• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përvjetor- Demonstratat e vitit 1968 dhe çështja kombëtare shqiptare

November 27, 2020 by dgreca

Shkruan: Zymer U. Neziri /

Viti 1968, me kërkesat kryesore për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje,  që u bë pjesë e historisë më të re, lidhet edhe me kohën nga Kongresi i Berlinit, 1878, kur Fuqitë e Mëdha e copëtojnë Shqipërinë, të pushtuar nga Perandoria Osmane, më 1479, dhe heshtin për masakrimin e banorëve të Sanxhakut të Nishit dhe për shpërnguljet e tyre të dhunshme në drejtim të Rrafshit të Kosovës. Krimi i Fuqive të Mëdha vazhdoi me ricopëtimin e Shqipërisë dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913, kur Greqia zgjerohet 2,7 herë, Mali i Zi 3 herë dhe Serbia 2,8 herë, me zgjerim mbi Vojvodinën në Konferencën e Versajës, 1919. Sot, Republika e Kosovës ka vetëm një pjesë të vogël të territorit të Vilajetit të Kosovës dhe bashkë me Republikën e Shqipërisë kanë vetëm afër gjysmën e viseve shqiptare. Edhe pas vitit 1912, shqiptarët kërkuan e luftuan për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të pushtuara dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë. Përkrahje ka pasur nga Federata Ballkanike dhe nga Kominterna. Ka pasur edhe përkrahje te tjera. 

                          Kosova pas pushtimit më 1912 dhe shfarosja e shqiptarëve                                            

Viti 1968, me kërkesat kryesore për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje, solli ndërmend kohën kur Kosova u pushtua tërësisht më 1912 nga Serbia e Mali i Zi dhe t’i kujton krimet e tyre mbi shqiptarët. Sipas Leon Trockit, mbreti Petar I Karagjorgjeviq, më 1912, pas Betejës së Kumanovës, për robërit shqiptarë, tha: ’’duhet t’i mbysni, jo me pushkatim, sepse kjo do të jetë humbje e municionit, por me shpatë’’. Edhe Hasan Prishtina shkruan për krimet e tyre, se ata ’’vranë, prenë e dogjën 30 000 shqiptarë, sidomos fëmi të njomë e gra të pafaje’’. Ashtu ishte edhe pas ripushtimit, më 1919. Ali Hadri thoshte se Nikolla Pashiqi mendonte se për 20-25 vjet do të asimilonte këtë popullatë në aspektin nacional e kulturor . 

Xhelal Gjeçovi shkruan se gjatë reformës agrare 1918-1941, shqiptarëve ua shpronësuan 381 mijë ha tokë, e vetëm në Kosovë 200 mijë ha. Dëbuan me forcë nga vatrat e tyre 250 mijë shqiptarë, që shumica u vendosën në Turqi, e pak në Shqipëri. Në tokat e tyre sollën 14 mijë familje kolonësh sllavë me 60-70 mijë kolonë. Ashtu ishte edhe pas ripushtimit vijues, më 1945. Hakif Bajrami shkruan se synohej nga ana e pushteti serbomadh të zbatohet serbizimi i përgjithshëm i popullsisë shqiptare. 

J. B. Tito vazhdoi aty ku kishin mbetur Petri i Parë dhe Nikolla Pashiqi. Pas aneksimit në shkurt 1945, u vendos pushteti ushtarak në Kosovë. Aneksimi u bë në prill 1945 nga Këshilli Antifashist i Serbisë dhe u miratua në gusht 1945 nga Këshilli Antifashist i Jugosllavisë, me status autonom në kuadër të Serbisë, pa të drejtë gjuhe në administratë, pa flamur etj. Në fillim të viteve ‘50 J. B. Tito e riaktivizoi Konventën e vitit 1938 me Turqinë  dhe deri në gjysmën e dytë të viteve ‘60 u dëbuan rreth 500 mijë shqiptarë nga Kosova.

                                   Kosova – Republikë dhe Vetëvendosja

Demonstratën e parë në Kosovë dhe në viset e ripushtuara nga jugosllavët, për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje e organizoi dhe e realizoi grupi i studentëve atdhetarë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren, më 6 tetor 1968. Ky grup, në krye me studentin Meriman Braha,  ishte bërthamë e organizimit të demonstratave në tërë Rrafshin e Dukagjinit, në Prizren, më 6 tetor, në Therandë (Suharekë), më 8 tetor, dhe në Pejë, më 19 tetor. Ky grup i studentëve të Prizrenit ishte edhe në lidhje të organizimit të demonstratave edhe me një grup tjetër, por ende i panjohur, i studentëve të Prishtinës. Lidhjen e mbante studenti i këtij grupi të Prizrenit, Isa Demaj. 

Demonstratat vijuese janë mbajtur në nëntor, në qytet Prishtinë, Gjilan, Ferizaj dhe Besianë (Podujevë), të zhvilluara më 27 nëntor të atij viti dhe të organizuara mirë e guximshëm nga grupi i njohur Prishtinës. Demonstrata janë mbajtur edhe në Mitrovicë, Tetovë dhe Ulqin. 

Demonstratat për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje kanë qenë disamujore në Kosovë dhe në viset shqiptare të ripushtuara nga Jugosllavia. Ato u shuan me gjak, pati shumë të lënduar e të plagosur, ra dëshmor nxënësi i Shkollës së Mesme Teknike në Prishtinë, Murat Mehmeti, organizuesit u dënuan me burg, pati shumë dënime me përjashtime nga puna dhe ndjekje politike të vazhdueshme, por edhe dyert për ndryshime ishin hapur, por rezultatet nuk qenë të plota. Përpjekjet vazhduam edhe më 1981, më 1989 dhe deri në formimin dhe luftën e tri ushtrive çlirimtare, 1997-2001.  

                                           Republika dhe bashkimi kombëtar

Çështja e Republikës së Kosovës, e Republikës Shqiptare në Jugosllavi dhe e bashkimit kombëtar janë shtruar shumë herë, me pak a më shumë ndryshime, në kuadër të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi. 

Shaban Braha, pas një analize të thelluar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, të kërkesave për Republikë e Vetëvendosje, si fazë kaluese deri te bashkimi, në veprën e tij të njohur Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990, konstaton me shumë të drejtë se populli i Kosovës dhe veçanërisht brezi i ri në Kosovë po përpunonte strategjinë e çështjes kombëtare, të unifikimit të kombit, në varësi me kushtet në evoluim: “Duke u ndodhur në vazhdim të gjendjes së mëparshme, populli i Kosovës dhe veçanërisht brezi i ri në Kosovë po përpunonte strategjinë  e çështjes kombëtare, të unifikimit të kombit në varësi me kushtet në evoluim’’. 

Ukshin Hoti e shihte Republikën e Kosovës vetëm në funksion të bashkimit dhe të forcimit të raporteve të reja në gjithë territorin e Ballkanit, të Mesdheut dhe të Evropës: ’’Republika e Kosovës, me fjalë të tjera, pavarësisht nga ajo se kush mund jetë në nivelin institucional bartës i një politike gjithëshqiptare, në rrethanat e dhëna është realizim i njërit prej interesave vitale të kombit. Si e tillë, mund të qëndrojë vetëm në funksion të bashkimit por edhe të forcimit të raporteve të reja në gjithë territorin e Ballkanit, të Mesdheut dhe të Evropës. Këtë rol mund t’a luajë me sukses në kontekst të proceseve integrative të Evropës, që do të kenë konsiderata për të gjithë pjesëmarrësit dhe për gjithë drejtimin historik të zhvillimit të proceseve pozitive.’’ 

Duke shkruar për përcaktimin e tij për Republikën e barabartë sovrane të Kosovës, ai flet edhe për vënien e Republikës së Kosovës në funksion të bashkimit të kombit. Republika e Kosovës, sipas tij, por edhe shqiptarët në përgjithësi, duhet t’i nderojnë sidomos vlerat e gjakut të derdhur të bijve të vet. 

Ndërkaq, Ethem Çeku, në veprën e tij me interes Mendimi politik i ilegales në Kosovë 1945-1981, thotë se Demonstratat e vitit 1968 i kishin dhënë fund luftës ilegale efektive me parulla dhe me propagandë. 

Me interes të veçantë janë edhe konstatimet e prof. Rexhep Qosjes, në fillim të viteve ’90, në veprën e njohur  Strategjia e bashkimit kombëtar, për Republikën e Kosovës, për Republikën Shqiptare në Jugosllavi dhe për bashkimin kombëtar. Republikën e Kosovës e konsideronte zgjidhje politike, por nuk thoshte se është edhe zgjidhje politike të çështjes shqiptare në Jugosllavi. Republikën Shqiptare në Jugosllavi e konsideronte zgjidhje më të plotë të çështjes, por as këtë nuk e quan zgjidhje përfundimtare, kurse për bashkimin kombëtar thotë se kjo të ishte e vetmja zgjidhje e drejtë dhe e vetmja zgjidhje e përhershme e çështjes shqiptare.

                                                           Përfundime

Viti 1968 i Demonstratave për Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje, si fazë kaluese drejt bashkimit kombëtar, lidhet me kohën kur tre milionë shqiptarë jetonin nën sovranitetin e Serbisë, të Maqedonisë e të Malit të Zi. 

Brezi ‘68 i demonstruesve u lind me kryengritjen shqiptare pas ripushtimit jugosllav të Kosovës e të viseve shqiptare, me tragjedinë e Tivarit, me plaçkitjen e shqiptarëve në emër të tepricave; u rrit me ndalimin e flamurit kombëtar, pa të drejtë gjuhe në administratë, me ndjekjet, burgosjet e pushkatimet  e pjesëtarëve të NDSH-së; e kaloi fëmijërinë në kohën e aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve; e përjetoi dramën kolektive të shpërnguljes në Turqi dhe tronditjen kombëtare të pushkatimit të burrave të dalluar në kufi; u bë pjesë e traumës gjithëpopullore të burgosjeve së atdhetarëve të brezit të viteve ’50. 

Brezi ‘68 i demonstruesve e kaloi moshën e miturisë dhe iu bë krah brezit të viteve ‘60 të Adem Demaçit, duke shpërndarë flamurin kombëtar, të ndaluar me ligj, duke lexuar literaturën e ndaluar, sidomos Shqipërinë e Samiut dhe Lahutën e Fishtës, duke e dëgjuar fshehurazi Radio Tiranën, duke kënduar këngë atdhetare, po ashtu të ndaluara nga pushteti jugosllav, duke e adhuruar Skënderbeun dhe heronjtë e historisë, nga periudha ilire e deri te Rilindja Kombëtare, duke shkruar parullën ’’Rrnoftë Shqipnija’’ dhe  duke u krenuar se jemi shqiptarë. 

Viti 1968 i Demonstratave për Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje dallohet si vit i ngritjes së vetëdijes kombëtare për çlirim dhe bën të quhet hallkë historike e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për bashkimin e kombit të ndarë. 

Brezi ‘68 i demonstruesve ishte i lumtur vetëm për pak çaste kur klasa politike e Kosovës me ata pak intelektualë të asaj kohe kërkonin Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje, por u dëshpërua kur ata hoqën dorë nga kërkesat legjitime të popullit të tyre. Ai e mori në duart e veta fatin e Kosovës dhe u gatit që botërisht t’i thuhet ndal pushtetit jugosllav. 

Brezi ‘68 i demonstruesve shënon edhe fillimin e shpërbërjes së Federatës jugosllave, që ishte burgu kolektiv i shqiptarëve, të dënuar me qindra shekuj burg politik, që u mbyll pas luftës fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Viti 1968 i Demonstratave për Kushtetutë, Republikë e Vetëvendosje ishte vit kur çështja e pazgjidhur kombëtare e shqiptarëve u shtrua guximshëm edhe në rrugë, me demonstrata të mëdha e të përgjakshme, si pasqyrim i vullnetit të së drejtës kombëtare dhe universale të bashkimit të popujve të ndarë. Ky vit bën të quhet vit shumë i rëndësishëm edhe i ndërkombëtarizimit të çështjes së pazgjidhur kombëtare shqiptare në qarqet politike dhe intelektuale evropiane e botërore dhe hallkë e re e fillimit të organizimit të kryengritjes së armatosur në vitet ‘90 dhe të luftës së tri ushtrive çlirimtare. 

Bibliografi

ABDYLI, Ramiz (2004). Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, libri 1, recensues prof. dr. Hysni Myzyri dhe prof. dr. Muhamet Shatri,  Prishtinë, Instituti i Historisë.

BABIĊ, Branko (1984). Polika Crne Gore u novo oslobođenim krajevima 1912-1914, Titograd, ‘’Pobjeda’’. 

BAJRAMI, Hakif (2002). Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllavë 1945-1948, redaktorë Ethem Çeku dhe Avdi Gjata, Prishtinë, ‘’Era’’.

BRAHA, Braha (1991). Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare 1844-1990, recensues Selami Pulaha, Gazmend Shpuza, Thimi Bare, Gjakovë, ’’Lumi T’’.

CANA, Zekeria (1997). Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (dokumente), recensentë dr. Xheladin Shala dhe dr. Shkëlzen Raça, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.

CULAJ, Lush (1997). Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, rec. dr. Xheladin Shala dhe dr. Qamil Gexha, Prishtinë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.

HARAPI, Zef Mark (2004). Ditt e trishtimit n’Pejë  e nder rrethe: 1912-1913, përgatiti dhe pajisi me shënime Nikë Ukgjini,  Pejë, biblioteka ”Fryma”, botues ”Dukagjini”. 

HOTI, Ukshini (1995). Filozofia politike e çështjes shqiptare, zgjodhi dhe redaktoi Bislim Elshani, recenzentë Shaban Sinani, Moikom Zeqo, Tiranë, shtëpia botuese ‘’Rozafa’’.

ÇEKU, Ethem (2003). Mendimi politik i ilegales në Kosovë 1945-1981, recensues prof. dr. Qamil Gexha, prof. dr. Jahja Drançolli, prof. dr. Arsim Bajrami, ‘’Brezi ‘81’’, Prishtinë, 2003.

Çështja kombëtare dhe vetëdija kritike (1998). Redaksia: Masar Stavileci, Agim Vinca, Abdyl Kadolli, Zymer Neziri, Prishtinë, Forumi i Intelektualëve Shqiptarë.

ČUBRILOVIĆ, Vasa (1958). Istorija političke misli u Srbiji u XIX veku, Beograd, ’’Prosveta’’. 

GJEÇOVI, Xhelal (2008). ’’Kosova, 3. Vështrim historik’’, në: Fjalori enciklopedik shqiptar, botim i ri, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, f. 1297-1299. 

Demonstratat e vitit 1968, I, II (2018). Përmbledhje kumtesash nga konferenca shkencore, e mbajtur me rastin e 40-vjetorit, në Prishtinë, më 24-25.11.2008. Përgatitja për shtyp Zymer U. Neziri, Meriman Braha, , Prishtinë, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik i Prishtinës.

HADRI, Ali (1971). Lëvizja nacionalçlirimtare në Kosovë (1941-1945), Prishtinë, ‘’Rilindja’’.

Historia e popullit shqiptar, (2007) . vëllimi i tretë, periudha e Pavarësisë, 28 Nëntor 1912-7 Prill 1939, Grup autorësh, Redaksia: Kristaq Prifti, Gazmend Shpuza, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, Botimet Toena. 

KRIZMAN, Bogdan (1975). Vanjska politika jugoslovenske države 1918-1941: diplomatsko-historijski pregled, Zagreb, ‘’Školska knjiga’’.

’’Memorandumi për çështjen shqiptare’’ (1995). Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, Prishtinë,  dërguar ministrave të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë, të Rusisë, të SHBA-ve  etj., më 26.10.1995, në: Çështja kombëtare dhe vetëdija kritike, redaksia: Masar Stavileci, Agim Vinca, Abdyl Kadolli, Zymer Neziri, Prishtinë, botues Forumi i Intelektualëve Shqiptarë, 1998, f. 135-163.

NEZIRI, Zymer (1998). Intervistë: ’’Tridhjetë vjet nga demonstratat e organizuara në Pejë. Flamuri kombëtar ishte në ballë të turmës’’, intervistues Jeton A. Rexha, Prishtinë, gaz. ’’Bota e re’’, nr. 74, më 26 nëntor 1998, f. 24 e 25.

NEZIRI, Zymer U. (2000). Përgatitës për shtyp: Isa Demaj-jeta dhe veprimtaria atdhetare, redaktor prof. Ramiz Kelemendi, recensues dr. Sadri Fetiu dhe prof. Binak Ulaj, Prishtinë, NIB ’’Rilindja’’.

OBRADOVIĆ, Milovan (1981). Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu: 1918-1941, Priština, Institut za istoriju Kosova.

QOSJA, Rexhep (1992). Strategjia e bashkimit kombëtar, recensues dr. Sadri Fetiu dhe dr. Rrustem Berisha, Prishtinë, Instituti Albanologjik. 

RUSHITI, Liman (2004). Ndarja territoriale dhe rregullimi administrativ i Kosovës 1878-1941, recensues dr. Hakif  Bajrami dhe dr. Haki Kasumi, Prishtinë, Instituti i Historisë.

PUTO, Arben (2009). Shqipëria politike 1912-1939, Tiranë, Botimet Toena.

SHATRI, Muhamet (2012). Dokumente britanike për çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 1912-1913, Tiranë, Instituti i Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike.

TIRTA, MARK (1999). MIGRIME TË SHQIPTARËVE TË BRENDSHME DHE JASHTË ATDHEUT (VITET ’40 TË SHEK. XIX – VITET ’40 TË SHEK. XX), TIRANË, SHTËPIA BOTUESE “SHKENCA”.

TROCKI, Leon (1980). The Balkan Wars, Monad, New York.

VERLI, Marenglen (2014). Aspekte rreth krijimit dhe zgjidhjes së çështjes shqiptare (shek. XIX-XX), Tiranë, Instituti i Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, ’’Klean’’.

Filed Under: Histori Tagged With: demonstratat e 1968, Zymer U Neziri

NGA DEMONSTRATAT E 1968 DERI TE UÇK-JA DHE PAVARESIA E KOSOVES

November 25, 2020 by dgreca

Në 52-vjetorin e Demonstratave të 1968‘/

NGA DEMONSTRATAT E 1968 DERI TE UÇK-JA DHE PAVARESIA E KOSOVES/

Me 27 Nëntor 1968, studentët shqiptar në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan e Podujevë, thyen tabunë e të demonstruarit masiv në shtetin Komunist Jugosllav. Më 11 Mars 1981 në Prishtinë student me simbolikën e “përmbysejes së pjatës”, filluan rrënimin e sistemit komunist nè ish-Jugosllavi. Studentët shqiptar më 1 Tetor 1997 protestuan në Prishtinë kundër dhunës sërbe, dhe prishen rehatinë e politikës paqësor. Më 28 Nëntor 1997, dalja publike e UÇK-së, dëshmoi rezistencën e veprimit ushtarak dhe përcaktimit drejt çlirimit më10 Qershor 1999, dhe shpalljen e Kosovës Shtet Demokratik e të Pavarur, më 17 Shkurt 2008.

Shkruan: Ismail Gashi-Sllovia/

            Ngjarjet e 1968, ishin shpërthim i parë i demonstrimit të hapur për kërkesat tona  politike, kombëtare e njerëzore. Praktikishat, këto ishin demonstratat e para në shtetet e lindjes komuniste. Në Nëntorin e madh, u dëshmua se; Te shqiptarët në Kosovë dhe treva të tjera etnike shqiptare në ish-Jugosllavi, nuk është plotësuar ende, asgjë nga e drejta kombëtare në drejtim të aspiratës dhe ndjenjës kombëtare për lirie e pavarësi. Aspiratë, kujtesës pozitive historike, e përcaktuar që nga Lidhja Shqiptare të Prizrenit (1878), dhe në vazhdimësi e përseritur, e hapur e shtruar në Mbledhjen e Bujanit, ditën e fundit të 1943 dhe dy ditët e para të 1944, e thënë me fortësisht e trimërisht, nga komunistët shqiptarë, ku ishin pranishëm dhe deshmuan, me nënshkrimin e tyre, edhe përfaqësues sërbë, e të huaj që ishin pjesëmarrë në atë takim. Këtë kërkesë e ripërseriten edhe me veprim ushtarak, gykën e pushkës, e trimëri kundështuese politike e kombëtare në krye me Shaban Polluzhën. Pas luftës, e shprehur edhe me veprime politike të hapura e ilegale të argumetuara ligjësisht, njerëzisht e kombëtarisht e  thënë dhe e bamë  në “Procesin e Prizrenit”. Por, këto ndjenja të ndjekura e të shtypur nga komunistët slave e të ndeshkuara me kodet e ligje diskriminuese komuniste me denime e burgosje drakonike deri në pushkatim, me qëllim që, t’ju tregohet shqiptarëve se, kanë trokitur në dyer të “gabuara”, të “veprimtarisë armiqësore” kundër shtetit. Ndëshkimet komuniste sllave, kishin qëllim që, shqiptarëve t’ju fusin frikë e shqetësim deri në ikje nga trojet e tyre. Të njohura e të përjetuara ishin individ e grupe të shumta veprimtarësh të lëvizjes kombëtare shqiptare, që përjetonin tmerre në trajtimet policore serbe dhe denimet të rënda burgu për “veprimtari e propogandë armiqësore”. Dimërin 1955/56 UDB-ja sërbe organizoi  “Aksionin e Armëve”  për dhunën barbare rrahje, frigësim e ndjekje masive të shqiptarëve, kur shteti në emër të kërkimit të armëve, trajtoi, rrahu e gjymëtoi me dhjetra e mija shqiptarë dhe vrau tre nga ata. Rikonfirmimi i “Marrëveshtjes Gjentlemene” të Qubrilloviqit nga politika komuniste Jugosllave më 1953, mundësoi Shpërnguljen e disa dhjetra mija shqiptarëve në Turqi, dëmtoi më shumë se kurrë më parë substancën kombëtare shqiptare. Pastaj, në vazhdimësi UDB-ja u bë hije përcjellëse e ndjekjes së shqiptarëve, duke I arrestuar e trajtuar në organe policore dhe burgje me dhunë fizike e psikike, duke i kërcnuar, për punën, bisedat të bëra edhe ne rrethe familjare e takime miqësor, shpeshherë edhe të zgjeruara, deri në shpifje e sajime për mendimin vlersues pozitiv “indoktrinimin”kombëtar, Janë të njohura burgosjen e veprimtarëve të dalluar të çështjes kombëtare, Kadri Halimi, Ali Aliu, Metush Krasniqi, për “Propogandë e veprimtari armiqësore”, vend bosht në Levizjen  kombëtare mori burgosja e strallit meteor, Mësuesit të atdhetarizmës shqiptare ,që do shëndrrohet në simbol të rezistencës kombëtare, Bacë Adem Demaçi 1958 dhe përseri me goditje edhe më të rëndë e me masa edhe më të ashpëra ndëshkuese më 1964, edhe më me shumë bashkëvepriumtarë të Bacë Adem Demaçit më 1975. Gjithënjë në ndjekje të shqiptarëve nga sistemi komunist titist, ndër ata dhe me ata edhe disa shqiptarë, të cilët me verbëri shërbëtori ishin në shërbim të okupuesit.

            Gjithë sistemi komunist Jugosllav, me vetëbindje propog andante për stabilitet politik, sepse, sipas tyre, Titoja kishte krijuar një opinion personal mbrenda shtetit, por edhe për shtetin Jugosllav në politikën ndërkombëtare se, sistemi komunist vetëqeverisës Jugosllav, ka një rend komunist të veçantë “liberal” nga të tjerët, edhe pse, i tillë nuk ishte për shqiptarët, me të drejta të barabarta për gjitha nacionalitetet të shumta që jetojnë në këtë shtet të përbashkët. Këtë sistem komunistët sllav, para popullit praktikish popullit e kishin improvizuar të tillë, por, nga mbënda e mbanin nën kërcnim të ligjit dhe aplikimit të dhunës. Këte dhunë të ngritur në nivel shtetëror, demonstratat e sudentëve shqiptarë, do t’ia prishin namin ndërkombëtar, dhe për mbenda reahtinë politike. Rinia e shkollore,studentore, intelektuale e patriotike e mbështetur dhe e përkrahur nga masat shqiptare, me Grupin e Studentëve të Shkollës së Lartë në Prizren, më 6 Tetor 1968, nisen Demostratat me kërkesa të drejta historike të kauzës kombëtare, nga, në sinkronizim vazhduan, më 8 Tetor në Suharekë-Therandë, 19 Tetor në Pejë, e më 27 Nëntor 1968 në skenën e madhe në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan e Podujevë. Demontratat e studentëve kosovarë u shtrijnë edhe në hapësira shqiptare jashtë Kosovës, demonstratat me kërkesa kombëtare u organizuan edhe në Tetovë më 22 e 23  Dhjetor 1968 dhe në Ulqin me 11 Qershor 1969. Me demonstrim të hapur, e kërkesa të natyrshme kombëtare e fortësim të guximshme kundër sistemit antishqiptar komunist Jugosllav. U demonstrua kundër padrejtësisë që ai sistem bënte ndaj shqiptarëve, padrejtësishtë të ndarë nga tërësia shtetëror etnike kombëtare, të ndaluar prej atdheut, historisë, gjuhës dhe simboleve kombëtare, popullit e shtetit të tyre Shqipërisë. Këto vëlime shpërthyese, si vullkani, dolën pa pritur e pa parashikuar nga asnjë nivel e mjedis politikë, shtetëror e srategjik të sistemit vendore komunist sllav. Këto demonstrata, pavarësishtë dhunës e represionit që kishte aplikuar okupuesit komunist ndaj shqiptarëve, demonstratat ishin befasuese e shqetësuese, për politikën dhe shtetin Jugosllav, Demonstratat sa ishin dëm e dëshprim për imazhin ndërkombëtar që kishte sistemi politik komunist Jugosllav, aq ishin dobishme, kurajuese e dëshmi e zgjimit kombëtar për shqiptarët. Pasi, pushtetarët Jugosllav, kishin mendje se, shqiptarët i kanë shtypur deri në atë masë, sa ju kanë topitur mendjen për ringritje në kuptimin kombëtare. Opinion politik kishte bindje se rehatia material që, as ajo nuk ishte në nivelin e viseve e popujve të tjerë Jugosllav, do t’i mbajë kështu të qet, pa ndonjë arsye të ndonjë ringjalljeje të ndjenjës për çlirim kombëtare, edhe për shumë kohë të ardhme. Poashtu, këto demonstrata ishin dëshprim për sistemin dhe “namin” që kishte Jugosllavia, përsonalisht Tito në politikën ndërkombëtare, jo vetëm në bllokun e tretë të të Painkuadruarëve,  për të cilin Tito e Jugosllavia, bashkë me Nehrun e Indisë e Naserin e Egjiptit, praktikisht ishin personalitete më popullore në politikën ndërkombëtare,(Konferenca e Parë Themeluese u mbajt me, 1961 në Beograd), që mendohej të qëndronte dhe t’ju kundërvihej dy blloqeve ideologjike të forcave të fuqishme ushtarake, blokut të sh teteve demokratike NATO,  dhe Paktit ushtarak diktatorial-komunist i Varshavës.    

                   Në demonstrate Nëntorit 1968, student shtruan këto kërkesa: Që Kosova të këtë Kushtetutë, e jo statut, siç e kishte deri atëherë. Të ketë Univesitet në vete, jo në kuadër të Beogradit. Që shqiptarët të kenë të drejtën e papengueshme në përdorimin e simboleve kombëtare, flamurit dhe himnin kombëtar shqiptar, I cili që nga 1948, kur ishte ndaluar, e deri me 1968 askush, përveç Ilegales shqiptare, as nga udhëheqsitë shqiptar, kurrë nuk e kishte përmendur, e le më ta ketë kërkuar, për çka deri atëherë, ishin ndjekur e burgosur shumë atëdhetar, si Bacë Adem Demaçi, e shumë veprimntarë të çështjes kombëtare shqiptare. Ndërsa, kërkesë kryesore-bosht, ishte Kosova Republikë, e cila shqetësoi shumë themelet e sistemit dhe strukturat politike, antishqiptarit Tito dhe atyre që ishin rreth tij. Madje, shqetësim shprehen edhe kuandot komuniste shqiptare, të cilat ishin në shërbim komunist sllavë. Ky ortek shkundulloi rehatinë e improvizuar të sistemit komunist jugosllav. Me këto dhe të kërkesa të tjera si këto, që fortësisht kërkonin korigjim në sistemin ekonomik, jehuan thellë në opinionin e mbrendshëm dhe atë Botëror. Demonstratate 27 Nëntorit 1968 ishin ngjarjet e para  qe ia prishën “namin” e imazhin politik e shtetëror propogadës sllave të Jugosllavisë “Vetëqeverisëse”, të “Vëllazërim-Bashkimit” të kombeve dhe kombësive në Jugosllavi. Këto ngjarje nuk shpëtuan pa u ndëshkuar nga “buzagazi me mizdrak pas shpine Tito”, duke I denuar organizatorët dhe pjesëmarrësit me vite burg të rëndë, denime e ndjekje të shqiptarëve të cilat, sikur ju duken të mangëta, do t’i përserisë e plotësojë edhe më 1972, në emër të “Letrës së Titos”, kur u ndëshkuan me largim nga puna e forma të tjera ndjekjeje qindar intelektual atdhetarë shqiptarë, të cilët ju kishin “shpëtur” Komiteteve e niveleve partiake e shtetërore të 1968. Ndëshkimet nuk thyen, as nuk zbehen ashpërsinë e vendosshmërisë këmbëngulëse për kërkesat e parashtruar në demonstrata. “Zhdërvjelltësia” e politikës komuniste sllave u tregua hulumtuese në prekjen emocionale të shqiptarëve, për fillim provoi me lejimin e flamurit kombëtar në përdorim zyrtar, më 1969, Më 1970, u detyrua të lejon hapjën e Universitetit, Në vazhdim  1971 leshoi në diskutim publik Amandmanet e Punëtorëve që, u finalizuan me Kushtetutën e Kosovës më 1974. Me përmbushjen e kërkesave të studentëve , kuadrot komuniste shqiptare, të cilat për 20 vjet, nga 1948-1968, nuk kishin hap asnjëherë gojen në asnjë nivel apo mjedis, as për dhunën shtetërore denimin e burgosjet e shumta, ndjekejn dhe rrahjen e shqiptarëve, as për dëbimin e tyre në Turqi. Tash filluan të dalldisen, të rrahin gjoks e të krrokasnin prapa shpine të padronëve, të cilëve verbërishtë ju shërbenin se, këto ishin merita dhe këta meritorët që nxorren këto të drejta për popullin e tyre shqiptar. Madje, disa nga ata, që janë të gjallë ende sot në Kosovën e pasluftës, po rrahin gjoks për këto plotësime të kërkesave të arsyeshme dhe të drejta kombëtare e njerëzore të shqiptarëve, sikur me këto duan të ruajnë çfajësinë për sherbime që i bënë komunizmit serbë, të drejta që rinia studentore atdhetare shqiptare i nxorrën me sakrificë e vuajtje, me mund e gjak, madje edhe duke shtruar jetën e tyre drejtë kësaj fitoreje. Demonstratat e Nëntorit 1968, ishin nisma, ishin stralli që nuk ndali rrugëtimin atdhetar të vazhdimësisë drejt realizimit dhe aspiratës qëndrore, çlirimit të Kosovës nga dhuna mesjetare e okupuesit sërbë dhe mëvehtësimit të sajë shtet i pavarur e neutral. Gjitha përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë, kalonin përmes sakrificës e rrezikimit nga sistemi administrative komunist dhe sigurimi i shtetit UDB-ja. Administrata shtetërore ashpërsonte dhunën e ndjekjet, kudo që veneronte apo hetonte, përmes langojve të sajë, për qitje kokë, apo zë në drejtim të çështjes shqiptare. Kështu, u ndjeken dhe u denuan ashpër prej 4 deri në 15 vjet burg të rëndë, Grupi i Kamenicës 1975, prej 35 intelektualëve e veprimtarëve të spikatur të ciltët kërkuan prishjen e shenjët të bashkëjetesës. Po kështu, më 1979, pas vizitës së fundit të titos në Kosovës, armikut më tinzar të shqiptarëve, në fillim të vjeshtës 1979, vizitë të cilën rinia dhe intelektualët shqiptar, e pritën me parulla e veprime kundërshtuese se, nuk je i dëshirura për hapësirat dhe popullin shqiptarë, për çka tito urdhëroi politikën dhe sigurimin e shtetit, administratën e UDB-s që, të arrestohen ata që hudhën parulla dhe shprehen pakënaqësi për këtë vizitë të tija. Menjëherë, sigurimi filloi arrestin dhe për pak ditë arrestoi e burgosi mbi 400 të rinj e të reja nxënës, student, mësimdhënës e intelektual të niveleve e mjediseve te ndryshme të Kosovës. Pas trajtimeve policore e torturave fizike e shpirtërore, para “ligjit” dolën dhe u denuan nga 8 deri në 4 vjet 8 veprimtarë të çështjes kombëtare.

            Në vazhdimësi u përgatiten ngjarjet e madha të”Pranverës së madhe Kosovare”, që filluan me një simbolik domethanëse, me “përmbysje të pijatës”, në Menzën e studentëve në Prishtinë, në darkën e mbëmjes së studentëve më, 11 Mars 1981. Dhe nga ajo fillesë “sociale”, simblikisht filloi rrënimi I komunizmit që, do të shtrihen deri në masovitet të gjitha moshave, niveleve e mejdiset shqiptare. Paraprakisht, ishin pjekur gjitha parakushtet për aktualizimit hapur të kërkesave kombëtare e politike shqiptare. Kjo lavë vullkani që nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare, në gjitha nivelet e mjediset u ngrit në nivel kombëtar gjithëpopullor, dhe u shtri në gjithë Kosovën.  Këto Demonstrata vazhduan në pas, më 26 Mars 1981, kur ishte edhe Stafeta e Titos. Asaj dite udhëheqësit komunist ishin të shqetësur, rrinin të shtanguar në tribunat festive, përkundër forcave të mëdha ushtarake e policore nga gjithë ish-jugosllavia, qeveritarët Kosovarë dhe ata nga Beogradi, ishin të shqetësuar e fikësuar, mos t’ju ndodh e keqja në këte ditë të veçantë festive. Vazhdimësia e demonstrimit shqiptar mori shtrirje gjithpërfshirëse më 1 e 2, Prill 1981, kishte tensione në gjitha qendrat e Kosovës, demonatratat u shtrijnë në gjitha  mjediset shqiptare në Kosovë dhe kishin përmbajtje domethanëse të gjërë kombëtare, ato,  shprehnin formën dhe përmbajtjen e synimit të aspiratës nga lashtësia e lavdisë historike deri në përmbarim. Këto demonstrate bashkë me “Solidarnostin” polak në Gdanjski, lëkundën ndërgjegjen e Evropës e opinionit botëror. Ishin “termet” për sistemet komuniste lindore dhe ju tërhoqën vemendjen opinionit demokratik botëror, të rishqytrojnë çështjen e përshtypjesë pozitive ndaj Jugosllavisë vetëqeverisëse e politikës së saj lideriste e të painkuadruarëve. Pranvera e Madhe 1981, konfirmoi urrejtjen hakmarrëse e të pa përmajtur sërbe ndaj shqiptarëve.Madje, duke humbur edhe kontrollin logjik të gjuhës së urrejtjes me fjalor e shprehje pezhorative se. luftuekan fundamentalizmin islamik dhe marksizm-leninizmin e tipit stalinain e enverist, shfryen mllefin duke rrënuar gjithçka nga vlera shpirtërore e material shqiptare. Por, shqiptarët me rezikime e skrafica i shtyjnë proceset e çlirimit  kombëtar, më 1989-90, organizuan subjekte partiake, LDK më 23 Dhjetor 1989, e humanitare, KMDLNJ më 14 ՚nëntor 1989 dhe, formësuan hapur kërkesat  kombëtare, krijuan një unifikim politik shqiptarë në Kosovë, njëherit ndërkombëtarizuan çëshjen shqiptare për Kosovën e rreth Kosovës, me Pajtimin e Gjaqeve të 1990 dhe ndarjen fizike e shpirterore dhe mëvehtësimin e sistemit shkollor  1991, formësun veprimet demokratike drejt mëvehtësisë së shtetit të Kosoves.Kur, as këto veprime demokratike të LDK-së, e cila çfrytëzoi gjitha hapësirat paqësore per çlirimin e Kosovës, nuk hasën në mirëkuptim e tajtim normal politik, demokratik e njerëzor. Shqiptarët. Me UÇK, më 28 Nëntor 1997, detyrueshëm filluan me veprime ushtarake dhe thelluan e zgjeruan ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptar në Kosovë dhe, detyruan faktorin ndërkombëtar të organizojë Mbledhjen Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje e Paris në fillim viti të 1999. UÇK-ja me faktorin ndërkombëtar NATO, më 12 Qershor 1999, fituan çlirimin e vendit  mbi forcat sërbe të okupimit, më 17 Shukrt 2008, shpallën pavarësinë e shtetit demokratike të Republikës së Kosoves. Shqiptarët rezalizuan të drejten historike, të drejten ligjore e shtetërore të njohur e të pranuar ndërkombëtarisht. Në të kundërten, me veprime ndryshe,siç thonin e atëherë e thonë edhe tash disa nga fryma e politikës komuniste, do ngelnim keq, siç ngeli Vojvodina, ndoshta edhe më keq se Vojvodina, Kjo është meritë e veprimtarëve atëdhetarë të Lëvizjes shqiptare e studentëve atdhetarë, rinisë patriotike e popullit liridashës të 1968,1981,1989,1999 e deri sot.

Parakusht i parë dhe pjekje e rrethanave kombëtare politike që krijuan kushte për ecje drejt çlirimit të vendit dhe lirisë së popullit shqiptar ishin se, duhej të ndodhnin. Këto levizje  evulutive kombëtare deri te shtetformimi, ishte se; studentët e 1968-së, tash kishin në duar sistemin shoqëror, entet dhe institucionet shoqërore, shkencore e shkollore, përveç sistemit administrative e politik, ku shteti dhe partia komuniste, kryente seleksionim të veçantë për pranim. Kuadrot, ish-studentët e 1968, tash ishin kuadro që kishin në dorë gjitha nivelet e mjediset e sistemit të arsimit shqip. Ata që, më 1968 kërkuan Universitet, tash ata vet punonin e udhëheqnin Universitetin e Kosovës. Ata tash kishin zgjeruar, rritur e shtrirë rrjetin shkollor fillor e të mesëm dhe edukonin brezet e reja, krijonin kuadro me orientime të drejta në nivel kombëtar, jo vetëm në hapësirën shqiptare të Kosovës, por edhe atyre nga trevat shqiptare të Maqedonisë e Malit të Zi dhe Kosovës Lindore. Me këto veprime ishin krijuar rrethana më të volitshme në drejtim të materalizimit kombëtar që, për një kohë ishte i ngulfatur. Tjetërsimin e gjendjes, daljen nga robëria sllave, shqiptarët e shihnin, me shkëputjen e bashkëjetesës shtetërore nga sërbët, prishjen e asaj që komunistët thonin se, Kosovës vetëm emëri Republikë I mungon!  Kjo edhe kishte mbetur kërkesa e pa përmbaruar nga Demonstratat dhe zëri i arsyes së rinisë atdhetare shqiptare. Tash kishte edhe një mundësi depërtimi, kur titoja ishte matufosur, propogandohej politikë paqësore e painkuadrimit. Veçmas ishin theksuar veprimet antishtetërore  të kroatëve më 1971 e Liberalëve sërbë, e shumë veprime antishtetërore të popujve josllav, kudo në Jugosllavi, që kishin fillur të lëviznin, por ata nuk ndiqeshin si ndiqeshim ne shqiptarët. Sërbët, kroatët e sllovenët, përgatiteshin për periodën e pastitos. Ata për këtë përgatitnin projekte e elaborate të reja dhe I përpunonin gjitha verzionet alternative edhe nga projektet e vjetëra. Thjeshtë, çdo popull e mejdise, mendonte dhe punonte për ndarjen e bashjetesës dhe prishjen e sajesës së”Vëllazërim-Bashkimit”. Ndërsa për trazirat e mundshme në Kosovë, sërbët gjithnjë llogaritnin dhe kishin projete të rezervuara. Madje,ishte përmendur edhe alternativa e dhunës në disa nivele shtetërore, për përdorimin  e represionin policor e ushtarak. Kështu, gjithnjë fajësonin shqiptarët, përmes vetëfajësimit, që e gjenin në besnikrinë dhe verbërinë sherbyese të dia kuadrove ekzekutive komuniste shqiptare, që ishin në sherbim të politikës komuniste sllave, kështu vepronin gjithmonë.Kështu vepruan edhe më 1981.

Synimi ynë kombëtar, asnjëherë nuk ishte çështja ideologjike, shqiptarë gjithmonë  kishin synim lirinë  kombëtare çlirimin e atdheut nga robëria mesjetare e dhunës sllave, ky synim ishte aspiratë historike e vazhdimësisë që kishte fillet që nga Lidhja SHqiptare e Prizrenit dhe fillimshekulli 20-t, Po këtë synim për çlirim  dhe liri kombëtare kërkojmë ta permbushim në fund të shekullit. Andaj,  edhe pas disa vjetësh politik paqësore, e cila  ndërkombëtarizoi çëshhtjen shqiptare, okupimit e dhunes sërbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, por nga ashpërsia ortodokse sllave dhe urrejtja e saj ndaj çdo vlere kombëtare shqiptare, beri që, okupuesi barbar serbe mos të lejon ndonje lëkundje pozitive në favor kombëtar të shqiptarëve,  Robëruesi, dhunën e ngriti në sistem shtetëror dhe përkundë”dëgjueshmërisë” se popullit shqiptar ndaj pushteti okupes sërb, ai e beri zyrtare ushtrimin e dhunes ndaj popuillit shqiptar. Lindi UÇK-ja, si reaksion ndaj dhunës, skajshmërive, shpeshherë jo në konfrontim të ashpër. UÇK-ja doli si nga legjenda, ishte domosdo e shpëtimit të kësaj hapësire shqiptare nga fanitja që I kërcnohej për të luftuar liri e pavarësi të Kosovës. Pasi faktori mbrendashqiptar dhe ai ndërkombëtar, thuaja se pushoi, jo vetëm së vepruari, por edhe së foluri për dhe rreth Kosovës. UÇK-ja ishte skaji I mundësisë së durimit ndaj dhunës dhe pacifizmit politik, është imponim për veprimet e veta ushtarake, ka qitur në rend të ditës dhe ka thelluar aktualizimin e çeshtjën shqiptare në agjendën ndërkombëtare. Kjo, UÇK-ja dhe Levizja e studentve, 1 Tetor 1997, dhe protestat masive të popullit shqiptar në Kosovë 1998-99, përkundër ngulfatjës që u tentua tu bëhet, ndërskamcat e lakadredhat e improvizuara që i kundërvuan nga vet shqiptarët dhe mbrenda vet shqiptarëve me të tjerët, Kjo Lëvizje studentore, më vonë UÇK-ja, hapën binarë të rinjë e me arshyeshmmëri të natyrshme, orientuan ndriqimin e rrugës kah mund të shkohet në Pavarësi të Kosovës.

                Vargoni I ngjarjeve, që nga 1968 e deri te 1 tetori 1997, me studentët dhe UÇK-në, e deri te 17 Shkurti 2008, Shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës shtet I pavarur e demokratik, Nuk është kohë shumë e gjatë, por veprimet janë të fuqishme e vazhdimësi e zgjerimit të masave dhe ngritje e vetëdijes kombëtare shqiptare për liri. Këto levizje, zgjuan interesim e përkrahje, jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Me këto subjekte e veprime politike e ushtarake, Kosova doli nga harresa e padrejtësisë historike, tash shihej e dëgjohej në sipërfaqe të opinionit politik ndërkombëtar dhe mori përkrahjen politike e ushtarake ndërkombëtare. Me këtë UÇK-ja, me 23 Mars 1999, solli aleatën e forcave ndërkombëtare të NATO-s dhe me këtë aleancë Kosova dhe shqiptarët pas 78 ditësh bombardimesh e luftimesh, në mbështetje të Marrëveshtje së Kumanovës, më 12 Qershor 1999, pas 87 vjetësh robërie, detyroi farcat okupuese të dhunës barbare sërbe, që deri më 20 Qershor 1999, të lëshojnë Kosovën, e kështu kjo hapësirë shqiptare dhe shqiptarët e Kosovë të përjetojnë gëzimin monumental të lirisë së pritur me shekuj.

Filed Under: Histori Tagged With: demonstratat e 1968, Ismail Gashi, Sllovia

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT