të vërtetën

October 6, 2017 by dgreca

“Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën për Demarkacionin dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë do t’i drejtohemi partnerëve politikë në Kosovë por edhe partnerëve ndërkombëtarë”. Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovë Ramush Haradinaj. Ai thotë po ashtu se në platformën e re të Qeverisë së Kosovës për dialogun do të përfshijë të gjithë akterët vendimmarrës në vend. Po ashtu, Haradinaj sqaron edhe arsyet e tërheqjes së Kosovës nga votimi për anëtarësim në UNESCO dhe INTERPOL.

1kopertina-haradinaj

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, cilat ishin arsyet që Kosova u tërhoq nga anëtarësimi i saj në dy organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTEROPL-i?

Ramush Haradinaj: Vitin që po e përmbyllim ishte vit i ndërprerjeve institucionale, pra shpallja e zgjedhjeve, vonesat në ndërtimin e institucioneve dhe në mungesën e një pune konsistente paraprake. Pra një agjendë jo e qëndrueshme ose e të arriturave jo të konsoliduara në drejtim të anëtarësimit në këto dy institucione ka bërë që ne ta rishqyrtojmë strategjinë tonë deri në anëtarësim. Do të thotë sa i takon INTERPOL-it kemi filluar veç punën për vitin që vjen.Ndërsa, për UNESCO është pas dy viteve. Por kërkohet një mobilizim më serioz, pra aplikimi ynë dhe hyrja në votim. Ndryshe, hyrja në votim pa sigurinë e plotë të votës do të ishte një precedent jo i mirë për Kosovën, në planin ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Zyrtarët në Beograd në vazhdimësi kanë deklaruar se do ta pengojnë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata. A mund të ngrihet kjo çështje në kuadër të dialogut të Brukselit, i cili është thënë se ka si qëllim normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi?

Ramush Haradinaj: Besoj, po është me interes të trajtohet qasja e palës në dialog, në këtë rast e palës nga Beogradi. Pse?- Për shkak se ekziston një angazhim i madh, po e quaj ashtu, obstruktiv në perspektivën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mirëpo nuk është e tëra. Por, një pjesë e madhe e punës është e jona, sikurse të kishim një punë serioze në Kosovë, do të ishte një realitet tjetër.

Ka munguar një punë serioze paraprake, nuk ka ekzistuar një mekanizëm ndërministror dhe me organet përkatëse që ka një politikë konsistente dhe është punuar në baza individuale paraprakisht dhe përveç mungesës së një pune të tillë serioze, ka munguar edhe mobilizimi i partnerëve që përkrahin dhe që janë me ne në këtë plan. Kësisoj, pra nuk është vetëm puna ose suksesi i Beogradit në kundërshtim, por është mungesa e një angazhimi serioz të palës kosovare në këto dy procese.

Radio Evropa e Lirë: Kur jeni të gatshëm t’i filloni takimet në kuadër të dialogut politik me Beogradin?

Ramush Haradinaj: Ne e kemi një proces të dialogut që po vazhdon. Presidenti i vendit (Hashim Thaçi) është pjesë e këtij procesi dhe e përfaqëson Kosovën, por jemi në përgatitje të një platforme të mirëfilltë të asaj se çka pret Kosova nga dialogu. Për këtë platformë do të përfshijmë të gjithë akterët vendimmarrës në vend.

Pra, duhet një diskutim i brendshëm për këtë, në mënyrë që vazhdim i dialogut të jetë shërbim për popujt, pra të mos mbetet dialog vetëm i liderëve dhe këtu na pret shumë punë në ditët që vijnë.

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë zoti kryeministër, ju keni takuar dje në Prishtinë, Drejtorin e Komisionit Evropian për Zgjerim, i cili përsëriti se kosovarët do të mund të llogarisin në liberalizimin e vizave kur t’i përmbushin dy kriteret e fundit, ku njëri ndër kryesorët mbetet ai i ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Kur do të procedoni tutje me çështjen e Demarkacionit?

Ramush Haradinaj: Tani ne jemi realist në të gjitha temat. E dimë obligimin që i del Kosovës në reformat e brendshme në rend dhe ligj, në çrrënjosje të korrupsionit. Pra, nuk është vetëm një vlerësim…edhe Sekretari amerikan i Shtetit, po edhe të gjithë na drejtohen me një përkrahje të parezervë, që Kosova të përmirësojë gjendje në rend dhe ligj, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizimit. Ndërsa, edhe tema e Demarkacionit është temë e cila ka filluar dhe po procedohet më tutje. Për ratifikim në versionin që është, Kosova nuk i ka dy të tretat (e votave në Kuvend). Pra, duhet gjetur një zgjidhje, por nuk i ka dy të tretat për ratifikimin e versionit ekzistues.

Radio Evropa e Lirë: A prisni mbështetje nga faktori ndërkombëtar në përpjekjet e juaja që Marrëveshja për demarkacionin të rishikohet edhe njëherë, marrë parasysh kërkesat e faktorit të jashtëm, që marrëveshja të ratifikohet sa më shpejt?

Ramush Haradinaj: Në gjendjen e tanishme askush nuk ka se si të ndërhyjë, për shkak se është një gjendje e atillë, ku Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen dhe e ka kryer obligimin e vet nga një marrëveshje paraprake. Kurse Kosova nuk po arrin ta ratifikojë në Parlament me shpjegimin se të gjeturat janë gabim.

Pra, versioni ekzistues është gabim nga Komisioni (paraprak). Tani ne jemi në proces për të gjetur të vërtetën dhe vetëm pasi ta kemi një gjendje çfarë do të na ndihmojë që ta hapim temën, atëherë po do t’i drejtohem në fillim partnerëve politikë të gjithëve në Kosovë, po edhe partnerëve ndërkombëtarë që të trajtohet kjo temë në përputhje me substancën.

Ekzistojnë proceduara standarde mes vendeve kur kanë konteste të tilla dhe ne nuk bëjmë përjashtim, pra janë vende të BE-së ose vende të NATO-s. Andaj, edhe ne nuk bëjmë përjashtim do t’i respektojmë ato procedura.

Radio Evropa e Lirë: Pra, prisni përkrahjen e faktorit ndërkombëtar?

Ramush Haradinaj: Është disi ta quaj ashtu një angazhim që është në dobi, sepse avancimi i Malit të Zi drejt NATO-s, drejt BE-së, avancimi i Kosovës, zgjidhja e të gjitha temave të hapura, lehtëson agjendën edhe evropiane edhe të NATO-s, po edhe të Amerikës për rajonin. Edhe në jemi të interesuar që të mbërrimë te një zgjidhje. Duhet ndihma edhe mirëkuptimi edhe i palës malazeze.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, nga dita e parë e punës keni hasur në një rezistencë mjaft të ashpër politike në Kuvend nga opozita. Sa e konsideroni sfiduese vendosjen e dialogut me opozitën për çështje për të cilat do të kërkohet mbështetja e këtij tabori politik?

Ramush Haradinaj: Tani është fat i madh se jemi demokraci, ka opozitë dhe kjo është shumë e mirë për qeverisje. Pra, na obligon, jo vetëm në seriozitet në punë, por edhe në kujdes, në ballafaqim të angazhimeve tona. Kuptohet, për mua është interes vendosja e komunikimit me opozitën, me shoqërinë civile. Sot gjatë ditës kam punuar me shoqërinë civile.

Kjo nuk bëhet për hatër të Qeverisë edhe nuk bëhet për shkak se Qeveria nuk mundet që t’i ushtrojë funksionet e veta, por kjo bëhet për shkak të obligimit që e kemi në vend edhe unë e mirëpres një komunikim me opozitën.

Opozita e ka një qasje të kundërshtimit të caktuar opozitar. Ma merr mendja që ata do të evoluojnë në këtë, për shkak se kjo Qeveri është serioze, është vepruese, është kompetente edhe për tu përballur me këtë Qeveri nuk vlejnë praktikat që janë përdorur nga opozita për qeveritë e kaluara . Bëhet fjalë për një kualitet tjetër, për parametra të tjerë dhe është mirë që ata sa më shpejt të përballen me ne për planet qeverisëse që lidhen me zhvillimin ekonomik, me luftën kundër korrupsionit, me forcimin e rendit dhe ligjit.

Nëse vazhdojnë që të përballen me ne me vënien në pikëpyetje të vlerave patriotike, të aspekteve të marrëdhënieve ndëretnike e të tjera, është humbje kohe për ta, për shkak se ne jemi njerëz që kemi rrugëtuar gjatë në interesin e Kosovës, për interesin e Kosovës.

Po ashtu, vet jam njëri prej atyre që kam ndihmuar në partneritetin me miqtë e Kosovës, sidomos me ata që janë aleatë që kanë rrugëtuar me Kosovën në çdo etapë.

Kështu që, më mirë do të ishte për ta që të fokusohen në temat që kanë të bëjnë me hapjen e vendeve të punës, me zhvillimin e jetës. Në tema të tjera, vërtetë janë gabim.

Radio Evropa e Lirë: Do ta ftoni opozitën të jetë pjesë e dialogut me Beogradin?

Ramush Haradinaj: Qeveria aktualisht dhe unë do ta mbështesë agjendën që ka Presidenti (Hashim Thaçi) për dialogun. Pra, ne jemi mbështetës të kësaj agjende edhe vet roli i Presidentit është një rol si funksion institucional, është unifikues, është përfaqësues i të gjithëve. Unë e mirëpres angazhimin e opozitës në këtë temë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, një prej marrëveshjeve kryesore të dialogut me Serbinë deri në këtë fazë, është themelimi i Asociacionit të komunave serbe. Kur do të procedohet në drejtim të themelimit të këtij Asociacioni?

Ramush Haradinaj: Tash ne kemi një gjendje të qartë, do të thotë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që e gjen marrëveshjen për Asociacionin jo në harmoni me Kushtetutën. Ne na mbetet që të veprojmë në një të ardhme në bazë të asaj që parasheh Kushtetuta e vendit, duke respektuar edhe të gjeturat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pra, është një proces në të cilin Kosova mund të veprojë në rrethana të caktuara bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ajo që është po ashtu me rëndësi është që Kosova do të kishte vepruar në plot tema sikurse Kosova të ishte më e sigurt në perspektivën e vet. Një qasje e re e Serbisë që t’i adresohet vendeve të BE-së dhe të bëjë analogji të Kosovës me Kataloninë, nuk i lehtëson këto tema. Pra është një qasje e gabuar. Çdoherë është thënë se duhet të krijohet klimë për zbatim të obligimeve të ndërsjella. Kjo vërtetë e vështirëson klimën e ndërmarrjeve që duhet t’i merr Kosova në përputhje jo vetëm me dialogun por edhe me objektiva e veta që i ka.

Ne nuk jemi kandidat për BE, ne jemi vetëm me MSA, do të thotë kjo është një fazë shumë e vonuar për Kosovën. Liberalizimi i vizave nuk na është dhënë. Ne nuk kemi avancuar drejt NATO-s në shkallën e duhur. Ende nuk e kemi dhënë emrin kushtetues të Ushtrisë së Kosovës dhe mandatin kushtetues.

Pra, disa procese të këtilla e kishin rritë mundësinë, kapacitetin e Kosovës që të ndërmarrë veprime që janë të guximshme në avancim të mëtejmë për plot tema që i ka vendi.

Radio Evropa e Lirë: Kur mendoni se do të bëhet kjo klimë për të proceduar me Asociacionin?

Ramush Haradinaj: Kontribut të madh jep vet Qeveria me mënyrën e punës, me një angazhim serioz në tema që i përmenda më herët. Pra, vet qeverisja efektive, vepruese, e përgjegjshme dhe që garanton funksionimin e vendit ndihmon në këtë klimë.(Intervistoi:Arton Konushevci)

Filed Under: Interviste Tagged With: demarkacioni, Ramush Haradinaj, zgjidhja

Në ‘hall’ me marrëveshjen për demarkacionin

September 14, 2017 by dgreca

1 demarkacioniKryeministri i sapo zgjedhur, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Komisionin shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe ka emëruar ish-deputetin Shpejtim Bulliqi në krye të tij./

Nga Anton Konushevci/

Qeveria e re e Kosovës duhet të ndjekë disa hapa nëse është e interesuar që t’i rikthejë negociatat me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Zhbërja e marrëveshjes aktuale apo edhe dërgimi i saj në arbitrazh ndërkombëtar, konsiderohen si hapat e domosdoshëm që mund të ndiqen.

Por, meqë bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare, sipas analistëve, në këtë proces duhet të përfshihet edhe Qeveria e Malit të Zi.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane tha për Radion Evropa e Lirë se nëse një palë nuk është dakord për ta diskutuar sërish çështjen e kësaj marrëveshjeje, atëherë ka instanca të tjera të cilat mund të përfshihen.

“Nëse Mali i Zi i ka kryer procedurat e brendshme dhe nëse ka vullnet edhe nga pala e tyre për ta ri-negociuar një tekst të tillë, atëherë është çështje tjetër, sepse vjen në shprehje vullneti i të dyja palëve. Kjo mund të ndodhë. Por, nëse pala malazeze nuk dëshiron, atëherë nuk mund të ndodhë që ne të vijmë deri te një version tjetër dhe ta ratifikojmë atë në Kuvend, pa pëlqimin e palës tjetër”, tha Ujkani.

Nga ana tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Vigan Qorolli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës tha për Radion Evropa e Lirë se për të shkuar përpara lidhur me çështjen e demarkacionit, Kosova ka mundësinë që fillimisht ta refuzojë në Kuvend marrëveshjen e nënshkruar me Malin e Zi në vitin 2015 dhe më pas të hapë rrugë kushtetuese dhe ligjore që të kërkojë negociata të reja me Podgoricën.

“Anulimi i marrëveshjes nga ana e Kosovës do t’i hapte rrugë negociimit të një marrëveshjeje të re me Malin e Zi, sepse pa pajtimin e dy palëve nuk do të ketë mundësi të caktimit të kufijve të ri. Versioni ekzistues i komisionit Meha të refuzohet me votë, për çka qeveria Haradinaj duhet ta njoftojë zyrtarisht Malin e Zi”, tha Qorolli.

Arbitrazhi ndërkombëtar për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi mund të vijë në shprehje si opsion nëse institucionet e Kosovës dështojnë përfundimisht që ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin.

Ujkani thotë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi nuk është çështje shumë problematike që nuk mund të zgjidhet vetëm mes dy shteteve, Kosovës dhe Malit të Zi.

Qorolli thotë se nëse çështja e demarkacionit shkon në arbitrazh, nuk mund të zgjasë shumë, pasi që palët do të caktonin kohën se kur mund të përfundonte procesi.

“Çështja mund të zgjasë jo më pak se gjashtë muaj dhe jo më shumë se 12 muaj. Pasi kjo çështje të marrë epilogun, palët do të duhej ta respektojnë vendimin e arbitrazhit dhe ta zbatojnë”, tha Qorolli.

Zgjidhja më e mirë, sipas analistëve do të ishte që Prishtina dhe Podgorica së bashku ta adresojnë çështjen tek arbitrazhi ndërkombëtar, nëse nuk arrijnë marrëveshje dy-palëshe.

Sidoqoftë, edhe nëse nuk ka pajtim që ta dërgojnë si dy shtete çështjen në arbitrazh ndërkombëtar, mundësitë janë që vetëm njëra qeveri ta bëjë këtë.

Ndryshe, Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe Kosova. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga Bashkimi Evropian për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri i sapo zgjedhur, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Komisionin shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe ka emëruar ish-deputetin Shpejtim Bulliqi në krye të tij.

Haradinaj dhe Bulliqi njihen si dy kundërshtuesit më të zëshëm të versionit aktual të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Filed Under: Opinion Tagged With: demarkacioni, Kosove, problem i Reverse

Mustafa në Bruksel ‘lobon’ për pezullim të kushtit të Demarkacionit

April 25, 2017 by dgreca

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të martën do të diskutojë me komisionerin e BE-së për çështje të brendshme dhe migracion,Dimitris Avramopoulos, çështjen e ‘pezullimit të përkohshëm të kushtit për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi për liberalizimin e vizave për Kosovën’.

epa05290687 Prime Minister of the Republic of Kosovo Isa Mustafa (L) and EU Commissioner for Migration and Home Affairs Dimitris Avramopoulos (R) speak to media during a press conference following their meeting in Pristina, Kosovo, 05 May 2016. The European Commission has proposed in Brussels on 03 May 2016 visa-free travel for the citizens of Kosovo.  EPA/VALDRIN XHEMAJ
Kryeministri Mustafa po qëndron në Bruksel dhe ka paralajmëruar hapjen e diskutimeve me zyrtarët e lartë të BE-së për ratifikimin e marrëveshjes së debatueshme të kufirit me Malin e Zi, të cilën Komisioni Evropian e ka shndërruar në kusht për liberalizim të vizave.

Në Komisionin Evropian, njofton bashkëpunëtori i Radios Evropa e Lirë në Bruksel, thonë se takimi me kryeministrin Mustafa është një rast i mirë ‘për të analizuar gjendjen momentale në procesin e liberalizimit të vizave dhe përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës’.

Ata thonë se Kosova ka bërë përparim të madh në këtë proces dhe kanë vlerësuar ‘përpjekjet e saj për të përmbushur edhe dy kushtet e tjera, përfshirë kushtin e ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi’.

Zyrtarë të Komisionit Evropian kanë thënë se ‘marrëveshja e Demarkacionit duhet të përmbyllet sa më parë në mënyrë që KE të mund të japë dritën jeshile për liberalizim vizash edhe me Kosovën’.

Por, ata nuk kanë pranuar që të japin një përgjigje rreth pranueshmërisë së idesë së kryeministrit Mustafa.

Marrëveshja për damarkimin e vijës kufitare ndërmjet Prishtinës e Podgoricës u nënshkrua në verën e vitit 2015 në Vjenë, në praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe Mali i Zi e ratifikoi në Kuvendin e tij, duke i hapur rrugën vendit drejt anëtarësimit në NATO.

Por, ajo ngjalli reagime të fuqishme të opozitës në Kosovë, e cila përdori edhe gazin lotsjellës për të parandaluar miratimin e saj në Kuvend.

Një projektligj në Kuvend u tërhoq nga Qeveria, vitin e kaluar, e cila pohoi se do ta rikthejë ‘në kohën kur të ketë arritur numrin e mjaftueshëm të votave’.

Partnerët në koalicionin qeverisës thanë se janë pajtuar që brenda ditësh ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi, pas bisedave me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Yee.

Por, opozita ka këmbëngulur sërish se marrëveshja do të kundërshtohet meqë, sipas saj, ‘Kosova me demarkacion humbet mbi 8 mijë hektarë tokë të saj’.

Propozimi i kryeministrit Mustafa, për pezullim të përkohshëm të kushtit të demarkacionit ndërkaq është diskutuar të martën me deputetët e Grupit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian.

Kryeministri Mustafa gjatë ditës do të takojë edhe Joseph Daul kryetarin e Partisë Popullore Evropiane, pjesë e së cilës, në cilësinë e vëzhguesit është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, Lobim, Mustafa ne Bruksel

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”
  • VATRA PROMOVOI “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999”
  • VATRA MORI PJESË NË PROMOVIMIN “ALBUM” TË NOLIT DHE NDEROI AT ARTHUR LIOLIN
  • VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS
  • VATRA BOSTON RIORGANIZOHET
  • Kristian Prenga, një fitore spektakolare në New York
  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT