• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Serbi, Thaçi: Dialogu në fazën finale

January 25, 2017 by dgreca

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: Në takimin në Bruksel është arritur qëllimi kryesor, ulja e tensioneve dhe shmangia e provokimeve/

2 Thaci 2 Dialogu -Dialogu ka arritur në fazën finale, Kosova mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes/

1 Thaci dialogu

PRISHTINË, 25 Janar 2017-Behlul Jashari/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, i sapokthyer nga Brukseli tha sonte në Prishtinë se në takimin e djeshëm të nivelit të lartë Kosovë-Serbi qëllimi kryesor, që ka qenë ulja e tensioneve dhe shmangia e provokimeve, është arritur.“Padyshim situatat e krijuara pas një periudhe të gjatë të ndërprerjes së procesit të dialogut të nivelit të lartë politik ndërmjet dy shteteve respektive, posaçërisht pas zhvillimeve të fundit të hidhura me veprime provokative dhe retorikë nacionaliste, kanë bërë që ky takimi të jetë mjaft i vështirë”, tha Thaçi. Përkundër këtij fakti, vijoi presidenti kosovar, ne jemi liderë shtetërorë dhe kemi përgjegjësi për të punuar me përkushtim për ruajtjen e paqes dhe normalisht, edhe përfundimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. “Mund të them që jam i kënaqur që qëllimi kryesor i këtij takimi, që ka qenë ulja e tensioneve dhe shmangia e provokimeve të panevojshme, është arritur. Mirëpo, na mbetet shumë që të punojmë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore”, theksoi Thaçi.Për ne, vijoi ai, ka qenë shumë e rëndësishme që të flasim hapur dhe të kërkojmë nga Serbia ndalimin e veprimeve që qëllim dhe rezultat kanë destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë.“Këtu, përfshihen të gjitha ato veprime negative provokuese që ndodhën gjatë periudhës së fundit, që më shumë sjellin kujtime të një të kaluare të hidhur dhe si të tilla ngufatin hapësirën për veprime afirmative dhe pozitive drejt qëllimit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona”, theksoi presidenti i Kosovës.Ai u shpreh se mendon se ka pasur një mirëkuptim ndërmjet palëve për domosdoshmërinë që të ulen tensionet dhe t’i përkushtohen procesit të dialogut me seriozitetin më të madh.

“Një dakordim tjetër mes palëve të përfshira ka qenë edhe gatishmëria për intensifikimin e takimeve të nivelit të lartë politik dhe ne si përfaqësues të Kosovës kemi shprehur gatishmërinë tonë që të japim kontributin maksimal konstruktiv në këtë aspekt”, tha Thaçi.

Në të njëjtën kohë, vijoi presidenti i Kosovës, ne mendojmë se dialogu tanimë ka arritur në fazën finale kur edhe duhet të jetë e qartë se cili është përfundimi dhe rezultati përfundimtar i këtij procesi.

“Në këtë fazë përfundimtare të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë shpresoj se me ndihmën e ndërmjetësueses znj. Federica Mogherini, ne do të mund të negociojmë dhe të arrijmë një marrëveshje politike përfundimtare të pajtimit dhe bashkëpunimit reciprok ndërmjet dy shteteve. Vetëm një marrëveshje e tillë është garancë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, garancë për procesin e integrimit të papenguar të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë në BE dhe NATO”, theksoi presidenti Thaçi.

Prandaj, vijoi ai, Kosova mbetet tërësisht e përkushtuar në këtë proces tepër të rëndësishëm dhe mbetet faktor determinues në favor të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

“Për fund, edhe njëherë dëshiroj të falënderoj zonjën Mogherini për rolin e saj aktiv dhe vendimtar në uljen e tensioneve në mes dy vendeve tona, por edhe për hapjen e mundësisë për një perspektivë të një dialogu të mirëfilltë, që do të çonte drejt normalizimit të plotë, drejt fqinjësisë së mirë dhe pajtimit Kosovë-Serbi dhe popujve tanë. Kosova thërret përsëri për paqe, stabilitet, mirëkuptim, për vlera euroatlantike, për fqinjësi të mirë dhe dua të shpresoj se do ta kemi këtë vullnet edhe te pala serbe dhe ky proces sikur edhe dje, do të udhëhiqet nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian”, theksoi presidenti Thaçi në

Pas takimit në Bruksel, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi  se, “me delegacionin e lartë nga Prishtina,  me mbështetjen e BE-së, u dakorduam që të vazhdojë seria e dialogut në nivel të lartë, si dhe që të ‘ulet topi’ në deklaratat e zyrtarëve”.

Në Bruksel, mbrëmë vonë, ka përfunduar pa ndonjë vendim konkret takimi i udhëheqësve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë, me ftesë të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila ka bërë të ditur se palët “kanë diskutuar zhvillimet e ditëve të fundit, janë pajtuar për të lënë prapa tensionet dhe për t’u përqendruar në punën përpara”.

Në raundin më të ri të  takimeve në nivel të lartë Kosovë-Serbi, në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, për herë të parë, pas 30 raundeve kryeministrore, dje ishin edhe presidentët, Hashim Thaçi e Tomislav Nikoliç, bashkë me krerët e qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, ndërsa në fokus ishte dhënia fund situatave tensionuese dhe realizimi i marrëveshjeve.

Kishte kaluar një vit pa takime në nivel të lartë Prishtinë-Beograd në Bruksel, pas të fundit e të vetëmit të 2016-tës të zhvilluar në 27 janar, ndërsa raundi më i ri i dialogut u mbajt dje ndërkohë që kohëve të fundit kishte tre ngjarje të pasuara edhe me retorika e të vlerësuara nga Prishtina zyrtare zhvillime provokuese dhe axhenda të rrezikshme:  Serbët ndërtuan një mur ndarje afër urës në Mitrovicën Verore, u hodh një bombë natën drejt zyrave qeveritare kosovare në veri pak ditë pasi u përuruan dhe një tren ilegal dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” u nis nga Beogradi për të hyrë në veri të Kosovës pa lejen e autoriteteve, por u ndal para se të arrijë te kufiri, ku për ta ndaluar ishte dërguar njësia speciale e Policisë kosovare.

Filed Under: Featured Tagged With: dialogu, Kosove-Serbi, në fazën finale, Thaci

Kosovë- Jepni shans dialogut

February 7, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Prishtina, Sheshi Skenderbeu/
-Lëvizje drejt takimit të përbashkët të liderëve të maxhorancës e opozitës te Presidentja e Republikës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË,7 Shkurt 2016/ Jepni shans dialogut, përgjigjuni pozitivisht ftesës së Presidentes është thirrja drejtuar të gjitha subjekteve politike kosovare nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një deklaratë sot ku thekson se nga afër ka përcjellë të gjitha zhvillimet në vend karshi krizës politike që tashmë po hyn në muajin e gjashtë të saj. “Funksionimi i plotë i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit, është vitale për funksionimin e tërësishëm të shtetit. Përgjatë kësaj periudhe, vazhdimisht kemi bërë thirrje ndaj partive politike parlamentare, që të përdorin dialogun si mjet të vetëm për zgjidhjen e mospajtimeve politike. Në këtë frymë, kemi përkrahur çdo iniciativë institucionale për dalje nga gjendja e tanishme e krizës dhe hapjes rrugë zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, shprehet KDI.
Sipas parimeve të ndarjes së pushtetit, vijon deklarata, Kushtetuta obligon kreun e shtetit të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve shtetërore. “Duke qenë se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit, KDI përkrah iniciativën e Presidentes Jahjaga për dialog ndërpartiak, dhe inkurajon liderët e gjitha subjekteve politike që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së saj”, thekson deklarata.
Më tej Instituti Demokratik i Kosovës thekson:Ne u rikujtojmë partive politike dhe udhëheqësve politikë e institucional që:
Të jenë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat si shoqëri, si subjekte politike dhe institucione shtetërore jemi ballafaquar në vitin e fundit, të përkushtohen që bashkërisht t’i adresojnë këto sfida, në mënyrë që të mos përbëjnë kërcënim për shtetin dhe mirëqenien e qytetarëve.
Të njohin faktin se shteti ynë është ndërtuar mbi bazën e të drejtave dhe lirive qytetare, me mundin dhe jetën e shumë prej tyre, pa harruar as përkushtimin e miqve tanë ndërkombëtarë që të garantojnë një shtet me vlera demokratike, prandaj të përkushtohen që këto obligime kushtetuese t’i adresojnë përmes dialogut politik gjithëpërfshirës.
Të jenë të vendosur për të dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e një shoqërie të lirë nga dhuna, frika, urrejtja, korrupsioni, dhe të jenë të përkushtuar për ndërtimin e një shteti dhe shoqërie e cila garanton sundimin e ligjit, lirisë së mendimit e të lëvizjes, transparencës, mirëqeverisjes, prosperitet, zhvillim, dinjitet dhe barazisë për të gjithë.
Të pajtohen të punojnë së bashku për t’i dhënë fund polarizimit politik, duke përdorur dialogun politik si themelin e demokracisë.
Të garantojnë se do të respektojnë dhe do të marrim në përgjegjësi të gjitha obligimet kushtetuese e shtetërore, të cila janë rezultat i aspiratave të qytetarëve tanë dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, për të forcuar funksionalitetin shtetëror me vlera të integrimeve properëndimore.
Të jenë vizionarë për të treguar rrugën e funksionimit të shtetit mbi bazën e dialogut për vendimet e mëdha nacionale, në përputhje me frymën dhe rendin kushtetues të Kosovës, përfundon deklarata e Institutit Demokratik të Kosovës.
Liderët e dy partive më të mëdha të maxhorancës së koalicionit qeverisës, i LDK – kryeministri Isa Mustafa dhe i PDK – zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, gjatë një konference për shtyp dje pas takimeve me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë dhe për të biseduar për tejkalimin e situatës në takimin e përbashkët me opizitën të ftuar për nesër nga Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“Ne, njëherësh i bëjmë ftesë edhe liderëve të opozitës që ata të jenë aty, sepse ne jemi që të gjitha çështjet t’i zgjidhim me dialog, me bisedë, në bazë të argumenteve dhe assesi që zgjidhjet të bëhen përmes dhunës”, tha kryeministri Mustafa.
“Duke konfirmuar përgjigjen pozitive, në të njëjtën kohë ftojmë edhe liderët opozitarë që t’i përgjigjen ftesës pozitivisht, t’i bashkëngjiten dialogut”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Nga opozita në Kosovë duket se lëvizet nga pozicioni i “ngrirë” drejt takimit të përbashkët me maxhorancën në tryezën e Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, e cila për në mëngjesin e të hënës i ka ftuar të gjitha subjektet politike parlamentare “për të diskutuar tejkalimin e gjendjes së krijuar në vend”. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është deklaruar se lideri i saj, Ramush Haradinaj, është pro mbajtjes së këtij takimi, ndërsa sot pritet një vendim nëse do shkoj vetëm apo do shkoj opozita si e bashkuar.
Ky është një zhvillim i ri, pas takimit të djeshëm të liderëve të tre partive opozitare, derisa situata e “ngrirë” e Kuvendit të Kosovës me bllokime nga opozita, edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, që prej fundverës 2015 vazhdon edhe këtë dimër dhe drejt pranverës, e gjatë kësaj periudhe ftesa më e re e presidentes së Republikës është përpjekja e tretë për t’i ulur në një tryezë pozitën dhe opozitën, por dy herët e kaluara ka zhvilluar vetëm takime të veçanta.
Opozita, e cila ka kërkesë edhe zgjedhjet e parakohëshme, ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme për në ditën e festës së 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës -17 shkurt, në Prishtinë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, dialogu, hapni rruge, kosova

Shtypi në Kosovë : Analistët: Rruga e vetme, dialogu

October 14, 2015 by dgreca

-“Nëse opozita përcaktohet për variantin e vazhdimit të bllokadës dhe provokimit të konfliktit, kjo atëherë çon drejt ndeshjes me forcën e shtetit. Si pasojë, do ta kemi rrezikun e shpërthimit të një lloj lufte civile ose, të paktën, të gjendjes së anarkisë, gjë që do ta komprometonte aftësinë e Kosovës që të krijojë shtet stabil”./

Analistët politikë Shkëlzen Maliqi dhe Nexhmedin Spahiu, duke e komentuar situatën e fundit ndërmjet pozitës dhe opozitës, kanë paralajmëruar se mund të ketë veprime edhe më radikale në seancën e radhës të Kuvendit, në rast se nuk ndërmerren hapa për ta qetësuar situatën.
Njohësi i proceseve politike, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se zgjidhja më e mirë për tejkalimin e krizës është dialogu dhe tërheqja e opozitës nga qëndrimet ultimative. Në të kundërtën, ai ka thënë se ka rrezik për shpërthimin e një lloj lufte civile. “Nëse opozita përcaktohet për variantin e vazhdimit të bllokadës dhe provokimit të konfliktit, kjo atëherë çon drejt ndeshjes me forcën e shtetit. Si pasojë, do ta kemi rrezikun e shpërthimit të një lloj lufte civile ose, të paktën, të gjendjes së anarkisë, gjë që do ta komprometonte aftësinë e Kosovës që të krijojë shtet stabil. Zgjidhja më premtuese do të ishte nëse do të vendosej kanali i dialogut, pra që opozita të heqë dorë nga ultimatumet, duke kërkuar nga pushteti garancitë se marrëveshjet nuk çojnë drejt pasojave që ajo i alarmon”, ka deklaruar Maliqi për “Epokën e re”, duke shtuar se, nëse partitë opozitare nuk do të ndalen atëherë, sipas tij, kemi të bëjmë me një shembull tipik të dhunës interpretative. “Opozita e kushtëzon Qeverinë të heqë dorë nga marrëveshjet ndërkombëtare që i ka nënshkruar, atë për asociacionin e komunave serbe dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi. Opozita thotë: Hiqni dorë nga nënshkrimet dhe ne do ta zhbllokojmë Kuvendin! Por, në të vërtetë, ajo nuk ndalet tek kjo. Në esencë kërkon edhe më shumë, skajshmërisht shumë. Kemi të bëjmë me një shembull tipik të asaj që unë do ta quaja dhunë interpretative, kur një subjekt politik pretendon se qëndrimet e saj janë të drejta, alfa dhe omega e situatës dhe se nuk mund të ketë qëndrime të tjera. Pastaj opozita kërcënon se do të kalojë në protesta publike derisa pushteti aktual nuk dorëzohet dhe nuk anulohen marrëveshjet”, ka thënë Maliqi.
Ai ka vlerësuar se kjo nuk është pikënisje e duhur për ta zgjidhur çështjen, pasi shumica e koalicionit në pushtet, e përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga marrëveshjet, as nga pushteti që e ka falë votës së fituar vitin e kaluar dhe, sipas Maliqit, kjo krijon atë situatë të tensionuar që mund të çojë drejt konfliktit të hapur. “Opozita sikur synon që pushtetin ta përmbysë me dhunë, ndërkaq që pushteti i kontrollon forcat e rendit dhe sigurisë dhe mund të intervenojë kundër ambicieve puçiste të opozitës militante”, ka theksuar Maliqi. Sipas tij, një prej arsyeve për radikalizimin e opozitës është frika e disa drejtuesve të saj nga ndërhyrja tashmë e legalizuar e faktorit ndërkombëtar, sepse së shpejti do ta kemi të instaluar Gjykatën Speciale. “Edhe te Vetëvendosja!, tek AAK-ja dhe Nisma kemi disa figura politike të spikatura dhe mujshare, që do të mund të gjykoheshin nga Specialja. Për dallim nga mujsharët e pozitës, kandidatë për Specialen, që bashkëpunimin me ndërkombëtarët e shohin si mundësi për ‘amnistim’ nga ndjekja penale, mujsharët e opozitës përcaktohen për radikalizim të qëndrimeve dhe veprimeve, për të krijuar idenë se janë faktorë me fuqi destabilizues: mos na prekni, mund të sjellim anarki dhe kaos në Kosovë!”, është shprehur Maliqi.
Duke folur për mundësinë e intervenimit të faktorit ndërkombëtar, ai ka thënë se tashmë ndërkombëtarët mbajnë qëndrimin e prerë në favor të Qeverisë dhe e kritikojnë ashpër opozitën. “Kjo ia jep mazhorancës fuqinë ta mbrojë kushtetutshmërinë me të gjitha mjetet, ndërkaq përpjekja e opozitës që të imponohet me dhunë do të ishte aventurë e rrezikshme, sepse nuk do ta ketë përkrahjen as të ndërkombëtarëve, as të shumicës së popullit”, ka vlerësuar Maliqi.
Edhe analisti tjetër politik, Nexhmedin Spahiu, duke folur për zhvillimet e fundit, ka thënë se klasa politike e Kosovës është duke luajtur me zjarr. Ai ka thënë për “Epokën e re” se Kosova ka nevojë për formimin e një qeverie teknike me mandat njëvjeçar. “Nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme, situata rrezikon të përshkallëzojë. Ajo çfarë i duhet Kosovës aktualisht është formimi i një qeverie teknike, ku do të përfshiheshin të gjitha partitë politike parlamentare me një mandat njëvjeçar derisa të qetësohet situata. Përndryshe, ndezja e gjakrave, që veç ka filluar, mund të dërgojë në një situatë tepër të rrezikshme edhe për fatin e Kosovës. Prandaj, është koha që pozita dhe opozita të ulen, të bisedojnë dhe të formojnë një qeveri teknike gjithëpërfshirëse dhe të përgatiten për zgjedhje pas një viti”, është shprehur Spahiu. Në këtë kontekst, ai ka thënë se është e domosdoshme ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar që, sipas tij, duhet të ndodhë sa më shpejt. “Mendoj se ambasadorët e vendeve të Quintit duhet të takohen me të gjithë liderët politikë dhe të bëjnë një zgjidhje, pra qeverinë teknike. Nuk ka zgjidhje tjetër e cila do të mund ta evitonte përshkallëzimin e mëtutjeshëm të dhunës që veç ka filluar. Po ashtu, mund të ketë veprime edhe më radikale në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës në rast se nuk ndërmerren hapa për ta qetësuar situatën”, ka deklaruar Spahiu.

Filed Under: Analiza Tagged With: dialogu, e vetmja rruge, Shtypi ne Kosove

Kosova në një fazë tejet të rëndësishme të integrimit evropian

July 8, 2015 by dgreca

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e pestë plenar të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Korrik 2015- Kosova ka hyrë në një fazë tejet të rëndësishme të procesit të integrimit evropian, theksoi sot kryeministri kosovar Isa Mustafa.
“Tashmë kemi hapur kapitullin e marrëdhënieve zyrtare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Miratimi nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, dhe më pastaj nënshkrimi si dhe hyrja në fuqi e saj në fillim të vitit 2016, do shënojë marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri Mustafa tha se Marrëveshja për Stabilizim Asociim do të shërbejë si themel i procesit integrues të Kosovës dhe mundësi për zhvillim ekonomik.
“Miratimi i propozimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim nga ana Komisionit Evropian, është një arritje shumë e rëndësishme për Kosovën, që tregon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e reformave në kuadër të axhendës evropiane, dhe tregon perspektivën evropiane të Kosovës”, theksoi ai.
Kreu i qeverisë, vlerësoi përkushtimin e madh të të gjitha institucioneve të Kosovës për zbatimin e kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, si dhe zbatimin e rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian, duke shprehur besimin që vlerësimet e fundit të jenë pozitive dhe që Kosova më në fund të marr rekomandimin për liberalizimin e vizave.
“Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave jemi dëshmitarë të një përkushtimi të madh të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, si dhe zbatimi i rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian”, tha Mustafa.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në Prishtinë në takimin e pestë plenar të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit, ku ishin të pranishëm edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Jean Eric Paquet, ministra, deputetë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore e evropiane.
“Në procesin e integrimit evropian, nga Kosova sikurse edhe vendet tjera të Ballkanit kërkohet të adresojnë reforma konkrete, të cilat përmblidhen në tre shtylla: Reforma e Administratës Publike, Qeverisja Ekonomike dhe Konkurrueshmëria, si dhe Sundimi i Ligjit dhe të drejtat themelore. Këto shtylla janë të ndërlidhura me njëra tjetrën dhe janë vendimtare në mënyrë që vendi ynë të justifikojë gatishmërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Mustafa.
Ai falënderoi Komisionin Evropian dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar Kosovës në kuadër të procesit të integrimit në përgjithësi. “Dhe poashtu të nënvizoj që qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të zbatojë obligimet e saj karshi kërkesave të axhendës evropiane, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë vlerat e shumta të familjes së bashkuar Evropiane, dhe poashtu të kontribuojnë edhe në pasurimin e këtyre vlerave”, përfundoi kryeministri Mustafa.

Filed Under: Featured Tagged With: dialogu, Isa Mustafa, Stabilizim Asocim

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT